
Tekstin nga Prizreni, gjoja nga shekulli XV, në Beograd e dërgoi mësuesi nga Smedereva, Nikolla Maslin, prej nga ai i përpunuar në Vjenë, iu dorëzua Novakoviqi që ta nxjerrë në dritë. Natyrisht se Novakoviqi u përpoq që „kredibilitetin“ dokumentues të veprës ta pasqyrojë me tekstet e Schafarikut në sllavishten e vjetër kishtare me atë serbe. Në parathënie Novakoviq shpjegon origjinën e teksteve dhe mbledhjen e tyre nga dora në dorë, që sipas tij, plotësojnë Kanunin dhe frymën e tij. Kështu, 165 fletët (listina), vijnë nga 16 mbledhës të ndryshëm, të cilëve nuk u dihen emrat, pos që thuhet se një pjesë e madhe e tyre janë rishkruar nga 6 klerikë dhe dy xhakonë në Prizren.
Meqë botimi i parë i vitit 1870, ishte me shumë shpërputhje dhe si i tillë nuk i plotësonte sa duhet kriteret themelore për t’u marrë seriozisht, Novakoviqi, pasi që të jetë emëruar kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe në viti 1886, paraqitet me versionin e dytë “të plotësuar” të “Kanunit” me disa copëza të “rizbuluara” të versionit të “Kanunit” të Strugës nga shekulli XIV dhe të Prizrenit nga shekulli XV. Aty përfshihen 106 nene, të cilat nuk paraqesin tjetër pos një bartje (kopjim) të drejtpërdrejt të akteve ligjore kishtare të Bizantit (Homokanon), të cilat, ishin në pjesë e të drejtës romake-bizantine në përputhje me kodin e Justinianit, por që rregullonin çështjet pronësor në raportet e kishës me Perandorinë, ku ajo ishte pjesëmarrëse në administrimin e pronave kishtare dhe atyre vendore. Këtyre neneve nga kodi bizantin do t’i shtohen edhe pjesët tjera, ku amputohen raportet me ritet kishtare (me katolikët) e ku shfaqen edhe disa dekrete me të cilat përcaktohen sjelljet e kishave, e ku nuk mungojnë edhe regjistrat rreth pasqyrës demografike të popullatës ku, krahas popullatës shumicë “serbe”, si pakicë, shfaqen “katunët arbanase” (arbanaski katuni) dhe “katunët vllehe” (vlaski katuni).

Nuk është për t’u habitur skenari i “pasqyrës demografike” të popullatë së “Perandorisë së Dushanit”, ku asokohe nuk ka pasë përkatësi kombëtare pos kishtare: e ritit ortodoks ( me gjuhën e liturgjisë kishtare sllaviste e vjetër dhe greqishte) dhe e ritit latin (me gjuhën e liturgjisë kishtare latinishte)! Por, është për t’u habitur, që ky konstrukt antihistorik dhe antishkencor, i sajuar nga kisha ortodokse serbe dhe historiografia serbe e shekullit XIX për qëllime hegjemoniste, është pranuar “si e vërtetë shkencore” dhe thuajse u ka shërbye që të gjitha disajnimeve të raporteve gjoja kombëtare në shtetin e imagjinuar mesjetar serb, ku ka pasë edhe disa “katune arbanase” (katolike) dhe vllehe! Kështu, ky diktat i falsifikuar i të ashtuquajturit “shtet mesjetar serb”, në saje të “verifikimit” nga historianët, linguistët, etnografët e shkollës së sllavistëve të njohur të Vjenës, është pranuar te një pjesë e mirë e historiografisë botërore. Madje, edhe në veprën e historianit Noel Malcolm “Kosova – një histori e shkurtër”, në mesjetë, shqiptarët në Kosovë shfaqen “si popullatë pakicë”, ndërsa serbët shumicë – raport ky që do të ndryshojë diku në shekullin XVIII pas shpërnguljes së madhe serbe! Ky diskurs antihistorik, i bartur edhe te historiografiaa ideologjike e ish Jugosllavisë, si i tillë, vazhdon të kopjohet i plotë edhe nga historianët shqiptarë (në të dy anët e kufirit).
Ndonëse rënia e ish Jugosllavisë, me shfaqjen e shteteve të pavarura: Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe së fundit Kosovës, ndryshoi realitetet shtetërore, me çka te shumë nga këta popuj filloi edhe dekonspirimi i “amzës së jugosllavizmit” të mbështetur mbi platformën e “Naçërtanjes” së Garashaninit dhe epiqendrën e saj “historike” – Mbretërinë Mesjetare të Dushanit, megjithatë, te shqiptarët, në të dy anët e kufirit, në masë të madhe vazhdon diktati i historiografisë serbomadhe, diktat ky që me riaktivizimin e sintagmës së “botës serbe”, po mban peng politikisht dhe kulturalisht Kosovën,po edhe Shqipërinë.
Andaj, institucioneve shkencore akademike në të dy shtetet shqiptate, u bie barra që të ndërmarrin hapa të organizuar hulumtues-shkencorë për t’u lirua nga diktati i falsifikimeve të historiografisë hegjemoniste serbe. Ndonëse kjo, bazuar në qindra vepra të kësaj natyre të krijuar nga Akademia Serbe e Shkencave gjatë shekullit të fundit, nuk është punë e lehtë, megjithatë hartimi i një platforme të qartë të rishikimit të historisë në përputhje me të vërtetën shkencore, është e domosdoshme.
(Shkëputje nga “Dardania – antika, mesjeta”, botuar nga “Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston 2020).



