Kreu Blog Faqe 1399

Pak biografi dhe disa rrëfejza e kujtime të mia për Prof. Dr. Zekeria Canën, Anton Çettën dhe Anton Kadri Prekajn

0

Gjergj-Bajram KabashiOslo

Prof. dr. Zekeria Cana, shkollën fillore, gjimnazin e ultë dhe normalen i kreu në vendlindje. Profesori i famshëm ka lindur më 15 mars të vitit 1934 në Gjakovë, ndërsa  ka vdekur më 10 janar 2009 në Prishtinë.

Ka qene historian dhe veprimtar i shquar shqiptar. Një kohë punoi si arsimtar dhe korrespodent i “Rilindjes”, ndërsa pas normales i regjistroi studimet në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në Degën e Historisë.

Historiani Zekeria Cana

Punën në Institutin Albanologjik e filloi më 10 nëntor 1967. Nga viti 1968 deri më 1976 ishte sekretar shkencor i Institutit Albanologjik. Më 1975 kreu studimet pasuniversitare në Beograd, duke mbrojtur temën e magjistraturës ”Lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë 1909-1912 dhe qëndrimi i Serbisë ndaj kësaj lëvizje”, ndërsa më 1984, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, mori titullin doktor shkencash, duke mbrojtur temën ”Socialdemokracia serbe dhe çështja shqiptare 1903-1913”.

Zekeria Cana ka dhënë një kontribut të madh për historiografisë shqiptare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve gjatë kohës së okupimit të Kosovës nga Serbia.

Vlenë të përmenden e kujtohen fjalët e Akademik Pajazit Nushi, psikolog i njohur i Kosovës, i cili me rastin e vdekjes së Profesor Zekeria Canës, duke folur në emër të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (bashkëthemelues i të cilit ishte edhe Prof.Zekeria Cana), pati theksuar që “profesor Zekeria Cana në vitet e nëntëdhjeta të dy dekadave të shekullit 20, qe bërë simbol i rezistencës ndaj dhunës, përndjekjeve, tmerreve dhe vrasjeve shqiptare.

“Dita e ndarjes prej tij është ditë pikëllimi jo vetëm e familjes, e farefisnisë, e shokëve dhe e miqve, por është ditë pikëllimi i gjithë atyre që dinë ç’është dinjiteti i njerëzor dhe mbrojtja me çdo kusht e këtij dinjiteti”, pati thënë Pajazit Nushi.

Një përshkrim dhe vlerësim tepër i sakt i psikologut të njohur të Kosovës.

KUR DHE SI E NJOHA PROFESORIN ZEKERIA CANA?

Profesorin e nderuar Zekeria Cana para se ta njihja fizikisht në verën e vitit 1984 e kam njohur përmes veprës së tij në fushën e historisë kombëtare, të cilën e çmoja dhe e përcillja me kënaqësi. Më vonë i pata shpeshtuar kontaktet me atë njeri të mirë, të zgjuar e mendjehapur, sidomos para ngjarjeve që i paraprinë rrënimit të Autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe pas rrënimit të kësaj autonomie. Profesori ishte nismëtari kryesor i nënshkrimit të atij dokumenti që njihet si : “Apeli i 215 intelektualeve shqiptarë.”, që ishte thirrje alarmante për të mos e lejuar e mos u pajtuar me rrënimin e autonomisë së Kosovës nga Slobodan Miloseviç. Njëri ndër nënshkruesit e këtij Apeli, ishte edhe autori i këtij shkrimi, në atë kohë gazetar i ri i gazetës “Rilindja”.

Marrëdhënjet më të afërta e bashkëpunuese me te i kam pasur gjatë kohës sa dilte “Alternativa”-“Republika”, organ i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Migjeni” në Lubjanë, kohë kur me poetin Ali Podrimja dhe Prof. Zekeria Canen koordinoheshim e merreshim vesh për dërgimin e shkrimeve që botoheshin atje , e që shpërndaheshin pastaj ilegalisht e gjysmëlegalisht gjithandej ku jetonin shqiptarët.

Profesori ka qenë një njeri i butë dhe i hareshëm prej natyrës dhe njihej si person që ishte lehtë të  komunikoje me të, pavarësisht moshës sime a tjetrit, në raport me te në atë kohë. Njeri suptil, por edhe i ashpër kur duhej, Profesor Cana ishte i respektuar kahdo qoftë, pasi me njerëzit, pra me masën e madhe të tyre, ai nuk fliste nga pozita e një shkencëtari të fushës së historiografisë, por zbriste në nivelet më të pranueshme të bashkëbisedimit, qoftë me të riun, plakun, blegtoin apo bujkun.

PAK MË NDRYSHE, PËR PROFESOR ZEKERIA CANËN !

Meqenëse Profesori kishte qef të pinte ngapak alkool, ashtu sikurse edhe ne që shoqëroheshim me të gjatë gjithë kohës nëpër vende të ndryshme të Kosovës e jashtë saj, shpesh bëheshim pjesë e ahengjeve të përbashkëta, duke i dhënë në atë mënyrë  pak gjallëri e frymë jetës nën robërinë serbomadhe.

Meqenëse prej fundit të viteve të ’80 e të thuash gjatë gjitha viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, isha ndoshta gazetari i vetëm që më së shumëti jam shoqëruar me Zekeria Canën, i kam edhe kujtimet e veçanta për te , siç i kanë po ashtu edhe të tjerët në mënyrën e vet; kujtime që e shpalojnë natyrën e hareshme, të zellshme e plot jetë të profesorit e historianit të çmuar gjithandej. Në të vërtetë, Prof. Zekeria Cana ishte ai që më ofronte në ndejat me të si dhe që më njohtonte për shumë nga veprimtaritë e terrenit. Une gjithmonë jam munduar t’ia ktheja këtë respekt e pranim që ai ma bënte, me të gjitha të mirat e mundësitë që i kisha si gazetar, duke i shfrytëzuar lidhjet e kontaktet e mira gjithandej në profesion.

Hapja inteligjente e tij dhe respekti që tregonte për mua e të tjerët, ndikoi që edhe ne të hapeshim në të në të njejtën mënyrë : me ngrohtësi të thuash familjare, duke mos u hidhëruar kurrë nga fjalët dhe qortimet që mund të na i drejtonte në ndonjë rast. Une dhe  Musa Sabedinin, kryeradaktorin i atëhershëm i “Botës së re”, një herë shkuam që ta vizitonim në shtëpi e të mirreshim vesh për një udhëtim të përbashkët në një fshat të Kosovës pas një kohe. Me mua ishte edhe Dauti, kusheriu i im. Ne shkuam tek shpija e tij në Prishtinë, ku na pritën ashtu siç është më së miri.

  • “A doni të pini diçka ?” na tha Profesori Zekeria
  • “Po …” tha Musa Sabedini edhe n’emnin tonë !
  • “A doni meze të vogël apo të madhe?”, na pyeti gruaja e Profesorit
  • “Të madhe …” , iu përgjigjëm !

Në atë rast Profesori u mundua t’ia bënte një shenj “me sy” gruas së tij , por ne e hapëm vështrimin dhe e mbanim të koncentruar në bisedë, kështu që përpjekjet e tij për të ndikuar tek gruaja, i shkuan huq !

Kur erdhi “mezeja” e pamë që Profesori nuk ishte aq i kënaqur , por duke e njohur të dashurin tonë e dinim që i vije disponimi ndërkohë.

Ndejtëm çka ndejtëm, dhe u ngritëm …Në të dalë, iu drejtua gruas, duke qeshur :“Pse bre grue gjithë atë meze, a e din që këta janë “lapera”!“Gruja ia din rendin Profesor, mos u brengos…”, i them une.Gruja e Profesorit qeshte … Qeshnim edhe ne !

Dhe, u ndamë, duke qeshur me atë njeri të jashtëzakonshëm, njeri aq human e të hareshëm nga ato kohë të vështira që i jetonim.

Ne vuanim, punonim dhe jetonim. Ishim të bashkuar në të mira e të këqija. Unë, gazetari Musa Sabedini, mjeku Sadik Rashiti dhe gazetari i ndjerë Rexhep Demiri, një herë patëm vendosur të shkonim në një restaurant të njohur në rrethinat e Pejës.

Kur organizonim ndeja e ahengje të tilla, të gjithë “qitnim ngapak” parë, në mënyrë që të mos rëndoheshim veç e veç, se edhe mundësitë nuk i kishim.

Duke iu ofrue Zahaqit të Pejës një plak e ngrehte me “konop” një edh bukur të madh për ta shitë diku aty afër …

Ne e ndalëm veturën , dhe pasi e përshëndetëm, e pyetëm:

“A e ke me e shitë?”“Po”, – na tha plaku“Sa e shet?”.

“Tridhjetë (30) marka…”.

Merri 40 marka. Ua pafsh hajrin. E morëm edhin dhe ikëm…

Edhe e këtillë, ishte ajo jetë …!

Në fillim të viteve të ’90-ta me një mik u nisëm me veturë kah Gryka e Rugovës, pasi Profesori thoshte që e ka ndërmend me kalue nëpër fshatin malor të quajtur Velika të Malit të Zi, në kufi me Rugovën, për të shkue prej aty në Plavë. Në Velikë, thoshte Prof. Zekeria Cana, të gjithë banorët janë me origjinë shqiptare, tash malazez, pasi e kanë humbë gjuhën me kohë. Profesori na propozoj të binim andejpari, pasi, sipas tij, nëse shkojmë kah Kulla e prej aty hyjmë në Rozhajë, mund t’i nxjerrin ma shumë probleme atij si dhe neve. Por, posa shkuam tek Gryka e Rugovës na ndaloi policia serbe në një postbllok të atyshëm me ashpërsi shumë të madhe thuajse kishin qenë duke na pritë, me kërcënimin se do të na e bëjnë “ma zi se disa Kelmendve, që i kemi mbytë tuj i rrehë”.

Më vonë e kuptova se ndër ata që i kishin rrahur në atë postbllok policor, kishte qenë edhe gazetari Ibrahim Kelmendi nga Llabjani, që në atë kohë ishte korrespondent i Koha Ditore nga Peja. 

Pasi mue e shoferin na kontrolluen detajisht, na thanë të largoheshim e të qëndronim në distancë . Ia nisën provokimet dhe sjelljet ngacmuese e poshtëruese ndaj Zekeria Canës.

Jesi bre ti Cana-Banana!?” , e marrëzi të tjera.

Flisnin, fyenin, bërtisnin e shanin, ndërsa Profesori vetëm përgjigjej rrallë ndonjëherë, pa shenja të dallueshme shqetësimi në fytyrë. Dikur, për ta poshtëruar nisën t’i bërtisnin e ta urdhëronin se “Duhet t’i zbathte këpucët, për të pa mos ke fshehë diçka në to!”.

E zbathën pothuaj me zor. Mbetëm të thuash nja dy orë aty, duke i pa provokimet e policëve mizor serbë.

Dikur e liruan Profesorin, duke e përcjellë atë dhe neve me : “Idite bre u sto …” (Shkoni në njëqind p..”).

Tashmë, ishim vonuar për të shkue atje ku propozonte Profesori. Sidoqoftë, u ngjitëm nalt në Rugovë, shetitëm andej-këndej dhe u kthyem pas tre-katër orëve, duke kaluar nga po ai postbllok policor serb.

Kah tjetër ?

Në atë kohë shkonim gjithkah me Profesorin dhe shpesh në të kthyer nga ato punë që i kryenim rrinim nëpër lokale të ndryshme, duke pirë e duke u kënaqur.Ne e dinim çka kishte qef Profesori, andaj gjithmonë mundoheshim t’ia bënim qefin atij e vetës njëherit!

Me Profesorin Zekeria Cana kemi shkue disa herë në rajonin e Masbjeshkes, si dhe në Plavë e Guci. Sëbashku me te dhe disa të tjerë ishim edhe tek Qafa e Previsë , afër Andrijevicës në Mal të Zi , për ta identifikuar vendnodhjen e asaj që njihet në histori si Masakra e Previs’, ku sipas dëshmive historiografike janë masakruar mbi 600 shqiptarë në tentimet malazeze për t’u zgjeruar në territoret shqiptare përmes masakrave ndaj popullsisë . Për t’i kopmletuar shënimet e tij , profesori ka shkue edhe herë të tjera atje . Me të ishim edhe në Rozhajë me të , sikurse edhe bjeshkën përmbi Dacaj , ku patën ndejtur një natë tek malsorët e atyshëm , që na e patën organizue një pritje të paharrueshme në lartësinë mbidetare mbi 2000 metra.

E prenë edhe një viç për neve … Mish i pjekun në hell, meze sa të duash, raki po ashtu si dhe të gjitha të mirat e tjera. Profesori nisi ta mbante ligjëratë se si rrjedh prej “një familjeje “hanedane” kasape”, që do të thotë një familjeje me traditë të hershme thertoreje në Gjakovë dhe se e dinte “shumë mirë” se cila pjesë e mishit është “më e shijshme”. Po aq të frymëzuar , ishim edhe ne të tjerët ! (Hahaa!). Me Prof. dr. Zekeria Canën, Sadik Demajn dhe Daut Kabashin e të tjerë, pinin edhe mikpritësit, ngapak edhe dy vëllezërit e moshuar, njëri prej të cilëve i kishte mbushë 104 vjet jete në ato bjeshkë madhështore dhe dukej mjaft i shëndetshëm e i gjallë me faqet “e kuqe si molla” . Brenga jetësore e plakut ishte se Mali i Zi e Serbia “gjithmonë na i kanë shty kufitë”!

