Kreu Blog Faqe 1303

Copëza kujtimesh nga jeta e puna në Kosovë e mërgim 

0

Me nxënës të ikur nga lufta, Blomtermåla, Mönsterås Kommun, 1999/2000

Sinan Kastrati, Suedi 

Pjesa e shtatë (7) 

Vazhdon nga numri i kaluar 

Ademi, babai i Sadri Godancit, atherë penizoner u mundua të ma “mush menen” gjithë natën që unë të regjistrohem në fakultetin teknik por Sadriu thonte ”Më mirë të regjistrohet aty ku ka dëshirë Sinani”.  

Latif Kryeziu, nuk fliste. Ai vetëm na dëgjonte mua, Sadriun e Ademin, të zotin e shtëpisë. 

Në fund të odës rrinin ulur Dini, vëllai i dytë i Sadriut dhe Lati, nip nga Sferrka. Dy djem të urtë por që ngapakë i kritikonte Sadriu e Ademi shkaku që sipas tyre, nuk mësonin si Snani … Ata nuk flisnin por rrinin gati nëse dikush nga lypte ujë me pi ose ndonjë shërbim tjetër. Edhe Hyseni, vëllai i vogël i Ademit fliste më rrallë ndërsa Isufi që punonte në Zvicërr, “qile gur gojën” .

Një ndejë me prindërin Florim Hoxha nga Bellanica. Malmö, dhjetor 2021

Latif Kryeziu, më vonë ishte bërë një nga tregtarët, biznismenët e pasunikët më të medhenj të Kosovës. Dini, vëllai i vogël (pas Sadriut), është gjithashtu një pasunik i mesëm e Lati, një jetim, nip i Adem Godancit kam dëgjua se punon jashtë, në Zvicërr e nuk ka nevojë për “shkollë”, as Dini. 

Të hënen në mëngjes të një shtatori me plot diell Sadriu, Lata (Latif Kryeziu) e unë u nisëm për në Prishtinë. Sadriu. Rrugën e bëmë duke bërë llafe e muhabet. Vërtetë ishte kënaqësi me e dëgjua Sadriun. Një intelektual i zoti e burrë që nuk u mashtrua me “dollar”.  

Se sa ka qenë i afërt e i thjeshtë me miq, që nga gjyshi, Sejdiu, baba, Ademi e ai, është se ditëve të hënave kur ne pritnim autobusin në Kijevë, për në Prishtinë, kur ai vinte në Kijevë, sepse udhtonte nga Prishtian, para këmbëve na ndalte makinën. Shumë studentë e puntoreë vraponin duke mendua se ai do të merrte udhtarë me para, ai iu thonte: 

-Më falni por kam vend vetëm për mikun, Sinanin, Jakupin a ndonjë tjetër nga Turjaka. 

Me një grup nxënësish të Bäckagårsskolan, Malmö, maj 2022

Para Radio Prishtinës, Sadriu ma ndali makinën e unë zbrita dhe trup e trup nëpër oborr të fakultetit hyra brenda fakultetit e drejt te shallteri referentëve. Referentët, Ali Tyrbetari e Demë Mahmutai, pasi i shikuan dokumentët, dëftesat dhe diplomën e shkollës së mesme, mënjëherë, aty për aty më thane se “ti je pranua”.  

Më 23 shtator 1975 e mora INDEX-in, sigurisht se ishte një ndjenjë kënaqësie e paprovueshme dhe e åapërshkrueshme për mua. 

Isha studenti 407, sipas radhës që isha pranua në Letërsi, Gjenerata e Tretë. 

Në ballinën e INDEX-it ishte stema e RSFJ-së ndërsa në anën e djathtë shkruante shqip  

UNIVERZITETI I PRISHTINËS                 УHNBEPЗNITET У ПPNШTNHN 

Ishin edhe rubrikat ku shkruhet: RS (Republika Socialiste, serb.”SP”) ku ishim të obliguar ta shkruanim: RS –e Sërbisë (edhe pas vitit 1974 që Kosova me Kushtetutën e saj njihej si KSAK (Krahina Socialiste Autonome e Kosovës). 

Në rubrikën ”shtetas”, unë e kisha shkruajtur, nga padija ”Jugosllav”. Një profesor imi kur e pa më tha: 

Sinan, shlyeje ”Jugosllav” e në vend të kësaj shkruaje ”RSFJ” dhe kështu bëra. 

Ademi e Sadriu kanë vdekur. Ka vdekur edhe Latif Kryeziu ndërsa unë, jetoj jashtë. 

Këtu po e ndërprej për të vazhduar ndonjëherë tjetër. Në të vërtetë po bëjë një kapërcim e po lë një boshllëk për shkaqe subjektive 1*), të njohura vetëm për mua. 

Dua të flas shkurt sikur grabujën që iu kanë thye dhëmbët e fijet e barit nuk i mbledh si duhet. Dua të shkruaj vetëm për disa nga kujtimet e vitit të fundit shkollor dhe kalendarik, vitin 2021/2022. Sigurisht se pas një kohe, si pensionist do të vazhdoj e do të shkruaj edhe për disa nga ngjarjet e vitit 1975- 1992 fillimin e studimeve deri sa erdha në Suedi dhe 1999 2021, periudhën e vështirë që ishte në Kosovë, deri më 12 qershor 1999 dhe peridhën e pasluftës. Disa nga ato kujtime, i kam qit në letër por ka edhe të tjera që nuk i kam thënë. 

Legitimacioni zyrtar për mësues

Puna me nxënës si mësues nuk është e lehtë dhe pa pengesa e vështirësi. Ato vështirësi e pengesa kalohen me lehtë e më shpejtë kur mësuesit (shqiptarë, ndërh. imja) bashkëpunojnë, e ndihmojnë njëri tjetrin dhe pa harrua, bashkëpunimin me prindër (shqiptarë) që është shumë i nevojshëm për mbarëvajtjen e punës në Mërgatë. 

Po a bashkëpuno-jmë- nim ne mësuesit shqiptarë dhe a e ndihmonin njëri-tjetrin kur (ata, ato) kishin nevojë ??? 

Përgjigja është me shumë pikëpyetje. 

Në Suedi, është shteti që edhe mësimin për gjuhë të huaja e organizon, e mbëhtet dhe financon.  

Kështu dukej Dokumenti Zyrtar i lëshuar nga Högskoleverket, se një mësues është i kualifikuar që të punoi si mësues në shkollat fillore dhe në gjimnaz si mësues i gjuhës shqipe

Mësimi në gjuhën shqipe dhe gjuhët tjera (Hemspråk, modersmål) nuk është i obligueshëm (i detyrueshëm) por prindi  nëse don e mbush një fletë dhe e kërkon që fëmiu ose fëmijët të mësojnë në gjuhën shqipe dhe komuna, pastaj sipas ligjit cakton mësimin në shkollën ku mësojnë ata fëmijë ose të shkojnë në shkollën më të afërm ku mbahet mësimi, nëse për shkaqe të ndryshme nuk organizohet mësimi në shkollën ku nxënësit (shqiptarë) ndjekin mësimet suedisht (për shkak të numrit të vogët të nxënësve, 1, 2, 3 nxënës apo numrit të pamjaftueshëm të mësuesve, largësisë ndermjet shkollave etj). 

Këto vështirësi e pengesa i kam pasur edhe unë. Kam pasur nxënës në 13 shkolla fillore dhe të mesme (gimnaz dhe shkolla profesionale) por mësimin e kam mbajtur në 10 shkolla, në 5 ditët e javës, para e pasdreke, aty ka ka pasur mundësi. 

Ka pasur shkollë që ka pasur vetëm nga 2 nxënës por unë kam shkua atje shkaku që ata mos ta ndërpresin mësimin sepse nuk kanë pasur mundësi e kohë që të udhtojnë e vijnë në shkollën tjetër. 

Gazeta e Kalmarit, kryeqytet i një krahine në Suedi, shkruante … se Kosova është krahinë serbe, unë punoja si mësues me fëmijët që kishin ikur nga terrori serb, më 1999/2000, reagova se Kosova nuk është krahinë serbe. E njte, 10 shkurt 2000

Ishte dëshirë edhe e prindërve që të vijojnë mësimin plotësues prandaj shkoja me qef edhe pse i lodhur e shpesh kisha kohë vetëm sa të ulem e të pi një gotë ujë ose 1 kafe sepse siq thash kisha 13 shkolla në vetëm 5 ditë pune të javës.  

Mësimi në gjuhën shqipe (angleze, arba, boshnjake, daneze … në më shumë se 30 e më shumë gjuhë zhvillohet pasi nxënësit ta kryejnë mësimin suedisht, dmth pas orë 13:00, 14:00 -të deri në në mbrëmje. 

Nxënësit, shpesh janë të lodhur por kanë edhe aktivitete tjera, sport, muzikë prandaj shpesh mungojnë ose nuk vijnë fare. 

Nuk ka dyshim se mundësitë që na i ka ofruar shteti suedez, nuk i kemi pasur në atdheun tonë, në Kosovë por jo gjitherë kemi pasur përkrahjen nga individë (individë) që ”vendosin” për ato që kemi dëshirua. 

(”Uppsägningsblankett”), Kërkesë ose njoftim nëse prindi vendos që fëmiu ta ndërpres mësimin në gjuhën amtare

Kjo ka ndodhur edhe në mesin e vetë mësuesve dhe prindërve shqiptarë, mjerisht, rrallë por po, nuk e kemi ndihmua a përkrahur sa duhët mësuesin. 

Një e padrejtë, ta quaj kështu ka qenë edhe ajo se kur Ministria e Arsimit e Suedisë e ka bërë vlerësimin e shkollimit për të huaj, ne që kemi pasur shkollim superior ose profesional, mësues, arsimtar etj. psh në Kosovë ose në Shqipëri, ajo ”SKOLVERKE” iu ka dhënë ”të drejtë” që të gjithëve që kanë kryer një shkollë mësuesie psh mësues gjeografie, mësues fiskulture, matematike, muzike … etj. iu ka lëshua një dokument që mundet me punua si mësues në shkollën suedeze, mësimi në gjuhën shqipe. 

Kjo ishte e padrejtë sepse i barazonin mësuesit profesionistë me ata që dinin të flisnin e shkruan shqip (jo të gjithë dinin të shkruanin). 

Këto padrejtësi ndoshta kanë qenë edhe nga shkaku se Ministria e Arsimit e Suedisë nuk e ka njohur sistemin e shkolllimit të vendeve prej nga kanë ardhur mësuesit. 

Unë i kam shkruajtur Ministrisë së Arsimit të Suedisë qysh para vitit 1998 e më vonë për këto ”parregullsi” dhe padrejtësi që na bëheshim mësuesve të një gjuhe dhe iu kam shpjegua se një një mësues i Bazave të Arsimit Teknik, Muzikës ose Matematikës, mund të punoj si mësues matematike në shkollat e Kosovës por jo si mësues i gjuhë, letërsisë shqipe dhe iu kam shtrua pyetjen logjike: 

Nëse për nxënësit me mësim në gjuhën suedeze në Bruksel, aty ku ka shumë parlamentarë suedezë, kërkohet mësuesi i gjuhës suedeze, për mësimin e suedishtes, i dërgoni ju mësues muzike, matematike apo mësues të gjuhës suedeze (si lëndë) atje? 


(”Ansökan”) Kërkesë për mësimin në gjuhën amnore

-Jo, ishte përgjigja, sepse mësuesi i gjuhës (shqipe, suedeze….) mëson lëndë mësimore në univerzitet që që nga shkronjat, Fonetikën (zanoret, bashktingëlloret… dukuritë fonetike) dhe vazhdon me format e fjalëve, fjalët e para, parashtesat, rrënjen, temën e fjalës, prapastesat, mbaresat, nyjet, kategorië leksiko gramatikore (emrat, mbiemrat, përemrat, foljet …, pra Morfolofjinë, Sintaksën, Dialektologjinë, Historinë e gjuhës , letërsinë për fëmijë, për të rritur, teorinë e letërsisë, historinë e letërsisë, kritikën letrare etj. Ndërsa një mësue që sigurisht se ka njohuri në shkencën që ka mësuar (studjuar), këto nuk i njeh sepse nuk ka mësuar dhe nuk ka shpresë se do ti mësoj nga përvoja e në vend të huaj …. 

Këto fenomene e vështirësi i kemi edhe tash dhe ato po vazhdojnë. Ky është vetëm një shqetësim i imi por që duhët të jetë edhe shqetësim në radhë të parë i Ministrisë së Arsimit të Kosovës …, i drejtorëve të shkollave ku ka nxënës shqiptarë, e nëse ka kuadro të nevojshëm, atherë më mirë pakës se aspakë, ”më mirë breshër, kur s,bjen shi”. 

Po nxënësit jo çdo here i kuptojnë këto ”cikërrime” po besa edhe disa prindër nuk duan ose nuk i kuptojnë edhe ata. 

A do të vazhdoj edhe tash tutje kështu siq është ? 

Nuk e di por kam frigë se gjeneratat që do të vijnë, fëmijët, një pjesë e madhe e prindëreve (gjenerata e dytë) që kanë lindur në Suedi, flasin edhe në shtëpi suedisht. Një pjesë tjetër nuk vijnë fare në mësim në gjuhën shqipe … dhe këto shenja të këqija që gjuha shqipe, edhe nëse nuk vdes, do të harrohet në mërgim. 

Atherë, çka mund të bejmë tash që mos të kemi fatin e shumë popujve e gjuhëve që nuk fliten, që janë zhdukur o kanë vdekur ? 

Shqipja, si gjuhë, e kam thënë dhe e thonë edhe gjuhtarët, është gjuhë që i takon Familjes së gjuhëve Indoevropiane por që nuk ka motër (E. Lafe tha se nuk ka as kusherira), sikurse që kanë psh italishtja, frëngjishtjam spanjishtja, katalonishtja, portugalishtja apo gjuhet sllave: rusishtja, bjellorusishtja, kroatishtja, bullgarishtja etj. ose gjuhët skandinave me motrën më të madhe; suedisshtën dhe 3 motrat tjera më të vogla; danishten, norvegjishtën dhe islandishten. 

Shqipja Brenda teritoreve shqiptare nuk ka rrezik se do të shuhet ani pse tokat shqiptare e deti po tkuren e po zvoglohen. Në qytetin e Manastirit (Bitol), sa kam dëgjua nuk ka as shkollë shqipe ndërsa në Mal të Zi, pjesa më e madhe e malësorëve kanë ikur në SHBA e gjetkë. Atje kanë mbetur vetëm arat e trojet e rrethuara me muret me gurë. Në Tivar më nuk fliet shqipja e sa për shkolla shqipe as që flitet. Në Medvegjë, gjendja nuk është hiç më e mirë. Atje ajka, yndyra e intelektualëve (që nga prof. Idriz Ajeti … ) moti i kanë mbyllur dyert me therra e oxhaqet nuk tymojnë më. Sa për Qameri, dihet se është një plagë që kullon gjak. 

Po nëse atje është kështu siq është, nuk mund të pritet më mirë, atherë as në Norvegji e Danimarkë, shtetet e BENELUKSIT apo në Australi, nuk ka shpresë se mund të bëhet mirë. 

Shtetet shqiptare, Kosova e Shqipëria duhet sa më shpejtë ti marrin masat e ta ndihmojnë Mërgatën me mundësitë që kanë, në informin, me një kanal televiziv vetëm për mërgatën disa orë në javë, shkollim dhe mundësisht të ndihmohen nxënësit me ekskurzione jopolitike nga shteti, duke i vizitua qendrat historike, qytetet, varrezat e heronjëve, me konferenca e takime tjera sepse, Mërgata është si mishi me ashtin (kockën) e lidhur me atdheun, me Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë.  

Nuk duhet të dërgojnë Kosova e Shqipëria emisarë politikë për vota e vjedhje parash, siq ka ndohur që nga viti 1990-1999 dhe tash, por më pakë por njerëz që ”i ha puna” e i beson ”pazari”. 

Përsëri nuk arrita ta përfundoj, prandaj për disa nga letrat e nxënëseve, prindërve dhe të tjerëve do të shkruaj në vazhdimin ose vazhdimet tjera e pastaj do ta mbyll ”gojën” e celularët me qepen, për një kohë e nuk do të flas e as shkruaj.  

Pasi që sot është 12 qershori, dita e çlirimit të Kosovës, të gjithë shqiptarëve, dhe popullsisë tjetër të Kosovës, kudo që janë : URIME ! 

1*) SUBJEKTIV mb. 

Që ka të bëjë me një njeri të veçantë, si qenie e ndërgjegjshme, që ndien, që provon e që mendon; kund. objektiv. Bota subjektive. Dëshira (mendime) subjektive. Ndijimet subjektive. Gjendja subjektive e të sëmurit. 

spec. Që ka të bëjë me njeriun si subjekt; i subjektit. Faktori subjektiv në histori. 

Që ndodh për shkak të një a të disa njerëzve të veçantë dhe që nuk vjen nga shkaqe madhore e nga rrethana të domosdoshme; kund. objektiv. Pengesa subjektive. Vonesë për shkaqe (arsye) subjektive. 

Që niset nga dëshira vetjake dhe jo nga faktet ose nga gjendja e vërtetë, i anshëm; kund. i paanshëm, objektiv. Vlerësim subjektiv. Qëndrim subjektiv. 

Idealizmi subjektiv filoz. shih tek IDEALIZËM 1. 

Shih edhe: subjekt subjektivist subjektivizëm subjektivisht sublim subversiv sublime subvencion subvencionim 

