Në Jashanicë të Klinës iu dha lamtumira e fundit doajenit të mjekësisë kosovare, Dr. Xhafer Morinës

Shkrime relevante

Kemi jetuar si zogjtë nën rrasa guri, poezi nga Arif Ejupi

Kemi jetuar si zogjtë nën rrasa guri (Me këtë poezi reagoj ndaj...

Kur Islami Politik hyn në Sport, shnënjestër e ka shtetin!

Albert Leka, Prishtinë ____ Ajo që po ndodh në Kosovë nuk duhet të...

Për të qenë shqiptar me shpirt e me zemër, ashtu siç jam unë, të duhen edhe 100 jetë, jo vetëm një!

Amina Nuraj, Novi Pazar (Tregu i Ri) _____ Ooo, kur një mbeturinë njerëzore...

Çështja shqiptare, në rrezik nga vet shqiptarët!

Xhemil Zeqiri, Danimark Adem Demaçi, Ibrahim Rugova dhe historia që nuk duhet...

Pranvera që nuk u gjunjëzua, nga grilat e burgut të Prishtinës te zëri i Hydajet Hysenit

Nga Sak Muji (Sylë Mujaj) – pjesëmarrës i demonstratave të 11–26...

Shpërndaj

Lekë Mrijaj, Klinë

Në varrezat e Joshanicës, në prani të familjarëve, kolegëve, miqve, përfaqësuesve institucionalë dhe qytetarëve të shumtë, iu dha lamtumira e fundit doajenit të mjekësisë kosovare, dr. Xhafer Morinës, specialist i pensionuar i mjekësisë interne, i cili për katër dekada i shërbeu me përkushtim shëndetit të qytetarëve të Klinës. Ai kishte ndërruar jetë një ditë më parë, në orët e mëngjesit, duke lënë pas një veprimtari të pasur profesionale, një emër të respektuar dhe trashëgiminë e një mjeku që profesionin e kishte shndërruar në mision njerëzor.

Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, Morina punoi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë, ku me profesionalizmin, përgjegjësinë dhe përkujdesjen ndaj pacientëve la gjurmë të pashlyeshme në jetën e komunitetit. Për shumë qytetarë, ai nuk ishte vetëm specialisti të cilit i drejtoheshin për ndihmë shëndetësore, por edhe njeriu që dinte t’i dëgjonte, t’i këshillonte dhe t’u qëndronte pranë në çastet më të vështira.

Në nderim të jetës dhe veprës së tij, në sallën e Asamblesë Komunale të Klinës u mbajt një mbledhje komemorative, ku morën pjesë të afërm të të ndjerit, drejtues komunalë e shëndetësorë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë. Takimin e hapi dhe e drejtoi dr. Gazmend Boja, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza”, i cili, pasi përkujtoi figurën njerëzore dhe profesionale të të ndjerit, ia dha fjalën nënkryetarit të Komunës së Klinës, z. Fadil Gashi. Në fjalën e tij përkujtimore, Gashi shprehu dhimbjen për këtë humbje, duke e cilësuar të ndjerin si internist të përkushtuar dhe personalitet me vlera të veçanta njerëzore. Ai vuri në dukje se, krahas aftësive profesionale, Morina ishte edhe familjar i devotshëm, njeri i dashur e i afërt, i respektuar nga bashkëpunëtorët dhe pacientët që kishin pasur mundësinë ta njihnin. Duke sjellë një kujtim personal, nënkryetari tregoi se mjeku kishte qenë edhe në shërbim të familjes së tij, çka i kishte dhënë mundësinë ta njihte nga afër seriozitetin dhe përkushtimin me të cilin e ushtronte profesionin. Ai theksoi se, ndonëse ishte pensionuar nga institucioni publik, gjurmët e punës dhe humanizmit të tij do të mbeteshin të pranishme në kujtesën e të gjithëve. Sipas Gashit, njerëzit e mirë nuk largohen plotësisht, sepse vazhdojnë të jetojnë përmes veprave të tyre dhe mirënjohjes që lënë pas.

Më pas, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi në Klinë, z. Agron Bacaj, vlerësoi kontributin e të ndjerit në zhvillimin e shërbimeve mjekësore, duke theksuar se komuniteti kishte humbur një profesionist të çmuar, i cili jetën ia kishte kushtuar mbrojtjes së shëndetit dhe dinjitetit njerëzor. Ai e përshkroi Morinën si përfaqësues të një brezi për të cilin mjekësia nuk ishte thjesht profesion, por thirrje dhe përgjegjësi morale. Në vlerësimin e tij, Bacaj nënvizoi se, gjatë punës si internist, ai kishte qenë pranë të sëmurëve në rrethanat më të vështira, kur kujdesi dhe fjala e mjekut marrin rëndësi të veçantë. Kontributi i tij, sipas drejtorit, do të mbetet pjesë e kujtesës institucionale dhe qytetare, ndërsa vlerat profesionale e njerëzore përbëjnë një shembull që nuk zbehet me kalimin e viteve.

