Udhës nga Gjilani që çon për Kumanovë, lakuam për Dunav.Që në fillim të këtij udhëtimi,sikur na dëshironte atë “mirëardhjen” e njerëzve të munguar pllakati i veprimtares dhe humanistes Otilia Kramer.
Kjo zonjë për shkak të shërbesës në Dunav,asht çmuar nga vendasit si Nënë Tereza e dytë.
Dunavi një katun karadaku,tipik shqiptar që për t’i ikur ndikimit të okupatorit dhe për të ruajtur lashtësinë arbënore katolike,kishte ngjitur majat e malit.Një udhë e keqe,por e kalueshme në ditët ma të mira të verës na çoi te Kisha katolike shqiptare e Shën Anës.

Atje në krye të masivit malor,mes një freskie natyre përrallore ,kjo kishë e ndërtuar më 1938,mban kujtimin e një kohe të krishtenë shqiptare ,që asht lanë në mëshirën e natyres së pothuaj të paprekur dhe kujtesës së një Arbënie që pothuajse ka ra në Harresë.

Sikur të kishte një kujdes dhe një vetdije ma të naltë shtetnore e kombëtare,për hir të një mbamendje kulturore arbënore,”dora e shtetit” do shtrihej deri te këto vise përrallore ,me një natyrë që nuk e gjen ma të bukur ,për të krijue një infrastrukturë udhore e cila do e shndrronte këtë anë në një pikë pelegrinazhi kulturor ,”requiem” për të kaluaren tonë.


