Kreu Blog Faqe 1318

Kufiri mes dashurisë dhe urrejtjes ndaj shtetit!

0

Florim Zeqa  

Të zgjedhurit e popullit që marrin paga të larta nga shteti dhe nuk e kryejnë punën me nder dhe përkushtim ndaj shtetit dhe qytetarëve, më së paku mund të quhen zyrtar shtetëror, deputet apo ministra, kryetar, kryeministra apo president por duhet t’i quajmë zuzar e mercenar që ushqehen si parazit mbi kurrizin e popullit në emrin e të cilit thirren!

Dashuria dhe urrejtja e një karrieristi (je), e lidhur me pushtetin

Dallimi mes atdhetarëve dhe mercenarëve është i madh dhe dukshëm nga largësia. Përderisa atdhetarët jepin gjithçka për shtetin, mercenarët pseudo-patriotë dhe politikanët karrierist marrin gjithçka pa i dhënë asgjë shtetit.

Kufiri i dashurisë dhe urrejtjes ndaj shtetit i një karrieristi(je) është tek pushteti. Arritja e ambicieve personale për ngritje në karrierë politike e shton “dashurinë” e karrieristit ndaj shtetit, në të kundërtën, dështimi i marrjes së pushtetit nga karrieristi(ja), dashurinë e kthen në urrejtje dhe përbuzje ndaj shtetit dhe qytetarëve!

Thirrjet në filozofi politike të një karrieristi (je) janë vetëm mashtrim për elektoratin, përderisa këta të fundit janë vetëm ushqim ditor për politikanin karrierist, i cili në momentin e realizimit të ëndërrës politike e harron elektoratin dhe servilet e deridjeshëm që i(e) ndihmuan për të ardhur në pushtet!

Gjatë garës zgjedhore për pushtet, valigjet e politikanit(es) karrierist(e) mbeten në gatishmëri në rast të dështimit në zgjedhje për ta braktisur shtetin!

Dallimi mes politikanëve dhe atdhetarëve

Përderisa politika është mjeshtri dhe është art i së mundshmes, patriotizmi është ndjenjë e thellë shpirtërore, është dashuri e pastër ndaj atdheut, e cila nuk ndërlidhet dhe kushtëzohet me asgjë, por mishërohet dhe forcohet në vjimësi përgjatë jetës së njeriut.

Përderisa politikani synon të marrë gjithçka dhe çdo gjë nga shteti, atdhetari shkrihet sikur qiriu, jepë krejt çka ka dhe nuk mjaftohet me aq, e sakrifikon edhe jetën për shtetin dhe interesin e përbashkët!

Përfituesit pa meritë nga shteti janë e kundërta e atdhetarëve, janë mercenarë dhe zuzarë që jetojnë si parazitë mbi kurrizin e të tjerëve.

Të tillë në ditët e sotme ka me bollëk, por e keqja është se të tillët pa bërë asgjë dhe asnjë sakrificë për shtetin, shiten si patriot dhe shpëtimtar të shtetit, ndërsa patriotët dhe veprimtarët e vërtetë injorohen dhe anashkalohen sikur të mos kishin ekzistuar në kohët e vështira për shtetin, siq ishin ato të viteve të ’90-ta në Kosovë kur “pasuli hahej nga një kokërr” siq e thotë populli, kur jeta dhe vdekja bashkëjetonin në trupin e njeriut!

Kjo nuk është brengosëse, sa është brengosëvse heshtja e atdhetarëve dhe veprimtarëve të orëve të para karrshi matrapazëve dhe abuzuesve të Kosovës së pasluftës!

E kuptojë se nuk është e lehtë të thuhet e vërteta në ditët e sotme, por heshtja është vrastare e së ardhmes së shumë gjeneratave, për shkak se e ardhmja e një vendi nuk ndërtohet me gënjeshtra e mashtrime, me maskarada e kamuflim të së vërtetës, por me guxim dhe atdhedashuri.

Parashkrimi i historisë së imagjinuar (trilluar) për ngritje të pamerituar të figurave të caktuara në skenën politike, e ka dëmtuar imazhin e çlirimtarit dhe veteranit të vërtetë të luftës çlirimtare. Me mbisundimin e vlerave nga antivlerat, është mjegulluar e ardhmja e shtetit.

Mbi Zot’sinë të cilën Zoti e delegoi te njeriu, e djalli nuk e pranoi!

0

Ahmet Asani, Zvicër

▪︎ Zoti nuk mund te jetë kunder Krijesave te cilat i ka krijuar vet dhe u ka dhene trup e shpirt, kurse njeriut edhe Frymë! Komponenta e fundit pra Fryma (gjerm. Geist, kroat. Duh) eshte ajo e cila e dallon njeriun nga kafshet, sepse edhe kafshet kanë trup e shpirt, por nuk kanë Frymê – Zot’ si!
▪︎ Me dhenien e Frymes ne fakt Zoti njeriun e bene qenien me te dashur dhe me te afert te tij! Kur Zoti i dha njeriut Zot’ si dhe afroi afer vetes, ishte djalli ai i cili nuk u pajtua dhe nuk ju bind urdherit te Zotit qe ta nderonte Zot’sinë e njeriut!
▪︎ Me kete dua te them se me mire eshte t’i falenderohemi Zotit per delegimin e Zot’ sisê qe e ka bere te njeriu dhe ta perdorim gjithê ate potencial per te pas jetë te mire e te shendetshme, se sa te rrijmë duar kryq dhe vazhdimisht të kerkojmê nga Zoti qe ai t’i kryej edhe punët tona!
▪︎ T’i respektojmê njerezit qe perdorin Zot’sinê që ua dha Zoti, pavaresisht të cilit nacionalitet janë, sepse Zoti i pranon vetem lutjet atyre qe ne maksimum e perdorin Zot’ sinë e deleguar nga Zoti, e jo te atyre qe rrijnë duar-kryq dhe i luten Zotit që t’ua kryej punet të cilat ata vet duhet t’i kryejnê!
▪︎ Sikur gjithê popujve edhe shqiptareve Zoti ua ka dhanë gjitha mundesite te behen Zot te vetvetes, te zhvillohen ekonomikisht, te bejne shkolla e spitale funksionale, por ja që shqiptari i cili shtirret se e do Zotin ne fakt eshte ne anen e djallit! E si mund te jesh ne anen e Zotit, kur ia ke inat dhe e xhelozon te Zotin, kur e lavdron veten dhe krenohesh pa be asgje per t’miren e njerëzimit!?
▪︎ Prandaj te punojmê, te mesojmë te veprojmê secili me mundesite qe kemi, ta duam e t’mos e urrejmë njeri tjetrin, sepse te urresh dike eshte njesoj sikur ta pish helmin vet dhe të presësh se vdes tjetri! Me urrejtje e xhelozi dhe duke e ngrit koken e hundën lartê ne stilin “…kush jam une, apo kush jemi ne” nuk mud ta ndihmosh as vetveten e le ma tjetrin!

