ADEM JASHARI NË KISHË: PSE JU SHQETËSON NDERIMI I NJË HEROI SHQIPTAR?
____
Shkrimi i Besnik Krasniqit për vendosjen e bustit të Adem Jasharit në kishën e Llapushnikut është një përpjekje e gabuar për ta zhvendosur luftën tonë për liri nga dimensioni kombëtar në një debat fetar.
Besnik Krasniqi duhet ta kuptojë një të vërtetë themelore: Adem Jashari nuk ka nevojë të ketë lidhje me Kishën Katolike për t’u nderuar nga ajo, as me Bashkësinë Islame për t’u nderuar nga myslimanët. Ai është hero i kombit shqiptar dhe simbol i luftës për liri, jo pronë e asnjë institucioni fetar.
Çfarë rëndësie ka nëse Pjetër Bogdani ishte klerik katolik, apo që Skënderbeu u quajt kalorës i Krishtit apo Adem Jashari që vinte nga një familje myslimane? Ata i përkasin epokave të ndryshme historike, por i bashkon një gjë: qëndresa dhe lufta për lirinë e shqiptarëve. Të gjithë luftun për lirin e shqiptarve.
Historia jonë është më e ndërlikuar sesa skemat dhe ideologjit fetare që po përpiqen t’ia imponojnë sot. Shqiptarët u ndanë historikisht ndërmjet Perandorisë Romake të Lindjes dhe asaj të Perëndimit, më pas u përballën me ndarje fetare dhe ndikime të ndryshme perandorake. Por identiteti kombëtar shqiptar mbijetoi përtej këtyre ndarjeve.
Dhe këtu qëndron hipokrizia e këtij debati: pse duhet të jetë problem që Kisha Katolike nderon heronjtë shqiptarë, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare? A nuk do të duhej që të njëjtën gjë ta bënin edhe xhamitë dhe teqetë? A nuk do të ishte një mesazh i fuqishëm kombëtar sikur çdo institucion fetar shqiptar të nderonte heronjtë e të gjitha epokave, pa dallim feje?
Por le ta shtrojmë edhe një pyetje tjetër: a mund ta imagjinojmë vendosjen e bustit të Skënderbeut në një xhami? Jo, jo vetëm sepse doktrina dhe tradita e institucioneve islame kanë kufizime të caktuara për paraqitjen figurative dhe nderimin e figurave në hapësirat e kultit. Por sepse sepse ai nuk është hero shqiptar për ideologjin islame për ta heronje janë figurat pushtuese si Sulltan Murati, Sulltan Mehmeti dhe Mehmed Pashë Sokoloviqi. Këtu lind pyetja: pse duhet të kontestohet nderimi i heronjve shqiptarë nga një institucion tjetër fetar?
Besniku duhet ta dijë se Kisha Katolike nuk po e shpall Adem Jasharin katolik, as po e përvetëson fenë e tij. Ajo po nderon një hero shqiptar.
Po të kishte kundërshtime për lokacionin e kishës, pronësinë e tokës është diçka tjter por këto çështje nuk mund të përdoren për të kontestuar të drejtën e një komuniteti fetar për të nderuar heronjtë e kombit.
Dhe një gjë tjetër: nuk mund të flasim për bashkëjetesë kombëtare duke kërkuar që institucionet fetare të mos nderojnë heronjtë që nuk i përkasin fesë së tyre.
Lufta e shqiptarëve nuk ishte luftë për Krishtin, as për Allahun. Ishte luftë për liri, dinjitet dhe çlirim kombëtar.
Prandaj, mos e përdorni Adem Jasharin për të ushqyer polemika fetare. Por as mos e pengoni askënd që ta nderojë atë përtej kufijve të fesë.
Adem Jashari i përket shqiptarisë. Shqiptaria nuk ka fe zyrtare dhe heronjtë e saj nuk kanë pronarë fetarë!
__________
Sa e pështirë. Qysh mund të përdoret sot Kryekomandanti Adem Jashari për qëllime të propagandës fetare?
Në kishën e Llapushnikut u vendos busti i komandantit legjendar të UÇK-së, krahas atij të Skënderbeut dhe Pjetër Bogdanit.
Portretin ia kishte shëmtuar skulptori, po aq sa është i shëmtuar motivi që qëndron pas vendosjes së bustit.
Skënderbeu ishte edhe “kalorës i Krishtit”. Bogdani ishte klerik katolik. Po Adem Jashari, çfarë lidhje ka me kishën a fenë katolike?
Nejse, përgjigjen e dimë prej se është nisë projekti për kishën. Synimi është të na paraqiten shqiptarë të vërtetë vetëm ata që i përkasin një feje, “fesë së të parëve”, e të tjerët si njerëz që kanë braktisur identitetin kombëtar dhe kanë përqafuar vlera të Lindjes.
Kur u ndërtua paslufte, kisha nuk u nis afër shtëpive të ca familjeve në Llapushnik që donin të ktheheshin në “fenë e të parëve”. U ngrit në një hapësirë me rëndësi të veçantë për historinë e rezistencës së UÇK-së. Në një kodër, pronë shoqërore, sipër fshatit e poshtë Berishës, të cilën Serbia nuk arriti ta shkilte. Banorët, mbi 90 për qind e të cilëve muslimanë, protestuan për lokacionin me kërkesën që ky objekt kulti të mos vendosej në hapësirën që e konsideronin të shenjtë për shkak të pozicioneve të UÇK-së gjatë luftës. Donin një monument ta ngrinin aty. Ndonëse nuk ka xhami në fshat, ishin të gatshëm të ofronin edhe tokë private si alternativë. Por, nuk u dëgjuan.
Dhe, kisha është në majë të kodrës. Ajo bie në sy të secilit që mbërrin në Komoran, dhe vazhdon rrugën për në Shqipëri, ose për në rajonet si Prizreni, Peja a Gjakova.
Prej që është ngritur, kisha është shndërruar në një prej adresave kryesore të konvertimeve fetare, jo të njerëzve të fshatit, por të pjesëve të tjera të Kosovës.
Zgjedhja e fesë është e drejtë e secilit. Por, jo duke e përdorur konvertimin si akt distancimi ndaj shumicës muslimane që prezentohet me më pak shqiptarizëm.
Edhe sot, kur u zbuluan tri bustet, aty u panë njerëz që i prijnë diskursit të organizuar që e paraqet shumicën e shqiptarëve si të larguar nga identiteti historik dhe fetar dhe të cilëve duhet t’u tregohet rruga e kthimit.
Ngjarjes i dhanë jehonë shumë media, përfshirë televizionin publik. Në storie u përmend vetëm Llapushniku, pa u treguar se busti u vendos në oborrin e kishës dhe pa dhënë pamje të ambientit që e ekspozon kishën. Pra, u fsheh pikërisht konteksti që i jep domethënie ngjarjes.
Adem Jashari u lind, u rrit, u edukua, u formësua e u inspirua, e edhe ra heroikisht vet i 22-i, në një familje shqiptare, e për kah besimi muslimane. Por, atë sot nuk kanë të drejtë ta përvetësojnë as vetë muslimanët. Është simbol i shqiptarisë, i luftës për liri, i shtetit që sot e kemi.
Shqiptarizmin nuk e dëshmon feja.
Predikoni fenë e bindni njerëzit, por mos e përdorni historinë tonë për ta kthyer atë në kusht të identitetit tonë kombëtar.
Mos abuzoni me heronj! Sidomos jo me kryekomandantin Adem Jashari!




Asgje e keqe nuk do te ishte nese ne oborrin e xhamise te vendosej edhe busti i Skenderbeut.
Nuk mendoj qe do te dilte dikush ta kundershtonte kete veprim.