Nga kriza e arsimit te margjinalizimi i dijes dhe i kompetencës

Shkrime relevante

Gjeneva në festë: Mërgata shqiptare kremtoi me madhështi 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Festë e bashkimit kombëtar, e krenarisë për sukseset e brezit të...

Tetë ditë para Vlorës: Si e shihte shtypi i Vjenës fatin e Shqipërisë më 20 nëntor 1912

Naim J. Krasniqi, historian HISTORI & ARKIVA • SHTYPI EVROPIAN I VITIT...

Përgjigja ime e shkurtër për pyetjen e një bashkatdhetari nëse edhe tokat shqiptare janë në rrezik nga miqtë e Rusisë…

Aurel Dasarioti, ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake, SHBA (...) Sa i përket asaj...

Krenar Brahimaj dhe bota e tij poetike në vëllimin “Katundishtë lulja me vesë”

Nga Kujtim Matel Poezia lind nga nevoja e njeriut për të shprehur...

Njohja e së kaluarës nuk është vetëm kujtim – është busulla që na orienton drejt së ardhmes 

Nga Aurel Dasareti Dashuria për vendin (në rastin tonë, Shqipërinë etnike), gatishmëria...

Shpërndaj

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

FENOMENI KOSOVAR DHE GJITHËSHQIPTAR

Nga kriza e arsimit te margjinalizimi i dijes dhe i kompetencës

Kur shoqëria nuk arrin ta shndërrojë dijen në vlerë, pasojat e paguan i gjithë shteti.

Një fenomen që kërkon reflektim të thellë shoqëror

Në Kosovë, por edhe në gjithë hapësirën shqiptare, po shfaqet një fenomen shqetësues: njerëzit me dije, përgatitje profesionale dhe kompetenca të dëshmuara shpeshherë mbeten të margjinalizuar, ndërsa individë me përgatitje të pamjaftueshme arrijnë të fitojnë hapësirë të madhe publike dhe të zënë pozita me përgjegjësi të rëndësishme shtetërore.

Kjo dukuri nuk mund të shpjegohet vetëm me ambiciet e individëve, me partitë politike apo me mënyrën e përzgjedhjes së kuadrove. Ajo kërkon një analizë më të thellë, që shkon deri te mënyra se si shoqëria jonë e ka ndërtuar dhe zhvilluar sistemin e saj arsimor, si e ka trajtuar dijen dhe çfarë vlerash ka kultivuar gjatë dekadave të fundit.

Si njeri që i ka kushtuar jetën arsimit, si profesor universitar i matematikës dhe si udhëheqës i ekipit të ekspertëve për reformimin e sistemit arsimor dhe hartimin e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës për arsimin parauniversitar, në vitet 2008–2009, mendoj se kjo çështje meriton një debat të hapur dhe serioz.

Përvoja ime profesionale më ka bindur se arsimi nuk është vetëm proces i fitimit të njohurive. Ai është proces i formimit të mendjes, i zhvillimit të aftësive për të menduar, për të gjykuar, për të zgjidhur probleme dhe për të marrë përgjegjësi.

Prandaj, kur flasim për krizën e kompetencës në institucionet tona, duhet të pyesim edhe se si kemi arritur deri këtu.

1. Dhjetë vjet okupim dhe mbijetesë e arsimit

Një nga shkaqet e rëndësishme të gjendjes së sotme duhet kërkuar në dhjetëvjetëshin e okupimit serb, kur shqiptarët u përjashtuan nga shkollat dhe institucionet arsimore.

Mësimi u zhvillua nëpër shtëpi private, në kushte jashtëzakonisht të vështira, nën trysninë e vazhdueshme të regjimit, me ndjekje dhe dhunë ndaj mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve.

Në ato rrethana, misioni kryesor i arsimit ishte mbijetesa.

Ishte një akt i jashtëzakonshëm i qëndresës kombëtare që shkolla shqipe të mos mbyllej, që fëmijët të mos mbeteshin pa mësim dhe që të ruhej vazhdimësia e edukimit në gjuhën amtare.

Por duhet ta pranojmë se, përkundër sakrificës së madhe të mësimdhënësve dhe familjeve, kushtet e asaj kohe nuk mund të siguronin cilësinë dhe mundësitë e një sistemi arsimor normal.

Një brez i tërë nxënësish u rrit në kushte të jashtëzakonshme, me mundësi të kufizuara për zhvillimin e njohurive, të shkathtësive praktike dhe të kompetencave që kërkonte koha.

Kjo nuk ishte dështim i mësimdhënësve apo i nxënësve. Ishte pasojë e një politike shtypëse që synonte ta pengonte zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Por pasojat e kësaj periudhe nuk mund të zhdukeshin vetvetiu me përfundimin e luftës.

2. Pas çlirimit, rindërtimi fizik dhe sfida e cilësisë

Pas çlirimit të Kosovës, arsimi u përball me një sfidë të jashtëzakonshme.

Shumë shkolla ishin djegur, shkatërruar ose dëmtuar rëndë. Mësimi vazhdoi nëpër kontenierë, garazhe dhe lokale të papërshtatshme, me numër të madh nxënësish në klasa dhe me orar të shkurtuar.

Prioriteti ishte i qartë: duhej të sigurohej vazhdimësia e shkollimit dhe të rindërtohej infrastruktura arsimore.

Por rindërtimi i shkollave, ndonëse i domosdoshëm, nuk ishte i mjaftueshëm për ta rikthyer cilësinë e arsimit.

Shkolla nuk është vetëm objekt fizik. Ajo është një sistem kompleks që përfshin kurrikulën, mësimdhënësin, metodologjinë, vlerësimin, menaxhimin dhe mjedisin e të nxënit.

Nëse rindërtojmë ndërtesat, por nuk arrijmë ta modernizojmë procesin mësimor, atëherë kemi zgjidhur vetëm një pjesë të problemit.

Kjo ishte një nga sfidat e mëdha të Kosovës pas luftës: kalimi nga arsimi i mbijetesës në arsimin e zhvillimit.

3. Kurrikula e vjetruar dhe nevoja për një reformë të thellë

Një tjetër faktor me rëndësi ishte vazhdimi i përdorimit të kurrikulës së paraluftës, e cila nuk i përgjigjej më nevojave të shoqërisë së re dhe kërkesave të kohës.

Arsimi ishte ndërtuar kryesisht mbi përvetësimin e njohurive dhe riprodhimin e tyre. Nxënësi shpeshherë vlerësohej për atë që mund të mbante mend, e jo për atë që mund të kuptonte, zbatonte dhe krijonte me dijen e fituar.

Në këtë kontekst, reformimi i arsimit ishte domosdoshmëri.

Gjatë viteve 2008–2009, në kuadër të punës së ekipit të ekspertëve që udhëhoqa, u hartua Korniza e Kurrikulës së Kosovës, e cila u miratua në vitin 2010.

Me propozimin tim, reforma u orientua drejt qasjes së bazuar në kompetenca, në përputhje me prirjet e zhvillimit të arsimit evropian dhe botëror.

Thelbi i kësaj qasjeje ishte një ndryshim i rëndësishëm në filozofinë e arsimit:

Nuk mjafton që nxënësi të dijë. Ai duhet të jetë në gjendje ta përdorë atë që di.

Duhet të dijë të mendojë, të arsyetojë, të zgjidhë probleme, të komunikojë, të bashkëpunojë dhe të marrë vendime të përgjegjshme.

Kjo ishte një përpjekje për ta ndryshuar jo vetëm përmbajtjen e mësimit, por edhe mënyrën se si mendohet për qëllimin e arsimit.

Megjithatë, miratimi i një dokumenti reformues nuk do të thotë se reforma është realizuar.

Një kurrikulë e re mund të ndryshojë arsimin vetëm atëherë kur ndryshon realisht puna në klasë.

Këtu qëndron një nga problemet më të rëndësishme të arsimit tonë: hendeku ndërmjet reformës së hartuar dhe reformës së zbatuar.

4. Kur reforma mbetet në dokumente

Përvoja tregon se një reformë e thellë arsimore nuk mund të realizohet vetëm me vendime administrative.

Ajo kërkon përgatitje të vazhdueshme të mësimdhënësve, mbështetje profesionale, vlerësim të drejtë të nxënësve dhe përgjegjësi institucionale.

