Gjermania në rrugën e deinstrumentalizimit, sipas Ilir Secit

Shkrime relevante

Beqir Musliu, njëri prej emrave më të rëndësishëm në letërsinë moderne shqipe

Kaltrina Berisha , Prishtinë Shefqet Dibrani, “Artistikja në veprën Orfeiana të...

FFK nuk e pëson keq nga UEFA, e pëson nga vetvetja

Gani I. Mehmeti Në çdo shoqëri, shoqatë, organizim, shtet ka rregulla, ka...

Gjermania në rrugën e deinstrumentalizimit, sipas Ilir Secit

Ilir Seci, New York _____ ~ Cytje mendimesh nga takimi i djeshëm trilateral...

Lobimi në SHBA, Kosova rikthehet pas dy vjetësh: A do të japë “Ballard Partners” rezultatet e pritura?

Nga Hava Orana Xhukolli Mehmeti për rikthimin e lobimit në SHBA: Kosova...

Kemi jetuar si zogjtë nën rrasa guri, poezi nga Arif Ejupi

Kemi jetuar si zogjtë nën rrasa guri (Me këtë poezi reagoj ndaj...

Shpërndaj

~ Cytje mendimesh nga takimi i djeshëm trilateral në Shenzhen dhe shkaqet pse Europa mungoi aty…
…Javës që kaloi nji lajm tronditës u shfaq në disa medie…lajm që nuk mori vëmendjen që meritonte ose ndoshta u anashkalue qëllimisht…Lajmi se prodhuesi i automobilave Mercedes-Benz, po pezullon të gjitha investimet në fabrikat e veta në Gjermani dhe po shqyrton mundësinë e mbylljes së disa njësive prodhuese, me synimin për me përballue kostot e nalta të prodhimit të automobilave në këtë vend. Ky informacion, sipas nji memorandumi drejtuem punëtorëve, u ba i ditun të enjten nga agjencia e lajmeve Reuters…
Tronditëse sa s’ban ma.
Gjermania, dikur fuqia industriale e padiskutueshme e Europës, po përballet me nji krizë të thellë të modelit të saj ekonomik. Dhe ky vendimi i fundit i Mercedes-Benz asht nji sinjal alarmi për të ardhmen industriale të këtij shteti.
Kjo nuk asht thjesht nji përplasje mes drejtuesve të kompanisë dhe sindikatave, por shenjë e nji problemi shumë ma të madh: humbjes graduale të aftësisë konkurruese të industrisë gjermane.
Prej vitesh, ekonomia gjermane po përjeton nji stanjacion të vazhdueshëm. Rritja ekonomike pothuejse ka mbetë në vend qysh prej vitit 2019, pesha e eksporteve gjermane në tregjet botnore ka ra, ndërsa investimet private kanë zbritë nën nivelin e vitit 2015. Edhe industria përpunuese po humbet peshën e saj në ekonominë kombtare, tue u tkurrë si në punësim, ashtu edhe në aftësinë për me tërheqë kapital të ri.
Shkaqet janë të shumta: çmimet e nalta të energjisë, kostot e rrituna të punës, barra fiskale e rregullatore, mungesa e fuqisë punëtore për shkak të plakjes së popullsisë dhe konkurrenca gjithnji e ma e fortë ndërkombtare. Ndërkohë, prodhuesit gjermanë po e kanë gjithnji ma të vështirë me ruejtë epërsinë tradicionale në nji treg ku teknologjia, inovacioni dhe konkurrenca prej Kinës dhe Shteteve të Bashkueme po ndryshojnë me shpejtësi rregullat e lojës.
Industria automobilistike asht shembulli ma domethanës i kësaj krize. Bahet fjalë për Mercedes-Benz, nji prej simboleve ma të njohuna të inxhinierisë dhe cilësisë gjermane, po rishikon leverdinë ekonomike të prodhimit në vendin e vet. Mundësia e zhvendosjes së investimeve drejt vendeve tjera me kosto ma të ulëta ose tregjeve të tjera ndërkombtare përban nji paralajmërim serioz për të ardhmen e industrisë gjermane.
Pasojat nuk kufizohen vetëm te prodhuesit e automobilave. Fuqia industriale e Gjermanisë asht ndërtue mbi nji rrjet të gjanë e të ndërlidhun ndërmarrjesh inxhinierike, furnizuesish të specializuem, punëtorësh të kualifikuem dhe komunitetesh të tana që jetojnë prej prodhimit industrial. Kur kompanitë e mëdha pakësojnë investimet në vend, goditja përhapet në krejt këtë zinxhir, tue rrezikue vendet e punës, dijen teknologjike dhe qëndrueshmëninë ekonomike të rajoneve industriale.
Kështu po krijohet nji rreth vicioz: kostot e nalta e dekurajojnë investimin; mungesa e investimeve nxit zhvendosjen e prodhimit jashtë vendit; largimi i fabrikave dobëson rrjetin e furnizuesve dhe punësimin; ndërsa dobësimi i krejt ekosistemit industrial e ban edhe ma pak tërheqëse mundësinë e investimeve të reja.
Këtu duhet me u ndalë te nji aspekt që shpesh lihet në hije: politika e tranzicionit energjetik dhe ndikimi i saj mbi konkurencën industriale.
Mbyllja e centraleve bërthamore në Gjermani, e përfundueme më 15 prill 2023 me çaktivizimin e tri centraleve të fundit, ishte nji prej vendimeve ma të debatueshme të politikës energjetike gjermane.
Problemi doli kur u pa se energjitë e rinovueshme nuk mundën me zëvëndësue burimet e qëndrueshme. Nuk ka si ndërtohet nji ekonomi moderne mbi energji gjithnji e ma të shtrenjtë, ma të pasigurt dhe të varun prej kushteve atmosferike. Era dhe dielli nuk garantojnë furnizim të pandërpremë, ndërsa industria ka nevojë për energji të qëndrueshme, të parashikueshme dhe ekonomikisht të përballueshme.
Gjermania u gjend kështu në nji paradoks strategjik: mbylli centralet bërthamore, u përball me ndërprerjen e furnizimit me gazin rus dhe u detyrue me u mbështetë ma shumë te importet dhe burimet konvencionale. Ndërkohë, kostot e energjisë për industrinë mbetën dukshëm ma të nalta se në ekonomitë konkurruese. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në vitin 2024 konsumatorët e mëdhej industrialë në Gjermani paguen mesatarisht rreth 92 dollarë për megavat-orë, kundrejt 45 dollarëve në Shtetet e Bashkueme dhe 70 dollarëve në Kinë.
Këtu lind nji pyetje themelore: çfarë kuptimi ka nji politikë ekologjike që, tue synue pakësimin e emetimeve brenda kufijve kombtarë, rrezikon me i zhvendosë fabrikat drejt vendeve ku energjia kushton ma pak dhe standardet mjedisore janë të ndryshme? Nëse nji uzinë kimike mbyllet në Gjermani e rihapet diku tjetër, ndotja nuk zhduket; thjesht zhvendoset, bashkë me vendet e punës, kapitalin dhe teknologjinë.
Mbrojtja e mjedisit asht e randësishme, por nuk mund të shkëputet prej realitetit ekonomik. Politikat ekologjike duhet të marrin parasysh kostot, sigurinë energjetike dhe kapacitetet prodhuese, përndryshe rrezikojnë me prodhue pasoja të kundërta me synimet e shpalluna.
Në këtë kontekst, rasti i Mercedes-Benz-it merr nji domethanie të veçantë pse pikërisht këtu qëndron problemi: kur kostot e punës, energjisë dhe prodhimit bashkohen me konkurrencën globale, fabrikat gjermane humbin gjithnji e ma shumë prej avantazhit që i ka mbajtë konkurruese për dekada.
Industria nuk funksionon me parulla, por me llogari. Kapitali shkon aty ku energjia asht ma e përballueshme, infrastruktura ma e besueshme dhe politikat ekonomike ma të parashikueshme. Gjermania rrezikon, pra, me pague nji çmim të naltë për nji tranzicion energjetik që nuk e ka harmonizue sa duhet objektivin ekologjik me nevojat e ekonomisë prodhuese.
Një Europë që humbet fabrikat, teknologjinë, inxhinierët dhe kapacitetet prodhuese nuk rrezikon vetëm vende pune apo të ardhuna ekonomike. Ajo rrezikon me humbë edhe bazën materiale të fuqisë së saj politike dhe gjeopolitike. Nëse Mercedes-Benz dhe kompani të tjera europiane e gjejnë gjithnji e ma të vështirë me prodhue në vendet e origjinës, atëherë problemi nuk asht ma thjesht konkurrenca e tregut, por vetë modeli ekonomik që Europa ka zgjedhë.
Një kontinent që synon me u ba pararojë e dekarbonizimit, por që humbet kapacitetin për me prodhue teknologjitë dhe produktet e veta, rrezikon me u kthye në konsumator të asaj që prodhojnë të tjerët.
Dhe ky asht mësimi kryesor i kësaj krize: nuk mundesh me mbrojtë të ardhmen tue shkatërrue kushtet ekonomike, industriale dhe teknologjike që ta mundësojnë atë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu