Osman Osmani, Zvicër
Nga sakrifica për lirinë te paradokset e shoqërisë së lirë
Debatet mbi atdhetarizmin, meritat historike, ish-të burgosurit politikë dhe veteranët e luftës më kanë rikthyer te një përvojë personale, e cila pasqyron një fenomen më të gjerë të shoqërisë sonë: raportin ndërmjet sakrificës për të mirën e përgjithshme, heshtjes përballë padrejtësisë dhe përfitimit nga liria e pjesshme e fituar.
Jam rritur në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, dikur një lagje periferike, ku marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve ishin pothuajse familjare.
Hynim në shtëpitë e njëri-tjetrit si në tonat, luanim bashkë dhe ndiqnim të njëjtat shkolla.
Por, kur erdhi koha e rinisë dhe e formimit të bindjeve tona, rrugët filluan të ndaheshin.
Një pjesë prej nesh vendosi të angazhohej për liri, barazi, dinjitet kombëtar e njerëzor dhe përparim shoqëror. Shqiptarët, ndonëse përbënin një nga bashkësitë më të mëdha kombëtare të ish-Jugosllavisë, nuk gëzonin status të barabartë politik me popujt që kishin republikat e tyre. Në kushtet e sundimit të pushtimit të dhunshëm, atyre u mohohej edhe e drejta për mëvetësi dhe vetëvendosje.
Në kushtet e një sistemi njëpartiak, e dinim se ky angazhim mund të sillte pasoja të rënda për ne dhe familjet tona. Megjithatë, zgjodhëm të vepronim për atë që besonim se ishte e mira e përgjithshme.
Pas demonstratave të vitit 1981, shumë veprimtarë (gra e burra) u arrestuan, iu nënshtruan torturave dhe u dënuan me shumë vite burgim, në disa raste deri në pesëmbëdhjetë vjet. Familjet e tyre përjetuan përndjekje, izolim dhe pasiguri. Një pjesë prej nesh u detyrua të arratisej për t’i shpëtuar përndjekjes.
Por, krahas represionit të pushtetit, më ka mbetur në kujtesë edhe një përvojë tjetër, veçanërisht e dhimbshme në aspektin njerëzor.
Disa nga bashkëmoshatarët me të cilët ishim rritur, por që kishin zgjedhur të mos përfshiheshin në veprimtarinë atdhetare të rezistencës, vazhduan shkollimin dhe karrierat e tyre. Kjo ishte e drejta e tyre dhe askush nuk mund t’i gjykojë vetëm për mosangazhimin.
Megjithatë, sipas rrëfimeve të familjarëve dhe shokëve të liruar nga burgu, disa prej tyre nuk kishin gjetur guximin as t’i vizitonin familjet e të burgosurve, madje ngurronin edhe t’i përshëndesnin në rrugë. Arsyetimi ishte frika nga pasojat e pushtetit.
Frika ishte reale dhe duhet kuptuar në rrethanat e kohës. Por mbetet pyetja: a mund ta arsyetojë ajo edhe mungesën e solidaritetit më elementar njerëzor?
Duhet kujtuar edhe një dimension tjetër, shpesh i anashkaluar: shumë veprimtarë të lirisë, ish-të përndjekur e të burgosur politikë dhe pjesëmarrës të luftës çlirimtare, përkundër torturave, poshtërimeve dhe padrejtësive të përjetuara, nuk e kanë shndërruar vuajtjen e tyre në kërkesë për hakmarrje personale. Nga ajo që di unë, ata kanë zgjedhur të mos i ndjekin penalisht as torturuesit e tyre, ndonëse veprimet e këtyre të fundit, në raste të shpeshta, binin ndesh edhe me ligjet e kohës. Mbi të gjitha, ata nuk kanë dashur dhe nuk duan që fëmijët e pasardhësit e përgjegjësve të bartin fajin e prindërve të tyre. Disa kanë gjetur forcën t’i falin edhe ata që i shërbyen drejtpërdrejt aparatit pushtues e represiv, pa e mohuar përgjegjësinë e tyre historike dhe ligjore. Aq më pak kanë pasur arsye t’i anatemojnë bashkëqytetarët që, nga frika, oportunizmi apo mungesa e guximit qytetar, nuk treguan as solidaritetin më elementar fqinjësor, njerëzor e shoqëror. Por falja nuk është harresë, mirëkuptimi nuk është arsyetim i padrejtësisë dhe refuzimi i hakmarrjes nuk nënkupton heqje dorë nga e vërteta dhe drejtësia.
