
Florim Zeqa
Dr. spc. Xhafer Morina mjek i përmasave ndërkombëtare
Vdekja na e mori edhe një personalitet të shquar, mjekun specialist Dr. Xhafer Morina, me përvojë të gjatë si internist-kardiolog në shërbim të popullatës sonë! Ishte aktivist dhe veprimtarë i shquar i viteve të krenarisë kombëtare.
Humbje e madhe për familjen dhe shoqërinë
Xhafer Morina ishte një nga personalitetet më markante të Komunës së Klinës dhe jo vetëm. Ishte emër i njohur në mbarë Kosovën, trojet etnike dhe në mërgatën tonë!
Xhafer Morina i ka përfunduar me suksese të larta studimet e Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës, kurse specializimin për Mjekësinë Interne (Kardiologji) e ka kryer në Univeristetin e Beogradit.
Xhafer Morina i përket plejadës së parë të Internistëve (Kardiologëve) në Kosovë!
Para luftës, në vitet e rënda të okupimit klasik të Serbisë, Xhafer Morina ka shërbyer si internist-kardiolog në Shtëpinë e Shëndetit në Klinë.
Pas mbylljes së institucioneve publike ishte vënë në shërbim të pacientëve me sëmundje kardiake jo vetëm në komunën e Klinës, por edhe më gjërë në rajonin e Pejës, Istogut, Deçanit, Skenderajt, Drenasit, Malishevës, etj.
Pas luftës, Dr. Xhafer Morina për 26 vite rresht ka punuar si specialist i mjekësisë interne (internist) në Poliklinikën “Biolab Zafi” në Klinë, ku trajtonte pacientë me probleme të ndryshme shëndetësore, përfshirë ato të fushës së kardiologjisë.
Si e njoha Dr. spc. Xhafer Morina!?
Ishte vjeshtë e vonë e vitit 2011, Pasi ia rregullova dokumentet e bashkimit familjarë, Nënën time (Hysnije Zeqa) me të ardhur në Itali e dërgova për vizitë tek mjeku familjarë (medico di famiglia). Ajo me vete e kishte marrë një qese të mbushur përplot barna të rekomanduara nga mjek të ndryshëm nga Kosova!
Pas kontrollit rutinor, mjeku i mori dhe i shikoj me kujdes barnat, me ç’rast ia largoj të gjitha me përjashtim barnave të Doktor Xhaferit, të cilat ia rekomandoj që t’i përdor edhe më tutje!
Por, ky verifikim i mjekut specialist nga Kosova nuk përfundon më kaq!
Pas një muaji, Nëna ime pësoi ‘Infarkt MIO’, nga i cili shpëtoj me suksese të përgjysmuar falë intervenimit urgjent në Spitalin e Conegliano-s (TV-Itali).
Me të dalur nga Spitali, mjekët specialist, përveç barnave të përshkruara nga ana e tyre, i rekomanduan që t’i vazhdoj edhe ato të Dr. Xhafer Morinës!
Edhe pse doktor Xhaferin e njihja personalisht nga vitet e ’90-ta, e njoha më mirë se askush tjetër nga sëmundja e Nënës sime të ndjerë, Hysnije Zeqa në vitin 2011 në Itali!
Mjek me vyrtyte të larta njerëzore
Dr.spc. Xhafer Morina, përveqse një njeri i urtë dhe i mirë, ishte atdhetar i devotshëm, profesionist i spikatur shëndetësor, Internist-Kardiolog i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, i cili, tani e tutje do t’i takojë botës së amshueshme, porqë përjetësisht do të kujtohet me nder dhe respekt të përhershëm nga qytetarët e Klinës dhe mbarë Kosovës.
Xhafer Morina ishte doktori që iu shërbu mijëra e mijëra pacientëve me përkushtim të lartë profesional, me dashuri njerëzore dhe humanizëm të madh.
Mungesa e tij do të jetë e madhe dhe e pakompensueshme për pacientët, miqtë, kolegët dhe farefisin e gjerë, por mbi të gjitha për familjen e tij, e cila përveq dhimbjes, e ka krenarinë e përjetshme për birin e saj, prindin dhe gjyshin e devotshëm dhe atdhetar!
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Morina, bashkëshortes, djemve, vajzës dhe të gjithë familjarëve, kolegëve dhe miqve, në veçanti pacientëve të shumtë! Forcë në përballimin e dhimbjes!
Lavdi jetës dhe veprës humatitare të mjekut emblematik, Xhafer Morina!
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, të cilën aq shumë e deshi dhe i shërbeu me nder dhe atdhedashuri!
Prehu në paqe, Doki!


