E drejta për tubim dhe protestë paqësore është një nga të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë lidhur me pronësinë, lejen ndërtimore, planifikimin urbanistik dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e arkeologjike. Mirëpo, protesta e humb karakterin e saj demokratik dhe legjitim kur shndërrohet në instrument për frikësimin e besimtarëve të një feje të caktuar, për mohimin e të drejtave të një bashkësie fetare ose për pengimin e ushtrimit të ligjshëm të lirisë së besimit.
Veçanërisht shqetësues është instrumentalizimi i protestave nga individë ose qarqe me pikëpamje radikale fetare, të cilat nuk kundërshtojnë një parregullsi konkrete administrative, por vetë praninë e një kishe katolike dhe të besimtarëve katolikë në atë zonë. Përdorimi i parullave përjashtuese, cilësimi i kishës si “provokim”, kontestimi i së drejtës së qytetarëve për ta zgjedhur ose ndryshuar fenë, si dhe paraqitja e konvertimit si “tradhti kombëtare”, janë shenja të një intolerance që mund të kalojë nga retorika përçarëse në diskriminim, kërcënim dhe dhunë.
Sipas raportimeve të shumta, në kundërshtimet publike është përdorur edhe argumenti se në zonën përkatëse nuk jetojnë besimtarë katolikë. Një argument i tillë nuk mund të prodhojë pasoja juridike dhe as të shërbejë si bazë për kufizimin e lirisë fetare. Të drejtat dhe liritë kushtetuese nuk vendosen me votën e shumicës lokale dhe nuk varen nga numri i pjesëtarëve të një komuniteti. Edhe sikur në një vendbanim të jetonte vetëm një familje katolike, ajo do të gëzonte të njëjtën mbrojtje kushtetuese dhe institucionale ne permasa te njejta sikur komuniteti shumicë.
Në një shtet demokratik, shumica ka të drejtë të qeverisë, por jo ta mohojë identitetin, dinjitetin dhe liritë themelore të pakicës. Vlera e demokracisë nuk matet vetëm me fuqinë e shumicës, por, para së gjithash, me mënyrën se si ajo i respekton dhe i mbron qytetarët që janë numerikisht më të paktë.
Organizimi i vazhdueshëm i protestave mbi baza fetare mund të krijojë përshtypjen e rrezikshme se pjesë të caktuara të territorit të Kosovës i përkasin ekskluzivisht një feje dhe se objektet ose simbolet e besimeve të tjera mund të vendosen vetëm me pëlqimin e shumicës lokale. Një koncept i tillë është i papajtueshëm me karakterin laik të shtetit, me barazinë qytetare dhe me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Asnjë fshat, komunë apo pjesë e territorit të vendit nuk mund të shpallet hapësirë ekskluzive e një feje të vetme.
Veprime të tilla mund të krijojnë gjithashtu një ndikim të rëndë emocional dhe psikologjik te pjesëtarët e komuniteteve të vogla fetare. Kur një objekt fetar kundërshtohet jo për shkak të ndonjë shkeljeje të provuar ligjore, por për shkak të identitetit të tij, besimtarëve u përcillet mesazhi se prania e tyre është e padëshirueshme. Kjo mund të krijojë ndjenjë pasigurie, izolimi dhe përjashtimi, si dhe frikë për ta deklaruar dhe praktikuar publikisht fenë e tyre. Në këtë mënyrë krijohet një efekt frikësues, përmes të cilit qytetarët mund të heqin dorë nga ushtrimi i një të drejte kushtetuese jo sepse ajo u është ndaluar formalisht, por sepse ndihen të kërcënuar nga reagimi i mjedisit.
Rreziku bëhet edhe më serioz kur retorika fetare përdoret për ta përcaktuar përkatësinë kombëtare. Shqiptaria nuk ka qenë dhe nuk mund të bëhet pronë e një feje të vetme. Identiteti ynë kombëtar është formuar dhe ruajtur nga shqiptarët myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe nga qytetarët me bindje të tjera. Përkatësia fetare nuk e përcakton atdhedashurinë, besnikërinë ndaj shtetit apo vlerën kombëtare të një qytetari. Çdo përpjekje për t’i ndarë shqiptarët mbi baza fetare cenon një nga themelet më të rëndësishme të bashkimit, unitetit, harmonise dhe të qëndrueshmërisë sonë kombëtare.
Historia shqiptare dëshmon se bashkëjetesa ndërfetare nuk është vetëm një slogan diplomatik, por një vlerë e ndërtuar përmes sakrificave dhe solidaritetit të përbashkët. Në periudhat më të vështira, shqiptarët nuk e kanë pyetur njëri-tjetrin se cilës fe i përkasin, por janë bashkuar rreth gjuhës, atdheut dhe aspiratës për liri. Prandaj, nxitja e ndarjeve fetare nuk përbën vetëm cenim të të drejtave individuale, por edhe goditje ndaj trashëgimisë sonë kombëtare dhe interesave strategjike të Republikës së Kosovës.
Duhet theksuar qartë se veprimet e individëve ose qarqeve të caktuara radikale nuk mund dhe nuk duhet t’i atribuohen bashkësisë myslimane në tërësi. Shumica dërrmuese e besimtarëve myslimanë në Kosovë e kanë dëshmuar vazhdimisht respektin ndaj besimeve të tjera dhe përkushtimin ndaj bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Përgjithësimi dhe fajësimi kolektiv do ta thellonin ndarjen që duhet me çdo mjet të parandalohët dhe do ti shërbente vetëm qarqeve që synojnë përçarjen e shqiptarve ne baza fetare.
Përgjegjësia për gjuhën e urrejtjes, kërcënimet dhe veprimet e kundërligjshme është individuale. Institucionet duhet ta garantojnë të drejtën për protestë paqësore, por njëkohësisht të duhët të parandalojnë çdo përpjekje për ta përdorur protestën si mjet presioni, frikësimi ose mohimi të lirive themelore të qytetarëve të tjerë.
Republika e Kosovës duhet të dëshmojë se është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe se asnjë individ apo komunitet nuk ka nevojë ta fshehë fenë, ta arsyetojë bindjen e vet ose të kërkojë lejen e shumicës për ta ushtruar një të drejtë të garantuar. Mbrojtja e lirisë fetare dhe e pakicave fetare nuk është dobësi e shtetit, por dëshmi e fuqisë së tij demokratike, e pjekurisë kombëtare dhe e orientimit të tij të palëkundur properëndimor.



