___
Gjenerata ime, gjenerata e mijëvjeçarëve, është ndër gjeneratat e fundit që e mban mend jetën para se terrorizmi islamik të na e trondiste ndjenjën e sigurisë dhe ta ndryshonte përgjithmonë vendin tonë e mbarë botën.
Më 11 shtator 2001, 19 terroristë të Al-Kaedës rrëmbyen katër aeroplanë civilë në sulme të koordinuara, të nxitura nga një ideologji e dhunshme islamiste. Afërsisht 3,000 njerëz të pafajshëm u vranë.
Në mesin e atyre që humbëm ishin edhe tre djem të kombit shqiptar:
Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj.
Rrok Camaj ishte emigrant shqiptar dhe baba i tre fëmijëve, i cili kishte punuar në World Trade Center për gati tri dekada. Si pastrues i dritareve, bënte një punë të vështirë e të rrezikshme, lart mbi rrugët e New Yorkut. Mëngjesin e 11 shtatorit, Rroku mbeti i bllokuar në Kullën Jugore dhe arriti ta telefononte gruan e tij para se kulla të shembej.
Mon Gjonbalaj, 65 vjeç dhe baba i katër fëmijëve, punonte në mirëmbajtje në Kullën Jugore. Pas Luftës së Kosovës, u kthye në Kosovë për ta ndihmuar vëllanë të rindërtonte shtëpinë e familjes, e cila ishte shkatërruar. Më 11 shtator, foli për herë të fundit me familjen e tij, duke i thënë djalit të qëndronte i fortë dhe ta mbante familjen të bashkuar.
Simon Dedvukaj ishte vetëm 26 vjeç. I lindur dhe i rritur në New York, në një familje shqiptare, ishte shumë i lidhur me prejardhjen, fenë dhe familjen e tij. Ishte një djalë i ri me gjithë jetën përpara. Punonte në World Trade Center dhe, më 11 shtator, ajo e ardhme iu mor.
Historia e Simonit për mua ka qenë gjithmonë më personale.
Simoni dhe kunata ime, pra, nusja e vëllait tim, ishin kushërinj të parë. Ndërsa Amerika po e shikonte tragjedinë duke u zhvilluar para syve të saj, familja e saj kishte njërin prej të vetëve në mesin e të zhdukurve.
Në ditët pas 11 shtatorit, e mbaj mend duke e telefonuar kunatën time vazhdimisht dhe duke e pyetur nëse kishin marrë ndonjë lajm për Simonin.
Pastaj erdhi lajmi, se dikush e kishte parë Simonin duke zbritur shkallëve të World Trade Centerit, duke i ndihmuar edhe njerëzit e tjerë të dilnin.
Për një moment, u kthye shpresa.
Ndoshta kishte dalë. Ndoshta ishte i plagosur diku. Ndoshta ende do të kthehej në shtëpi.
Kurrë nuk do t’i harroj fjalët që dëgjova ato ditë:
“Po presim të kthehet në shtëpi. Vetëm është i humbur.”
Kanë kaluar 25 vjet, por ato fjalë kurrë nuk janë larguar nga mendja ime.
Por 11 Shtatori nuk përfundoi kur u shpërnda tymi.
Mijëra zjarrfikës, policë, punëtorë të shpëtimit e të pastrimit dhe njerëz të tjerë të ekspozuar në Lower Manhattan, më vonë u përballën me sëmundje të rënda.
Edhe kjo pjesë është personale për familjen time.

Gjyshja ime jeton me kancer të lidhur me 11 Shtatorin, pas ekspozimit gjatë punës së saj në mirëmbajtje, dhe vazhdon ta luftojë këtë betejë edhe sot.
Disa i humbën njerëzit e tyre atë mëngjes. Të tjerë i panë njerëzit e tyre duke u sëmurë vite më vonë. E disa janë ende duke luftuar sot.
Para se të ndërtohej Memoriali i 11 Shtatorit, para se emrat e viktimave të gdhendeshin në gur, kishte familje që prisnin njerëzit e tyre të ktheheshin në shtëpi.
Për gjeneratën time, 11 Shtatori gjithmonë do ta ndajë jetën në dy pjesë: para dhe pas.
Dhe ne, si shqiptaro-amerikanë, do t’i kujtojmë gjithmonë edhe djemtë tanë, si dhe të gjithë shpirtrat e pafajshëm që humbën jetën më 11 shtator 2001.
Pushimin e pasosur jepu, o Zot,
dhe drita e pasosur ndriçoftë mbi ta!
Pushofshin në paqe. Amen.
Kurrë mos u harrofshin!
Elizabeta Tomë Mrijaj
New York • Klinë



