Kreu Blog Faqe 1393

Si u vra Vasil Shanto?.. Pse rruga ”Bislim Bajgora”, në Mitrovicë?!

Nga: Bedri Islami

Në paraqitjet e tij për figurën e Xhafer Devës, analisti Nexhmedin Spahiu, ndoshta nga padija, megjithëse është njeri i mësuar, mes të tjerave ka sjellë edhe vrasjen e Vasil Shantos, më 1 shkurt 1944.

Si edhe herë të tjera, duke luajtur me hijen e viteve, ai ka sjellë të pasaktësi të mëdha, deformime historike, të cilat, edhe pse janë të njohura në Shqipëri, sidomos në Shkodër, manipulohen deri në skaj.

Spahiu, shkruan:

“Në Mitrovicë ka shkollë me emrin Bislim Bajgora, dhe një nga rrugët kryesore mban këtë emër. Por kush ishte Bislim Bajgora? Bislimi ishte në fakt një xhandar i thjeshtë, që vrau Vasil Shanton, dhe merita e vetme e tij, ishte që vrau Vasil Shanton dhe arrestoi Miladin Popoviçin dhe për këtë meritë, i është vënë emri i një prej rrugëve kryesore në Mitrovicë dhe në qytetet e tjera.

Heroizmi i Vasil Shantos ishte se vrau djalin e Isa Boletinit, Nënkolonel Adem Boletinin. Kjo ishte lufta e tij antifashiste. Djali i Isa Boletinit, nënkolonel Adem Boletini ishte shefi i xhandarmërisë së Shkodrës, ishte në funksion të shtetit shqiptar, ishte oficer i shkolluar dhe nën emrin e luftës antifashiste dhe antinaziste, sepse fashizmi kishte përfunduar, e vrau Vasil Shanton.

Kur xhandarmëria e Shkodrës, përkatësisht kur Bislim Bajgora arrestoi Miladin Popoviçin, Vasil Shanton dhe një tjetër, ai vrau Vasil Shanton pikërisht për të marrë hak për djalin e Isa Boletinit…”

E gjithë deklarata e tij është një mashtrim! Së pari, Bislim Bajgora nuk ishte një xhandar i thjeshtë, por njëri ndër drejtuesit e regjimentit “Kosova”, që veproi në Shkodër dhe që u bë tmerri i qytetit. Ai ishte njëri ndër figurat më të urryera në Shkodër, edhe shumë vite pas luftës, dhe jo një xhandar i thjeshtë.

Vasil Shanto asnjëherë nuk është arrestuar nga fashistët apo nazistët që e kërkonin kudo kokën e tij. Ai është arrestuar vetëm një herë, nga xhandarët e Zogut dhe është dënuar. Miladin Popoviçi nuk ka qenë asnjëherë në Shkodër gjatë luftës, ndërsa Dushan Mugosha, po.

Ai është takuar me Vasil Shanton në shtëpinë e Ranko Thanasit, kushëri i Vasilit dhe biseda është ndërprerë me tone të ashpra, menjëherë kur Ranko, i këshilluar më parë nga Vasili, si rastësisht pyeti se kur do të bashkohej Kosova me Shqipërinë.

Adem Boletini nuk ka qenë asnjëherë komandant i xhandarmërisë së qarkut të Shkodrës. Këtë funksion e ka pasur major Ndrec Prenga dhe atentati ka qenë i organizuar në eliminimin e tij.

Nuk është vrarë nga Vasil Shanto, por nga drejtuesi i njësiteve guerile Hajrulla Kastrati dhe një grup pranë tij. Xhandarmëria e kohës, në të gjitha qarqet, si pas pohimeve të funksionarëve të lartë gjermanë, ka qenë mbështetje e forcës gjermane, dhe përmes tyre janë bërë bastisje, vrasje, arrestime dhe grabitje.

Në Shkodër, përmes forcave të xhandarmërisë u vranë shumë antifashistë, figura të njohura, si doktor Karamitri, Nikolla Fanko, Esat Gjyli, Hajrulla Kastrati, Daniel Matlija, u arrestua dhe iu dorëzua majorit SS Hauzding, drejtuesi dhe Heroi i njohur Manush Alimani, i cili vdiq në torturat 27 ditëshe; është i njohur fakti se komandanti i mëvonshëm i xhandarmërisë, pasi arrestoi qindra djem e burra të Shkodrës, i dërgoi në kampet e përqendrimit naziste, shumë nga të cilët u vranë në masakrën e Kukësit ose në kampin e përqendrimit në Prishtinë, apo edhe më tej, dy antifashistë të njohur, pasi u zunë rob, u pushkatuan në mesin e qytetit dhe meqenëse ende nuk kishin vdekur, ky komandant urdhëroi t’u mbushej goja me llaçin e një banese aty afër, e vetë shkoi të pinte kafe dhe priste lajmin e vdekjes. Dhe ishte fundi i luftës.

Pra, përrallat se xhandarmëria ishte në funksion të shtetit shqiptar, kur nuk kishte shtet, kishte vetëm një qeveri kuislinge, nën diktatin nazist, që luante me neutralitetin, por që i armatoste xhandarët, mes tyre edhe atyre të ardhur nga Kosova, për t’i shpënë në luftë me nacional çlirimtaren, janë mjerime politike, të cilat ngjasin vetëm në trojet shqiptare.

Bislim Bajgora nuk ka asnjë lidhje, absolutisht asnjë,.me vrasjen e Vasil Shantos, ku ky i fundit ishte një organizator i shquar i luftës antifashiste, sidomos në Veriun e shtetit shqiptar, me autoritet të jashtëzakonshëm, figurë politike organizative dhe drejtuese. Bislim Bajgora nuk ka pasur “ fatin” të arrestojë Vasilin, e aq më pak ta vrasë atë.

Nexhmedin Spahiu, ose nuk e di historinë dhe bën sikur e di, ose e trillon dhe e di përse e trillon. Ai është figurë e njohur mediale në Kosovë, sidomos për qëndrimet e tij in extremis ndaj Shqipërisë, shtetit shqiptar dhe, më tej, lëvizjes dhe luftës çlirimtare në Kosovë. Është mbështetësi kryesor i tezës së krijimit të kombit kosovar, shërbim që mezi pritet nga fqinjët veriorë të Kosovës, gjithnjë me arsyetimin se me Shqipërinë nuk kemi asgjë të përbashkët, madje as gjuhën.

Në pikun e luftës së Kosovës ai ishte figura mediale që mbështeste dhe përhapte idenë se në Kosovë janë dy UÇK, tezë që përfshiu edhe ndonjë funksionar të lartë të socialistëve. Ishte dëshira e pamatshme për krijimin e një përplasje jo vetëm politike, e cila, fatbardhësisht, pavarësisht provokimeve të shumta, nuk ndodhi, pasi deviza e njerëzve të UÇK-së ishte lufta me makinerinë serbe, duke shmangur çdo përplasje të mundshme.

Spahiu ka bindjen se figura e Xhafer Devës është më e rëndësishme në historinë e kombit se ajo e Adem Jasharit. Krahasimi i dy ekstremeve , njëri kolaboracionist dhe tjetri çlirimtar: njëri që braktis vendin e tij dhe tjetri që qëndron deri në fund, së bashku me gjithë Fisin e tij; njëri, të cilin historia e ka saktësuar si ministër i brendshëm nën pushtimin nazist, dhe tjetri, i përjetësuar si qëndrestar dhe dalzotës i Kosovës, janë dy pole që vështirë të bashkohen ndonjëherë.

Miti real i Adem Jasharit është ngritur nga e vërteta, është bërë më i afërt për njerëzit edhe nga ditëlindja e tij me 28 nëntor. Spahiu, pasi bëri “ hulumtimet” shkruan se ditëlindja e tij nuk është 28 nëntori, por 10 tetori 1955.

Çmitizimi i Adem Jasharit është njëra nga drejtimet kryesore të institucioneve shkencore serbe, të ngritura në dy dekadat e fundit. Duke filluar që nga ditëlindja e tij, pastaj lufta, dhe jo rastësisht Spahiu e përcakton atë si një fshatar kryengritës të thjeshtë, megjithëse duhet ta dijë rolin dhe funksionin e tij. Të jesh kolaboracionist , për disa analistë, është më atdhetare se të jesh dalëzotës i Kosovës.

Tani, të vijmë te ajo që është më kryesore: si u vra Vasil Shanto, kush e vrau atë dhe a ishte Bislim Bajgora njeriu që e arrestoi dhe më pas e vrau Vasil Shanton? Sepse, sipas Spahiut, merita e Bajgorës qenka vrasja e Heroit të Popullit, Vasil Shanto, dhe pikërisht për këtë “meritë” ka disa rrugë me emrin e tij.

Arif Gjyli drejtuesi politik i Qarkorit të Shkodrës, i njohur me emrin e luftës “ Bardhi”, ka lënë shënimet e tij për ngjarje dhe figura të luftës. Në një studim prej rreth 100 faqesh, për “Veliun” emri i luftës i Shantos, mes të tjerave, përshkruan edhe vrasjen e tij.


Arif Gjyli është, pa dyshim, figura më e besuar e dëshmive të kësaj kohe, për vetë funksionin që ka pasur dhe jetën e tij. Deputet i Parlamentit Shqiptar të vitit 1946 atij do i besohet nga deputetët e Vlorës të bënte të njohur propozimin e tyre për shpalljen e Republikës me 11 janar 1946.

Ulqinak, nga familja e mbrojtësit të Ulqinit, Mehmet Gjylit, nip i Sulço beg Bushatit, i lidhur me krushqi me Gjylbegajt, i arrestuar me grupin e deputetëve, dënuar fillimisht me pushkatim, kthyer në 20 vite burg, nga i cili do të lirohet pas dënimit të koxixoxistëve, i njohur si figurë antisllavomadhe, i dëbuar nga Beogradi kur ishte zëvendës ambasador në Jugosllavi shkrimtar, një figurë komplekse politike dhe artistike.

Ai shkruan:

“Vasili është i deleguar i Komitetit central të Shqipërisë në Jalcë. Ne nuk e dimë se si ka reaguar Vasil Shanto në Jalcë dhe udhëheqja jugosllave me të. Dimë vetëm se ka shtruar kërkesën këmbëngulëse të Komitetit tonë Central për të përcaktuar qëndrimin ndaj Kosovës e viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Vetë Titoja në përgjigjen e 5 dhjetorit shkruante se tanimë në Jugosllavinë e re që po ndërtohej nuk ishte vend për çështje kombesh.