Përndjekja nuk kufizohej vetëm te masat policore, hetimore e gjyqësore. Sipas përvojave dhe dëshmive që njohim, bartësit e pushtetit represiv përpiqeshin të shfrytëzonin edhe norma të së drejtës zakonore dhe traditës shqiptare, duke nxitur përjashtimin shoqëror, madje edhe lëçitjen e veprimtarëve atdhetarë e politiko-shoqërorë dhe të familjeve të tyre. Synimi ishte që, krahas ndëshkimit institucional, ata të izoloheshin edhe nga rrethi fqinjësor, miqësor e shoqëror, duke e kthyer frikën dhe presionin politik në mjete të përçarjes së bashkësisë.
Me përkeqësimin e gjendjes në Kosovë, heqjen e autonomisë dhe më vonë luftën çlirimtare, sakrificat u shtuan. Shumë njerëz dhanë kontribute në forma të ndryshme, ndërsa të tjerë qëndruan larg. Nuk mund të gjykohet historia e secilit pa njohur rrethanat e tij, por as nuk mund të mohohen dallimet ndërmjet atyre që morën mbi vete rreziqe të mëdha dhe atyre që nuk i morën.
Paradoksi pas çlirimit fizik nga Serbia
Me çlirimin e Kosovës nga sundimi serb u krijuan mundësi të reja për pjesëmarrje politike, profesionale dhe institucionale.
Por, në periudha të ndryshme qeverisjeje, kemi parë edhe dukuri shqetësuese: ndikimin e lidhjeve grupore e partiake, familjare dhe personale në punësim, karrierë dhe shpërndarjen e funksioneve publike.
Nga përvoja ime, disa njerëz që dikur kishin qëndruar larg angazhimit dhe solidaritetit me të përndjekurit, madje edhe individë që kishin marrë pjesë në përgojimin, denoncimin apo përndjekjen e tyre, më vonë arritën të fitonin pozita dhe ndikim institucional.
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ata që kishin zgjedhur të mos angazhoheshin, por edhe për përgjegjësinë e atyre që kishin vepruar në dëm të bashkëqytetarëve të tyre, në disa raste, sipas dëshmive të kohës, edhe përtej kufijve të ligjeve të vetë sistemit represiv.
Në vlerësimin tim, mënyra e administrimit ndërkombëtar të Kosovës pas luftës, me vendimmarrjen shpesh arbitrare dhe mbështetjen te kuadro të konsideruara profesionalisht të përshtatshme e politikisht bashkëpunuese, krijoi hapësira që favorizuan edhe individë e shtresa të caktuara, pa u shqyrtuar gjithmonë sa duhet e kaluara dhe përgjegjësia e tyre.
Kjo nuk e zhvlerëson profesionalizmin si kriter të domosdoshëm për ndërtimin e institucioneve. Por ngre pyetjen nëse, krahas aftësive profesionale, u vlerësuan mjaftueshëm integriteti, qëndrimi ndaj të drejtave të njeriut dhe përkushtimi i dëshmuar ndaj interesit publik.
Padrejtësia fillon kur lidhjet me pushtetin, përshtatshmëria politike dhe besnikëria ndaj vendimmarrësve vlejnë më shumë sesa merita, etika e integriteti njerëzor dhe përkushtimi ndaj së mirës së përgjithshme.
Ndërkohë, shumë ish-të burgosur politikë, të përndjekur, pjesëmarrës të luftës dhe familjarë të tyre vazhdojnë të përballen me vështirësi ekonomike, shëndetësore e sociale.
Një kundërthënie tjetër, për mua po aq shqetësuese, është se jo pak prej tyre u lanë në harresë edhe nga ish-bashkëveprimtarë të rezistencës dhe luftës, të cilët më vonë morën përgjegjësi politike e institucionale.