“Qy i kanë sjellë kufitë?!”, thoshte.

Ai tregohej tepër nderues e respektues ndaj Profesorit Zekeria Cana, të cilit ia kishte “ni moti zanin” dhe ishte i lumtun që e kishte mysafir në ato bjeshkë të nalta !

Guci, tek Krojet e Ali Pash’ Gucisë …

Zekeria Cana më pati lutë një herë mue e disa nga shokët e mi që të shkonim bashkërisht në Guci tek Krojet e Ali Pash’ Gucisë, Heroit të Kombit Shqiptar, me rastin e kremtimit e organizimit të përvitshëm të një takimi gjithëpopullor atje, takim që mbahej për çdo vit me 2 gusht. Të shkoje në terren me te nuk ishte nganjëhere aq lehtë, se njerëzit e njihnin kahdo që shkonte dhe e ndalnin për me bisedue apo ndejtë me te “vetëm pak”.

Duke shetitë në ato bukuri të Gucisë, para oborrit të një shtëpie disa malsorë kishtin shtrue pije e meze dhe shihej që ishin në kulmin e kënaqësisë.Disa prej atyre që ishin në atë ndejë, posa e panë Profesorin Zekeria, e thirrën :“Ooo, tungjetjeta Profesor … Eja pak !”

Une duke e ditë se Profesori mund të ulej aty e mandej gotë-pas gote mund të na harroj e mos t’i bjerë ndërmend për ne, i them: “Profesor, ose po vijmë edhe ne me ty të paftuar në ndejë, ose po shkojmë edhe ne tjetërkah !”

Jo , mos shkoni. Pritni vetëm dy-tre minuta…” , na tha

Prit e prit, Profesori nuk ngritej nga ajo ndejë e me gjasë as që i kujtoheshim se jemi tuj e pritë . Ne kishim ardhë prej Dukagjinit vetëm në “maica” dhe në atë ambient të freskët malor zumë të ndjenim të ftohtët e Bjeshkëve të Nemuna , në mbrëmjen që afrohej me diellin që fshihej mas bjeshkësh … Filloi edhe të frynte erë . Dikur , në marrëveshje me shokët me të cilët e prisnim , i afrohem dhe i them që ne do të kërkojmë një ndejë këtu afër dikund dhe të presim …

Ashtu e lamë …, për tu takue ma vonë me të.

Duke e njohur natyrën e tij dhe faktin se kur duhej të ishte historian i mirë, ai tregohej i tillë, pleqnar i mirë, prapë tregohej ; andaj pse të mos e duronim edhe qefin e tij , që në mënyrë tjetër ishte edhe qefi ynë!!

Më 1 Maj të vitit 1990 është mbajtur Kuvendi i pajtimit tek Verrat e  Llukës.

Zekeria Cana ka qenë njëri ndër organizatorët kryesor të Kuvendit të Pajtimit të Gjaqeve e Ngatërresave, së bashku me Profesorin e nderuem Anton Çetta. Edhe aty u pa madhështia njerëzore dhe fuqia organizative e Profesor Zekeria Canës, Anton Çettës e shumë të tjerëve si këta, që arritën të pajtonin me qindra e qindra familje të hasmuara për motive nga më të ndryshmet.

Këta gjigand të urtisë njerëzore , në atë kohë ia patën mbyllë bukur mirë “kapakun” e grindjeve, ngatërresave, zënkave dhe vrasjeve të mirëmenduara nga UDB-a serbe që nga koha e Aleksander Rankoviqit.

Kah viti 1990 , në maj e qershor të atij viti shtegtuam andej-këndej në disa vende së bashku me Profesor Canën . Kah mesi i qershorit ishim të ftuar në një ndejë në shtëpinë e  gjyqtarit të njohur të Gjykatës Komunale për Kundervajtje të Pejës, Kadri Prekajt nga Dubova e Pejës, fshat buzë Drinit të Bardhë, afër Banjës së Pejës .

Aty ndejtëm deri vonë natën me shokët që e shoqëronim Profesorin, e në fund e lamë atë aty e ne shkuam shpive tona, në fshatrat e afërta aty.

Më kujtohet se me një rast Kadri Prekaj, i cili tash është gjyqtar i departamentit të përgjithshëm si dhe udhëheqës i divizionit për Kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Pejë, po i thotë Profesor Zekeria Canës :

  • “Profesor , gruaja ime ka me lindë djal’ kah fillimi i korrikut’ , prandaj , a mund të ma gjesh një emër sa më të mirë për djalin?”
  • “Emri është i gatshëm…!” , i tha
  • “Cili emër…?”
  • “Anton. N’emën t’Anton Çettës ! A ka emër ma të mirë, o Kadri?”
  • “Jo, nuk ka, Profesor Zekeria … !”
  • “E gëzoftë emrin e madh e me kuptim… Gëzuar” dhe u rritë me prindërit!” , thamë pothuaj njëzëshëm, duke u ngritë në këmbë e cakërruar gotat me raki rrushi për Anton Prekajn e palindur, tashmë burrë të pjekur .

Në foto : Anton Kadri Prekaj nga Dubova e Pejës, djaloshi tashmë burrë i pjekur që ia ngjiti emnin Profesori Zekeria Cana, kah mesi i qershorit të vitit 1990, në një ndejë në oborrin e shtëpisë së tyre në Dubovë.

Antoni ka lindë pas tre javësh, më 11.07.1990.Eshtë i diplomuar në Fakultetin e Biznesit në Pejë.

Që nga ajo kohë ka kalue “shumë uji nën urë”, ndërsa une si autor i këtyre mbresave e kujtimeve të ndryshme për Profesorin , me qëllim që të isha më i sigurtë për shkrimin e kujtimet e asaj kohe, e thirra në telefon mikun e hershëm Kadri Prekaj, që se kisha takuar e as që më ishte dhënë mundësia të flisja me të që nga ajo kohë. Përpos që bisedova me te si me një mik të vjetër, në fb bisedova edhe me njërin nga bijt e tij, Bardh Prekajn, i cili m’i dha shënimet që i kërkoja për vëllain e tij, Anton Prekaj, që Zekeria Cana ia vuni emnin Anton atë natë të qershorit 1990 në ndejën në oborrin e shpisë së tyre në Dubovë të Pejës, duke e nderue ashtu jo vetëm shokun e mikun e tij të ngushtë, Anton Çettën, por edhe familjen e Kadri Prekajt.

Zekeria Cana e  Anton Çetta

Eshtë me rëndësi të theksohet se kudo që ishim me Profesorin; qoftë tek Qafa e Previs’ afër Andrijevicës, në Plavë e Guci, në Dubovë të Madhe (të Pejës), në Fierzë (Novosellë të Pejës) apo edhe gjetiu, ai arrinte t’i verifikonte të dhënat që i kishte përmes hartave e shënimeve të duhuna, që i kishte marrë nga periudha kur vite më herët kishte shkuar për studime e hulumtime në Cetinë të Malit të Zi dhe në Arkivin e qytetit kishte mbledhë e kopjue shënime për masakrat ndaj shqiptarëve.

Të gjitha vendnodhjet e maskrave ndaj shqiptarëve, po përputhen me këto shënime që i kam!“, na thoshte me një ngushëllim e trishtim Profesori.

Të njejtën gjë e vërtetoj edhe në Fierzë (Novosellë të Pejës), në tubimin e organizuar posaçërisht për Profesor Zekeria Canën në shkollën fillore të fshatit nga ana e drejtorit tashmë të ndjerë të asaj shkolle, Gani Ramaj . Sikurse edhe në familje të tjera në Radac të Pejës dhe në shtëpinë e Metë Kabashit në Gurrakoc, ku u bisedua gjerë e gjatë për këtë temë me historianin e drejtorin e atëhershëm të Gjimnazit “Haxhi Zeka” të Istogut, Nasir Kabashin.

Gjithçka përputhej me shënimet nga Arkivi i Cetinës .

Edhe emrat e të maskaruarëve ishin po ata . Fatkeqësisht…

Në veçanti fshatarët e Fierzës (Novosellës së Pejës) i evokuan në detaje kujtimet e atyne masakrave, kryesisht në formën e kujtimeve nga më të moshuarit. Në prani të Profesor Zekeria Canës qysh në atë kohë qe marrë vendim për ta ngritë një shtatore në Fierzë, ku do të përkujtoheshin shqiptarët e vrarë në ato kohë të hidhura, ata njerëz të pafajshëm që e kishin dhanë jetën e vet duke mos i ba asgja askujt. Që ishin vra e maskrue në oborret, arat e shtëpitë e veta . Me Profesorin ishim edhe në disa fshatra të tjera , e patëm qëllim që me të të shkonim edhe në Lugun e Baranit, gjë që nuk ia arritëm për arsye objektive të ishim pjesë e ekipit ndihmës të historianit të nderuem, por ai punën e tij hulumtuese-shkencore edhe në Lugun e Baranit e kishte krye vet , ashtu siç ka ditë ai ma së mirë e më së mbari.

Zekeria Cana me Anton Çettën, në logun e Kuvendit të Pajtimit të Gjaqeve e Ngatërresave në atë kohë

Fakti që pas vitit 1999 , në kohë lufte , mu desht ta merrja rrugën e mërgimit duke e braktisur Kosovën dhunshëm nga ushtria e policia serbe, për ta shpëtue familjen time, më ka prishë shumë plane e projekte në fushëm e gazetarisë, të tilla që do t’ia kallxoj “vetëm natës së vorrit” .

Gazetaria bëhet vetëm duke qenë në jetë, pra duke qenë pjesë e të mirave dhe të këqijave të saj; duke vëzhguar e mbledhë shënime, duke ndejtë me sa më shumë njerëz të natyrave e profesioneve të ndryshme pa e paragjykuar asnjë njeri ; duke qeshë, qajtë e dënesë me ta …

Gjatë gjithë kohës sa isha këtu (në Norvegji) ku jetoj, mendjen e kisha atje: Tek ata njerëz dhe tek ato punë që i lashë të pakryeme. Që i lashe përgjysmë. Dhe tek punët që mendoja se më takojnë t’i kryeja ! Ma së shumëti tek punët e pakryme, që ëndërrova t’i kryja gjithë kësaj kohe por që nuk munda deri tash e ndoshta nuk do t’i kryej kurrë më në jetë !

Në vitin 2004 isha për pak kohë në Kosovë dhe arrita ta takoja Profesorin Zekeria Cana . Shqetësohem kur e kujtoj se nuk ishte më ai Zekeria Cana që e kisha lënë , ai që e njihja ! Nuk ishte më ai njeriu i guximshëm e supatrembur, që nuk donte të dëgjonte për policinë e Serbisë. E dija që ai nuk ishte frikësuar as tash, por ndihej i përhumbur, i lënduar shpirtnisht, shumë i zhgënjyer. Më tregoj diçka që nuk pata dëshirë që e ndëgjova, madje ia mora vetës inati se pse e pyeta, pse e trazova pa e pasur qëllimin që ta trazoja. Kam biseduar edhe në telefon kohëpaskoe me të, ndërsa në vitin 2007 dhe 2008 e takova dhe ndejta pak ma shumë me të në shtëpinë e tij.

Isha disa herë në shtëpinë e tij dhe librat e fundit që i kishte botuar i kam dhuratë me nënshkrimin e tij.

Në vitin 2007 e luta bukur shumë që të bashkëbisedonim për një libër jetëshkrimor për te, mirëpo megjithëse nuk ishte kundër kësaj ideje nuk e gjeti kohën për këtë , ndërsa tuj e pritë të më përgjigjej mua më erdhi koha të kthehesha në Norvegji. Në fund të qershorit 2008 ndërkaq u morëm vesh dhe e bëmë sëbashku skicën e bashkëbisedimit për librin me te. E takova edhe kah fillimi i korrikut 2008 për disa sqarime dhe kah mesi i vitit 2008 shkova së bashku me mikun tim Agim Morina , poetin e publicistin nga Londra, dhe me Fadil Gashin, redaktor i Radio Televizionit të Kosovës , që ta regjistronim pjesën e bisedës fillestare me të.

Kur shkuam na njoftuan se Profesori kishte përjetuar një infarkt tjetër të rëndë dhe se mjekët “ia kishin ndaluar të bisedonte me të  tjerë për ckadoqoftë”! Megjithatë, zhagas doli të më takonte … Ishte tepër i lodhur e me një fizik të shuem. U mundova ta bindja se do t’a ruaj/më qetësinë e tij të domosdoshme, por Njeriu që e kishin rrahë aq shumë e pamëshirshëm furtunat e jetës e ndaj të cilave kishte qëndruar me stoicizëm të jashtëzakonshëm, nuk guxoi që ta pranonte edhe sfidën e fundit të jetës : që të kallxonte krej çka kishte për të thënë e që se kishte thënë deri në atë kohë për jetën e vet.

Pasi mbrëmë më 27.01.2019, e kisha postuar një foto timen të hershme me profesorin në fb, e me te edhe një pjesëz nga librit im “Rilindja-Përkushtim e Trishtim“, ku flas për Profesor Zekeria Canën, kishte reaguar edhe kolegu e miku im Fadil Gashi nga gazeta Rilindja, sikurse edhe disa të tjerë.

Fadil Gashi I paharruar kujtimi per te. Me kujtohet kur ju shoqerova ty dhe Agim Morinen ne shtepine tij. Me vete kishit nje kamere dhe kishit planifikuar te zhvillonit nje interviste te gjate me te qe do te sherbente si baze per nje liber. Edhe sot e kesaj dite pyes veten, pse profesor Cana pritoi te fliste, pasi ai kishte shume gjera per te thene! Sidoqofte, ti dhe Agimi i dolet hakut. Nese nuk gaboj ky ka qene takimi i fundit me te Bajram!

Bajram Kabashi Po, Fadil ishte takimi i fundit…Paraprakisht ishim marrë vesh që të bashkëbisedonim për një libër për te, libër që e konsideroja të ngutshëm, qoftë edhe me cmimin që ta “prishja pushimin”. Kah fundi i qershorit u morëm vesh për librin bashkëbisedues, andaj une isha përgatitë, i rilexova disa libra të tij, ia përgatita pyetjet dhe me Mikun tonë Agim Morinën ishim për ta regjistruar por, sic e din ti, ai papritë kishte përjetue një infarkt të dytë dhe ishte cuditnisht aq i frikësuem sa nuk pranoj të bisedonte duke ma përkujtue që “mjeku ia kishte ndalue”… Ndihem fajtor gë nuk arrita ta zhvilloja bashkëbisedimin e fundit me atë kolos të atdhedashunisë e historian aq të zotin, që ishte aq i pranishëm ne jetën e popullit të vet, në gëzime e fatkeqësi, për pothuaj njëzet vite. Ngushëllime i vetëm, nëse mund të shprehem me “egoizëm” ishte libri i fundit që ma dha me përkushtim. Më vjen tepër keq dhe ndihem fajtor pa qenë fajtor fare që nuk arrita ta regjistroja jetëshkimin e tij.

Bajram Kabashi Në të vërtetë ishte kërkesa e Kastriot Shehdatit nga Gjakova për të shkrue për Zekeria Canën në një libër kujtimesh që ai po e bënë për te, që më ktheu në kohë, në gjurmë, kujtesë dhe u mundova ta shpaloja “arkivin e memorjes” për të. Natyrisht që do të shkruaj , por e dij që dicka ka mbetë e zbrazët, e ajo zbrazësi asht mungesa e atij libri.

Sokol Halili Të lumtë Gjergj Kabashi, që e kujton burrin e madh, të Shqiptarisë. Ky burrë, kishte diapazan te dijeve univerzale… por, ishte edhe trim i madh, që s’ta ka shoqin. Aty, ku e ka futë kokën Zekeria Cana, këta të sotmit, as gishtin e vogèl s’e shtinē…

Lavdi, dhe nderë, prof. Zekeria Canës ! E ty Gjergj Kabashi, respekt.

Si për shumë punë që i kam lanë të pa kryme në jetë, fakti që nuk munda  as që ta filloja e as ta mbaroja një libër jetëshkrimor për historianin e famshëm Zekeria Cana , më ka lënë një boshllëk të madh në jetën time profesionale.

Dhe po ashtu më erdhi shumë keq që nuk munda t’ia plotësoja dëshirën e fundit, siç kërkoj prej meje Zekeria Cana, që t’i mblidhja shokët e mij të dikurshëm me të cilët rrinim bashkërisht përpara lufte, e të shkonim në një vend malor e të pinim e “banim hajgare”, qysh thoshim në atë kohë… Profesori Zekeria më pati thanë që kishte dëshirë vetëm të na shihte “tuj pi”, pasi ai nuk do të pinte, meqenëse mjekët “ia kishin dalue”!

Pjesëz nga libri “Rilindja – Përkushtim e Trishtim”, ku kam folë për Profesorin Zekeria Cana

“Prishtina e 1 Tetorit 1997 ballafaqohej edhe menjë ditë të saj të lavdishme. Studentët dhe populli trim grumbullohej në cakun e duhur. Aty u takuam edhe me profesorin e nderuar Zekeria Canën. Pasi ndenjëm pak me të, e bëmë edhe nga një fotografi – për histori ! Kurdoherë që dikush i delte përballë pushtimit serb në Kosovë, atë gjatë atyre viteve e ka pasur krah të fortë e në ballë. Nëse ka njeri që më shumë se pesëmbëdhjetë vite e ka zhvilluar luftën e brendshme propagandistike në Kosovë, duke qëndruar në gëzim dhe hidhërim pranë dhe me popullin e vet, atëherë ai mund të jetë vetëm prof. Zekeria Cana, historian, publicist, eseist dhe polemist i pakompromis; themelues i KMLDNj-së së Prishtinës dhe nismëtar i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve dhe Ngatërresave, së bashku me profesorin Anton Çetta. Si pasues i mendimit filozofik-popullor të Anton Çeltës, Zekeria Cana me guximin e tij të rrallë, jokarakteristik për ata që thellohen në libra dhe krijimtari shkencore, ngado që shkoj nëpër Kosovë e jashta saj, – e të pakta ishin ato vende ku ai nuk ishte – i dha zemër popullit dhe njeriut të thjeshtë që t’i rezistonte armikut. Duke qenë aq i pranishëm në jetën reale gjatë më shumë se një decenieje, e sidomos në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit njëzetë, ai u bë udhëheqës shpirtëror i popullit të paudhëhequr.

Zekeria Cana ka bërë aso punësh dhe veprash të mëdha gjatë dhjetë viteve të fundit në Kosovë, sa që për kontributin e tij të madh, thuajse kolosal, do të mund të ishte e vetëdijshme plotësisht vetëm një politikë e zgjuar shtetërore shqiptare, një politikë që deri tash i ka munguar Kosovës. Për shkak të angazhimit të madh patriotik, u bë njeriu më i njohur për policinë serbe në Kosovë dhe jashta saj ; prandaj ajo polici e arrestoi, burgosi dhe e keqtrajtoj 42 herë, derisa në fund hoqi dorë prej tij! Me të kam dalë shpesh terreneve kosovare e jashtë Kosovës, andaj mund të them se ai prore është treguar më gazetar sesa shumë gazetarë të tjerë. Për mua Zekeria Cana ka mbetur një njeri i rrallë, ndoshta i vetmi që e preku dhe e përjetoj vuajtjen dhe terrorin që e shkaktonte policia dhe ushtria serbe në Kosovën e atyre viteve. Zekeria Cana, ai guximtari pikëlluar nga ato vite të vështira, u bë kështu mësuesi më i njohur i shqiptarizmit, një mësues i vërtetë që ngarendte fshat më fshat për të ngushëlluar, dhënë zemër dhe ofruar shpresën. Shpresën që aq shumë e luftonte armiku !

Ai edhe asaj dite ishte me studentët dhe popullin e vet…”

______

Këtë shkrim e kam përgatitur për librin e Kastriot Shehdatit nga Gjakova, i cili vdiq papritur në një moshë ende të re përpara një viti. Kastrioti e kishte si synim për t’i përmbledhë kujtimet e personaliteteve të ndryshme që e kanë njohur e kanë kalua kohë të caktuar me Profesorin Zekria Cana, duke dashur ta bënte një libër për të. Në mesin e të tjerëve, tashmë i ndjeri Kastriot Shehdati mu drejtua edhe mua që të shkruaja për Profesorin Zekeria Cana, gjë që e pranova me ëndje. Shkrimin fillimisht e kam botuar në revistadrini.info , ndërsa tash po e ribotoj në www.drini.us .

I love you Xhafer Deva, ai ishte patriot shqiptar dhe pikë

0
Lirim Gashi, shkrimtar nga Prishtina
Pak sqarim për njerëzit që e përziejnë grurin me tërshërën, e sidomos për ata që bëhen me katolikë se Papa.
Helmut Schmidt ish Kancelari i ndjerë i Gjermanisë Perëndimore ishte në rini ushtar i Adolf Hitlerit. Kjo nuk u pengoi gjermanëve që ta zgjedhin Kancelar sepse në ndërkohë kishte ndërtuar karrierë të bujshme politike në SPD-në Antifashiste të Wilhelm Brandt-it, Kurt Schumacher-it dhe Rosa Luksemburg-ut.
Ai në fakt ishte dëshmuar si një pragmatist i guximshëm, racional dhe mendjemprehtë në shumë situata vendimtare, e veçmas në kohen kur ishte Kryebashkiak i vendlindjes së tij Hamburgut, të cilin e kishin përmbytur vërshimet e tmerrshme.
Falë angazhimit të tij të palodhur, Helmut Schmidt kishte arritur t’i inkurajonte dhe mobilizonte jo vetëm qytetarët e Hamburgut, por edhe policinë dhe ushtrinë gjermane, në mënyrë që përpjekjet për shpëtimin e çdo banori të rrezikuar nga përmbytja të ishin sa më të suksesshme.
Në fakt menaxhimi gjenial i kësaj situate emergjente e kishte katapultuar Helmut Schmidt-in në hierarkinë partiake menjëherë pas liderit të pakontestueshëm Wilhelm Brandt-it.
Megjithatë mediat gjermane nuk pushonin se gërmuari në biografinë e tij, e sidomos në pjesën që ndërlidhej me shërbimin ushtarak në ushtrinë e Hitlerit, ku ai ishte paraqitur vullnetarisht.
Sidoqoftë Helmut Schmidt asnjë herë nuk pranonte ta quanin nazist sepse e hidhte poshtë çdo pretendim se kishte qenë në dijeni për atë që po ndodhte me hebrenjtë në llogoret nazifashiste.
Për krahasim, në Kosovë ka shpërthyer një debat totalisht i panevojshëm për rolin e Xhafer Deves në kohën kur Kosova dhe Shqipëria ishin nën protektoratin nazifashist italo-gjerman.
Fatkeqësisht prononcimi i Ambasadorit gjerman për rolin e Xhafer Deves në këtë periudhë kohore, ka ndikuar që debatuesit shqipfolës t’i mbushin pantollat dhe brekët me m…nga frika.
Imagjinojeni aq shumë alamet burra që nuk do të duhej të kishin frikë nga e vërteta i mbushin pantollat dhe brekët me m….nga frika prej së vërtetës, e cila thotë se Xhafer Deva nuk ishte nazifashist por patriot i vërtetë shqiptar.
Shtrohet pyetja, nëse gjermanët nuk e quajnë nazist dhe fashist por patriot të vërtetë Helmut Schmidt-in, i cili ishte lajmëruar vullnetarisht në shërbim ushtarak në ushtrinë e Adolfo Esteban Kardozos, pse duhet ta quajmë ne shqiptarët Xhafer Deven nazifashist, vetëm pse ka bashkëpunuar me gjermanët për ta hequr qafe okupatorin serb?
E sidomos kur e kemi parasysh faktin që ka shpëtuar shumë hebrenj nga kthetrat e ushtrisë së Hitlerit ?
Sindromi i Stokholmit?
Kompleksi i inferioritetit, gjegjësisht i pavlefshmërisë?
Pasha kombin dhe flamurin, Spitali i Shtimes ka nevojë për larg më shumë pacientë shqipfolës.
Sepse Xhafer Deva jo vetëm që nuk e ka persekutuar asnjë hebrej, por edhe ka shpëtuar shumë sosh duke i strehuar gjithandej në Shqipëri dhe Kosovë, gjegjësisht kudo që ka pasur miq të besueshëm.
Fakt është gjithashtu se Xhafer Deva ka bashkpunuar me ushtrinë e Hitlerit për t’ua hequr shqiptarëve lakun e litarit nga qafa, të cilin ua kishte vënë në qafë Dinastia ibrahimkelmendike Karađorđević dhe për ta evituar litarin që do t’ua hidhnin më vonë rreth qafës Aleksandar Rankoviq, Miladin Popoviq, Dushan Mugosha, Svetozar Vukmanoviq Tempo, Koça Popoviq, Drazha Markoviq, Dushan Çkrebiq, Ali Shukriu dhe vëllai i tyre Enver Hoxha, gjegjësisht stalinisti, psikopati, narcisi, diktatori, krimineli dhe vrasësi më i tmerrshëm të cilin e ka lindur ndonjë herë një nënë shqiptare.
Edhe unë Lirim Gashi po të isha asokohe nën lëkurën e Xhafer Deves, pas të gjitha atyre gjenocideve që shqiptarët pësuan nga serbët, më parë do të bashkpunoja me ushtrinë e Hitlerit dhe Gjermaninë e tij, sesa me Rusinë e Stalinit dhe Serbinë e Drazha Mihajloviqit, Aleksandar Rankoviqit, Miladin Popoviqit, Dushan Mugoshes, Svetozar Vukmanoviq Tempos dhe me vëllain e tyre satrap, diktator, kriminel, psikopat, sadist, paranojak dhe vrasës Enver Hoxhen.
Astrit Leka – Me LefNosin, Rexhep Mitrovicen, Xhaferr Deven, Iljaz Agushin, Ago Agajn, etj-krerë nga Shqipëria, në mbledhjen ku u diskutua krijimi i një qeverie shqiptare gjatë pushtimit gjerman.
Natyrisht që nga ambasadori gjerman nuk mund të pritet ndonjë prononcim tjetër publik pos këtij që dëgjuam dhe pamë për shkak të së kaluarës së popullit, atdheut dhe shtetit të tij, por ju betohem në komb dhe flamur se privatisht shpirti i tij loz disko, valcer dhe tango nga admirimi dhe gëzimi, sa herë që e dëgjon emrin dhe mbiemrin Xhafer Deva.
I love you Xhafer.
Krenar me ty.
Pse të mos meremetohet shtëpia e një atdhetari si Xhafer Deva, pavarësisht që e ka shfrytëzuar dhe i ka shërbyar për interesa kombëtare pushtimit fashist gjerman, që për ne shqiptarët ka qenë çlirim dhe ardhje e Lirisë së Vërtetë njerëzore e kombëtare …

Kandidati i CENTCOM: Irani është kërcënimi numër 1 destabilizues në Lindjen e Mesme

0

Oficeri i emëruar për të drejtuar Komandën Qendrore të SHBA-së dëshiron të përdorë inteligjencën artificiale për t’iu kundërvënë Iranit, të cilin ai e quajti ‘Nr. 1 faktor destabilizues” në rajon.

Amerika duhet të rrisë aftësitë e saj dhe të mbajë marrëdhënie të forta, tha gjenerallejtënant Michael Kurilla, gjenerali komandues i Korpusit Ajror XVIII dhe i emëruari për të udhëhequr misionet ushtarake të Amerikës në Lindjen e Mesme.

‘Irani është faktori numër 1 destabilizues në Lindjen e Mesme tani me sjelljen e tij keqdashëse,’ tha Kurilla në një seancë dëgjimore për konfirmimin e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit. ‘Të kalosh përmes partnerëve dhe aleatëve tanë dhe të forcosh ata me një front të bashkuar nga të gjithë partnerët dhe aleatët është mënyra më e mirë për t’u përballur me ta.’

Ai tha se ushtria duhet të përdorë më mirë inteligjencën artificiale, veçanërisht për të kundërshtuar Iranin. Ai tha se Korpusi Ajror XVIII bën ushtrime tremujore për të mësuar të përdorë inteligjencën artificiale për të zbuluar objektivat për goditje, diçka që ai do ta sillte në Komandën Qendrore të SHBA nëse konfirmohet.

‘Ne duhet të vazhdojmë të investojmë në teknologji, të përfshijmë Inteligjencën Artificiale dhe platformat dhe programet e mësimit të makinerive, për të rritur aftësinë tonë për të zbuluar, mbrojtur dhe përgjigjur aftësive konvencionale ushtarake iraniane,’ shkroi Kurilla në përgjigjet me shkrim ndaj pyetjeve të senatorëve.

Në seancën dëgjimore, gjenerali i ushtrisë tha se është thelbësore të ndihmohen partnerët në rajon për të përmirësuar mbrojtjen kibernetike që mund t’i mbrojë ata nga ‘aftësia kibernetike sulmuese shumë e aftë’ e Iranit.

Kurilla trajtoi gjithashtu raketat balistike që Houthi-t e mbështetur nga Irani kanë lëshuar kohët e fundit në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Përveç punës për integrimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore të aleatëve rajonalë për t’u mbrojtur kundër sulmeve të tilla, ai tha gjithashtu se është kritike të thuhet publikisht kur Irani qëndron pas sulmeve si ato, sepse mund ta shtyjë Teheranin të ndalojë dhunën e tij.

‘Ne duhet të sigurohemi që të ekspozojmë sjelljen keqdashëse iraniane,’ tha ai. ‘Kam zbuluar se sa herë që ekspozohet dora e Iranit pas kësaj, është e dobishme.’

Zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, si dhe nga Irani, Kina, Rusia, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar do të takohen të martën në Vjenë për raundin e fundit të bisedimeve në përpjekje për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit, nga e cila u tërhoq Presidenti Donald Trump. Kurilla tha se çdo ‘marrëveshje e zbatueshme’ që del nga bisedimet duhet të sigurojë që Irani të mos marrë një armë bërthamore.

Ai gjithashtu pranoi, megjithatë, se çdo lehtësim i sanksioneve i ofruar Iranit në këmbim të përfundimit të ndjekjes së tij për një armë bërthamore mund të përfundojë duke dëmtuar Amerikën në fushën e betejës.

“Ka një rrezik me lehtësimin e sanksioneve që Irani do të përdorte një pjesë të këtyre parave për të mbështetur përfaqësuesit e tij dhe terrorizmin në rajon dhe nëse ata e bënin, kjo mund të rriste rrezikun për forcat tona në rajon,” tha ai.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, “Moisiu arbëror”

Don Lush Gjergji, Prishtinë

Kush është për ne Shqiptarët Gjergj Kastrioti – Skënderbeu?
Kaluan 554 vite pas vdekjes së tij. Shumçka ka shkruar historiografia botërore, diçka më pak ajo arbërore dhe shqiptare. Megjithatë kemi mjaft elemente për ta portretizuar dhe paraqitur atë në dimensione historike dhe aktuale. Figura e tij zgjon gjithnjë shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime,  deri te kundërshtimi, urrejtja,  keqinterpretimi, frika nga e vërteta dhe jeta e tij. Kjo dëshmon bindshëm  që aktualiteti i tij,  “ballafaqimi” me të, siç duket, jo vetëm që nuk zbehet kurrë, por gjithnjë është personalitet, përmbajtje, porosi për të tashmen dhe të ardhmen tonë
Ai popullit tonë Ilir dhe Arbëror ia gjeti rrënjët, ia gjeti damarin, ia ktheu besimin dhe dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë, duke i përmirësuar gabimet e shumta të dinastive apo princave tanë, që të ndarë dhe përçarë, luftonin njëri – tjetrin duke u bërë “pre” e të huajve, në vend që të bashkoheshin për t’i luftuar armiqtë tanë të përbashkët dhe të përbetuar..
Besëlidhja e Lezhës (1444), akti kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij,  ku u vunë themelet për shtetin arbëror, me kohezion dhe bashkim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit Shtet dhe Komb.
Hapi tjetër i strategjisë dhe urtisë së tij ishte bashkëpunimi me aleatet perëndimor, ndër të cilët duhet përmendur Mbretërinë e Napolit,  atë të Venedikun, Raguzës, Papatin, Hungarinë, sidomos  trimin Janos Hunyadi, por edhe shumë të tjerë. Këtu erdhi në shprehje  aftësia e tij në diplomacinë  e mirëfilltë dhe komunikim i vazhdueshëm me qendrat e rëndësishme evropiane.
Në këtë punë tejet të madhe dhe vendimtare Gjergj Kastrioti i ndriçoi dhe vlerësoi rrënjët tona ilire, pra, lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë që nga kohët apostolike, duke u frymëzuar nga këto vlera dhe virtyte ai  dhe populli ynë, si pasardhës të Aleksandrit të Madh, të Ilirikut antik, të një historie dhe tradite  të gjatë dhe të lavdishme shekullore, që qëllimisht ishte mbuluar me harresë dhe mospërfillje.
Nëpërmjet Jeroni De Radës, më vonë rilindësve tanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte “ngjallur” edhe një herë në popullin tonë, në histori, traditë, kulturë, qytetërim, si model dhe ideal për çdo shqiptar, si mundësi për rekuperimin e historisë, ndërgjegjes, vlerave dhe virtyteve tashmë të harruara dhe tjetërsuara.
Nga ajo që dimë dhe mund të theksojmë:
• Gjergj Kastrioti – Skënderbeu pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.
• Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti  qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.
• Ai është shembëll i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt histories dhe ardhmerisë.
• Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftetarit të pashembull për popullin ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë tonë gjithëkombëtare me popujt dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.
Gjergj Kastriotin – Skënderbeun është figura më madhore në historinë sonë, së bashku me Shën Nënën Tereze, përfaqësuesi më i mirë i lashtësisë, autoktonisë, krishterimit, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë shekullor ilir, arbëror dhe shqiptar, Njeri i Provanisë së Zotit dhe historisë sonë, personalitet për nderim, admirim, mbi të gjitha imitim dhe vijim për çdo shqiptar. Historia, si Mësuesja e jetës, edhe një herë na fton dhe na mëson për atdhedashuri dhe vëllazëri gjithëshqiptare, si parakusht për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm personal, familjar dhe kombëtar.
Prishtinë, 8 shkurt 2022 
Galeria Kombëtare  e Kosovës – Don Lush Gjergji                     

Hapja e ekspozitës  “Portrete të Skënderbeut  gjatë shekujve” – Prof. Luan TASHI-t

Faton Bislimi demanton kryediplomatin serb Selakoviq

0
Nga: Faton Bislimi, New York

Harta e Ballkanit

Në një intervistë të botuar në Diplomat Magazine të Human Rights Without Frontiers (HRWF) me seli në Bruksel, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Selakoviq, ka paraqitur shtetin e tij si një vend që ndanë vlerat evropiane dhe tutje si një vend që ka vuajtur nga problemet e shkaktuara ndaj tij prej Kosovës. Teksa kur flet për Kosovën, tregon “gjendjen e mjerueshme” në të cilën jetojnë serbët lokal aty, dhe normalisht fajëson Kosovën për çalimin e procesit të dialogut dhe mos-zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Por, këto të pavërteta të diplomacisë serbe nuk do të mbesin të pasfiduara. Jo më!

Sot, shkrimi im që i kundërvihet – me fakte – kësaj propagande publike të kryediplomatit serb është botuar nga HRWF në Bruksel. Në këtë shkrim, ndër të tjera potencoj:

“Për një shtet si Serbia që pretendon t’i bashkohet BE-së e të ndajë vlerat evropiane, por ende e llogaritë Kosovën, një shtet sovran e të njohur ndërkombëtarisht nga 115 vende, si territor të vetin, është përtej edhe sureales. Serbia është një shembull eklatant ku ende mbizotëron politika e stërkeqjes dhe frikës, që nga koha e liderit të tyre (S. Milosheviq) i cili vdiq në burg të Hagës gjerësa po gjykohej për krime lufte, krime kundër njerëzimit e gjenocid.”

“Kushdo që e lexon intervistën e Selakoviqit, e sheh kjartazi përpjekjen e tij për ta paraqitur Serbinë si viktimë në raport me Kosovën. Fatkeqësisht për të, faktet historike janë shumë kokëforta dhe nuk lejojnë ndryshimin e historisë në favor të askujt e aq më pak Serbisë ndaj së cilës u dashtë të intervenojë ushtarakisht edhe NATO për të parandaluar spastrimin etnik të Kosovës nga marshi gjenocidial serb kundrejt shqiptarëve etnikë aty.”

“Sa më parë që Serbia të marrë përgjegjësinë e së kaluarës, të pendohet, e të të angazhohet për fqinjësi të mirë, së pari duke rikthyer në Kosovë trupat e mëse një mijë e gjastëqind të pagjeturëve shqiptarë, aq më afër do jetë paqja dhe stabiliteti në rajon. Realisht, kushdo nga Beogradi që flet për “gjendjen e mjerueshme në të cilën jetojnë serbët në Kosovë,” vecsa i shton një ofendim plagës së hapur si pasojë e krimeve serbe atje, sepse cdo raport kredibil ndërkombëtar qoftë nga Departamenti i Shtetit, qoftë nga Human Rights Watch, etj, tregon kjartë se sa të avancuara janë të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.”

“Krejt e kundërta është e vërtetë për Serbinë, ngase është minoriteti shqiptar në jug të Serbisë, në Luginë të Preshevës, ai i cili jeton në gjendje realisht të mjerueshme, dhe diskriminohet fuqishëm nga aparati shtetëror serb. Kështu, Lugina e Preshevës është rajoni më i varfër jo vetëm në Serbi por në krejt Evropën. Beogradi përmes fshirjes së adresave dhe largimit nga regjistri civil i shqiptarëve të Luginës po bënë sot e kësaj dite spastrim etnik modern ndaj shqiptarëve etnikë atje.”

“Andaj, nëse duhet pajtim për të arritë paqe të qëndrueshme në Ballkan, duhet që Serbia si nismëtare e krejta lufrave këtu të kërkoj falje së pari e të angazhohet sinqerisht për të ardhme me të mirë. Kjo nuk mund të pritet nga Kosova sepse ajo ishte viktima, jo agresori!”

— Shkrimi im i plotë i botuar nga Human Rights Without Frontiers në Bruksel sot në versionin origjinal në anglishte gjenden në KETE link.

Reperi Viktor Palokaj, i njohur si Unikkatili, kyçet në debatin për Xhafer Devën

0

Debati për Xhafer Devën, figurën polarizuese të histografisë shqiptare e ka tërhequr edhe Unikkatilin, reperin nacionalist nga Prishtina që jeton në SHBA.

Unikkatili i ka reaguar ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili u shpreh i shqetësuar të hënën lidhur me restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Reperi e quajti hipokrit qëndrimin e diplomatit gjerman, i cili vlerësoi se Kosova po e shtrembëron të vërtetën për Holokaustin me restaurimin e shtëpisë së politikanit që kishte qenë bashkëpunëtor i nazistëve, njofton Drini.

Xhafer Deva

“Ambasador, a nuk do të thoni se është pak hipokrite të restaurohen monumentet naziste në Nuremberg dhe pastaj të bëheni krejt “i drejtë” për një ndërtesë që përfaqëson një pjesë të historisë për shqiptarët?”, shkroi ai.

Unikkatili tha se Mynihu është plot me ndërtesa naziste.

Sipas Unikkatilit, Xhafer Deva kishte refuzuar t’ua dorëzonte hebrenjtë nazistëve.

“Asnjë hebre nuk vdiq në Shqipëri dhe ai ishte pjesë e arsyes”, shkroi reperi, të cilit ambasadori gjerman i duket “qartësisht i painformuar”.

UniKKatiL
@UniKKatiL

 

wouldn’t you say it’s a little hypocritical to restore Nazi monuments in Nuremberg and then get all “righteous” for a building that represents a part of history to Albanians?

Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, të cilën disa qarqe vendore e ndërkombëtare shprehin kundërshtim që të meremetohet.
UniKKatiL
@UniKKatiL

Or while you’re at it I recall Munich is chock full of Nazi buildings and I don’t see anyone knocking them down. Restoring a historical building doesn’t mean you side with anyone it’s just that erasing history is always a mistake.

UniKKatiL
@UniKKatiL
Xhafer Deva the controversial figure refused to hand over jews to the Nazis and promised Jewish leaders he would protect them (a promise he kept). No jew died in Albania and he was part of the reason. Whitewashing is what you’re doing and seem clearly uninformed.
Viktor Palokaj si fëmijë në duartë e babait të tij nga Gurrakoci i Istogut, Profesorit Lush Palokaj, tashmë i ndjerë.
________________
Valdet Deva, tek profili i tij në fb:
“Me rastin e angazhimit tim si familjar, dhe te shume miqve dhe dashamireve te kombit reth kthimit te mbetjeve mortore te Xhafer Deves ne vendlindje, dua ti uroj mireseardhje ne mesin tone artistit te mirenjohur, Viktor Paloka – Unikatili, per deshiren dhe angazhimin e tij ne kete projekt aq te rendesishem per kombin , historine dhe ardhmerine tone shqiptare.”

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion nga Kuvendi Komunal i Bujanocit

0

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur sot në takim një delegacion nga Kuvendi Komunal i Bujanocit, i përbërë nga z. Enver Ramadani, Kryetari i Kuvendit Komunal, znj. Afërdita Mustafa, Këshilltare në Kuvend Komunal; znj. Nermine Aliji Ademi, Sekretare e Kuvendit dhe z.Fisnik Beluli, shef i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit. Presidentja Osmani ka bërë të ditur angazhimin e vazhdueshëm të Presidencës dhe të gjitha institucioneve tjera të Republikës së Kosovës në adresimin e problemeve me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ajo ka theksuar se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar në vazhdimësi ka ngritur këto probleme, duke synuar ndërkombëtarizimin e problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Në këtë takim, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë në Luginë, duke siguruar trajtim të menjëhershëm të të gjitha shqetësimeve të shqiptarëve në Luginë nga ana e institucioneve të Kosovës.

Presidentja Osmani ka bërë thirrje për bashkëpunim e unifikim të faktorit politik shqiptar në Luginë, duke e konsideruar si mënyrën e vetme e cila siguron trajtimin e duhur të problemeve të shqiptarëve në Luginë. Ajo po ashtu ka rikonfirmuar qëndrimin e saj dhe të gjitha institucioneve të vendit për përkrahje të vazhdueshme karshi shqiptarëve në Luginë.

Epopeja e UÇK-së e ndryshoi historinë e Kosovës për mbarë dhe e bashkoi popullin tonë

0

Tri vendime dhe gjashtë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe që janë na pajtim me fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, i ka miratuar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt.

Vendimi i parë në mbledhjen e sotme ishte themelimi i Këshillit Organizativ për manifestimin gjithë-popullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila do të mbahet nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.

Duke vlerësuar se Epopeja e UÇK-së e ndryshoi historinë e Kosovës për mbarë dhe e bashkoi popullin tonë, duhet të kujtojmë ditët 5, 6 dhe 7 mars, sakrificën e familjes Jashari dhe qëndresën e tyre, tha Kryeministri Albin Kurti. Duke propozuar këtë Këshill, Kryeministri theksoi: “Gjithçka që bëjmë e veprojmë, çdo progres i yni duket pak, krahas gjithçkaje, që ata dhanë. Duke iu falënderuar atyre, dëshmorëve e martirëve, jemi edhe ne sot këtu. Kujtimi për ta na bën të vetëdijshëm, që ata nuk harrohen, që ne duhet të qëndrojmë, të mos dorëzohemi e ta ndërtojmë Republikën, që ua kemi borxh”.

Kryeministri propozoi Këshillin Organizativ në këtë përbërje:

1.     Z. Armend Mehaj, Ministër i Mbrojtjes, Kryesues;

2.     Znj. Donika Gërvalla – Schwarz, Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës;

3.     Z. Fadil Nura, Kryetar i Komunës së Skenderajt, anëtar;

4.     Znj. Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, anëtare;

5.     Z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;

6.     Xhelal Sfeçla, Ministër i Punëve të Brendshme, anëtar;

7.     Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;

8.     Bislim Zogaj, Drejtor i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës, anëtar.

Gjithashtu ftohen ta dërgojnë nga një përfaqësues në Këshill:

1.     Zyra e Presidentes;

2.     Kuvendi i Kosovës;

3.     Komuna e Prishtinës;

4.     Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së;

5.     Asociacioni i Komunave të Kosovës;

6.     Organizatat e Shoqërisë Civile.

Në vazhdim është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.07/09 i datës 01.07.2020, sipas të cilit pikat 2, 3 dhe 4 të Vendimit Nr.07/09 të datës 01.07.2020 shfuqizohen, ndërsa shtohet pika 2 sipas të cilës: “Udhëzohet AKP të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran” dhe shtohet pika 3: “Asetet mund të ofrohen për qiradhënie të rregullt, deri në miratimin e politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran”.

Marrë parasysh nismën e Qeverisë në drejtim të themelimit të Fondit Sovran, është e domosdoshme që të parandalohet tjetërsimi i aseteve jetike për utilizimin e tyre në qëllim të interesit shtetëror, përmes Fondit Sovran. Andaj, me qëllim të përmbushjes së obligimeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në pajtim me politikat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ky Vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, plotëson/ndryshon vendimin e Qeverisë Nr.07/09 i datës 01.07.2020.

Pa marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për zbatimin e sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve të Bjellorusisë që janë të lidhura  me regjimin e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Sanksionet konsistojnë në ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës; ndalimin e udhëtimit për individët e sanksionuar; dhe ndalimi për individët dhe entitetet në Republikën e Kosovës që të vënë fonde në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.

Në parim kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe nismat për lidhjen e marrëveshjeve financiare për IPA 2021 dhe IPA 2022, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Këto marrëveshje do të sigurojnë zbatimin e programeve vjetore dhe IPA 2021 parasheh përfitimin e 63,96 milion euro për projekte investive në vendin tonë dhe 70,25 milionë nga IPA 2022.

Edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Partneritetit për Kornizën  Financiare në mes të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA III), ka marrë miratimin në mbledhjen e sotme. Kjo marrëveshje do të sigurojë krijimin e bazës ligjore që Kosova të ketë qasjen në këto fonde.

Në pritje të finalizimit të marrëveshjes me Gjermaninë për njohjen reciproke të patentë shoferëve, në mbledhjen e sotme janë miratuar vendimet për dy nisma për lidhje të marrëveshjeve me Qeverinë e Kanadasë dhe me Qeverinë e Republikës së Turqisë, për njohjen reciproke të patentë shoferëve. Ministria e Punëve të Brendshme është autorizuar të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme  për lidhje të këtyre marrëveshjeve.

Me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është miratuar edhe nisma për negocimin e marrëveshjes financiare me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila do t’i siguronte Kosovës 6,315 000 (gjashtë milionë e treqind e pesëmbëdhjetë mijë) euro që do të dedikohen për efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme të energjisë në vendin tonë.

Tomë Mrijaj aktivist, studiues dhe intelektual i shquar i komunitetit shqiptaro amerikanë

Klajd Kapinova

“Gruaja, tek fisi Mrijaj, është një krijesë e respektuar, është engjëlli i vatrës që lind, rrit dhe edukon fëmijtë, që pret e përciell miqtë, që lartëson nderin e familjes, që vlerësohet nga pjestarët meshkuj të shtëpisë, që nga vjehrri e deri te fëmijët. Një kurorëzim i tillë, i figurës femërore nuk është i zakonshëm në mendësinë shqiptare, prandaj, për mendimin tim, përbën një risi konceptuale, që i rrit vlerën veprës dhe mesazhit të saj…. Ajo ndjenjë fitoi mbi ligjet e maleve, mbi paragjykimet e shoqërisë, mbi moralin e saj. Ajo grua i dha shoqërisë një mësim të madh, atë të respektimit të ligjeve të zemrës, të parimeve universale të detyrës së nënës, që nuk mund e nuk duhet të jetë në kundërshtim me pjesëmarrjen në një familje, në një fis, në një bashkësi njerëzish, mbasi detyra e nënës është më e bukura, më fisnikja më e bekuara nga Zoti, sepse është sendërtimi i mësimit të tij themelor. Si e tillë ajo bëhet themeli mbi të cilin ngrihet një familje me një his,tori dyqind vjetëshe.” – Eugjen Merlika, studiues e publiçist, Itali

Para 5000 vjetëve, në Egjiptin e lashtë, kur civilizimet antike e krijuan shkrimin, shfrytëzuan të gjitha bazat në të cilat mund të shkruhej: papyrus, gurë, argjilë, pllaka të drurit apo metalike etj.
Dhe kësisoj gjatë shekujve deri në ditët tona, libri u bë tërësia e bashkuar e materializimit të produktit mendor të një autori, që botohet një herë ose here mbas here, në një vëllim apo më shumë.
E kam të lehtë, por edhe të vështirë të shkruaj për figurën e atdhetarit të palodhur Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA, studiuesin dhe publiçistin bashkëkohorë Tomë Mrijaj.
Telegrafikisht, po paraqes disa momente kryesore nga kujtimet e mia, tepër domethënëse të jetën dhe veprës patriotike për shumë dekada të familjes dhe të Tomës. Ai është një pinjoll i denjë fisit të madh të Mrijajve zëmadh…

Historia nënë e pagabueshme

Tomë Mrijaj, lindi në tokën martire të Dardanisë, aty ku zë fill historia më e lashtë e popullit shqiptar e dalluar mirëfilli për besë, trimëri, bujari, humanizëm, sakrifica sublime për shumë shekuj, tradita të mrekullueshme dhe të moçme shqiptare, atdhedashuri etj., të cilat fisi Mrijaj i trashëgoi brez pas brezi për shumë shekuj.

Gjatë bisedave të lira për shumë vite, me mikun tim Tomë Mrijaj, falë një kujtese shumë të mirë deri në detaje, ai rrëfen me mall dhe dashuri të pakufi për vendlindjen Klinën dhe Dardaninë e tij martire.
Mbi të gjitha ajo që më ka rënë në sy është se ai e skalit atdhedashurinë e tij me fjalë zemre, pikërisht identitetin e përjetshëm shqiptar edhe pse sot jeton dhe punon prej disa dekadash në shtetin e madhe metropolitan të New York-ut, në SHBA.
Në prill të vitit 2002, fillova udhëtimin tim të parë nga Tirana (Shqipëri), Budapest (Hungari) drejt shtetit të New York-ut (SHBA), ku, në aeroportin ndërkombëtar John Fitzgerald Kennedy, kishte dalur për të më pritur Tomë Mrijaj, i cili, shumë vite më vonë do të bëhet edhe kumbara i familjes time të re dhe djalit Klajd Kapinova Junior.
Qysh në fillim, pranë familjes fisnike mikpritëse, zemërbujare dhe shumë humane Mrijaj, me banim në New York, unë gjeta deri më sot ngrohtësinë e një familje fisnike bujare të vërtetë tipike tradicionale shqiptare.

Vijimsia shqiptare në New York

Antarët shqiptaro amerikanë të familjes Mrijaj edhe pse jetojnë në një mjedis të ri njujorkez, vazhdojnë të ruajnë gjithnjë me pasion atdhedashurie dhe ta përcjellin atë edhe sot, tek fëmijët, nipa dhe mbesat e tyre të lindur dhe rritur në SHBA, me vlerat më të mira të trevës së mirënjohur të Klinës, në zonën e tradita historike të Lugut të Drinit në Kosovë.
Me këto cilësi dhe vlera shumë shekullore fisnike shqiptare, spikat edhe bashkëshortja e tij Liza (Gega) Mrijaj, e cila vjen nga treva e malësisë së Pukës. Ajo prej shumë vitesh, është një ndër gratë e rralla shqiptaro amerikane, që kanë mundur të integrohen me sukses dhe dinjitet në organet e larta zyrtare amerikane në shtetin metropolitan të New York-ut.
Falë interesimit dhe dashurisë së përhershme për Atdheun e prindërve të tyre, fëmijët sot të rritur dhe tashmë të bërë prindër si: Ardiana, Nikolla, Elizabeta dhe zonjusha Donika, kanë qenë të interesuar të mësojë më shumë nga historia, kultura dhe arti shqiptar i vendlindjes së prindërve të tyre nga trojet etnike arbërore.
Babai i tyre Tomë Mrijaj, është aktivist i palodhur i komunitetit tonë, autor i njohur i disa librave me profil historik, sikurse edhe një vatrist e veteran i Federatës Panshqiptare Vatra (1912), duke qenë i pari i ri kosovar në bordin e saj dhe gazetën Dielli, ku, ka aderuar dhe më pas ka arritur të zgjidhet dhe drejtoj si kryetar degën e Vatrës në qytetin Queens, New York.
Ai edhe sot të flet me respekt për organizatën zëmadhe, artikujt dhe poezitë e botuar në faqet e gazetës më të vjetër Dielli (1909), duke treguar fotografi, gazeta të hershme.
Vatristi i hershëm veteran Tomë Mrijaj, përmend me respekt emrat e shumë vatristëve veteranë dhe figurave të shquara shqiptaro amerikane, që sot nderohen dhe respektohen nga të gjithë.
Shumë vite më pare, duke shfletuar disa albume fotografish, që ruhen me dashuri në shtepinë Mrijaj në Yonkers, i sheh fëmijët të veshur me kostume shumëngjyrshe popullore nga zona e Kosovës, Shqipëria e Veriut (Mirdita, Puka, Shkodra), duke kënduar në shumë aktivitete kulturore artistike, të organizuar nga Qendra Kulturore Nënë Tereza, pranë kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës në Hartsdale New York, gjatë inagurimit të kishës katolike shqiptare shën Palit dhe shën Pjetrit në Detroit, Michigan (në vitin 2002), aktivitetet e shpeshta të organizuar nga Organizata e Gruas Shqiptaro Amerikane Motrat Qiriazi, Festivali i Talenteve të Reja në New York, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, përkujtimin e figurave historike, si: Kryengritja e Malësisë së Madhe e drejtuar nga fatosi i lirisë Dedë Gjon Luli, Dita e Flamurit 28 Nëntor 1912, aktivitetet e Lidhjes së Prizrenit, festimin e Pavarësisë së Kosovës në New York, dhe shumë ngjarje të tjera kombëtare.
Gjatë gjithë kohës që udhëtonim me Tomën në shtëpitë e bashkatdhetarëve pa dallim krahine dhe ideje, në vende dhe shtete të ndryshme të SHBA-së, ai falë një kujtese të freskët flet me hollësi mbi historitë e ndryshme, që ka përjetuar me shumë figura të shquara të diasporës sonë në SHBA, duke i përshkruar me hollësi jetën dhe aktivitetin e tyre të pasur, në shërbim të komunitetit tonë dhe çështjes shqiptare.

Mons dr. Oroshi dhe biografi i tij Mrijaj

Midis shumë të tjerëve, Toma, ishte një mik i pandarë i dy personaliteteve të njohura të botës shqiptare në Amerikë: Kapidanit të Mirditës juristit Ndue Gjomarku (1914-2011) dhe themeluesit të kishës së parë katolike shqiptare në ShBA, intelektualit të shquar largpamësit, antikomunistit të përbetuar, enciklopedistit dhe eruditit brilant, klerikut patriot e human mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989).
Studiuesi dhe publiçisti produktiv Mrijaj, para disa viteve ka shkruar një monografi serioze shkencore dhe historike, me titull kuptimplotë: “Mons. dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” (New York, 2008), bazuar tërësisht në fakte dhe dokumente të paekspozuar më parë, me vlerë të rëndsishme historike këtu në New York.
Gjithashtu, ai ka shkruar, përgatitur dhe sponsorizuar libra të tjerë me material historikë nga mons. dr. Zef Oroshi, si: “Log Kuvendi në trinomin Fe – Atdhe – Përparim” Mons. dr. Zef Oroshi, Shkodër, New York, 2019 dhe “Një jetë i përgjuar”, 2020, që përbën dosjen e plotë të diktaturës dhe Sigurimit të Shtetit, që asokohe hartoi me kujdes dhe detaje kundër klerikut patriot mond. dr. Zef Oroshit.
Studiuesi Mrijaj shkruan: “Zyrtarët komunistë e dinin se mons. dr. Zef Oroshi kishte një aktivitet të ngjeshur antikomunist dhe fliste hapur kundër tyre kudo në kishë, në përvjetore dhe tubime apo manifestime të tjera kulturore, atdhetare etj. Spiunët komunistë këtu, kishin marrë udhëzime nga Tirana e kuqe, që të eliminonin fizikisht me çdo kusht meshtarin tonë dom Zef Oroshin, sikurse e thërrisnin të gjithë asokohe. Por nga ana e tjetër, nacionalistët dhe personalitetet e shquara të diasporës antikomuniste, ishin të përgatitur dhe ndiqnin nga afër çdo lëvizje të tyre negative, kundër meshtarit tonë të shquar Oroshi. Agjentët komunistë, shkonin në lokalet apo organizatat politike dhe kulturore, ku ishin shqiptaro amerikanët, në kishë, xhami, manifestime të ndryshme, për të rekrutuar të rinj “naiv”, duke u shpërlarë trurin, se Shqipëria është shtet “demokratik” dhe atje njerëzit janë të “lumtur” në komunizëm. Por e vërteta ishte krejt ndryshe.”
Pas librave me vlerë historike, që cituam më lart, studiuesi Tomë Mrijaj, shkroi librin monografik: “Abati i Mirditës – Imzot Frano Gjini – Martir i kishës katolike” Shkodër, 2018, bashkautorë me studiusen e re Leonora Laçi.
Sërisht edhe kësaj radhe vepra në fjalë, u përzgjodh, përgatit dhe u botua nën përkujdesin e veçantë dhe shpenzimet financiare të studiuesit e publiçistit veteran i komunitetit tonë Tomë Mrijaj.
Meshtari dhe personaliteti i shquar e i paharruar mons. dr. Zef Oroshi, rivjen mbas shumë dekadave para shqiptarëve kudo në botë dhe komunitetit shqiptaro amerikanë, me një libër original me titull: “Një jetë i përgjuar” e mbushur plot me dokumente të Dosjes së tij keqdashëse, hartuar me dorë dhe makinë shkrimi, për dekada me radhë nga punonjësit e polcisë sekrete të Sigurimit të Shtetit socialkomunist, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Studiuesi Tomë Mrijaj në shkrimin e tij analitik: “Dy fjalë hyrëse”, ndër të tjera shkruan:
“Sapo përballesh me një Dosje të errët, të përpiluar me denigrime, trillime, shpifje dhe shkrime me paramendime direkte qëllimkeqe, të vetë punonjësve të Sigurimit të sistemit komunist, ju si lexues të kujdesshëm, duhet të jeni të përgatitur psikologjikisht të mësoni më shumë, se çfarë ju pret nga leximi, duke qenë të vetëdijshëm, sikurse edhe unë për këto “perla” të Dosjes, që mora në dorë.
Njeriu në ditët tona, shokohet kur sheh nga afër sesa të paskrupullt, në manipulime dhe trillime (të ngjarjeve dhe figurës historike të përsonit që ata përbaltnin papushim) ishin strukturat informative policore të fshehta apo forcat e Sigurimit të shtetit komunist dhe më saktë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shqipëri, gjatë harkut kohor të vitëve 1944-1990.”
Hulumtuesi ynë Mrijaj e ka zbardhur me kujdes dhe deri në detaje jetën dhe veprën interesante plot tallaze (me humbje dhe fitore), të doktorit të shkencave filozofike mons. Zef Oroshit.
Meshtari ynë i zgjuar dhe kulturdashës mirditor, këtë gradë shkencore e ka marrë në Itali, në një kohë që rregjimi komunist vriste, burgoste, internonte dhe persekutonte sistematikisht ajkën më të ndritur të klerit katolik në Shqipëri dhe më së shumti Jeruzalemin shqiptar (gjatë viteve të zeza të regjimit komunist 1944-1990), sikurse quhet Shkodra e lashtë.
Kjo vepër e re dhe e veçantë për jetëshkrimin e plotë të monsinjor Oroshit, për fat të mirë, është mirëpritur pozitivisht nga lexuesit, në: Kosovë, Shqipëri, Australi, Gjermani, Zvicër dhe shumë shtete të SHBA-së.

Mbi 100 libra të sponsorizuara

Mësuesi Shefqet Kelmendi me banim në Shkodër, i shkruan një ditë Tomës dhe mbasi e përgëzon për monografinë historike kushtuar martires kundërkomuniste shkodrane Marie Shllakut, ndër të tjera permend se po shkruan edhe ai një libër me kujtime për heroinën e Shqipërisë Etnike e cila dha jetën e vet për Kosovën, duke qenë e vetmja vajzë në 50 çetat nacionaliste, që asokohe vepronin në Kosovë.
Ai i drejtohet Tomës se nuk ka mundsi të botoj një libër, që ai ia ka kushtuar heroinës shkodrane Marie Shllaku. Toma, në përgjigjen e tij e përgëzon Shefqetin e i shkruan se kur ta përfundosh dorëshkrimin dërgoja menjëherë në shtypshkronjën “Volaj” për ta botuar, sepse shpenzimet financiare i mbulon ai.
Dhe ashtu ndodhi. Libri i ri pas disa ditësh doli nga shtypi dhe autori Shefqet Kelmendi i dërgoi disa kopje humanistit dhe zemërbujarit Tomë Mrijaj në New York.
Ky gjest fisnik dhe bujar, është përsëritur mbi 100 herë nga Toma, mbasi autori i këtyre rreshtave është dëshmitar në shumë raste të tjera, ku, shumë bashkatdhetarë nga Shqipëria, Kosova dhe SHBA-ja, janë mbështetur financiarisht nga adhuruesi i librave me tematikë historike dhe kulturore.

Larg dhe pranë Kosovës

Por Toma aktiv, gjatë jetës tij rinore në Kosovë, është ndeshuar edhe me vështirësi të jetës. Në jetën e njeriut, ka raste gëzimi, por edhe ngjarje të pakëndshme, që ndodhin jashtë dëshirës së tij…
Ai largohet nga Kosova e tij e dashur, Lugu i Drinit dhe familja mbas një përplasje fizike me forcat e Sigurimit të UDB-së serbe.
Tomës, asnjëherë nuk i kishte shkuar në mendje, se do të braktis vendin e tij. Gjatë udhëtimeve të ndryshme nëpër botë, mendja i ka shkuar gjithnjë tek vendlindja, njerzit e dashur dhe bujar, natyra e bukur, shtëpitë, livadhet e gjelbër, në pranverë dhe verë, malet e mbuluara me pyje të harlisura me dëborë, gjarpërimin dhe gurgullimën e ujërave të kthjelltë të lumit Drini i Bardhë, livadhet e familjes së tij etj.
Kështu ai kaloi fëmijërinë dhe rininë. Mbas disa vitesh  mbaroi shkollimin në degën e mësuesisë, ku, më pas vijoi studimet në Drejtësi.