Çfarë duhet të ndodhë për të qenë të suksesshën individualisht dhe kombëtarisht?

0
Lirim Gashi, shkrimtar, Prishtinë
Është detyrë e çdo politikani, intelektuali, historiani, poeti, shkrimtari, dijetari, artisti, gazetari, shkencëtari, filozofi, sociologu, kleriku dhe psikologu shqiptar, që ka pikëpamje të avancuara në përputhje me vlerat e dëshmuara njerëzore, kombëtare dhe universale, të punojë pa u lodhur për rishqiptarizimin e shqiptarëve të kërcënuar nga shkombëtarizimi.
Sepse vetëm dashuria, respekti, edukimi dhe ushqimi i rrënjëve pellazge dhe ilire me një ushqim të shëndetshëm mendor e shpirtëror e forcon trungun, i stabilizon degët dhe i shumëfishon frytet e popullit dhe shtetit.
Mirëpo nëse nuk e respektojmë dhe e duam origjinën tonë ashtu siç është, atëherë nuk mund të presim respekt nga askush, ndaj do të konsiderohemi gjithmonë si një racë e ulët që vuan nga mentaliteti i robit, Sindroma e Stokholmit dhe kompleksi i aftësisë së kufizuar.
Një gjë duhet të dinë jo vetëm politikanët në pushtet dhe opozitë, por të gjithë shqiptarët pa dallim:
Pikërisht për shkak se sot vuajmë nga inferioriteti politik, diplomatik, ekonomik, arsimor, kulturor, shkencor dhe ushtarak, superfuqitë aktuale nuk na marrin seriozisht dhe nëse vazhdojmë si më parë, do të vazhdojnë të na konsiderojnë si partnerë joseriozë.
Por një trajtim i tillë do t’i shkojë vazhdimisht në favor politikës klerofashiste dhe hegjemoniste serbe, e cila gjithmonë na shkakton humbje të rënda në politikën e brendshme dhe parketin diplomatik, më shumë për shkak se jemi armiq të vetvetes sesa për shkak të fuqisë së saj të vërtetë.
Sepse nëse politika jonë do të kishte bërë punën e saj si duhet për të paktën dhjetë vjet rresht, Serbia, e cila ishte një luan pa dhëmbë shumë kohë pas tri luftërave të humbura, sot do të ishte e shtrirë në dysheme si një gjarpër i ngordhur.
Nuk është rastësi që Ivica Daçiq në një deklaratë të tre javëve më parë tha se gabimet kardinale të përfaqësuesve të Kosovës në negociatat e Brukselit e zgjatën agoninë e shtetësisë së Kosovës dhe e mbajtën Serbinë të fortë në lojë apo në garë për ndarjen e territorit të saj.
Nëse një deklaratë e tillë nuk merret dhe analizohet seriozisht nga pozita, e sidomos nga opozita, e cila bëri shumë gabime dhe mëkate me popullin dhe shtetin e saj për dy dekada rresht, atëherë nuk e di pse politikanët dhe diplomatët tanë meritojnë paga të financuara nga ne taksapaguesit?
Por unë personalisht nuk jam mjaftueshëm i kënaqur as me politikën e qeverisë aktuale, sepse do të doja që ajo të ishte shumë më e suksesshme, si dikush që me gjithë qenien dhe trupin e tij mbështeti ndryshimet që i lidhi me emra dhe mbiemra të caktuar, biografitë e të cilëve e bindën se nuk do të të devijonin për asnjë çmim nga rruga që çon drejt ndryshimit rrënjësor.
Fatkeqësisht, në vend të një shkëlqimi të frytshëm ekipor, ata zgjodhën një shkëlqim individual shterpë dhe kështu dëshmuan se nuk mësuan shumë nga gabimet e panumërta të paraardhësve të tyre.
Megjithatë, përpjekja e tyre e vazhdueshme për të shkëlqyer individualisht vetëm i mban masat e gjëra në gjum dhe parandalon rezultate konkrete përfundimtare, të cilat janë të mundshme vetëm me punë ekipore të guximshme, të koordinuar, të zgjuar dhe të suksesshme.
Sepse politika nuk jep rezultate të mëdha kur keqkuptohet si “arti i të së mundshmës individuale”, por vetëm kur mirëkuptohet si “arti i të së mundshmës ekipore”, ndaj shkëlqen më shumë në vendet ku nuk ka liderë që vlejnë më shumë se jetët e qytetarëve të thjeshtë.
Gjermania është shembulli më i mirë sepse, pasi ka mësuar nga e kaluara e saj mëkatare nazifashiste, ajo ka krijuar një sistem politik që nuk i lejon një lideri ose dy liderëve të vendosin për jetët dhe vdekjet e qytetarëve të zakonshëm.
Anasjelltas, Rusia është dëshmi se çfarë ndodh me kombin dhe shtetin e madh, i cili sakrifikon jetën e qytetarëve të thjeshtë për një lider të çmendur.
Për fat të mirë, politikanët ballkanikë nuk udhëheqin kombe të mëdha dhe shtete të fuqishme, sepse ata kanë aq shumë prirje të hipnotizojnë masat me shkëlqim individual të rremë, saqë do të bëheshin shumë më të rrezikshëm se Putini, jo vetëm për qytetarët e tyre, por për mbarë njerëzimin.
Autizmi në politikë nuk lë vend për të mësuar nga gabimet, e lëre më për pendim të sinqertë.
Kjo e metë e rëndë në përgjithësi çon në zhvillimin e një talenti të keq për të justifikuar çdo gabim, respektivisht për të shmangur çdo përgjegjësi.
Megjithatë, jo çdo gabim apo mëkat është një tradhti, e lëre më një gabim i paqëllimshëm.
Shpesh, kur mungesa e njohurive politike, filozofike, shkencore, letrare dhe gjuhësore kombinohet me mungesën e përvojës politike, ndodhin keqkuptime dhe keqinterpretime të parashikimit dhe planifikimit.
Por kushdo që dikur ka bërë një gabim në analizë, parashikim dhe planifikim, meriton një shans të dytë, sepse askush nuk është i përsosur.
Megjithatë, njerëzit që i rezistojnë këshillave të mira për shkak të paranojës ose krenarisë së rreme janë të dëmshëm edhe për politikën lokale, e lëre më për atë shtetërore.
Fatkeqësisht, mungesa e fleksibilitetit politik në vendin tonë shpesh keqkuptohet dhe keqinterpretohet si korrektësi e individit, sepse gabimisht lidhet me nënshtrimin ndaj kritereve dhe parimeve etike dhe morale.
Por parimet etike dhe morale janë të natyrës statike.
Ndërsa politika e brendshme dhe ajo ndërkombëtare jo vetëm që nuk janë statike, por as parimore në kuptimin etik dhe moral.
Përkundrazi, vetë fakti që politika është arti i së mundshmes dëshmon se ajo është nga natyra fleksibile, dinamike, pragmatike dhe kalkuluese.
Prandaj, politikan i shkathët mund të jetë vetëm një individ që zotëron natyrshëm pragmatizmin racional.
Sepse pragmatizmi racional krijon hapësirë ​​të mjaftueshme për manovra fleksibile dhe efikase, pa pasur nevojë të braktisën plotësisht binaret e parimeve dhe kritereve etike dhe morale dhe të ndryshojë negativisht karakteri i individit.
Fatkeqësisht, një politikan të tillë nuk e kemi parë ende në skenën politike shqiptare.
Ndryshe do ta meritonte epitetin e një burri të madh apo një gruaje të madhe shteti.