Nëse mësimdhënësi vazhdon të punojë me metoda të vjetra, ndërsa kurrikula kërkon zhvillimin e kompetencave, atëherë krijohet një kundërthënie e madhe ndërmjet asaj që kërkohet dhe asaj që realizohet.

Po kështu, nëse vlerësimi i nxënësit mbetet i përqendruar kryesisht në riprodhimin e njohurive, atëherë nxënësi nuk ka motivim të mjaftueshëm për të zhvilluar mendimin kritik, kreativitetin dhe aftësitë praktike.

Cilësia e të nxënit dobësohet edhe nga mungesa e kabineteve, laboratorëve dhe mjeteve të konkretizimit në shumë shkolla. Pa këto mjete, nxënësit kanë më pak mundësi t’i lidhin njohuritë teorike me veprimtarinë praktike dhe zbatimin e tyre.

Po aq e rëndësishme është mbikëqyrja e rregullt dhe profesionale. Inspektimi i pamjaftueshëm dhe mungesa e llogaridhënies së shkollave për rezultatet e nxënësve e dobësojnë përgjegjësinë institucionale për cilësinë e arsimit.

Probleme paraqiten edhe në vlerësimin e jashtëm. Organizimi jo gjithmonë i besueshëm i testit kombëtar dhe i testit të maturës, si dhe rastet e kopjimit, e dëmtojnë vlefshmërinë e rezultateve dhe besimin publik në to. Vlerësimi duhet të pasqyrojë sa më drejt kompetencat reale të nxënësve.

Në këtë proces, rol të rëndësishëm kanë edhe institucionet që e udhëheqin arsimin, përfshirë drejtoritë komunale, drejtoritë e shkollave, mekanizmat e inspektimit dhe organizatat profesionale.

Sindikata e Arsimit ka rol legjitim dhe të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të mësimdhënësve. Por ky rol duhet të shoqërohet me përgjegjësi profesionale dhe me angazhim për cilësinë e arsimit.

Çdo ndërhyrje institucionale, pavarësisht se nga vjen, duhet të vlerësohet sipas ndikimit që ka në zhvillimin e kompetencave të nxënësve.

Arsimi nuk mund të jetë peng i interesave të ngushta politike, sindikale apo personale.

5. Drejtuesit politikë dhe dobësimi i meritokracisë

Një tjetër problem që e ka përcjellë arsimin pas luftës është politizimi i menaxhimit të shkollave.

Emërimi i drejtorëve mbi baza partiake, në vend të kritereve profesionale dhe të përvojës, e ka dobësuar kulturën e përgjegjësisë dhe të meritës në institucionet arsimore.

Kur drejtuesi i shkollës nuk zgjidhet për aftësinë e tij profesionale, por për përkatësinë politike, atëherë shkolla rrezikon të shndërrohet nga institucion i dijes në hapësirë të ndikimit partiak.

Kjo dukuri nuk është e kufizuar vetëm në arsim.

Ajo shfaqet edhe në administratë, në shëndetësi, në ekonomi dhe në institucione të tjera publike.

Kur përzgjedhja e kuadrove nuk mbështetet në kompetencë, përvojë dhe integritet, atëherë krijohet një sistem që nuk e shpërblen domosdoshmërisht aftësinë, por afërsinë me qendrat e vendimmarrjes.

Në këto rrethana, njerëzit e përgatitur profesionalisht mund të mbeten jashtë institucioneve, ndërsa individë me kompetenca të pamjaftueshme mund të fitojnë përgjegjësi që tejkalojnë aftësitë e tyre.

Kjo është një nga rrugët përmes së cilës kriza e arsimit mund të shndërrohet në krizë të institucioneve.

6. Nga diploma te kompetenca: një problem që nuk mund të anashkalohet

Sot, në shoqërinë tonë, diploma shpeshherë trajtohet si dëshmi e mjaftueshme e aftësisë profesionale.

Por diploma dhe kompetenca nuk janë e njëjta gjë.

Diploma dëshmon se një individ ka përfunduar një program të caktuar arsimor. Kompetenca dëshmon se ai është në gjendje ta zbatojë dijen në situata konkrete, të marrë vendime të arsyetuara dhe të përmbushë përgjegjësitë që ka marrë përsipër.