 Vazhdon  

Malmö, 12 qershor 2022   

sinan.kastrati@hotmail.com  

NATO në Kosovë dhe trupat ruse në Prishtinë

0
Jusuf Buxhovi, historian dhe shkrimtar nga Prishtina
Reagim
___
– Prej vitesh, politika në Kosovë, për qëllime të veta, ka filluar të ngatërrojë qëllimisht fillimin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë nga 12 deri më 17 qershor 1999 me çlirimin jashtë fakteve historike dhe jashtë realiteve politike të kohës të përcaktuara me rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Rasti më eklatant i këtij diskursi shfaqet 11 qershori si “ditë e çlirimit” të Prishtinës, kur dihet se po ketë ditë, në kryeqytetin e Kosovës, hynë forcat ruse dhe masakruan shumë shqiptarë.
___
Me këtë rast po sjell shkrimin “NATO në Kosovë dhe trupat ruse në Prishtinë, më 11 qershor”, nga libri “KOSOVA 1945-1999”, i përfshirë edhe në versionin e librit në anglisht.
___
Më 10 qershor 1999 bota do të presë me interesim të madh dhe lehtësim ngjarjet që do të ndodhin në trekëndëshin Nju Jork – Kumanovë – Bruksel. Zgjidhja paqësore e çështjes së Kosovës shfaqej si pako e ndërlidhur, ku nënshkrimi i marrëveshjes tekniko-ushtarake midis gjeneralëve të NATO-s dhe atyre të Armatës Jugosllave në njërën anë, Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 në tjetrën anë, duhej të ndikonin te Komanda Supreme e NATO-s dhe sekretari gjeneral që të suspendohej fushata ajrore. Gjatë bisedimeve të gjata dhe të mundimshme midis ndërmjetësve ndërkombëtarë (Ahtisaarit, Talbotit dhe Çernomyrdinit) me Millosheviqin ishte arritur pajtimi që Rezoluta e Këshillit të Sigu-rimit të OKB-së të aprovohej çastin që do të merrej lajmi për nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës dhe pas saj vinte edhe reagimi i NATO-s për suspendimin e përkohshëm të fushatës ajrore, në mënyrë që të krijoheshin kushtet për tërheqjen e verifikueshme të të gjitha forcave ushtarake dhe policore jugosllave nga Kosova bashkë me pajisjet dhe armatimet e gjithëmbarshme në një interval kohor prej shtatë ditësh.
Pas shumë e shumë zvarritjeve dhe “sqarimeve” për hollësi, me të cilat matej edhe kredibiliteti i një marrëveshjeje, në mbrëmjen e 9 qershorit, pikërisht në orën 23,45 minuta, në Kumanovë, u nënshkruar marrëveshja midis gjeneralëve të NATO-s dhe gjeneralëve jugosllavë, në mënyrë që pas njëzet minutash, pikë-risht më 10 qershor në orën 0,05 Këshilli i Sigurimit i OKB-së të aprovojë Rezolutën 1244 me të cilën përcaktoheshin që të gjitha hollësitë e vënies së përkohshme të Kosovës nën administrimin e OKB-së, që do të sigurohej nga Forca Ndërkombëtare e Sigurisë, hollësitë e së cilës u përcaktuan me aneksin II të Marrëveshjes së Kumanovës, që do të pranohet si pjesë zyrtare e këtij dokumenti.
Gjysmë ore më vonë edhe Sekretari Gjeneral i NATO-s, Havier Solana, dekretoi vendimin për suspendimin e përkohshëm të fushatës ajrore, por jo edhe të misionit mbikëqyrës që do të verifikonte tërheqjen e forcave jugosllave sipas marrëveshjes së Kumanovës. Me marrëveshjen e Kumanovës, NATO dhe Armata Jugosllave kishin formuar trupën e përbashkët të mbikëqyrjes dhe të verifikimit të të gjithë operacionit, që si do të shihet, do të funksionojë në tërësi në përputhje me këtë marrëveshje as pa më të voglin incident.
Ngritjen e dollive për marrëveshjen paqësore të zgjidhjes së krizës së Kosovës, që do të bëhet nga të gjitha anët, me të shpejtë do ta zbehë dhe madje edhe do ta ndalojë lajmi që do të vijë nga kompanitë e mëdha televizive botërore BBC, CNN, N-tv, Euronews dhe të tjera, me të cilin bëhej me dije se një batalion rus nga njësiti i misionit SFOR në Bosnjë dhe Hercegovinë sapo kishte kaluar urën e Drinës te Bjelina, ishte drejtuar për në Kosovë pa dijeninë e NATO-s dhe të faktorit ndërkombëtar që merrej me çështjen e Kosovës. Madje, njësia ruse, nuk kishte marrë as lejen paraprake nga komanda e SFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë (për çdo lëvizje i duhej njoftimi katër muaj më herët), pos që kishte njoftuar se “në Kosovë shkonte me urdhrin e ministrit të mbrojtjes, Sergejev, që t’u bashkohej Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë”.
Duket se lajmi do të ketë befasuar edhe kreun e NATO-s dhe vetë gjeneralin Klark, i cili do të njoftohet rreth lëvizjes së trupave ruse në drejtim të Kosovës, ani pse ai pranon se gjatë bisedave të fundit që i dërguari i tij në Moskë, gjenerali Foglesong, kishte pasur me gjeneral-kolonelin Ivashov, insistimet e tij që Rusët të kishin një sektor të veçantë nën mbikëqyrje – dhe madje atë të Veriut – ia ki-shin bërë të ditur orekset e tyre, por nga informatat që kishte nga ushtarakët amerikanë dhe ata të NATO-s që bisedonin me Rusët, nuk kishte fituar përshtypjen se këtë kërkesë, e cila kundërshtohej nga Amerikanët, ata do të fillonin ta jetësonin në mënyrë të njëanshme, pra dhunshëm. Kështu, çështja me të shpejtë do të alarmohet nga pikëpamja ushtarake po edhe ajo politike, njëherësh. Gjenerali Klark do të kontaktojë me gjeneralin Xhekson, komandantin e Komandës Europiane të Aleancës të Korpusit për Reagime të Shpejta, nga i cili do të kërkojë të merren të gjitha masat që Rusët të pengoheshin të hynin në Kosovë. Sipas tij nuk mund të merrej me mend që Rusët të okuponin aeroportin e Prishtinës. Gjenerlit Xhekson do t’i thotë se ”dëshiroj të sigurohem që KFOR-i atje të arrijë i pari. Nuk dëshiroj të përshëndetem nga një batalion rus, i cili pohon se dominon aeroportin, e pastaj të jemi të detyruar të zhvillojmë negociata me ta për shfrytëzimin e tij”.
Ato që gjenerali Ivashov, po atë mbrëmje, me mjaft arrogancë, i kishte deklaruar “se Rusia kishte vendosur të hipë në trenin e vet”, bënin me dije se Rusia, me anën e ushtarëve rusë që shkonin në Kosovë, kishte filluar të luftojë për sektorin e vet në Veri dhe jo vetëm për aq. Madje, ai kishte deklaruar se Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 nuk përcaktonte sektorë dhe as mandat se kush ishte përgjegjës për to, kështu që Rusia ia jepte të drejtën vetes, që nëse NATO dërgon në Kosovë 50 mijë ushtarë, atje të dërgojë një kontingjent prej 10 mijë ushtarësh.
Rreth qëllimeve ruse që në Kosovë të shkohet brenda gjashtë orësh, pra para NATO-s dhe atje të vendoseshin në sektorin e Veriut, gjenerali Klark njoftohet pas pak nga një thirrje telefonike e gjeneralit Georg Caseyt nga Moska, ku ai ’ia bënte me dije përmbajtjen e bisedës që kishte pasur para një ore me zëvendësministrin e jashtëm rus, Andrejev, i cili ia kishte konfirmuar fjalët e gjeneralit Ivashov se “rusët në Kosovë do të marrin sektorin që donë”.
Lajmet që do të vijnë nga Moska, për NATO-n dhe Perëndimin që përcillte me brengosje ato që po ndodhnin, do të jenë kundërthënëse dhe kjo do të pasqyrojë atë që më vonë do të sqarohet si përpjekje për realizimin e skenarit të fshehur të ushtarakëve rusë me Millosheviqin për ta ndarë Kosovën, plan ky që sipas të gjitha gjasave kishte funksionuar jashtë dijenisë së Jelcinit, edhe pse do të ketë të tillë që do të besojnë se ai kishte qenë i njoftuar, por ishte shtirur në pritje të përgjigjes që do ta merrte prej amerikanëve. Ato që mund të kuptohen nga gjenerali Klark, nga ndërmjetësuesi amerikan Talbot, gjeneralët e NATO-s, të cilët në Moskë kishin zhvilluar bisedime me gjeneralët rusë si dhe nga Çernomyrdini dhe Ivanovi, mund të kuptohet se ishte linja e ushtarakëve nacionalistë-komunistëve, të cilët nuk ishin nën mbikëqyrjen e qeverisë së Stepashinit, të cilët kryemëvete kishin përgatitur një skenar të fshehur me Millosheviqin dhe ushtarakët e tij që ta ndanin Kosovën në dy pjesë: në veriun serb dhe në jugun shqiptar. Zaten, ky opsion ishte i pranueshëm për Serbët dhe ata që nga koha e Qosiqit e këndej, disa herë Shqiptarëve u kishin dërguar sinjale se ishin të gatshëm të hynin në këtë lojë.
Ndërmjetësuesi Marti Ahtisaari, pas gjithë atyre që kishte pasur rastin të përjetonte gjatë takimeve me Rusët, kishte përshtypjen se gjeneralët rusë ishin destruktivë, dhe se ata punonin nën plaf dhe sipër tij. “Jo rrallë ndodhte që Çernomyrdini dhe Ivanovi, të mos kishin gjuhë të përbashkët me ushtarakët e Sergejevit dhe kjo sillte telashe”, thotë diplomati finlandez, i cili shfaqjen e ushtarëve rusë dhe okupimin e aeroportit të Prishtinës prej orës tre në mbrëmjen e 11 qershorit 1999 do ta shohë si pjesë të skenarit për ndarjen e Kosovës.
“Ushtarakët jugosllavë qëllimisht kishin zvarritur bisedimet e Kumanovës, që të përgatiteshin për të depërtuar rusët në Kosovë para NATO-s. Midis ushtarakëve rusë dhe atyre jugosllavë ekzistonte plani që sapo të nënshkruhet marrëveshja teknike-ushtarake dhe të aprovohet rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ushtarët rus të marshonin drejt Kosovës për ta okupuar veriun në emër të së drejtës që të marrin pjesë në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë. Aeroporti i Prishtinës ishte zgjedhur, jo rastësisht, sepse ai paraqiste nyjën e infrastrukturës dhe të logjistikës ushtarake prej nga trupat ruse duhej të zbarkonin në të dhe njëherësh të pengonin NATO-n që të kishte një aeroport për të zbarkuar nga ajri.
Ato që Ahtisaari do t’i paraqesë si dyshime të hapura rreth skenarit të fshehur rus për okupimin e aeroportit të Prishtinës dhe sektorin rus në Veri, me të cilin do të ndahej Kosova në dy pjesë, gjejnë konfirmim tek vlerësimet e gjeneralit Klark, po edhe te disa burime të tjera, që do t’u referohen zhvillimeve dramatike të atyre ditëve, të cilat, megjithatë, epilogun e kënaqshëm do ta fitojnë në samitin e nivelit më të lartë amerikanorus të 18 qershorit 1999 në Helsinki midis Klintonit dhe Jelcinit, kur që të dy kryetarët do të merren vesh për partneritet rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës në vend të konfrontimit, pa marrë parasysh dallimet midis dy vendeve.
Para se të mbahet ky samit, dhe para se në relacionet Uashington-Moskë të ulen tensionet, të cilat plot dyzet e tetë orë do ta mbajnë botën në një gjendje, të ngjashme me atë të kohës së luftës së ftohtë, vlen të theksohen së pari tensionimet midis vetë strukturës së NATO-s (nga se komanda e saj supreme do të bllokohej nga konsensuset politike-nacionale), pastaj midis Aleancës Veriatlantike dhe Uashingtonit si dhe midis vetë amerikanëve. Gjenerali Klark, si komandant i përgjithshëm i NATO-s do të kërkojë qartësi dhe veprim, që Rusët të parandaloheshin që të hynin në Kosovë, qoftë edhe me anën e konfrontimit ushtarak. Shi për këtë arsyet gjenerali Xhekson, që ishte Komandant i Komandës Europiane të Aleancës të Korpusit për Reagime të Shpejta, kishte kërkuar që Rusëve t’u ndër-pritej rruga me anën e bllokadës ajrore. Kur për këtë kishte marrë njoftimin se nuk mund të operohej me njësitë e helikopterëve, sepse kjo binte në kundërshtim me marrëveshjen ushtarako-teknike të Kumanovës, të nënshkruar një ditë më parë, Klark kishte kërkuar që Rusët të ndaloheshin në hyrje të Kosovës. Por edhe kjo nuk kishte qenë e mundur ngaqë për një operacion të tillë trupave të NATO-s, po ashtu u duheshin mbi dhjetë orë që të depërtonin deri në Veri. Madje, ky depërtim nuk ishte pa probleme, sepse edhe për të duhej njoftuar Jugosllavët, të cilët kishin filluar tërheqjen e forcave të tyre dhe kishin bllokuar të gjitha rrugët nga Ferizajt e Prishtina në drejtim të Podujevës dhe kjo mund t’u shërbente si alibi për të ngadalësuar tërheqjen. Mbetej, pra që NATO të arrinte para Rusëve në aeroportin e Prishtinës dhe aty të bllokonte rrugët. Edhe ky opsion teknikisht nuk mund të realizohej, sepse trupave aleate u duheshin dy orë më shumë kohë që të arrinin para Rusëve atje, gjë që nuk e kishin në dispozicion. Gjenerali Klark kërkoi nga gjenerali Xhekson që eskadrilat e helikopterëve nga Shkupi të fluturonin drejt Prishtinës dhe të zbarkonin njësitë e desantit në aeroportin e Prishtinës, por edhe për këtë Xhekson do t’ia paraqesë mandatin që duhej të vinte nga Këshilli Ushtarak i NATO-s, sepse fjala ishte për një mision jashtë mandatit që kishin. Xhekson po ashtu do të bëjë me dije se ishte në kontakt me ministrin e mbrojtjes të Britanisë dhe për të vlente rekomandimi britanik, gjë që dukej se misioni i NATO-s ndodhej jo vetëm para një krize komanduese, por edhe konceptuale në çastet më kritike kur investimi shtatëdhjetë e gjashtë ditësh i operacioneve ajrore mund të shkonte huq nëse Rusët do t’ia përcaktonin kriteret konceptit të forcës mbrojtëse të sigurisë që duhej të stacionohej në Kosovë në kuadër të misionit ndërkombëtar siç e kishte përcaktuar rezoluta e KS të OKB-së sapo ishte aprovuar.
Këtu do të vijë deri te tonet e ashpra, sepse gjenerali Klark do të hetojë se gjenerali Xhekson, i cili për nga pozita ushtarake dhe komanda duhej t’u nënshtrohej urdhrave të tij, po bishtnonte urdhrat. Madje, një moment Xhekson do t’i thotë:
”Zotëri, unë nuk do ta filloj me urdhrin tuaj Luftën e Tretë Botërore!”
Gjenerali Klark, më vonë do të pranojë se kishte vepruar si ushtarak dhe jo si politikan. Por, ishte pesha e misionit dhe rëndësia që kishte, që e kishte shtyrë të mendonte si ushtarak dhe vlerëson se për këtë kishte të drejtë. Me këtë rast kishte harruar se kjo ishte një çështje që kërkonte zgjidhje politike. Sepse, konfrontimi me rusët, qoftë i një përmase të “eksesit” për momentin do të thoshte më shumë se çështje e prestigjit ushtarak. Andaj, autoriteti i komandës, pa marrë parasysh se çfarë mund të jetë ajo, i nënshtrohej autoritetit politik. Këtë do ta kuptojë gjenerali Klark gjatë atyre dy ditëve tejet të vështira, që ai i quan ndër më tensionueset me të cilat ishte ballafaquar në karrierën e tij të gjeneralit me katër yje. Kjo madje, atij do t’i kushtojë edhe me post, sepse do të jetë Pentagoni, me të cilin kishte pasur shumë telashe pikërisht pse operacionin ushtarak të NATO-s në Kosovë kishte dashur ta zgjidhte me mjete ushtarake, duke e pensionuar tre muaj para kohe.
Gjatë dyzet e tetë orëve të ardhshme, skena politike botërore sikur kishte kaluar nëpër një fazë të ringjalljes të luftës së ftohtë të së kaluarës, të kombinuar me politikën e paqes së ftohtë të së tashmes, që skenarit të fshehur të ushtarakëve rusë për ndarjen e Kosovës i kishte dhënë fund pikërisht me mjetet e saj. Uashingtoni dhe Londra, pra Klinton dhe Bler, menjëherë kishin rënë në kontakt me Jelcinin, siç kishte kontaktuar Ollbrajt me Ivanovin, dhe nga dorë e parë ishin njoftuar se nuk ishte ai që kishte urdhëruar nisjen e ushtarëve rusë për në Kosovës, por ishin ushtarakët, në krye me Ivashovin dhe të tjerët, që kishin vepruar pas shpinës së tij.
Se a ishte kjo qind për qind ashtu, për Klintonin dhe Blerin, nuk kishte rëndësi fare. E rëndësishme pra ishte që të veprohej me gjakftohtësi në mënyrë, që, në njërën anë të ndihmohej Jelcini, që të merrte përsipër punët, po qe se vërtet ishte se “ushtarakët i kishin dalë nga dora” dhe, në tjetrën anë, të neutralizoheshin ushtarakët rusë, po qe se ata përnjëmend Jelcinit i kishin dalë nga dora, në mënyrë që pa iu dhënë rasti për konfrontim me Perëndimin t’i thyenin dhëmbët nga brenda, siç kishte ndodhur para tetë vitesh kur Jelcini kishte fituar luftën me Jazovin dhe puçistët e tij.
Pasi që të jenë marrë vesh edhe hollësitë e tjera të planeve të invadimit ushtarak rus në Kosovë me 10 mijë ushtarë, që tashmë pritnin në Shën Petërbug për të fluturuar për në Prishtinë, Uashingtoni menjëherë do të marrë masat që aeroplanëve rusë t’u ndalohej hapësira e fluturimit. Kështu, Hungaria, Rumunia dhe Bullgaria do ta mbyllin hapësirën ajrore për aeroplanët rusë. Këto tri shtete që tashmë kishin raporte partneriteti me NATO-s, menjëherë do të ndihmojnë me mbylljen e hapësirës ajrore dhe me këtë Rusëve teknikisht u pamundësohej zbarkimi i mijëra ushtarëve në Prishtinë.
Se a e kishin ditur Rusët se do të mund të ballafaqoheshin me këtë bllokadë, edhe kjo lë për të dyshuar?
Gjykuar nga reagimet nervoze të Millosheviqit dhe të ushtarakëve të tij në Beograd në pritje të zbarkimit ajror të mijëra ushtarëve rusë në Prishtinë, mund të thuhet se gjeneralët rusë, jashtë kanaleve zyrtare, mund të kenë marrë miratimin e heshtur për fluturim nga gjeneralët rumunë apo bullgarë, që edhe ka mundur të jetë e maskuar si kërkesë për fluturime civile dhe të ngjashme, por pa garanci se hapësira ajrore e këtyre dy vendeve do të mund të mbetej e hapur po qe se do të pasonte ndërhyrja e kreut politik ndaj atij ushtarak, që atë ta mbyllë, siç do të ndodhë.
Nga ato që do të merren vesh pak më vonë, gjendja megjithatë kishte qenë dramatike dhe me tensionime të larta midis Uashingtonit dhe Moskës, ngaqë dukej se gjeneralët rusë, së paku për disa orë, kishin dalë jashtë mbikëqyrjes së Jelcinit. Ata, edhe përkundër njoftimit nga Hungaria, Rumania dhe Bullgaria se nuk u lejoheshin fluturimet, kishin nisur dy aeroplanë ushtarakë “Antonov” me mbi katërqind ushtarë në drejtim të Kosovës. Nga Shën Petërbugu, për dy orë e gjysmë kishin arritur në hapësirën e Ukraninës, dhe pasi që mbi të do të jenë sjellë edhe një orë, do të zbresin në Soçi të Krimesë. Mbetet e paqartë se ndërprerja e fluturimit të aeroplanëve rusë në drejtim të Kosovës a ishte bërë pse kishin qenë të detyruar këtë ta bënin nga kërcënimi se mbi hapësirën ajrore të Hungarisë, Rumanisë apo të Bullgarisë do të pengoheshin të fluturonin qoftë edhe me dhunë, apo pse më në fund, Jelcini kishte kthyer situatën në duart e veta dhe ushtarakët puçistë ishin bindur se NATO nuk e kishte për mahi, por ndaj tyre do të përdorej forca? Vetë Perëndimi, pra SHBA-të dhe NATO nuk kishin dhënë kurrfarë detajesh rreth asaj pse dhe si aeroplanët rusë kishin kthyer fluturimin, meqë askujt nuk i shkonte për shtati që gjendjen ta tensiononte. E rëndësishme ishte se Uashingtoni dhe Moska kishin kaluar testin e parë të vështirë që nga koha e krizës së Kubës e këndej.
Meqë opsioni i dërgimit të trupave ruse nga ajri ishte parandaluar, ndërsa në rrugë tokësore po ashtu ishte i pamundur, ushtarakëve rusë që kishin depërtuar në Kosovë, gjatë kalimit nëpër Serbi duke u përshëndetur dhe celebruar nga klerikët ortodoksë serbë si shpëtimtarë – dhe po atë natë, pasi që në Prishtinë ishin pritur si çlirimtarë nga mijëra serbë, që do të harbohen fare (do të vrasin disa qytetarë të Prishtinës dhe do të terrorizojnë shumë e shumë të tjerë pa ngurruar që t’ua vejnë zjarrin dhe shumë shtëpive të tyre) – nuk do t’u mbetet tjetër pos që të nesërmen në mëngjes të depërtojnë në aeroportin e Prishtinës dhe atje të shkëputur, të mbyllur dhe të rrethuar nga forcat e NATO-s, të mbesin pa ujë dhe ushqime.
Megjithatë, nisja e Rusëve për Kosovë dhe depërtimi i tyre në Prishtinë mbrëmjen e 11 qershorit 1999 dhe pastaj pozicionimi i tyre në aeroportin e Prishtinës, në Sllatinë në mëngjesin e të nesërmes, nuk kishte qenë vetëm brengë e NATO-s dhe e perëndimorëve, por edhe e Shqiptarëve. Veçmas njësive të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” nga Zona Operative e Llapit, të cilat mbikëqyrnin rrugët nga duhej të kalonin Rusët. Edhe pse po atë ditë Zona Operative e Llapit ishte njoftuar për marshutën e Rusëve, me ç’rast ushtaraku britanik pranë kësaj Zone kishte bërë me dije se UÇK nuk duhej të ndërmerrte kurrfarë veprimesh luftarake meqë kjo ishte çështje e NATO-s, njësitë operative të Zonës së Llapit, të stacionuara në Koliq, pa respektuar urdhrin e oficerit ndërlidhës të NATO-s, kishin zbritur në Prishtinë dhe disa orë para se të hynin trupat ruse, ishin futur në qytetet. Me këtë rast, në një gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake, ishte përcjellë lëvizja e Rusëve për të vepruar nëse ajo do të dilte nga marshuta që kishte NATO, pra arritja në aeroport, duke kaluar nëpër qendër të Prishtinës, e cila kishte dalë jashtë mbikëqyrjes kur trupat ruse ishin futur në Prishtinë dhe atje ishin pritur nga mijëra serbë të entuziazmuar, të cilët kishin kryer disa krime në qendër të Prishtinës, duke vrarë disa shqiptarë, por që pas dy orësh ishin lar-guar në drejtim të Aeroportit, ku edhe kishin arritur para forcave të NATO-s dhe ishin pozicionuar atje. UÇK ishte ndaluar që të reagonte në këtë rast, gjë që kjo nuk do të ndodhë të nesërmen, kur do të ketë një “fërkim” me një njësit të UÇK-së nga zona e Drenicës, i cili me të shpejtë ishte ndërprerë pas ndërhyrjes së gjeneralit Xhekson.
Gjatë atyre tri ditëve kritike, ku do të provohet pafuqia e ushtarakëve rusë që të kërcënojnë botën dhe të diktojnë kushte, siç kishte ndodhur dikur – politika qeveritare ruse nëpërmes Ivanovit dhe zëvendësministrit Andrejev, po edhe në-përmes kryeministrit të papërvojë, Stepashin, i cili ditë më parë nga ana e Jelcinit kishte zëvendësuar nacionalistin Andropov – me të shpejtë do të korrigjojë atë që, si thuhej, kishin dashur ta prishnin ushtarakët e Sergejevit të kryesuar nga gjenerali Ivashov.
Ivanovi nga fillimi i shfaqjes së krizës së ushtarëve rusë do të deklarojë se fjala ishte për “një gabim”, dhe se Rusët nuk do të hyjnë në Kosovë pa marrëveshje me NATO-n dhe para kohe. Madje, ai do t’i telefonojë dy herë sekretares amerikane të shtetit, Ollbrajt, se Rusët nuk kishin kurrfarë qëllimesh të tjera pos atyre që tashmë ishin harmonizuar me Perëndimin rreth Kosovës, ndërkohë që çështja e sektorit rus dhe prania e tyre në mision duhej të rregullohej bashkërisht dhe me marrëveshje. Edhe përkundër këtij premtimi, trupat ruse pas mesnate do të futen në Kosovë dhe do të arrijnë në Prishtinë. Depërtimi i tyre nëpër Serbi dhe hyrja në Kosovë, që do të rikthejë gjakun nëpër rrugët e Prishtinë, shikuar shkëputur dhe jashtë atyre që politika lëvizte nëpër kuluaret e fshehura, sikur paralajmëronte se kriza e Kosovës po ashpërsohej, pikërisht atëherë kur pritej që pas marrëveshjeve dhe Rezolutës së KS të OKB-së, të ndodhte e kundërta. Por, do të shihet se kriza e paraparë dhe e paramenduar nga disa, qoftë edhe për kalkulime të vogla, (lëre më që asaj nuk mund t’i përjashtohen qëllimet siç ishin ato për ndarjen e Kosovës), do të mungojë.
Perëndimi në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kishte udhëhequr me sukses fushatën ajrore kundër forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, do t’ia dalë që me mjaft gjakftohtësi të menaxhojë krizën e parë të Kosovës, pasi që ajo të përmbyllet me marrëveshjet e paqes si dhe të fitojë legjitimitetin në forumin më të lartë botëror. Në Helsinki ministrat e jashtëm e të brendshëm amerikanë dhe rusë, Ollbrajt – Kohen dhe Ivanov – Sergejev, do të nënshkruajnë marrëveshjet rreth modaliteteve të përfshirjes së trupave ruse në misionin ndërkombëtar në Kosovë, e cila nga Uashingtoni dhe Moska zyrtare do të përshëndetet si hap i rëndësishëm drejt rikthimit të mirëbesimit midis dy vendeve, me çka mosmarrëveshjet lidhur me Kosovën dhe krizën e saj liheshin pas.
Marrëveshja amerikano-ruse rreth dizajnimit të strukturës së sigurisë që do të marrë përsipër përgjegjësinë për kohën kalimtare, pra atë të vënies së Kosovës nën protektorat ndërkombëtar, tregon për rëndësinë e problematikës së Kosovës në nivel botëror dhe për rëndësinë e përmasave të çështjes së saj. Kjo, pra, e bën edhe më komplekse luftën e Perëndimit për Kosovën.