Për pyetjet e situatave të vështira ndërshekullore të shqiptarëve

0

Nga: Fahri Dahri, studjues

Mendoj se nuk duhet të shtrohen pyetje të natyrës: “Pse shqiptarët në Ballkan mbeten të fundit në çdo zhvillim”?

Kjo mënyrë për shtrimin e gjetjes së shkaqeve që na kanë çuar në derexhenë e trajtimit në fund të “listës”, nuk është e saktë. Për mendimin tim pyetja duhet të shtrohet: “Pse të gjithë të tjerët në unison janë kundër nesh?”.

Gjithëmonë ndeshemi me mendime ndër nesh, se situatat e vështira që ka kaluar dhe kalon shqiptarizama, ose më qartë pengesat në zhvillimin tonë, janë produkt, ose për fajet tona!. Sa mendije të sakta janë këto, do të njihemi me një shkrim të marrë nga interneti.

Të kuptohemi. Nuk shfajsoj fajet tona, sepse çdo e mirë apo e keqe, nuk vjen spontanisht, gjindet një e çarë sado e vogël dhe rrëkeja, bëhet virua, përrua, lumë dhe det. Si është e mundur që fqinjët tanë shkojnë nga shkojnë dhe përqëndrohen tek shigjetimet kundër nesh? Ku gabojmë ne? Dihet që mizat ngecin në mjaltë, gjithashtu dihet që edhe fluturat kur ndizen llampat (poçet) e dritave vërtiten rreth tyre deri sa edhe digjen. Në të dy rastet, mizat dhe fluturat flijohen. Kjo nuk ndodh me të tjerët që na ngjten ne. Përkundrazi e pësojmë ne! Mos vallë ndikon mëndjemadhësia, krenaria, apo dituria? Vërtet jemi protopopull, por duhet të dish ta mbash proton. Çdo kush në çdo aktivitet që del i parë, nëse nuk e vazhdon stërvitjen, apo provat, një tjetër e sposton.

Në këtë shkrim, do sjell për informim një dekret të sultan Hamitit I, kundër gjuhës shqipe.

●”Sipas mediave të fqinjëve tanë, perandoria osmane, që mbajti të pushtuar për pesëqind vjet popullin shqiptar, ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e kulturës dhe gjuhës greke: Sulltani Abdul Hamidi I (1725-1789), pasi mori një thes me flori nxori  “Një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqipe”. Ligji u lëshua nga sulltani i Perandorisë Osmane, më 31 Maj 1779, Abdul Hamid I (1725-1789).

Në ligj përcaktohej saktë, marrja në mbrojtje nga ana e turqve, e kulturës dhe gjuhës greke dhe përkundër saj, lufta dhe shfarosja e gjuhës shqipe. Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën “Thessaloniki”, të vitit 1999. Dekretin e pasqyrojnë mediet greke më 1999-ën, bashkë dhe burimin e marrjes së floririt prej sulltanit Abdul Hamidit I”.

Besoj qendrimi perandorak ndaj nesh, nuk ka nevojë për shtjellim. Por një gjë më duhet ta theksoj: Të tjerët ndaj të huajve të vendit të tyre, pranuan nënështrimin, ryshfetet, krushqitë që kanë çuar deri në tronditjet e identitetit; ndërsa ne, dihet kemi qenë dhe mbetemi kundër nënështrimit, ryshfeteve dhe servilizmit duke lidhur krushqira. Po, në disa situata tepër të veçanta, nisur nga qëndrimet besnike të ndonjë besimi fetar, gjatë mesjetës nëpërmjet emigrimit një pjesë e mirë këmbyen identitetin, duke i u nënështruar besimit fetar të vendut pritës. Rast i vetëm, me arësyetim kohor subjektiv, por me shpresë (bazuar në disa deklarime që po përshpejtohen) se kthjeillimi i qendrimit ndërmjet identitetit fetar me atë gjuhësor, traditave, zakoneve dhe vendit, do të realizohet ashtu siç e përcakton kombi shqiptar.

Fahri Dahri, Londër më 23/05/2022.

Kryeministri Kurti viziton dhe përgëzon shoqatën “Vatra” në 110-vjetorin e themelimit

0

New York, 21 maj 2022

Në 110-vjetorin e themelimit të Pan Federatës Shqiptare “Vatra”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka takuar në New York dhe e ka përshëndetur me një fjalë rasti anëtarësinë e shoqatës më të vjetër shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tani e 110 vjet Vatra juaj, Vatra jonë, e paraprirë nga ‘Dielli’ e ‘Kombi’ i dhanë shqiptarëve këtu e veçanërisht në trevat e tyre vrullin dhe organizimin për liri, deri në pavarësi, ka thënë kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.

Veçanërisht në 10–15 vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar, “Vatra”, sipas kryeministrit, e shpëtoi, e ndërtoi dhe e anëtarësoi shtetin e ri të kërcënuar ngado, mes kombeve si të barabartë dhe ia siguroi mbështetjen më të lartë ndonjëherë deri në atë kohë, për të drejtën për vetëvendosje popullit shqiptar.

“’Vatra’ e miqësoi përjetësisht shqiptarinë me Amerikën dhe e vendosi në nivelin më të lartë cilësinë e kësaj marrëdhënie falë dijes, patriotizmit ekselent, ndershmërisë dhe këmbënguljes së pathyeshme përballë drejtuesve politikë e përfaqësuesve diplomatikë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Teksa ka thënë se në arkivin e kësaj shoqate dallohet më së miri se ç’do të thotë organizimi dhe ndihma rrëzellonjëse për ta forcuar Shqipërinë ndërkombëtarisht, kryeministri Kurti ka kërkuar nga drejtuesit e “Vatrës” organizim e bashkërendim të këtillë edhe për forcimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

Ai e ka vlerësuar rolin e organizatave shqiptare si të pazëvendësueshëm, për të ruajtur dhe fuqizuar identitetin shqiptar në kushtet e sotme të globalizimit dhe të lëvizjes së madhe të njerëzve.

