KUR DYSHIMI BËHET AKUZË
Leximi i shkrimit të neootomanit Kim Mehmeti të lë përshtypjen e një analisti që ka një përgjigje për gjithçka, edhe atëherë kur faktet kërkojnë më shumë kujdes se retorikë.
Edhe formulimi se katër krerë të UÇK-së “jetën e flijuan për lirinë e popullit të vet” tingëllon si një elegji post mortem për njerëz që janë gjallë. Ironia këtu nuk është te jeta apo vdekja e tyre, por te përdorimi i një gjuhe funerale për njerëz ndaj të cilëve sapo është dhënë një vendim gjyqësor.
Po kështu, ta quash Gjykatën Speciale “krijesë monstrum” dhe vendimet e saj “monstruoze” është retorikë politike. Kritika ndaj një gjykate dhe ndaj një aktgjykimi është legjitime; por analiza juridike kërkon argumente, jo mbiemra.
Kur dyshimi bëhet akuzë
Sa për Lëvizjen e Deçanit, Kimi ka të drejtë të dyshojë. Le të dyshojë sa t’ia do dëshira. Por kur dyshimi shndërrohet në etiketën “antishqiptarë”, kemi kaluar nga pyetja te akuza.
Dallimi është elementar:
Dyshimi është pyetje. Akuza kërkon prova. Etiketa nuk është argument.
Prandaj, zoti Mehmeti, nëse ke prova se Lëvizja e Deçanit është “antishqiptare”, publikoji: dokumentin, veprimin, deklaratën ose faktin konkret.
Nëse nuk i ke, atëherë etiketa mbetet polemikë.
Sepse nuk mund të vlejë parimi: “Unë dyshoj, prandaj analizoj; ti dyshon, prandaj je antishqiptar.”
Dhe këtu vjen pyetja që lidhet drejtpërdrejt me islamin politik: pse ndaj një lëvizjeje që e ka bërë publike kritikën ndaj islamizmit politik përdoret kaq lehtë etiketa “antishqiptare”, ndërsa vetë islamizmi politik shpesh trajtohet me shumë më tepër kujdes gjuhësor?

Kjo nuk është akuzë ndaj Kimit se është “zëdhënës” i ndonjë ideologjie. Një pretendim i tillë do të kërkonte prova. Është një pyetje mbi kriterin e analizës dhe mbi standardin e përdorur ndaj palëve të ndryshme.
Sepse nëse kërkohet transparencë nga Lëvizja e Deçanit, transparenca duhet të jetë standard i përgjithshëm: për financimet, interesat, lobimet, qëndrimet dhe burimet e çdo aktori që hyn në këtë debat.
Në fund, një gjë duhet të jetë e qartë:
Dyshimi nuk është provë.
Akuza nuk është fakt.
Etiketa nuk është argument.

Dhe shqiptaria nuk është pronë private e askujt
Faktet flasin. Etiketat vetëm zhurmojnë.
E për pjesën tjetër, siç thotë populli:
“Katuni që duket, nuk don kallauz.”