Në vend që të investohej më shumë në përgatitjen dhe aftësimin profesional të kuadrove të reja, duke krijuar mundësi edhe për njerëzit me përkushtim të dëshmuar, shpesh u parapëlqyen rrugë më të lehta të përzgjedhjes së personelit, të mbështetura në rrjete ekzistuese profesionale, politike apo personale. Nuk përjashtoj që në raste të caktuara të kenë ndikuar edhe rekomandimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Kjo nuk do të thotë se përkushtimi historik mund ta zëvendësojë kualifikimin profesional. Përkundrazi, çështja është pse nuk u krijuan mundësi më të barabarta për arsimim, aftësim dhe përfshirje institucionale të atyre që, për shkak të përndjekjes dhe sakrificave, kishin humbur vite të rëndësishme të zhvillimit të tyre.
Veçanërisht shqetësuese është pozita e fëmijëve të këtyre familjeve. Pasojat e përndjekjes nuk kanë përfunduar gjithmonë me lirimin e prindërve apo me lirinë ende të kushtëzuar të vendit. Ato kanë ndikuar edhe në mundësitë e brezave pasues për shkollim, zhvillim profesional dhe mirëqenie.
Nga përvojat që njoh, disa prej tyre vazhdojnë të përballen me pengesa për të konkurruar në kushte realisht të barabarta. Kjo dukuri meriton edhe hulumtim më të gjerë institucional.
Nuk kërkojmë që meritat e prindërve të trashëgohen si privilegje. Kërkojmë që pasojat e sakrificave të tyre të mos trashëgohen si padrejtësi.
Atdhetarizmi nuk është pronë private
Është plotësisht e drejtë të kritikohen ata që vetëshpallen kujdestarë të kombit, monopolizojnë patriotizmin dhe marrin përsipër të përcaktojnë kush është atdhetar e kush tradhtar.
Po aq e nevojshme është të kritikohen përfituesit e statuseve të pamerituara dhe ata që i shfrytëzojnë meritat historike për privilegje personale.
Por kjo kritikë kërkon dallim dhe përgjegjësi.
Nuk mund të barazohen ata që kanë sakrifikuar realisht me ata që kanë përvetësuar padrejtësisht merita. As kompensimi për burgosjen, torturat apo dëmtimin e shëndetit nuk mund të trajtohet si privilegj që e shlyen sakrificën.
Një kompensim material nuk ia kthen njeriut vitet e humbura, shëndetin apo mundësitë jetësore.
Le ta kritikojmë atdhetarizmin e rremë, pa e zhvlerësuar atdhetarizmin e dëshmuar.
Njohja e sakrificës nuk duhet t’i japë askujt të drejtë të përhershme mbi shtetin, por as kritika ndaj abuzimeve nuk duhet të shndërrohet në përçmim të një brezi që ka kontribuuar për lirinë.
Nga kujtesa historike te përgjegjësia publike
Institucionet e një shteti demokratik nuk duhet të jenë hapësira për karriera familjare, klientelizëm apo shpërblim të besnikërisë partiake.
Ato duhet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve, duke u mbështetur në aftësi profesionale, integritet, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj së mirës së përgjithshme.
Njëkohësisht, shoqëria dhe shteti kanë përgjegjësi të njohin dhe të trajtojnë pasojat e përndjekjes politike e të luftës, përfshirë ato që vazhdojnë të rëndojnë mbi familjet dhe brezat pasues.
Kur kujtoj Lagjen e Muhaxherëve të fëmijërisë sime, më kujtohet një bashkësi ku solidariteti ishte pjesë e jetës së përditshme. Përvoja e mëvonshme më mësoi se solidariteti vihet në provë pikërisht atëherë kur ai kërkon guxim dhe mund të ketë pasoja.
Sot, kur nuk jetojmë më nën sistemin e dikurshëm të represionit, kemi edhe më pak arsye për të heshtur përballë padrejtësive.
Nuk e shtroj këtë çështje për të ndarë njerëzit në patriotë dhe jopatriotë, as për të kërkuar privilegje për një kategori. E shtroj sepse besoj se kemi nevojë për më shumë drejtësi, njohje të ndërsjellë dhe përgjegjësi publike, në vend të përgjithësimeve, përjashtimit dhe polarizimit.
Liria nuk u fitua që disa të shpallen pronarë të atdhetarizmit, as që të tjerët t’i përvetësojnë frytet e saj pa përgjegjësi. Ajo u fitua për dinjitetin, barazinë dhe mundësitë e të gjithëve.
Drejtësia ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë nuk matet vetëm me mënyrën se si i kujtojmë, por edhe me shoqërinë që ndërtojmë për fëmijët e tyre dhe për të gjithë brezat që vijnë.