Kur sistemi arsimor nuk arrin të zhvillojë kompetencat e kërkuara, atëherë mund të prodhojë një numër të madh diplomash pa përgatitjen përkatëse profesionale.

Kjo është një dukuri veçanërisht shqetësuese kur bëhet fjalë për profesionet dhe pozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Një mjek duhet të zotërojë kompetencat e nevojshme për të trajtuar pacientët. Një mësimdhënës duhet të dijë të zhvillojë të nxënit. Një inxhinier duhet të jetë në gjendje të zgjidhë probleme teknike. Një drejtues institucional duhet të ketë aftësi për të marrë vendime të përgjegjshme.

Asnjë diplomë nuk mund ta zëvendësojë këtë përgjegjësi.

Por edhe këtu duhet të jemi të drejtë: nuk është diploma ajo që e përcakton vlerën e njeriut. Një individ pa arsimim të lartë mund të jetë shumë kompetent, ndërsa një individ me shumë diploma mund të mos jetë i aftë për detyrën që ushtron.

Prandaj, kriteri i vërtetë duhet të jetë kompetenca e dëshmuar, jo vetëm titulli akademik.

7. Kur pasojat e arsimit shfaqen në institucionet e shtetit

Një sistem arsimor që për një kohë të gjatë nuk arrin të zhvillojë kompetencat e nevojshme, krijon rrezikun e një zinxhiri pasojash.

Nxënësit që nuk fitojnë kompetencat e duhura vazhdojnë në nivele më të larta të arsimit, ku mund të përballen me vështirësi të mëdha.

Një pjesë e tyre diplomohen pa përgatitjen e nevojshme profesionale. Më pas, disa prej tyre hyjnë në tregun e punës dhe në institucione publike, ku mund të marrin përgjegjësi për të cilat nuk janë të përgatitur sa duhet.

Kështu, dobësitë e një niveli të arsimit mund të përcillen në nivelin tjetër dhe, përfundimisht, të shfaqen në funksionimin e institucioneve.

Nëse kjo dukuri shoqërohet me politizimin e punësimit, me mungesën e llogaridhënies dhe me dobësimin e kritereve profesionale, atëherë krijohet një rreth vicioz:

Institucionet nuk e kërkojnë kompetencën, arsimi nuk e zhvillon sa duhet atë, ndërsa shoqëria vazhdon të prodhojë dhe të angazhojë kuadro që nuk i përgjigjen nevojave të saj.

Në këtë mënyrë, një problem që fillon në klasë mund të shndërrohet në problem të zhvillimit ekonomik, të shëndetësisë, të administratës dhe të politikës.

Megjithatë, kjo lidhje duhet të shqyrtohet me kujdes. Jo çdo problem institucional është pasojë e arsimit dhe jo çdo individ i papërgatitur është produkt i një sistemi të dobët shkollor. Por arsimi mbetet një nga faktorët themelorë që përcaktojnë cilësinë e kapitalit njerëzor të një shoqërie.

8. A është margjinalizimi i dijes problem vetëm i institucioneve?

Këtu arrijmë te pyetja që e bën këtë fenomen edhe më të ndërlikuar.

Pse shoqëria jonë shpeshherë nuk arrin t’i vlerësojë njerëzit e përgatitur, ndërsa individë me kompetenca të pamjaftueshme mund të fitojnë ndikim të madh?

A është ky vetëm problem i politikës?

Apo kemi të bëjmë edhe me një krizë të vlerave shoqërore?

Nëse shoqëria e vlerëson më shumë dukjen sesa përmbajtjen, më shumë zhurmën sesa argumentin, më shumë afërsinë partiake sesa përgatitjen profesionale, atëherë nuk mund të presim që institucionet të funksionojnë ndryshe.

Politika, në një masë të madhe, pasqyron edhe kulturën e shoqërisë që e prodhon.

Prandaj, përgjegjësia nuk është vetëm e atyre që emërojnë, por edhe e atyre që pranojnë, promovojnë dhe shpërblejnë këtë mënyrë të funksionimit.

Kjo nuk do të thotë se duhet të krijojmë një shoqëri elitiste, ku vetëm njerëzit me tituj akademikë kanë të drejtë të flasin apo të vendosin.

Përkundrazi, një shoqëri demokratike duhet t’u japë mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve.

Por kur bëhet fjalë për përgjegjësi profesionale dhe institucionale, kompetenca, integriteti dhe përvoja duhet të jenë kritere të domosdoshme.

Demokracia u jep qytetarëve të drejtën për të zgjedhur, por cilësia e shtetit varet edhe nga mënyra se si përzgjidhen dhe ushtrojnë përgjegjësitë ata që marrin mandat për të qeverisur.

9. A mund të dalim nga kjo gjendje?

Mendoj se po, por vetëm nëse e pranojmë se problemi është më i thellë sesa duket në sipërfaqe.

Nuk mjafton të kërkojmë ndryshimin e disa individëve në pozita drejtuese. Duhet të ndryshojmë mekanizmat që i prodhojnë dhe i favorizojnë emërimet e papërshtatshme.

Nuk mjafton të hartojmë kurrikula të reja. Duhet të sigurojmë zbatimin e tyre real dhe të vlerësojmë kompetencat që nxënësit i fitojnë.

Nuk mjafton të kërkojmë më shumë diploma. Duhet të kërkojmë më shumë dije, më shumë aftësi dhe më shumë përgjegjësi profesionale.

Nuk mjafton të flasim për reformën e arsimit. Duhet ta shndërrojmë atë në proces të vazhdueshëm, të mbështetur në hulumtime, vlerësime dhe rezultate të matshme.

Në këtë kuadër, nevojiten disa ndryshime thelbësore:

  • Zbatimi i mirëfilltë i kurrikulës së bazuar në kompetenca dhe vlerësimi i rezultateve të saj.
  • Përzgjedhja e drejtuesve të institucioneve mbi bazën e meritës, përgatitjes profesionale dhe integritetit.
  • Forcimi i përgjegjësisë së institucioneve arsimore për cilësinë e të nxënit.
  • Vlerësimi i kompetencave reale të kuadrove, jo vetëm i diplomave dhe titujve.
  • Krijimi i një kulture publike që e vlerëson dijen, argumentin dhe kontributin profesional.

Përfundim: Një shoqëri që nuk e vlerëson dijen, e paguan çmimin e saj

Kosova dhe gjithë hapësira shqiptare kanë kaluar nëpër periudha të vështira historike. Kanë përballuar okupim, luftë, shkatërrime dhe tranzicion të gjatë.

Por nuk mund të mbetemi përjetësisht peng i së kaluarës.

Sakrifica e brezave që e mbajtën gjallë arsimin gjatë okupimit dhe përpjekjet për rindërtimin e tij pas çlirimit duhet të shndërrohen në përgjegjësi për të ardhmen.

Nuk mund të mjaftohemi me faktin se kemi shkolla, universitete dhe mijëra diplomime. Duhet të pyesim se çfarë kompetencash po zhvillojmë, çfarë kuadrosh po përgatisim dhe çfarë shteti po ndërtojmë me dijen që prodhojmë.

Nëse vazhdojmë ta trajtojmë arsimin si çështje dytësore, nëse vazhdojmë ta politizojmë përzgjedhjen e kuadrove dhe nëse vazhdojmë ta margjinalizojmë kompetencën, atëherë do të vazhdojmë të prodhojmë probleme që nuk mund t’i zgjidhim me të njëjtat mjete që i kanë krijuar.

Prandaj, mendoj se ka ardhur momenti i fundit që të reflektojmë si shoqëri.

Të ndryshojmë mënyrën se si e vlerësojmë dijen, si i përzgjedhim drejtuesit, si e organizojmë arsimin dhe si e ndërtojmë përgjegjësinë publike.

Sepse një shoqëri që nuk arrin ta shndërrojë dijen në kompetencë, kompetencën në përgjegjësi dhe përgjegjësinë në zhvillim, rrezikon të mbetet në amullinë ku ka hyrë.

Nuk është e mjaftueshme të kemi njerëz me diploma. Na duhen njerëz që dinë, që munden dhe që marrin përgjegjësi.

Dhe kjo është një çështje që nuk i përket vetëm arsimit. I përket të ardhmes së Kosovës dhe të gjithë shoqërisë shqiptare.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu