Kreu Blog Faqe 1320

Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” i Deçanit, në përvjetorin e 55-të!

0

Adem Lushaj

Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, po i mbushë plotë 55 vite pune si dritare e dijes. Nëpër dyert e kësaj shkolle kanë kaluar gjenerata të shumta, që më vonë ishin shndërruar në emra si profesionist të zot në fushat e tyre. Dikur (sidomos në vitet e ’70-ta), nxënësit e këtij institucioni arsimor, kishin privilegje të veçanta për regjistrim në fakultetet e Universitetit të Prishtinës.
“Si nxënës i këtij Gjimnazi, jam pranuar në fakultetin e mjekësisë pa provim pranues, ngase ne ishim të privilegjuar. Ishte koha e artë e këtij gjimnazi apo siç quhej koha e Osman Tolaj”,- shprehët infektologu tashmë i njohur, Prof. Dr. Sali Ahmetaj, që sipas tij nxënësit që merrnin diploma në këtë gjimnaz, ishin dukshëm më të dalluar se kolegët e tyre anekënd Kosovës.


Pragu i shënimit të 55-vjetorit të themelimit të Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, veç është afruar (25 maj 2022), të cilin stafi i kësaj shkolle dhe nxënësit po shpresojnë ta manifestojnë si zakonisht, me program dhe aktivitete të ndryshme, duke mos qenë të penguar nga pandemia e Covid 19. Këtë e pohon vet drejtori i këtij institucioni arsimor Hamid Qorraj, i cili ka prezantuar disa nga projektet dhe arritjet që kishte gjimnazi në periudhën e tij si drejtor, 2018 – 2022. Sipas tij, janë realizuar mbi 46 projekte dhe mund të konsiderohen si të suksesshme për gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, në aspektin e përmirësimit të kushteve të punës për mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Mirëpo, Qorraj thotë se baza e mirë e vendosur nga ish kolegët e tij, ka bërë që rezultatet në mësimdhënie dhe mësimnxënie të jenë larta. Krahas këtyre, është punuar shumë në krijimin e kushteve bashkëkohore për punë në realizim të kurikulës së re, duke u bazuar në përdorimin e metodave dhe teknikave bashkëkohore në fushën e arsimit.


“Kemi realizuar shumë projekte, si: pajisja e shkollës me inventar të ri, molerimi i shkollës, Ura termike që e lidh shkollën me sallën e Edukatës fizike, renovimi i tërësishëm i sallës se edukatës fizike nga donatoret privat,  Biblioteka e re, Kabineti i biologjisë, Kabineti i teknologjisë, Kabineti i fizikes, Muzeu i shkollës, Arkiva e shkollës, Kabineti i inovacionit, Kabineti i artit figurativ, Kabineti  i gjeografisë,  Kabineti i artit muzikor, rregullimi i korridorit të shkollës, si dhe Amfiteatri, i cili mbetet hapësirë e shfrytëzuar për ngjarje dhe programe të ndryshme që i organizon shkolla”,- ka treguar drejtori i kësaj shkolle, i cili shprehë falënderime për të gjithë donatorët që iu dhanë krahë ideve për një pamje dhe strukturë të re kësaj shkolle. Përpos projekteve të lartpërmendura, në gjimnaz është gati në finalizim një projekt tjetër madhor, “muzeu i shkollës”, i cili përpos që do mbetet shenjë e ruajtjes së kulturës, traditës dhe arsimit në gjuhën shqipe. Po ashtu do të jetë katalizator për seleksionimin e shkollës ndër të parat në nivel vendi dhe më gjerë”,-ka sqaruar drejtori i gjimnazit që e mban emrin e pishtarëve të dijes të, Avdyl, Naim dhe Sami Frashëri!
“Referencat e mia gjithmonë janë për ata që japin kontribut të vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit arsimor, e po ashtu edhe për donatorët që “përqafuan” projektet tona për investim të nevojshëm në objektin e shkollës të cilat shpien në ngritje të cilësisë duke bërë shkollën tonë konkurrente me shkollat në nivel vendi dhe më gjerë. Dedikimi im referuar donatorëve është fillimisht për përkrahjen individuale për amfiteatrin e shkollës dhe kabinetin e fizikes, ndihmë kjo nga Sevdije Lataj. Po ashtu s’duhet harruar komunitetin dhe komunën e Deçanit, që nuk hezituan të bashkëpunojnë në përgjithësi për çdo projekt të realizuar. U jam mirënjohës përherë!”, -ka nënvizuar  Qorraj, drejtori i këtij tempulli të dijes dhe arritjeve me të cilat krenohet, jo vetëm Deçani.
“Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, është themeluar në vitin 1967, ku drejtori i parë ishte Sahit R. Çeka, këto ditë shënon përvjetorin e tij të 55-të. Pa bërë dallime në kohë, është e pamundshme të mos përmendet koha e artë e këtij gjimnazi (1971-1979), apo siç quhet koha e “Osman Tolaj”, kur ishte bërë emër në gjithë vendin, si institucioni me arritjet më të larta në fushën e dijes”,-ka nënvizuar drejtori Qorraj, i cili me modesti e shpalos vlerësimin personal për mësimdhënësit dhe nxënësit, të cilët si faktorë subjektiv luajnë rol primar në arsim. Gjithnjë sipas tij, epitetet pozitive të kësaj shkolle janë dhënë në nivel Kosove, dhe po përpiqen t’a ruajnë elitaritetin që gjithmonë e gëzoi ky gjimnaz.


“Gjimnazi ynë, në nivel të Kosovës, “rrëmbeu” çmime të shumta, gjithsej 12 çmime, 9 vende të para në lëndët gjuhë, matematikë, histori, gjuhë angleze dhe fizikë. Kjo shkollë ka nxjerrë gjenerata të shkëlqyeshme me profile të larta dhe po vazhdon ta bëj. Secili kuadër që ishte pjesë e kësaj vatre diturie dha kontribut të pashoq. Ndër ta janë edhe ish drejtorët e shkollës të cilët qysh prej themelimit të saj, kontribuuan në funksionimin e mirë të gjimnazit dhe kanë lënë gjurmë për gjeneratat pasuese”,- shprehët  Qorraj në vlerësimin i tij për ish kolegët dhe mësimdhënësit e kësaj vatre që për vite lëshon rreze diturie në çdo fushë të jetës njerëzore.

Profesorit Mathieu Aref i ndahet titulli “Ambasadori për Paqen” nga Universal Peace Federation në Paris

0
Prof. Mathieu Aref, Paris
Dje të premten, 20 maj 2022, federata UNIVERSAL PEACE FEDERATION më dha titullin e ambasador për paqes. U pritëm ngrohtësisht nga koordinatori kombëtar shqiptar, z. Gaqo Apostoli, z. Jacques Marion presidenti i UPF-Europë dhe Lindja e Mesme dhe znj. Mimoza Kuchly, anëtare ekzekutive e federatës në Francë.
Ja këtu përposh teksti im falënderues në shqip dhe frëngjisht.
Ju falënderoj shumë për këtë rol “Ambasadori për Paqen” që më nderon dyfish si shqiptar nga baba dhe nana dhe si qytetar francez për 61 vite që jetoj në Francë. Gjatë ekzistencës sime të gjatë fillimisht në Egjipt, pastaj në Francë, kam luftuar gjithmonë jo vetëm për paqen dhe kohezionin shoqëror kudo që kam jetuar dhe falë artikujve në media dhe ndërhyrjeve të ndryshme specifike për të mbrojtur drejtësinë, paqen dhe vlerat morale të shoqërisë sonë dhe botërore, por edhe kam vepruar për “Liri, Barazi dhe Vëllazëri” këto simbole sublime të “Republika Françeze” pa të cilët nuk ka paqe në botë. Këtë rol me të cilin më nderoni, do ta zbatoj me aq këmbëngulje dhe seriozitet sa ajo që kam arritur të bëj gjatë më shumë se pesëdhjetë viteve të jetës sime të kushtuar studimeve dhe kërkimeve të mia historike dhe gjuhësore për të rivendosur të Vërtetën e historisë së popullit Shqiptar, një nga më të lashtit të Evropës.
Jam i lumtur të ndaj këtë titull “Ambasador për Paqen” në emër të dy popujve të dashur për zemrën time : Francës, së cilës i detyrohem karrierës sime kulturore dhe profesionale, dhe Shqipërisë së cilës i detyrohem origjinës time gjenetike dhe stërgjyshore. Të veproj zyrtarisht për “paqen universale” do të jetë për mua qëndrimi i fundit para arritjes së paqes të frymës sime të fundit. Faleminderit sërish të gjithë organizatorëve shqiptarë, francezë si dhe drejtuesve të kësaj organizate botërore të vlefshme që më dhanë këtë titull dhe këtë detyrë fisnike të nderuar për të dhënë kontributin tim në mbrojtjen e paqes në një botë që po bëhet gjithnjë e më shumë e turbullt.
Mathieu Aref, Paris
Je vous remercie infiniment pour ce rôle « d’Ambassadeur pour la paix » que vous m’accordez et qui m’honore doublement d’abord en tant qu’albanais de père et de mère et en tant que citoyen français depuis 61 ans que je vis en France. Durant ma longue existence d’abord en Égypte où je suis né puis en France où j’ai toujours lutté non seulement pour la paix et la cohésion sociale partout où j’ai vécu et grâce à des articles dans les médias et diverses interventions ponctuelles pour défendre la justice, la paix et les valeurs morales de notre société mais également où j’ai œuvré pour la « Liberté, l’Egalité et la fraternité » cette sublime devise de la « République Française » sans laquelle il n’y a pas de paix dans le monde. Ce rôle avec lequel vous m’honorer je vais l’appliquer avec autant d’assiduité et de sérieux que ce dont j’ai réussi à réaliser durant plus de cinquante ans de ma vie dans mes études et recherches historiques et linguistiques pour rétablir la Vérité de l’histoire du peuple albanais, l’un des plus anciens d’Europe.
Je suis donc heureux de partager ce titre « d’Ambassadeur pour la Paix » au nom de deux peuples chers à mon cœur celui de la France à laquelle je dois ma carrière culturelle et professionnelle et à l’Albanie à laquelle je dois mes origines génétiques et ancestrales. Œuvrer officiellement pour la « paix universelle » sera pour moi le dernier baroud d’honneur avant de rejoindre la paix de mon dernier souffle. Merci encore à tous les organisateurs albanais, français et les responsables de cette valeureuse organisation mondiale de m’avoir accordé ce titre et cette tâche aussi noble qu’honorable pour apporter ma contribution à la défense de la paix dans un monde qui devient de plus en plus tumultueux.

“Nëse nuk e di çfarë të nevojitet në çdo kohë, atëherë të paktën mëso çfarë nuk te nevojitet në çdo kohë”

Lirim Patrioti, Prishtinë
(Lirim Gashi)
“Unë shpesh i them vetes: Nëse nuk e di çfarë të nevojitet në çdo kohë, atëherë të paktën mëso çfarë nuk te nevojitet në çdo kohë”.
Dhe në momentin që sigurohem se mund të përmbahem, në mes të profilit tim shfaqet një imazh i parezistueshëm i Duda Baljes, që e dërguaon fantazinë time të ëmbël në një udhëtim rreth globit.
Sepse në gjenet e mia jeton arti që nuk mund të shohë diçka të bukur pa ma zgjuar çdo shqisë. Dhe Duda është një festë për sytë, e cila i kthen frenat e të gjithë meshkujve në shalqinj të butë.
Nuk ka asgjë më të bukur se sa të tërhiqesh në një dhomë gjumi, dhe në të, duke parë fotot e Dudës, të përjetosh vazhdimisht tundime të reja të shejtanit.
Sepse pa tundimet e shejtanit, ne nuk do të mund ta vlerësonim aq shumë Allahun Teala.
Kjo do të thotë, ne nuk do të dinim të vlerësonim mëshirën e tij të madhe, e cila na dërgon drejt Xhenetit vetëm përmes dhomës së gjumit.
Dhe unë i dua fotot e Dudës, sepse jam artisti më i zgjuar, më i sinqertë dhe më i guximshëm i modernitetit.
??
„Često kažem sebi : Ako ne znaš šta je potrebno u svakom trenutku, onda barem nauči šta nije potrebno u svakom trenutku“.
I onog trenutka kada se uvjerim da se mogu suzdržati, na sredini mog profila pojavi se neodoljiva slika Duda Balje koja moju slatku fantaziju na put oko zemaljske kugle šalje.
Jer u mojim genima živi umjetnost koja ne može vidjeti nešto lijepo, a da mi ne probudi svako čulo. A Duda je praznik za oči, koji sve muške kočnice pretvara u meke lubenice.
Nema ničeg ljepšeg nego izabrati najljepšu spavaću sobu, i u njoj, gledajući Dudine slike, stalno doživjeti neku šejtansku probu.
Jer bez iskušenja šejtana ne bismo znali toliko cijeniti Allaha dželle-šana.
To jest, ne bismo znali cijeniti njegov veliki rahmet, koji nas samo kroz spavaću sobu može poslati pravo u Dženet.
A ja volim Dudine slike jer sam najduhovitiji, najiskreniji i najhrabriji umjetnik današnjice.
??

Kanë filluar punimet për rehabilitimin e Kishës së Kuvendit të Arbërit afër Lezhës

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

APEL PËR NDIHMË!

Bëhet fjalë për asgjë më pak se restaurimi i Kishës ku është mbajtur Kuvendi i Arbërit afër Lezhës – “Vendi ku u mblodhën burrat e motit” – në vitin 1703, sipas studiuesit, nismëtarit dhe protagonistit kryesor të këtij projekti të rëndësishëm për historinë mbarëkombëtare të shqiptarëve, Dr. Dom Nikë Ukgjinit. Për hollësi të mëtejshme për historinë e Kuvendit të Arbërit mund të lexoni linkun e bashkangjitur në një artikulli nga Dom Nikë Ukgjini  të fjalës që ai ka mbajtur vitin e kaluar në Konferencën Jubilare: “Papa Klementi XI dhe Shqipëria”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Nunciatura Apostolike në Shqipëri. KISHA E KUVENDIT TË ARBRIT, NË TË KALUARËN DHE SOT – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)

Papa Klementi XI Albani

Është e rëndësishme të theksohet se sipas disa studiuesve dhe historianëve të asaj periudhe, Kuvendi i Arbërit, që është mbajtur në vitin 1703, nën drejtimin e Papa Klementit të XI, me origjinë shqiptare është ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kombit shqiptar, pas Besëlidhjes së Lezhës. Frank Shkreli: Papa Klementi  i XI me origjinë shqiptare – mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve | Gazeta Telegraf

Restaurimi i një monumenti të tillë kulture të Kombit shqiptar do duhej të tërhiqte një vëmendje më të madhe nga autoritetet e Qeverisë së Shqipërisë, më saktësisht, të Ministrisë së Kulturës të atij vendi. Unë nuk e di se cili është misioni aktual i një ministrie, siç është Ministria e Kulturës e Shqipërisë, por performanca e saj – përsa i përket restaurimit, ruajtjes dhe respektimit të monumenteve të kulturës dhe të historisë kombëtare – nuk është diçka që kjo ministri mund të thotë se është krenare para shqiptarëve, për punën e saj në këtë fushë. Në të vërtetë, është një mision i dështuar dhe një shfaqje e shëmtuar e kësaj ministries që i përket mbrojtjes së identitetit kulturor e kombëtar të shqiptarëve gjatë shekujve, duke filluar nga momumenti i Gjergj Kastriotit në Lezhë Frank Shkreli: Monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë kthehet në nevojtore | Gazeta Telegraf, tek shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta Frank Shkreli/ At Gjergj Fishta, si vlerë kombëtare | Gazeta Telegraf, e deri tek trashëgimia e Vëllëzërve Frashëri, Frank Shkreli: A është trashëgimia kulturore dhe historike shqiptare në zhdukje e sipër? | Gazeta Telegraf – e sa e sa të tjera monumente të kulturës dhe të identitetit kombëtar – nga veriu e deri në jug të vendit – të harruara dhe të lëna pas dore nga autoritetet, detyra e të cilëve duhej të ishte pikërisht mbrojtja e tyre. Kjo gjëndje nevojit një ndërhyrje urgjente. Një ndër aktet e para të Kuvendit të Shqipërisë duhet të jetë që t’i kërkojë llogari Ministrisë së Kulturës mbi punën e saj dhe pse nuk kujdeset për ruajtjen, restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve historike të shqiptarëve në territorin e Shqipërisë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, sipas mundësive.

Dr. Dom Nikë Ukgjini

Por, fatbardhësisht, në mungesë të ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare të kësaj fushe, ka individë dhe organizata që përpiqen të bëjnë atë që do duhej të bënin, në këtë fushë, Ministria e Kulturës dhe ente të tjera qeveritare, përgjegjëse për ruajtjen e monumenteve historike të vendit. Një rast i ditëve të fundit, që pasqyron angazhimin e qytetarëve të thjeshtë, në mbrojtje të monumenteve historike, është ai i përpjekjeve të Dr. Dom Nikë Ukgjinit me bashkëpunëtorë: njeriut me pasion dhe vullnet të madh për restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve historike të kulturës shqiptare, por, fatkeqësisht, me mjete të pakta, por me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve të tij patriotë e të zellshëm për të shpëtuar nga shkatërrimi Kishën e “Kuvendit të Arbërit”, afër Lezhës. Duhet theksuar se ky nuk është projekti i parë që Dom Nika ka marrë përsipër si individ me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë një ndërmarrje të tillë, privatisht. Në të vërtetë janë disa!

Dr. Dom Nika nuk i trembet asnjë nisme. Por: në mungesë të ndihmës nga entet dhe autoritetet qeveritare të Shqipërisë, Dom Nikë Ukgjini me kolegët e tij, ka nevojë edhe kësaj radhe, për ndihmë për projektin e restaurimit të Kishës së “Kuvendit të Arbërit” afër Lezhës. Prandaj po shpërndahet ky APEL për ndihmë, ndërkohë që në bashkëpunim me dioqezën e Lezhës, me rektorin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit”, dom Martin Jaku, famullitarin e zonës dhe me Atë Karlos Kalero kanë filluar tanimë punimet për rehabilitimin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit”. Ndonëse, punimet për momentin janë duke u zhvilluar me ndihmën e sipërmarrësit, Gjergj Lejqeza, me mbështetjen e banorëve vendas dhe atyre jashtë vendit, sipas Dom Nikës, pritet edhe ndihma e Bashkisë se Lezhës si dhe disa mërgimtarëve shqiptarë, që jetojnë në Evropë dhe Amerikë. Por kjo nuk mjafton për restaurimin e plotë të Kishës së “Kuvendit të Arbërit” me rrethinë. Prandaj, edhe për rëndësinë historike mbarëkombëtare që mbart ky projekt, ky APEL nga nismëtarët e tij, u drejtohet, sidomos biznismenëve shqiptarë të suksesshëm: të shumtë këtu në Amerikë dhe në Evropë. Ndihma e juaj është një ndihmë për të shpëtuar historinë dhe identitetin kombëtar të atyre trojeve, para se t’i shkatërrojë mos kujdesi i njeriut dhe aktet e papritura të natyrës.

Pason APELI i Rektorit të Kishës së Arbërit, Dom Martin Jaku drejtuar të gjithë besimtarëve dhe atdhetarëve të gjitha trevave dhe trojeve shqiptare dhe shqipfolëseve kudo që ndodhen, në këtë rruzull tokësor:

“Të dashur besimtarë, miq të nderuar të Kishës së Shën Gjonit, Mërqi. Në cilësinë e Rektorit të kësaj kishe, pra, si kujdestar i saj, u drejtohem jo vetëm ju si banorë të fshatit Mërqi, por të gjithë besimtarëve dhe atdhetarëve të të gjitha trevave dhe trojeve shqiptare dhe shqipfolësve kudo që ndodhen në këtë rruzull tokësor: paqë, hir, drejtësi, mbarësi e begati ju dhe familjeve tuaja kudo që ndodheni. Kisha e Shën Gjonit asht një vend me simbolikë, histori dhe vlerë të veçantë fetare dhe kombëtare. Në këtë kishë dhe në këtë vend u thirr dhe u mbajt ngjarja më madhore dhe vendimtare për fatet e kombit dhe të fesë, Kuvendi i Arbënit ose i Arbënisë! Ky kuvend i thirrur dhe i mbajtur me 14-16 janar 1703, në Mërqi, më së pari është vepër e Zotit, të cilit i kjoshim falë, dhe iniciativë e Papa Klementit të XI, Albani, pra shqiptar. Ai e shpalli dhe e organizoi duke ngarkuar me këtë detyrë të lartë dhe fisnike, arqipeshkvin e përndritur të Tivarit, Imzot Vinko Zmajeviq. Vendimet, masat dhe propozimet e këtij kuvendi sollën një rigjallërim dhe një ripërtëritje të madhe për kishën dhe kombin shqiptar, i cili lëngonte nën shtypjen e sundimit ottoman”,- shprehet Rektori i Kishës së Arbërit, Dom Martin Jaku, ndërkohë që falënderon me mirënjohje të thellë për ndihmën bujare, bashkëpunimin dhe mbështetjen e veçantë të besimtarëve dhe banorëve të fshatit Mërqi, afër Lezhës. Rektori Dom Martin Jaku falënderon edhe Bashkinë Lezhë megjithëse pret më shumë ndihmë prej saj për përfundimin e këtij projekti, si dhe shprehje mirënjohje për sipërmarrësin Gjergj Leqejza për kontributin e tij të veçantë, që po jep për restaurimin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit”. Një falënderim të veçantë Rektori Jaku rezervon për Dom Nikë Ukgjinin, hulumtuesin, studiuesin dhe restauruesin e këtij projekti të rëndësishëm kulturor, kombëtar dhe fetar.

Është një APEL ky që meriton t’i bashkohen të gjithë shqiptarët kudo që janë, në bashkëpunim e solidarizim me njëri tjetrin dhe në mbrojtje të kulturës dhe historisë së shqiptarëve, duke dhënë kontributin, sipas mundësisë, për realizimin e këtij projekti madhor të historisë mbarëkombëtare.

Ju lutem lexuesve t’a shpërndajnë këtë APEL ndihmese që na vjen nga Lezha legjendare, për restaurimin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit” – një ngjarje me shumë rëndësi historike për fatet e kombit. Ndoshta e dyta pas Besëlidhjes së Lezhës e vitit 1444, që sipas disa historianëve mbi parimet e të cilës është mbledhur më vonë Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe shumë të tjera organizime kombëtare për të shpëtuar Kombin, gjatë historisë.

Rusia deklaron se ka kontroll të plotë mbi Mariupolin

0

Sot në orën 22:41 nga NTB (Aftenposten)

Rusia thotë se fabrika e çelikut ukrainas në Mariupol është “çliruar” plotësisht. Të gjithë ushtarët ukrainas janë dorëzuar, sipas Moskës.

– Më 20 maj, grupi i fundit me 531 luftëtarë u dorëzua, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Igor Konashenkov mbrëma të premten vonë.

Mesazhi erdhi disa orë pasi brigada e Azov, e cila ka mbrojtur fabrikën e çelikut, mori urdhra nga ushtria ukrainase për të dorëzuar armët.

Ushtarët në fabrikën e çelikut Azovstal besohet se kanë qenë forcat e fundit të mbetura ukrainase në Mariupol që ende po luftonin me forcat pushtuese.

Qyteti jugor i Ukrainës në Detin e Zi është pas pothuajse tre muajsh rrethimi dhe sulmi rus, pra plotësisht nën kontrollin rus.

Mariupol i Ukrainës para se të shkatërrohej tërësisht nga ushtria e Federatës Ruse. Qyteti i kishte mbi 450 mijë banorë ndërsa tash është i shndërruar në gërmadha gjithandej.

Ernest Koliqi (1903 – 1975) : “As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut…”

Don Lush Gjergji, Prishtinë

“As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut…”.

(Ernest Koliqi)

Populli, me të drejt thotë: “Harresa, në disa raste, është më e vështirë se vdekja.” E kjo thënie popullore, vlen sidomos për historinë tonë, për shumë krijues që kanë flijuar jetën dhe punën për të mirën e popullit, për një ardhmëri të cilën me shekuj po e kërkojmë, dëshirojmë, presim, por e cila në tërësi ende nuk po zbatohet.

Një ndër personalitetet e rralla të kulturës kombëtare, që është harruara për një kohë të gjatë, pa dyshim është edhe prof. Ernest Koliqi, shkrimtar, poet, arsimtar, përkthyes, edukator i shumë brezave shqiptare në Atdhe dhe gjetiu. Në jetën dhe veprën e tij pasqyrohet fare mirë Golgota e popullit tonë; mishërohen vlerat e së kaluarës sonë të lashtë, hapen shtigjet e reja të ardhmërisë, sidomos nëpërmjet arsimit, kulturës dhe qytetërimit.

Ernest Koliqi, lindi në Shkodër, më 20 maj 1903. Që në fëmijërinë e hershme hetohej aftësia e tij mendimore, por Shqipëria ishte ende e varfër dhe e paorganizuar për shkollim sistematik dhe klasik. Mu për këto arsye, ai qe dërguar së shpejti në Brescia dhe në Bergamo të Italisë, në kolegjin e famshëm klasik “Arici”, ku me sukses kreu mësimet fillore për afro dhjetë vjet. Studimet e larta për gjuhë dhe letërsi, i kreu në Padovë.

Si fëmijë, e sprovoi vendin e huaj, mërgimin, si një lloj paralajmërimi dhe përgatitje për jetën e ardhshme. Në Shqipëri, u kthye në vitin 1921 dhe pas tre vjetësh rishtas kthehen në Itali. Punën në arsim e fillon në vitin 1930, së pari si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Tregtar të Vlorës dhe më vonë në Liceun shtetëror në Shkodër.

Në vitin 1937 u emëruar lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Padovës, ndërsa pas dy viteve profesor ordinar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.

Më 12 prill 1939 emërohet Ministër i Arsimit Shqiptar. Nga Shqipëria iku së pari në Dubrovnik, prej nga kaloi në Itali, në Romë, ku jetoi dhe veproi deri në vdekje (1975).

Përpos Italisë, prej vitit 1925 deri në vitin 1928 ka jetuar në Mal të Zi dhe në Bosnje, në Tuzëll, ku pati rast të mirë të njihte botën shqiptare të Malësisë së Madhe dhe atë boshnjake.

Ndikim të madh, vendimtar në jetën dhe formimin e tij njerëzor, kombëtar dhe krijues pati Luigj Gurakuqi (1879-1925) dhe Ernesti për një kohë ishte edhe sekretari i tij personal.

Në Brescia dhe Bergamo, më vonë në Padovë, sidomos në Romë, pati fat të njihte shumë personalitete të shquara të kulturës, traditës, krijimtarisë italiane dhe evropiane.

Këtu do ta përmendi njohjen, shoqërinë dhe miqësinë e tij me Giovanni Battista Montini, më vonë Papa Pali VI, që vazhdoi gjatë tërë jetës së tyre, botërisht u dëshmua në shumë raste, sidomos në vitin 1968, kur u kremtua 500 vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar dhe fetar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Në vitin 1972, Papa Pali VI për Shqipërinë komuniste-ateiste botërisht ndër të tjera tha: “S’mund të heshtim mbi Kishën e Krishtit, e cila, është e detyruar jo vetëm në vuajtje në heshtje, por edhe në vdekje. Më lejoni ta hapi shpirtin tim kur mendoj rreth shkatërrimit të një popullit, teritorialisht të vogël, por të pasur me tradita të lavdishme qytetare dhe fetare, i afërt për ne, por i mbajtur larg nga barrierat, si të ishte në mes të nesh ndonjë oqean: Shqipëria…” (”Shejzat”, 9-12, 1972, f. 419).

Nga malli dhe dashuria për Atdhe dhe për Popull jetoi dhe krijoi në shumë drejtime për begatimin shpirtëror-kulturor të popullit. Nga përvoja e jetës dhe shkollimit, në veçanti u angazhua gjithnjë për shkollimin në gjuhën shqipe, prej fillores, shkollave të mesme dhe të larta, si dhe për krijimin dhe zbatimin e plan-programeve shkollore, po ashtu edhe për përpilimin e teksteve, si p. sh. “Shkrimtarët Shqiptar”, pjesa I, II, Tiranë 1941 etj.

Për t’i dhënë baza shkencore kulturës shqiptare me krijimin e “Institutit të Studimeve Shqiptare” në Tiranë, me programin e njësimit terminologjik të dishiplinës, me kongreset ndërkombëtare dhe botimin e serisë “Studime e Tekste”, me rritjen e studimeve dhe mbledhjen e trashëgimisë nëpërmjet “Visaret e Kombit”…” (Giuseppe Gradiglione, në “Shejzat”, viti XIII, nr. 10-12, 1969, f. 6).

Për të arritur një gjë të tillë, lypet kultivimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe “me përpjekje të papreme, e pati fatin e bardhë me e zanunnji vend të posaçëm midis atyne burrave të vlefshëm, që i a dedikuen veten Kombit nëpërmjet gjuhës, qi asht shërbimi më kryesor qi i bahet kombit. Gjuha asht shpata, gjuha asht arma, gjuha asht zemra, gjuha asht çfaqja e gjallnis e, ma ne fund, gjuha asht vetë jeta dhe vetë kombi. Pa gjuhë, s’ka komb” thotë Karl Gurakuqi për Ernest Koliqin në artikullin: “Nëpër vullajat e “Shejzave”, në “Shejzat”, 9-12, 1966, f. 524.

Me shkrime dhe krijime letrare, Ernest Koliqi e begatoi letërsinë tonë si me përmbajtje, po ashtu edhe me fjalë, frazeologji, gjuhë tejet të pasur dhe të pastër.

Veprat kryesore të Ernest Koliqit janë: “Kushtrimi i Skenderbeut”, Tiranë, 1924; “Hija e Maleve”, Zarë, 1929; “Poetët e mëdhej t’Italisë” vëll. I, Tiranë, 1932; “Gjurmat e stinve”, Tiranë, 1933; “Tregtar flamujsh”, Tiranë, 1935; “Quattuor”, Iliria, 1935; “Poetët e mëdhenj t’Italisë, vëll. II, Tiranë, 1936; “Pasqyra e narçizit”, Bari, 1936; “Symfonia e Shqipeve”, 1936; “Epica popolare albanese”, Padovë, 1937; “Kangjelet e Rilindjes”, Romë, 1959; “Shija e bukës së mbrume”, Romë, 1960; “I tre maggiori poeti d’Albania”, Romë, 1961; “Evoluzione strica della lirica albanese”, Romë, 1962; “Antologjia della lirica albanese”, Milano, 1963; “G. De Rada, sulla vita e sull’opera di De Rada”, Romë, 1964; “L’umanesimo di Skanderbeg”, Palermo, 1969.

Vështrimet kritike të Ernest Koliqit: Fishta interpreti i shpirtit shqiptar, në “Shkëndija”, 1940; Influenze orientali nella letteratura albanese, Istituto per l’Oriente, Roma, 1954; Kroje të reja në Parnaz shqiptare, vështrimi i parë sistematik kritik mbi letërsinë në Kosovë, në “Shejzat”, 1957, nr. 1, 4, 5; Dhjetëvjetori i së përkohshmes “Jeta e Re”, në “Shejzat”, 1959, nr. 11, 12; Il realismo socialista e la letteratura, Roma, 1960; Ventesimo anniversario della scomparsa di P. G. Fishta, Roma, 1960; Giuseppe Schirò, poeta della fratellanza pan-albanese, në “Shejzat” 1963, nr. 1-2; Spirito autoctono e influssi stranieri nella letteratura albanese, në “Shejzat”, 1963, nr. 9-10-11-12; Considerazioni sui canti erotici del popolo albanese, Louvain, 1964; Albania, monografia, in Enciclopedia dei popoli d’Europa, Milano, 1965; Faik Konica – profilo critico., në “Shejzat”, 1967, nr. 5-6-7-8.

Mbi jetën dhe krijimtarinë e Ernest Koliqit kanë shkruar ndër të tjerët: Cordiniano F., Petrotta G., Atë Gjergj Fishta, Mann Stuart, Shuteriq D., Gradiglione G., Quasimodo S., Guzzetta A., Martin Camaj, Karl Gurakuqi e shumë të tjerë.

Veprimtaria letrare e Ernest Koliqit filloi herët, në Brescia, në vitin 1921, kurse së bashku me studentët tjerë themeloi fletushkën studentore “Noi” (Ne) dhe aty edhe botoi punimet e para letrare.

Një kapitull i veçantë në jetën e tij  dhe krijimtarinë e tij është themelimi i “Shejzave” në vitin 1957 dhe udhëheqja deri në vdekje. Në numrin e parë, ai ndër të tjera shkruan kështu: “Po i hyj kësaj ndërmarrje të vështirë, por me shpresë dhe bindje, e simbas fjalës së urtë “trimi i mirë me shokë shumë”. Dhe ashtu edhe ndodhi, sepse “së shpejti rreth emnit të Ernest Koliqit u radhitën fytyrat më të njoftuna në fushën e letrave në mërgim; i u banë kunorë miqt anë-e-kand në botën e lirë, nuk e lanë vetëm, secili simbas mundësisë dhe fuqive të veta” (Karl Gurakuqi, “Shejzat”, 1966, 9-12, fq. 515).

Shkalla e zotsis së tij në këtë degë veprimtarije asht provue e riprovue tash katërdhetëvjetë e këndej: e kemi prekë me dorë në revistën “Illyria”, faqet e së cilës zbukuroheshin në çdo numër prej shkrimeve të tija, në prozë e në poezi; i kemi konstatue në revistën “Shkëndija” themelue dhe mbajtun prej tij” (”Shejzat”, Po aty).

Nëpërmjet “Shejzave” Ernest Koliqi ka krijuar një rrjetë të madhe bashkëpunëtorësh  në botë dhe ka kultivuar kështu gjuhën dhe letërsinë shqipe në mërgim, por të lirë nga prangat ideologjike komuniste. Ja vetëm disa emra që vite me radhë kanë shkruar në “Shejza”: Atë Zef Valentini, Peter Bartl; Gino Bottiglione, Franc Babinger, Alois Schmaus, Georg Stadmüller, Martin Camaj, Nermi Vlora – Falaschi…

Ja si e përshkruan Ernest Koliqi gjendjen e popullit nën sundimin komunist, si dhe copëtimin e tokave dhe të popullit: “Pjesa intelektuale u përça në shumë pjesë të cilat  këputen çdo pjekje njana me tjetrën. Disa shkrimtarë radhe së pari u zhduken n’atdhe tragjikisht, ase u detyruan të heshtin, tjerë u mërguan në katër kandet e botës. Fatkeqësia ma e madhe e rracës shqiptare qindron në ndasitë qi ndodhjet historike shkaktuen në trup të saj. Këto dasi i pasqyron vetë zhvillimi i letërsis, e cila zuni fill e u mëkëmb n’ujdhesa të shkëputuna njana prej tjetrës në hapësi dhe të ndërpreme në botë…” (Hilushi, “Shejzat” 9-10, 1969, f. 307).

Këto njësi, apo si thotë E. Koliqi “këto tri pjesti a thyese të botës shiptare ecin letrarisht në drejtime qi nuk harmonizohen. Mun veprojnë pa dijtë aspak ase fort pak njana për tjetrën” (”Shejzat”, Po aty).

Për letërsinë që krijohet në Kosovë njëherë më tha: “Kosova është dhe do të jetë kopshti i historisë dhe i ardhmërisë shqiptare… Atje ka mjaft krijime të suksesshme letrare, deri diku nën ndikimin e letërsisë sllave, por më pak nën ndikimin e diktaturës dhe ideologjisë komuniste. Nëpërmjet “Shejzave” jam munduar t’i lidhi dy botat shqiptare, trashëgiminë e vëllazërve Arbëreshë të Italisë dhe krijimtarinë përparimtare të shkrimtarëve të Kosovës, e cila është një risi e këndshme, përtërise dhe mjaft premtuese…”.

Bota e Ernest Koliqit nuk ishte e mbyllur në kufij apo paragjykime, por ai jetoi dhe veproi gjithnjë për popullin Shqiptar, sepse “Shqipnija e  vërtetë s’ka kufij gjeografik, por shtrihet shpirtnisht nëpër mbarë botën në çdo vis ku gjallitë nji Arbnuer qi nuk mohon vetit e veta autoktone” (”Shejzat”, Po aty, f. 310).

Ai, vërtet ishte vizionar i së ardhmes, sidomos nëpërmjet arsimit shqiptar. Si Ministër i Arsimit Shqiptar, ai dërgoi në Kosovë arsimtarët më të përgatitur dhe më të aftë për këtë mision të shenjtë, për arsimimin, ngritjen dhe qytetërimin e popullit të tij. Njëherë më rrëfeu këtë vendim me këto fjalë: “Shumëkush nuk e kuptonte përcaktimin dhe vendimin tim në Shqipëri; disa edhe më kundërshtuan dhe më sulmuan haptazi se po i shkapërderdhi intelektualët tanë. Mirëpo unë iu thashë: “Kosova është gjymtyra jonë e rrezikuar, prandaj atje duhet të veprojmë për përforcimin dhe kultivimin e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare…”.

Shpesh thoshte kështu: “Kush e njeh mirë dhe në thellësi popullin shqiptar, s’mund mos ta donë. Shembulli më i mirë i “shqiptarit të huazuar” është Atë Giuseppe (Zef) Valentini”.

Katedrën për gjuhë dhe letërsi shqipe në Romë e lartësoi në nivelin e Institutit, me dekretin e kryetarit të Italisë, më 2 shtator 1957. Gjatë viteve akademike 1951-1969  aty diplomuan dhe doktoruan 58 albanologë shqiptarë, arbëreshë dhe të huaj (Lexo: Giuseppe Gradilione, “Shejzat”, 10-12, 1969, f, 24-27).

Ernest Koliqi i lidhi mjaft  frytshëm edhe katedrat tjera të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Itali dhe në botë, si dhe studiuesit dhe krijuesit  tanë me albanologë të huaj.

Për të shkruan prof. Dr. Hans Joachim Kissling: “Shkrimtar dhe poet i pajis me zotësi të posaçme shprehëse qi diti ma se miri t’i përdorë me i ba të njoftun jo vetëm botës italiane, por edhe mbarë botës erudite, pasurinë shpirtnore të popullit shqiptar, mundësinë e tij dhe doket trashiguese…” (”Shejzat”, 10-12, 1971, f. 332).

Atë Zef Valentini më tha për Ernest Koliqin: “Ai është ambasadori i denjë i kulturës dhe traditës shqiptare në Itali dhe në botë. Zoti i ka planet e veta me popullin shqiptar edhe në këto rrethana të vështira”.

Prof. Martin Camaj: “Ernest Koliqi është për mua mësues, mjeshtër i fjalës së shkruar, shqiptar i kulluar, njeri që diti t’i afrojë dhe miqasojë njerëzit në mes veti, sidomos shqiptarët e mërguar dhe të shkapërderdhur. Gjithmonë besonte në Zotin dhe në Popullin, në vlerat burimore shpirtërore dhe letrare”

Ndërsa Ernest Koliqi shkruan për Marti nCamaj kështu: “Ardhja e Martin Camajt në Romë më trimëroi me hy edhe nji herë në valle të botimeve. Me bashkëpunimin e tij vëllaznuer dolën në dritë “Shejzat”…. Sillte me vete edhe dishka ma tepër: njomsin agimore të letërsis së Kosmetit… E ndiente veten si pjesëmarrës i ngusht në lëvizjen kulturore t’asaj krahine… Ajo frymë më rinoi e shkaktoi në muenji ringjallje fuqish…” (“Shejzat”, 9-12, 1966, f. 308-309).

Parimi i tij themelor ishte shkollimi, arsimimi, komunikimi i popullit shqiptar me botën dhe i botës me ne. Për këtë shpesh e përsëriste këtë porosi: “Pa dituri s’ka as ardhmëri”.

Ernest Kolqi u dallua edhe si përkthyes shumë i suksesshëm dhe i talentuar. Ja vlerësimi i Atë Cornelio Capizzit, profesor i letërsisë bizantine në Universitetin e Kolnit dhe në Istitutin Oriental në Romë: “Prof. Ernes Koliqi dëshmon njohurinë shembullore të gjuhës poetike italiane, në çdo fshehtësi semantike, tërësinë e fuqisë plastike dhe paraqitëse…” (”Shejzat”, 10-12, 1971, f. 335).

Më përthimet e tija të shkëlqyeshme nga shqipja në italishte dhe anasjelltas afron dhe begaton dukshëm dy gjuhë, kultura dhe popuj.

Dr. Đuro Kokša, Rektori i Kolegjit të “Shën Jeronimit” në Romë, më vonë ipeshkëv ndihmës në Zagreb, thoshte: “Ju shqiptarët keni fat të madh me prof. Ernest Koliqin si përfaqësues i denjë i popullit tuaj në Qytetin e Amshuar. Erudit i vërtetë, njeri i kulturës dhe krijimtarisë, mik i të gjithë popujve”.

Prof. Ernest Koliqi ishte shkrimtar, poet, arsimtar, përkthyes e mbi të gjitha njeri i ngrohtë, zëri i kulturës dhe popullit shqiptar në kohën e “shkretëtirës” dhe rrënimit të pashoq në Shqipëri- urë afrimi, frymëzues për shumë krijues të ri shqiptarë nga Kosova, Italia dhe diaspora.

Duke folur njëherë për dashurinë për popull dhe atdhe, ai më tha: “As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut”.

Zemra e tij u ndal së rrahuri, pas shumë mundimeve dhe mallit për vendlindje, por jo edhe dashuria, e cila vazhdon përmes veprave. Pati një jetë shumë të mundimshme, e ndoshta pikërisht për këtë edhe mjaft të frytshme. Vuajtja, malli, vetmia, bota e huaj nuk ishin për të shkas dëshpërimi, mbylljeje, hutie, dezorientimi, por frymëzim krijimi, pune, dashurie.

Në një bisedë më pati thënë: “Të nderoj dhe të dua shumë për dy arsye, se je meshtar i Jezu Krishtit dhe i Kishës Katolike. Edhe unë e kam pasur një vëlla meshtar, Don Mikelin, të cilin të “patenzonët” ma vranë…(Prof. Ernest Koliqi nuk e dinte se Don Mikeli ishte gjallë dhe se një ditë do të dilte nga burgu dhe do të emërohej kardinal i Kishës Katolike, vr. ime). Arsyeja e dytë pse të dua është, sepse merresh me çështjen e gruas shqiptare, temë gati e paprekur, por shumë e rëndësishme për ne, sidomos me jetën dhe veprën e Nënës Tereze”.

Jetoi dhe vdiq me “sy të çelur”, me mall në zemër, me shpirt të tronditur. Njëherë më tha: “Ne dhe të huaj gjeta Shqipërinë e vogël, ndër Arbëreshët. Në rininë intelektuale, përparimtare kosovare gjeta shpresën e re për ditë më të mira për popullin tonë”.

Familja Gjinolli dhe sundimi i tyre në qytetin e Vrajës

Foto 1. Konaku i Pashës në Vrajë,ku qëndroi pasha dhe quhej selamllëk. Foto 2. Ndërtesa ku jetonin gratë që quhej “Haremlluk”.  Këto objekte, banesa qytetare, njihen si kompleksi më i bukur i ndërtuar në rajon gjatë shekullit XVIII.

Nga Dr. Qazim Namani, Prishtinë

Gjatë shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX, Pashallarët shqiptar qeverisnin si gjysmë të pavarur, e kishin ushtrinë e tyre, mirëpo dhe shpesh herë i harxhonin potencialet e tyre ushtarake, duke luftuar mes veti, për grabitje të pronës, dhe territoreve të njëri tjetrit.

Në vitin 1765 Raif Beg Gjinolli, pasi e kishte shtrirë sundimin e tij në Vrajë, në oborrin e tij i kishte ndërtuar dy ndërtesa luksoze për atë kohë. Ndërtesat ishin ndërtuar në dy kate, dhe në të dy ndërtesat në katin e dytë, në pjesën qendrore ishte ndërtuar salloni, nga një dhomë paksa më e madhe, dhe disa dhoma tjera më madhësi të njëjtë dhe formë simetrike që të gjitha kishin qasje në sallon.

Të gjitha dhomat ishin të punuara me tavan prej druri, të gdhendura dhe zbukuruara me motive të ndryshme. Në ndërtesën e parë, e renditur nga ana jugore, në katin e parë jetonte pasha me gardën e tij mbrojtëse. Në ndërtesën kah ana lindore jetonin gratë. Salloni në katin e parë, në shtëpinë e grave e kishte divanin, në shtrirje gjysmë rrethore. Ndërtesat lidhen mes veti me një galeri, të punuar prej druri, në formë ure, në mënyre që banoret e këtyre objekteve mund të shkojnë, prej një ndërtesë, në ndërtesën tjetër, pa zbritur në katin e parë.

Oborri i këtyre dy ndërtesave, ishte i rrethuar me një mur të lartë, dhe një portë hyrëse. Të dy këto ndërtesa ishin ndërtuar, nga mjeshtërit më të mirë shqiptar, duke u bazuar në shijen e pashës dhe arkitekturën qytetare të kohës.

Pas pushtimit të Vrajës, nga ushtria serbe gjatë krizës lindore, këto ndërtesa u bën shkollë e mesme serbëve.

Në vitin 1960, ndërtesa ku kishte qëndruar pasha, u kthye në muze të qytetit, ndërsa ndërtesa ku kishin qëndruar gratë, në vitin 1993, u bë restorant.

Pashallarët shqiptar që u fuqizuan shumë gjatë shekullit XVIII, krijuan pasuri të madhe nga taksat që i vilnin në popull. Pasi u pasuruan shumë ata zhvilluan jetë të ç’frenuar dhe të mbushur me plotë aventura dhe mizori njerëzore.

Në qytetet ku zotëronin këta pashallarë, pranë objekteve të tyre të banimit, ndërtuan edhe Hane, hamame, dhe objekte tjera publike.

Në hane zakonisht i sillnin që të punojnë vajzat dhe gratë më të bukura, që i mblidhnin te familjet e varura prej tyre. Në çifligjet e tyre po ashtu sillnin familje të varfra, që të punojnë tokat bujqësore për interesat e pashallarëve. Gjatë sundimit të tyre, rreth qyteteve dhe në tokat pjellore, edhe pashallarë e bejlerët tjerë të familjes së Gjinollëve në Kosovën, i sotme sollën shumë familje të varfra shqiptare, të besimit ortodoks në tokat e tyre. Këto familje punuan në çifligjet e tyre, edhe pasi u shua sistemi feudal i pashallëqeve, deri në vitin 1912, kur P.Osmane përfundimisht u largua nga trojet tona. Të gjitha këto familje shqiptare ortodokse, më pas u serbizuan. Shembujt e serbizimit të familjeve ortodokse shqiptare, sot i hasin në tërë territorin e Kosovës së sotme dhe në rajon.

Gjatë përvojës time në terren, për hulumtimin e gjurmëve të trashëgimisë kulturore, kam vërejtur se popullata ortodokse, që ka jetuar gjatë sundimit osman në trevat shqiptare, ishte me origjinë shqiptare, por që me kohë u serbizuan. Si shembull kisha me përmend fshatin Gushtericë afër Janjevës, sot i banuar vetëm me popullatë serbe. Në vitin 2013 në këtë fshat pata rastin të bëjë një hulumtim lidhur me gjurmët e trashëgimisë kulturore në këtë fshat. Gjatë bisedës me banorët, njëri nga banorët e fshatit, pohoi se kur pasha i Gjinollëve, e kishte sjellë familjen e tij në Gushtericë, nga rrethina e Nishit, kjo ishte familja e gjashtë e vendosur në këtë fshat. Një tjetër banorë tha se kur pasha i Gjinollëve na solli në Gushtericë, prej një fshati afër Gjilanit, ishim familja e 14 në fshat.

Siç shihet pasha i Gjinollëve këto familje ortodokse shqiptare, i kishte sjellë në Gushtericë, dhe ju kishin dhënë shumë toka për të punuar. Po kështu kishin vepruar edhe në shumë fshatra tjera ku sundonin Gjinollët.

Pas rënies së pashallëqeve, me përkrahjen e politikës ruse, por edhe nga vet sulltani, dhe Patroarkana e Stambollit, ortodoksët i fituan liritë elementare në religjion dhe në arsim. Me lejen e sulltanit, dhe përkrahjen e Rusisë, në gjysmën e shekullit XIX, për ortodoksët në Kosovë, u hapën shkolla laike dhe seminare kishtare në gjuhën serbe. Pas hapjes së këtyre shkollave, të gjithë ortodoksët shqiptar un serbizuan. Në vitin 1882, në fshatin Gushtericë, është ndërtuar shkolla fillore në gjuhën serbe, ndërsa kisha e fshatit është ndërtuar mbi themelet e një objekti të vjetër arkeologjik.

Pashallarët dhe bejlerët e familjes Gjinolli, me kohë kishin krijuar lidhje të ngushta, me familjet shqiptare ortodokse shqiptare, që punonin në pronat e tyre.

Kjo lidhje ishte forcuar sidomos, kur Maliq Beg Gjinolli i Gjilanit, u martua me Marijen (Bejaze Hëmnin), e cila ishte bijë e një familje ortodokse shqiptare, që më parë ishte sjellë të punojë në pronat e tij. Maliqi me Marijen i kishin dy fëmijë, Hamdiun dhe Jasharin.

Bejaze Hanmi ishte bijë e një familje ortodokse shqiptare, që Gjinollët e Gjilanit e sollën në fshatin Pasjan. Gjinollët kanë sjellë mjaftë shumë familje ortodokse në çifligjet e tyre në shumë fshatra të Kosovës. Në ato vite ata dërgonin, për të punuar vajzat e bukura në hanet e qyteteve, por Bejaze Hanmin për bukurinë e saj që e kishte Maliq Beu e mori për grua. Në fshatin Pasjan Maliq Beg Gjinolli e ndërtojë kishën për hir të dashurisë që kishte ndaj të bardhës Bejaze Hanmit. Bejaze Hanmi (Hëmni) ishte nëna e Jashar Pashë Gjinollit, që më vonë jetoi në Prishtinë. Për fat të keq pas rënies nga pushteti të familjes Gjinolli, të gjitha këto familje ortodokse shqiptare, që u vendosën në pronat e tyre u serbizuan.

Foto 1. Kisha e ndërtuar nga Maliq Beg Gjinolli, për hatër të Bejaze hanmit, në fshatin Pasjan, Komuna e Gjilan, Foto 2. Gurë varrezash të vjetra në kompleksin e varrezave të kësaj kishe.

Lidhjet e ngushta me familjet ortodokse shqiptare, vazhduan edhe më vonë, edhe në pashallëqet tjera shqiptare, ku sundonin pashallarët e familjes Gjinolli.

Kjo praktikë e bashkëpunimit dhe veprimit, me ortodoksët shqiptar brenda territorit të pashallëqeve, vërehen më së miri, në politikat e brendshme dhe të jashtme që i zhvillonte Hysen Pashë Gjinolli i Vrajës.

Në fillim të shekullit XIX, sundimtar në pashallëkun e Vrajës ishte Zempre Qorr Mehmet Pashë Gjinolli. Gjatë sundimit të tij, popullata në sanxhakun e tij, jetonte në presion të madh, nga vjelja e taksës, dhe përjetonte dhunë në forma të ndryshme prej tij. Ky pasha gjatë sundimit të tij, njihej si njeri i prirë për lukse, aventura dhe shtypje të popullatës. Në vitin 1815, ky pasha duke mos mundur të udhëheq më tutje, këtë e zëvendësojë djali i tij i madh Rashit Beu. Pas dy viteve, Rashit Beu dha dorëheqje, dhe qeverisjen ja dorëzoi vëllait të tij Hysenit.

Hysen Pashë Gjinolli, nën ndikimin e Patriarkanës së Stambollit, dhe mitropolit të saj në Shkup, ortodoksëve në sanxhakun e tij ju dha mjaftë liri. Ai i zbatonte marrëveshjet e arritura në mes të Rusisë dhe P. Osmane. Hysen Pasha duke mbajtur raporte të mira me mitropolinë e Shkupit dhe Milosh Obrenoviqin, ortodoksëve në sanxhakun e tij ju jepte privilegje, atyre nuk ju merrte armët edhe kur urdhërohej nga Sulltani. Hysen Pasha dhe Millosh Obrenoviqi, gjatë kësaj periudhe shkëmbenin dhurata të ndërsjella mes veti.

Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët ishin të organizuar në fise, bajraqe, fe e klane që në masat e gjëra të popullit nuk kishte ndonjë unitet, por ishin njëfarë urrejtje mes këtyre grupeve të interesit, andaj P. Osmane arrinte që ti shuaj kryengritjet e tyre.

Për ti shuar kryengritjet shqiptare, P. Osmane i vrau qindra bejlerë shqiptarë dhe një numër i madh i tyre u internuan në Azinë e Vogël. Shqipëria që ndahej në veri, ku jetonin gegët dhe në jug të banuar me toskë shpesh herë kishin mos pajtime mes veti, për të arritur një organizim gjithë kombëtar. Këto mospajtime i përkrahte pushteti osman. Sulltani nuk lejonte unitetin e bejlerëve dhe pashallëqeve shqiptare. Kjo ndikoj që shqiptarët e veriut nuk bashkoheshin në të njëjtën kohë, me lëvizjet shqiptare në jug dhe anasjelltas.

Gjatë kryengritjeve shqiptare 1826-1832, Hysen Pasha dukej se nuk e kundërshtonte sulltanin, por në anën tjetër bashkëpunonte edhe me kryengritësit shqiptar. Në vitin 1829, Hysen Pasha mblodhi ushtarë, për ta ndihmuar kryengritjen e Mustafa Pashë Bushatliut. Pas paqes së Edrenës 1829, Hysen Pasha ju dha liri edhe më të mëdha popullatës ortodokse, që jetonin në pashallëkun e tij. Hysen Pasha, rinovoj kishat e vjetra, dhe ndërtoj disa të reja për ortodoksët, dhe për këtë nderohej dhe merrte lëvdata. Në këtë periudhë Hysen Pasha, i kishte disa mos marrëveshje, me mitropolinë Gavril në dioqezën e Shkupit.

Në gjysmën e parë të shekullit XIX ishte arritur kulmi i kryengritjeve shqiptare.

Kryengritjet shqiptare të udhëhequra nga Mustafa Pashë Bushatliu, gjatë viteve 1826-1832, u shuan. P. Osmane, pas ngadhënjimit ndaj kryengritësve shqiptarë, i shtoi taksat dhe fillojë të mbledhë nizam për ushtrinë e rregullt të sulltanit.

Pashallarët shqiptar që ju nënshtruan sulltanit, i ashpërsuan presionet ndaj popullit shqiptar, për të vjelë taksa dhe rekrutuar nizam, kjo ndikojë që të shtohet urrejtja e popullit ndaj tyre.

Mitrolpoli i Shkupit, e paditë Hysen Pashën në Stamboll. Duke u bazuar në padinë e mitropolit Gavril, Hysen Pasha, në vitin 1835 thirret nga sulltani, që të shkojë në Stamboll. Pasi shkojë në Stamboll, sulltani kërkojë nga ai të ju bindej urdhrave të sulltanit, për zbatimin e reformave, dhe të mos ndërhyjë në punët e kishës dhe popullatës ortodokse.

Edhe përkundër gjithë këtyre presioneve të shtuara popullata shqiptare, nuk u dorëzua, por fillojë të ri organizohet, për të kundërshtuar reformat e tanzimatit, të vitit 1839. Kryengritjet që vazhduan në këtë kohë, nuk udhëheqshin nga pashallarët dhe feudalët e mëdhenj shqiptar, por në krye të lëvizjeve dolën klerik fetar, dhe disa nga ajanët e fshatrave dhe qyteteve shqiptare.

Me qenë se Hysen Pasha në kalanë e Vrajës, për sigurinë e tij e mbante një numër mjaftë të madh të shqiptarëve ortodoks, nga trevat jugore të Shqipërisë, në vitin 1839, kishte dhënë leje për ndërtimin e një kishe në Vrajë. Për ndërtimin e kësaj kishe, kishte pasur mjaftë reagime prej popullatës myslimane të qytetit, e të cilët filluan ti përkrahin kryengritësit shqiptar që kishin filluat të organizohen në rrethinën e Vrajës.

Rëndësi të veçantë pas shuarjeve të kryengritjeve që i drejtonte Mustafa Pasha, kanë, kryengritjet e viteve dyzeta të shekullit XIX, që në fillim u përfshinë shqiptaret e Kosovës, Maqedonisë së sotme, Çamërisë, Labërisë dhe gjithë trevave etnike shqiptare

Po ashtu gjatë kësaj kohe u zhvillua mjaftë shumë bektashizmi, duke u bërë si fe e tretë në trojet shqiptare, e që shpesh promovonin ideologji, për autonomi të veçantë fetare e kulturore. Bektashizmi ishte zhvilluar edhe ne Leskoc, Vrajë, Bujanoc e Preshevë, forcimi i tyre, nuk i pëlqente Hysen Pashë Gjinollit.

Në vitin 1841, Hysen Pashës prej sulltanit, ju kishte dorëzuar programi i reformave për shfuqizimin e marrëdhënieve feudale, dhe ndryshimin e administratës.

Popullata shqiptare ngriti shpesh krye, kundër Hysen pashës edhe pse ky ishte më origjinë shqiptare, për shkak se ky pasha ishte i pangopur për prona dhe para. Hysen pasha, e mundonte shumë popullatën, i shtinte me dhunë të punojnë në tokën e tij, shpesh i përvetësonte me dhunë pronat e fshatarëve dhe bejlerëve tjerë, duke i bashkuar me çifligjet e tij. Me plaçkën që e bënte në popull, ai e kishte krijuar një pasuri të madhe, por edhe kishte lejuar që të zhvillohet shkala e amoralitetit, që i kishte prekur të gjitha shtresat e popullatës, në qytetin e Vrajës.

Nga burimet serbe, kuptojmë se, në prag të kryengritjes së popullatës, për motive të ulëta morale, në Vrajë një njëri e vranë një pop. Popin e kishte vrarë një njeri që kishte ardhur të jetoi në Vrajë nga fshati Konqul. Flitej se arsyeja e vrasjes së tij kishte qenë, provokimi i popullatës myslimane, për shkakun e shitjes së mishit të derrit në çarshinë e Vrajës. Si duket kjo ngjarje është shtrembëruar nga studiuesit serbë, duke u munduar që kësaj vrasje ti japin motive politike, fetar e nacionale, andaj ky version i vrasjes së popit, bien desh me shkrimet e studiuesve tjerë serioz.

Nga Aleksandër Matkovski, për këtë rast kuptojmë se, Hysen Pashë Gjinolli në këtë kohë, e vari një prift dhe dy turkesha imorale. Nga kjo e dhënë kuptojmë për shkallën e degjenerimit dhe amoralitetit, që zhvillohej gjatë sundimit të Hysen Pashës në qytetin e Vrajës. Për këto arsye dhe sjelljeve të Hysen Pashës, në qytetin e Vrajës dhe në fshatra, ishte krijuar një urrejtje e madhe ndaj tij.

Rexhep Selimi në shkrimet e tij për Vrajën dhe Preshevën, jep disa të dhëna, për karakterin e ulët të Hysen Pashë Gjinollit. Mes tjerave ai shkruan se Hysen Pasha i Vrajës, në vitin 1842, kishte kaluar nëpër çifligjet e Sheh Selimit, në fshatin Tabanoc. Duke i parë tokat pjellore, me kopshte të rregulluara mirë, kroje dhe lum të bukur, nga lakmi për të ja marrë dhe motivet e xhelozisë, i paguan dy shqiptarë që në pabesi ta vrasin Sheh Selimin. Shqiptarët e paguar njëri ishte prej Preshevës, ndërsa tjetri nga fshati Norçë. Në muajin gushtë të vitit 1842, këta të dytë e vrasin një sheh tjetër në fshatin Tanaboc, duke menduar se e kanë vrarë sheh Selimin. Në atë kohë Sheh Selimi kishte qenë në Stamboll. Sheh Selimi kur kthehet prej Stambolli, dhe kuptohet se ai nuk është vrarë, Hysen Pashë Gjinolli i revoltuar, e ftojë Sheh Selimin që të shkojë në sarajet e tij. Sheh Selimi duke e parë se po i përgatitej tradhtia, duke mos u pajtuar me sjelljet e pashës, vendosi që ky vet ta vrajë Hysen Pashë. Para shkuarjes te Hysen Pasha, Sheh Selimi, e njofton një mikun e tij në Bujanoc, për vendimin që e kishte marrë për ta vrarë pashën në sarajet e tij. Sheh Selimi kur ofrohet të sarajet e pashës, pa e pyetur fare rojën e parë dhe të dytë hynë brenda. Porsa hynë brenda roja e tretë e pengon Sheh Selimin që të hyjë te Hysen Pasha. Sheh Selimi nga zemërimi, hap zjarr duke i plagosur rojën dhe Hysen Pashën. Një roje tjetër, në ato momente, me shpatë i prenë kokën Sheh Selimit. Sheh Selimi me kokën e prerë varroset në tyrben e Preshevës.

Në varrimin e Sheh Selimit, kishin shkuar mjaftë shumë qytetarë nga Vraja, Bujkanoci e Presheva. Gjatë ceremonisë së varrimit, para masës u shpreh revolta, ndaj Hysen Pashës dhe pushtetit osman. Në varrim revoltën ndaj pashës u organizua nga Bajram Vaksinca, Sylejman Tali, Selman Rogoçica, Selim Marku, Ymer Presheva, Sheh Hyseni, Sheh Salihu, dhe bejlerë e ajanë tjerë të kësaj ane.

Për sjelljet e Hysen Pashës dhe mllefin e shprehur për vrasjen e Sheh Selimit, nga popullata shqiptare e asaj ane është kënduar edhe një këngë:

Hysen Pasha faqe zi

E mbyte shehun për pasuri

Sheh Selimi nuk ka vdekë

Pritna Vrajë çka ka me të gjet.

Kjo ngjarje ndikojë shumë, që në kryengritjen e Dervish Carës. të përfshihen po thuaj e gjithë popullata shqiptare e asaj treve.

Kundër sjelljes së Hysen Pashës, u rreshtuan edhe vëllai i tij Rashit Beu, gruaja më e vjetër në kompleksin e tij, Hanama, Mesin Beu, Kara Agush Beu, dhe disa bejlerë tjerë shqiptar, që së bashku me popullin, e filluan komplotin për të ja marrë pushtetin Hysen Pashës.

Në vitin 1843, kurë porta e lartë, e proklamojë Hatisherifin e Gjylhanes në Kosovë, kjo nuk u prit mirë nga popullata shqiptare, menjëherë filluan trazirat dhe popullata u ngrit në kryengritje. Në fillim qendra e kryengritjes u bënë sanxhaku i Shkupit dhe ai i Prizrenit. Zemërimi i madh i shqiptarëve ishte shtuar, kur përveç shtimit të madh të taksës, regrutimit të dhunshëm në ushtrinë osmane, porta e lartë fillojë zëvendësimin e feudalëve shqiptar, me funksionar osman dhe, shtimin e masave represive për islamizimin e popullatës dhe osmanizmin e administratës.

Për shkak të këtyre masave rezistenca e shqiptarëve erdhi duke u zgjeruar, dhe në fund të vitit 1843, ajo fillojë të përhapet në të gjitha trevat shqiptare. Në fillim të vitit 1844, kryengritjet shpërthyen në qytetin e Prishtinës, dhe me të shpejtë u zgjeruan edhe në qytetet tjera shqiptare. Kryengritësit, pasi i bllokuan që të veprojnë forcat ushtarake osmane arritën që ti çlirojnë disa qytete të Kosovës së sotme dhe të Maqedonisë së sotme.

Sipas burimeve arkivore serbe dhe një tregtari nga Aleksincci, të quajtur me emrin Gjorgje, i cili prej datës 12-24 prill të vitit 1844, kishte udhëtuar deri në qytetin e Manastirit, ai kishte treguar se rruga në ato vise ishte bërë e pasigurt prej kryengritësve shqiptar. Sipas rrëfimeve të tij midis Velesit dhe Shkupi në atë kohë ishin mbledhur rreth 8000 kryengritës shqiptar. Siç duket ku nuk kishte qenë ndonjë tregtar, por ishte ndonjë agjentë serbë që e kishte pasur si detyrë të jap informata për zonën në mes të Nishit dhe Manastirit, dhe për këtë kishte shkuar në Manastit, ku ishte koncentruar ushtria e sulltanin. Të rikujtojmë këtë se edhe princi Millosh Obrenoviqi në vitin 1830, e kishte dërguar një informator të vetin, kur Reshid Mehmed Pasha i kishte thirrur në një takim të gjithë pashallarët dhe feudalët e mëdhenj të rajonit.

Qendra e kryengritjes së atyre viteve u bë qyteti i Shkupit, nën udhëheqjen e Dervish Carës, Dervish Podës, Dervish Kapos etj.

Kryengritësit shqiptar në fillim të vitit 1844 arritën që të çlirojnë: Shkupin, Prishtinën Tetovën, Quprilinë, Prilepin dhe ju ofruan Manastirit.

Në vitin 1844, gjatë zhvillimit të kryengritjeve ishin ngritur edhe shqiptarët e Nishit, mirëpo për ti shuar kryengritjet porta e lartë, atje menjëherë e kishte dërguar ushtrinë e rregullt të sulltanit të cilën e udhëhiqte Sabri Mustaf Pasha.

Hysen Pasha Gjinolli, i cili zotëronte pronat në të dy anët e Moravës jugore nga Vraja e deri në Bujanoc. Banorët e Vrajës, Bujanocit dhe të Preshevës u ngritën në kryengritje shpesh herë kundër këtij pashai i cili ishte i pangopur për aventura dhe prona. Hysen Pasha për tu mbrojtur prej kryengritësve shqiptar në Vrajë kishte sjellë shqiptar ortodoks dhe mysliman të paguar nga rrethi i Janinës.

Nën udhëheqjen e Festolit, kryengritësit nga Tërnoci, Selam Rogoqica, Ymeri nga Presheva, dhe bejlerët e ajanët tjerë nga Presheva, Bujanoci e Vraja, në vitin 1843, popullata u organizua në kryengritje, dhe e përmbysen sundimin e Hysen Pashës në Vrajë.

Në maj të vitit 1844, rreth 15.000 kryengritës shqiptar nga zonat e Leskocit, Vranjës, Kumanovës, Gjilanit, Shkupit, Tetovës, Gostivarit dhe malësia e Galabit, hynë në qytetin e Vrajës, dhe e dëbuan Hysen pashën e Vranjës. Me këtë fitore kryengritësit shqiptare e krijuan një zonë të lirë prej Leskoci e deri në Gostivar.

Sipas informatave të konsullit anglez i cili raportonte nga Selaniku, me 20 tetor 1844 kryengritësit shqiptar hynë për herë të parë në Vrajë.

Me datën 3-6 prill të vitit 1844 kryengritësit shqiptar hynë në Vrajë, kurse Hysen Pasha me 800 shqiptarët e sjellë nga jugu u koncentrua në kalanë e Vrajës. Duke e parë rrezikun nga kryengritësit shqiptar, Hysen Pasha e braktisi kalanë e Vrajës dhe kaloi në Veles.

Për ti shuar këto kryengritje, porta e lartë dërgojë forca të mëdha ushtarake në trojet shqiptare. Në shkurt të vitit 1844, forca të mëdha ushtarake u dërguan në Shqipërinë e Jugut, e veçanërisht në qytetin e Manastirit.

  1. Osmane për shuarjen e kryengritjes shqiptare e kishte autorizuar Omer Pash Latasin, ai ishte një renegat ortodoks i lindur në Ogulin të Kroacisë. Emri i vërtet i tij ishte Mihajl Latasi i cili më pas e pranoi islamin dhe e mori emrin Omer Pashë Latasi, i cili e kishte gradën e gjeneralmajorit dhe i bëri shërbime të mëdha ushtrisë osmane. Në enciklopedinë greke e osmane shkruan se ka lindur në Plashkë të Kroacisë. Babain e kishte pas nën oficer në ushtrinë austriake dhe kur ka lindë e pagëzuan Mihajl Latas. Përveç gjuhës kroate ai e mësoi shpejtë gjuhën gjermane, italiane, dhe frënge dhe pak gjuhën angleze. Mihajli shërbeu si oficer në ushtrinë austriake por në vitin 1827 ai u arratis në territoret osmane. Në fillim u strehua te Haxhi Ali Bujiqi në Banjallukë. Ai në Banjallukë e pranoi fenë islame, synetin dhe e mori emrin e ri Omer Lutfi Efendi. Pas qëndrimit dy vjeçar në Banjallukë ai u vendos në Vidin, e pastaj shkoi ne Stamboll si profesor i vizatimit në shkollën ushtarake. Ai në Stamboll shkoi në vitin 1834, ndërsa në vitin 1838 e mori gradën kolonel. Pasi u gradua Omeri dërgohet në Siri të luftoi kundër Ismajl Pashës dhe Mehmed Aliut me origjinë shqiptare nga Egjipti. Pas ngadhënjimit të tij në Siri ku i dha fund sundimit të Mehmed Aliut e mori gradën gjeneral. Në fund të vitit 1843 ai nga porta e lartë dërgohet për të shuar kryengritjet shqiptare që kishin filluar nën udhëheqjen e Dervish Carës.

Omer Pashë Latasi hynë në Vrajë, pasi e lexojë para popullatës ligjin dhe rendin, e shfuqizon pashallëkun e Vrajës, duke e krijuar kazan e Vrajës nën udhëheqjen e një kajmekami.

Pas këtij nënshtrimi ushtarët osman u lanë të lirë që të bëjnë çka të donin me popullatën shqiptare, kështu që në fshatin Tërnoc dhe disa fshatra tjera përveç plaçkës ushtarët osman çnderuan edhe gratë e vajzat e popullatës shqiptare.

Gruaja më e vjetër në konakun e Hysen Pashës, Hanuma Plaka, Omer Pashës ja ofroi konakun e saj, i dha shuma të mëdha të parave, dhe ja dhuroi një palë rroba ari të burrit të saj.

Hysen Pasha pas 10 apo 12 ditësh vdes në Veles, flitet se është helmuar, por nuk dihej saktësisht si është helmuar. Autoritetet osmane e përhapën lajmin se e ka helmuar e shoqja me ushqimin që ja dërgoi nga Vraja, por ekzistojnë burime tjera që tregojnë se Hysen Pashën, e helmuan autoritetet osmane me kafe.

Omer pasha, pasi hyri në Vrajë me 18 qershor 1844 dhe me ushtrinë e tij fillojë sulmet nëpër fshatrat shqiptare midis Vrajës dhe Leskocit, duke i kapur udhëheqësit e kryengritjes. Në mesin e udhëheqësve tjerë që u dorëzuan ishte edhe Baba Feka dhe Sejdi Menxha, të cilët të lidhur së bashku me 200 kryengritës tjerë të kësaj ane u dërguan në Stamboll.

Kryengritrja e Dervish Carës u përhap edhe në Leskoc. Kundër kryengritësve në komandën e Hajredin Pashës ishin dërguar5000 nizam të pajisur me 20 topa. Të nxitur nga osmanët Dalip Beu e Shaban Beu me 3000 shqiptarët e jugut i sulmuan shqiptarët e veriut që ishin ngritur në kryengritje që e organizoj Dervish Cara. Ismajl Pasha nga Leskoci e ndihmonte Dervish Carën së bashku me kryengritësit e udhëhequr të kësaj ane në krye me Sejdi Menxhën dhe Babën Fekë. Pasha i Leskocit kryengritësit i furnizonte më ushqim dhe kuaj. Kryengritësit shqiptar ndiqeshin nga ushtria osmane dhe shqiptarët e jugut të udhëhequr nga Omer Pash Latasi. Kur ushtria e Omer Pashës hyri në Leskoc me 20 qershor 1844 ajanët e Leskocit ju bënë pritje ushtrisë së sulltanit, ju përgatitën ushqime dhe 15.000 dhe ju dorëzuan të gjitha parat që i kishin mbledhur në popull për organizimin e kryengritjes. Me 5 Prill 1845 Ismajl Pasha i Leskocit u kap dhe me tërë familjen e tij u dërgua në Azinë e Vogël, të cilët u zhdukën pa lënë gjurmë.

Gjatë kësaj përndjekje ushtria osmane në Leskoc nguli 50 hunj për ngulitjen e kryengritësve.

Pas nënshtrimit të kryengritësve në muajin qershor të vitit 1844, prapë në vjeshtën e po këtij viti, popullata e Dibrës, u ngrit në kryengritje kundër ushtrisë së sulltanit që udhëhiqej nga Hajredin Pasha.

Bazuar në burimet e Th. Ippen, kryengritësit shqiptar të vitit 1844, para portës së lartë kishin parashtruar kërkesë, për të drejtat e tyre autonome, ashtu si i gëzonin serbët në atë kohë.

Kryengritjet shqiptare vazhduan edhe në vitet tjera në vijim. Në vitin 1845, ushtria e rregullt e sulltanit, ndërmori ofensivë për çarmatosjen e popullatës shqiptare. Kundër kësaj ofensive, shpërthyen kryengritje në qytetin Gjakovës me rrethine, ku ishin mbledhur 8000 kryengritës, nën udhëheqjen e Binak Alisë dhe të Sokol Ramës.

Kryengritjet shpërthyen edhe në Shqipërinë e jugut, kur Reshid Mehmed Pasha, dhe feudali renegat shqiptar Hysen Pash Vrioni, tentuan ta shtrijnë aksionin e çarmatimit të popullatës shqiptare edhe në jug. Ndaj aksionit të ushtrisë osmane për çarmatosjen e popullatës shpërthyen kryengritje në berat dhe në Gjirokastër.

Në korrik të vitit 1844, kryengritjet shqiptare shpërthyen edhe në Kurvelesh nën udhëheqjen e Zenel Gjonlekës, në Berat nën udhëheqjen e Rrapo Hekalit. Kryengritësit nën udhëheqjen e Zenel Gjonlekës e çliruan Delvinen, Butrintin, duke e krijuar një zonë të lire në rrethinën e Gjirokastrës. Po ashtu edhe Rrapo Hekali e krijojë një zonë të lirë në rrethinën e Beratit. Në këtë kohë në kryengritje u ngritën edhe Labëria, Çamëria, Myzeqeja dhe rrethina e Vlorës. Për shuarjen e këtyre kryengritjeve porta e lartë në vitin 1847 dërgojë forca të mëdha ushtarake nga Manastiri, Janina, Himara e Thesalia. Vetëm nga Manastiri u dërguan rreth 15.000 ushtar. Ushtria osmane në zonat e kryengritjeve dogji shumë fshatra , arrestojë shumë shqiptar dhe shumë prej tyre i internojë në burgjet osmane. Gjatë këtyre masave ndëshkuese për kryengritjen e shqiptarëve, osmanët, i dëbuan edhe jezuitët nga qyteti i Shkodrës, të cilët me ndihmën e konsullit austriak, atje kishin shkuar për hapjen e një kolegji.

Edhe pse kësaj kryengritje në veri i prinë klerik mysliman, nga raportet franceze të kohës, mësojmë se kryengritjen e armatosur e përkrahën mirditorët edhe kelmendasit, e besimit katolik të cilët u solidarizuan me vëllezërit e tyre mysliman.

Pas thyerjes së kryengritjeve shqiptare në Katllanovë, ushtria osmane marshoi drejtë veriut, dhe sipas disa burimeve të kohës, thuhet se vetëm në qytetin e Vrajës, ishin mbledhur 10.000 ushtarë të rregullt të ushtrisë perandorake. Gjatë qëndrimit të tyre në këto anë, ata bënë tortura, dogjën, fshatra të tëra shqiptare, u imponua me dhunë dorëzimi i kryengritësve, dhe u kërkua që përfundimisht të hiqet dorë nga kriptokatolicizmi i popullatës shqiptare në malësinë midis Nishit, Prishtinës dhe Shkupit.

Duhet theksuar se popullata shqiptare e malësisë së Galabit në veri-perëndim të Vrajës i kishte përballuar myslimanizmit të plotë deri në ato vite.

Ushtria e rregullt e sulltanit, e dërguar në trojet shqiptare, ndërmerrte masa çnjerëzore, dhe bënë presion shumë të madh ndaj kriptkatolikve shqiptar në Shqipërinë veriore, me qëllim që të shtoi zhvillimi e procesit të islamizimit të popullatës shqiptare.

Gjatë viteve 1843-1846, u shtuan masa të posaçme ndaj shqiptarëve që paraqiteshin si mysliman të rrejshëm (kriptokatolik të fshehtë).

Masa të ashpra u zbatuan sidomos ndaj popullatës kriptokatolike në fshatrat e Malit të Zi, në anën jugore të Gjilanit.

Për shkak të rezistencës që ta pranojnë më dhunë procesin e myslimanizmit, banorët e këtyre fshatrave malore, u arrestuan nga feudalët shqiptar me ndihmën e ushtrisë së sulltanit. Feudalët shqiptar i mbushen burgjet me të burgosur, i torturuan dhe të lidhur në pranga e s’ngjire i dorëzuan të ushtria osmane, të cilët u internuan si kundërshtar të islamizimit në Filadorë të Azisë së Vogël.

Në internim u dërguan 207 shqiptarë, të cilët gjatë rrugës pësuan tortura më barbare që njeh historia nga ushtria e sulltanit. Nga torturat e shumta shumë prej këtyre shqiptarëve të arrestuar vdiqën rrugës për në Filador dhe në burgjet osmane. Pas tri viteve të qëndrimit në burgjet e P. Osmane, me ndërhyrjen e diplomacisë franceze, arritën që të kthehen në vendlindje vetëm 102 shqiptar.

Elida Jorgani nga ky burim: Wellington Independent, Volume II, Issue 125, 23 December 1846, Page 4, sjellë të dhëna për dhunën që e ushtronte Selim Pasha, gjatë vitit 1846, ndaj shqiptarëve të besimit katolik në rrethinën e Gjilanit.

Përndjekja e të krishterëve të Turqisë (Shqipëria ishte pushtuar nga Perandoria Osmane).

Të krishterët që banojnë në Shqipëri, kohët e fundit, po vuajnë një trajtim mizor nga Pashai i krahinës, sepse nuk pranuan të braktisnin besimin katolik dhe të bëheshin myslimanë. Një numër i katolikëve në Gjilan janë burgosur, ku njëri prej tyre, Agostin Stublla ishte lidhur me zinxhirë nga qafa dhe këmbët, dhe vdiq në burg si pasojë e keqtrajtimit që iu bë. Shtatë familje në Gjilan, që e pranuan fenë islame u dërguan në Shkup, ku 23 kryefamiljarë të familjeve katolike ishin burgosur për shkak të mosbindjes; nga këta, shtatë vetë ishin të paaftë për të duruar vuajtjet dhe ndoqën shembullin e familjeve nga Gjilani. E megjithatë, gjashtëmbëdhjetë kryefamiljarët e tjerë, mbetën të vendosur deri në fund, për të sakrifikuar gjithçka për fenë e tyre. Ata rriheshin çdo ditë me kamxhik, iu jepej pak ushqim dhe mbaheshin të lidhur me zinxhirë te muret e burgut. Selim Pashai u tërbua nga qëndresa e të dënuarve dhe urdhëroi, që familjarët e tyre të ecnin nga Gjilani në Shkup në një udhëtim tetë ditor, me duar të lidhura pas shpine, pa i përjashtuar fëmijët dhe gratë shtatzëna. Me mbërritjen e tyre në Shkup, të gjithë u burgosën. Një numër i misionarëve të Krishterë janë të burgosur gjithashtu në Shkup, ku shtatë prej tyre ranë Martirë të besimit të tyre. Misionarët Apostolikë të Dalmacisë ndodhen në mesin e këtyre të burgosurve. Konsulli Austriak në Shkodër i ka çuar zyrtarisht një kërkesë Selim Pashës, për lirimin e tyre. 30 deri 40 familje të Krishtera, u larguan nga Shqipëria për në Selanik, për t’u vendosur në Michalitsch. — Trieste Observer. (Huazuar të përkthyer nga Elida Jorgani).

Fshati Bresalc , komuna e Gjilanit është ndër fshatrat që e pranoi myslimanizmin me dhunë pas reformave të tanzimatit në shekullin XIX. Banorët e Bresalcit e rikujtojnë Ramadan Sylën i cili i kishte pasur dajë katolikët e fshatit Brus, komuna e Lipjanit. Sipas Rrahim Sylës (haxi) i lindur në vitin 1927, kujton se një bashkë fshatari tij nga Bresalci, Fetah (Rexhep) Hoxha i thoshin katolik pasi që dajallarët i kishte po ashtu në Brus. Ai po ashtu tregonte se banorët e Bresalcit i kishte islamizua me dhunë Ramadan Pasha (Syliqi). Ndër toponimet që ruhen në Bresanc ne po veçojmë: Guri i kishës dhe Kroi Plak

Enver Hasani nga Bresalci tregoi për mënyrën e myslimanizmit të fshatit. Një ditë pasi zyrtarët turq i kishin tubuar fshatarët dhe ju bënin presion ta pranojnë myslimanizmin, fshatarët u detyruan të ju nënshtrohen urdhrave të tyre. Në momentin kur fshatarët ishin tubuar në qendër të fshatit, aty ku sot është xhamia kishte pasur edhe reagime kundër zyrtarëve osman pasi ata filluan ndërtimin e xhamisë. Ai thotë se ka qene një fshatar katolik i quajtur Joza e i cili e kishte marrë me vete një guri prej kishës dhe shkon në tubim pasi është ndërtuar xhamia. Joza e kishte lëshuar gurin në tokë te dera e xhamisë dhe i kishte vënë të dy duart në derë të xhamisë, duke ju drejtuar zyrtarit osman. Turko me prishë një vakëf dhe me e ndërtuar një tjetër nuk bënë. Kur e dëgjojnë kështu për të mos u acaruar gjendja pleqtë e fshatit e sulmojnë. Ai i revoltuar e merr familjen e tij dhe vendoset të jetojë në Janjevë. Banorët e rikujtojnë se ky ishte latini (katoliku) i fundit i cili është shpërngulur nga Bresalci. Më vonë thuhet se kjo familje është shpërngulur në Kroaci dhe është asimiluar në kroat. Nga ditari im i punës në terren 17.05.2003.

Trungu familjar i disa familjeve nga Bresalci

Enver Hasani                              Milaim Uruqi                   Rrahim syla

Bushi                                           Sadriu                             Asllani

Hetemi                                             Shefkiu                              Halimi

Sejfiu                                            Mehmeti                            Shabani

(Katolik)                                      Haziri                                Beka

(katolik)                            Behluli

Zeka i Lekës (katolik)

Bazuar nga rezultatet e hulumtimeve në terren është vërtetuar se një numër i konsiderueshëm i fshatrave që sot ndihen si fshatra me poplat serbe në rrethinën e Gjilanit, Artanës dhe Dardanës, deri në këtë periudhë ishin shqiptarë të besimit katolik, por nga presionet kaluan në fenë ortodokse dhe u serbizuan.

Në fshatin Jasenovik, komuna e Artanës edhe sot pranë shtëpisë së një familje serbë janë themelet e një kishe katolike. Po ashtu të besimit katolik ishin edhe banorët e Shtrazhës, Makreshit të Epërm, Tirincës, Vaganeshit e fshatra tjera, të cilët për ti shpëtuar dhunës, duke mos mundur që ta pranojnë islamizimin, u kthyen në besimin ortodoks dhe më vonë u serbizuan.

Në këto rrethana të procesit të dhunshëm për islamizimin e shqiptarëve, diplomacia evropiane dhe françeskanët nuk patën mundësi, që ta përcjellin gjendjen e popullatës shqiptare kriptokatolike në zonat e thella malore.

Gjatë fushatës së arrestimeve të kryengritësve shqiptarë në anën veriore të Prishtinës, zonën e Kushumlisë, Krushecit, Prtokuplës, Nishit, Leskocit, dhe Vrajës, françeskanët nuk mund të kishin ndonjë informatë për fatin e shqiptarëve në ato treva. Popullata shqiptare kriptokatolike në zonat në mes të këtyre qyteteve, nga masat represive të ushtrisë së rregullt osmane, përfundimisht u detyrua që ta pranojnë islamizimin në familjet e tyre.

Një pjesë e popullatës shqiptare e këtyre anëve, duke mos mundur ta pranojnë islamizimin u detyruan që të shpërngulen në zonën e Nishit, Aleksincit, Qyprisë dhe qyteteve tjera ku presioni i ushtrisë osmane ishte me i vogël.

Sipas njoftimeve të Tihomir Djordjeviq, shkruan se numrin më të madh të tyrqve në Beograd e përbënin arnautët. Ai po ashtu shkruan se edhe ne Aleksinc dhe në Qypëri shqiptarët kanë jetuar shumë kohë më përpara. Mes tjerash Tihomiri njofton se në vitin 1821, në Qypëri vijnë për të jetuar   edhe 15 familje shqiptare. Kjo ndjekje e shqiptarëve nga malet e Galabit, kishte ndodhur për shkak të pjesëmarrjeve në kryengritje dhe represalieve të ashpra të ushtrisë osmane ndaj tyre. Po ashtu një numër i madh i familjeve shqiptare ortodokse nga fshatrat e Artanës, Dardanës, Gjilani dhe viseve tjera shqiptare, gjatë kryengritjeve të viteve dyzeta të shekullit XIX, u shpërngulën në zonën në mes të Nishit Prokuples dhe Leskocit ku presioni i ushtrisë osmanë ishte më i vogël. Në anën tjetër serbët të shtyrë nga politika ruse stimuloheshin që të lëvizin në drejtim të Krushecit, Qyprisë, Aleksincit me qëllim që të shtojnë ndikimin e tyre në qytetin e Nishit.

Shqiptarët e zonës së Krushecit, Prokuples, e të cilët që nga fillimi i kishin përkrahur, lëvizjet e kryengritjeve shqiptare, nën udhëheqjen e Mustafa Pashë Bushatliut, e kundërshtonin lëvizjen e serbëve ndaj vendbanimeve të tyre. Bazuar në dokumentet arkivore serbe Sadullah Brestovci shkruan se në fshati Gërgur të Arnautkllukut, agjentët serbë e kishin vrarë një spahi shqiptar. Si reagim ndaj kësaj vrasje në krushec ishin mbledhur për të kundërshtuar 5000 shqiptar.

Është me rëndësi të ceket se gjatë gjithë kryengritjeve shqiptare që u zhvilluan gjatë shekullit XIX, popullata shqiptare, kriptokatolike e zonave më të thella veriore shqiptare, u bashkuan me kryengritësit, pa marrë parasysh se kush i udhëhiqte kryengritjet, pashallarët apo klerikët mysliman shqiptar. Kjo u dëshmua edhe gjatë kryengritjes së Mustafa Pash Bushatliut dhe Dervish Carës.

Për zhvillimin e kryengritjeve dhe rolin e klerikëve, dhe politikës ruse ne trevat e banuara me shqiptarë, kemi mjaftë të dhëna nga konsujt e shteteve evropiane, që jetonin në qytetet e rajonit.

Me 15 Mars, 1841 konsulli anglez e njoftoi ministrin e tij se peshkopët grek e denoncuan rajën e mjerë nga Selaniku, duke thënë se kleri grek është shkatërrim për rajën. Me 17 Maj, njoftoi nga Selaniku për arrestimin e kallogjerit Ilarion i cili deklaroi se midis Leskocit dhe “Sveti Gorës” janë 3000 kryengritës, të gatshëm e të paguar me para ruse për tu quar në kryengritje. Kjo tregon për ndikim e madh që e kishte Rusia për ta krijuar trazira brenda kufijve të P. Osmane.

Prefekti i qarkut të Aleksincit i cili për kryengritjen e shqiptarëve e lajmëron ministrin e jashtëm të Serbisë së më 5 Korrik të vitit 1843, Mehmet Pasha i Shkupit ka kërkuar që çdo shtëpi shqiptare të jep nga një nizam.

Me 1 Gushtë të vitit 1843, porta e lartë e dërgojë Hajredin Pashën në Shkup i cili i thirri në takim të gjithë prijësit shqiptar dhe kërkojë prej tyre nga dy nizam për familje.

Në qytetet e veriut kryengritësit shqiptar të frymëzuar nga kryengritja e Dervish Carës në vitin 1844, i morën në kontroll Tetovën , Shkupin dhe Prishtinën. Për këtë kryengritje konsulli francez nga Janina e njofton shtetin e tij se prijësit e kryengritjes së Shkupit ju kanë bërë thirrje shqiptarëve të Janinës që të ju rikujtojnë se kryengritësit janë vëllezër të tyre dhe mos ti lejojnë të ngritën kundër kryengritjes së tyre. Kjo thuhet se kishte një vizion politik.

Përfundim:

Kryengritjet shqiptare edhe pse u zgjeruan, dhe arritën një numër të madh në njerëz, ata nuk kishin armatim dhe pajisje ushtarake, për ti bërë ballë ofensivës së armatës së rregullt të sulltanit, e cila ishte e pajisur me armët më moderne të kohës. Në këto rrethana kryengritësit, pas një varg betejave të përgjakshme, u detyruan të tërhiqen me humbje të mëdha, por nga këto beteja humbje të mëdha pësoj edhe ushtria osmane.

Për fat të keq në radhët e ushtrisë osmane ishin të mobilizuar pa vullnetin e tyre edhe shume ushtare shqiptar, kështu që shqiptarët vriteshin mes veti, ndërsa P. Osmane i realizonte synimet e veta për ta zgjeruar autoritetin e vet ne trojet shqiptare.

Ekspeditat ushtarake që i ndërmori P. Osmane për shuarjen e kryengritjeve shqiptare, si dhe mos uniteti i pashallëqeve shqiptare, ishin fatale për ardhmërinë e popullit tonë.

Zbatimi me dhunë i reformave në trojet shqiptare, që u përmbyllë me përmbysjen e pashallëqeve, popullin tonë e lanë në kulmin e varfërisë dhe shkallën më të lartë të analfabetizmit në Evropë. Pashallarët shqiptarë, kurrë nuk kanë bërë asgjë për zhvillimin e arsimit, kulturës e teknologjisë në hap me kohën dhe trendin e zhvillimeve në rajon.

Zhvilimi i hovëshëm teknologjik e industrial, shkencor, kulturor e administrativ në shtetet evropiane, ishte në kundërshtim të plotë, me rendin feudal që zbatohej në P. Osmane, pashallarët shqiptar nuk bënë asnjë hap për tu orientuar kah vendet e zhvilluara evropiane.

  1. Osmane duke i shtypur shqiptarët përfitojë shumë: ia zgjati jetën vetvetes, vjeli taksa, regrutojë ushtarë të rregulltë, dhe duke mos lejuar zhvillimin kulturor dhe arsimin në gjuhën amtare, e përfitojë për vete trurin e kësaj popullate. Gjatë tre shekujve të fundit të sundimit të P.osmane, nga pamundësia e shkollimit të rinisë shqiptare në trojet e veta, ata detyroheshin të vijojnë mësimet në gjuhë tjeter dhe vise tjera të P. Osmane. Arsimimi i të rinjve shqiptarënë shkollat osmane ndikojë që shumë shqiptar të zënë poste të larta kulturore, shkencore, ushtarake e administrative në institucionet shtetërore osmane.

Shqiptarët e arsimuar në P. Osmane i kanë meritat më të mëdha për krijimin e institucioneve më të rëndësishme në kulturë, arsim, administratë dhe shkencë, pa pasur mundësinë që të kontribojnë në vendlindjet e tyre, për të filluar me hapjen e shkollave fillore në gjuhën amtare.

Mendoj se duke i analizuar me hollësi sjelljet e pashallarëve shqiptar ndaj popullit tonë, duhet bërë një ristudim duke zbatuar metodologjinë dhe kriteret shkencore për ti bërë publike dëmet e shkaktuara gjatë tre shekujve të fundit të sundimit osman.

Literatura:

Historia e Popullit Shqiptar I: Tiranë, 2002

Historia e Popullit Shqiptar II: Tiranë, 2002

Noel Malcolm: Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë, 1988

Danilo Vulović u knjizi Knjaževa kancelarija, knjiga prva, Nahija požeška 1815-1839, Beograd 1953.

Bedrush Shehu: Çështjet shqiptare në fillim të viteve 30 të shekullit XIX, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1990.

Nga libri i Aleksander Matkovsk: Kryengritja e Dervish Carës, Shkup, 1985

Gjergj Gj. Gashi; Martirët shqiptar gjatë viteve 1846-1848, Prishtinë, 1994

Grigorje Bozeviq; Po Gnjilanskom Kraju, Gjilan, 199

Wellington Independent, Volume II, Issue 125, 23 December 1846, Page 4

Slavisa Nedeljkovic; Betëeen the imperial Governament and rebels, (Old Serbia during the rebellion of the Shkodra Pasha Mustafa Bushati and Bosnian aristocracy 1830-1832, facultuy of Philosophy, Novi Sad, 2015

https://bujanovac.com/bujanovacki-kraj-pod-turskom-vlascu-u-xix-veku/,

http://serbiasrbija.blogspot.com/2010/07/pashas-shelter-and-haremluk.html,

https://ëëë.vranjenet.rs/haremluk-ko-novi-husein-pasa/

https://thereaderëiki.com/en/Albanian_revolt_of_1847,

Problemet e alkoolizmit, narkomanisë dhe nikotinizmit në shoqëri

0

Arif Ejupi, Zvicër

Fatkeqësisht sëmundjet e varësisë nga alkooli, droga dhe nikotina, po shënojnë një rritje të pa parashikuar. Nga ky ves negativ dhe devijues më së keqi do të preket rinia si arteria kryesore e një shoqërie të shëndoshë.
Të gjithë ata që konsumojnë pije alkoolike jashtë mase i përkasin grupit të njerëzve me personalitet antisocial.
Ata me sjelljet e tyre të pamatura dhe agresive shkelin shpeshherë rregullat e ambientit rrethues.
Alkoolistët me turbullime të ndjeshmërisë e humbin ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve.
Megjithatë ata gjithnjë e kanë bindjen se alkooli nuk është i dëmshëm.
Madje bindjet e veta i arsyetojnë duke përmendur individë të cilët nuk kanë pirë alkool e janë sëmurë prej kanceri ose kanë vdekur para kohe.
Këto justifikime i bëjnë nga pamundësia e daljes nga kjo gjendje e krijuar dhe nga mungesa e vetëdijes që këtë dukuri shkatërruese të shëndetit ta vlerësojnë drejt dhe në mënyrë kritike.
Faktori kryesor që ndikon në formimin e alkoolistit është mjedisi ku rritemi, zhvillohemi dhe edukohemi duke përfshirë këtu të gjitha veçoritë si traditën, besimin, doket dhe shprehitë.
Normat themelore të edukatës dhe të sjelljeve njeriu i merr në familje.
Ndikimi i prindërve në edukimin e gjithmbarshëm të fëmijës është i pazëvendësueshëm deri në momentin kur fëmija përfshihet në shkollë.
Me të shkuar në shkollë zvogëlohet dukshëm roli i familjes në edukimin e tij.
Shkollat, përveç arsimimit janë të detyruara të marrinë masa të nevojshme edukative duke shtuar mbikëqyrjen ndaj sjelljeve devijuese të nxënëseve.
Mjerisht në vend të edukimit të drejtë ndeshim raste kur ndonjëri prej edukatorëve “shpirtmirë “pinë alkool dhe duhan bashkë me nxënësit e tij.
Ky rrjet fatal për fat të keq po rritet dita më ditë. Qëndrimi tejet tolerant ndaj toçitjes dhe përdorimit të alkoolit ka ndikuar edhe në shtimin e numrit të femrave alkooliste.
Duke u nisur nga ky fakt sot alkooli është futur si rekuizitë gati e domosdoshme në dasma, festa e celebrime të ndryshme.

Prandaj s’është për t’u çuditur që sot alkoolizmi është sëmundje mjaft komplekse, që shpenzon shuma marramendëse mjetesh dhe shkatërron tërësisht personalitetin e njeriut.
Grupit të personave me sjellje antisociale i takojnë edhe narkomanët, tek të cilët identiteti dhe integriteti i personalitetit të tyre është pothuajse plotësisht i humbur.
Takimi i parë me substancat toksikomanike është shumë shpesh vendimtar për të hyrë në narkomani.
Konsumimi i drogave absorbohet shumë lehtë në organizmin e njeriut duke shkaktuar efekte të ndryshme në përjetimet e tija.
Kjo gjendje e ndryshuar psikike e individit shkakton nevojën për konsumim të vazhdueshëm të drogave.
Meqë droga hyn në sistemin ciklik të jetës së narkomanëve ata qetësohen vetëm atëherë kur e përdorin atë.
Në mungesë mjetesh materiale dhe për shkak të ndikimit në organizmin e tyre narkomanët jepen pas krimeve të ndryshme.
Ata fillojnë bashkëpunimin me grupet kriminale për shitblerjen e drogës.
Madje ,nga nevoja për t’u larguar nga realiteti i humbur narkomanët bëhen të rrezikshëm edhe për shoqërinë. Legalizimi i çfarëdo droge e ashpërson edhe më tepër situatën.
Alternativë e vetme atraktive janë masat preventive dhe trajtimi i detyrueshëm i narkomanëve në institucione të veçanta.
Shumë ekspertë të kësaj fushe theksojnë se narkomanët nuk i pranojnë me dëshirë në grupet e veta personat që nuk i përdorin mjetet dehëse.
Duke u nisur nga ky aspekt zgjidhje e vetme janë masat parandaluese dhe aprovimi i sanksioneve të rrepta ndaj nxitësve të këtij problemi, i cili në masë të madhe po e godet rininë si celulën më të rëndësishme të shoqërisë.
Po ashtu një ves i keq dhe i dëmshëm për shëndetin është edhe pirja e duhanit.
Duhani është bimë njëvjeçare e familjes Solanaceae e gjinisë Nicotiana (N. Rusica,N.tabacum)me prejardhje nga Amerika Latine.
Ka lule në formë hinke, gjethe të gjëra që përmbajnë nikotinë. Pas tharjes, fermentimit dhe stazhionimit, transformohet në i grirë imët, në cigare dhe në puro.
Duhani bënë pjesë në droga që gjenden më së lehti. Nikotina që e përmban duhani është një helm shumë i fortë.
Doza vdekjeprurëse (latale) është dy deri gjashtëmbëdhjetë gram. Me tymin e një cigareje në organizëm hyn 1,5 deri në 2miligram nikotinë.
Kurse ndotja aerogjene e krijuar nga pirja e duhanit rrezikon edhe shëndetin e atyre personave të cilët gjenden në të njëjtin ambient.
Jo duhanxhiu pa dëshirën e tij shndërrohet në të ashtuquajturin duhanxhi pasivë.
Studiuesit kanë zbuluar se varësia nga duhani mund të jetë e njëjtë me atë të alkoolit dhe të drogës.

Duhani respektivisht nikotina, në organizëm neutralizon vitaminën C, zvogëlon oksigjenin në gjak për 12% zmadhon fundërrimin e kolesterinës në muret e enëve të gjakut, duke i bërë ato të brishta dhe joelastike.
Si pasojë e kësaj pason shfaqja e hershme e arteriosklerozës. Enët e gjakut sklerotike janë të prira të pëlcasin apo të mbyllen më çka shkaktohet infarkti i zemrës dhe i organeve të tjera vitale.
Sipas ekspertëve të shëndetësisë pirja njëkohësisht e duhanit dhe alkoolit është baras me vetëvrasje.
Kohëve të fundit në disa vende të botës vërehen tendenca për legalizimin e drogave.
Si rezultat i kësaj është rritur me shpejtësi alarmante numri i narkomanëve, posaçërisht në mesin e të rinjve. Ata në vend që të fitojnë dijeni të reja dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre, fitojnë sëmundjen e pamëshirshme të ashtuquajtur “murtaja e bardhë “apo panik narkomanie.

Shën Gjergji

Vera Xerxa, Göteborg – Londër maj 2022
6 maj – Shën Gjergj
– Festë për nder të ardhjes së stinës së verës
– Ditëlindja e prijësit legjendar
Gjergj Kastriotit
– Shën Gjergji nga ” Legjenda e artë”, njeriu që shpëtoi princeshën e Libisë nga dragoi
– Shën Gjergji martir…
Sa shumë simbole e simbolikë!
Nuk kishte qenë e vetëdijshme që mu për Shën Gjergj do e ekzekutonte me vendosmëri planin që e kishte shtyrë për një kohë të gjatë, do kryente misionin që ia kishte dhënë vetes, do ia plotësonte dëshirën vetes.Por intuita e saj është forteja e saj, e udhëheq, dhe ajo nuk gabon !
Disponimi i kishte ndryshuar shpesh, shenjë e deprimimit të thellë, të cilin mundohej ta luftonte në mënyra të ndryshme.
Tani ishte pranverë, duhej të mendonte në mënyrë racionale dhe mos ta digjte biletën siç e kishte bërë muaj më parë. Koha ishte e bukur, me diell, e ngrohtë në qytetin milionësh ku jetonte ajo.
Kishte siguruar biletën, hotelin, vetëm duhej të mobilizohej, nisej në një vend pjesërisht të panjohur për të.
Nuk ia falte vetës pse nuk kishte shkuar më herët…ç’ kishte ndodhur me ” dellin avanturesk” të saj?!
Nuk i mungonin idetë, një vizitë – surprizë, sa e bukur do kish qenë!
Një vizitë e vetme nuk do e kish shuar gjithë atë mall që e kishin për njëri tjetrin, por do ishte diçka për tu mbajtur në mend, një takim hyjnor siç thoshte ai!
Një natë pa gjumë para nisjes, e djersitur ujë, mbase nga ethet e udhëtimit, u ngrit me kohë, u përgatit. Rruga gjer në aeroport ishte e mundimshme, autobus, metro, tren mbitokësor, korridore të gjata, radhë të gjata në aeroport… pasojat do i ndjente të nesërmen, sikur t’ kishte pësuar një gjysmë paralize…
Udhëtimi me aeroplan ishte relativisht i qetë, nuk kishte shumë turbulenca, turbulenca që zakonisht e frikësojnë, ja sjellin shpirtin tek fyti, një lloj frike nga fluturimi që iu kishte shfaqur që nga vdekja e nënës së saj, gati para tre dekadash.
Qyteti ku kishte jetuar ai për afro tre dekada, vendi që kurrë nuk e kishte dashur, e priti Zonjën X me një kohë të zymtë, frymë të ftohtë …
Nga aeroporti fatmirësisht i vogël, në të cilin nuk humbi shumë kohë mori një taksi deri tek hoteli në qendër të qytetit dhe u vendos.
Ishte e uritur, doli për t’ kërkuar ndonjë restorant, matanë rrugës kryesore pavi varrezat e çifutëve , më lart në një breg një fortesë të vogël. I shkrepi ca foto si dëshmi për t’i surprizuar familjarët e saj të dashur dhe miqtë. Meqë ishte e uritur u fut në një restorant të zhurmshëm, i gjasonte pub – ave anglez. Porositi t’ ashtuquajturin ushqim tradicional vendor, që nuk dallonte prej atij çfarë nëna e saj kishte përgatitur.
Papritur doli dielli, edhe pse ishte mbramje dhe akoma nuk ishte sezoni i ” Netëve të bardha “.
Vallë, mos ishte shpirti i tij bashkë me universin që e ndiqte duke i dhënë shenja? Pikërisht vet ajo kishte sjellë ngrohtësinë e jugut në këtë vend në veri të kontinentit të vjetër, emri i saj, qenia e saj, prania e saj, të gjitha ishin në harmoni me universin dhe AI kurrë nuk e kishte braktisur. Rrezet e diellit e gëzuan dhe qielli nuk ishte më i zymtë, vezullonte si ari.
Kishte ardhur t’ festonte me të dashurin, jetën e tyre bashkë, t’ vizitonte njeriun që me punën dhe sakrificat e tija kishte shpëtuar me qindra mijëra njerëz, kishte vepruar për çlirimin e atdheut. Dashuria dhe respekti shkojnë bashkë dorë për dore i kishte ” borxh” të ” ecte nëpër ujë “, të kalonte detin që i kishte ndarë dhe t’ia paguante me nderimin më të lartë !
Ishte koha t’ kthehej në hotel, t’ pushonte, t’ bënte pak gjumë. Nuk ishte e rastit që hoteli kishte qëlluar afër shoqatës “Skënderbeu”.
Zonja X nuk besonte në koincidencë, përsëri ishte intuita e saj që vinte në pah…
Ndjenjën për orientim e kishte t’ zhvilluar por lodhja e tepërt e pengonte të koncentrohej,
t’ mendonte. Ishte më së lehti ta pyeste ndokend. Si me porosi, takoi një djalosh simpatik, zeshkan me një biçikletë. Fati e deshi që dhe ai shkonte kah hoteli i saj, dhe çdo gjë vajti mirë. Edhe më i mirë ishte fakti që bota është zvogëluar, mamaja e tij kishte kushërirën mu në vendlindjen e zonjës, dhe për t’ befasuar mamanë e tij dhe kushërirën Zonja X shkrepi edhe një foto të çunit me biçikletë, dhe e postoi në media sociale, krijoi një atmosferë të bukur çasti.
Atë natë fjeti si e vdekur, duke ra më herët se rëndom. E priste dita e shtunë, një ditë e madhe për të, në vitin e tyre jubilar. E kishte menduar të vishej me kombinimin më të bukur të mundshëm të ngjyrave, e kuqja dhe e zeza i shkonin, ishin për këtë rast solemn! Përveç shijes që kishte për çdo gjë ishin shenjat që duhet përcjellë, “Semiotika” t’interpretohej…Madje dhe këpucët i kishte të firmës “Sargasso ” që e përkujtonte në poezinë ” Portret i një femre” nga Ezra Paund: Mendja jote dhe ti jeni deti Sargaso i jonë …
Çdo gjë kishte qenë poezi për ta.
E kishin dashur shumë, i kishin lexuar njëri tjetrit, biseduar rreth saj etj.
E shtunë: Miku i tyre i përbashkët do vinte ta shoqëronte. Ishte hera e parë që do shiheshin, gjer atëherë kishin komunikuar në mënyrë virtuale, por miqësia e tyre tashmë kishte bazament të fortë.
Komunikimi mes tyre kishte qenë intensiv, i ngrohtë, ishte personi i vetëm që e kuptonte thellë Zonjën X dhe bashkëndjente me të. Si mik i devotshëm dhe ai vuante në mënyrën e tij për humbjen e “vllaçkos”, siç e kishin quajtur njëri tjetrin. Njeri që kishte përjetuar tragjedinë familjare. Njeri fisnik, dhuratë e çmuar që ajo e kishte trashëguar nga i dashuri i saj.
Y. erdhi me kohë, u përqafuan sikur t’ishin njohur njëmijë vjet.
Do shkonin në lulishte për të blerë lule. Gjithnjë i kishte pëlqyer lule shpata për këto raste. Lule shpata e njohur si IRIS GENTIANA, lule që mbreti ilir Gent e kishte përdorur për shërim. Por nuk gjetën, kot kërkuan në disa vende. Athua universi, perendia kishte ndërhyrë, po ata i dinin të gjitha, kishin përgjigje në çdo gjë. Do ishin lule t’ bardha – trëndafila, zambakë e lule tjera, buqetë që do simbolizonte shpirtrat e tyre të çiltër! Dhe i miri, fisniku Y. poashtu do blente një buqetë, por kërkoi që ajo ta përzgjedhte sipas shijes së saj.
Edhe pse kishte fjetë mjaft, ecte me vështirësi. Shikuar në retrospektivë,
ishte lodhja shpirtrore e akumuluar që manifestohej dhe në trupin e saj.
Pikëllimi për humbjen e tij ishte i papërshkrueshëm. Kapaciteti i saj për të dashuruar thellë ishte baraz me atë për të vuajtur thellë.
Ngjashëm i kishte ndodhë kur ishte kthyer në vendlindje pas lajmit që mamanë e kishte në shtrat për vdekje, në të hyrë në rrugën ku kishin shtëpinë, këmbët nuk i ecnin.
Dita e shtunë dhe ditët në vijim do ishin të ngrohta me diell. Ishte Shën Gjergj!
Mermeri i zi vezullonte nga rrezet e diellit që kishin ra mbi te, si dhe shkronjat e arta…me emrin e tij, djaloshit nga Z. të birit të Z. & Znj. E.
Ishin tek banesa e tij e fundit.
Bar kishte aty këtu mbi varr, bar që e përkujtoi Zonjën X në poezinë e
Uilliam Uorthsuorth ” Shkëlqimi mbi bar “…Por kishte ndodhur diç e shëmtuar, pllaka e gurit të varrit ishte zhvendosur. Ishte vepër e ndonjë krimineli, të cilit i kishte penguar ai varr në formën siç ishte planifikuar dhe projektuar. Kishte qenë një projekt shumë elegant, por ja që dora e dikujt do e bënte të vetën. Zonja X kishte përvojë të hidhur në këtë aspekt. Bustin prej bronzi të vëllait të saj të ndjerë e kishin vjedhur pas luftës në vendlindjen e saj, dhe kurrë nuk ishte gjetur. Y. dhe ajo e kthyen në vend, edhe pse peshonte shumë, shumë rëndë. I vendosën buqetat me shumë dashuri, lulet e freskëta zbukuruan atë “banesë” të ftohtë në atë ditë të ngrohtë maji.Y, e la Zonjën X të kalonte ca çaste vetëm me të dashurin e saj, të çmallej me të. Ishte e nemitur, qëndronte tek varri i tij, ashtu pa fjalë. Me mijëra orë kishte kaluar duke biseduar me të pas largimit të tij në botën e amshueshme, kishte biseduar nga larg, por tani ishte krejt afër tij dhe ai do e ndjente dhe dëgjonte me kujdes heshtjen e saj. Madje dhe lotët iu kishin shterur, sytë iu kishin tharë.
Realiteti ishte shumë i dhimbshëm, i vrazhdë, i tmerrshëm, plot ironi, nuk kishin merituar një takim të tillë në vitin e tyre jubilar!
” Kalorësi ” i saj sy blu do e priste sado gjatë në mbretërinë e amshueshme derisa
Zonjës X do i vinte koha
t’ i bashkëngjitej.
Ky ishte zotimi i tij!
____
Vera Xerxa, Göteborg – Londër maj 2022
Imazhi: Gaetano Previati: Paolo e Francesca oil on canvas, 1909

Pse erdhi Albin Kurti me 51 për qind të votave në pushtet?

0
Lirim Gashi, shkrimtar nga Prishtina
A keni menduar ndonjëherë pse politikanët tanë në pushtet e masakruan në dy dekadat e fundit vullnetin e qytetarëve të tyre, për ta formësuar në mënyrë aktive politikën lokale dhe shtetërore, apo më saktë pse e masakruan thelbin e demokracisë ?
Lind pyetja ; cili është thelbi i demokracisë?
Thelbi i demokracisë është përfshirja dhe pjesëmarrja aktive e sa më shumë qytetarëve në formësimin e politikave lokale dhe shtetërore në përputhje të plotë me interesat e tyre, gjë që rezulton me rotacion të shpeshtë demokratik dhe paqësor të pushtetit.
Dmth që rezulton me një dërgim demokratik dhe paqësor të pushtetarëve në opozitë dhe opozitës në pushtet, edhe kur qeveria është më e mirë se opozita dhe anasjelltas.
Pse pushteti duhet të dërgohet rregullisht në opozitë, e madje edhe atëherë kur e bën mirë punën e tij ?
Për të parandaluar që politikanët në pushtet të krijojnë ndjenjën se ata janë përfaqësues të përhershëm të Zotit në pushtet dhe jo përfaqësues të përkohshëm të qytetarëve në pushtet.
Sepse nëse fillojnë të besojnë se në pushtet janë si përfaqësues të përhershëm të Zotit, atëherë ata i konsiderojnë qytetarët dhe pronën e tyre si pronë të tyre private.
Ku funksionon më së miri demokracia e vërtetë plebishitare, apo më mirë të them demokracia e drejtpërdrejtë?
Natyrisht në Zvicër ku populli pyetet për çdo vendim të rëndësishëm të qeverisë, në plebishitet e shumta që i nënshtrohen parimeve dhe rregullave të vërteta demokratike .
Ku funksionon më së keqi demokracia plebishitare?
Natyrisht në Gjermani, ku populli abuzoi keq me të drejtën e tij për të formësuar në mënyrë aktive politikën lokale dhe shtetërore, duke ia besuar votën e tij Adolf Hitlerit, njeriut më gjenocidal në historinë e njerëzimit.
Si arritën gjermanët të krijonin megjithatë një demokraci indirekte?
1 Nëpërmjet ndalimit të plebishitit të popullit per kontestimin e vlerave të vërtetuara njerëzore, kombëtare, universale dhe demokratike, pra nëpërmjet shpalljes së këtyre vlerave si të shenjta dhe të pacenueshme nga askush.
dhe
2. Nëpërmjet forcimit të demokracisë parlamentare dhe monitorimit të gjithanshëm të kompetencave të qeverisë.
Sepse ndarja e pushtetit dhe forcimi i monitorimit të gjithanshëm të punës së tij, e bëjnë të pamundur krijimin e mbinjerëzve në politikë, të cilët mund ta vjedhin pafundësisht pronën publike dhe shtetërore, ta shkatërrojnë totalisht demokracinë, rendin dhe ligjin, si dhe të vendosin individualisht për jetët dhe vdekjet e qytetarëve.
Si arritën politikanët kosovarë të vrasin vullnetin e qytetarëve për të formësuar në mënyrë aktive politikën lokale dhe shtetërore në dy dekadat e fundit?
Fillimisht nëpërmjet garës me njëri-tjetrin në uzurpimin e meritave të luftës, që u manifestua si një propagandë tejet dashakeqe dhe primitivë mediatike.
Pse e bënë këtë?
Sepse e dinin që fituesit e kësaj gare propagandistike do ta fitojnë edhe besimin (votën) e popullit.
Mirëpo çfarë ndodhi në të vërtetë?
Humbësit e kësaj gare filluan të vrisnin kundërshtarët politikë, sepse shpresonin se duke vrarë ajkën intelektuale te partive kundërshtare do t’u jepnin atyre goditjen fundit vdekjeprurëse.
Megjithatë, partia që erdhi në pushtet pas fitores në një garë kaq primitive mediatike, nuk kishte de fakto fuqi vendimmarrëse politike për të formësuar politikën lokale dhe shtetërore, sepse Kosova nuk ishte shtet i pavarur deri në vitin 2008.
Çfarë ndodhi pas shpalljes së pavarësisë?
Dy partitë më të mëdha, Ldk dhe Pdk, erdhën në pushtet dhe abuzuan me votën, pra me besimin e popullit, në format më të pamëshirshme.
Më saktësisht, drejtuesit e këtyre dy partive shpërdoruan funksionet e tyre në politikën lokale dhe shtetërore, për të grabitur me forcë pasurinë e popullit, buxhetin e shtetit, taksat, doganat, donacionet, thesarin dhe fondet e zhvillimit.
Edhe më keq:
Ata organizuan privatizime ekstrem mafioze të pronave publike dhe aseteve shtetërore, përmes tenderëve të manipuluar, nga të cilët pasuroheshin marramendshëm ose familjet e tyre, ose bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë politikë.
Edhe më keq:
Me pasurimin marramendës nga plaçka shumëdimensionale, këto dy banda politike blenë dhe korruptuar mediat, shoqërinë civile dhe elitat intelektuale.
Edhe më keq :
Elitat intelektuale i kthyen në ndihmësit e tyre më besnik në shkatërrimin e arsimit, shkencës, kulturës, muzikës, artit dhe sportit.
Sepse duke nxjerrë në treg diplomat e shkollave dhe universiteteve dhe duke i kthyer këta tempujt të arsimit në tempuj të injorancës, ata vranë trurin, nderin, etikën, moralin dhe dinjitetin e qytetarëve, që më pas u shitën atyre votat për një mbushje të vetme telefoni.
Pra, një pjesë e konsiderueshme e kosovarëve e shitën veten aq lirë në tregun politik, saqë për një mbushje telefoni ua shitën votat banditëve të këtyre bandave politike.
Mirëpo, këta banditë politikë, për t’ia lehtësuar vetvetes një grabitje kaq masive të pronave të qytetarëve dhe të aseteve shtetërore, vunë në mënyrë mafioze në kthetrat e tyre prokurorinë, drejtësinë dhe Ministrinë e Brendshme, në mënyrë që asnjë krim madhor të mos zbulohet dhe asnjë kriminel apo hajdut i madh politik, ekonomik dhe financiar të mos dënohet për asnjë krim.
Çfarë bënë vendimmarrësit tanë kyç politikë në dy dekadat e fundit me politikën e jashtme?
Ata e kthyen atë në një vendpushim të këndshëm për anëtarët e familjeve të tyre dhe në një koncert për plotësimin e dëshirave muzikore të politikanëve serbë në negociatat e Brukselit.
Sepse anëtarëve të delegacionit serb në negociatat e Brukselit ata ua plotësuan pothuajse çdo dëshirë muzikore.
Prandaj u kthyen në Kosovë me marrëveshjen e nënshkruar për Asociacionin Racist të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive.
Dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse një tradhti klasike, e interesave kombëtare dhe shtetërore të shqiptarëve të Kosovës.
Mirëpo, kur panë që djalli e hëngri shakanë, sepse shumica e qytetarëve e kuptuan se ishte një tradhti klasike kombëtare dhe shtetërore, ata e iniciuan dhe hodhën në tregun diplomatik ndërkombëtar, axhenden për ndarjen e Kosovës, duke lobuar me paratë e taksapaguesve në Uashington dhe Bruksel për copëtimin e shtetit të tyre.
Në mënyrë paradoksale, SHBA-të ia vunë këtyre banditëve në rrugë si një pengesë të pakapërcyeshme pikërisht Gjykaten Speciale, të cilën Serbia e krijoi për ta shpallur UÇK-në ndërkombëtarisht dhe ligjërisht si Organizatë Terroriste dhe për t’ia lëkundur themelet e shtetit tonë.
Pra pikërisht te njëjtën Gjykatë, të cilën këta banditë e votuan me duart e tyre në Kuvendin e Kosovës, duke i ngritur me krenari duart lartë, sepse Hashim Thaçi ju thoshte “kush nuk e voton e këtë Gjykatë, është armik i popullit dhe shtetit”.
Ndaj lotët e tyre të krokodilit, janë po aq të shëmtuar dhe të rremë sa karakteri i tyre.
Kur kësaj i shtojmë regjionalizimin antikombëtar dhe antishtetëror të Kosovës nga Lutifi Haziri dhe demarkacionin e padrejtë me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, e shohim shumë më qartë dëmin gjithëpërfshirës që këta banditë politikë dhe mafioz i bënë kombit dhe shtetit të tyre.
Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të përçarë, të manipuluar, të hutuar dhe të çmendur nga propaganda keqdashëse mediatike, në vend që të protestonin, iu bashkuan Pdk-së apo LDK-së si tufë delesh, sepse nuk e kuptuan se këto dy parti mafioze u shkrinë në një bandë, pra në Prontomafian 1 dhe 2.
Ndërsa satelitët e këtyre dy bandave politike mafioze, AAK-ja e Ramushit dhe NISMA e Fatmirit, u ngjitën në peshoren e ndarjes së pushtetit, duke mbështetur rregullisht bandën që u premtoi përfitimin më të madh nga grabitja gjithëpërfshirëse.
Pjesa tjetër e qytetarëve, në vend që të protestonin spontanisht, ose i bojkotuan rregullisht zgjedhjet lokale dhe parlamentare, ose u larguan përfundimisht nga Kosova, ose prisnin që lideri i vërtetë i opozitës Albin Kurti t’i thërriste në protestë.
Prandaj nuk është çudi që Albin Kurti erdhi në pushtet me 51% të votave.
Sepse gjatë kohës sa ishte në opozitë, ai e luante herë rolin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, herë rolin e Shoqërisë Civile dhe herë rolin e Tribunit të Popullit.
Me qëllim po e lë anash depërtimin e islamit politik, sepse është një temë e veçantë, që meriton analizë të fundamentuar shkencore.
____
* Autori është kryetar i Forca e Diasporës për Kosovën, FeD, me qendër në Prishtinë.