Të jetojmë të lirë në pavarësi, pa krijesa artificiale dhe pa Serbi!

0

Florim Zeqa

Në 23 vjetorin e çlirimit

12 Qershori i vitit 1999 e shënon hyrjën e forcave paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë pas 78 ditë bombardimesh ndaj caqeve serbe, e cila kulmoi me çlirimin e Kosovës. Kjo ishte ndërhyrja më e madhe e aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia për të ndaluar krimet, dhunën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.

Hyrja e forcave të NATO-s dhe kthimi biblik i shqiptarëve në trojet stërgjyshore

Hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë, edhe tani pas 23 viteve, mbetët njëra ndër ngjarjet më madhore në historinë e shqiptarëve në përgjithësi, e për shqiptarët e Kosovës në veçanti.

Por, akoma më i madhërishëm ishte kthimi biblik i popullatës në trojet stërgjyshore, edhe pse me shtëpi të djegura dhe më pasuri të plaçkitura nga barbarët serb.

Shqiptarët e Kosovës e mahnitën botën e civilizuar me ngritjen si feniksi, me ndërtimin e shtëpive mbi gërmadhat e shtëpive të bëra pluhur e hi.

Dashuria ndaj atdheut ishte shumfish më e madhe sesa buxhetet e varfëra familjare të shqiptarëve të cilët dhanë gjithçka që patën për lirinë e Kosovës.

Megjithatë, ndihmat humanitare nga shtetet perëndimore ishin të mirëseardhura për një pjesë të popullatës, e cila nuk ishte në gjendje të bëjë ndërtimin dhe as riparimin e shtëpive të djegura dhe rrënuara tërësisht.

Për këtë popullata e Kosovës i është mirënjohëse dhe falenderuese për jetë e mot bashkësisë ndërkombëtare për ndihmën në çlirimin e vendit dhe rindërtimin pas lufte.

Tani e 23 vjet më parë, intervenimi i NATO-s, për më tepër se intervenim ushtarak, ishte kuptuar si mision humanitar për shpëtimin e një popullate krejtësisht të pambrojtur, që i kanosej shfarosja dhe deportimi kolektiv nga trojet e veta.

Edhe 23 vjet më pas, prezenca e NATO-s në Kosovë dhe baza ushtarake BONDSTEEL konsiderohen forca mbrojtëse dhe garantuese të lirisë sonë.

Disa subjekte dhe liderë partiakë kanë filluar të harrojnë luftën, bashkë me këtë edhe  ndihmën e madhe, të pa parë ndonjëherë gjatë historisë sonë shekullore, që na erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota e civilizuar e demokratike në përgjithësi.

Pavarësia e Kosovës, kompromisi më i madh politik i shqiptarëve në fundshekullin e kaluar

Mirëpo, populli i Kosovës nuk e harron asnjëherë luftën e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe ndihmën e ushtrisë së NATO-s, pa të cilën lufta në Kosovë nuk do të ndalej asnjëherë pa çlrimin e plotë të trojeve etnike shqiptare.

Çdo anashkalim dhe nënvlerësim i forcës çlirimtare të një populli, pashmangshëm mund të çojë në një luftë të re të përmasave mbarëkombëtare, në të cilën do të involvohen të gjithë shqiptarët në trojet etnike dhe diasporë.

Shënimi i ditës së çlirimit për secilin popull që ka përjetuar një pushtim të gjatë, është dita më e dashur, kremtja më e madhe dhe data më e paharruar në kujtesën popullore.

Për shqiptarët e Kosovës, 12 qershori i vitit 1999 është dita më e madhe, më e lumtur dhe e paharruar.

Marshimi i ushtrisë se NATO-s dhe ushtarëve të UÇK-së rrugëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës shënoi gëzimin më të papërshkruar me fjalë të qytetarëve, të cilin, në mënyrën më besnike e përshkruan blici i aparatit dhe syri i kamerave televizive.

Ta kthejmë kujtesën në vitet kur u vunë themelet e shtetit të Kosovës

Sot më 12 qershor po bëhen 23 vjet nga hyrja e forcave paqëruajtëse në Kosovë. Në rrethana normale, 23 vjet liri dhe mbi 14 vjet pavarësi për shqiptarët e Kosovës do të ishin tepër shumë, madje do të mjaftonin shumë më pak se kaq vite për ndërtimin, konsolidimin dhe zhvillimin ekonomik të shtetit!

23 vjet nga ndërhyrja e forcave paqeruajtëse, kemi shtet të dizajnuar nga ndërkombëtarët, me flamur pa ndjenja kombëtare dhe himn pa tekst, “mrekulli” që askush nuk e kishte pritur!

Megjithatë, kjo është liria që na solli shtetin, edhe pse ndryshe nga ai që projektuan atdhetarët dhe atë që ëndërruan martirët dhe dëshmorët e kombit.

Njerëzit kanë deshirë ta kujtojnë të kaluarën e tyre.

Mirëpo me kalimin e viteve, kjo e kaluar po e ndryshon trajtën, ku shumë gjëra po zmadhohen, apo u përshtaten rrethanave kohore.

Në çdo përvjetor të çlirimit të shtetit të Kosovës, qytetarët duhet ta kthejnë kujtesën e tyre në vitet e krenarisë kombëtare, të rezistencës së gjatë paqësore të viteve të ’90-ta, përkatësisht: 2 Korrikun, 7 Shtatorin e vitit 1990 dhe Referendumin Popullor për Kosovën shtete sovran dhe të pavarur (26-30 Shtator 1991), ngjarje këto që i vunë themelet e shtetit të Kosovës si dhe ta kujtojmë me pietet të lartë periudhën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Mars 1998-Qershor 1999), për të kujtuar dhe nderuar përgjithmonë gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë sonë.

Ne pasardhësve të tyre, na mbetët ta çojmë në vend amanetin e komandantit legjendar, Adem Jashari, kryeheronjve Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, kolonelëve Ahmet Krasnqi dhe Tahir Zemaj, luftëtarëve të lirisë Luan Haradinaj dhe Adrian Krasniqi, Zahir Pajazitaj dhe mijëra dëshmorëve të lirisë, vargu i të cilëve është i gjatë dhe i pambarim.

Këtë shkrim për 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga Serbia po e përfundoj me një thirrje drejtuar SHBA-ve: T’bekoftë Zoti moj Amerikë, shtrije edhe një herë dorën për Kosovën, çoi në vend fjalët e Rugovës, të UÇK-së dhe dëshmorëve të Kosovës, për të jetuar të lirë e në pavarësi, pa krijesa artificiale dhe pa Serbi, pa Open Ballkan dhe Ballkani!

Kosovë urime 23 vjetori i çlirimit!

Zoti e bekoftë gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës!

Florim Zeqa, 12 Qershor 2022

Kosova me Simbole Shtetërore – Flamur, Stemë dhe Himn 

0

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova me propozimin për simbolet shtetërore të Kosovës doli  në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, deklaronte Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar para gati 20 viteve – në funddhjetorin 2002, për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja/ 

-Para 15 viteve, pikërisht në 11 Qershor 2007, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë kam raportuar lajmin me këtë titull:  Kosovë, miratohen kriteret për simbolet stetërore, kunkursi mund të shpallet nga e mërkura/ 

-Flamuri i Republikës së Kosovës valoi për herë të parë i prezantuar e miratuar në Kuvendin e Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 kur u shpall pavarësia/ 

 -Në 23 vjetorin e Lirisë, në vitin e 14 vjetorit të shpalljes së  Pavarësisë edhe Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës  sot – në 11 Qershor 2022 mbush poashtu 14 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri në 11 Qershor 2008/ 

Shkruan: Behlul JASHARI 

 PRISHTINË,  11 Qershor 2022/ “Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, deklaronte Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga fundi i vitit 2002, pak kohë pas doli me propozimin për simbolet shtetërore të Kosovës, në 90 vjetorin e Pavarësisë  së Shqipërisë. 

Në një intervistë ekskluzive, në prag të Vitit të Ri 2003, që pata zhvilluar atëherë për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha,  pjesë të së cilës ka botuar edhe Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë, një nga pyetjet drejtuar Presidentit Rugova ishte: Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90-vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13-vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet. 

Ndërsa, përgjigja e Presidentit Rugova ishte: “Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual. 

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i ec këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen.  

Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë.” 

Kështu fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që zhvilloja para gati 20 viteve – në funddhjetorin 2002. 

E para 15 viteve, pikërisht në 11 Qershor 2007, për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë kam raportuar lajmin me këtë titull:  Kosovë, miratohen kriteret për simbolet stetërore, kunkursi mund të shpallet nga e mërkura. 

Dhe me këtë tekst: 

Ekipi i Unitetit sot ka miratuar kriteret për simbolet shtetërore të Kosovës dhe që nga e mërkura mund të shpallet konkursi. Këtë e bënë të ditur Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryetari i grupit punues për simbolet, Hajredin Kuçi. Konkursi do të jetë i hapur dhjetë ditë, e pastaj do të bëhet përzgjedhja nga një ekipë vlerësuese e spektrit të gjerë politik e profesional. “Kriteret për simbolet respektojnë  Paketën e Ahtisaarit”, ka thënë Sejdiu, ndërsa Kuçi paralajmëroi se “do të jepet mundësia edhe për nivel ndërkombëtar, por bazamenti i konkursit do të jetë kombëtar”.  U bë e ditur se fillimisht do të bëhen zgjidhjet për flamurin dhe stemën, ndërsa për himnin më vonë meqë është vlerësuar se nevojitet më shumë kohë. Siç merret vesh, mendohet që konkursi për simbolet të ketë tri çmime. 