Në vijim, drejtori i QKMF-së, dr. Gazmend Boja, solli para të pranishmëve kujtime nga jeta dhe veprimtaria e kolegut të ndjerë, duke vënë në pah përgjegjësinë në ushtrimin e detyrës, marrëdhëniet me bashkëpunëtorët dhe përkushtimin ndaj të sëmurëve. Ai shprehu ngushëllime për bashkëshorten, fëmijët dhe të afërmit, duke theksuar se dhimbja e tyre ndahej edhe nga komuniteti shëndetësor i Klinës dhe më gjerë. Sipas dr. Bojës, vlera e profesionit të mjekut nuk përcaktohet vetëm nga orët e punës, por nga besimi që krijon te pacientët, durimi për t’i dëgjuar dhe përgjegjësia për të marrë vendime në çastet vendimtare. Këtë mision, Morina e kishte kuptuar dhe përmbushur me përkushtim të jashtëzakonshëm. Si internist, ai kishte trajtuar sëmundje të ndryshme, përfshirë ato të zemrës, ndërsa qetësia dhe komunikimi i tij shpesh ua lehtësonin shqetësimet pacientëve përpara fillimit të trajtimit. Duke paraqitur të dhëna biografike, Boja bëri të ditur se i ndjeri kishte përfunduar shkollimin fillor në vendlindje dhe atë të mesëm në Klinë, ndërsa në vitin 1979 kishte diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Specializimin në mjekësinë interne e kishte kryer në Beograd. Në vitin 1986 nisi punën si internist në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza”, ku shërbeu deri në pensionim. Gjatë kësaj periudhe ushtroi edhe detyra drejtuese, duke ndihmuar në organizimin dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Pensionimi nuk e largoi nga mjekësia. Ai vazhdoi të punonte në Poliklinikën “Biolab Zofi” deri në ditët e fundit të jetës, duke ruajtur njëkohësisht lidhje të ngushta me ish-kolegët e institucionit publik, të cilët i vizitonte dhe i këshillonte vazhdimisht. Boja e kujtoi si bashkëpunëtor të gatshëm për të ndarë përvojën, që e çmonte punën ekipore dhe e kuptonte rëndësinë e secilit profesionist në funksionimin e sistemit shëndetësor. Ai theksoi se kjo ndarje nga jeta nuk shënonte vetëm përfundimin e një rrugëtimi profesional, por edhe një humbje të ndjeshme për familjen dhe shoqërinë. Pas mbeteshin pacientë të shumtë që kishin përfituar nga ndihma e tij, kolegë që kishin mësuar prej tij dhe një emër i mirë, i ndërtuar përmes punës së ndershme. Për familjarët, nderimi i shprehur në këtë mbledhje përbënte dëshmi të respektit që ai kishte fituar si mjek dhe si njeri.

Në emër të familjes Morina, të pranishmëve iu drejtua vajza e të ndjerit, Suzana Morina, e cila falënderoi institucionet, kolegët dhe qytetarët për pjesëmarrjen dhe nderimin që i bënë babait të saj. Mirënjohje të veçantë ajo shprehu për Komunën e Klinës, kryetarin dhe nënkryetarin, QKMF-në, Drejtorinë e Shëndetësisë dhe organizatorët e mbledhjes komemorative.

Suzana falënderoi gjithashtu bashkëpunëtorët shumëvjeçarë të të atit në institucionin publik dhe në Poliklinikën “Biolab Zofi”, duke theksuar se ky respekt ishte një ngushëllim i madh për familjen dhe dëshmi se puna, përkushtimi dhe humanizmi i tij nuk do të harroheshin. Ajo përcolli mirënjohjen e të afërmve për të gjithë ata që u qëndruan pranë në këto çaste dhimbjeje.

Pas mbledhjes komemorative, ceremonia mortore vazhdoi në varrezat e Joshanicës, ku pjesëmarrës të shumtë nga Klina më rrethinë dhe Kosova u mblodhën për ta përcjellë në banesën e fundit. Prania e tyre dëshmoi respektin që i ndjeri kishte fituar gjatë veprimtarisë profesionale dhe jetës së tij. Me këtë rast, dr. Gazmend Boja mbajti një tjetër fjalë përkujtimore, duke evokuar humanizmin dhe përkushtimin e kolegut ndaj profesionit dhe njerëzve. Në fjalën e tij, Boja e përshkroi si internist me shpirt, për të cilin mjekësia nuk ishte vetëm detyrë, por mision. Ai theksoi se Morina e shihte çdo pacient fillimisht si njeri e më pas si rast klinik, duke e dëgjuar me durim, shqyrtuar me kujdes dhe trajtuar me qetësi. Shpesh, dera e ambulancës së tij qëndronte e hapur edhe pas orarit të punës, sepse nuk e refuzonte askënd që kishte nevojë për ndihmë. Duke iu drejtuar kolegëve, ai kujtoi qetësinë që e karakterizonte në situata të vështira dhe gatishmërinë për të përcjellë njohuritë te brezat e rinj. Përvoja e tij nuk mbetej vetëm pasuri personale, por ndahej me të tjerët përmes këshillave, mbështetjes dhe mësimeve praktike. Në këtë frymë, ai përcillte mesazhin se mjekësia është art i shërbimit ndaj njeriut. Vëmendje të veçantë Boja i kushtoi edhe marrëdhënies së të ndjerit me personelin infermieror, punën e të cilit ai e çmonte thellësisht. I vetëdijshëm për rëndësinë e kujdesit, durimit dhe sakrificës së infermierëve, Morina i trajtonte ata si bashkëpunëtorë të barabartë, pavarësisht përgjegjësive drejtuese që kishte ushtruar. Kjo frymë kolegjialiteti kishte krijuar lidhje të forta njerëzore dhe profesionale, ndaj mungesa e tij do të ndihej në mjediset ku kishte shërbyer për vite me radhë. Një pjesë prekëse e fjalës iu kushtua pacientëve, shumë prej të cilëve kishin ardhur për ta përcjellë për herë të fundit. Boja kujtoi se i ndjeri ua mbante mend emrat, interesohej për familjet e tyre dhe u qëndronte pranë në momentet e pasigurisë e të frikës. Për disa kishte qenë burim shprese, ndërsa të tjerë ia atribuonin atij shpëtimin e jetës. Kështu, përkujdesja e tij kishte tejkaluar kufijtë e trajtimit fizik, duke përfshirë edhe mbështetjen shpirtërore. Duke e përmbledhur peshën e kësaj humbjeje, drejtori u shpreh se familja kishte humbur bashkëshortin, babanë dhe një shtyllë të rëndësishme të saj, kolegët një mik e bashkëpunëtor të çmuar, ndërsa Klina një qytetar që dashurinë ndaj njerëzve e kishte dëshmuar përmes veprave. Ai theksoi se mënyra më e denjë për ta nderuar kujtimin e tij ishte vazhdimi i punës me të njëjtën përgjegjësi dhe përkujdesje ndaj çdo pacienti. Në përmbyllje të fjalës së tij-dr. Boja solli në vëmendje thënien se njeriu vdes dy herë: së pari kur i ndalet zemra dhe më pas kur harrohet emri i tij. Sipas tij, kujtimi i doktor Xhafer Morinës do të mbetet i gjallë përmes jetëve që kishte ndihmuar të shpëtoheshin, fjalëve ngushëlluese, familjeve që e kujtojnë me respekt dhe profesionistëve që kishin mësuar prej tij. Ai shprehu bindjen se emri i të ndjerit do të ruhej në kujtesën e institucionit dhe në zemrat e bashkëpunëtorëve, duke i uruar familjes forcë për ta përballuar dhimbjen.

Ndaj edhe me ndarjen nga jeta të dr. Xhafer Morinës, Klina humbi një mjek të respektuar dhe një humanist të përkushtuar, i cili për katër dekada i shërbeu me profesionalizëm dhe dinjitet shëndetit të qytetarëve. Përtej veprimtarisë së tij mjekësore, ai la pas një emër të mirë, mirënjohjen e pacientëve dhe respektin e kolegëve e të bashkëqytetarëve. Nga këndvështrimi im e them se dr. Xhafer Morina i përkiste atij brezi njerëzish që vlerën e jetës e dëshmojnë përmes punës, ndershmërisë dhe humanizmit. Kujtimi i tij do të mbetet pjesë e historisë së shëndetësisë së Klinës dhe e mirënjohjes së atyre të cilëve u shërbeu. Me këtë rast, familjes së nderuar Morina, të afërmve, miqve dhe kolegëve u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Besoj se njerëzit që lënë pas vepra të mira nuk harrohen, sepse jetojnë në kujtesën dhe zemrat e atyre që i kanë njohur.  I lehtë i qoftë dheu i Kosovës dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për dr. Xhafer Morinën! U prehtë në paqe!

Më 20 nëntor 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu