Kreu Blog Faqe 116

Janë Shqiptarët për ty Shqipëri

0

Nikolin Sh. Lëmezhi, Shkodër

Një “PO” e madhe për gazin amerikan – Një investim në të ardhmen e Kosovës

0

Prof. Sabri Tahiri, Gjilan

Kosova gjendet përballë një vendimi që tejkalon politikën e ditës. Ai lidhet me orientimin strategjik të shtetit, sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e partneritetit me aleatin më të madh të popullit tonë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prandaj, qeveria në detyrë duhet ta shqyrtojë me përgjegjësi dhe ta mbështesë projektin për gazin amerikan, nëse ai rezulton ekonomikisht i qëndrueshëm, ligjërisht i rregullt dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Ky nuk duhet të shihet si një fitore e një partie politike, por si një fitore e shtetit të Kosovës.
SHBA-ja ka qenë pranë Kosovës në momentet më vendimtare të historisë sonë. Ajo ishte zëri më i fuqishëm për lirinë, mbështetësi kryesor i pavarësisë dhe vazhdon të jetë garancia më e madhe për sigurinë dhe zhvillimin e vendit. Prandaj, çdo projekt serioz që forcon bashkëpunimin ekonomik dhe strategjik me Amerikën meriton vëmendje dhe përgjegjësi maksimale.
Diversifikimi i burimeve të energjisë është një nevojë jetike. Kosova nuk mund të mbështetet pafundësisht vetëm në një burim energjie. Gazi natyror mund të krijojë një sistem më të qëndrueshëm energjetik, të tërheqë investime të reja, të hapë vende pune dhe të rrisë konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë.
Sigurisht, çdo marrëveshje duhet të jetë transparente, profesionale dhe në përputhje me interesin publik. Askush nuk kërkon miratim të verbër. Përkundrazi, kërkohet një analizë e thellë ekonomike, teknike dhe mjedisore. Por, nëse të gjitha këto kritere plotësohen, atëherë refuzimi vetëm për arsye ose teke politike do të ishte një humbje për Kosovën.
Historia na mëson se shtetet e vogla ecin përpara kur marrin vendime strategjike dhe jo emocionale. Partneriteti me SHBA-në nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës; ai duhet të ndërtohet çdo ditë me besim, përgjegjësi dhe projekte konkrete.
Sot, Kosova ka nevojë për unitet rreth çështjeve madhore kombëtare. Energjia, zhvillimi ekonomik dhe aleanca me SHBA-në nuk duhet të jenë fushë përplasjeje politike, por pika bashkimi.
Prandaj, le t’i themi një “PO” të madhe çdo projekti që e afron Kosovën me aleatët e saj strategjikë, që forcon sigurinë energjetike dhe që u shërben brezave të sotëm e të ardhshëm. Mbi interesat partiake duhet të qëndrojë gjithmonë interesi shtetëror dhe kombëtar.

Më 18 qershor 2026

Kur politika flet, por shkenca mungon: Si mbeti Kosova pa mendimin e saj energjetik

0
Agim Vuniqi, Vashington
____
Nga historia e zhvillimit industrial të Kosovës del një paradoks i madh: në kohën kur Kosova kishte më pak kompetenca politike se sot, kishte më shumë planifikim, më shumë studime dhe më shumë mendim profesional sesa në periudhën e pasluftës, kur u bë shtet i pavarur. Ky është një paradoks që meriton të ngrejë shqetësim serioz.
Një histori që nuk fillon dje
Sistemi elektroenergjetik i Kosovës nuk lindi me KEK-un, as me UNMIK-un dhe as me debatet e sotme për gazin amerikan, energjinë e erës apo panelet diellore.
Ai fillon në vitet gjashtëdhjetë, me Kombinatin Xehtaro-Energjetik të Kosovës (KXEMK), një ndërmarrje vertikalisht të integruar, e konceptuar sipas modeleve moderne të kohës, ku minierat e linjitit dhe termocentralet përbënin një tërësi funksionale.
Termocentrali “Kosova A”, me njësinë e parë të vënë në funksion më 1962, nuk ishte produkt i rastësisë. Pas tij qëndronin studime të gjata, ekspertë, projektues dhe institucione të specializuara.
Projektet kryesore u hartuan nga Energoprojekti i Beogradit, ndërsa financimi vinte kryesisht nga vetë Kosova dhe fondet federative, ku edhe Kosova kontribuonte.
Në këtë kuptim, Kosova jo vetëm që paguante zhvillimin e saj energjetik, por ndërtonte themelet e një ekonomie industriale moderne.
Gjermanët, amerikanët dhe teknologjia që i rezistoi kohës
Pak qytetarë e dinë se Termocentrali Kosova A përfaqësonte një kombinim të teknologjive më të avancuara të kohës.
Njësitë A1 dhe A2 u mbështetën në teknologjinë e kaldajave gjermane, ndërsa turbinat ishin të prodhimit të kompanisë amerikane Westinghouse, emër që edhe sot konsiderohet sinonim i inxhinierisë energjetike botërore.
Njësitë A3, A4 dhe A5 u ndërtuan me teknologji të Evropës Lindore, ku kaldajat ishin me origjinë polake, ndërsa pajisjet e tjera u integruan sipas standardeve të kohës.
Më vonë, ndërtimi i Termocentralit Kosova B me dy njësi prej 339 MW secila, në vitet 1983-1984, e vendosi Kosovën ndër qendrat më të rëndësishme energjetike të ish-Jugosllavisë.
Në këtë sistem u investuan miliarda dollarë në vlerën e sotme. Por mbi të gjitha, u investua dije.
Brezi i inxhinierëve që mendonte për dekada, jo për mandate
Në atë kohë ekzistonin sektorë të planifikimit afatgjatë, laboratorë, institute projektuese, qendra të mirëmbajtjes dhe ekipe të tëra ekspertësh. Vendimet nuk merreshin në studio televizive. Nuk merreshin në Facebook. Nuk merreshin sipas cikleve zgjedhore. Ato merreshin pas analizave teknike, ekonomike dhe studimeve të fizibilitetit. Inxhinierët mendonin për tridhjetë vitet e ardhshme. Politikanët e sotëm, shpesh mezi arrijnë të mendojnë për zgjedhjet e ardhshme.
Tragjedia e pasluftës
Pas vitit 1999, Kosova krijoi ministri, agjenci, borde, autoritete dhe dhjetëra institucione të reja. Por askujt nuk i shkoi ndër mend të themelojë një Institut Kombëtar të Energjisë. Një vend me rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë. Një vend me më shumë se gjashtëdhjetë vjet përvojë në prodhimin e energjisë.
Një vend që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Por pa një institut të vetin energjetik. Pa një qendër kombëtare të studimeve të fizibilitetit. Pa një qendër strategjike për teknologjitë e reja. Pa një laborator kombëtar. Pa një tru institucional. Kjo është ndoshta humbja më e madhe e Kosovës së pasluftës.
Kur politika zëvendëson shkencën
Në mungesë të ekspertizës së institucionalizuar, boshllëkun e ka zënë politika. Politikanë që flasin për LNG-në pa pasur studime. Politikanë që flasin për hidrogjenin pa pasur analiza. Politikanë që flasin për mbylljen e termocentraleve pa pasur alternativa.
Politikanë që flasin për tranzicionin e gjelbër pa ditur historinë e sistemit që e kanë trashëguar. Paradoksi bëhet edhe më i madh kur kuptohet se në vitet gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, Kosova kishte më shumë mbështetje shkencore për zhvillimin energjetik sesa sot. Edhe pse atëherë nuk ishte shtet.
Çfarë do të bënin amerikanët dhe gjermanët?
Asnjëherë nuk do ta linin një sektor strategjik vetëm në duart e politikës. Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Energjisë mbështetet nga laboratorë kombëtarë dhe institute kërkimore.
Në Gjermani, vendimet mbështeten në institutet Fraunhofer, qendrat kërkimore dhe universitetet. Në Francë ekziston tradita e planifikimit shtetëror përmes ekspertizës teknike.
Vetëm në Kosovë, shpesh krijohet përshtypja se një deklaratë politike mund të zëvendësojë një studim fizibiliteti.
Por fizika nuk negocion.
Termodinamika nuk bën kompromis.
Ligjet e energjisë nuk votojnë në parlament.
Koha për një rilindje të mendimit energjetik
Ndoshta projekti më i rëndësishëm kombëtar nuk është ndërtimi i termocentralit të ardhshëm.
As gazsjellësi.
As panelet diellore.
Por krijimi i Institutit Kombëtar të Energjisë së Kosovës.
Një institucion ku do të bashkoheshin përvoja e gjeneratës së vjetër të inxhinierëve të KXEMK-së, Elektroekonomisë së Kosovës dhe KEK-ut, me dijen e brezit të ri universitar. Sepse shtetet serioze ndërtojnë institucione që zgjasin më shumë se qeveritë. Ndërsa energjia është tepër e rëndësishme për t’u lënë në mëshirën e improvizimeve politike. Dhe ndoshta pyetja më e dhimbshme që duhet t’i shtrojmë vetes është kjo:
Si ka mundësi që Kosova e vitit 1962 kishte më shumë mendim të organizuar energjetik sesa Kosova e pavarur e vitit 2026? Sepse historia e energjisë së Kosovës nuk është vetëm histori e termocentraleve dhe e linjitit.
Është histori e dijes.
Dhe asnjë komb nuk mund të ndërtojë të ardhmen e tij duke harruar dijen që e solli deri këtu.

A po hyn Shqipëria në një fazë të mosbindjes totale qytetare?

0

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog, Prishtinë

Në traditën e demonstrimeve qytetëruese, apo në përvojat, taktikat dhe strategjitë e rivendosjes së një rendi të ri, kur qytetarët veprojnë në unison të plotë dhe me një vetëdije të përbashkët, gjasat për ta ndryshuar atë maksimalizohen aq shumë sa që bëhet e pamundur rezistenca e çfarëdo pushteti, qoftë ai autokratik apo diktatorial. Mirëpo, nëse protesta klasike (demonstratat masive, sikurse po ndodhin aktualisht në Shqipëri) fillon ngadalë të humbë intensitetin dhe ta zbehë interesimin qytetar që shërbeu si shkak mobilizues, atëherë kura më mirë për ta “mirëmbajtur” atmosferën mobilizuese të revoltuesve është mosbindja qytetare. Dhe, për ta arritur këtë stad rimobilizues, paraprakish duhen disa kushte apo kritere strukturore. Ndër këto kushte e kritere që kanë formë dhe përmbajtje të testuara në traditën demokratike, unë po hedh disa nga ato.

A do ta vulosin “reflektorët e revoltës” suksesin e mosbindjes qytetare shqiptare?

E para, në momentet kur organizatori (sponsorizuesi), apo organizatorët, siç po ndodh në rastin e protestave shqiptare, konstatojnë “pulsin” e rënies së interesimit për demonstrim, me automatizëm duhet që protestën ta transformojnë në “binarët” e mosbindjes qytetare.

E dyta, “vjelja” e rezultateve të para të fillimit të mosbindjes qytetare janë ata “reflektorët” e parë që dëshmojnë apo demantojnë nivelin e efekteve. Por, për t’u arritur ky nivel, paraprakisht mosbindja duhet të përfshijë: sferën politike, ku duhet të përkujtohen të gjitha të bëmat dhe të gjitha veprimet e të gjitha qeverive të përfshira në skandale, afera, krim dhe korrupsion gjatë tërë procesit të tranzicionit të ndodhur në këto tri dekadat e fundit; sferën institucionale, ku do të animohej gradualisht, përmes rrjeteve sociale, administrata, që në rastin shqiptar ka pak gjasa, edhe për shkakun se tradicionalisht ka qenë e lidhur me pushtetmbajtësit, qofshin ata demokratë apo socialistë; sferën ekonomike, ku të gjitha shtresat e punëtorëve që e kanë problem mbijetesën dhe ekzistencën do të alarmoheshin për rrezikun që u kanoset nga ky model denigrues i qeverisjes.

Nëse Edi Rama vazhdon të tallet me protestën, qytetarët do ta zgjedhin mosbindjen

E treta, në rast se protestat mbeten vetëm në nivelin simbolik, gjasat janë që regjimi i Edi Ramës, me lehtësi dhe pa asnjë kosto relevante politike, të mund t’i absorbojë dhe t’i shndërrojë ato në “folklorizëm” dhe përqeshje, ashtu siç vepronte me studentët, të cilët arriti t’i ulë (t’i mashtroj!) në tavolinë dhe t’ua thyejë mendjen me “oferta” dhe me privilegjebindividuale. Në rastin e protestës së tanishme, organizatorët nuk guxojnë të bien pre e kësaj përvoje të hidhur përçarëse të “trurit” të protestave.

Aleanca që mund të përmbysë gjithçka

E katërta, suksesi apo fitorja finale e protestuesve mund të materializohet vetëm nëse atyre u bashkëngjiten masovikisht qytetarët e shtresës së mesme, që në Shqipëri ende është në fazën e “adoleshencës” sociale dhe sa po kuptoj ajo ende po hamendësohet rreth pjesëmarrjes. Hamendësime, këto që “truri” i të revoltuarve duhet t’ua largoj përmes argumenteve që do plasoheshin në mediat dhe televizionet që kanë  besim në kauzën qytetare. Kësaj vale të shtresës së mesme duhet t’i bashkëngjiten edhe studentët, të cilët veten poashtu e perceptojnë si të përjashtuar dhe të pa perspektivë për të ardhmen e tyre. Shto këtu edhe sindikatat dhe grupet e ndryshme margjinale profesionale që veten e tyre e shohin si të kërcënuar dhe të pambrojtur nga ky kapitalizëm (jo normal!)grabitqar që e instaloi kasta e “trekëndëshit të Bermudës” (politikani, oligarku dhe mafia!). Dhe krejt ky mobilizim duhet ta ketë një dhe të vetmin qëllim: atë të humbjes së legjitimitetit qeverisës dhe të komprometimit moral. Themi komprometimit moral, ngase historia e lëvizjeve paqësore na dëshmon se mosbindja qytetare mund t’i “shijojë” efektet që “preken” lehtësisht nga të gjithë vetëm atëherë kur revolta arrinë të artikulohet si morale gjithëpopullore, e jo si konflikt ndërpartiak apo ideologjik. Përvojë kjo që u “testua” gjatë të gjitha protestave që bëri Partia Demokratike, me Sali Berishën, ajo me Lulin, si edhe ajo me ish-presidentin Ilir Meta.

