
Gjergj – Bajram Kabashi, Prishtinë
____
Librin e Milazim Marajt, aktivistit të njohur të çështjes kombëtare me titullin “Koshare emër i lakuar” e lexova për nja tre-katër ditë, pasi me 8 maj 2026 e kisha dhuratë prej autorit. Nuk më ndodhë shpesh që një libër ta lexoj ashtu pandërpre, por libri “Koshare emër i lakuar” , sado që voluminoz, më tërhoqi vëmendje e kurreshtjen që ta lexoja, për shkak se Maraj, një komandant i njohur i luftës, e kishte bërë përshkrimin e gjithë morisë së atyre ngjarjeve krenare e të hidhura të luftës , që nga 9 prilli e deri më 21 qershor 1999. Ishte një rrëfim i gjerë dhe i gjatë për luftën në librin mbi 400 faqesh, ku jipet një pasqyrë tjetër e saj , bazuar në ngjarjet dhe disiplinës ushtarake.
Libri për Kosharan dhe betejën e njohur të saj për liri, është i shkruar ditëpërditë në formë ditari, duke mos lënë anash as detajet më të vogla të asaj lufte heroike. Në libër përshkruhen ngjarjet me aq thellësi dhe ngrohtësi komunikimi, sa njeriut nuk i heqet nga mendja fakti se a ishte Milazim Maraj një ushtar i thjeshtë dhe i vendosur për lirinë e vendit të tij,apo një komandant i aftë që vëmendjen ia kishte mësuar jeta dhe fakti se kishte një jetë të bujshme qëndrese që nga koha rinore.
“Koshare emër i lakuar” është një libër që i thyen stereoptipet për luftën çlirimtare, libër që sado me vonesë (sëfundmi është botuar në vitin 2023 nga Shtëpia Botuese “Faik Konica e Prishtinës”), tregon se lufta për liri nuk është çështje rrahagjoksie, por çështje fakti dhe dëshmie.
Po të mos ishte shkruar ky libër për luftën, literatura për ngjarjet e ndërlidhura me UÇK-ën, do të ishte e mangët dhe e pa plotë, prandaj Milazim Maraj i jep përmbajtje e kuptim asaj lufte duke dëshmuar për të si një ndër protagonistët kryesor të saj.
Komandantët e Luftës së Koshares, nuk janë ata që i nxisin ushtarët t’a mësyjnë ushtarin armik në pozicionet e tij, por janë të parët që prijnë në betejë. Në këtë mënyrë, ata, e dhanë shembullin e mirë të luftës për liri dhe drejtpërdrejtë i nxitën dhe frymëzuan ushtarët e tjerë që ta kuptonin se janë luftëtarë të Atdheut dhe se askush nuk i shfrytëzon për arritjen e qëllimeve e synimeve për lirinë e vendit.
Ky libër, andaj, na rikthen në kohë, duke treguar me gjuhë të qartë për kundërthënjet e kohës, ku pa NATO-n do të ishte e pamundur që të thyhej Kufini i mallkuem i pushtimit të Kosovës, ku luftëtarët trima dhe të zgjuar e thyejnë Kufinin në Koshare, duke e rrëzuar Gurin e mallkaur të tij.
Autori si një luftëtar me moral të lartë që u jep zemër të tjerëve, komenton edhe për ngjarjet e kohës, për qëndrimin e dyzuar të Shqipërisë, e cila në një anë shtiret si neutrale, apo qysh e citon autori një gjeneral shqiptar të kohës “nuk duan të kenë punë me Serbinë”. Tash e donte a nuk dëshironte ai që të kishte punë me Serbinë nuk ka si të dihet, por dihet mirë se mbarë UÇK-ëja, e sidomos ushtarët e saj nga Beteja e Koshares, donin të kishin punë me Serbinë, duke e shporrur Ushtrinë pushtuese Serbe (ish-APJ-ën) nga mbarë territori i Kosovës që vazhdonte ta mbante të okupuar për pothuaj një shekull të plotë prej vitit 1912.
Në realitet, Ushtria e Serbisë (“APJ”) në atë kufi i kishte stacionionuar të gjitha njësitë elite të saj , më shumë se kudo tjetër. Aty për herën e parë Ushtria e Serbisë luftonte në një front me një ushtri tjetër, mjaft të disciplinuar dhe motivuar, UÇK-ën. Milazim Maraj jo vetëm si një komandant (ishte zëvendës-komandant i asaj beteje), por edhe si një kronikan i zellshëm dhe serioz, tregon për ndodhitë e secilës ditë. Flet dhe rrëfen se ky apo këta ushtarë u plagosen e vranë në luftë me ushtrinë pushtuese serbe, tregon se disa ushtarë kishin ardh nga motive të thjeshta atdhetare në Koshare pa kaluar në trajnimin e duhur ushtarak etj.
Kështu, nga koha kur flamuri kombëtar shqiptar ngritet mbi Karakollen e Koshares.
Dhe ndjenja e triumfit dhe kënaqësisë së një njeriu që pothuaj i ka shkuar gjysma e jetës nën robërinë serbe, është e kuptueshme, kur thotë: “Në këtë vend, shqiptarët shkelën Marrëveshjen e Ambasadorëve të vitit 1912 dhe bënë një marrëveshje për të shkelur mosmarrëveshjet e shqiptarëve të viteve 1941/45 dhe 1998/99”.
Nga vëzhgimi dha analiza e asaj që e shkruan Milazim Maraj, e kupton se përvojat e tij jetësore si një ndër shqiptarët aq të ndjekur nga pushtimi, ndihmon që ai t’u jep zemër dhe t’i trimëron në mënyrë shumë të natyrshme ushtarët që kishin ardhur për të luftuar në Betejën e Koshares, me një sjellje të mirë dhe pedagogjinë e domosdoshme. Madje, ai tregohet korrekt edhe me ata që dëshpërohen dhe vendosin të largohen nga beteja, apo që pasi i vret ndërgjegja kthehen sërish për të luftuar me shokët e tjerë.
Por, vërehet hapur se është kundër atyre që përhapin thashetheme dhe flasin “për pabarazinë” në luftë me Ushtrinë e Serbisë.
Kjo është Luftë Speciale ndaj vetvetës, thotë, qysh do të kishte thënë secili epror e ushtar tjetër.
Beteja e Koshares dhe mbajtja e pikës më strategjike si Rrasa e Koshares në këtë luftë, debatet se luftëtarët e rënë për liri duhen varrosur në Vorret e Koshares, vendin për të cilin luftuan, flasin për qartësinë e këtyre komandantëve, ku ishte edhe Milazim Maraj.
Recensionet për librin e njerëzve që ishin pjesë e asaj lufte, si Anton Quni dhe Prof. Dr. Bahri Gashi, i japin kuptim të plotë mendimit për librin e Milazim Marajt “Koshare emër i lakuar”, pasi ata ishin aty dhe e dinin se çka shkruajnë. Andaj, ky libër me një materie aq të pasur ku defilojnë emra njerëzish dhe ngjarjesh nga dita në ditë, është jo vetëm një kronikë e pazëvendësushme e luftës, por ka mundësi të shndërrohet në një roman historik-dokumentar, pasi në të nuk ka asgjë të shpifur dhe të pavërtetë por vetëm fakte e dëshmi për një luftë të madhe atdhetare, ku trimat e vërtetë në luftën e pabarabartë me Ushtrinë e Serbisë që në atë kohë ishte ushtria e pestë më e madhe në Europë, nuk kërkonin gjë tjetër përpos ndihmën e NATO-s nga qielli në bombardimin e caqeve ushtarake e policore serbe, pasi në tokë punët i kryenin vet këta luftëtarë të paepur.
Në këtë vështrim, ky libër lirisht mund të bëhet bazë e mirë për një film për Betejën e Koshares.
Kur Serbia pushtuese ka shkruar libra e libra bazuar në shpifjet e saj të njohura për këtë betejë të madhe, duke u munduar si gjithnjë që t’a përvetësonte, atëhere pse të mos thuhet e vërteta e vetme për te nga ana e shqiptarëve, Kosovës.
Parandjenjat e autorit se paslufta do të sjellë gjëra të paparashikueshme dhe se në skenë do të dalin njerëzit që nuk ishin pjesë e luftës faktike të asaj kohe, fatkeqësisht dalin të sakta.
Dëshmohet se ata që ishin paralufte, nuk duhej të ishin paslufte, në mënyrë që t’u lëshohet rrugë e vend atyre që praktikisht nuk kishin kontribuar për vendin me vepër.
Atentati ndaj tij me 29 qershor 2001, ku plagoset rëndë në rrugën Istog – Banjë, e shpërfaqë hapur synimin dhe qëllimin antishqiptar të dikujt, që për fatin tonë të keq as sot e kësaj dite nuk është zbuluar.



Zotin Milazim Maraj, e përgëzojmë për librin dhe kontributin dhënë çështjes kombëtare në veçanti çlirimit të Kosovës,nga Serbia. Po ashtu shfrytëzoj nga rasti ta falenderojë publikisht ngase më 1994 kur isha i keqtrajtur në mënyrë çnjerëzore nga njëfarë Bosanaci i Madh, Cipiripi dhe Cvejiq ai dhe zoti Anton Kolaj si përfaqësues të Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë,më patën strehuar, derisa u jam bashkuar shokëve të mi nga Podujeva .
Asokohe kryeja detyrën e Kryetarit të LDK-së, nëndega në Gllamnik të Llapit. Përjetësisht si Milazimit ashtu edhe Antonit u jam mirënjohjës për mikpritjen dhe përkrahjen në ato momente tepër të rënda, ku edhe fillova me trajtime mjekësore në Spitalin e Tiranës . Pastë ndjesë me përkushtim e pakurrfarë shpërplimi më pati mbikqyrur çdo javë Prof.dr. Adnan Këlliqi.
Shpirti i tij u prehtë në paqe të përhershme ! Me respekt dhe dashni, Arif Ejupi!