 

Natyrisht se qëndrime të tilla duhet të kenë lënë vragë të thella te një kuadër si Vasil Shanto.

Është për të vënë në dukje se rruga për kthim, e njohur tanimë nga Vasili, zgjati dyfish kohë. Mendojmë se e anë mbajtur për një kohë në Jalcë.

Nga fundi i janarit Vasili dhe Reshit Rusi arritën në Kolloshin. Aty Vasili u takua me profesor Zekirja Rexhën, figurë e shquar kosovare, anëtar i Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, i cili i kumtoi për vendimet historike të Bujanit dhe qëndrimin antishqiptar të të dërguarit të Titos , Pavel Joviçeviçit, lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pas luftës.

Vasili pati një mbledhje të gjatë me Bllazho Jovanoviçin, sekretar i përgjithshëm i PKJ për Malin e Zi dhe anëtarë të tjerë të shtabit.

Shokët Rexhep Valbona, Zymer Halili e Zekirja Rexha tregojnë se, kur doli nga mbledhja Vasili qe i kuq në fytyrë e u tha shokëve,” Të bëjmë një fotografi. Ndoshta është hera e fundit që shihemi. Luftë është, nuk i dihet…”.

Këtë kujtim dhe fotografinë e fundit të heroit e ruajnë edhe sot e kësaj dite Rexhepi dhe Zymeri. Në këtë foto shikojmë dhe tradhtarin Naun Zafirov, dhe Rifat Manjani. Zafirovin ia dhanë gjoja për ta përcjellë në Maqedoni.

Të katërt arritën në Tuz natën e 31 janarit dhe në mëngjes morën rrugën për në Shkodër, të veshur si ballistë.

Në Grudë të keqe rastësisht kaluan nga shtëpia e Pepiqve. Pepiqi lëshoi kushtrimin “Na ranë Hallunoviçët” (gjaksit). Por është e pabesueshme që ai të merrte katër burra me qeleshe të bardha, shqiponja në to, etj, për armiqtë e tij, që i njihte me rrënjë dhe me dhëmballë.

Nuk është çudi, përkundrazi, që Bllazho Jovanoviçi, me njerëzit e tij në atë trevë, jo pak me origjinë malazeze, të ketë kurdisur ngjarjen e asaj dite. Mbi shpinën e shokëve u lëshuan xhandarët vendas të Vrakës. Vasili vrapoi te një familje e besuar vrakaçore dhe dorëzoi çantën me dokumente, që të mos binte në dorë të armikut.

Ndërkaq Reshit Rusi u plagos rëndë, Rifat Majani u vra. Zafiri hodhi armën në gardh dhe u dorëzua. U vra edhe Vasili në breg të liqenit. Reshitin e nisën në spital miqtë e tij me qerre. Rrugës ai tha prerë “lajmëroni familjen se nuk kanë gjak për të marrë. Më ka vrarë dikush nga prapa”.

Dhe ka dy fakte këtu: si nga shoqëruesit, ashtu edhe nga njerëz të spitalit dihet që Reshiti ka marrë vetëm një plumb revolveri pas koke në çastin kur qe ndeshur ballë për ballë me xhandarmërinë vendase, asnjë plumb në gjoks. Vasili ishte larg tij, në breg të liqenit. Vrasësi është dezertori Zafirov, i dërguari i Bllahos.

Atë ditë u përhap lajmi se majori SS , Hausdingu e fali Zafirofivin, sepse ka kryer shkollën e lartë në Vjenë me të. Në procesverbalin e mbajtur në Gestapo ai ka deklaruar se është çetnik. Se ka qenë i ngarkuar për të vrarë Vasil Shanton në bazën e parë që do të ndaleshin.

Kjo është plotësisht e besueshme. Për udhëheqjen jugosllave Vasili duhej zhdukur me patjetër. Ai dinte – ndër të tjera – dhe ishte i vetmi që e dinte – gjithë prapaskenën e kurdisur në Jalcë kundër Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.

Por ajo nuk donte të bënte vrasjen e një delegati shqiptar në tokën e saj. Për këtë i dhanë Vasilit Zafirovin me vete. Është fakt se Zafirovi nuk ishte çetnik, sikur ka deklaruar në Gestapo, por kuadër i PKJ. Pas çlirimit ai ka qenë për 15 vite zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Kufomat e Vasilit dhe të Reshit Rusit i lanë të ekspozuara te sheshi para ndërtesës së prefekturës gjatë gjithë ditës së 2 shkurtit , për të ndryshuar vullnetin e popullit.

Por ndodhi e kundërta: vjen nëna e Reshitit me të bijën 16 vjeçare. Ecën kryelart drejt trupave. Një mori shokësh janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Të gjithë i lëshojnë udhë nënës. Edhe vetë kriminelët e H.I. dhe të Ll.M., që bëjnë roje mbi kokat e tyre.

Motra e shkretë në gvajë e gjëmë. Plaka nuk flet asnjë fjalë, ulet në gjunjë, puth në ballë të birin, pastaj Vaslin, ngrihet, qëndron drejt me kokën lart, pa lëshuar asnjë pikë lot. I flet ashpër së bijës:

“Shuaj zërin, po të them. Mos i turpëro për së vdekuri trimat e nanës, sokolat e Shkodrës. Mos u kënaq zemrave dushmanëve!” I bën shenjë nga xhandarët dhe bashibozukët. Vajza hesht. Pastaj bie përmbys mbi vëllanë.

E ëma i flet ëmbël: “Puthe, përqafoje Velinë tonë, është yt vëlla, është i madhi”.

Kështu u vra Vasil Shanto./ GazetaDita

Combat (1973) / Polemika me flokët e futbollistëve të kombëtares finlandeze në doganën shqiptare : “Të rinjtë tuaj janë të pahijshëm”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Shkurt 2022

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Combat” ka botuar, të mërkurën e 10 tetorit 1973, në faqen n°15, një shkrim në lidhje polemikën e krijuar asokohe në doganën shqiptare ndaj futbollistëve të kombëtares finlandeze, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 Futboll

 Doganierët shqiptarë kanë protestuar në Federatën Finlandeze të Futbollit për gjatësinë e flokëve të anëtarëve (lojtarëve) të skuadrës finlandeze që do të përballen me shqiptarët sot në Tiranë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës FIFA.

 Megjithatë mësuam nga një burim i informuar në Helsinki, se finlandezët u lejuan të shkelnin në tokën shqiptare kur mbërritën të hënën në Tiranë.

Sqarojnë se në një shkresë drejtuar zotit Osno Karttunen, Presidentit të Federatës Finlandeze të Futbollit, kreu i doganave shqiptare nënvizonte : “Të rinjtë tuaj janë të pahijshëm”.

Në ndeshjen e parë të luajtur në Helsinki vitin e kaluar, Finlanda mundi Shqipërinë 1-0.

* Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/combat-1973-polemika-me-floket-e-futbollisteve-te-kombetares-finlandeze-ne-doganen-shqiptare-te-rinjte-tuaj-jane-te-pahijshem/

Shteti i Kosovës, e arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull

0
Jusuf Buxhovi, historian dhe shkrimtar nga Prishtina
-Rrugëtimi historik i shtetit më të ri në Kontinentin e vjetër, kaloi nëpër fazat e shkëputjes (çlirimit) nga Serbia, të krijimit të shtetit paralel dhe të protektoratit ndërkombëtar. Ekzistenca e tij sot është kthyer në një formulë politike, që mban stabilitetin në rajon, ndërsa çështjes shqiptare, në kuadër të sferave perëndimore të interesit, ia jep dimensionin e faktorit të pakapërcyeshëm gjeostrategjik
Nga Jusuf Buxhovi
Rrugëtimi historik i shtetit të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i konfirmuar në vitin 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si proces i pandalshëm, kaloi nëpër disa faza. Fillimisht me atë të shkëputjes nga ripushtimi serb, që Kosovës iu bë me rrënimin e dhunshëm të autonomisë nga ana e Beogradit, më 23 mars 1989. Pastaj, me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, që për pasojë pati krijimin e shtetit paralel, që për tetë vite udhëheqi rezistencën insitutcionale deri te ajo e armatosur si dhe kohën e protektoratit ndërkombëtar, të vendos në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së më 10 qershor 1990.
Nuk duhet harruar se këtyre fazave u parapriu shfaqja e kërkesës për Republikën e Kosovës, në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, e ngritur nga elita intelektuale dhe politike e kohës, e cila rrëzimin e Rankoviqit dhe ndryshimet që solli klima e re politike, e pa si një mundësi të madhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në drejtim të subjektit federativ, me çka lirohej nga tutela e Serbisë.
Kjo kërkesë dhe zhvillimet tjera nëpër të cilat po kalonte federata jugosllave drejt federalizmit, bëri që me amendamentet kushtetuese të atij viti si dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, Kosova si krahinë, të fitojë statusin e njësisë federative, por jo edhe të republikës, ngaqë Tito nuk ishte i gatshëm për një konfrontim të mëtutjeshëm me Serbinë. Kërkesa për Republikën e Kosovës u rikthyer fuqishëm në vitin 1981, meqë Jugosllavia pas vdekjes së Titos në maj të vitit 1980, po hynte në një fazë të ndryshimeve, që paralajmëronin kthimin e saj nën mbikëqyrjen e Serbisë, që mund të fillonte pikërisht me rrënimin e pozitës së Kosovës në federatë.
Këto faza gjithsesi ngërthejnë ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme, që mundësuan njëra-tjetrën, në përputhje me zhvillimet që rrumbullakuan këtë proces historik, ku shpërbërja e federatës jugosllave e pranuar në konferencën e Hagës të gushtit 1991, ishte si pikënisje e saj, paçka se e gjitha kaloi nëpër një luftë dhe gjakderdhje me shumë tragjedi, e imponuar nga hegjemonizmi serb nën udhëheqjen politike të Millosheviqit.
Kështu, faza e shkëputjes nga Serbia, që nga aspekti formal-juridik mund të përcaktohet “çlirim nga ripushtimi serb” në rrugë demokratike, paraqet themelet e këtij zhvillimi. Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, ishte guri i parë i saj, meqë Kosovën e shpalli njësi të pavarur në kuadër të federatës jugosllave. Me këtë akt legjitim të delegatëve të Kuvendit të Kosovës iu dha përgjigjja e duhur dhe e drejtë ripushtimit serb, që ndodhi me rastin e rrënimit me dhunë të autonomisë më 23 mars 1989.
Ky vendim, gjithsesi duhej të përcillej edhe me aktin tjetër, po ashtu, të një rëndësie historike – shpalljen e Kosovës Republikë. Kjo u bë më 7 shtator 1990 në Kaçanik nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi miratoi aktin më të lartë të saj – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u quajt edhe Kushtetuta e Kaçanikut. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e pavarur e federatës jugosllave në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, me çka i mundësohej statusi i pavarur dhe i barabartë në federatë deri të e drejta për shkëputje, siç e kishin edhe njësitë tjera federative.
Procesi demokratik i shtetësisë së Kosovës i filluar me këto dy akte, kërkonte edhe referendumin për pavarësi, me çka përmbyllej legjitimiteti i tij. Kjo ndodhi me 24 shtator 1991, me ç’rast, qytetarët e Kosovës (kryesisht shqiptarët, po edhe pakicat tjera: turqit, romët dhe boshnjakët) i dhanë përkrahje plebishitare (me 99,3%) shpalljes së pavarësisë.
Referendumi për Pavarësi krijoi rrethanat demokratike dhe juridike për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës në përputhje me aktet themelore – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur në Kuvendin e Kosovës në Kaçanik. Kushtetuta e Kaçanikut e shpallte Kosovën republikë parlamentare – shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, me gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Kushtetua e Kaçanikut përcaktoi edhe hierarkinë institucionale të shtetit nga presidenti, qeveria dhe institucionet tjera të pavarura.
Meqë Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërkohë që pavarësia e shpallur me aktet kushtetuese me mjete demokratike, nuk njiheshin ndërkombëtarisht, konstituimi institucional i shtetit të Kosovës duhej t’u nënshtrohej rrethanave, me ç’rast shteti paralel shfaqej si forma më e përshtatshme e rezistencës institucionale, me të cilën demonstrohej kultura shtetformuese, si një deponim i paparë në praktikën ndërkombëtare, në shërbim të ndërkombëtarizimit të saj.
Në kontekstin historik, i ashtuquajturi “shtete paralel”, që me pa të drejtë ose qëllimisht, që t’i mohoheshin atributet e shtetësisë , u quajt edhe “lëvizje paqësore”, “gandizëm” e të ngjashme, strumbullar kishte Qeverinë e Republikë së Kosovës. Ajo u themelua në fund të vitit 1991. Një pjesë e së saj do të vendoset në Shqipëri. Ndërsa disa ministri (dy në Zvicër) dhe të tjerat në Gjermani, që edhe pa njohje zyrtare, puna e saj u tolerua nga shteti gjerman. Në këso rrethanash, veprimtaria e gjithëmbarshme e Qeverisë së Kosovës në ekzil, bosht të “shtetit paralel” kishte fondit e trepërqindëshit, bazë materiale kjo prej nga, me improvizime dhe pa to, u drejtua jeta ekonomike, arsimore, kulturore si dhe veprimtaria shëndetësore deri në qershor të vitit 1999.
Ndonëse me vështirësi dhe probleme të shumta që mund ta përcjellin një punë të tillë, ngaqë në njërën anë, ajo zhvillohej në rrethanat e pushtimit policor dhe ushtarak serb si dhe të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj çfarëdo forme të organizimit institucional, ndërsa në tjetrën anë i mungonte njohja ndërkombëtare (edhe pse heshtas nga shumë anë i pranohej de fakto roli i një lëvizjeje paqësore-autentike, që luftonte pushtimin serb në një formë tepër të veçantë, të paparë deri më atëherë), megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës, formalisht kishte vu nën mbikëqyrje sektorët kryesor të jetës, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Kështu, në fillim të vitit 1992 formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, pra atë të policisë. Në të parën u përfshinë forcat ushtarake nga radhët e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës (ushtarakë dhe oficerë të lartë që kishin shërbyer në Armatën Jugosllave). Ndërsa në të dytën, do të përfshihen forcat policore dhe ato të organeve të sigurisë, nga radhët e policisë së Kosovës dhe atyre të sigurisë, të cilat, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, nëpërmes organizimit sindikal, kishin kaluar në radhët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Këto dy ministri, do t’i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm shtetëror serb, gjë që nga fundi i vitit 1993, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të tyre (policë, ushtarakë dhe specialistë të tjerë të sigurisë) do të burgosen. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës të pushojë përkohësisht veprimtarinë ushtarake dhe policore në Kosovës, duke u orientuar te organizimi i tyre “i përkohshëm” jashtë, me arsyetimin që kur të krijohen rrethanat, pra çastin që rezistenca institucionale të dinamizohet me rezistencën e armatosur si pjesë e strategjisë që politika të vazhdohet edhe me mjetet e luftës, të veprojnë edhe në Kosovë. Kjo, megjithatë, nuk pengoi, që nën sloganin e “mbrojtjes së shtëpisë”, të ruhet fryma e kundërvënies me anën e grupeve të shkapërderdhura, si guerilë vendore në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe gjetiu, të cilat vepruan nga viti 1991 e këndej, prej nga, në vitin 1997 u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një faktor i cili në planin politik ndikoi që lufta e deriatëhershme diplomatike (veçmas pas Dejtonit) të zëvendësohet me diplomacinë e luftës (pas marrëveshjeve të Rambujesë). Ndërsa në planin gjeostrategjik – Kosovën dhe krizën e saj, që deri më atëherë konsiderohej “çështje e brendshme e Beogradit” – ta kthejë në agjendën e faktorit ndërkombëtar të vendosjes çoftë si çështje humanitare, meqë Millosheviqi, pasi kishte refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, kishte filluar ofensivën ushtarake për t’iu dhënë një zgjidhje me anën e luftës, ku planifikohej edhe një gjenocid i përmasave të mëdha. Kjo legjitimoi edhe ultima ration ndërkombëtare, e pasqyruar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga ajri ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqet tjera ushtarake në Serbi, nga 23 marsi deri më 10 qershor 1999, që solli çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për pasojë pati vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar me rezolutën e KS të OKB-së 1244 të 10 qershorit 1999.
Pra, rezistenca e armatosur, nën emblemën e UÇK-së, përkundër ndasive të brendshme, përçarjeve dhe problemeve të shumta midis rrymave institucionale dhe jashtë institucionale, që atë e lanë pa një qendër drejtuese, paraqet rezistencën e parë të armatosur të shqiptarëve kundër soldateskës jugosllave në formën e një kryengritjeje popullore, me çka iu hapën rrugët ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Kështu që, shfaqja e UÇK-së, shënoi kthesën historike, që i dha epilogun e duhur politik lëvizjes shtetformuese.
Vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, me ç’rast përgjegjësinë për krijimin e institucioneve demokratike të vendosura mbi katër shtyllat e sistemit juridik-parlamentar e mori përsipër UNMIK-u, ndërsa sigurinë NATO-ja, krijuan rrethanat për shtetësinë e Kosovës. Shpallja e saj më 17 shkurt 2008 nga Parlamenti i Kosovës, në të vërtetë, është një konfirmim ndërkombëtar i vendimeve që ishin marrë në verën e vitit 1990 (me Deklaratën e 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator) dhe vjeshtën e vitit 1991(me mbajtjen e Referendumit për Pavarësi).
Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, megjithatë la të hapur procesin e përmbylljes dhe të konsolidimit të tij në planin e brendshëm dhe, veçmas atë të jashtëm, përderisa Kosova të njihet ndërkombëtarisht nga Organizata Botërore, me çka ajo fiton edhe vendin e vet në të gjitha mekanizmat dhe organizatat botërore për të qenë e barabartë me të tjerët. Ndonëse Kosova, si shtet është njohur nga mbi njëqind vende (nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të NATO-s dhe ato kryesore të BE-së), megjithatë ajo ka mbetur jashtë strukturave Veriatlantike dhe të BE-së. Ngecjen këtu duhet kërkuar më shumë te shkaktarët e brendshëm, te faktori politik shqiptar dhe prirja që interesat e pushtetit të vihen mbi ato të konsolidimit të shtetit. Korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve nga brenda me anën e nepotizmit dhe strukturave kriminale, e mbi të gjitha mungesa e shtetit ligjor, Kosovës i kanë dhënë atributet e “shtetit të dështuar nga brenda”!
Kjo gjendje ka bërë që Kosova të shikohet me mosbesim nga aleatët, që e kanë ndihmuar krijimin e tij në përputhje me interesat e tyre gjeostrategjike, (në radhë të parë SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane), ndërsa nga Serbia dhe Rusia, që e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet, të pengohet konsolidimi i tij duke e paraqitur atë “si vatër krize”, së cilës i duhet rikthimi te “pika zero”, pra te protektoratit ndërkombëtar të përcaktuara me rezolutën 1244 të OKB-së.
Këtij diskursi, gjithsesi se i ka ndihmuar sjellja e papërgjegjshme e kreut politik të Kosovës, duke përfshirë ish presidentin Thaçi dhe ndihmaçarët e tij, të cilët, gjatë katër viteve të fundit, gjoja në emër të normalizimit të raporteve me Serbinë dhe të “një pajtimi historik”, hapën çështjen e ndryshimit të kufijve – veprim ky që ishte kryekëput në përputhje me konceptin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve për krijimin e rrethanave për një Serbi të madhe, që për kurban do ta kishte pikërisht shtetin e Kosovës, të pranuar nga GJND-ja, ku disa pjesë të tij (disa komuna të parëndësishme), do t’i bashkoheshin Shqipërisë, me çka “problemet historike midis shqiptarëve dhe serbëve” do të konsideroheshin të mbyllura e me këtë edhe rajoni nuk do të paqësohej!
Ky sakrifikim, gjithsesi do të ishte i mangët, pa pëlqimin e shtetit shqiptar dhe angazhimin e politikës zyrtare të Tiranës, siç ndodhi me marrëveshjet e fshehta të Ramës me Vuçiçin që patën edhe bekimin e Thaçit dhe të klientelistëve të tij të shumtë medialë në Tiranë dhe Prishtinë.
Ndonëse djallëzia e Beogradit dhe ndihmaçarëve të tyre në Shqipëri dhe Kosovë ra në ujë, ngaqë nga SHBA-të dhe vendet kryesore evropiane (Gjermania dhe Britania e Madhe), nuk u pranua dhe u hodh poshtë si një karrem i rrezikshëm serbo-rus, megjithatë kjo la të hapur anatemën e rrezikimit të shtetit të Kosovës nga brenda, përderisa në Prishtinë, po edhe në Tiranë, të kenë pushtet politik, aktorët e shantazhaur, që kanë përgjegjësi për këtë gjendje.
Andaj, shteti i Kosovës, katërmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ka nevojë për një ndryshim politik rrënjësor, që për moto duhet ta ketë kosovocentrizmin, si një kauzë afatgjate në shërbim të konsolidimit shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik. Kosovocentrizmi si i tillë, i shërben edhe kumbarëve të shtetit të Kosovës (SHBA-ve, NATO-s , Gjermanisë dhe vendeve kryesore evropiane). Siç i shërben edhe rajonit që ta mbrojë nga ndikimi serbo-rus për ta vu nën mbikëqyrje atë po qe se shqiptarët vetëdefaktorizohen. Por, kosovocentrizmi, mbi të gjitha i shërben edhe çështjes shqiptare në përgjithësi, meqë dy shtete shqiptare, demokratike dhe të lira, pengojnë rikthimin e koninkturave të vjetra, që u shkojnë për shtati interesave hegjemoniste serbe dhe greke.
Ndaj, është e domosdoshme, që Shqipëria, 17 shkurtin ta shpall festë zyrtare. Me këtë veprim, hiqet dorë nga formula ideologjike e shekullit të kaluar për bashkim kombëtar që ka përfunduar çastin që Konferenca e Londrës njohu shtetin e përgjysmuar shqiptarë ndërsa gjysmën tjetër të etnisë shqiptare e la nën pushtimin serbe, malazias dhe grek, por i hapet rruga një unioni të mundshëm të dy shteteve shqiptare në përputhje me vullnetin demokratik të të dy anëve dhe me pëlqimin e aleatëve perëndimorë.
Ky përcaktim gjithsesi ka rëndësi historike edhe për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, meqë midis dy shteteve të fuqishme shqiptare, aleate të perëndimit, Maqedonia e Veriut do të jetë e detyruar që të plotësojë kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese, pra si popull shtetformues dhe assesi, si deri me tash, t’i trajtojë “si shkëputje kombëtare”, pra si ardhacakë.
* Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, që doli së voni nga shtypi.

Një pikëllim zemërsfilitës me natyrë të dyfishtë

0

Prof.dr. Eshref Ymeri

Në nr. e djeshëm (14 shkurt) të këtij portali, Kolonel Dilaver Goxhaj, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte botuar materialin me titull “Golgota e Shqipërisë, aktakuzat kundër shfarosësve të popullit shqiptar nga publicisti me prejardhje hebraike Leo Alexander Freundlich“, një fragment ky i shkëputur nga libri-pamflet i shkrimtarit me prejardhje hebraike Leo Freundlih, i cili, si qytetar ausriak, në Vjenë, në vitin 1913, pati botuar veprën me titull “Akuza që ulërijnë”.

Vepra e tij është një aktakuzë kundër egërsisë serbosllave për shfarosjen e popullit shqiptar në vitet 1912-1913. Mbi bazën e informacioneve, të botuara në gazetat e kohës, koleksionin e të cilave e ishte ruajtur me kujdes, autori ka pasqyruar fakte rrëqethëse për krimet e barbarisë shtazarake serbosllave, e cila pati si pasojë vrasjen e 500 mijë shqiptarëve në Dardani dhe në Veriun e Shqipërisë.

Po të shtegtojmë shumë më thellë në histori se vitet 1912-1913, kur serbosllavizmi kreu ato masakra aq të egra kundër kombit shqiptar, çka përbënin “parathënien” e gjenocidit hitlerian kundër hebrenjve, vërejmë se masakrimi i përhershëm i shqiptarëve, deri në shfarosjen e plotë, ka pasë qenë që kryeherazi një kurbë në rritje në psikologjinë dhe në strategjinë serbosllave.

Profesori Hakif Bajrami citon priftin serb Nikollaj Velmiroviç, i cili në vitin 1942 ka deklaruar:

“Atë që po bën sot Hitleri kundër hebrenjve, atë e ka bërë Shën Sava  (1169-1236) në mesjetë kundër arbanasëve, që nuk donin të konvertohen në sllavë” (Citohet sipas: “Pse Serbia sot është në ofensivë defaktorizuese ndaj Republikës së Kosovës”. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 dhjetor 2020).

Në kundërshtim flagrant me të vërtetat historike, kryetradhtari i kombit shqiptar dhe kryeargati i pështirë i serbosllavizmit, Enver Hoxha, njeriu me formim gjysmak, pa kulturë universitare, në vitin 1947 pati bërë një deklaratë skandaloze:

“... Çdo gjë e lidhte popullin tonë me sllavët e jugut, jeta, zakoni, burrëria, lufta për indipendencën kundër të njëjtëve armiq…” (Citohet sipas: “Fjala e Enver Hoxhës në Plenumin IV të rinisë popullore”. Gazeta “Bashkimi”. 22 gusht 1947).

Kur shqiptari me vetëdije të lartë kombëtare kthen kokën pas dhe njihet me krimet e përmasave mitike të serbosllavizmit kundër kombit tonë, sigurisht që atij i copëtohet zemra nga një pikëllim i thellë që mezi e përjeton. Por një tjetër pikëllim, edhe më i thellë, e rëndon gjithnjë e më shumë kur vetes i shtron pyetjen:

Po si shpjegohet që etnia shqiptare ka pasur territoret më të mëdhaja dhe popullsinë më të madhe në Gadishullin e Ilirisë (në vitin 1850, popullsia shqiptare ishte gati sa dyfishi i popullsisë greke dhe serbe, të marra së bashku), kurse faktikisht i lejoi vetes të bjerë viktimë e grekosllavizmit? I lejoi vetes, sepse, tradicionalisht, që nga pararendësit tanë pellazgo-ilirianë, ka pasë qenë e përçarë. Pikërisht kjo përçarje, e shoqëruar me urrjetjen e shqiptarit për shqiptarin që mendon ndryshe, vazhdon me pasoja tragjike deri në ditët tona. Pikërisht kjo përçarje është edhe burimi i dytë i pikëllimit që zemrën ta sfilit edhe më shumë, sepse pasojat e saj do të jenë edhe më rrënimtare për kombin shqiptar, i cili, siç thotë me shumë të drejtë publicisti i shquar Bajram Kabashi, po shkon drejt vetasimilimit, pra, po e çon veten drejt vetëshpërbërjes, drejt vetëshuarjes.

Libri i shkrimtarit Leo Freundlih është edhe një shuplakë e fortë për Evropën,“kurvën e motit” të Fishtës, e cila i sodiste me shpërfillje mizoritë serbosllave kundër shqiptarëve. Sigurisht. Perëndimi evropian ka ushqyer një urrejtje të përhershme kundër shqiptarëve, urrejtje, të cilën, në heshtje, vazhdon ta ushqejë edhe tani.

Koloneli i nderuar Dilaver Goxhaj, si një intelektual i shquar me brumosje nacionaliste, në shënimin që shoqëron fragmentin nga libri shkrimtarit Leo Freundlih, thekson:
“Kjo histori makabre kundër shqiptarëve u përsërit “fije e për pé”, si nga Serbia, ashtu dhe nga Evropa, në vitet 1998-1999; por ishin SHBA, të cilat, edhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, i detyruan disa shtete të mëdha të Evropës t’i bashkëngjiteshin aviacionit amerikan në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; nga 34 mijë avjofluturime, vetëm 20 % u kryen nga aviacioni evropian”.

Si specialist i anglishtes, Koloneli Dilaver Goxhaj, përveç detyrës së zëvendësshefit të Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pati kryer edhe detyrën e ndërlidhësit të pilotëve të NATO-s me shtabin në fjalë, me qëllim që avionët të goditnin saktësisht objektet ushtarake të kriminelëve serbë. Pra, Koloneli informacionin e ka pasur të saktë për avjofluturimet amerikane dhe evropiane. Prandaj rezulton që nga ato 34 000 avjofluturime, 27 220 i patën kryer pilotët amerikanë, kurse pilotët evropianë vetëm 6800.
Perëndimi evropian, i patundur në urrejtjen e vet kundër shqiptarëve, me sa duket, para autoritetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me gjysmë zemre, u detyrua të merrte pjesë në bombardimin e Serbisë, paçka se, në të vërtetë, ishte kundër një bombardimi të tillë. Sepse simpatitë e tij kanë qenë dhe janë vetëm në anën e grekosllavizmit.

Po si shpjegohet që politika evropiane, në traditën e saj, nuk ka lëvizur, faktikisht as edhe një grimë, nga qëndrimet antishqiptare? Një politikë kjo që bie në kundërshtim me qëndrimet aq dashamirëse të shumë dijetarëve evropianë për kombin tonë dhe për gjuhën shqipe? Kam bindjen e plotë se burimi i një politike të tillë është smira e Perëndimit evropian ndaj lashtësisë së kombit tonë dhe të gjuhës sonë. Thelbin e kësaj politike e ka zbuluar Fishta i Madh, i cili ka thënë:

“Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët e kishin kryer ciklin dymijëvjeçar të qytetërimit të lashtë… Kombi i Dioklecianit, i filozofit Julian, i Justinianit, një komb i cili kish një qytetari të tij kur gjyshstërgjyshët e francezëve e anglezëve visheshin me lëkurë bualli e rrinin të futur në shpella”.

Kaliforni, 15 shkurt 2022

Kurrë nuk është vonë, por …

Siç kemi parë shpeshëherë gjatë këtyre 30-viteve “post-komunizëm” në Shqipëri, kur është fjala për financimin e projekteve të tilla kushtuar vikitmave të komunizmit në Shqipëri, as ky projekt nuk është financuar nga qeveria shqiptare por nga Bashkimi Evropian (BE) dhe nga Ambasada Zvicerane, sipas faqes fejsbuk të AIDSSH. Gjithnjë sipas njoftimit në faqen e AIDSSH, ekspozita e jashtme e përhershme informuese është përgatitur me materiale të hulumtuara nga Instituti i Historisë dhe nga të dhënat arkivore mbi të internuarit në kampin me tela me gjemba të Tepelenës. Po ashtu, janë përfshirë skicat e çmuara, që paraqesin në trajtë fotografike jetën në kamp, të realizuara me mjeshtëri nga Lek Pervizi, i internuar në Tepelenë. Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf

Është interesant fakti se, më në fund, shohim një interesim pak më të madh se në të kaluarën nga diplomatët ndërkombëtarë, për të kaluarën komuniste dhe për krimet e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës në Shqipëri, megjithëse kanë kaluar 30-vjet nga shembja e Murit të Berlinit. Shqipëria është tepër vonë, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Evropës Lindore e Qendrore, me përballimin e saj serioz dhe zyrtar me të kaluarën e saj komuniste. Të vonuar janë edhe diplomatët e demokracive perëndimore, të cilët, me ndonjë përjashtim, aty këtu, siç është rasti i ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, që gjatë viteve u ka kushtuiar vemëndje të posaçme viktimave të komunizmit në Shqipëri, të tjerët nuk i kanë kushtuar ndonjë kujdes të dukshëm as nuk kanë treguar ndonjë interesim serioz ndaj krimeve të komunizmit dhe përballimit të Shqipërisë me të kaluarën kriminale të regjimit të Enver Hoxhës.

Por, thuhet se kurrë nuk është vonë. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Vura re se në përurimin e bërë në ish-kampin e Tepelenës të henën që kaloi, në ceremoni morën pjesë edhe dy diplomatë perëndimorë me rëndësi, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë znj. Yuri Kim dhe Drejtori i Seksionit Politik në BE, z. Alexis Hupin. Pjesëmarrja e përfaqsuesve të lartë diplomatikë në raste të tilla, ku kujtohen dhe nderohen viktimat e komunizmit të regjimit enverist në Shqipëri, është i mirëpritur. Unë, në atë mënyrën time, u kam bërë thirrje, për një kohë të gjatë tani, diplomatëve perëndimorë në Tiranë që të takohen me përfaqsues të përndjekurve politikë dhe të vizitojnë kampet e internimit, burgjet dhe kampet e punës të kundërshtarëve politikë të regjimit të Enver Hoxhës. Para se të jetë vonë, pasi ato po zhduken një nga një nga faqja e dheut, qellimisht, nga kjo klasë politike e cila, sot e kësaj dite, glorifikon ose mban një qëndrim indiferent ndaj komunizmit enverist, ndërsa për 30-vite tranzicion, ka refuzuar dhe refuzon të përballet me të kaluarën kriminale të regjimit kriminal të Enver Hoxhës.

Liderët shqiptarë të këtyre tre dekadave të fundit — për krimet e diktaturës komuniste, ndryshe flasin në Shqipëri dhe ndryshe kur janë jashtë Shqipërisë. Në një fjalim dje në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ishin të pranishëm diplomatë amerikanë dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, si dhe të ftuar të posaçëm, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu referua regjimit komunist në vendin e tij, duke thenë se “vetëm” tre dekada më parë, “Shqipëria ishte një bunker në terr, e cila pothuajse për një gjysëm shekulli, ajo u zvarrit në një nga regjimet komuniste më shtypëse në Evropë, që e bëri vendin tonë, më duhet të them, Korea Veriore e Evropës”. Fjalë shumë me vend, por Kryeministri Rama kur është në Shqipëri dhe në Kuvendin e Shqipërisë flet krejt ndryshe për të kaluarëpn komuniste në atë vend. Të gjithë e mbajmë mend fjalimin e tij në parlamentin shqiptar, kur është shprehur në mbrojtje të regjimit komunist, duke thenë se, “komunizmi ka qenë në anë e duhur të historisë”. Pra, Kreu i qeverisë shqiptare, ndryshe ka folur dhe ndryshe flet për të kaluarën komuniste dhe për krimet e regjimit të Enver Hoxhës kur u flet shqiptarëve dhe kur flet para botës, siç ishte rasti dje në Nju Jork, bazuar pra, në audiencën që ka përpara. Fjalimi i tij më kujtoi një deklaratë të një zyrtari amerikan vite më parë i cili u shpreh se liderët politikë shqiptarë kur janë, sidomos, jashtë vendit, dhe flasin sikur janë “demokratë të llojit xhefersonian”, por në vendin e tyre sillen si enveristë.

Por, diplomatët perëndimorë në Tiranë nuk duhet të ndjekin shembullin e politikanëve shqiptarë të këtyre tre dekadave dhe as të binden për pikëpamjet e tyre në lidhje me komunizmin. Dhe për vlerësimet e tyre për atë regjim kriminal, jo se jo, sepse nëqoftse përfaqsuesit diplomatikë të Washingtonit dhe Brukselit, vërtetë, mbrojnë vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, a priori nuk duhet të kenë asgjë të përbashkët me vlerat dhe qendrimet pro ose indiferente të liderve shqiptarë ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. Kush mund të jetë indiferent dhe kush mund të hesht përball krimeve të një regjimi që Kryeministri Rama, me të drejtë, e cilësoi dje në Nju Jork, si një nga “regjimet komuniste më shtypse në Evropë, që e bëri vendin tonë, më duhet të them, si Korea e Veriut, e Evropës”!? Dy kontinente të ndryshëm, dy qendrime kundërshtare njëra me tjetrën, por nga njëjti kryeministër në vlerësimin e tij për regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Por kjo nuk duhet të ndodhi me përfaqësuesit e demokracive perëndimore në Tiranë. Ata nuk duhet të heshtin. Duhet të thonë të vërtetën. Ata duhet të gjykojnë regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe krimet e tija, jo bazuar në shpjegimet dhe justifikimet e klasës politike shqiptare të tranzicionit të dështuar 30-vjeçarë “post-komunist” shqiptar — por bazuar në vlerat e vendeve që ata përfaqësojnë dhe në të drejtat dhe liritë universale.

Unë e vlerësoj vizitën e përfaqsuesve diplomatikë amerikanë dhe evropianë në ish-kampin komunist të internimit në Tepelenë, por shqiptarët presin diçka më shumë se kaq prej jush, si përfaqsues të vendeve që, historikisht, kanë mrojtur lirinë, demokracinë dhe të drejtat bazë të njeriut në përgjithësi e për shqiptarët në veçanti. Shumica e shqiptarëve presin prej jush, si përfaqsues të vendeve mike të Kombit shqiptar që, ju më në fund, të bëni thirrje publikisht dhe zyrtarisht, që Shqipëria, nëqoftse dëshiron të integrohet plotësisht në të gjitha mekanizmat euro-atlantike, përfshir Bashkimin Evropian, atëherë Tirana zyrtare duhet të distancohet sa më parë nga e kaluara komuniste e Shqipërisë dhe të dënojë, pa asnjë hezitim, krimet më mizore të ndonjë regjimi komunist në Evropë. Për ndryshe, vizita të tilla nga diplomatë të huaj, si ajo në kampin e internimit, këtë javë, në Tepelenë, do të konsiderohen si një shfaqje teatrale e rastit, për të mos thënë progandistike nga ana e diplomatëve perëndimorë, që edhe ashtu, fatkeqësisht, konsiderohen gjërsisht si palë me qeverinë në pushtet.

Që të rivendosni sadopak para shqiptarëve besueshmërinë tuaj dhe të vendeve që ju përfaqësoni, atëherë ka ardhur koha që të ndahet shapi prej sheqerit. Ju duhet të prononcoheni, një herë e mirë, se në cilën anë të vërtetës historike jeni ju, sa I përket të kaluaraës komuniste në Shqipëri. A jeni apo jo për distancimin e Shqipërisë nga e kaluara e saj diktatoriale komuniste dhe për dënimin e krimeve më çnjerëzore që ka njohur historia moderne evropiane kundër grave, fëmijve dhe pleqëve të pafajshëm, apo do vazhdoni që në heshtje të jeni palë me qeveritë shqiptare që kanë refuzuar deri tani të dënojnë, zyrtarisht, krimet e komunizmit në Shqipëri. Unë pritja që ky prononcim nga ana juaj të ndodhte pardje, por për fat të keq, nuk ndodhi as në vizitën tuaj në kampin e internimit në Tepelenë. Për më tepër unë nuk dëgjova as fjalën komunizëm gjatë fjalimeve tuaja atje. Folët, shkurtimisht, për viktimat, përfshi vdekjen e qindra fëmijve në kampin e Tepelenës, por nuk folët se kush ishte agresori i egër që shkaktonte vdekjen e fëmijve të pafajshëm. Jam i sigurt se ju e dini, dhe duhet ta thoni haptas dhe pa hezitim: ishte pikërisht, ai që sipas deklaratës së Kryeministrit Rama, njëri prej, “regjimeve komuniste më shtypëse në Evropë, që e bëri vendin tonë, më duhet të them, Korea Veriore e Evropës”.

Zoti Rama, por edhe ju duhet ta thoni këtë të vërtetë, aty mu në qendër të Tiranës. Mos heshtni! Të thoni se duhet të shikojmë përpara dhe jo mbrapa, nuk është një përgjigje që presin shumica e shqiptarëve prej jush, sidomos viktimat e komunizmit. Në të vërtetë, është një ofendim nga ana e juaj për mijëra e mijëra viktima të gjallë e të vdekur që kanë vuajtur aq shumë e që kanë humbur të afërmit më të dashur të tyre, viktima të komunizmit të Enver Hoxhës – shumë prej të cilëve as varret nuk u dihen, tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit. Unë nuk e di se si mund t’u thuhet viktimave të gjalla të komunizmit që të harrojnë të kaluarën komuniste. Viktimat e komunizmit nuk kanë kërkuar kurrë as nuk kërkojnë hakmarrje. Ata duan vetëm të vërtetën, duan drejtësi! Sepse, siç shprehet në faqen fejsbuk të Ambasadës Amerikane në Tiranë, zonja Yuri Kim, “Paqja nuk mund të vijë pa të vërtetën dhe pajtimin.”

këtë të vërtetë dhe pa drejtësi, shoqëria shqiptare nuk mund të shkojë përpara, sado që pushtetarët e Tiranës dhe diplomatët e huaj të bëjnë thirrje që të harrohet e kaluara komuniste! Kurrë nuk është vonë për të bërë më të mirën, të mundur. Frank Shkreli

Image

*Fotot janë marrë nga fejsbuk e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)

Image

*Fotot janë marrë nga fejsbuk e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)
Image

*Fotot janë marrë nga fejsbuk e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)
Image

*Fotot janë marrë nga fejsbuk e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)
Image

*Fotot janë marrë nga fejsbuk e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)
Image

*Fotot janë marrë nga fejsbuk e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)
Image

*Fotot janë marrë nga fejsbuk e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)
Image

*Fotot janë marrë nga fejsbuk e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)

Biden: Gati për t’iu përgjigjur sulmit rus ndaj Ukrainës

0

AP Foto: Presidenti Joe Biden mbajti fjalim të martën në mbrëmje rreth situatës së tendosur në mes të Ukrainës dhe Rusisë. 

Sot në ora 21: 48 nga Lene Skogstrøm

Presidenti Joe Biden tha në fjalimin e tij të martën.m në orën 21:30 se një sulm rus ndaj Ukrainës mbetet një mundësi. Ai theksoi se ende nuk është verifikuar se forcat ruse janë larguar nga kufiri me Ukrainën. “Ne jemi gati të përgjigjemi me vendosmëri ndaj një sulmi rus ndaj Ukrainës,” tha Biden.

Por ai tha gjithashtu se shpresonte se Rusia do të vazhdoi në udhën diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se ka disa propozime konkrete në tryezë.

“Ne duhet t’i japim diplomacisë çdo shans suksesi,” tha presidenti.

Ai më tej deklaroi se ai dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë rënë dakord të vazhdojnë dialogun.

Ai paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë gati të ushtrojnë presion ekonomik mbi Rusinë nëse sulmojnë.

Ai theksoi gjithashtu se çdo vend ka të drejtë të vendosë për fatin e vet dhe të kërkojë aleatët e vet.

Nëse Rusia sulmon, kjo do të thotë kosto të mëdha njerëzore për Ukrainën. Atëherë bota nuk do të harrojë se Rusia zgjodhi vdekjen dhe shkatërrimin, tha ai.

Ai iu drejtua gjithashtu qytetarëve të Rusisë: “Ju nuk jeni armiku ynë dhe nuk mendoj se doni një luftë të përgjakshme dhe shkatërruese kundër Ukrainës,” vazhdoi më tej Biden.

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s janë të përgatitur për çfarëdo që të ndodhë dhe se Rusia do të paguajë një çmim të lartë ekonomik nëse Moska fillon një pushtim.

Aftenposten

Biden-Osmanit: Përgjatë vitit të kaluar, Kosova vazhdimisht tregoi lidership në arenën ndërkombëtare

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka uruar Presidenten Osmani me rastin e 17 shkurtit, ditës të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë letër, ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës. Presidenti Biden duartroket punën dhe përkushtimin e Kosovës për forcimin e demokracisë dhë në luftën kundër krimit e korrupsionit. Tutje, Presidenti Biden potencon se në Samitin për Demokraci Kosova ka dëshmuar se është e gatshme të ndajë përvojën me shtete të tjera, gjersa thekson se përgjatë vitit të kaluar,  Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare. Duke vlerësuar angazhimin e Kosovës në ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore, Presidenti Biden flet për dialogun Kosovë-Serbi dhe kërkon që dialogu të përqëndrohet në njohje reciproke.

Në këtë letër urimi, Presidenti Biden flet sërish për lidhjen e veçantë që familja Biden ka me vendin tonë.

Më poshtë e gjeni të bashkëngjitur tekstin e plotë të urimit në anglisht dhe në shqip:

E nderuara zonja Presidente:

Në emër të popullit amerikan, ju uroj juve dhe bashkëqytetarët tuaj me rastin e festimit të ditës kombëtare të Kosovës më 17 shkurt.

Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë 14 viteve të pavarësisë së saj, duke u shndërruar nga një demokraci e brishtë në një shtet të gatshëm për të ndarë përvojat e veta me botën, siç e demonstruat ju gjatë Samitit për Demokraci në dhjetor. E përshëndes përkushtimin tuaj për punën e vazhdueshme dhe jetike për forcimin e institucioneve të Kosovës dhe për t’u siguruar që demokracia e Kosovës sjellë rezultate për të gjithë qytetarët e vendit tuaj. Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner i palëkundur i Kosovës përderisa ju përpiqeni ta luftoni korrupsionin dhe ta forconi sundimin e ligjit, të mbroni të drejtat e pakicave fetare dhe etnike, të nxisni një rritje ekonomike të drejtë dhe transparente dhe të siguroni një të ardhme të qëndrueshme energjetike.

Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke.

Vitin e kaluar, Kosova vazhdimisht demonstroi lidership në skenën ndërkombëtare. Nga ofrimi i strehimit të sigurt për të pambrojturit deri te forcimi i sigurisë globale dhe bashkëvendosja përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt, populli i Kosovës i ka dëshmuar botës trimërinë dhe bujarinë e tij. Ndërsa përballemi së bashku me pandeminë COVID-19, jam i kënaqur që Shtetet e Bashkuara patën mundësi të ofrojnë këtë muaj edhe gjysmë milioni doza të sigurta e efektive të vaksinës COVID-19 për të mbrojtur dhe ndihmuar Kosovën në ringritje nga pandemia.

 Siç e dini, Kosova zë një vend të veçantë në zemrat e familjes Biden. Ju falënderoj përsëri për nderimin e madh që i bëtë djalit tim, Beau, kur i dhatë atij post-mortem Medaljen Presidenciale për Sundimin e Ligjit vitin e kaluar. Mezi pres të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të thelluar partneritetin në mes vendeve tona dhe për ta jetësuar të ardhmen e Kosovës si një demokraci dinamike, sovrane, e multietnike, duke zënë vendin e merituar në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Ju uroj juve dhe gjithë popullit të Kosovës një festë të shëndetshme dhe të gëzueshme ndërsa ju festoni pavarësinë tuaj!

 Sinqerisht,

Joseph R. Biden Jr.

 ***

Dear Madam President:

On behalf of the American people, congratulations to you and your fellow citizens as you celebrate Kosovo’s national day on February 17.

Kosovo has made incredible progress over its 14 years of independence, growing from a fledgling democracy into a nation ready to share its experiences with the world, as you demonstrated during the Summit for Democracy in December. I applaud your commitment to the ongoing and vital work of strengthening Kosovo’s institutions and ensuring Kosovo’s democracy delivers for all the people of your country. The United States will remain Kosovo’s steadfast partner as you strive to fight corruption and strengthen the rule of law, to protect the rights of religious and ethnic minorities, to foster just and transparent economic growth, and to secure a sustainable energy future.

We are glad that Kosovo is continuing to build and strengthen its positive relations with neighboring countries, and we will continue to support your efforts towards a comprehensive normalization agreement with Serbia centered on mutual recognition.

This past year, Kosovo repeatedly demonstrated leadership on the international stage. From offering safe haven to the vulnerable to bolstering global security and co-deploying alongside the U.S. Army in Kuwait, the people of Kosovo have shown the world their bravery and their generosity. And as we face the COVID-19 pandemic together, I am pleased that the United States could provide this month another half million safe, effective COVID-19 vaccine doses to protect and assist Kosovo in rebuilding from the pandemic.

As you know, Kosovo holds a special place in the Biden family’s hearts. I thank you again for the great honor you bestowed on my son, Beau, when you posthumously awarded him the Presidential Medal on the Rule of Law last year. I look forward to continuing our shared efforts to deepen the partnership between our countries and to realize Kosovo’s future as a vibrant, sovereign, multi-ethnic democracy, taking its rightful place in European and Euro-Atlantic institutions.

I wish you and all the people of Kosovo a safe and joyful holiday as you celebrate your independence.

Sincerely,

Joseph R. Biden Jr.

Gjermania uron 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

0

-Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Gjermanisë Jörn Rohde/

PRISHTINË, 15 Shkurt 2022 – DRINI

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde.

Ambasadori Rhode ia ka dorëzuar Presidentes Osmani telegramin e urimit të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier, për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Presidentja Osmani e ka falënderuar ambasadorin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj Kosovës.

Në takim është biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon. Palët diskutuan edhe për punën e institucioneve të Kosovës të cilat kanë realizuar reforma përmbajtësore në fushën e sundimit të ligjit.

Ambasadori Rohde ka vlerësuar përparimin e dukshëm në luftën kundër korrupsionit. U diskutua se me parametra të tillë, të cilët ndihmojnë në forcimin e rendit dhe të ligjit, krijohen kushte për investitorë të jashtëm.

Koncili II i Vatikanit, rrethanat, ngjarjet, domethënia, porosia (1962-2022)

0

  • Don Lush GJERGJI, Prishtinë

Në shumë forume kishtare dhe laike bisedohet, shkruhet, shqyrtohet, analizohet, studjohet, ndriçohet një ndër ngjarjet e mëdha dhe të rëndësishme të shekullit të kaluar, Koncili II i Vatikanit (1962-1965), që për shumçka e ka shënuar dhe tipizuar shekullin e XX. Vlersësimet janë të llojlloshme, që unë i kam përmbledhur në tri kategori përfshirëse. 

Disa thonë se dukshëm e ka ndërruar, ka dhënë disa tipare dalluese dhe orjentuese, së pari Kishës katolike, krishtërimit, por edhe botës bashkëkohore. Grupi apo qëndrimi i dytë e shohin dhe vlerësojnë Koncilin e Dytë të Vatikabit si një ngjarje “kronike” thjesht kishtare, pa ndonjë domethënie më të thellë dhe gjithënjerëzore. Grupi i tretë janë “tradicinalistët”, të cilët jo vetëm që mohojnë rëndësinë dhe ndikimin pozitiv dhe kostruktiv të Koncilit të Dytë të Vatikanit në Kishë dhe në botë, por shkojnë aq larg, sa që theksojnë ndikimin e tij negativ në Kishë dhe në botë. Kreu i kësaj rryme pa dyshim ishte ipeshkvi françez  tashmë i ndjeri  Marcel Levfevre (1905 -1991), i cili kishte themeluar një lëvizje meshtarake “Shën Piu X”, për t’i kundërshtuar Papës, Kishës Katolike, sidomos reformave të Koncilit të Dytë të Vatikanit. 