E në  27 Shtator 2007, po për Agjncinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, korrespondent i së cilës isha  nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, kam raportuar se Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim, pas shqyrtimit të parë, dy projektligje të rëndësishme nga Paketa e Ahtisaarit: Projektligjin për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës dhe  Projektligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës. 

“Projektligji për simbolet shtetërore rregullon mënyrën e përdorimit të Flamurit, Stemës dhe Himnit të Kosovës,  ndërsa sanksionon me dispozita ndëshkuese të gjithë ata që i keqpërdorin. Simbolet shtetërore do të aprovohen në Kuvendin e Kosovës dhe tashmë janë në procedurat e përzgjedhjes Flamuri dhe Stema nga më se 1.000 aplikime në konkursin publik, ndërsa do të shpellet konkursi edhe për Himnin”, theksoja mes tjerash. 

Flamuri i Republikës së Kosovës valoi për herë të parë i prezantuar dhe miratuar në Kuvendin e Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 kur u shpall pavarësia. 

Para 14 viteve, në 3 Mars 2008  – më pak se tre javë pas shpalljes së pavarësisë kisha një bisedë ekskluzive me disanjuesin e simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës, reportazhi që kam shkruar ashtu si është botuar në numrin e jashtëzakonshëm të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të datës 30 Dhjetor 2008, është ky: 


Mbititulli: TRIMI I SIMBOLEVE SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS 
 
Titulli: FLAMURI I SHPALOSUR NË DITËN HISTORIKE TË SHPALLJES SË SHTETIT TË KOSOVËS

Prishtinë, 3 mars 2008 Më 17 Shkurt 2008, në ditën më të madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, Trimi i luftës për lirinë e Kosovës përjetoi “më shumë se gëzimin më të madh në botë”: Për shpalljen e Pavarësisë. Dhe për miratimin e propozimit të tij – Flamurit dhe Stemës së shtetit më të ri në botë – Kosovës.
“Ai gëzim nuk mund të tregohet me fjalë”. Festa e shpalljes së Pavërsisë, e Kosovës dhe e gjithë shqiptarëve, për Muhamer Ibrahimin – Trimin ishte edhe festa e fatit më të madh. “Konkurrenca ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Kanë qenë mbi 1.000 aplikues me më se 5.000 propozime. Sa kam mund të shohë edhe konkurrentë të tjerë kanë pasur elemente të ngjashme për simbolet e shtetit. Po unë e kisha atë fat të madh që e kam fituar konkursin e shpallur nga Ekipi i Unitetit”.

Ibrahim Rugova e Behlul Jashari në 60 vjetorin e gazetes Rilindja, shkurt 2005, duke i dhuruar Pllakatin e jubiletut te Rilindjes

Trimi, disanjues i simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës, sot eksluzivisht ka treguar idetë dhe punën e tij për simbolet shtetërore të Kosovës, që e bënë edhe emër e njeri të historisë. “Flamuri dhe Stema dolën nga shumë ide. Edhe trendet politike të Kosovës më kanë dhënë drejtimiun dhe idenë për të krijuar simbolet e shtetit tonë”.
Trimi më tej thotë se ideja fillestare ishte se shteti i ri, Kosova, duhej ta ketë flamurin e vet, si simbol identiteti, dhe korniza ishin kriteret e Konkursit të shpallur nga Ekipi i Unitetit, bazuar në Paketën Ahtisaari. “Konkursi e ka pasë të trasuar rrugën pak a shumë, ishin kriteret  e bashkësisë ndërkombëtare që duhej repektuar”.
Nga shumë e shumë ide Trimi ka ndarë tri elemente. “Një element i ideve ishte harta e Kosovës që e identifikon në flamur e në stemë shtetin dhe simbolizon integritetin territorial të shtetit. Ngjyra e artë – e verdhë e hartës simbolizon pasuritë e Kosovës, pasuritë nëntokësore e mbitokësore, dhe mbi të gjitha qytetarët e saj, popullin, që me shumicë është rini, e cila e përtërinë dhe rritë. Ngjyra blu paraqet përkatësinë evropiane të vendit dhe popullit, aspiratat e qytetarëve të  Kosovës për integrimet euroatlantike. Gjashtë yjet paraqesin komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe barazinë e tyre, ngjyra e bardhë e yjeve të ardhmen e ndristshem të tyre në këtë vend të lirë e demokratik”.

I pyetur cilat janë gjashtë komunitetet, Trimi thotë: “Janë shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, goranët dhe romët. Ka edhe nënetni të tjera, por këto janë etnitë kryesore”.
Kemi shkruar edhe në Studion e Trimit, ku për më se një muaj ka punuar, ka menduar thellë kreacione për Flamurin dhe Stemën. Në studion e tij Trimi kishe të shpalosur bashkë falmurin kombëtar shqiptar -  shtetëror të Shqipërisë dhe flamurin e shtetit të Kosovës. “Këtu kam punuar ditë e natë. Konkretisht, me mendime, me realizime kam punar më se një muaj. Kam menduar për idetë edhe para se të shpallej konkursi, që paralajmërohej në media. Dhe, pak para mbylljes së konkursit, në momentet e fundit jam përcaktuar përfundimisht për ngjyrat në simbolet e shtetit.”
Trimi tregon për vetën: “Pseudonimin e kam që nga lindja, nga gjyshi, ai më kishte quajtur Trim nga gëzimi se familja u bë edhe me një djal. Gjyshi më ka thirrë gjithmonë Trim. Kështu më thërrasin edhe familja, farefisi, miqtë, shokët, dashamirët, kolegët…Më duket se më njohin më shumë si Trimi sesa si Muhamer Ibrahimi.

Muhamer Ibrahimi-Trimi. Foto: Behlul Jashari, 3mars 2008

Jam i lndur në Prishtinë më 26 prill 1975, këtu jam rritur në lgjen Bregu i Diellit. Edhe jam shkolluar në Prishtinë. Shkollën fillore e kam kryer në ‘Ismail Qemaili’, të mesmen – degën e elektros në ‘Gjin Gazulli’, në Univeristet regjistrova Elektron po  e përfundova Fakluletin e Arteve, që poashtu e kisha regjistruar. Vitin e parë e kreva para lufte, tri vitet e tjera të studimeve pas luftës për çlirimin e vendit. Tani mirrem  aktivisht me disanjin grafik. E kam një studio timen në Prishtinë. Kam marrë pjesë edhe në konkurse të tjera, i kam disa shpërblime të fituara, si për logo, pulla postare, për disanje tjera. Në luftën e UÇK-së kam qenë në Zonën e Pashtrikut. Më parë isha në Shqipëri për trajnim”.
I pyetur si e ka menduar Kosovën e të ardhmes në kohën e luftës, Trimi thotë: “Kemi pasur një ideal dhe një vizion të qartë, gjithë rinia, gjithë luftëtarët e lirisë, gjithë populli. Prandaj, ishte lufta për një Kosovë të lirë, të çliruar nga okupimi serb. Për Kosovën vend i lirë, i pavarur, demokratik, si të gjitha shtetet e Evropës”.

Newborn – Kosove. Foto: Behlul Jashari

Trimi tregon se për simbolet e shtetit kishte menduar edhe më herët se në qershorin e vitit të kaluar, kur u shpall konkursi nga Ekipi i Unitetit. “Pas lirisë së Kosovës, pas hyrjes së forcave të NATO-s, kur është folë se Kosova duhet prezantohet gjithësesi me simbole të reja të vetat, që atëherë kam pasë disa ide e mendime për simbolet e Kosovës”.
Konkursi për simbolet shtetërore të Kosovës ishte i hapur 15 ditë dhe u mbyll më 27 qershor 2007.  Ndërkohë, 17 ditë para shpalljes së pavarësisë, më 31 janar 2008 Qeveria në koordinim të plotë me të gjitha partitë politike formoi Grupin për përzgjedhjen e simboleve shtetërore të Kosovës. Nga  më se 5.000 propozime fillimisht u përzgjodhën 1.736. Më 5 shkurt 2008 pesë propozimet finale të Grupit Përzgjedhës u dorëzuan për procedura të mëtejme në Kuvendin e Kosovës, ku Flamuri dhe Stema me autorësi të Trimit u miratuan po në seancën historike të shpalljes së Pavarësisë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur ditë më parë në një takim Muhamer Ibrahimin – Trimin. Duke e uruar për disanjimin e flamurit të Republikës së Kosovës kryeministri tha se “ndihet shumë mirë që shpirti, mendja, sakrifica, ideja, ideali por edhe dora e ish-luftëtarit të lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka prezantuar dhe e ka dizajnuar simbolin e ri të Kosovës, flamurin shtetëror të Kosovës, që do të valojë edhe në OKB edhe në gjithë botën për jetë të jetëve”. 
“Muhameri ka bërë një punë të mrekullueshme në atë konkurrencë të jashtëzakonshme profesionale. Ideal i luftës për liri tash po ngadhënjen edhe në betejën për disanjimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka thënë Thaçi.  

Trimi  me këtë rast i dhuroi  kopjen e parë të disanjuar të flamurit të Republikës së Kosovës kryeministrit Thaçi dhe i uroi atij dhe qeverisë së Kosovës shtetin e ri dhe të pavarur. 

 KOSOVA 14 VJET ME HIMN SHTETËROR, I MIRATUAR NË 11 QERSHOR 2008  

-Himni i Kosovës ka edhe tekstin/ 

Në 23 vjetorin e Lirisë, në vitin e 14 vjetorit të shpalljes së  Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 edhe Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës sot – në 11 Qershor 2022 mbush poashtu 14 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri. 

Propozimi me shifrën “Europa” u miratua pikërisht para 14 viteve në 11 Qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn Shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime.  

Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin.  

Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me shifrën “Europa”. 
Në seancë plenare, deputetët u ngritën më këmbë për të nderuar Himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.
Në prag të 15 Qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me Himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratuar edhe Flamurin e Stemën që në 17 Shkurt, në ditën e shpalljes së Pavarësisë. 

Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe,  nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet tjera të botës: 7 prej Francës, 5 prej Shqipërisë, nga 2 prej Gjermanisë, Suedisë e Sllovenisë,  nga 1 prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Holandës, Rusisë, Zelandës së Re dhe Kroacisë. 

Autori i Himnit, kompozitori Mengjiqi  menjëherë pas miratimit të melodisë ka thënë se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst. 

 “Kur e kam punuar këtë himn tërë kohën kam menduar në tekst dhe me kohë ma merr mendja do  t’u mbetet poetëve që të shkruajnë vargjet për këtë muzikë”, ka thënë autori. 

“Himni është një vepër solemne dhe ekzekutohet nëpër raste të veçanta,  duhet të jetë muzikë e mburrjes, e krenarisë, muzikë e paqes, dhe këtë ma merr mendja se e kam thënë përmes muzikës”, ka deklaruar Mengjiqi. 

“Himni i Kosovës e ka tekstin”, ka shkruar shtypi kosovar në 6 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë duke bërë të ditur se në fakt kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, ajo shoqërohej edhe me vargje. 

“Për shkak të limiteve të vendosura nga Pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të heq tekstin”, shkruante shtypi, duke shtuar se “tashmë që kjo pako i takon së kaluarës, ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës të mësojnë edhe tekstin e bukur që i kushtohet dashurisë për mëmëdheun”. 

HIMNI I KOSOVËS 

 O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë 

Çerdhe e dashurisë 

N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë 

Vend i të parëve tonë 

  

Ti qofsh bekue për jetë e mot 

O nënë e jonë 

Ne të dalim zot 

O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë 

Çerdhe e dashurisë 

Kosova para 14 vitesh u bë me Himn Shtetëror edhe në prag të Ditës së Lirisë - 12 Qershorit, ditës kur në vitin 1999 nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Në 2022-tën e  23 vjetorit të Lirisë e të 14 vjetorit të  Himnit Shtetëror, Kosova me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 është e njohur deri tani nga 117 shtete të botës – anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

AMBASADORI AMERIKAN HOVENIER: KOMPOZITORI MENGJIQI PËRDORI TALENTIN E TIJ MUZIKOR PËR T’I DHËNË ZË PAVARËSISË DHE SOVRANITETIT TË KOSOVËS 

Në këtë muaj Qershor 2022, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë,  Jeffrey Hovenier ka pritur në takim kompozitorin Mendi Mengjiqin. Pas takimit ambasadori ka shkruar: 

Kënaqësi të shoh Mendi Mengjiqin, kompozitorin e njohur kosovar. Pasi e përdori talentin e tij muzikor për t’i dhënë zë pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, kompozimet e tij të reja, “Symphonic Pain” (Dhembje Simfonike) & “To Breathe Again” (Për të marrë frymë përsëri), sjellin vëmendjen ndaj çështjeve të përbashkëta mjedisore, duke përfshirë ngrohjen globale.
Pata kënaqësinë të ndiqja shfaqjen premierë të “Për të marrë frymë përsëri” kur u interpretua nga Orkestra Filarmonike e Kosovës në Shkurt 2022. 

Kosova përjetësisht mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë të NATO-s

0

PRISHTINË, 11 Qershor 2022/ Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:

Njoftim për media

Të dashur qytetarë të vendit,

Të nderuar miq ndërkombëtarë,

Me rastin e 12 Qershorit- Ditës së Paqes, respektivisht 23 vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, Ministria e Mbrojtjes në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në bashkëpunim me institucionet tjera të Republikës së Kosovës, në cilësi të organizatorit, ju njoftojmë me agjendën e aktiviteteve të planifikuara, si në vijim:

11 Qershor

20:00 – Koncert muzikor i organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;

12 Qershor – Dita e Paqes

08:30 – Homazhe nga krerët shtetëror te varri i Presidentit Ibrahim Rugova;

08:40 – Homazhe nga krerët shtetëror te varri i Veprimtarit Adem Demaçi;

09:30 – Homazhe nga krerët shtetëror në Prekaz te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari;

10:30 – Nderim i krerëve shtetëror te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë;

11:20 – Performancë e Orkestrës Frymore të FSK-së dhe Togut Ceremonial të FSK-së – nga Sheshi “Skënderbeu” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”;

12:00 – Manifestimi Qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, nën patronatin e Presidencës së Republikës së Kosovës.

Përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë të NATO-s!

Ejani të gjithë të përkujtojmë, nderojmë, evokojmë e festojmë së bashku!

 

Varësia e Edi Ramës nga politika e Serbisë

0
Afrim Caka, Gjakovë
Kjo krenari ia davariti vetëdijen e varësisë dhe e çoi në mohimin e plotë të shqiptarëve të Dardanisë. Por Rama kishte një “krenari” kryeneçe për tradhëtinë e tij dhe një antipasti të fortë antidardane për të qenë nën tutelën e Vuçiçit… Por krimi antishqiptar dhe faji i tyre politik nuk mbaron me kaq. Kësaj rruge ku është duke shkelur Rama, kësaj do t’i shkojë deri në fund jo sepse nuk dinë tjetër, jo sepse nuk ka zgjidhje tjetër, por sepse nuk deshiron tjetër rrugë.
Pse sillet kështu, i biri i Kristaqit? Sepse kombi Dardanë është pengesa e tij kryesore. Rama e Vuçiçi duan të thonë se shqiptaret e Dardanisë janë ardhacakë në këto troje, por që bën gjithçka për sllav e grek dhe asgjë për vetë shqiptarët e Shqipërisë, Dardanisë, Çamërisë, Preshevës, Iliridës. Shteti shqiptar është një shtet që bën çdo gjë për të eliminuar, zbutur, shuar e zhdukur ço gjurmë të shqiptarëve në Dardani etj. Promovohen e mbështetën ardhacakët e të gjitha llojeve dhe nuk mbeshteten shqiptarët. Demokracia është kthyer në armën e banditëve, të tradhtarëve, gjak prishurve dhe të hajnave për të legjitimuar sundimin e tyre.
Këtë gjë nuk duhet lejuar që të kaloj një kohë e gjatë për t’i penguar të gjithë renegatët, mercenarët shqipfolës, qoftë duke çrrënjosur nga mendja e Ramës të gjitha mendimet e këqia antidardane që i ka në kokë i biri Kristaqit; qoftë duke ia bërë me dije që të heqë dorë nga miqësia ose vëllazëria me kriminelët serb e grek: qoftë duke e shpallur përsonë i pa dëshiruar në Dardani. Kjo është rruga e ndërtimit të kombit shqiptar, e shtetit dhe e njeriut shqiptar.
Dhe më në fund, meqenëse para se të fillojmë ndërtimin e shtetit ku banojmë nuk mjafton vetëm ta rrënojmë të vjetrën, të furnizohemi me intelektual, atdhetar, nacionalistë dhe të sjellim arkitektë të shtet–kombit normal, ose ta ushtrojmë vetveten në punë arkitekturore, po përveç kësaj duhet të kemi bërë kujdes ndajë tradhtarëve të kombit, duhet të kemi një tjetër politik ku mundë të vendosim rahatshëm në shtetin tonë ligjor.
Shqipëria duhet me kenë shteti i shqiptarëve dhe jo maskarenjve, i të huajve, i Vuçiçëve, Daçiqëve dhe i tradhtarëve që ne i kemi kaq të shumtë dhe që shiten për dy lekë e për një mirënjohje të të huajve nga Serbia e Greqia. Prandaj, vetëdijësimi, organizimi dhe vëllazërimi janë e vetmja rrugë që ne kemi si komb. Ajo thënia e të parëve se bashkimi bën fuqinë dhe se po deshëm të jemi një komb normal duhet të jemi “një për të gjithë e të gjithë për një” vlen më shumë se kurdoherë tjetër sot.
Dhe sot më shumë se kurrë duhet të drejtohemi nga interesi kombëtar shqiptar, si komb, në ndërtimin e shtetit shqiptar, qoftë edhe si vetëm një projekt i pjesshëm politik por i domosdoshëm për të arritur atë që dëshirojmë: largimin e Ramës nga pushteti, bashkimin, pavarësimin e vetqeverisjen e të gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar ashtu si e dëshiruan rilindasit tanë të mëdheje që na kanë treguar rrugën e ne nuk e kemi ndjekur dhe që është e vetmja zgjidhje që kemi për të mirën tonë, të brezave që vijnë dhe të kombit tonë të lashtë e të marrur nëpër këmbë nga tardhëtarët e kombit shqiptar.

Kryeministri Kurti mori pjesë në Konferencën “Paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor”

0

Prishtinë, 11 qershor 2022

​Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në sesionin e parë të Konferencës së Lidershipit të Ballkanit, me temë “Paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Federata Universale për Paqe.

Kryeministri Kurti teksa ka përshëndetur dhe ka falënderuar organizatorët për organizimin e konferencës ka theksuar se Dita e Paqes në Kosovë përkon me Ditën e Çlirimit, preludin e paqes për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe me Lidhjen historike të Prizrenit.

Ai ka rikujtuar vlerat pajtuese dhe përpjekjet paqësore të shqiptarëve për liri e paqe të qëndrueshme, të cilat u sfiduan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, e që dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare, të cilën, siç ka thënë kryeministri, duhet kurrë të mos e harrojmë, por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkimfalja e pranimi në mënyrë që të arrihet pajtimi.

Kryeministri ka thënë që Kosova është shembull i mirë për të gjithë të tjerët, se demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik shkojnë bashkë. Gjersa ka përmendur të arriturat dhe zhvillimin ekonomik gjatë një vit qeverisje, ai ka theksuar se ato janë dëshmi se ata që besojnë se zhvillimi ekonomik e ka më shumë për qef autokracinë e kanë gabim. Demokracia nënkupton të drejtat e njeriut, të drejtat civile dhe gjithashtu e ndihmon dhe ndihmohet prej zhvillimit ekonomik, ka potencuar ai.

Kryeministri ka thënë se njerëzit tanë janë të etur dhe të dëshiruar për siguri dhe zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës. Por koha që po jetojmë dhe konteksti gjeopolitik e gjeoekonomik e gjeostrategjik rreth nesh dhe drejt nesh, sipas tij, duket se nuk janë aq mirë e premtues për një paqe të vërtetë, të drejtë dhe të qëndrueshme.

Mik i mirë i paqes është jo ai që qëndron indiferent ndaj atavizmave të ndryshëm, të shovinizmave luftënxitës dhe u bën  atyre lëshime të pajustifikueshme dhe kontraproduktive, por ai që angazhohet për parandalimin e konflikteve të reja dhe evitimin e regjenerimit  të konflikteve të vjetra, ka thënë kryeministri.

Në fund të fjalës, ai ka uruar për paqe kudo në botë dhe ka shprehur solidarizimin me kauzën e drejtë të të gjithë popujve që përballen me luftëra, ndarje, copëzime, poshtërime dhe robëri. Fitorja e tyre është fitore për njerëzimin, ka thënë kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar drejtues i Federatës Universale për Paqe për Evropë dhe Lindjen e Mesme, z. Katsumi Otsuka,

E nderuara zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,

E nderuara zëvendësministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Bërdynaj Maloku,

I nderuar drejtues i Federatës në Kosovë, z. Binak Ulaj,

I nderuar ish president i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu,

E nderuar ish zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë, znj. Senida Mesi,

I nderuar ish president i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu,

I nderuar udhëheqës i Institutit Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë, z. Werner Fazlabend,

I nderuar ish president i Kroacisë, z. Stjepan Mesiq,

E nderuar ish presidente e Serbisë, znj. Natasha Miçiq,

Të nderuar deputetë, ish-ministra e ish-deputetë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për organizimin e kësaj konference të lidershipit paqeruajtës dhe paqendërtues në Kosovë, në fqinjësi dhe gjithandej.

Me praninë tuaj sot këtu ju e nderoni dhe e pasuroni frymën e paqes  dhe idealeve të brezave liridashës dhe paqeruajtës, në Kosovë, në Ballkan dhe gjithandej.

Siç thoshte shumë vite më parë Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, U Thant, “Në një kohë kur lufta dhe dhuna shpesh monopolizojnë ciklet tona të lajmeve, Dita Ndërkombëtare e Paqes është një kujtesë frymëzuese e asaj që mund të krijojmë së bashku. Le t’ia japim një shans”.

Dita e Paqes në Kosovë përkon me Ditën e Çlirimit, preludin e paqes për të gjithë qytetarët e Kosovës, ditë lirie që përkon edhe me Lidhjen historike të Prizrenit, kryengritjes së madhe për liri e paqe të drejtë, të një populli jo shumë të madh, por shumë të rrezikuar.

Për mbi katër shekuj sundim perandorak, shqiptarët ruajtën me heroizëm, me fanatizëm dhe me sakrifica të shumta flakën e lirisë dhe kodin civil të traditës së lashtë kombëtare dhe normave të së drejtës zakonore, të vlerave të Rilindjes kombëtare dhe evropiane, norma me vlera të rralla edhe sot në kohën tonë moderne.Brezat rinorë të gjeneratave të ndryshme u referoheshim porosive pajtuese të rilindasve tanë dhe cilësimit të shtëpisë së shqiptarit si “të zotit të shtëpisë dhe të mikut”.  Miku, cilido qoftë ai trajtohej si pjesë e familjes, posaçërisht i mbrojtur dhe i siguruar.

Por posaçërisht, këto vlera mishëroheshin me përvojën e frymëzuesit dhe prijatarit të Lëvizjes sonë çlirimtare, ambasadorit për paqe dhe laureatit të Çmimit Saharov për Paqe, Adem Demaçi, i cili thoshte: “Do miq të mirë, bëhu mik i mirë. Çka bëjnë shovinistët zullumçarë, nuk bën të bëjnë idealistët çlirimtarë”.

Sivjet u shënua edhe përvjetori i tridhjetë i Lëvizjes së madhe të pajtimit. Një lëvizje paqësore dhe paqësuese, organizuar nga veprimtarët atdhetarë, progresistë dhe kleri i bashkuar fetar. Një lëvizje që, si kundërvënie politikës shoviniste “përçaj e sundo”, në tubime masovike, pajtuan qindra e qindra familje të armiqësuara.

Të tilla, po ashtu pajtuese, ishin edhe thirrjet e Lëvizjes së padhunshme gjithpopullore e çlirimtare, drejtuar edhe pjesëtarëve të kombësisë serbe. Gjithçka do të kishte rrjedhë tjetër sikur kreu politik dhe ushtarako policor i Beogradit, të mos impononte politikën agresive e gjenocidale ndaj shqiptarëve.

Për pasojë ndodhi krimi i vazhdueshëm i Serbisë, që dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare, të cilën duhet kurrë të mos e harrojmë, por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkimfalja e pranimi në mënyrë që të arrihet pajtimi.

Ëndrrat më të mira për paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe të pacenueshme shihen atje ku janë përjetuar ankthet dhe makthet e paharrueshme të luftës.

Njerëzit tanë janë të etur dhe të dëshiruar për siguri dhe zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës. Por koha që po jetojmë dhe konteksti gjeopolitik e gjeoekonomik e gjeostrategjik rreth nesh dhe drejt nesh, duket se nuk janë aq mirë e premtues për një paqe të vërtetë, të drejtë dhe të qëndrueshme.

Paqen e brishtë aktuale dhe paqen e qëndrueshme perspektive e rrezikojnë edhe sot, tendencat për konflikt të ngrirë, tendencat për bllokim të gjithanshëm të proceseve të normalizmit, zhvillimit, demokratizimit, afrimit, bashkëpunimit  e integrimit, si brenda secilit vend ashtu edhe në dimensione euroatlantike e globale. E gjithë kjo në pritje të rastit për ndërmarrje revanshiste e prapakthyese.

Kosova është shembull i mirë për të gjithë të tjerët që ekonomia dhe demokracia shkojnë bashkë. Pas ndryshimeve të mëdha demokratike në zgjedhjet plebishitare të shkurtit të kaluar, kemi shënuar arritje dyfishore ekonomike, për herë të parë në Kosovën e pasluftës. Janë shtuar investimet e huaja për 22 për qind, janë shtuar të hyrat tatimore për 34 për qind dhe janë shtuar eksportet për 83 për qind. Demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik shkojnë bashkë. Dhe kjo është dëshmi se ata që besojnë se zhvillimi ekonomik e ka më shumë për qef autokracinë e kanë gabim. Demokracia nënkupton të drejtat e njeriut, të drejtat civile dhe gjithashtu e ndihmon dhe ndihmohet prej zhvillimit ekonomik.

Mik i mirë i paqes është jo ai që qëndron indiferent ndaj atavizmave të ndryshëm, të shovinizmave luftënxitës dhe u bën atyre lëshime të pajustifikueshme dhe kontraproduktive, por ai që angazhohet për parandalimin e konflikteve të reja dhe evitimin e regjenerimit të konflikteve të vjetra.

Federata për Paqe Universale dhe ambasadorët e saj të paqes, me vizionin largpamës të inspiruesit dhe themeluesit të saj Reverend Mun, kanë luajtur dhe vazhdojnë të kenë një rol tejet të rëndësishëm në fushën e zgjidhjes së konflikteve, paqendërtimit dhe paqeruajtjes.

Konferenca e sotme, me të drejtë, ka fokusuar vëmendjen te konteksti i invazionit dhe agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus në Ukrainë, te trajtimi i ndikimit dhe pasojat e mundshme të konfliktit në paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, shtjellimin e çështjeve shqetësuese dhe kërkimin e zgjidhjeve në këtë kohë kritike.

Siç thoshte, ideatori i Evropës së bashkuar, Shuman, ‘Paqja në botë nuk mund të mbrohet pa përpjekje kreative në proporcion me rreziqet që e kërcënojnë atë. Kontributi që një Evropë e organizuar dhe aktive mund të sjellë për qytetërimin është i domosdoshëm për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore. Evropa nuk do të krijohet menjëherë ose sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet me anë të rritjeve e arritjeve konkrete të cilat në radhë të parë do të krijojnë një solidaritet de facto’.

Urojmë për paqe kudo në botë dhe angazhohemi dhe solidarizohemi me kauzën e drejtë të të gjithë popujve që përballen me luftëra, ndarje, copëzime, poshtërime dhe robëri. Fitorja e tyre është fitore për njerëzimin.

Ju falemnderit.

Në Prizren festohet 144 vjetori i Lidhjes Shqiptare, së bashku kryetarët e bashkive e komunave të trojeve etnike

2

-Presidenti historik Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë. Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore. Në 10 Qershor të vitit 1878 në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet/ 
 -Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë janë shënuar tradicionalisht në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit. Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren/

Nga Behlul JASHARI

PRIZREN, 10 Qershor 2022/ Në kryeqytetin e Lidhjes Shqiptare në Prizren sot festuan së bashku kryetarët e bashkive e komunave të trojeve etnike shqiptare.
Komuna e Prizrenit njofton e uron:
“Festat e Qershorit filluan sot me kremtën e 144 vjetorit te Lidhjes së Prizrenit.
Kryetari Shaqir Totaj dhe Kryetarët e Komunave dhe të Bashkive Shqiptare, shënuan këtë ditë të madhe dhe u zotuan ta vazhdojnë këtë traditë të të parëve tanë, sidomos në këtë kohë kur shqiptarët janë faktorë te rëndësishëm dhe faktorë stabiliteti në rajon.
Urime të gjithëve përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!”

Kremtimi i 144 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është  në axhendën treditëshe të aktiviteteve të 10 Qershorit 2022 të Komunës së Prizrent, qytetit më të madh jugor të Kosovës afër kufirit me Shqipërinë, ku edhe vendosen lule në monumentin e Lidhjes së Prizrenit e do ketë edhe koncerte festive e manifestime tjera edhe për 23 vjetorin e lirisë.
Shtatoret e tre liderëve historikë Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit dhe Ymer Prizrenit në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë përuruar në 25 Nëntor 2018, në vitin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuadër  të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në një veprimtari ku kanë marrë pjesë drejtues të lartë institucionalë e politikë të Shqipërisë e të Kosovës.
Në 23 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.


Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.
Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa isha në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja, bashkë me fotoreporterin Ilaz Bylykbashi e shoferin Faik Binça,  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmin e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

Edhe në atë ballafaqim me forcat okupator serbe arritëm të shpëtojmë fotot që kishim fshehur dhe u botuan me raportin duke nisur nga faqja e parë me legjendën “Vizitorë të shumtë dhe orë historike, dje në Komplksin Memorial të Lidhjes së Prizrenit”. Raporti që e shkruaja i botuar në numrin e 11 Qershorit 1997 në gazetën e rezistencës “Bujku”  në ballinë kishte mbititullin “Në Kosovë u shënua 119-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, titullin “Program kombëtar edhe për sot e të ardhmen” dhe nëntitujt “Në Prizren dje u mbajt akademia solemne në temën: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, roli i saj dhe porosia politiko-kombëtare.-Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e vizituan mijëra shqiptarë nga gjithë Kosova e trojet e tjera etnike”.


Një nga mestitujt ishte “Mesazhet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit aktuale deri në bashkimin kombëtar”. Në raportin që vijonte edhe në faqen e dytë të gazetës theksohej edhe: “Derisa ktheheshin nga Prizreni, në të dalë të qytetit, policia ndaloi rreth gjysëm ore, bastisi e i pyeti për qëllimin shkuarjes në Prizren edhe ekipin e reporterëve të “Rilindjes” – “Bujkut”, që po ktheheshin në Prishtinë, (Behlul Jasharin, Iljaz Bylykbashin dhe Faik Binçen)”.


LAJMI I ASAJ KOHE PER NDALIMIN NË 10 QERSHOR 1997 – nga Buletini i Ministrisë së Informateve të Republikës së Kosovës Nr. 304, 16 Qershor 1997:

https://groups.google.com/forum/#!topic/bit.listserv.albanian/QgXzizjYqD0
Police harasses ‘Bujku’ reporters
Prizren, 11 June – Yesterday Serbian police stopped a team of ‘Bujku’
journalists on their return from Prizren. Behluh Jashari, Ilaz
Bylykbashi and Faik Binca, were interrogated regarding their visit to
Prizren. Film had been taken of the camera and destroyed.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.
“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë”, shprehej Rugova para 19 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.
“Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet”, shprehej Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit Rugova, i cili ditën e parë njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.
“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova.

Në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal të asambleve komunale, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora. Ishte i pranishëm në këtë solemnitet edhe Naltmadhnia e Tij trashëgimtari i Fronit Shqiptar Leka Zogu I me bashkëshorten.


“Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e gazetës së vetme shqipe në Kosovë Rilindja nga regjimi okupues serb.

Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja, vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…
Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.
Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.


Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 14 vite nga 17 Shkurti historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës.

Presidentja Osmani në Samitin e SEECP-së: Qasja e Kosovës në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës është në interes të qytetarëve pa dallim 

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në  Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore ka folur për rolin e Republikës së Kosovës në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon, rëndësinë e bashkëpunimit bazuar në parimin e barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit. 
 
Në fjalimin e saj gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Presidentja Osmani ka nënvizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave që kanë fuqizuar cilësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit. 
 
Më pas Presidentja është ndalur edhe te agresioni ilegal dhe lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës dhe ka theksuar se e drejta e kombeve për të ekzistuar dhe për të qenë sovran ndodhet nën kërcënim. 

 
“Përballë agresionit të Putinit kundër Ukrainës, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i hapim dyert çfarëdo ndikimi keqdashës në rajonin tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke nënvizuar se shtetet e rajonit duhet të kenë qëndrim unik në ndalimin e tendencave të Rusisë për destabilizimin e rajonit dhe në miratimin e sanksioneve kundër Rusisë. 
 
Më tej, Presidentja Osmani para krerëve të shteteve pjesëmarrëse ka përsëritur domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. 
 
“Qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, të gjitha përkatësive etnike, fetare apo të tjera. T’i thuash jo anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, është t’i thuash jo të drejtave të njeriut për qytetarët tanë”, ka thënë Presidentja Osmani. Në këtë kuadër, ajo ka përmendur përjashtimin e padrejtë të Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave. 

 
“Disa nga mendjet tona më të ndritura, nga studentët e deri te doktorantët,  studiuesit apo gazetarët hulumtues, humbasin ditën e tyre të orientimit, ditën e diplomimit, mbrojtjen e doktoratës ose një ngjarje me rëndësi profesionale për shkak të mungesës së vizës, për shkak të ngarkesës së ambasadave ose për shkak të mungesës së mundësisë për të rezervuar termin për aplikim për vizë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi për popullin e Kosovës dhe duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që urgjentisht të liberalizojë vizat për vendin tonë. 

 
Në darkën e përbashkët me kancelarin Scholz, Presidentja Osmani e falënderoi Kancelarin për mbështetjen e madhe të Gjermanisë si dhe qëndrimet e qarta të qeverisë së tij për të ardhmen euro-atlantike të vendit tonë. Në anën tjetër, kancelari Scholz potencoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe fuqizimin e Procesit të Berlinit. 

 
Gjatë Samitit të vendeve të Evropës Juglindore, Presidentja Osmani ka realizuar takime me presidentin e Sllovenisë Borut Pahor dhe kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenković. Presidentja Osmani ka falënderuar Slloveninë dhe Kroacinë për mbështetjen e dhënë për integrimin euro-atlantik të Kosovës, ndërkaq ka diskutuar për përkrahjen e këtyre shteteve në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s. 



Përgjatë samitit, Presidentja Osmani po ashtu bashkëbisedoi me kryetarin e Këshillit të BE-së Charles Michel, kryesuesin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Šefik Džaferović, kryeministrin e Maqedonisë se Veriut Dimitar Kovačevski dhe kryeministren e Moldavisë Natalia Gavrilița. 

 
Në këto takime, Presidentja Osmani theksoi nevojën për përshpejtimin e integrimit të shteteve të rajonit në institucionet euro-atlantike dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.   

Abdixhiku: Të mbyllen kapitujt e së kaluarës në LDK

0
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me ekipin e tij, në takimin me anëtarët e partisë në Bruksel
 
Idriz Zeqiraj
 
     Në kuadrin e aktivitetit partiak në Mërgatë, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, me ekipin e tij, mori pjesë në 32 vjetorin e themelimit të Degës të LDK-së në Beneluks. Ai shoqërohej nga anëtarët e Kryesisë: Anton Quni, Kujtim Shala, Sokol Haliti, Armend Zemaj, Shqipe Mjekiqi, Rrezarta Krasniqi, koordinatori Shkumbin Gashi.
     Për ta pritur ekipin e ri, ekipin e reformave, ekipin e ndryshimit të shumëpritur në LDK, kishin ardhur drejtuesit e Degëve të LDK-së nga Gjermania e Zvicra, përkatësisht, Osman Ferizi dhe Ahmet Kosumi, me bashkëpunëtorët e tyre. Vërtet, takimi me udhëheqjen e re të LDK-së, mesazhi i kryetarit Abdixhiku, me shokë, ishte lëndor, përmbajtësor, ia vlente një ditë dhe një natë rrugëtim, aq sa bëmë ne nga Mynihu.
     Dega e LDK-së në Beneluks, përkatësisht, Belgjikë, Luksenburg, Holandë, me kryetarin simpatik drenicar, Bahtir Kastrati, me Kryesinë e tij, kishte bërë përgaditjet e duhura, për shënimin festiv të 32-vjetorit të themelimit të kësaj Dege, me ç`rast po e nderonin me pjesëmarrje edhe kryetari reformator i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me disa anëtarë të Kryesisë.
     Hapjen e manifestimit e bëri sekretari i Degës vendore, Xhavit Belaj. Ndërsa kryetari Bahtir Kastrati përshëndeti të pranishmit dhe mysafirët. Ai bëri një ekspoze të veprimtarisë së begatë të kësaj Dege, duke kujtuar edhe veprimtarët e shquar: Gani Azemin, Ramiz Zekollin, Isuf Rugovën, Beqir Selmanin, Musa Rugovën, tashmë, të amëshuar.
     Përmes duartrokitjeve dhe ovacioneve të masës pjesëmarrëse, fjalën e mori kryetari Abdixhiku, i cili përshëndeti dhe falenderoi kryetarin Bahtir Kastratin, me kryesinë e Degës, si dhe të pranishmit në sallë. Në mes tjerash, kryetari Abdixhiku tha se ndjehem i lumtur në mesin tuaj, në shtëpinë tonë ideologjike, në shtëpinë tonë politike. Kemi ardhur për ta falenderuar Mërgatën tonë, për kontributin e dhënë në dekada, në kohë paqe si dhe në luftën për çlirim. Trashëgimia është garantë e së ardhmes të Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova themeloi partinë e parë pluraliste, LDK-në, e cila i dha projektet më të mëdhaja për vendin.
     Mërgata është pasuria më e madhe, e cila me kontributet e saja në dekada, dogji etapat zhvillimore në Kosovë, me punën, mundin, djerësen e saj, për ta begatuar Kosovën. Ju ndihmuat Atdheun, popullin e Kosovës, për të mbijetuar, kur pushtuesi shtoi dozën e represionit, largimet masive nga puna; ju përballuat luftën me fondet e juaja, për të siguruar bazën materiale ushtarake, në përballjen me armikun serbo-sllavë, duke qenë në një raport disproporcional me pushtuesin. Ju i dhatë Kosovës bijtë e bijat më të mira, në luftën për çlirim dhe liri.
     Politika e urtë e Presidentit Rugova, me drejtimin moral e faktik të popullit të Kosovës, në rrethana të pushtimit superspecifik, u bë shpresë për ndërhyrjen të NATO-s. Liria e Kosovës mbanë vulën e LDK-së. Ky mision u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Rrjedhimisht, LDK-ja mbanë vulën e pavarësisë të Kosovës.
     Kauzat e LDK-së, janë kauza të shtetit të Kosovës, kauza të shtetndërtimit. LDK-ja është shtëpi e demokracisë, rugovizmi na mbanë në këmbë të sigurta.
     Duke folur për gjendjen politike aktuale, kryetari Abdixhiku tha se projekti ende nuk është i plotë, miqësia me SHBA duhet ruajtur e pacënuar. LDK-ja duhet të jetë prijetare në proceset politike të vendit. Dhe, kjo është domosdoshmëri. Politika jonë nuk guxon të jetë peng e popullizmit. Kosova nuk e ka luksin të akomodohet, pa afrimin me SHBA. Ata që mashtrimin e kanë normë, duhet të kenë besim të plotë në SHBA.
     Ne në Mërgatë nuk duhet të kërkojmë vetëm vota e para. Nga ju kërkojmë:
1) Organizimin e Shkollës shqipe, në mjediset ku jetojnë mërgimtarët tanë;
2) Të krijohen qendra kulturore, për ta ruajtur dhe kultivuar trashëgiminë kombëtare tek fëmijtë shqiptarë;
3) Investimet strategjike të mërgimtarëve, janë pjesë programore e LDK-së.
     Të regjistroheni në platformën programore.
     Ne besojmë në vlerat tona. Mesazhin e 14 shkurtit e kemi marrë të qartë: Plagët e shkuara, duhet t`i shërojmë. Të ftojmë të larguarit, të ftojmë të rinjtë, të bëhen pjesë në rrugëtimin tonë rugovist demokratik. Vazhdimi i reformave është domosdoshmëri. Kosovës i duhet ideja jonë e djathtë ideologjike.
     Hyrja jonë në Evropë e NATO, është misioni ynë, në miqësi të përhershme me SHBA, siç na porosiste Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.
     Zoti e bekoftë LDK-në!
     Zoti e bekoftë Kosovën, – përmbylli fjalën e tij, përmes duartrokitjeve të sërishme, kryetari mbushamendës, Lumir Abdixhiku.
     Dega e LDK-së në Beneluks ndau mirënjohje për 4 (katër ish-veprimtarët, tashmë, të ndarë nga jeta si dhe për disa veprimtarë të shquar të Degës të saj dhe kryetarët të Degëve Gjermani e Zvicer, përkatësisht, Osman Ferizit dhe Ahmet Kosumit.
      Pas dite, kryetari Abdixhiku, së bashku me ekipin e tij, bëri një takim me kuadrot e tri degëve të LDK-së: Beneluksit, Gjermanisë dhe të Zvicrës.
     Pasi bëri një ekspoze për zgjedhjet humbëse të 14 shkurtit dhe ato përmirësuese të 14 tetorit, tha se “që nga 2004, LDK-ja nuk ka pasur ofertë qeverisje. Për të qenë të parë, duhet bërë organizim në parti. Atje ku nuk kemi pasur suksese, do të bëjmë zgjedhje të parakohshme. Konventa programore tregoi se partia është në rritje. Kemi krijuar disa komisione pune, për ta ngritur cilësinë organizative, që do t`i inspektojnë nënkryetari Kujtim Shala dhe anëtarja e Kryesisë Hikmete Bajrami.
     Çdo temë është e hapur. Debati i sinqertë Qendër – Mërgatë duhet të intensifikohet. Procesi i gjatë organizativ në Mërgatë, tashmë, duhet të japë rezultate. Kriza e përbotshme, ka prekur edhe Kosovën. Çmimet janë ngritur. Nuk ka projekte përballuese. Krizat e brendshme janë brengosëse. Mospjesëmarrja në proceset euroatlantike, është shqetësuese. Projekti i Kosovës është projekti i LDK-së. Na kemi dhënë kurajo e vullnet, për procese të mëtejmë.
     Të mbyllën të gjithë kapitujt e së kaluarës, të zemëruarit dhe të hatëruerit, të kthehen në shtëpinë e tyre ideologjike dhe politike, në LDK-në tonë të përbashkët. Duke e mbyllur kaptinën e vjetër dhe duke e hapur kaptinën e re. Të kemi projekte të qarta dhe jo siç bëhet aktualisht nga Kurti me shokë. Ne do të jemi në Mërgatë, sepse Mërgata është pjesë integrale e Atdheut, – premtoi e siguroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me vullnetin e mirë, për të vazhduar reformat, gjithnjë në frymën e rugovizmit, si zgjidhje më ideale.
        Fragmente nga fjala e kryetarëve të degëve Gjermani e Zvicër dhe të anëtarëve të Kryesisë të LDK-së:
     Osman Ferizi – ish-bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, i përgaditur ushtarakisht në Surrel të Tiranës, i cili me grupin e armatosur, hyri në Kosovë, në dhjetor 1991; kryetar aktual i Degës të LDK-së për Gjermani, ndër të tjera, tha se çështja e bashkëpunimit normal të Degës së Gjermanisë me LDK-në në Kosovë, është e vonuar. Formalitetet, fasadat, mospërfilljet, veç tjerash, kanë sjellur 14 shkurtin 2021.
     Kryetari Ferizi bëri një ekspoze të shkurtër të punës të Degës të LDK-së në Gjermani. Një pjesë e Kryesisë, me nostalgjinë për udhëheqjen e kaluar, ka qenë dhe vazhdon të jetë bllok, në moshzbatimin e Statutit të LDK-së. Këtë e kanë manifestuar në moskryerjen e detyrave, mospërfillja ndaj kryetarit dhe të Kryesisë, të zgjedhur me votën e fshehtë demokratike, në Kuvendin e radhës, të vitit 2019, i monitoruar nga LDK – Qendër.
     Besojmë se nga ky debat do të dalim më të fortë. Detyrë parësore është ta zgjerojmë rrethin tonë, ta aktivizojmë anëtarësinë, elektoratin e LDK-së në Mërgatë, në radhë të parë, në Gjermani.
     Ahmet Kosumi – kryetar i Degës të LDK-së, në Zvicër, foli më shkurt, me porosinë se vetëm të bashkuar, mund të ecim të sigurtë, përpara drejt fitorës.
     Por, bashkëpartiaku i Degës së tij, Ismet Mjaku, e plotësoi bollshëm: “Më pëlqen angazhimi i kryetarit Abdixhiku, me ekipin e tij. Ekipi nga Kosova, po më duket i mangët pa Faton Bislimin. Të respektojmë hierarkinë.
     Anton Kolaj – ish-nënkryetar i LDK-së, bashkëpunëtor besnik i Presidentit Rugova, bashkëthemelues i UÇK-së të mirëfilltë, më 28 Nëntor 1991, i dënuar në mungesë, veç tjerash, tha:
     Po ndjehem mirë. Po shoh gadishmërinë e kryetarit Lumir, t`i kthejë mendiet në veprime. Po flasim në rrafshin popullor. Pa një besim reciprok, nuk mund të kemi mirëkuptim të mjaftueshëm. Adresa Institucionale, është parimi ynë. Të krijojmë një kulturë politike, me bazë trashëgiminë rugoviane. Kam votuar Fatmirin, por ka fituar Isa, e kam mbështetë.
     Idriz Zeqiraj – zëdhënës i Degës të LDK-së, në Gjermani, fillimisht, bëri dy pyetje, për kryetarin Abdixhiku dhe ekipin e tij:
1) A do ta krijoni, më në fund,  – Institucionin e Përgjegjësisë -, për LDK-në?
2) Votimin me – Aklamacion -, të hapur, me ngritje dore, a do ta shpallni të paligjshëm, sepse kjo formë e votimit fiktiv, të rrejshëm, ka rrënuar LDK-në, duke e sjellur në 11 %, më 14 shkurt 2021!
     Pastaj vazhdoi: Edhe pse nuk keni qenë pjesë e klanit Mustafa, nuk mund të amnistoheni për heshtjen me tepri! Dhe mos provoni ta mohoni, se LDK-ja qe bërë bisht dhe patericë e PDK-së, PAN-it, sepse e thelloni fajësinë dhe irritoni anëtarësinë, elektoratin.
 
      Pastaj folën  anëtarët e Kryesisë të LDK-së:
     Sokol Haliti – kryetar i suksesshëm i Vitisë, paksa i ashpër me parafolësin Zeqiraj: “Nuk lejohet të sulmohet partia jote!” Ndërkohë, gazetari Zeqiraj, në kritikat e tij, kurrë nuk ka sulmuar LDK-në. Përkundër, e ka mbrojtur, duke kritikuar një klan, brenda Kryesisë të LDK-së, i cili ka marrë vendime fatale për Kosovën. Kujtojmë: Demarkacionin, Asociacionin, zgjedhjen banditeske të Hashimit president, pa përfillur popullin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin e deputetëve, madje as vet Kryesinë e LDK-së!
     Kryetari i përkushtuar Haliti, i di këto mëkate, deri në tradhti, por, reagon nga – zemra e plastë -. Përndryshe, ai është kuadër dhe njeri i mirë. Andaj, i falet edhe lëndimi i të tjerëve.
     Kolonel Anton Quni – hero i gjallë, në dyshën e parë komanduese në Luftën e Kosharës, legjitimuese e UÇK-së, absurditet pse nuk gradohet Gjeneral, super-meritor?! I emocionuar për pritjen, respektin dhe dashurinë e dlirë  njerëzore, që shfaqin mërgimtarët e Brukselit dhe të tjerët nga Gjermania, Zvicra, tha se “ekipi ynë ndjehet sa i privilegjuar, aq edhe me përgjegjësi. Debati i hapur, raportet që bëhen në takime, i dorëzohen kryetarit, për t`i shqyrtuar çështjet.
     Kërkesat janë të mëdha, mundësitë e pakta. 28 grupe punuese, kërkesa të ndryshme. LDK-në e presin ditë më të mëdha. Tema të nivelit strategjik. Problemet primare organizative. Kemi Lidership të ri. Ndarja Fatmiri – Daci; Fatmiri – Isa; Isa – Vjosa, ndarje që kanë sjellur dëmtime. 54 vjeçar i kam besuar kësaj ideje. Presim nga ju si duhet punuar më mirë. Nuk duhet të këtë frustrim  në mesin tonë. Problemin e madh e kemi me Serbinë. Ta krijojmë një besëlidhje.
 
     Armend Zemaj – Kemi një agjend të caktuar nga kryetari. Figurën e re të LDK-së. Keqpërdorim lobimi për parti tjetër, por, duke e përdorur flamurin e rugovizmit. Për rastin mospajtues në Zvicër, individët nuk mund të na pengojnë.
 
     Akademik Kujtim Shala – Takim i rëndësishëm në kuptimin personal. Nuk kemi probleme me pikëpamjet. Për të tjerat merremi vesh. E dimë pse na votojnë apo nuk na votojnë. Por, pse nuk votohemi mjaftueshëm në Bruksel?! Nuk kemi asnjë problem me udhëheqësit e Kosovës. Qysh të organizohemi më lehtë. Në dy palë zgjedhjet e fundit, rezultatin e ka vendosur Mërgata. Lidhje e juaja me ne, duhet të jenë të përhershme. Ju organizohuni edhe me ndihmën e ekipit. Ju thuani mos na privilegjoni. Por na themi se duhet të privilegjoheni.
     Çështja e shtruar për zgjedhje me votim të fshehtë, nga baca Idriz. Në Pejë e zgjodhëm me aklamacion kryetarin Gazmend  Munhaxheri. Por, ai fitoi 65 % të votave nga elektorati. Bashkëpunimi me subjektet tjera është e pashmangshme. Gjysma e partisë u nda. Nuk kemi fuqi për ndarje të reja. Kemi kryeministër që nuk di çka thotë. Sepse qeverinë e drejton PDK-ja. LDK-ja, nëse nuk i fiton zgjedhjet, nuk ka çka lypë në qeveri.
     Kryetar Lumiri bazohet në dy principe:
1) Demokraci, të flasim hapur e drejtë;
2) Institucionalizmin partiak, të debatojmë, pikëpamje të njëjta.
     Në takim folën edhe disa kryetarë të Nëndegëve, në mes tyre, Isa Shabani e Jakup GërguriIlmi Gashi, përkatësisht, nga Hanoveri dhe Esseni.
     Takimet e nismuara nga kryetari reformator, Lumir Abdixhiku, me ekipin e tij, po mirëpritën nga anëtrësia e LDK-së në Mërgatë. Udhëheqja e re, e dalë nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së, është pranuar si risi e nevojshme, pas disa  Kuvendeve farsë e klishe, që shpien LDK-në në humnerë. Kjo udhëheqje po pranohet dhe pëlqehet, gjithnjë e më shumë,  jo vetëm në Kosovë, por edhe në Mërgatë.
     LDK-ja, si parti-lëvizje, paqe dhe luftë-bërëse, shtetformuese dhe shtetndërtuese, është domosdoshmëri vënia e saj në drejtim të shtetit dhe të pushtetit, gjithnjë, në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Sepse partitë-banda të PAN-it, kanë përgjakur popullin e Kosovës, ende pa u shëruar plagët e luftës. E kanë zhvatur Kosovën dhe popullin e saj: me haraç të dhunshëm, deri në përgjakje, me uzurpime, tenderime korruptive, privatizime skandaloze dhe mënyra të tjera të pista e mujëshore!
     Për fund, fillimi i lidershipit të ri të LDK-së, është i mbarë dhe meriton përkrahjen, madje të parezerva, të LDK-së në Mërgatë. “Topi është në fushën tonë”, të aktivizohemi për fitore. Sepse, deri më tani, jemi larg të një organizimi të mirëfilltë e cilësor.
    Nga Kosova, përkatësisht, nga kompleksi hotelier e kreativ, “TROFTA”, me pronar Ismail Bytyçi, erdhi një përshëndetje vëllazërore e biznesore, njëherësh, për shënimin e 32 vjetorit të themelimit të Degës të LDK-së, në Beneluks. Më këtë rast, për të pranishmit, në këtë ngjarje të shënuar, për LDK-në dhe demokracinë, zotëri Bytyçi porositi kryetarin e Degës, Bahtir Kastrati, që në emrin dhe llogarinë e tij, të shtrojë drekë.
     Ismail Bytyçi, Gani Azemi, Ramadan Gashi, Ramiz Zekolli, ma bashkëpunëtorët e tyre mërgimtarë, 32 vjetë më parë, themeluan Degën e LDK-së për Beneluks: Belgjikë-Luksenburg, Holandë. Veprimtaria e tyre e begatë, ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer, duke u pasuar nga vajzat dhe djemtë e tyre krenarë – për prindërit dhe bashkëpunëtorët tjerë. Vlen të përmendet për të mirë, se zotëri Bytyçi, me vëllezër, djemë e nipa, ka justifikuar, plotësisht dhe pozitivisht, veprimtarinë investuese bizmesore, duke mbështetur nisma kulturore e sportive, në nivel komunal e mëtej.
     Tu rritë ndera dhe t`u shtoftë bereqeti, Ismail Bytyçi – miku ynë i nderuar!