_____
Idriz Rrecaj ishte një nga veprimtarët e vrarë të LDK-së, për vrasjen e të cilit akuzohej UÇK-ja dhe SHIK-u
Vrasësi serial i shqiptarëve, Gani Geci, pa fije turpi e kishte drejtuar gishtin te UÇK-ja dhe SHIK-u për vrasjen e Idriz Rrecajt. Dje u konfirmua se vrasjen e tij e ka kryer Serbia.
Jo vetëm Gani Geci, i cili ishte bashkëpunëtor i UNMIK-ut, EULEX-it, Hagës, Nazim Bllacës së BIA-s serbe e dreqit e të birit, por edhe shumë të tjerë e kanë akuzuar UÇK-në për vrasjen e Idriz Rrecajt.
Shumica dërrmuese e familjeve të veprimtarëve të vrarë të LDK-së i dinë vrasësit e tyre dhe motivet e tyre. E dinë që me rastet e tyre nuk ka asnjë lidhje Hashim Thaçi.
Njësoj kanë provuar që edhe vrasjen e Fehmi Aganit t’ia veshnin UÇK-së. Por këtu familja e Aganit ishte treguar më e mençur dhe nuk kishte lënë hapësirë për manipulime e as për teatër politik me kufoma. Kishin treguar që ditën e parë se vrasësit e tij ishin forcat serbe dhe kishte dhjetëra dëshmitarë për këtë!
Shaban Manaj ishte vrarë për çështje morali nga shoferi i LDK-së, Mark Oroshi.
Ukë Bytyqi ishte vrarë nga Jetullah Kryeziu, i cili ka mbajtur burg, pasi ekipi i Ukë Bytyqit shkoi dhe e rrahu djalin e tij në shtëpinë e Jetullah Kryeziut.
Sebahate Tolaj ishte vrarë nga Bedri Krasniqi, i cili mban burg për këtë vepër.
Sadik Musaj, i cili ishte zullumqar i stilit të Enver Sekiraqes, ishte vrarë nga Atdhe Musaj para qindra dëshmitarëve. Në mes të sheshit. Sepse Sadiku e kishte sulmuar.
Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku, sipas misionit famëkeq të EULEX-it, ishin vrarë nga Agron Sylejmani dhe EULEX-i e ka mbyllur këtë çështje. Edhe pse këtu ka shumë çështje për t’u diskutuar, përfshirë edhe rolin enigmatik të Gani Gecit.
Enver Maloku ishte patriot. Ai është varrosur me nderime ushtarake të UÇK-së. Dy herë para vrasjes kishte lënë shkrime ku kishte treguar se Serbia e kishte kërcënuar me vrasje dhe ishte marrë në pyetje nga forcat serbe!
Ali Uka, edhe pse nuk ishte veprimtar i LDK-së, ishte vrarë nga djali i mixhës së tij, Selman Uka. Ishte arrestuar në Shqipëri dhe pastaj ishte liruar, me arsyetimin se gjoja kishte probleme psikike.
Njësoj, heroi Ilir Konushevci ishte vrarë nga vëllezërit Demiri nga Shqipëria, të afërt me deputetin e PD-së, Azem Hajdarin. Fatmir Haklaj kishte nxjerrë hak për të.
I përmenda disa nga vrasjet të cilat thuhet se janë enigmatike. Ka edhe shumë të tjera, për të cilat familjarët i dinë dorasit dhe motivet.
Si në rastin e Idriz Rrecajt, edhe në disa raste të tjera, bashkëpunëtorët e Serbisë dhe Botës Sot do të demaskohen kur të zbulohet e vërteta e tyre!
Fatkeqësisht, rastet e tyre as nuk janë pjesë e hetimit nga Gjykata Speciale. Aktakuza fillon në mars 1998 dhe mbaron në shtator 1999.
Janë 97 viktima, ku 80% e tyre janë serbë. Pjesa tjetër janë ish-milici dhe ish-gardianë burgjesh që kanë maltretuar shqiptarë.


