KUR POLITIKA E SËMURË PËR VDEKJE MERR OKSIGJEN NGA RUGOVA I NDJERË, PËR TË MBIJETUAR
Ekziston një fenomen interesant në politikën kosovare, i cili ende pret të zë vend në tekstet e psikologjisë moderne.
Njeriu i zakonshëm hesht kur nuk ka ide.
Vjosa Osmani, kur nuk ka ide, e përmend Rugovën.
Sa më pak ide që ka, aq më shpesh e përmend.
Dhe kur nuk ka as ide, as program, as vizion, ajo thjesht emrin e të ndjerit e shndërron në programin, vizionin dhe ideologjinë e saj.
FAZA E PARË:
Zbulimi i minierës së të vdekurve
Pas vdekjes së një personaliteti historik ndodh diçka e çuditshme.
Ai nuk bëhet pronë e historisë.
Ai bëhet pronë e politikanëve pa histori.
Në vend që trashëgimia e tij të studiohet, ajo shfrytëzohet.
Në vend që të analizohet vepra e tij, recitohet emri i tij.
Në vend që të shtrohet pyetja:
— Çfarë mendonte ai?
shtrohet pyetja:
— Sa herë mund ta përmendim emrin e tij në një fjalim?
Dhe kështu lind një industri e tërë politike e bazuar mbi riciklimin e kufomave simbolike.
Jo të kufomave fizike.
Por të kufomave retorike.
FAZA E DYTË:
Rugova si zëvendësim i mendimit
Duke dëgjuar fjalimin e fundit elektoral të Vjosa Osmanit, mora përshtypjen se Ibrahim Rugova nuk paska qenë president.
Ai paska qenë vetëm një fjalë e rëndomtë nga fjalori i saj personal, të cilën e përtyp po aq shpesh sa Linda Morina çamçakëzin, apo sa lopa barin.
Sepse sa herë që asaj i mungon një ide, ajo e përmend Rugovën.
Sa herë që i mungon një argument, ajo kërkon ndihmë nga Rugova i ndjerë.
Sa herë që i mungon një program politik, ajo e përmend emrin Ibrahim – njësoj siç e përmend Linda Morina emrin Hashim.
Madje, në fjalimin e saj të fundit elektoral, i cili zgjati 25 minuta, ajo e përmendi termin “rugovizëm” dhe mbiemrin “Rugova” plot 25 herë.
Një herë në minutë.
Një ritëm që do ta kishte zili edhe metronomi i një memorizuesi klasik të muzikës.
Në atë pikë, dëgjuesi nuk është më i sigurt nëse po e ndjek një fjalim politik, një ligjëratë historike apo një garë kombëtare citimesh ceremoniale.
Nëse nga fjalimet e Vjosa Osmanit hiqet emri i Rugovës, ndodh e njëjta gjë si kur i hiqet trupit skeleti.
Mbetet vetëm një lëkurë retorike e mbushur me ajër.
FAZA E TRETË:
Psikologjia e madhështisë së huazuar
Psikologët e njohin këtë fenomen.
Ai quhet identifikim me autoritetin.
Njerëzit që ende nuk e kanë ndërtuar madhështinë e tyre përpiqen ta huazojnë madhështinë e të tjerëve.
Një lloj kredie morale me pasoja kolaterale.
Është sikur dikush ta veshë uniformën e Napoleonit dhe të presë që automatikisht ta fitojë Betejën e Austerlicit.
Problemi është se historia nuk funksionon si garderobë.
Mund ta veshësh kostumin e Rugovës.
Por nuk mund ta veshësh karakterin e tij.
FAZA E KATËRT:
Fenomeni paralel i UÇK-së
Në një cep tjetër të skenës politike ndodh një tjetër mrekulli.
Sa herë që afrohet një skandal, një aferë apo një pyetje e pakëndshme, papritur dëgjohet fjala:
“UÇK!”
Dhe kjo fjalë shpërthen në sallë si alarm zjarri.
Të gjithë e harrojnë pyetjen.
Askush nuk kërkon më përgjigje.
Askush nuk pyet më ku kanë shkuar paratë.
Askush nuk pyet më kush ka përfituar.
Sepse debati tashmë zhvendoset nga korrupsioni te patriotizmi.
Ky është ndoshta truku më i vjetër në historinë e politikës primitive.
Kur nuk mund të mbrohesh me fakte, mbrohesh me emocione.
Kur nuk mund të ofrosh rezultate, ofron simbole.
Kur nuk mund t’i tregosh sukseset e së tashmes, i përmend heroizmat e së kaluarës.
FAZA E PESTË:
Analiza sociologjike
Shoqëritë e pasigurta e prodhojnë kultin e figurave.
Shoqëritë e sigurta prodhojnë institucione.
Kur qytetari nuk i beson sistemit, fillon t’u besojë emrave.
Kur nuk i beson ligjit, kërkon shpëtimtarë.
Kur nuk i beson programeve, kërkon mite.
Dhe pikërisht aty lulëzon tregtia me trashëgiminë historike.
Jo sepse figurat historike janë të parëndësishme.
Përkundrazi.
Por sepse ato janë aq të rëndësishme sa mund të shndërrohen në valutë politike.
FAZA E GJASHTË :
Aspekti etik dhe moral
Ekziston një dallim i madh midis nderimit dhe shfrytëzimit.
Nderimi kërkon respekt.
Shfrytëzimi kërkon interes.
Nderimi pyet:
— Çfarë mund të mësojmë prej tij?
Shfrytëzimi pyet:
— Sa vota mund të fitojmë prej tij?
Dhe pikërisht aty kalon kufiri midis moralit dhe oportunizmit.
EPILOG
Nëse një udhëheqës ka vdekur para më shumë se dy dekadash dhe ende duhet të mbajë mbi supe karrierat politike të njerëzve të gjallë, atëherë problemi nuk qëndron tek ai.
Problemi qëndron tek ata.
Sepse figurat e mëdha historike janë si yjet.
Ato duhet ta ndriçojnë rrugën e kombit.
Jo të shërbejnë si llamba emergjente sa herë që politika mbetet pa energji.
Dhe ndoshta një ditë, kur qytetarët të fillojnë të kërkojnë programe në vend të miteve, rezultate në vend të sloganeve dhe karakter në vend të relikeve politike, do të ndodhë mrekullia më e madhe ballkanike:
Politikanët do të detyrohen të jetojnë nga veprat e tyre.
Dhe jo nga emrat e të vdekurve.


