Mbrëmë, në një atmosferë të ngrohtë, mes shumë miqve, familjarëve dhe figurave të shquara politike e kombëtare, u bë promovimi i librit tim të ri, “Për Kosovën Republikë”.
Promovimi u mbajt në objektin e “Burgut të Idealit”, Burgut Muze të Prishtinës, aty ku, para 45 vitesh, sikurse shumë të rinj, nxënës, studentë, intelektualë e punëtorë, u bëra “banor” i atij burgu në mes atyre mureve të ftohta e me lagështi.
Edhe pse isha shumë i ri, sapo i kisha mbushur 18 vjeç, ndihesha me fat që isha bërë edhe unë një krah më shumë i asaj armate atdhetarësh, të cilët për dekada të tëra kërkuan lirinë e Kosovës dhe Republikën.

Mbrëmë u ndjeva i përmbushur në këtë manifestim kulturor, ku memoria kolektive zinte një vend të veçantë. Krahas shumë miqve, ish-të burgosurve politikë, deputetëve dhe ministrave, në mesin tonë ishte edhe miku, shoku dhe vëllai im, Lulzim Jashari, prania e të cilit i dha një peshë dhe emocion edhe më të veçantë kësaj mbrëmjeje.

Pas fjalëve tematike dhe moderimit të jashtëzakonshëm të Faton Salihut dhe aktorit Afrim Muçaj, i falënderova përzemërsisht të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, me mirënjohje të veçantë për recensentët Bajram Kosumi, Majlinda Sinani-Lulaj, Rina Shabani, Fatbardhë Kiqina dhe Afrim Berisha, për kontributin e tyre të çmuar në këtë libër.
Për Kosovën Republikë, një ideal që u mbajt gjallë brenda dhe përtej mureve të burgut.