Historia, që ndyrshoi jetën e Tomës

Në jetën e njeriut, ka raste gëzimi por edhe ngjarje të pakëndshme, që ndodhin jashtë dëshirës së tij.
Një ditë mbasdite vjeshte, kur ai po kalonte me biçikletën tij në mes të qytezës së Klinës, i tërhoqën vëmendjen një grup nxënësish djem dhe vajza të kombësisë serbe, të cilët po vraponin të shqetësuar nga oborri i shkollës “Vuk Karaxhiq” drejt qendrës së qytezës, ku ndodhej kafja e pronarit serb Zhikës.
Ai i pyet në gjuhën serbe: “Çfarë ka ndodhur, që ju po vraponi të shqetësuar!?” ata duke menduar se ai ishte serb, i thonë: “Shoku profesor po rrahën serbët me shqiptarët në klasë.”
Ashtu sikurse ishte me biçikletë në dorë u nis shpejt drejt vendit të ngjarjes. Sa afrohet, dëgjon zhurmë të madhe në katin e parë të një klase. Ai afrohet tek dritarja, që ishte e hapur dhe aty ai sheh se nxënësit e kombësisë serbe dhe arsimtari i edukatës fizike e kishin rrethuar nga të gjithë anët arsimtarin shqiptar të gjuhës shqipe Sadri Morina pranë dërrasës së zezë, ku në njërin kënd ishte dhe tavolina e mësuesit.
Arsimtari shqiptar, me trupin e tij të gjatë qëndronte në këmbë i rrethuar dhe po rezistonte goditjeve me grushte dhe shqelma, që i vinin nga çdo anë, duke u vetëmbrojtur. Këtë mësimdhënës të ri Toma e kishte njohur në Gjakovë, në Shkollën e Lartë Pedagogjike.
Në ato momente gjaku arbëror, i bashkëkombësit e thirri, që t’i vij në mbrojte, në atë situatë që ai gjendej e u hodh menjëherë në dritare, që ishte e hapur dhe hyra brenda në klasë.
Ai me mirësjellje dhe gjakftohtësi, iu drejtua nxënësve, duke u thënë: Është turp të sulmoni në mënyrë të pahijshme dhe të ushtroni dhunë ndaj mësuesit tuaj!
Duke vijuar tregimin Toma, thotë se ky incident me serbët në shkollë ishte i parapërgatitur. Kështu brenda pak minutash u mbush oborri i shkollës me shumë serb vendas dhe nxënës, që me sa duket kishin lajmëruar njeri-tjetrin.
Edhe nga kafja e Zhikës erdhën shumë serbë të tjerë. Lajmi u përhap me shpejtësi. Në shkollë erdhën edhe disa arsimtarë shqiptarë, që i kishin banesat afër shkollës, si: Beqir Beqiri, Tush Kabashi, Ndue Prendi, Lekë Skeli etj.
Në ato momente në shkollë vijnë edhe forcat e policisë nga stacioni, që gjendej jo shumë larg shkollës. Ata kur e panë gjithë atë turme të madhe serbësh, dy policët shqiptarë Isa dhe Ademi, që e njihnin shumë mirë, Tomë Mrijajn i thanë: “Gjej mënyrën për tu larguar sa me shpejt, që të jetë e mundur, sepse nuk kemi asnjë mundësi të ndërhyjmë në këtë masë të madhe serbësh, që janë shpupurishur nga inati..”
Mbas shumë përpjekjesh, ai u hodh prapë nga dritarja nga kishte hyrë më parë dhe me shpejtësi e mori biçikletën, që e kisha mbështetur tek muri e ashtu si rrufe i dhashë biçikletës dhe nuk i ndiente mbi shpinë dhe kokë gurët dhe copat e dërrasave të gardhit të shkollës që serbët hidhnin drejt tij papushim…
Kur mbërriti në shtëpi, babai i tij Nikollë Mrijaj po qëndronte në oborr. Ai kur e pa djalin u ngrit në këmbë e iu afrua i shqetësuar. Mbasi i tregoi të gjithë ngjarjen, nga përvoja e tij jetësore me serbët e pabesë i tha, se: “Duhet të largohesh sa më shpejt nga shtëpia, sepse policia menjëherë do të vijë të të arrestoj në shtëpi.”
Më vonë, Toma ka mësuar se atë natë shumë herë policia ka shkuar në shtëpinë e tij, duke menduar se mund të më gjenin aty. Vetëm familja dhe një rreth i vogël miq të sigurt i dinin lëvizjet e tij dhe vendndodhjen deri sa u largova përgjithmonë nga Kosova.
Miqtë e tij, që kishte në gjimnazin Luigj Gurakuqi, i kanë thënë se, se mbas incidentit, mësimet në shkollë janë ndërprerë për dy javë, në shenjë proteste ndaj shqiptarëve dhe Tomës.
Për situatën e ndërlikuar, i tij kishte biseduar me mikun e tij të ngushtë Dedë Skelin dhe sëbashku kishin vendosur të takonin Kryetarin e Gjyqit Komunal Gojko Koprivicen. Ditën e nesërme ata ishin gjendur në zyrën e  tij.
Ai i kishte pritur shumë ftohtë. Gjatë kthimit në shtëpi, babai dhe miku i tij, kishin biseduar se diçka shumë e madhe fshihej në heshtjen e Kryetarit të Gjykatës. Ata bien dakord, që të nesërmen Deda të takoj kryetarin në Kafen e Franës së Dedë Gjokës, ku ai drekonte çdo ditë aty.
Deda, kishte shkuar me herët në Kafen e Franës dhe e kishte njoftuar Franën për takimin.  Me të mbërritur kryetari, Deda e pyet me përzemërsi, ku i thotë: “Gojko, na pritët shumë ftohtë mua dhe Nikollën. U habitëm si nuk na u përgjigjet në pyetjet që ua drejtuam, sidomos kur është fjala për Nikollën, i cili, ka punuar si nëpunës i administratës, duke qenë korrekt. Ai është respektuar nga të gjithë…”
Gojko, pasi e dëgjon Dedën me shumë kujdes, i përgjigjet: “Dedo, Nikolla është shqiptaro-madh. Si është i ati është edhe i biri, Toma. Çfarë i është dashur djalit të tij, të shkoj për të ndihmuar një turqeli… Dëgjo Dedë, djali i tij s’ka shpëtim. Ka gabuar rënd. Atë e pret vetëm burgu i përjetshëm.”
Deda, ishte ndarë i dëshpëruar nga fjalët e Kryetarit të Gjykatës. Ai kishte shkuar menjëherë drejt tek babai tij Nikolla, për t’i përcjell bisedën, që kishte pasur me serbin e lartë në pushtet. Kishte ra terri i natës.
Asokohe Toma ishte nisur drejt shtëpisë së tij, për të parë se si qëndronin punët. Tek Mulliri i Selmanëve, në rrugën kryesore në atë errësirë ai takoi mikun e familjes Dedë Skelin, atë burrë të veçantë në Lug të Drinit, shumë elegant i veshur përherë me kostumin kombëtar.
Në dorë ai mbante cigaren e qelibarit, ku tërë ditën tymoste cigare pas cigareje. Deda, i tha, që të largoheshim nga rruga, ku u zhvendosëm në livadhe pas shelqeve që të mos zbuloheshim nga kalimtarët e rastit.
Ai i tregoi gjatë për takimin që kishte zhvilluar me Kryetarin e Gjykatës për incidentin tim. Ai shtoi se sapo ishte kthyer nga biseda e gjatë me babain e tij. Në fund me tha se është mirë që ju Tomë duhet të largohesh jashtë Kosovës qysh sonte…
Ai kur mbërriti në shtëpi, babai i tha: “Serbët këtu ti kanë prerë të gjithë rrugët për të qëndruar në Kosovë. Ata kërkojnë burgim të përjetshëm për ty dhe kështu e vetmja rrugë biri im është të largohesh sa më shpejt nga Kosova, sepse të gjithë janë ngritur në këmbë për të arrestuar me çdo kusht.”
Babai i tij Nikollë Mrijaj (1911-1999), një personalitet i njohur në Lugun e Drinit e përqafoj me lot në sy, duke i thënë: “Biri im të kesh kujdes vetën tënde!” Kështu, ai vendosi me zemër të lënduar të largohet natën me tren, duke iu shmangur njerëzve që e njihnin dhe mori rrugën drejt Beogradit…
Mbas shumë dekadave nga kjo histori, mësuesi Sadri Morina, në kujtimet e veta të asaj kohe, shkruan një artikull interesant me titull:
“Tomën e kisha shok dhe mik të idealit kombëtar”, ku, më poshtë vijon: “…nga viti 1966 deri më 1972, kur flas, prandaj, edhe për Tomë Mrijajn, janë vetëm 6 vite, sa 6 shekuj për kapelstrehqiturit serbë, ndërsa shprehur me metaforë 6 vite qenë sa 6 dekika për shqiptarët…
Si profesor i gjuhës shqipe që isha, ndërsa mbaja orën mësimore, një nxënës serb nga Gremniku, sigurisht për të më provokuar, qet topin e futbollit te këmbët e mia. Reagoj. Ndërkohë nxënësi del nga klasa për të lajmëruar Mihajlo Boshkoviqin, kujdestarin e klasës në banesë. Aty kishte qenë edhe vëllai i Mihajllos, oficer i Armatës Jugosllave në Maqedoni. Saora jam sulmuar.
Me sulmuesit ishte profesori me të vëllanë oficer me serbët lokal. Korridori i gjimnazit mbushet me serbë, të cilët edhe pas përpjekjeve, nuk mund të vinin në rend për të më goditur. Ishin shumë. I vendosur për të mbetur gjallë a për të vdekur, i mbështetur për muri kisha zënë qoshen e klasës, buzë tavolinës time. Hajt të lavdërohem, a? Sa herë e çoja dorën, e zinte dike, ndërsa ata, nga kallaballëku, nuk vinin në rend secili për t’u kënaqur duke më rrahur. Me këtë rast, Tomë Mrijaj si vetëtima hap dritaren, që ndodhej në katin e parë, duke thyer xhamin e saj.
I pandikuar e i panxitur nga askush, Toma më del në ndihmë duke sjell sa mundte e me sa fuqi kishte, gjithnjë derisa ka ardhur milicia, e cila fill më ka burgosur. Nuk besoj se dikush nga serbë ka mundur ta godasë Tomën. Nuk e them këtë, pse tash pas sa vitesh më duhet ta them. Jo! Ishte energjik. Rrezatonte forcë. Tomën e njohja kaherë, ndonëse nuk kishim muhabet afrie a miqësie, ku ta di se çfarë? Por, pikërisht kjo e bënte atëherë e sot Tomën trim të idealit kombëtar. Mua pastaj më dënuan me 2 muaj burg dhe për sa vjet nuk pata të drejtë punësimi.”

Atdheu në zemrën e mërgimtarit Mrijaj

Më pas me një tren tjetër Toma udhëtoi drejt Parisit, ku, qëndroi për tre vjet. Meqenëse ishte i rregjistruar në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë, vendosi të vijoi studimet e larta më korrespondence, për të mos rënë në sy në vendin e tij. Ai ka udhëtuar në Prishtinë, gjatë kohës që kishte provimet universitare.
Me ardhjen e tij në New York, duke qenë një i ri plot energji dhe endrra, për ta parë vendlindjen të çliruar nga nata e gjatë e makinës shfarosëse të pushtimit shekullor serb, Toma i ri menjëherë në vitin 1978 u përfshi në lëvizjet patriotike të diasporës në Amerikë.
Bujarinë e tij e njohin të gjithë, mbasi ai gjithnjë është shprehur i gatshëm për të ndihmuar talentet e reja pa dallim feje e krahine, në fushën e studimeve dhe publiçistikës, duke dhënë kontribut financiarë, për botime të krijimeve dhe studimeve të tyre të para.
Në çdo aktivitet patriotik si për mbledhjen e ndihmave financiare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, familjet e varfëra në nevojë, rindërtimin e Kosovës, ngritjen e busteve, xhamiave dhe kishave në Kosovë, ka qenë e pranishme edhe zemra dhe bujaria e Tomë Mrijës me familje, duke dhënë shuma të ndryshme, sipas nevojës së njerëzve dhe komunitetit këtu.
Ai ka marrë pjesë në çdo demonstratë, për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri, përkrah personaliteteve të shquara antikomuniste në krye të të cilëve gjithnjë qendronte lideri dhe meshtari patriot mons. dr. Zef Oroshi etj., si dhe për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës nga nata e gjatë e pushtimit barbarë serb.

