Prej kah ke ardhë

Shkrime relevante

Prej kah ke ardhë

Ilir Seci, New York ____ PREJ KAH KE ARDHË ____ “Për me e dijtë kush...

Shatë pikat e PDK-së janë muhabet pasdarke! Me folë për me thanë diçka për me kundërshtue sa për sy e façe! 

Lis Bukuroca, Gjermani ____   Pika 1. „Kuvendi shpreh shqetësim.“ Gjykata nuk merret me shqetësimet e...

Prof. dr. Anton Nikë Berisha – në një bisedë të dobishme e informuese

Nga Ismet M. Hasani, Suedi ___ Prof. dr. Anton Nikë Berisha - në...

Osman Osmani i përgjigjet Ibrahim Kelmendit: Nuk mjafton të flasësh në emër të të tjerëve, sillni dokumentet

Nga: Osman Osmani Përgjigje Ibrahim Kelmendit Ibrahim Kelmendi, në përgjigjen ndaj...

Shpërndaj

PREJ KAH KE ARDHË
____
“Për me e dijtë kush je, duhet me pasë nji vend prej kah ke ardhë.”
(“To know who you are, you have to have a place to come from.”- Carson McCullers.)
— Carson McCullers
Njeriu mundet me udhëtu larg, shumë larg vendit ku ka lindë. Mundet me ndërtu nji jetë tjetër, me mësu gjuhë të reja, me u përshtatë me qytete ku rrugët nuk kanë asnji kujtim të fëminisë së tij. Mundet me jetu për dekada larg pragut ku ka hedhë hapat e parë. Por, sado larg me shku, mbrenda tij vazhdon me gjaku nji vend prej kah ka ardhë. Sepse vendi prej kah kemi ardhë nuk asht veç nji pikë në hartë që mundesh m’ia diftu dikuj me të prekun Google Maps.
Asht vetja jonë.
Asht oborri ku kemi luejtë fëmijë, zani i nanës që na thirrte prej dere, era e bukës së pjekun në saç, kumbonët e tubave të dhenve dhe trokaçat e tubave të dhive që përziheshin me zhurmën e jetës së përditshme. Asht rruga e ngushtë ku kemi ecë për herë të parë, kroni ku kemi pi ujë, mali që kemi pa çdo nadje, e fytyrat e njerëzve që sot mund të mos jenë ma.
Vendlindja nuk asht vetëm ajo që kujtojmë.
Shpesh, vendlindja asht edhe ajo që nuk dijmë me e kujtu.
Asht nji aromë që papritmas na kthen mbrapa në kohë. Nji kangë e vjetër që na zgjon nji mall të pashpjegueshëm. Nji fjalë në gjuhën e nanës që tingëllon ndryshe prej çdo fjale tjetër. Nji pamje mali, nji gur, nji lis, nji derë e vjetër, e mjafton vetëm nji çast që vitet të shkrihen e fëmija që kemi qenë me dalë përsëri në dritë.
Ndoshta kjo asht arsyeja pse njeriu, sa ma shumë plaket, aq ma shpesh kthehet me mendje te vendi prej kah ka ardhë. Kur jemi të rinj, mendojmë se bota na pret përpara. Shikojmë kah horizonti dhe duem me ikë. Duem me pa qytete të tjera, me provu jetë të tjera, me e gjetë fatin diku lerg. E shpesh u dashka me u largu për me kuptu se çka kemi lanë pas.
Largësia ka nji mënyrë të çuditshme me na mësu vlerën e rranjëve.
Vetëm kur largohemi, e kuptojmë se vendi ku jemi rritë nuk ka qenë thjesht vendi ku kemi jetue. Ai asht vendi ku jemi formu.
Gjuha jonë e parë, mënyra si e thirrnim nanën, si i drejtoheshim ndrojtshëm plakut, si e pritnim mikun, si e vajtonim të vdekunin, si e këndonim nji kangë kanagjeçi, si e përjetonim nji dasëm — të tana këto janë pjesë e nji trashëgimie që nuk shkruhet gjithmonë në libra.
Ajo trashëgimi jeton në kujtesë.
E kujtesa asht nji atdhe që njeriu e mban me vete.
