Sot, Llapushniku ka ndriçuar dhe dheu është gëzuar, sepse në oborrin e Kishës së Shën Abrahamit u përuruan tri përmendore kushtuar tri figurave kombëtare shqiptare.
Pjetër Bogdani është prijësi shpirtëror i ruajtjes së identitetit shqiptar-arbëror, sinonim i rikthimit te rrënjët dhe i qëndresës për ruajtjen e vlerave tona kombëtare. Gjergj Kastrioti është sinonim i bashkimit mbarëkombëtar shqiptar, ndërsa Adem Jashari është figura që përfaqëson denjësisht ADN-në iliro-dardane, atë frymë që zgjedh vdekjen para nënshtrimit.
Organizatorëve të kësaj vepre u lumtë! Një vepër e tillë nuk është vetëm nderim për figurat tona historike, por edhe dëshmi e gjallë e kujtesës sonë kombëtare dhe e respektit për ata që i dhanë kuptim historisë, identitetit dhe lirisë sonë.
Me këtë rast, përshëndes përzemërsisht priftin patriot, Don Anton Ukën, si dhe veprimtarin e hershëm të çështjes kombëtare, Marin Sopin. Përkushtimi dhe kontributi i njerëzve të tillë meritojnë respekt dhe mirënjohje të veçantë.
Llapushniku sot nuk përuroi vetëm tri përmendore, ai nderoi tri shtylla të kujtesës sonë historike dhe kombëtare.

Sinqerisht,