Gjithashtu, ka thënë se, organizatat e diasporës shqiptare duhet të vijojnë lobimin pranë shteteve demokratike për respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti ia ka uruar “Vatrës” 110-vjetorin e themelimit, duke i dëshiruar, siç është shprehur ai, jetë të gjatë sa të jetë kombi ynë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar Kryetar Berisha,

Të dashur vatranë,

I nderuari Ambasador i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Ilir Dugolli,

I nderuari  Ministër i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi,

E nderuara Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi,

I nderuari Shef i Stafit tim, z. Luan Dalipi,

Zonja dhe Zotërinj, motra dhe vëllezër,

Të nderuar të pranishëm,

Këtu është shtëpia ku ruhet harta e rrugës që hapi rilindasi i madh, më i riu prej tyre Noli, bashkë me Faik Konicën e i ndihmuar nga Llambi Çikozi, Kristo Kirka, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili bashkë me të gjitha organizatat e shqiptarëve që vepronin këtu.

Tani e 110 vjet Vatra juaj, Vatra jonë, e paraprirë nga ‘Dielli’ e ‘Kombi’ i dhanë shqiptarëve këtu e veçanërisht në trevat e tyre vrullin dhe organizimin për liri, deri në pavarësi.

E njëjta, si rrallë ndonjë organizim tjetër jehon ende nga arritjet madhështore që janë mbërritur nga ky organizim. Këtë e kemi edhe 113 vjetorin e Diellit, Gazetës tonë më të parë, ku si në ditar e kemi të shkruar të gjithë historinë politike të para pavarësisë së ’12-tës, organizimin deri tek arka e shtetit të ri.

Veçanërisht në 10 deri 15 vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar Vatra e shpëtoi, e ndërtoi dhe e anëtarësoi shtetin e ri të kërcënuar ngado, mes kombeve si të barabartë dhe ia siguroi mbështetjen më të lartë ndonjëherë deri në atë kohë, për të drejtën për vetëvendosje popullit shqiptar. Vatra është në themel të deklaratës monumentale të Presidentit amerikan Woodrow Wilson.

E miqësoi përjetësisht shqiptarinë me Amerikën dhe e vendosi në nivelin më të lartë cilësinë e kësaj marrëdhënie falë dijes, patriotizmit ekselent, ndershmërisë dhe këmbënguljes së pathyeshme përballë drejtuesve politik e përfaqësuesve diplomatik.

Sot, Republika e pavarur e Kosovës, e ka pak a shumë moshën e Shqipërisë së asaj kohe. Në arkivin tuaj të vyer dallohet më së miri se çka do të thotë organizimi i këtij lloji dhe ndihma rrëzellonjëse për ta forcuar Shqipërinë ndërkombëtarisht.

Sot në këtë vit jubilar të 110 vjetorit të Vatrës kushdo prej nesh, kudo që ndodhet, ia uron ditën e themelimit dhe jetë të gjatë sa të jetë kombi ynë.

Dekada e fundit mbi këtë shekull përvojë, ka vërtetuar se Vatra jonë këtu është e domosdoshme të jetë Vatra e të gjithë shqiptarëve, për hir të historisë, për hir të nevojave të mëdha për organizim e bashkërendim, për hir të shqiptarëve dhe veçanërisht për hir të Kosovës aktualisht.

Natyrshëm jo vetëm unë, por kushdo që e njeh veprimtarinë, shpreson dhe beson në forcën, aftësinë dhe bujarinë tuaj, vatranë të nderuar, trashëgimtarë të këtij emri dhe misioni të madh.

Andaj edhe unë po ju kërkoj atë që kushdo e pret dhe beson prej dhe në ju: organizim e bashkërendim deri sa ta vendosim edhe Kosovën aty ku e ka vendin – të barabartë mes të barabartëve.

Edhe pse sot pjesa më e madhe kombit shqiptar, që jeton në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gëzon një shkallë të lartë të lirisë dhe këta shtete ndodhen në një aleancë të ngushtë me Perëndimin dhe ShBA-të, prapëseprapë kontributi i diasporës mbetet po aq i rëndësishëm sa edhe më parë.

Roli i organizatave shqiptare është i pazëvendësueshëm për të ruajtur dhe fuqizuar identitetin shqiptar në kushtet e sotme të globalizimit dhe të lëvizjes së madhe të njerëzve. Në një kuptim, shumë popuj sot janë kthyer në kombe diasporike dhe kombi shqiptar është i tillë.

Gjithashtu, organizatat e diasporës shqiptare duhet të vijojnë lobimin pranë shteteve demokratike për respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo. Për shembull, shqiptarët që jetojnë në Serbi sot po ndodhen nën një trysni të madhe për t’u larguar nga trojet e tyre. Edhe një zë të fuqishëm opozitar që ata e kishin në parlament duan t’jua mohojnë. Diaspora shqiptare këtu duhet t’ia thotë pareshtur administratës amerikane të vërtetën për Serbinë, se mosnjohja prej saj e Republikës së Kosovës rrjedh nga e njëjta mendësi antishqiptare dhe antidemokratike e politikës serbe që mohon të drejtat qytetare dhe njerëzore të komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Çdo ndihmë është e vyeshme dhe, në këto momente, e paçmueshme. Le ta urojmë fillimin e  dekadës së dytë të 100 vjeçarit të dytë të Vatrës me zemrën plot se në arkivin tuaj, arkivin e të gjithë shqiptarisë, do të jenë të shënuara edhe gjurmët e punës së Vatranëve për avancimin e Kosovës në dekadën e dytë të saj si e pavarur.

Me 12 qershor ju do ta shënoni këtë përvjetor, në datën që përkon me datën e çlirimit të Kosovës. Ju uroj prej tani me gjithë zemër,  Urime Vatrës, Urime vatranëve për jetë e mot! Jeni krenaria e pasosur e të gjithë shqiptarëve!

Gjej rastin që t’ju ftoj të vini të vizitoni Kosovën në një delegacion të zgjeruar me vatranë nga të gjitha degët dhe fushat. Për të parë mundësitë për të investuar, bashkëpunuar, kontribuuar dhe veçanërisht për të takuar të rinjtë e të rejat anekënd Kosovës. Dhe t’u tregoni atyre se Vatra, vatranët janë të fortë e të gjallë – siç kanë lexuar në librin e historisë, janë ende sot.

Ejani, ju presim në shtëpinë tonë dhe tuaj.

Ju falemnderit.

Vetëm Shqiptarinë e e kemi hak*!

0
Ahmet Asani, aktivist i çështjes kombëtare nga Zvicra
Poezi
VETËM SHQIPTARINË E KEMI HAK*!
Mendjet e njer’zve si poçat elektrike,
brenda vetes janë diell drite!
Energji e njejtë i përshkon,
por asnjeni njësoj s’ndriçon!
Dikush kuq dikush mavi,
njeni jeshil e tjetri sari!
Mendja njeriun e mashtron,
por kurrë shpirti se tradhëton!
Ndal’ni mendimet pak pushoni,
n’shpirt t’vertën ta zbuloni!
Shqipe jemi një gjak kemi,
për Shqiptari gjithë një jemi!
E ka thanë Fishta i madh,
kemi Pashkë kemi Bajram!
por një gjuhë e kem një gjak,
vetëm Shqiptarinë e kemi Hak!
____
Ahmet Asani
Regensdorf/ZH, 22 maj 2020
* HAK – e drejtë e dhënë nga Zoti

Për disa pseudohistorian palaço dhe intelektin hyjnor të Gjergj Kastriotit

0

Ulku Bardh, Shkodër

* Disa pseudohistorianëve …!

Ky dhe si ky palaço nuk mund të jenë historianë përderisa nuk e flasin dhe s’e shkruajnë të vërtetën historike…. ashtu si ka ngjarë.. por atë e interpretojnë sipas ambicieve instiktive të sëmura të tyre….

Një fjalë e vjetër e popullit shqiptar thotë:”-trimin vraje por hakun mos ia ha”.

Por, këtë nivel të rezonimit të drejtë nuk mund ta arrijë truri mongol…, atë e arrijti intelekti hyjnor i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut që ishte në shërbim të atdheut të vet dhe shqiptarizmit.. Le të lehin qentë e zgjebosur,… sa të duan,… por nuk i kafshojnë dot bëmat e vërteta historike…. sepse ato përveçse janë përcjellë në kujtesën kolektive shqiptare… janë depozituar edhe si libra anekënd botës së civilizuar e cila ka arsye shkencore.. dhe si të tilla ndodhen nëpër bibliotekat e qendrave më të mëdha botërore… 

Nuk mund të zhbëhet e vërteta jonë me pamflete turkoshake-arabe e sllavo-orthodokse-greke,… herë-herë nostalgjike dhe të mjera a herë-herë agresive në kafshim si qentë e përdhosur…që enden udhve dhe e kafshojnë cilindo që arrijnë..  

Këso pamfletesh duhet të injorohen plotësisht nga ana e çdo shqiptari që frymon e mendon shqip,… bashkë me portalet dhe mediat që u japin frymë shkrimeve denigruese… e që plasohen në publikë me qëllime tendencioze nga moderatorë që janë ose melezë ose shërbëtorë të padronit që u jep tagjinë e ata të përjargur nga shkuma e mbllaçitjes nuk e shohin… apo nuk duan ta shohin realitetin.. !? 

© Ulku Bardh 

Njeriu i dyzuar në romanin “Dushkaja” të Jusuf Buxhovit

0
Nga Kiço Mavro, Sarandë
Dua të shfrytëzoj rastin sot në këtë takim për të shprehur një nga bindjet e mia si njeri, mësues, intelektual dhe krijues, se kontestimi më i mirë i formimit të individit si njësi dhe i shoqërisë si bashkësi, është gjuha dhe historia. Ato e bëjnë njeriun të shprehet bukur dhe saktë, të artikuloj mendime të vlerëshme dhe të thëna drejt, të jetë i dëshirueshëm në bisedë dhe objektiv në gjykim.
E them këtë sepse ky qëndrim i imi ,i shprehur sot këtu, i shkon aq shumë për shtat z. Buxhovi,i cili, në të gjithë rrugëtimin e tij si krijues, gjuhën dhe historinë i ka mbajtur jo vetëm të pandara, por shpesh lexuesi nuk e gjen kollaj se ku ta vendos autorin, te letërsia apo historia.
Jusuf Buxhovi besoj se është unikal në letërsinë dhe historiografinë shqiptare. Letërsia dhe historia për të nuk janë thjeshtë dy faqe të së njëjtës monedhë, por pashmangësishtë ato janë një dhe e vetme, të cilat autori në veprat e tij ka ditur me mjeshtëri ti kaloj secilën në shinat e veta.
Gjuha( kuptojmë dhe futim këtu dhe letërsinë ) si formë e shprehjes së mendimit dhe historia si fakt i zhvillimit kohor, pra letërsia dhe historia te Buxhovi janë plotësuese të njëra-tjetrës, ato udhëtojnë së bashku ,shpeshherë në paqe dhe shpeshherë në përballje, me të vetmin synim që çdo fakt të kthehet në realitet jetësor dhe vetë jeta në kujtesë historike.
“Ne nuk jemi gjë tjetër veçse tërësia e fjalëve që dimë”- thotë një gjuhëtar. Jusuf Buxhovi nuk di vetëm shumë fjalë, të cilat me mjeshtëri artistike i ka hedhur në veprat e shumta letrare, por ai di dhe njeh mirë shumë realitete historike të vendit të tij, duke ngritur me këndvështrimin e vet një vepër monumentale për histpriografinë e Kosovës.
E përbashkëta në krijimtarinë e tij si gazetar, shkrimtar dhe historian është një truall dhe vetëm një, është Kosova. Ajo është vendi ku lindin, marrin formë dhe flasin veprat e autorit. Ai flet për Kosovën e sotme, për atë çfarë po ndodh në kohën e tanishme, kohë të cilën e kishte menduar dhe ëndërruar krejt ndryshe me atë qe po ndodh realisht.
Buxhovi ka shkruar shumë vepra letrare ,nga të cilat, sot do të veçoj romanin “Dushkaja”.
Që në faqet e para të romanit lexuesi e kupton që “Dushkaja” është një roman ndryshe, me një formë të veçantë. Teksti është ndërtuar mbi rrëfimin e një njeriu të dyzuar dhe si një dialog i dy anëve po të të njëjtit njeri. Po kush është ky njeri, ky personazh që dialogon me veten dhe pse?
Romani ka në qendër një burrë të shkuar në moshë, piktor nga profesioni, i cili, tashmë i mbetur dhe i mbyllur në atë “botë të ftohtë e të humbur”, në Dushkajën “e kapluar me thera e murriza”, por që ai “e merrte për skajin e vetëm të virgjër të botës”, flet e kundërshton veten.
Kështu ,një natë fundvjeshte, mes dyshimesh dhe hamendjesh, fillon dialog me Zërin. Kur e dëgjoi për herë të parë Zërin, piktori u përpoq ta gjente mes pikturave të tij në mur, por jo, atë nuk mund ta shikonte, vetëm do ta dëgjonte. Kështu fillon e ndërtohet një situatë e rrafshit psikologjik që gjatë dialogut merr formë kuptimore. Zëri nuk është asgjë tjetër veçse vetja e tij, pjesa e tij kundërshtuese. “Duhet ta pranosh se brenda teje ka qenë një zë pa zë dhe një heshtje me zë…”shprehet personazhi diku.
Pra, dialogët, në të vërtetë janë monologë që realizohen në dy zëra të të njëjtit personazh. Bota e parë dhe e ndjerë nga piktori deri tani, nëpërmjet rrëfimit të dyzuar, kthehet përmbys, është e gabuar sipas Zërit, anës tjetër, kundërshtuese të tij.
Duke bërë një analizë të veprave të tij, piktori ,në fakt analizon historinë dhe ngjarjet kryesore që ka kaluar ai dhe populli i tij. Qendra e botës nuk është tjetër veçse Dushkaja, ”skaji i vetëm i virgjër i botës” Në këtë pafajësi, ligjërimi për Dushkajën nga piktori dhe qëndrimeve kundër nga Zëri fillon dhe ndryshon brenda personazhit edhe Dushkaja, që nga ,”skaji i vetëm i virgjër i botës” bëhet ”skaji i vetëm i virgjër i botës pise” dhe në fund në ”skajin e vetëm të virgjër të botës pise, të kthyer në lapidar të rremë…”
Vërtet Dushkaja nuk del në roman si vend i përcaktuar, por me të rrëfimtari i veprës lidh çdo gjë të tij, prandaj dhe e idealizon atë. Zëri me këndvështrimin e tij e kthen përmbys gjithçka. Ne e kuptojmë se Dushkaja nuk është gjë tjetër veçse një gjetje metaforike që ngërthen brenda saj çdo vend e popull që është sfilitur nga luftërat e gjata e të pafndme, ku në fund fitues dalin maskarenjtë, të poshtrit, vrasësit, tradhëtarët.
Ka çaste që personazhi e vesh me ndjesi të bukura e dashurie Dushkajën, por nuk zgjat kjo ndjesi, sepse nga trysnia që ushtron Zëri e kupton që edhe ”skaji i vetëm i virgjër i botës pise” është “strehë e përhershme e vrasësve”, ajo “është vendi ku jetojnë vrasësit, por edhe të tjerët që paguajnë për të vrarë”.
Në roman mungon veprimi i jashtëm. Kjo nuk e tkurr romanin, përkundrazi, me dialogët mes Piktorit dhe Zërit veprimi hapet sa në kohë aq dhe në hapësirë. Atje është një jetë e tërë me gjithçka përjetoi në rrugëtimin e tij njeriu artist dhe artisi njeri. Gjejmë atje mënyrën se si e ka parë botën personazhi dhe si ngre dyshimin se gjithçka ka besuar deri tani është e rreme, e gënjeshtërt, e pavërtetë. Mjeshtëria e Buxhovit qëndron në faktin se ai tërë këtë dyzim brenda një njeriu e ka dhënë me një zbërthim psikologjik të mrekullueshëm, që të tërheq e nuk të lë ta ndërpresësh leximin. Autori është shprehur “se në këtë libër ka ndërlidhje me historisë dhe pjesës shpirtërore, duke shtuar se nuk mund të ketë histori që nuk ka histori të shpirtit”.
Romani “Dushkaja” është një tablo e qartë brenda kornizës së tranzicionit të Kosovës, vendit ku shkrimtari jeton, por ajo mund të jetë fare mirë dhe e Shqipërisë, nëse sjellim në kujtesë ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve në fillim të viteve nëntëdhjetë për liri dhe demokraci dhe realitetin e ditëve të sotme se sa e çfarë është liria dhe demokracia e fituar.
“Shoqëria jonë sipas mendimit tim e ka dorëzuar lirinë, ua ka dorëzuar atë dhunuesve të lirisë”- thotë shkrimtari në një intervistë.
Ky mendim i tij ma forcon bindjen pse Buxhovi nuk e ndan historinë nga veprat e tij. Për të e tashmja është vetëm një përpunim modern i të shkuarës, “përsëritje e së njëjtës” dhe historia është shndërruar në “Histeri”.
Romani “Dushkaja” është një qëndrim qytetar dhe intelektual i ndërgjegjshëm për gjendjen e njeriut të pasluftës në Kosovë, që e do dhe e çmon shumë lirinë, por po kaq do dhe çmon faktin ta shoh veten të vlerësuar. Këtë situatë Buxhovi e ka dhënë me një ndjesi të lartë artistike.
_____
*(Fjalë të thëna në takimin e autorit me krijuesit sarandiotë më,19.05.2022).

Prishtina përqafon të madhin Ernest Koliqi, inaugurohet Biblioteka “Ernest Koliqi”

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

 

Kam patur fatin që 52-vjet më parë të kem takuar Profesor Ernest Koliqin, gjatë qëndrimit tim si refugjat në Romë, në vitin 1970, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si përfundim i kësaj njohjeje, kam qenë në kontakt me Profesorin e nderuar deri sa ndërroi jetë me 15 janar, 1975. Shkëmbenim letra, të paktën, dy tre herë në vjet, para se të vdiste. Një nga letrat që Profesor Koliqi më ka dërguar në vitin 1972, tri vjet para se ai të shkonte në amshim, më ka mbetur në kujtesë të përhershme, sepse përmbante një amanet. Letra e Ernestit erdhi pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar, në vitin 1972, një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim. Letra që më dërgonte Profesor Koliqi ishte plot këshilla –tepër të nevojshme për mua në atë kohë – nga një personalitet i njohur siç është Ernest Koliqi.

Ernest Koliqi në moshën kur e kisha njoftuar në Romë, në vitin 1970 – pesë vjetë më vonë ka ndërruar jetë.

Ai shkruante, ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr.1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe. Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime. Mbaje mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa ma shumë që të mundeshN’ ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro autorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”. Ishte ky, pra, amaneti i tij, një amanet që jam munduar ta mbaj e ta ruaj, me atë kapacitetin tim të vogël, duke e kujtuar Koliqin, sa herë që kam patur rast e mundësi, si njërin prej atyre “autorëve që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”- Frank Shkreli: Amanetin e mban toka- gëzuar ditëlindjen Prof. Ernest Koliqi | Gazeta Telegraf

Një nga hapësirat e Bibliotekës së re “Ernest Koliqi” në Prishtinë
Një pamje nga brendësia e Bibliotekës Ernest Koliqi në Prishtinë

Sot është mundësia dhe rasti që më jep Prishtina dhe Kosova për të kujtuar Ernest Koliqin – po e kujtoj me fjalët e pjesëmarrësve të nderuar dhe personaliteteve në inaugurimin e Bibliotekës që mban emrin e tij në Prishtinë.  Shkrimtari i madh Ernest Koliqi, nismëtari i arsimit shqip në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në fillim të 1940-ave, u kujtua në Prishtinë në ditën e lindjes së tij (20-maj, 1903), me inaugurimin e “Bibliotekës Ernest Koliqi”, në Qendrën “BogdaniPolis”, në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Kryetari i Bashkisë - Prishtinë, Z. Përparim Rama duke prerë shiritin me rastin e inaugurimit të Bibliotekës “Ernest Koliqi”.
Kryetari i Bashkisë – Prishtinë, Z. Përparim Rama duke prerë shiritin me rastin e inaugurimit të Bibliotekës “Ernest Koliqi”.