Humbja e Legjitimitetit, një goditje që asnjë pushtet s’e përvallon dot

E pesta, duhet kuptuar po ashtu se vetë akti i protestimit, bashkë me simbolikën e demonstrimit, sado paqësore, nuk është ai “çelësi” kryesor që zakonisht e detyron një qeveri të japë dorëheqje, por është humbja graduale e legjitimitetit, e cila duhet të shoqërohet me mosbindje të thellë qytetare. Andaj, themi se, nëse protestat në Shqipëri fillojnë të zbehen dhe dobësohen numerikisht dhe nuk transformohen në forma më atraktive, më joshëse e më bindëse në kuptimin e përkujtimit të argumenteve komprometuese, si ato që kanë të bëjnë me skandalet qeveritare e opozitare, me aferat korruptive që u zhvilluan gjatë tranzicionit, ashtu edhe me plaçkitjet e pasurive shtetërore dhe sidomos me tendencat e qëllimshme të dëbimit të resurseve njerëzore nga vendi etj., atëherë ka shumë gjasa që e gjithë “arkitektura” revoltuese të shndërrohet në mosbindje totale qytetare. Këtë fakt të transformimit nga faza e protestës në fazën e mosbindjes totale na e dëshmojnë shumë histori të lëvizjeve sociopolitike në të kaluarën.

Megjithatë, duhet kuptuar një fakt elementar që mosbindja qytetare nuk na ofron asnjë garanci se ndryshimi i synuar për ta bërë një “Shqipëri të re”, ku meritokracia ka vlerë, ku sundimi i ligjit vlenë për të gjithë, ku luftohet krimi dhe korrupsioni, etj.etj., mund të ndodhë me automatizëm! Suksesi i këtij obligimi kombëtar apo i kësaj narrative sublime morale e kombëtare varet shumë nga disa faktorë relevantë. E para, duhet të ndodh “zhveshja” totale e protestuesve nga aureola e çfarëdo ndikimi dhe ngarkese partiake, por jo edhe nga interesi shtetëror e ai kombëtar. E dyta, duhet të animohet mbështetja sa më masovike e shtresës së mesme, e studentëve, e intelektualëve me peshë dhe kredibilitet të ruajtur, si dhe nga sindikatat e margjinalizuara që në Shqipëri janë shndërruar në “folklor” e “ikonografi”. Dhe e treta, nga ajo që është më e rëndësishme dhe ka të bëjë me kompetencën e artikulimit të protestës si një kërkesë legjitime morale për drejtësi dhe dinjitet, e jo si një konflikt ideologjik që pretendon reinstalimin e pushteteve të vjetëra. Shikuar nga kjo perspektivë, regjimeve autoritare e diktatoriale vetëm humbja e besimit dhe e legjitimitetit publik mund të ua sjellë fundin…

Kur ndërgjegja vlen më shumë se disiplina partiake

0
Nga Frank Shkreli
________
“Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet. Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka…” Deputetja Marjana Koçeku
                   Vendimi i deputetes Marjana Koçeku për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe për të vazhduar mandatin si deputete e pavarur përbën një zhvillim me rëndësi që tejkalon kufijtë e një karriere individuale politike. Ai ngre një pyetje thelbësore për demokracinë shqiptare dhe për çdo deputet cilës do parti qoftë pozitë ose ose opozitë.. A duhet deputeti t’i bindet gjithmonë partisë, apo duhet t’i qëndrojë besnik ndërgjegjes së vet dhe interesit të qytetarëve që e kanë zgjedhur, a po partisë?
Për më shumë se tri dekada tranzicion, politika shqiptare është karakterizuar nga përqendrimi i pushtetit brenda partive, e nga mungesa e debatit të brendshëm. Shpesh, mendimi ndryshe është parë si sfidë ndaj autoritetit të udhëheqjes (Numrit 1), dhe jo si një kontribut i dobishëm për përmirësimin e vendim-marrjes politike, në dobi të partisë dhe demokracisë në vend. Në këtë klimë, çdo veprim që afirmon pavarësinë e mendimit politik, brenda partive, merr një rëndësi të veçantë, në procesin politik.
Rëndësia e vendimit të Marjana Koçekut – për të ndryshuar mandatin nga deputete e Partisë Socialiste në deputete të pavarur, nuk qëndron thjesht tek efektet numerike në Kuvend, por tek rëndësia e mesazhit që ai përcjell. Vendimi i Marjana Koçekut, na rikujton se deputeti nuk është pronë e partisë, por përfaqësues i qytetarëve, ashtu siç konsiderohet në pjesën më të madhe të vendeve demokratike.  Prandaj, mandati parlamentar nuk duhet të reduktohet në një ushtrim të bindjes politike, automatike, por duhet të shërbejë si instrument përfaqësimi, debati dhe përgjegjësie publike.
Demokracia e brendshme në partitë politike në Shqipëri – sidomos dy partitë kryesore të vendit — mbetet një nga sfidat më serioze të sistemit politik shqiptar këto 35-vite, e që klasa politike shqiptare merr guximin ta quaj këtë proces politik, “demokraci”.  Shumë nga problemet e qeverisjes, të përfaqësimit dhe të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit shqiptar burojnë, pikërisht, nga fakti se partitë politike shpesh funksionojnë në mënyrë vertikale, me pak ose aspak hapësirë për debat, pa kritikë dhe pa konkurrencë të lirë të ideve dhe udhëheqjes së partive. Frank Shkreli: Pa demokratizim të partive nuk ka demokraci Shqipëria | Gazeta Telegraf
Nëse shqiptarët duan për veten një parlament më përfaqësues dhe më të pavarur se këto 35-vite, të pavarur, institucione më të forta dhe një kulturë politike, vërtetë, më demokratike, atëherë duhet të fillojnë transformimin politik duke nisur nga vetë partitë politike. Demokracia nuk ndërtohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Ajo ndërtohet çdo ditë, brenda organizatave politike që pretendojnë të qeverisin vendin. Si shembull, ish-presidenti i Amerikës, repblikani, Ronald Reagan, të cilin e citoj shpesh për lirinë e demokracinë — një politikan i njohur amerikan por edhe botërisht, i shekullit të kaluar — vet ai, dikur, ishte larguar nga Partia Demokrate amerikane për arsye të mospajtimit të tij me parimet e asaj partie dhe është bërë anëtar i Partisë Republikane të Amerikës – duke ndryshura kështi Amerikën dhe botën. Merrni me mend, nëse Ronald Reagan nuk do kishte ndrruar parti, bota e jonë sot nuk do ishte kjo botë në të cilën jetojmë.
Prandaj, akti i largimit nga Partia Socialiste e deputetes shqiptare, Marjana Koçekut duhet parë si një thirrje për më shumë pluralizëm për të mirën, brenda vetë partive politike, dhe për një demokraci më të shndoshë për Shqipërinë. Por, pavarësisht zhvillimeve të ardhshme, mesazhi që përcillet sot nga deputetja tani e pavarur Marjana Koçeku është i qartë: partia nuk mund dhe nuk duhet të jetë mbi gjithçka! Ashtu si në kohën e komunizmit.  Shoqëria shqiptare ka nevojë për më shumë politikanë/e, që guxojnë të mendojnë me kokën e tyre dhe të mbajnë përgjegjësi para qytetarëve, jo vetëm të jenë përgjegjëse para strukturave partiake dhe besnike ndaj Numrit 1. Vetëm atëherë mund të ndërtohet një demokraci e vërtetë, kur besnikëria ndaj parimeve politike, në mbrojtje të interesave dhe nevojave reale të popullitt, vlerësohet më shumë se besnikëria ndaj urdhrave të partisë.  Për këtë arsye, pavarësisht, bindjeve politike që secili mund të ketë, vendimi i Marjana Koçekut meriton të vlerësohet si një rast që nxit reflektim të thellë mbi raportin midis ndërgjegjes individuale dhe disiplinës partiake. Një demokraci e shndetshme nuk ka frikë nga mendimi ndryshe; përkundrazi, ajo ushqehet prej tij. Shoqëria shqiptare ka nevojë për më shumë politikanë që guxojnë të mendojnë me kokën e tyre dhe të mbajnë përgjegjësi para qytetarëve, jo vetëm para strukturave partiake dhe numrit i të partisë si në kohën e Enver Hoxhës. Vetëm atëherë mund të ndërtohet një demokraci e mirëfillt, ku besnikëria ndaj parimeve vlerësohet më shumë se besnikëria ndaj urdhrave, partiakë.  Frank Shkreli: Në Shqipëri vdiq opozitarizmi së bashku me shpresën! | Gazeta Telegraf
Në këtë kuptim, vendimi i deputetes Marjana Koçeku meriton respekt. Jo, domosdoshmërisht, se të gjithë duhet të pajtohen me të, por një vendim i tillë,  rikthen në qendër të debatit një vlerë themelore demokratike: lirinë e ndërgjegjes individuale politike, qoftë edhe para besnikërisë ndaj partisë. Kjo është një vlerë që Shqipëria dhe shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë nevojë ta mbrojnë dhe ta forcojnë çdo ditë.Top of FormBottom of Form Sepse më në fund, një e vërtetë mbetet themelore: pa demokraci brenda partive politike nuk mund të ketë demokraci të vërtetë, as në Shqipëri.
Autori me rastin e përurimit të tre vëllimeve të “Demokracia nuk pret”, Tiranë, më 11. 9. 2018
“Është e drejtë e secilit prej nesh që të interpretojmë, të analizojmë dhe të gjykojmë tranzicionin politik post-komunist, pasi këtë na e mundëson kjo demokraci, sado e brishtë, cilido qoftë mendimi ynë për zhvillimin e saj të deritanishëm.”

Gazi Amerikan, Kosova dhe keqinterpretimet gjeopolitike

0
Nga Agim Vuniqi, Vashington
____
Në debatin publik është përsëritur shpesh pretendimi se mosrealizimi i projektit të gazit natyror në Kosovë përbën një gabim gjeopolitik dhe madje një largim të Prishtinës nga partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një interpretim i tillë meriton të shqyrtohet me qetësi dhe mbi bazën e fakteve, sepse në çështjet energjetike perceptimet politike shpesh mund të zëvendësojnë analizën objektive.
Fakti i parë që nuk mund të anashkalohet është se Kosova nuk ka qenë kurrë e varur nga gazi rus. Ajo nuk ka importuar gaz nga Rusia, nuk ka pasur rrjet të gazit të lidhur me sistemin rus dhe nuk ka ekzistuar asnjë varësi energjetike nga Moska që do të duhej të zëvendësohej me burime të tjera.
Pikërisht për këtë arsye, krahasimet me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat për dekada kanë qenë të lidhura me gazsjellësit rusë dhe që pas agresionit rus kundër Ukrainës po orientohen drejt alternativave të reja, nuk mund të aplikohen mekanikisht edhe në rastin e Kosovës.
Polonia, Gjermania, Çekia, Sllovakia apo shtetet baltike po zëvendësojnë një varësi ekzistuese. Kosova, ndërkaq, nuk ka pasur asnjë varësi të tillë dhe as infrastrukturë të gazit natyror. Për këtë arsye, çështja nuk ka qenë kurrë zgjedhja midis Rusisë dhe Amerikës.
Debati real ka qenë dhe mbetet një tjetër: cili model energjetik është më racional dhe më i favorshëm për Kosovën?
Nëse vendi do të investonte në një sistem të gazit, ai do të duhej të ndërtohej pothuajse nga e para, me kosto të konsiderueshme infrastrukturore. Përballë kësaj alternative, janë paraqitur edhe modele të tjera, përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të infrastrukturës rajonale dhe të lidhjes me terminalin e gazit të lëngshëm (LNG) në Vlorë, i cili është pjesë e strategjisë më të gjerë të diversifikimit energjetik në rajon.
Kjo do të nënkuptonte që Kosova të vazhdonte të përfitonte nga gazi amerikan, por përmes një modeli tjetër furnizimi dhe pa qenë e detyruar të ndërtonte menjëherë një rrjet të tërë kombëtar të gazit nga zero.
Në këtë kuptim, është vështirë të argumentohet se kemi të bëjmë me një çështje të natyrës gjeopolitike. Burimi i energjisë mund të mbetet i njëjtë, ndërsa ndryshon vetëm mënyra e transportit dhe e integrimit në tregun rajonal.
Po aq i rëndësishëm është fakti se bashkëpunimi energjetik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk është ndërprerë. Përkundrazi.
Përmes programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), SHBA-ja ka mbështetur një nga investimet më të mëdha energjetike në Kosovë, me fokus në sistemet e avancuara të ruajtjes së energjisë me bateri. Këto investime përfaqësojnë qindra milionë dollarë dhe synojnë të rrisin fleksibilitetin e sistemit energjetik dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme.
Po ashtu, partneriteti Kosovë-SHBA nuk kufizohet në sektorin energjetik. Ai përfshin sigurinë, mbrojtjen dhe bashkëpunimin strategjik afatgjatë. Kosova vazhdon të blejë pajisje ushtarake amerikane, ndërsa SHBA-ja mbetet garantuesi kryesor i sigurisë së saj përmes NATO-s dhe pranisë së KFOR-it.
Prandaj, paraqitja e debatit energjetik si një zgjedhje midis Amerikës dhe Rusisë krijon një kundërvënie artificiale që nuk përputhet me realitetin.
Kjo nuk do të thotë se çdo vendim energjetik duhet të jetë përtej kritikës. Përkundrazi. Projektet energjetike duhet të vlerësohen në bazë të kostos, qëndrueshmërisë ekonomike, ndikimit mjedisor, sigurisë së furnizimit dhe interesit afatgjatë të shtetit.
Në fund, qytetarët kanë të drejtë të informohen saktë dhe pa paragjykime.
Pyetja thelbësore nuk është nëse Kosova po zgjedh Amerikën apo Rusinë, sepse një dilemë e tillë nuk ka ekzistuar kurrë në praktikë.
Pyetja e vërtetë është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e rëndësishme:
Cili model energjetik i shërben më mirë interesit afatgjatë të Kosovës, duke ruajtur dhe forcuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje kërkon analiza ekonomike dhe strategjike, jo slogane politike. Demokracitë serioze ndërtohen mbi fakte; propaganda, sado e zhurmshme, nuk mund t’i zëvendësojë ato.

Autoritetet e Shkupit godasin grupin e dyshuar ekstremist – islamist

0

Dyshohen pesë anëtarë të grupit, të cilët do të akuzohen për veprën penale të “Organizatës Terroriste”. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan pajisje dixhitale dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat do të jenë objekt i analizave të mëtejshme në hetim, njoftuan autoritetet.

“Dy nga të dyshuarit janë vendosur në paraburgim dhe arrest shtëpiak, ndërsa tre të tjerët tashmë po vuajnë dënime me burg ose janë në paraburgim në institucione korrektuese për krime të mëparshme të lidhura me terrorizmin”, thuhet në deklaratë.

ASK informon se aktivitetet u ndërmorën bazuar në informacionin e inteligjencës të ofruar më parë, si dhe të dhënat e marra përmes bashkëpunimit strategjik ndërkombëtar me shërbimet partnere.

“Sipas gjetjeve të Agjencisë, të dyshuarit vepruan si mbështetës ideologjikë të organizatës terroriste ‘Shteti Islamik’, duke vendosur kontakte me mediat dhe kanalet e saj të propagandës dhe duke punuar për të krijuar një rrjet lokal për përhapjen e narrativave ekstremiste dhe të dhunshme. Qëllimi, sipas hetimit, ishte nxitja dhe mbështetja e aktiviteteve terroriste në territorin e vendit”, tha Agjencia.

Për më tepër, anëtarët e grupit dyshohet se kanë ofruar mbështetje logjistike për njerëzit që më parë ishin shënjestruar nga operacionet kundër terrorizmit të ASK-së.

Kosova dhe Çamëria kanë qenë prej shekujsh territore shqiptare, pjesë e trungut të kombit shqiptar, historisë dhe kulturës së tij

0
Edi Rama – ju nuk mynd te jeni zëdhënës i Historisë shqiptare !
___
Zoti Kryeministër, ju nuk mynd te jeni zëdhënës i Historisë shqiptare ! Kosova dhe Çamëria kanë qenë prej shekujsh territore shqiptare, pjesë e trungut të kombit shqiptar, historisë dhe kulturës së tij. Termi « territore » ka të bëjë me gjeografinë dhe historinë dhe kur deklaroni në televizion se s’ka territore shqiptare në Greqi, kjo s’është gjë tjetër veçse një politikë e momentit, për të patur një përkrahje nga Greqia (e presioneve të përhershme) duke shkelur kështu mbi historinë tonë.
Ajo që thatë për Bubulinën dy vjet me parë, nuk ishte kurajo dhe trimëri, ishte një pohim, diçka e thënë nga historianët grekë shumë kohë më parë. Michel de Grèce ishte një nga këta historianë që botoi librin për Bubulinën 30 vjet më parë. Ju s’mund të hidhni poshtë studimet e shumta të historisë që janë bërë deri tani për këto territore.
Duhen lexuar studimet e historianëve shqiptarë, grekë dhe evropianë, librat e konsujve të huaj që përcaktonin qartë shtrirjen historike të shqiptarëve që së bashku me grekët bënë Revolucionin Grek të vitit 1823. Historia tashmë është shkruar prej kohësh dhe nuk ka nevojë për interpretime, aq më tepër nga pplitika, pasi kështu hymë në sferën e Makiavelit. Perandorët nuk e kanë dashur shkencën historike por janë lumturuar kur atë e shkruajnë haxhiografët e tyre të cilët u bëjnë vetëm lavde. Dhe sa për dijeni, të gjitha toponimitë e fshatrave çame tashmë janë ndryshuar në tokat e dikurshme shqiptare në Epir dhe vetëm shqiptarët me pasaporta europiane mund të depërtojnë në kërkim të shtëpive të tyre dhe gjithnjë të ndjekur nga policia greke.
Dy javë më parë duke udhëtuar nëpër Europë, në takim me një zv. Ambasador kur i folën për organizimin e një konference për Çamërinë ai u tremb dhe tha se nese miratoj një gjë të tillë mua më heqin nga puna. Këto orientime diplomatike të kujtojnë një politikë të vjetër që s’duhet të ekzistojë më.
Unë e dua Greqinë, e dua historinë dhe kulturën greke, i dua grekët me të cilët kam deshirë të kuvendoj, të pi një uzo apo të udhëtoj në det. Dua Greqinë e arvanitasve dhe çamëve që kontribuan në historinë e saj, Greqinë ku jetojnë mëse 1 milionë shqiptarë ku shumica mjerisht kanë qenë të detyruar të ndërrojnë emrat e tyre.
Si Bashkëpuntor i Jashtëm Shkencor i Akademisë, i kërkoj Akademisë së Shkencave që në një debat të afërt mbi këtë çështje të përcatojë qartë se është shkenca dhe historianët tanë ata që kanë të drejtën e përcaktimeve historike. Madje ti ofrojë kryeministit shqiptar studime të botuara nga historianë shqiptarë dhe të huaj, përfshi edhe ata grekë, që të informohet saktë në çështje të tilla që kanë të bëjnë me historinë kombëtare shqiptare.
Dhe së fundi: aktualisht po përgatis një libër-guidë “turistike” për gërmadhat e shtëpive të çamëve që janë ende në këmbë në Camëri. Shkoni dhe hsikojini dhe atëherë do të kuptoni sensin e vërtetë të historisë.
Atë libër do t’ua dedikoj juve, Edi Ramës, mikut të dikurshëm që të shohë se cila ka qenë historia e vërtetë shqiptaro – greke e shekullit XIX-XX e deri më sot.
____
Luan Rama , ish ambasador

Memorandumi me Emiratet Arabe: Tradhti ndaj shtetit laik dhe rrugë e hapur për islamizimin e Kosovës

0
Organizata “Shqiptaria” shpreh indinjatën më të thellë dhe dënon me forcë nënshkrimin e Memorandumin Strategjik të Mirëkuptimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe (CBUAE). Ky akt nuk është thjesht një “bashkëpunim teknik” në fushën e financave dhe FinTech-it, por një hap i rrezikshëm, antikushtetues, ideologjikisht i motivuar dhe potencialisht korruptiv që cenon themelet e shtetit laik kosovar.
Duke përfshirë explicitisht “bankimin me parime islame” në fushat e bashkëpunimit, ky memorandum hap derën e gjerë për influencën e huaj arabe në sistemin financiar të Kosovës. Është e qartë se qeveria e Kosovës, nën pretekstin e “zhvillimit” dhe “standardeve ndërkombëtare”, po u hap rrugë investimeve masive nga vendet arabe dhe Turqia – investime që shpesh vijnë të shoqëruara me agjenda ideologjike dhe me dyshime të forta për ryshfete nën tavolinë. Kultura politike dhe biznesore e shumë vendeve të Lindjes është e njohur për korrupsion endemik, ku marrëveshjet zyrtare shpesh fshehin interesa të tjera, duke filluar nga përhapja e ideologjisë islame radikale deri te blerja e ndikimit politik.
Ky memorandum cenon rëndë:
• Parimin e shtetit laik të përcaktuar qartë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
• Rendin kushtetues duke futur elemente të një sistemi financiar që bazohet në fe (sharia), gjë që është në shërbim të islamizimit gradual të institucioneve shtetërore.
• Orientimin euro-atlantik të popullit të Kosovës, i cili ka zgjedhur qartë rrugën perëndimore, laike dhe demokratike, e jo atë të teokracive të pasura me naftë.
Nuk është rastësi që nënshkrimi u bë në Abu Dhabi dhe që palët flasin për “vizionin e lidershipit” të tyre. Kosova po kthehet në një terren pjellor për influencën e huaj islamike pikërisht në kohën kur vendi ka nevojë për forcim të identitetit kombëtar shqiptar dhe largim nga çdo formë varësie fetare apo kulturore që na tërheq prapa.
“Shqiptaria” i bën thirrje:
• Deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta shqyrtojnë menjëherë këtë memorandum dhe të marrin masa për ta bllokuar zbatimin e tij.
• Institucioneve të sigurisë dhe prokurorisë që të hetojnë çdo dyshim për korrupsion apo ndikim të huaj në këtë proces.
• Qytetarëve kosovarë që të reagojnë kundër islamizimit të fshehtë të shtetit nën maskën e “bashkëpunimit ekonomik”.
Kosova nuk është dhe nuk do të bëhet koloni e investimeve arabe me agjendë fetare. Identiteti ynë është shqiptar e europian, jo islamik lindor. Çdo tentativë për ta ndryshuar këtë orientim do të hasë në rezistencë të fortë nga të gjithë ata që besojnë në një Kosovë laike, sovrane dhe perëndimore.
Organizata “Shqiptaria”
Prishtinë, 17 Qershor 2026