Pika 1.
„Kuvendi shpreh shqetësim.“
Gjykata nuk merret me shqetësimet e Kuvendit. Ajo merret me akuzat, provat dhe ligjin. Shqetësimi politik nuk është argument juridik, por ndërtimi asaj Gjykate nga vetë Kuvendi i Kosovës ka prodhuar procesin gjyqësor dhe pasojat juridike.
Pra, Kuvendi mund të shprehë shqetësimin e tij, por me shqetësim nuk ndryshohen as provat, as vendimi i Gjykatës.
Pika 2.
„Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.“
Këtë mund ta bëjë vetëm Gjykata e Apelit. Askush tjetër. Kështu e keni firmosur ju.
Pika 3.
„Kuvendi kërkon nga institucionet e Kosovës të ndërmarrin veprime për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës çlirimtare dhe të hartojnë një strategji që bashkërendon veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike.“
Kuvendi e Qeveria nuk janë avokatë.
Kuvendi mund të kërkojë dhe të propozojë. Por Kuvendi nuk ka as prova, as dëshmitarë. Këto i ka vetëm gjykata.
Për ta kuptuar pushtetin e Qeverisë ndaj Prokurorive dhe Gjykatave të pavaruar, ja dy shembuj të freskët nga Kosova:
Gjykata e Posaçme në Hagë, ka të njëjtë pavarësi si Gjykata e Apelit në Kosovë. Çfarë ndërmori Kuvendi, çfarë mund të ndërmerrte Qeveria kur ajo Gjykatë shpalli të pafajshëm dhjetë veta që prodhuan mijëra veteranë të rrejshëm?
Asgjë.
Sepse gjykata është institucion i pavarur.
Shembulli i dytë: çfarë bëri Kuvendi e Qeveria kundër Prokurorisë së Kosovës që nuk shqyrton 250 kallëzime penale të dorëzuar nga 11 ministri?
Asgjë.
Sepse prokuroria është institucion i pavarur.
Pse ju, së paku për këto dy raste, nuk i dërguat aleatëve një mesazh se ju dëshironi shtet ligjor dhe se Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor paguhen kot dhe nuk i mbikëqyrin institucionet për të cilat i detyron ligji.
Pse nuk pati dy deklarata të ngjashme kundër Prokurorisë dhe Gjykatës së Apelit?
Sepse ju nuk e doni shtetin ligjor. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse ju krijuat dhoma të specializuara në Hagë. Edhe atë, të specializuara aq mirë, sa shpesh nuk dinë t’i shqiptojnë as emrat e katundeve apo të njerëzve. Madje nuk ka as avokatë nga Kosova të cilët njohin mirë rrethanat, por të huaj.
Pika 4.
„Deklarata rikujton se ish-Jugosllavia ishte pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.“
Gjykata e di atë. Dhe nga ajo Gjykatë nuk i keni autorizuar të merren me ish-Jugosllavinë.
Pika 5.
„Kuvendi kërkon që Dhomat e Specializuara të respektojnë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Kosovës.“
Nëse gjykata nuk e respektonte mandatin, atëherë duhej të paraqiteshin fakte dhe argumente juridike konkrete që dëshmojnë shkeljen. Mirëpo, jo tani. Para aktvendimit. Nuk mjafton t’i thuhet një gjykate: „Respektojeni mandatin.“
Gjykata do të përgjigjet: ne punojmë vetëm duke u bazuar në mandatin me të cilin ju na keni autorizuar.
Pika 6.
„Kuvendi kundërshton përpjekjet për të përmbysur të vërtetën historike.“
Gjykata nuk merret me „të vërtetën historike“, por me të akuzuarit individualisht. Ajo shqyrton përgjegjësinë penale të tyre duke u bazuar në prova dhe dëshmitarë. Pse? Sepse ju e keni autorizuar. Ajo ka dëgjuar shumë dëshmitarë dhe ka lexuar prova. Kuvendi asnjë.
Pika 7.
„Kuvendi zotohet të mbrojë të vërtetën e luftës çlirimtare, drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë.“
Për drejtësi për viktimat e krijuat Gjykatën. Sepse ju nuk jeni marrë me ta.
Kundër një padrejtësie luftohet derisa ajo ndodh dhe përmes mjeteve juridike që ekzistojnë, jo pasi procesi të ketë përfunduar dhe të jenë marrë vendimet. Konsultohuni me juristë të mirë, se sa e si mund të ndihmohet avokatë e tyre. Mirëpo, para se të flisni me ata, lexojeni pikësëpari çfarë keni votuar dhe firmosur në vitin 2015.
Konkluzion
1. Duhet të luftohet për ata që nuk e votuan Gjykatën, por jo për ata që e ndërtuan me plot përkushtim. Vullneti i tyre, ashtu si dhe liria për të menduar dhe për të marrë vendime, u takon vetëm atyre! Këtë e besuat dhe ju nuk e kundërshtuat atë Gjykatë nga viti 2015, deri në mesin e vitit 2026. Tani, vullneti juaj politik nuk mund ta pezullojë pavarësinë e gjykatës.
Çfarë mund të thuhet për ato shtatë pika të PDK-së?
Ato shatë pika janë muhabet pasdarke! Me folë për me thanë diçka për me kundërshtue sa për sy e façe!
Nëse nuk e zgjidhni kryetarin, atëherë shkoni në zgjedhje dhe i harroni ata në Hagë, por do të bëni fushatë elektorale dhe do të përpiqeni të fitoni nga drama e tyre. Nëse vërtetë nuk ndihmoni në zgjedhjen e kryetarit, atëherë tregoni hapur se ata në Hagë nuk ju interesojnë aq shumë, por keni frikë nga sekuestrimi i pasurisë së vjedhur.
Njeriu i drejtë mbështet gjithmonë viktimën, e kurrë vrasësin. U dënuan për 96 të vrarë dhe 303 të trajtuar mizorisht. Nëse ka prova, askush nuk mund t’i mbrojë! Nëse nuk ka, i liron Gjykata e Apelit.
Po presim aktgjykimin e plotë dhe nëse të vrarët janë kryesisht anëtarë të LDK-së dhe FARK-ut, e jo udbashë, atëherë mbrojtja e tyre domethënë të pranohet si legale licenca e vrasjes për vetëm një faj: pse ishin anëtarë të LDK-së, ose pjesëtarë të FARK-ut!
Unë e kuptoj shumë mirë dramën e familjeve të të akuzuarve, por e ndiej tepër mirë traumën e familjeve që u janë ekzekutuar të afërmit. Nuk ka asnjë dyshim se kjo ka dëmtuar shumë imazhin e Kosovës, por dëmi do të rritej edhe më shumë, nëse janë vrarë shqiptarë për bindje politike, dhe ne vazhdojmë të përkrahim ata. Dhembja nga i drejti nuk ndihet vetëm kur i vritet dikush nga familja e vet, por kur vritet i pafajshmi.