Mundet me ta marrë lufta shtëpinë. Mundet me ta ndryshu kufinin. Mundet me ta ndërru emnin e rrugës. Mundet me të shpërnda familjen nëpër kontinente. Por, për sa kohë që ti e mban mend vendin prej kah ke ardhë, ai vend vazhdon me jetu.
Kjo asht fuqia e rranjëve.
Rranjët nuk shihen. Ato janë të mshehuna nën tokë. Por pikërisht ato e mbajnë pemën në kambë.
Edhe njeriu asht njashtu si nji pemë.
Mundet me i zgjatë degët kah bota, me u rritë, me ndryshu, me pa horizonte të reja. Por pa rranjë, ai rrezikon me harru prej kah ushqehet shpirti i tij. Me dijtë prej kah ke ardhë nuk do me thanë me mbetë peng i së kaluemes.
Përkundrazi. Do me thanë me pasë nji pikë prej kah mundesh me nisë. Sepse ai që e njeh rrugën e vet të parë, e kupton ma mirë edhe rrugën që ka ba. E ai që e mban mend pragun prej kah ka dalë, mundet me e kuptue ma mirë se ku asht sot.
Ndoshta kjo asht ajo që don me thanë McCullers: identiteti nuk lind në boshllëk. Ai ka nji histori. Ka nji tokë. Ka nji gjuhë. Ka nji familje. Ka nji kujtesë.
Ka nji “prej kah.”
Dhe secili prej nesh e mbart nji të tillë.
Disa e kanë nji qytet. Disa nji katund. Disa nji mal. Disa nji shtëpi që nuk ekziston ma. Disa nji vend që sot gjendet përtej nji kufini që dikush tjetër e ka vizatue mbi hartë. Por për shpirtin, kufijtë e hartës nuk janë gjithmonë kufijtë e kujtesës.
Vendi prej kah kemi ardhë vazhdon me na folë, edhe kur nuk e ndëgjojmë. Na flet përmes gjuhës. Përmes kangës. Përmes zakoneve. Përmes emnave të njerëzve që kanë shku. Përmes vorreve ku prehen të parët tanë. Përmes maleve që i kemi pa dikur prej dritares së kullës.
E ndoshta, në fund të fundit, njeriu nuk kthehet gjithmonë në vendlindje për me e gjetë vendin.
Kthehet për me e gjetë veten.
Sepse disa vende nuk na presin thjesht me dyer e dritare.
Na presin me kujtime.
E kur kthehemi, qoftë edhe mbas shumë vitesh, mund të zbulojmë se ajo tokë nuk ka ndryshu vetëm për shkak të kohës. Ka ndryshu edhe mënyra si e shohim ne.
Kur ishim fëmijë, mali ishte thjesht mal.
Sot, ai mund me qenë krejt nji jetë.
Nji gur mundet me qenë nji histori.
Nji kangë mund me qenë nji arkiv.
Nji fjalë e vjetër mundet me qenë nji amanet.
Dhe nji vend i vogël mundet me mbajtë mbrenda vetes nji botë të tanë.
Prandej, me e dijtë kush je, duhet me pasë nji vend prej kah ke ardhë.
Jo domosdoshmënisht nji vend ku mundesh me u kthy fizikisht.
Por nji vend që nuk mundet me u zhdukë prej teje.
Nji vend që e bart në gjak të kujtesës.
Nji vend që, sa herë e përmend emnin e tij, diçka mbrenda teje përgjigjet.
Njeriu mundet me e ndërru adresën. Mundet me e ndërrue qytetin. Mundet me e ndërru edhe jetën. Por nuk mundet me e ndërru prej kah ka ardhë.
Dhe ndoshta, për me e kuptu vërtet kush jemi, duhet vetëm me u ndalë nji çast, me mbyllë sytë dhe me pyetë veten:
Prej kah kam ardhë?
Përgjigjja mundet me qenë nji emën vendi.
Mundet me qenë nji shtëpi.
Nji mal.
Nji nanë.
Nji gjuhë.
Nji kujtim.
Por aty, diku në atë përgjigje, fillon rruga për me e kuptu veten…

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu