Ja edhe një artikull interesant i dr. Milan Shuflajt me titull:
“Serbët dhe shqiptarët
(Simbioza e tyre në Mesjetë)
Me një parathënie të profesorit të Universitetit të Beogradit.
Beograd, 1925
Mjegullnajat kombëtare mesjetare në Adriatik
Fiset e Zetës dhe ato shqiptare dhe Lidhja e dymbëdhjetë gjeneratave kroate.
Hyrje
Ky përkthim ka për qëllim t’ua afrojë lexuesve një pjesë nga vepra e historianit Milan Shuflajt /Šufflay/, “Serbët dhe shqiptarët (Simbioza e tyre në Mesjetë)”, botuar në vitin 1925 në Beograd.
Ky tekst i përket një periudhe kur studimet historike, etnografike dhe sociologjike përdornin terminologji të ndryshme nga ajo e sotmja. Për këtë arsye, gjatë përkthimit i kemi ruajtur sa më besnikërisht idetë dhe mënyrën e shprehjes së autorit, ndërsa disa terma të vjetër ose fjalë me kuptim të veçantë i kemi shpjeguar për ta bërë më të lehtë kuptimin për lexuesin bashkëkohor.



Shpërndarja e këtij teksti ka si qellim që ta përcjelle përmbajtjen e tekstit origjinal dhe mënyrën se si Shufflay ne vitin autori i 1925 e përshkruante organizimin shoqëror, jetën fisnore dhe zhvillimet historike në hapësirën e Shqipërisë së Veriut dhe të Zetës.
Perkthimi:
II
(Metamorfozat kulturore të totemeve. – Tiparet e përbashkëta biologjike të Zetës dhe Shqipërisë Veriore. – Katuni shtegtar i zonës qendrore dinarike. – Brezi mesjetar i zhupave fisnore të qëndrueshme në krahasim me katunin. – Shpërbërja e fiseve të qëndrueshme në Serbi, në krahinën e Danubit dhe në Sllavoninë e Vjetër. – Përmbysja /anastrofa/ e vetëdijes fisnore te kroatët.)
Në të kaluarën dhe në të tashmen e shqiptarëve dhe të malazezëve gjendet një pasuri e madhe burimesh e materialesh, të cilat kanë një rëndësi të dorës së parë edhe nga këndvështrimi i historisë së përgjithshme të njerëzimit. Megjithëse këto vise shtrihen përgjatë brigjeve të Adriatikut, një hapësirë me qytetërim të lashtë e të zhvilluar, struktura shoqërore e popullsisë së tyre me prejardhje indoevropiane edhe sot ruan në mënyrë të theksuar karakterin fisnor.
Ky është territor klasik për studimin e organizimit gentil¹, (nga lat. gens (“fis”), por në një formë të ndryshme nga ajo që paraqitet në hapësirën amerikane të totemeve të hershme të popujve indigjenë. Nga këndvështrimi sociologjik, historia e Shqipërisë përfaqëson një proces të pandërprerë të krijimit të bashkësive të reja fisnore dhe të shpërbërjes së sistemeve të vjetra gentile.
Ekziston një vis a tergo², një forcë shtytëse, një hov i trashëguar që vjen nga kohët parahistorike. Mirëpo, kjo forcë nuk është ruajtur në formën e saj të pastër, siç ndodhi në hapësirat e “Perëndimit të Egër” (Wild West) në Amerikën e Veriut; përkundrazi, ajo ka kaluar disa herë nëpër ndikimin e një qytetërimi shumë të zhvilluar, duke pësuar kështu shndërrime të thella kulturore.
Fiset ilire u shpërbënë: të parat nga sundimi romak, ndërsa fiset shqiptare/arbanase/ fillimisht nga ndikimi shtetëror bizantin, e më pas nga ai serb. Ajo që shohim sot në ato treva përfaqëson formimin e tretë gentil¹ (të fisit) në hapësirën shqiptare dhe, njëkohësisht, formimin e dytë në territorin e Malit të Zi.
Këto janë mbetje shoqërore (relikte) të Mesjetës së vonë. Nuk bëhet fjalë për toteme në kuptimin e tyre burimor, por për krijime palingjenetike²/ Palingenesis – rilindje ose ringjallje e një forme të vjetër shoqërore/, të lindura nga ringjallja e instinkteve të lashta kolektive (atavizmit³), të cilën e shkaktoi tronditja e tmerrshme e pushtimit osman.
Ky rikthim ndodhi në një kohë kur luginat kishin arritur tashmë një shkallë të lartë zhvillimi, ishin mbushur me kulturën adriatike dhe kur, në atë zonë malore – që autori e përshkruan si pragun malor midis Evropës Lindore dhe Perëndimit – nën ndikimin e aristokracisë shqiptare dhe asaj serbe, shkriheshin e ndërthureshin traditat e shkëlqyera të Bizantit, të shtetit mesjetar serb dhe të Bullgarisë. Mirëpo, nën tehun e pushtimit osman, këto struktura shoqërore filluan të copëtoheshin me shpejtësi. Në këtë proces ndikuan edhe luftërat e zhvilluara në zonën e ndikimit romako-katolik (1684–1689), ndërsa që nga viti 1711 u shtua edhe ndikimi i drejtpërdrejtë i perandorit ortodoks të Rusisë, megjithëse ai ndodhej larg këtyre trevave.
Administrata turke në malësitë e banuara me shqiptarë mund të funksiononte vetëm në mënyrë të përkohshme dhe sipërfaqësore. Këto fise njiheshin gjithmonë si kryengritëse dhe kundërshtuese ndaj pushtetit. Edhe në shekullin XIX, Shqipëria e Veriut ishte një vatër e vazhdueshme kryengritjesh. As vendosja e sistemit parlamentar në Perandorinë Osmane nuk solli këtu ndonjë ndryshim të madh; malësorët shqiptarë nuk përfaqësoheshin në parlamentin osman, sepse nuk paguanin taksën për tokë.
Gjendja e luftës që zgjati me shekuj shkaktoi varfërim të përgjithshëm dhe prapësim të vërtetë kulturor. Dhe përsëri, ashtu si në kohën ilire, fiset iu kthyen sistemit të izolimit dhe mbrojtjes përmes bllokimit të rrugëve me prerje e pengesa. Në vitin 1610 thuhet se “të gjitha rrugët ishin të pakalueshme dhe të mbyllura nga pengesat që i vendosnin banorët”.Tregimet e sotme thonë se fisi i Shalës ka jetuar për më shumë se njëqind vjet në shpella. Në mënyrë krejt të natyrshme u zhvillua ekonomia grabitqare dhe dukuria e zullumit (dhunës, shtypjes dhe plaçkitjes).
Në vitin 1692 thuhet për malësorët se: “Te ata virtyti dhe trimëria konsiderohen marrja me forcë e pasurisë, njësoj si nga miku ashtu edhe nga armiku; ndërsa frikacak quhet ai që kënaqet vetëm me atë që është e tij.” Në vitin 1703, sinodi kishtar (Concilium provinciale sive nationale Albanum – Këshilli provincial ose kombëtar shqiptar) ndaloi dhënien e faljes së mëkateve (absolucionit) për ata persona që nuk i kthenin sendet e grabitura.
Në lidhje me një zullum të tillë të shqiptarëve dhe me veprimtarinë e çetave, lidhet edhe zgjerimi i ri i malësorëve drejt fushave, sidomos në drejtim të verilindjes, i cili fillon në shekullin XVII.
Nga raportet e shumta të kohës (1593–1641), mund të vlerësohet se forca ushtarake e fiseve të veriut, së bashku me Mirditën, arrinte rreth 26.000 luftëtarë, pra afërsisht 100.000 banorë. Sipas raportit të peshkopit Stefan (1603), në atë kohë në tërë Shqipërinë kishte rreth 150.000 katolikë. Mali i Zi kishte (më 1591) rreth 14.000 familje dhe afërsisht 50.000 banorë (më 1641).
Nga pikëpamja etnografike, këto vise ishin shumë të freskëta e të paprekura; të përshkuara nga një ndjenjë e fuqishme fisnore. Ato përfaqësonin, sipas autorit, SOJIN MË TË BUKUR FIZIK TË NJERËZVE NË BALLKAN, të qëndrueshëm ndaj të gjitha vështirësive dhe fatkeqësive (“düshk toka, jelek, guri” – shprehje që lidhet me qëndrueshmërinë ndaj natyrës së ashpër malore).
Me një strukturë jashtëzakonisht pjellore, por jo romake e bizantine, këto shoqëri i rikthehen formës së tyre fillestare për të mbijetuar. Ato kalojnë në një proces involucioni (kthimi në forma më të vjetra), në mënyrë që të mund të rigjenerohen.
Ashtu si plagë që i shkaktohet trupit me thikë dhe trupi reagon për t’u shëruar, edhe organizmi shoqëror i Shqipërisë dhe i Malit të Zi reagonte në të njëjtën mënyrë.
Sepse Zeta dhe Shqipëria Veriore përbëjnë një dhe të vetëm facies biologjik; këto janë të lidhura pazgjidhshmërisht nga e njëjta formë e tokës, nga e NJËJTA PREJARDHJE ILIRE, megjithëse të formuara nga dhimbje dhe vuajtje të ndryshme historike.
Punimin e morëm nga profili i zotit Anton Kaqinari dhe e botuam me lejen e tij.