Duke hapur ceremoninë e inaugurimit të “Bibliotekës Ernest Koliqi”, fjalën përshëndetëse dhe mirëseardhëse për të pranishmit e kumtoi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, duke e cilësuar Bibliotekën Ernest Koliqi si, “një vend për të kujtuar të kaluarën dhe për të kultivuar të ardhmen tonë”. Inaugurimi i Biblotekës “Ernest Koliqi” Prishtinë – YouTube Të pranishëm ishin pjesëtarë të familjes së gjërë të Ernest Koliqit të ardhur nga Shkodra e Tirana, si dhe shumë personalitete të jetës së artit, shkencës e letërsisë, përfaqësues të klerit, por edhe personalitete të politikës. Një ndër personalitetet e larta ishte Kryetari i Bashkisë Prishtinë, Z. Përparim Rama, i cili e kujtoi Ernest Koliqin me këto fjalë: “Shkodrani Ernest Koliqi, shkrimtari i madh i letërsisë ishte siç e dini edhe Ministër i Arsimit në Tiranë që, në kohën e Luftës së dytë Botërore. Pruri mbi 200-mësimdhënës shqiptarë me hap shkollat shqipe anë e mbanë viseve të Kosovës. Përndjekja e tij dhe ndalimi i veprës së tij nga Shqipëria komuniste e për-rrjedhoi nga Kosova, që aso kohe thjesht irritonte shtetin amë nuk i kanë bërë aspak nder Kombit tonë. Prandaj përzgjedhja, pikërisht, e emrit të kolosit Ernest Koliqi për bibliotekën tuaj dhe inaugurimi i saj, pikërisht, në ditëlindjen e tij nderojnë jo veç këtë bibliotekë, as veç Ipeshkvinë, por gjithë kryeqytetin tonë dhe gjithë Kombin tonë shqiptar. Kur jemi te shkrimtarët -dikur të ndaluar- uroj që kjo bibliotekë të forcojë sa më shumë lidhjet me bibliotekën e Françeskanëve të Shkodrës të cilët me rënjen e komunizmit po i ribotojnë me përkushtim të madh veprat e kolosëve të ndaluar katolikë të letrave shqipe: që nga ajo e Shtjefën Gjeçovit, Gjergj Fishtës, Anton Harapit, Donald Kurtit, Vinçenc Prenushit, Bernardin Palaj e deri tek ajo e At Zef Pllumit. Të anatemuar padrejtësisht nga diktatura komuniste. Vepra e këtyre kolosëve është në fakt më e shëndosha e letërsisë kombëtare e për më shumë është një opus që bibliotekën e Ipeshkvisë e pasuron dhe e nderon. Bibliotekës i uroj fond gjithmonë e më të pasur librash, lexues gjithmonë e më të shumtë dhe me që ambienti i bibliotekës qenka jashtëzakonisht i këndshëm, uroj sa më shumë organizime eventesh kulturore e letrare të këtij ambienti…Urime për Bibliotekën e re “Ernest Koliqi”.  Kryebashkiaku i Prishtinës falënderoi Ipeshkvinë e Kosovës për krijimin e kushteve  për studentët dhe për gjithë kulturën në qytetin tonë që të shkojmë përpara ‘ kushte’, që ai i cilësoi si, “fenomenale, fantastike”, duke premtuar se edhe ai vetë, do kalojë shumë kohë në këtë bibliotekë.

Drejtori i Institutit të Trashigimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Prof. Dr. Skënder Asani me bashkëpunëtorët, si dhe shumë organizata dhe ente të ndryshme dhe individë të shumtë nga Kosova dhe Shqipëria i dhuroi Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit tituj librash për Bibliotekën e re “Ernest Koliqi” në Prishtinë. “ITSHKSH dhe Ipeshkvia e Kosovës do të vazhdojnë të këmbejnë dije e përvoja në të ardhmen me qëllim të avancimit të bashkëpunimit e mirëkuptimit ndërinstitucional, ku theksi i posaçëm do t’i vihet emancipimit të mëtejmë kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare dhe komunikimit të saj me shoqëritë e tjera”. (ITSHKSH)

Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Z. Minxhozi, e cilësoi ceremoninë e  inaugurimit të Bibliotekës “Ernest Koliqi:, si një ngjarje të jashtëzakonshme dhe shumë të veçantë. Duke pasë përballë këtë korife të madh të historisë dhe kulturës shqiptare, Ernest Koliqi, me veprën e tij tregoi dhe i tregon botës, pavarësisht sistemeve, pavarësisht represionit, arti dhe kultura që i shërbejnë popullit, nuk shuhet kurrë. Politika është momentale, ndërsa veprat e kolosëve tanë janë “të pavdekshme.”  Ambasadori i Shqipërisë e cilësoi bibliotekën si shumë interesante dhe krejt të veçantë në llojin e vet. “Shumë, shumë e bukur, me një arkitekt fantastik që e ka bërë këtë”, por shtoi ai, “Ajo që e mbush më tepër, është vepra e të Madhit Ernest Koliqi”. Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, duke falënderuar ata që kishin ardhur nga Shkodra dhe Tirana për të marrë pjesë në inaugurimin, tha se Ernest Koliqi, “ishte shkodran, mbetet shkodran, ishte shqiptar, mbetet shqiptar dhe shumë i madh.” Me shumë kënaqësi uroj që edhe brezat e rinj do të përcjellin veprën e tij të pavdekshme, përfundoi fjalën  ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Z. Qemal Minxhozi.

Profesor Xhavit Beqiri i Universitetit të Prishtinës duke mbajtur kumtesën e tij me këtë rast

Ndërkaq, kumtesën kryesore e mbajti Prof. Xhavit Beqiri i Universitetit të Prishtinës, i cili tha se: “Ernest Koliqi është guri i këndit në themelin e shkollës shqipe në Kosovë. Në një mjedis të shkretë arsimor e kulturor, ai e hodhi i pari farën e sinapit, nga e cila mbiu dhe hodhi shtat trungu i të gjithë sistemit edukativ, arsimor e kulturor në këtë pjesë të etnisë. Përtej figurës: shkollën shqipe në Kosovë dhe në hapësirat e tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë e krijuan gjatë viteve ’40 të shekullit XX, afërsisht 200 mësues normalistë, të cilët me misionin e shenjtë të përhapjes së shkronjës shqipe u ngarkuan nga vetë Ernest Koliqi, asokohe ministër i Arsimit. Për mua, Koliqi është profeti, ndërsa ata normalistë të zgjedhur prej tij, janë apostujt e shkollës shqipe në këto treva”,- u tha, ndër të tjera, të pranishëmve Prof. Xhavit Beqiri i Universitetit të Prishtinës. Prof. Beqiri theksoi se, “Poeti, publicisti e studiuesi Ernest Koliqi, përveç epitetit të themeluesit të shkollës shqipe në Kosovë, mori edhe epitetin e nismëtarit të prozës moderne shqipe”.

Ernest Koliqi me kolosët e Kombit, Fishta, Asdreni e Poradeci
Ernest Koliqi me kolosët e Kombit, Fishta, Asdreni e Poradeci

Me inagurimin e Bibliotekës “Ernest Koliqi, Kosova po ia lan një borxh të madh këtij burri të madh të Kombit shqiptar. Amanetin e tij 50-vjet më parë që,  “mos harrohen autorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…” – Kosova e çoi në vend me inaugurimin e Bibliotekës me emrin e tij në Prishtinë, “në kujtim të së kaluarës dhe për kultivimin e të ardhmes” tonë, siç u shpreh Imzot Dodë Gjergji.

Biblioteka Ernest Koliqi, Prishtinë, Republika e Kosovës

Duke mos dashur të jem kritik ndaj disave – sidomos në këtë ditë shumë të lumtur të inaugurimit të Bibliotekës Ernest Koliqi në Prishtinë – më duket se ka ardhur koha që Tirana zyrtare politike dhe akademiko-historike, të heqë dorë një herë e mirë nga denigrimi e përjashtimi nga historia shqiptare e burrave të Kombit siç është Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe shumë të tjerë. Mjaft është mjaft! Nga çfarë kini frikë? Merrni shembëll Kosovën.  Fatbardhësisht, në rastin e Ernest Koliqit dhe të Gjergj Fishtës, sa më fort që të urrehen këto figura dhe të tjera si këto të Kombit, nga Tirana zyrtare dhe nga nostalgjikët e komunizimit sllavo-aziatik, madje edhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, aq më shumë ata adhurohen në Prishtinë, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Castelvecchio apo kështjella mesjetare që po ia rikthen historinë dhe artin Padovës

Gëzim Muçolli
Sot në vend ndodhjen e Catelvecchio ose Castello dei Carraresi shkuam të ftuar të merrnim pjesë në orën e historisë kushtuar një pjesë të rëndësishme të kaluarës së qytetit të Padovës.
Ambientet më shumë i ngjanin një kantieri ndërtimor ku po zhvilloheshin punimet për restaurimin e këtij thesari të trashëgimisë kulturore, arkitektonike, ushtarake dhe artistike që datojnë që nga shekulli i dymbëdhjetë i epokës sonë.
Para qytetarëve të interesuar ishte Dott. Andrea Colasio, drejtor i komunës së Padovës për muzetë, kulturën, ndërtimtarinë monumentale dhe turizmin, i cili me kompetencë dhe shkathtësinë e tij oratorike i shoqëroi të pranishmit duke i shetitur jo vetëm në pjesët e ndryshme të pallatit mesjetar por edhe në ngjarje dhe zhvillime shoqërore në tetëqind vitet e fundit në Padova.
Për shkak të ndryshimeve historike kjo kështjellë, ndërtimi i të cilës ka filluar në vitin 1237, është quajtur edhe Castello della Torlonga, Castello di Ezzelino, pastaj Castello Carrarese si dhe Castello di Padova.
Punimet për ndërtimin e saj do të zgjatnin 4 vite dhe duheshin dhjetëra mijëra tulla të cilat në atë kohë furrat në Padova ishte e pamundur ti prodhonin për shkak të produktivitetit të kufizuar, por u shfrytëzua materiali nga dhjetë shtëpitë e mëdha të rrënuara të patricëve padovanë të dënuar për shkak të armiqësive me sundimtarim e atëhershëm padovan Ezelino III.
Rekonstruktimi i Kështjellës u bë në një periudhë tjetër nga Sinjoria e Karrarezëve ku Francesco I da Carrara i quajtur edhe Plaku ( Il Vecchio ), ishte zotërues i Padovës nga viti 1350 deri në 1388, duke zbatuar një politikë të espansionit.
Pas tyre vjen epoka venecjane ku edhe ata lanë gjurmët e tyre në këtë strukturë me rëndësi arkitektonike, administrative dhe ushtarake. Mes Padovës dhe Republikës (detare) të Venedikut janë zhvilluar luftëra rreth dominimit të sipërfaqes tokësore ku megjithë lidhjen e aleancës me sundimtarin e Hungarisë, padovanët e humbën luftën, por ngelën dëshmi historike dhe artistike të paraqitura në pikturat murale brenda dhomave të kështjellës të cilat fatmirësisht janë ruajtur deri në ditët e sotme edhe pse të dëmtuara nga inati i sundimtarëve venecianë dhe nga koha.
Padova në atë kohë iu nënshtrua një regjimi poshtërues të taksave që qytetarët duheshin ti paguanin Venecias. Colasio nënvizon se vetëm aty ku paguhen taksat, historikisht dëshmohet autoriteti dhe sovraniteti i plotë i shtetit dhe pushtetit!
Historia e kësaj vjen deri në ditët tona ku dihet se ka shërbyer edhe si burg që nga fillimi e deri para pak vitesh duke qenë nën administrimin e drejtorisë së burgjeve dhe ministrisë së drejtësisë. Pjesa e kullës së lartë shërben edhe sot për studentët e fizikës dhe astronomisë të Universitetit të Padovës si oservatorium astronomik.
Para nja dhjetë vitesh kjo pjesë e rëndësishme e qendrës historike të Padovës rrezikonte t’iu shitej privatëve dhe firmave që do ta shfrytëzonin për qëllime spekulative ndërtimore por duke iu falenderuar asesorit Colasio i cili ishte deputet i Parlamentit italian si dhe deputetëve të partive tjera nga Padova, duke lënë mënjanë inatet partiake u bashkuan dhe shpëtuan këtë pjesë të çmueshme të historisë së Padovës.
Sot asesori Colasio foli me shumë trasparencë edhe për fondet e restaurimit me vlerë prej 15 milion euro dhe punët që duhen të kryhen deri në fund për t’ia rikthyer shkëlqimin kësaj pjese monumentale të Padovës e cila do të bëhet qendër e ekspozitave artistike dhe muze.
Freskat e shek. XII pas restaurimit do ti bashkangjiten ciklit të freskave të projektit “Padova Urbis Picta” që u bë pjesë e Unescos.
Një kontribut i veçantë për tu vlerësuar është edhe i studiueses së palodhur shqiptare, historianes dhe arkeologes së njohur Elda Omari e cila ishte në organizim të këtij programi të vizitës së çmuar që vazhdoi me grupet tjera gjithë ditën e shtunë. Ajo vazhdon të kontribuojë në projekte bashkëpunimi midis studiuesve të Shqipërisë dhe Universitetit dhe autoriteteve kulturore, shkencore e administrative të Padovës.