Megjithatë, pa dyshim është një rast për të bërë një lloj “bilansi”, llogarie, që ky Koncil të kuptohet më mirë në rrethana, ngjarje, domethënie dhe porosi, jo vetëm për atëherë, por mbi të gjitha për të  sotmen  dhe  të ardhmen tonë.  

Para se të hyjmë në trajtim të kësaj tematike, duhet të themi me dhembje dhe keqardhje të madhe se në Koncilin e Dytë të Vatikanit nuk ishte i pranishëm asnjë ipeshkëv shqiptarë, sepse Shqipëria ishte nën sundimin dhe përndjekjen e tmerrshme komuniste dhe ateiste të Enver Hoxhës. Ipeshkvinë tonë, që atëherë ishte Ipeshkvia e Shkupit, ishte  ipeshkëv, prijës fetar dhe shpirtëror Imzot Dr. Smiljan Franjo Çekada (1902 -1976), kroat, me prejardhje nga Bosnja dhe Hercegovina, i cili ka udhëhequr ipeshkvinë tonë gjatë viteve 1940-1970.  

Në selinë e arqipeshkvisë së Tivarit ishte Imzot Aleksander TOKIQ (1911-1979), që rrjedhte nga familja e përzier dhe fliste mjaft mirë gjuhën shqipe. 

Në dy ipeshkvi lindore Arbëreshe në Kalabri dhe në Sicili, ipeshkëv apo eparkë ishin: imzot Giovanni MELE, në Lungro – Ungri të Kalabrisë (1911-1979), ndërsa në Horën Arbershe – Piana degli Albanesi, imzot Ernesto Ruffini, si Administrator Apostolik (1947-1967), më vonë arbëreshi imzot Giuseppe Perniciaro (1967-1981). 

Për ta vlerësuar, çmuar dhe shqyrtuar sa më mirë Koncilin e Dytë të Vatikanit, si dhe trashëgiminë e tij për ne sot, Papa Benedikti XVI, tashmë në dorëheqje, ka shpallur Vitin e Fesë (2012-2013), për vetëdijësimin e Kishës dhe të krishterëve për thesarin e fesë, i cili pa dyshim është dhurata më e madhe e Zotit, Kishës, traditës së të parëve, por mbi të gjitha duhet të jetë përcaktim, orjentim dhe zgjidhje, jetësim, dëshmi personale, familjare dhe shoqërore, për ne dhe për botën e sotme 

Protagonisti i parë nga aspekti njerëzor dhe kishtar i Koncili II të Vatikanit (KDV) është Shën Papa Gjoni XXIII, i cili e kishte ftuar dhe organizuar këtë Koncil. Përse dhe si ndodhi kjo gjë? Nën frymëzimin dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt, ai si synim kishte këtë: të mësojmë nga historia, e cila është Mësuesja e jetës, që Kisha katolike ka nevojë të vazhdueshme për reformë, për ballafaqim të dyfishtë, me Zotin, por edhe me kohën  dhe rrethanat në të cilat jetojmë dhe veprojmë. Kjo mund të arrihet konkretisht në dy mënyra,  nëpërmjet besnikërisë dhe përtrirjes. 

Këtë porosi dhe frymëzim ai e kishte shprehur me një figur të bukur stilistike që ka domethënie vërtet jetësore: “Kisha katolike është kroni i vjetër që gjithnjë dhuron ujë të ri” thoshte Papa i Mirë –  Shën Gjoni XXIII. Apo: “T’i hapim dritaret që të ajroset Kisha me Shpirtin Shenjt, që most të jetë muze…” 

Koncili II i Vatikanit mund të shqyrtohet nga shumë këndvështrime, si histori, por edhe si ngjarje dhe aktualitet, ndikimi i tij në Kishë me 16 dokumentet bazë të aprovuara dhe ratifikuara nga etërit konciliarë nga mbarë bota.  

Shpalljen për thirrjen e KDV e bëri papa Gjoni XXIII më 25 janar 1959, tre muaj pas zgjedhjes së tij në Selinë e Shën Pjetrit, duke befasuar gati të gjithë, ndërsa mbyllja e tij kremtore ishte më 8 dhjetor 1965 nga Papa Pali VI. 

Gjoni XXIII ndër të tjera në shpalljen e thirrjes së KDV tha: “Të nderuar vëllezër dhe të dashur bijtë tanë! Shpallim para jush, me siguri dhe duke u dridhur nga ndjenjat, por edhe të vendosur me përvujtëri synimet, emrin dhe propozimin e kremtimit të dyfishtë: të një Sinodi për Qytetin dhe të një Koncili ekumenik për mbarë Kishën”. 

Më 16 maj 1959 Papa Gjoni XXIII ka emëruar Komisionin përgatitor për Koncil, të cilin e ka kryesuar kardinali Domenico Tardini (1888 -1961), për t’u këshilluar me të gjithë kardinajt e Kishës, ipeshkvinjët, kongregatatë romake, eprorët e bashkësive rregulltare, universitetet katolike, teologët në tërë botën. 

Më 25 dhjetor 1961 papa Gjoni XXIII shpalli dhe nënshkrojti kushtetutën apostolike “Humanae salutis” me të cilën edhe zyrtarisht e kishte ftuar KDV. 

Më 2 shkurt 1962  Papa promovoi motu proprio “Conslium” me të cilin përcaktohej data e hapjes së KDV,  e enjte, 11 tetor 1962. 

Gjoni XXIII në fjalës e hapjes “Gaudet Mater Ecclesia” ka theksuar këtë: vazhdimësinë dhe risinë e doktrinës së krishterë. Ai kishte thënë kështu: “Duhet të shkojmë përpara me shpirt të qetë, pa shvlerësuar asgjë në Aktet e Koncilit të Trentos… por duhet kjo doktrinë e sigurt dhe e pandryshueshme, të cilës duhet t’i mbesim besnikë, të thellohet dhe paraqitet sipas nevojës së kohës sonë…” 

 Pastaj i kishte përpunuar dhe propozuar tri pika kryesore duke i ftuar të gjithë, 2778 pjesëmarrës nga mbarë bota, që të luten dhe punojnë në këto drejtime, që: 

  •  Kisha të gjejë fuqi dhe frymëzim të ri për ta shpallur Shëlbuesin e botës, Jezu Krishtin, me fjalë dhe shprehje të reja, të kuptueshme dhe të përshtatshme për botën e sotme; 
  • Kisha mos të largohet dhe distancohet më prej botës nëpërmjet mallkimeve dhe përjashtimeve, por të jetë “drita dhe kripa e botës”, ashtu si kërkon prej saj vetë Jezu Krishti; 
  • Kisha sa më parë të kërkojë dhe të gjejë bashkimin e të gjithë të krishterëve, duke kërkuar atë që na afron dhe bashkon, e jo atë çka na ndanë dhe përçanë. Pas vdekjes së Papës Gjoni XXIII, 3 qershor 1963, dhe zgjidhjes së Papës së ri, kardinalit të Milanos Giovanni Battista Montini – Pali VI, KDV do të vazhdojë me këto katër synime dhe orjentime bazore: 
  • Definicioni më i saktë dhe përpiktë i Kishës në botën bashkëkohore; 
  • Ripërtrirja e brendshme e Kishës Katolike; 
  • Ribashkimi i të gjithë të krishterëve; 
  • Dialogu i Kishës katolike me botën e sotme. Koncili II i Vatikanit si ngjarje historike, ka një fazë parakonciliare, dhe një paskonciliare. Historiani i njohur francez  Etienne Fouilloux flet «për ndërrimin rrënjësor të shenjave që i kishte shkaktuar ngjarja”. Disa teologë, ndër të cilët mund t’i përmendim,  Congar, de Lubac, Daniélou, Chenu, “teologët e ri”, ishin  bërë disi mësuesit dhe interpretët autoritativ të dëshirave, kërkesave, nevojave, synimeve dhe reformave konciliare. KDV ka përfunduar më 7 dhjetor 1965.  Ta shqyrtojmë përkatësinë dhe prejardhjen e etërve konciliarë:  
  • nga Evropa ishin 1090;  
  •  nga Azia 408; 
  •  nga Afrika 351;  
  •  nga Oqeania 74. Nuk duhet harruar që pjesa dërmuese nga të ashtuquajturat “tokat e misioneve”, ishin misionarë. Frytet e tija janë të shumëfishta, sidomos me dokumente, akte dhe shpirt të ri ungjillor, që hetohet kudo. Nga KDV kemi trashëgiminë e katër Kushtetutave themelore: 
  • SACROSANTUM CONCILIUM – mbi reformën liturgjike dhe përdorimin e gjuhëve amëtare, e aprovuar më 4 dhjetor 1963; 
  • LUMEN GENTIUM – që papa Pali VI e quajti “Magna Charta” të KDV, e aprovuar më 16 nëntor 1964; 
  • DEI VERBUM – mbi zbulesën e Fjalës së Zoti për ne dhe njerëzimin, e aprovuar më 18 nëntor 1965; 
  • GAUDIUM ET SPES – mbi Kishën në botën e sotme, e aprovuar më 7 dhjetor 1965. Përpos këtyre Kushtetutave, kemi edhe 9 Dekrete: 
  • AD GENTES, mbi misionin dhe dërgimin e Kishës, 7 dhjetor 1965; 
  • PRESBYTERORUM ORDINIS, mbi jetën meshtarake, 7 dhjetor 1965; 
  • APOSTOLICAM ACTUOSITATEM, mbi jetën e laikëve në Kishë, 18 nëntor 1965; 
  • OPTATAM TOTIUS, mbi formimin meshtarak, 28 tetor 1965; 
  • PERFECTAE CARITATIS, mbi përtrirjen e jetës rregulltare, 28 tetor 1965; 
  • CHRISTUS DOMINUS, mbi detyrat baritore ipeshkvore, 28 tetor 1965; 
  • UNITATIS REDINTEGRATIO, mbi bashkimin e të krishterëve, 21 nëntor 1964; 
  • ORIENTALIUM ECCLESIARUM, mbi Kishat lindore, 21 nëntor 1964; 
  • INTER MIRIFICA, mbi mjetet e komunikimit shoqëror, 4 dhjetor 1963.  TRI DEKLARATA: 
  • GRAVISSIMUM EDUCATIONIS, mbi edukimin e krishterë, 28 tetor 1965; 
  • NOSTRA AETATE, mbi marrëdhëniet ndërfetare me fetë jo të krishtera, 28 tetor 1965; 
  • DIGNITATIS HUMANAE, mbi lirinë fetare, 7 dhjetor 1965.  Interpretimi i Papës Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, sidomos duke filluar nga Sinodi Ipeshkvor 1985, KDV e vendos më shumë në vrazhdën e traditës shekullore katolike, si vazhdimësi dhe risi, pa të cilat s’ka mirëkuptim reformë dhe traditë.  Në Jubileun e madh të vitit 2000 papa Gjon Pali II thotë kështu: «Kisha me shekuj i njeh rregullat për një hermeneutik të mirëfillët të përmbajtjeve të dogmës… Nëse duke lexuar Koncilin supozohet se është një ndërprerje me të kaluaren, ndërsa  vërtet është në përkim të fesë së përhershme, është padyshim e gabueshme. Ajo që kanë besuar të gjithë gjithmonë dhe në çdo vend është risia burimore, e cila mundëson që çdo periudhë duhet të jetë e ndriçuar nga fjala e zbulimit të Hyjit në Jezu Krishtin”. Papa  tash në dorëheqje Benedikti XVI në fjalën e rastit me Kurinë e Romës më 22 dhjetor 2005 ka folur për dy lloj intrepretimi të Koncilit të Dytë të Vatikanit: e para, e gabuar, si “interpretim i ndërprerjes me të kaluaren dhe historinë e Kishës”, që ka shkaktuar “tollovi”, dhe e dyta, e drejtë, si “interpretim i reformës, ripërtrirjes në vazhdimësi”, që “ka sjellur fryte”.  Prishtinë, 15 shkurt 2022  
  • Radio Maria – Kosovë         

Rilexime nostalgjike: Xhemail Mustafa, mbi vëllim tim të parë me tregime

0

Xhemajl Mustafa

HAPËSIRË E MEDITIMEVE TË PËRCIPTA

(Bajram Sefaj: “Tri pika”, botoi “Rilindja”, Prishtinë, 1980)

Duke shkruar mbi prozën bashkëkohëse shqiptare, një kritik yni është i mendimit se për nivelin e saj të derivonshëm më e ligjshme është qasja nga aspekti i preokupimeve tematike, ngase: siç është vënë re edhe herë të tjera, bukuria e thënies artistike pret të realizohet më vonë. Arsyet pse ngjet kështu konkretisht, pse autorët tanë, në përgjithësi, e në këtë kontekst edhe prozatorët, deri në ditët tona më tepër sesa për estetikën e shkrimit letrar, kujdeseshin për temën dhe funksionin e tij shoqëror, janë të shumta dhe të njohura, prandaj s’mendojmë t`i përsërisim. Në këtë shkrim për përmbledhjen e tregimeve “Tri pika” të Bajram Sefajt, ndërkaq, në fillim po e referencojmë një fakt, qasja nga aspekti i interesimeve tematike është më e pranueshme dhe ndoshta më rezultatdhënëse edhe për shumë tekste letrare në prozë të botuara viteve të fundit te ne, sepse ende disa nga autorët tanë më tepër preokupohen me temën dhe kuptimet e mundshme të shkrimit e jo me bukurinë e thënies, që referohet prej andej. Këtë interesim mund ta gjejmë dendur edhe në tregimet e Bajram Sefajt, i cili, sado që provon t`u ikë disa konventave të ndërtimit të tregimit, megjithatë mbetet në përvojën e tregimit që shquhet për mënyrën telegrafike të regjistrimit dhe referencimit të gjërave e problemeve që merr për trajtim. E mësuar dhe e shfrytëzuar tash sa kohë në tregimin tonë, kjo mënyrë e shkrimit kryesisht realizohet nëpërmjet mendimeve dhe reflekseve të ndryshme për dukuri e fenomene gjithashtu të ndryshme të realitetit, por do thënë se vetë mënyra telegrafike e shprehjes së këtyre mendimeve bën që ato të jenë nga pak të sipërfaqshme, disi të përsëritura deri në tautologji.

Kjo që u tha më së mirë mund të provohet duke e lexuar tregimin e parë dhe që kap mbi pesëdhjetë faqe tekst – “Përrallë nate”, ku autori referencon disa nga dukuritë e jetës bashkëkohëse, siç janë debalancimi psikik deri në pesimizëm, pasiguria dhe frika ndaj tjetërsimeve të ndryshme, që merr nuanca të obsesionit dhe, më në fund, degradimi moral i njeriut. Natyrisht, në këtë mjedis s`përjashtohet as psikoza e pritjes, po një pritje që këtu është konkrete, do të thoshim e materializuar, njeriu, si njeri që është, del të presë të dashurën dhe shi kjo pritje krijon hapësirë për mendime, për asociacione të ndryshme rreth fatit të njerëzimit, i cili këtu, pra në këtë tregim të Bajram Sefajt, e supozon fatin e individit. Dhe, përkundër pritjes, që, siç u tha, është konkrete, pritje fizike, të themi kështu, meditimet e autorit shpesh ngrihen mbi gjëra jokonkrete, metafizike, dhe që, sa duket, vështirë se mund të thonë diçka të vlefshme. Konkretisht, e kemi fjalën për një asociacion, më mirë për një sensacion, mbi të cilin Bajram Sefaj e ngre thuaja gjithë tregimin mbi pesëdhjetë faqe tekst: “Eci rrugës e mendoj, ta marrtë djalli, a mos kanë të drejtë disa shkencëtarë që janë çuar peshë e na lodhin me do zbulime. A mos janë vetëm thashetheme ato që na i thonë ata? Thonë ata, madje këtë e përsërisin disa herë: se polet kanë luajtur vendit! Po, po. Polet thonë ata, kanë luajtur vendit”.

Këtë të dhënë autori e parodizon, e ironizon do të thoshim pikërisht duke e përsëritur. Kjo përsëritje s`do mend se në këtë kontekst shënjon kompleksin e frikës, të pasigurisë së njeriut bashkëkohës, por gjithashtu është e vërtetë se mënyra regjistruese-referencuese, siç janë shprehur këto mendime, s`mund të krijojë atmosferën e tregimit. E pa të, pa atmosferë, pa hapësirën e motivimit të ideve dhe të thënies artistike, nuk mund të flitet për aktin estetik që duhet ta kushtëzojë teksti letrar. Për më tepër, këto meditime e asociacione përsëriten shpesh dhe këtu nuk është fjala për përsëritjen me efekt, pra për përsëritjen potencuese, po për një përsëritje që vjen si rezultat i mungesës së një potenciali meditativ më të pasur. Këtu edhe duhet kërkuar arsyeja pse rrëfimi duket shpesh i stërzgjatur, krijohet njëfarë retardimi në të rrëfyer dhe që më së shpeshti vjen si rezultat i ndërhyrjeve në mënyrën “Ndoshta një meditim rasti për një luftë nuk do të ishte me këtë rast, i tepërt”. Në këtë mënyrë teksti privohet nga dinamika e rrëfimit dhe, njëherësh, krijohet bindja se ai me çdo kusht do t`u japë udhë mendimeve edhe atëherë kur ato i mungojnë, ose s`shkojnë në të mirë të vlerës së tregimit, herën tjetër. Natyrisht se në këtë tip të tregimit, që për bazë e ka meditimin dhe si i këtillë është shfrytëzuar mjaft në letërsinë tonë, nuk mund të flitet për farë mekanizimi kompozicional dhe kjo s`është dobësi, nëse brenda vetë tregimit ekziston një strukturë rrëfyese që obligon, pra një sistem sipas të cilit shqiptohen mendimet, meditimet a asociacione të ndryshme. Po e zëmë ngoje këtë të dhënë, ngase, derisa në tregimin për të cilin u bë fjalë, në mes më shumë, ekziston një ide qendrore, një rrjedhë e të rrëfyerit që për bazë ka asociativitetin, në disa tregime të tjera të përmbledhjes “Tri pika” të Bajram Sefajt shpesh mungojnë dhe këta dy komponentë. Autori rrëfen, ta zamë, për lojën me Tonin dhe për luftën me kuçedrën, por rrëfimi i tij, edhe përkundër fillimit që duket se premton, përfundon në mënyrë tepër të përgjithësuar, personazhi ndihet i dështuar, por i dështuar me shpresë, ngase e ka sulmuar kuçedra, që në këtë rast mbase shënjon të keqen, po e cila nuk konkretizohet. Mungon njësia e idesë, e kuptimit, e mesazhit artistik, prandaj teksti mbetet i parealizuar. Për një apo për arsye tjetër, të pasocializuara, pra, pa strukturë dhe pa potencial ideoartistik, që e kushtëzon komunikimin artistik janë dhe tregimet, ose t`i quajmë skicat: “Gur – gur bëhet mur. E rrugë?…”, “Shënime për drurin pa gjethe”, “Përmbytjes” dhe “Imcake”, ku autori mediton, apo vetëm regjistron fate njerëzish që pësojnë nga dashuria dhe nga naiviteti. Në këto tekste, që s`mund të merren për tregime, ngase thjeshtësimi i procedimit deri në drejtpërdrejtshmëri dhe mungesa e objektit artistik koherent s`krijojnë fare strukturë dhe intrigë artistike, më së miri provohet bota e ngushtë e ideve dhe rrëfimi telegrafik e kuptimisht i përciptë. Tregimet “Fatamorgana”, “Receta për vdekje pa brenga”, “Loja me shkronjën e pestë të alfabetit”, “Receta”, “Fragment nga memoaret e Tafilit” dhe “Retë ikin, ikin prej diellit”, duket se janë më të stabilizuara për sa u përket komponentëve që i përmendëm, por ato vuajnë ose nga skematizimi, ose ngrihen mbi ide e tema të shfrytëzuara moti në tregimin tonë. Përjashtim bën vetëm ndonjë detaj, ku autori zë ndonjë ide, po të cilën s’e zhvillon më tej, apo krijon ndonjë dialog dinamik, por sa vlen kur ai s`inkuadrohet në strukturën e tërësishme të tekstit. Them në strukturën e tekstit dhe mendoj së pari në tërësinë kuptimore të shkrimit, në nuancimet e idesë, sepse për strukturën e thënies, për dinamikën e bukurisë së saj këtu nuk mund të flitet.