Hulumtimet dhe begatia intelektuale botuese

Toma, është marrë qysh herët me publiçistikë, ku, ka shkruar përjetime, poezi, portrete historike, etj. si bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave, që botohen në trojet etnike shqiptare dhe diasporë.
Nga hulumtimet e bëra, del se shkrimet e tij mund të gjenden, në faqet e shumë gazetave dhe revistave, si: Lidhja e Prizrenit, Dielli, Illyria, Jeta Katolike, Zani i Shna Ndout, Shkodra, Kumbona e së Diellës, Illyricum, Dielli Demokristian, Kuq e Zi, Lajmtari i të Merguemit, Bota Sot, Kosova Press, 55, Mapo, Shqipnia Etnike, Balli Kombëtar, etj.
Studiuesi Mrijaj, ka shkruar parathëniet e shumë librave jetëshkrimorë, sikurse ka në proçes disa libra të tjerë me tematikë të larmishme historike, që më vonë do t’i botoj.
Vatristi veteran Mrijaj, është njeri ndër organizatorët e shumë simpoziumeve dhe akademive kulturore e përkujtimore të mbajtura në atdhe e diasporë.
Ai ka hedhur dritë dhe zbardhur fakte, përmes hulumtimeve serioze historiko shkencore të shumë figurave të lënë me qëllim në harresë, në kohën e komunizmit dhe sot, në Shqipëri dhe Kosovë, tema të cilat janë botuar rregullisht në librin: E Djathta Shqiptare në Mbrotje të Shqipërisë Etnike (I-XVII).
T. Mrijaj, ka ligjëruar për personalitetet e tilla, si: Kapidani i Mirditës juristi Ndue Gjomarku, Kapidan Markagjoni, themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë mons. dr. Zef Oroshi, liderin atdhetar dhe udhëheqësin shpirtëror të komunitetit shqiptaro amerikanë dom Anton Kçirën, Ipeshkvin e Kosovës imzot Mark Sopin, Presidentin dr. Ibrahim Rugovën, Kontributi i lugdrinasve dhe klerit katolik në Kosovë për Shpalljen e Pavarësisë, heroinën Marie Shllaku, parashutistin prof. Alush Leshanaku, prof. Luan Gashi, trimin e pamposhtur nacionalist Ndue Përlleshi, Palush Marleku, Kapiten Gjon Destanisha, Ndoc Mirakaj, Kolonel Xhemal Laçi etj.
Ky libër i ri, që ka në dorë lexuesi mbarëshqiptar, është përgatitur nën përkujdesin e një grupi miks studiuesish nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora, duke hulumtuar prej kohësh në jetën dhe veprimtarinë patriotike e publicistike të studiuesit shqiptaro amerikanë Tomë Mrijaj.
Në këtë vepër, mbi të gjitha spikasin artikujt kritik me profil analitik mbi prodhimtarinë e librave studimorë historik, të shkruar nga hulumtuesi i palodhur Tomë Mrijaj, ku, ndër të tjera janë përfshirë edhe autorë të tjerë, si: Prof. dr. Mentor Quku, prof. dr. Riza Sadiku, Mërgim Korça, Eugjen Merlika, Bep Kuqani, Klajd Kapinova, prof. Prend Buzhala, Shefqet Dibrani, Mikel Gojani, Avni Bilalli, Eleonora & Kostandin Gjoka, Leonora Laçi, Lekë Mrijaj, Beqir Sina, Mr.sc. Nue Oroshi, Selman Etemaj, Sadri Morina, Loreta L. Mrijaj, Binak Syla, Prof. Prend Buzhala, Pal Canaj etj.

Erudisti brilant dr. Oroshi dhe biografi i tij studiuesi Tomë Mrijaj

Një bashkëpunim të ngushtë Toma do të kishte edhe me personalitetin e madhe të botës shqiptare në diasporë Monsinjor dr. Zef Oroshin (1912-1989), themeluesin e Qendrës dhe Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”, Hartsdale, New York), i cili, falë pasionit të madh që kishte për kulturën dhe shtypin katolik, ai e merrte me vete makinën e shtypit të revistës Jeta Katholike Shqiptare (1962), që themeloi dhe drejtoi deri sa kaloi në amshim.
Ai i korrigjonte dhe redaktonte me shumë kujdes shkrimet e tij dhe bashkëpunëtorëve të revistës. Kjo vinte nga fakti, se Oroshi librat i kishte pasion dhe ushqim shpirtëror, sepse Urdhrat Katolike dhe posaçërisht Etërit Françeskan dhe Jezuit, në qytetin e lashtë të Shkodrës e kishin për traditë shtypin e lirë, demokratik dhe luajal, si një tryezë e hapur bashkëbisedimi të lirë mediatik, kulturorë dhe shkencorë asokohe, për të gjithë mendimtarët progresistë shqiptarë dhe të huaj të kohës ndër shekuj.
Studiuesi Mrijaj, grishi historinë e shkurtër të kohës fakt pas fakti, rriti dhe zgjeroi strukturën e veprave shkrimore, duke futur në penën e tij subjektet, që janë plazmor në strukturën e dorëshkrimit, tashmë të kthyer në libra jetëshkrimorë, për t’a njohur të gjithë lexuesit mbarëshqiptarë.
Sipas studiuesit dhe publicistit Tomë Mrijaj, klerikët Noli dhe Oroshi, janë dy figura të spikatura të komunitetit shqiptaro amerikanë, të cilët nga studiuesit e sotshëm nuk janë lëvruar.
Oroshi, portretizon shumë bukur mikun e tij të dashur imzot Fan Stilian Nolin dhe komunitetin ortodoks në Boston. Pikërisht përjetimet e veta mbresëlënëse për Nolin dhe frymën dashamirëse ekumenike të tij, kleriku katolik mirditor, i përshkruan në punimin që ia dedikon tërësisht atij në shenjë nderimi dhe respekti, që ai ka bërë jo vetëm si Ipeshkëv i besimtarëve të vet, por edhe si një atdhetar i madh, intelektual erudit etj.
Mons. Oroshi, ishte ekumenik i papërsëritshëm, vizionar, largpamës dhe me kuraje të fortë civile dhe fetare, burrë i matur e i përvuajtur, bari i përshpirtshëm dhe atdhetari i flaktë për lirinë e popullit të vet në Shqipëri.
Pikërisht gjatë kësaj kohe, në 20-vjetorin e kalimit në amshim (1989-2009) të mons. dr. Zef Oroshit, u mbajt mesha për shpirtin e bariut shpirtëror dom Zefit, sikurse e thirrnin të gjithë këtu, ku, kisha katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, përkujtoj themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në meshën e përshpirtshme, morën pjese mbi 1500 vetë. Në ceremoni përkujtimore erdhi edhe miku i tij meshtari dhe famullitari i nderuar dom Anton Kçira, famullitar i kishës katolike shqiptare shën Pali në Detroit  (Michigan), i cili, në predikimin e tij vlerësoi shumë lart figurën e personalitetit të madh të botës shqiptare, i cili, padrejtësisht është lënë në harresë nga media dhe historiografia komuniste dhe postkomuniste në Shqipëri.
Më 15 mars 2009, u zhvillua promovimi i monografisë së studiuesit Tomë Mrijaj: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe” (Jetëshkrim, New York, 2009), pranë Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”, në kishën katolike “Zoja e Shkodrës”, ku, u fol gjerësisht, për jetën dhe veprën e mons. dr. Oroshit, nga referuesit: Tonin Mirakaj, prof. Mentor Quku (1939-2014), gazetari i Zërit të Amerikës Astrit Lulushi, redaktori i librit studiuesi e gazetari Klajd Kapinova, gazetari Beqir Sina, prof. Azem Gjidija, editori i revistës “Jeta Katolike” Mark K. Shkreli, prof. Prend Buzhala, Bep Kuqani, Vasil Marku, Leonora Gjoka, studiuesja Leonora Lajçi, etj.
Tharmi atdhetar e ndjeshmëria nacionale, shërbei si lëndë e parë, në fillim të shek. XXI, për studiuesin Tomë Mrijaj, që të rreshtoj e ofroi dëshmi tronditëse, refleksione e vlerësime historike, të cilat jepen me një përkujdesje serioze dhe përshkrime interesante në të gjithë librat e tij.
Intelektualët dhe patriotët e lirisë së Shqipërisë dhe Kosovës etnike, ekzistencën e tyre e mbështetën vetëm në vlerat e pastra dhe të larta morale, të traditës së kulluar nacionaliste.
Këto botime njëra mbas tjetrës, nga një autor në diasporën shqiptaro amerikane, përbën një kontribut të ri, në sqarimin e disa momenteve me peshë historike, në çuarjen më përpara të mendimit tonë historik, sa i përket studimit të nacionalizmës përparimtare shqiptare, si dhe problemeve të tjera historike, që lidhen me figurën historike të së kaluarës të pushkatuar nga sllavokomunistët.

Personaliteti i shquar i diasporës bariu shpirtëror dom Anton Kçira dhe biografi i tij Tomë Mrijaj

Hulumtuesi dhe studiuesi skrupuloz Tomë Mrijaj, është gjithashtu autor i dy librat shumë interesant kushtuar linderit dhe personalitetit të shquar të botës shqiptare në diasporë dhe vendlindje dom Anton Kçirës, me titull: “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut”, Monografi, botuar në Shkodër, 2002 dhe “Dom Anton Kçira në jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë”, Shkodër, 2017.
Mrijaj, thekson se kisha katolike shqiptare e shën Palit dhe shën Pjetrit në Detroit (MI), është një katedrale, më e madhja në botën shqiptare dhe një muze i gjallë historik ose pasqyra e trojeve etnike shqiptare në miniaturë.
Toma, ka hulumtuar dhe sistemuar tërë materialet studimore, si një bletë punëtore, me durim dhe përkujdesje të veçantë. Ai, përpunoi brumin historik mbi çdo gjë, që lidhet me jetën dhe kontributin e përsonazheve historike të veprave të tij.
Është me interes të theksohet se asokohe Kryesia e Lidhjes së Prizrenit me Qendër në New York dhe degët e saj nëpër shtete e qytete të ndryshme nëpër botë e priti me kënaqësi të veçantë ftesën e Këshillit Organizues, pranë kishës së shën Palit në Detroit (Michigan), për kremtimin e 70-vjetorit të lindjes së meshtarit të madh të komunitetit shqiptaro amerikanë dom Anton Kçirës.
Nga kujtimet historike të paharruara të tij për meshtarin patriot Anton Pashk Kçira, mësojmë se qysh në moshën e adoleshencës, ai kam pasur fatin, nderin, privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë të njihem nga afër me jetën e veprën e bariut shpirtëror Kçira, qysh kur kleriku i nderuar ishte meshtarë në vendlindje në Dardani.

Një koincidencë historike, sot është dëshmitare e kujtimeve të tij. Kështu më 13 qershor të vitit 1968, Toma i ri, kishte patur nderin dhe privilegjin të marrë pjesë në meshën kryesore të Ditës së shna Ndout (Shën Antonit), që është edhe dita e emrit të vetë meshtarit.
Gjatë predikimit plot elokuencë bariu i përvuajtur shpirtëror, ishte i sigurt në përcjelljen e mesazheve fetare dhe atdhetare tek besimtarët e shumtë, që asokohe kishin ardhur nga shumë zona të largëta për ta dëgjuar.
Dom Antoni. kishte rënë shumë shpejt në sy të keq tek pushteti sllavo komunist i ish Jugosllavisë asokohe, që kishte vënë agjentët e UDB-së, që mbetën të habitur nga fjalët plot urrejtje kundër komunizmit…
Ai, kujton studiuesi Mrijaj, që e dinte se UDB-ja ishte prezent me njerëzit e vet, nuk i bënte syri tërr. Mbas meshës krahas urimit të ditës së emrit, ai mori përgëzimet nga Ipeshkvi dhe meshtarët e tjerë bashkëcelebrues për predikimet e tij me nivel patriotik dhe shpirtërisht për popullin besimtar. Ishte një rast i rrallë, që një meshtari të ri t’i caktohet nderi të kryesojë meshën dhe predikimin para mijëra besimtarëve.

Kapidani i Mirditës dhe Toma

Të shpeshta dhe të paharruar për mua dhe studiuesin Tomë Mrijaj, kanë qenë takimet private në shtëpinë e Kapidanit të Mirditës juristit Ndue Gjomarkut në qytetin Queens, New York.
Aty vazhdimisht kemi zhvilluar me orë të tëra biseda të thella, me përmbajtje të larmishme kulturore, historike, rezistencën antikomuniste, figurat e shquara të botës shqiptare në diasporën e SHBA-së dhe Europë.
Të ndjerët nacionalistët Kapidani Ndue Gjomarku dhe vëllai i tij Nikolla e donin shumë Tomën, sepse kishin parë tek ai cilësitë më të mira të burrërisë dhe besnikërisë tipike shqiptare.
Ata dhe shumë të tjerë, që në pamundësi për t’i përmendur të gjithë ishin me të vërtetë një shkollë historie me vlera pozitive, ndryshe nga sa është shkruar dhe hedhur baltë për shumë dekada me radhë nga historiografia komuniste dhe regjimi i saj në Tiranë.
Sikurse është cituar shpesh nga autorët e shkrimeve të ndryshme mbi personalitetin e studiuesit Tomë Mrijaj, del se ai ka njohje shumë të mirë të disa nga personaliteteve të diasporës në SHBA, ku, një pjesë të mirë të tyre i ka njohur nga afër në situate dhe rrethana të ndryshme historike.
Për nga kujtesa dhe larmia e temave me përmbatje të pastër historike dhe nacionaliste, ai është një dëshmitar. Mrijaj, shumë nga këto biseda dhe takime historike, i ka hedhur në kartën e bardhë, duke shkruar libra dhe artikuj të ndryshëm, në shtypin e përditshëm në SHBA dhe vendlindje.
Në çdo çast, kur përmendet emri i Kapidanit të Mirditës Ndue Gjonmarku, Tomës, i rizgjohen kujtime të hershme të paharruara dhe shumë domethënëse, për këtë pinjollë të derës së famshme, që ka një histori të lavdishme shumë shekullore.
Kur lexon sot bilancin e hidhur, që përjetoi Dera e famshme e Kapidanëve të Mirditës, shohim, se kjo principatë, është ndera dhe krenaria jonë e ligjshme, që mundi të mbijetoi me stërmundime për 5 shekuj mizorisë otomane, por që për hironi të fatit të keq, u tjetërsua (bijtë më të mirë të Derës së Kapidanëve) u vranë, u burgosën (torturuan mizorisht deri në vdekje), u internuan familjarisht, në kampet e përqendrimit, u vodhën dhe shkatërruan të gjithë pasurinë materiale, dokumentare dhe sekuestruan kullat e famshme historike në Orosh të Mirditës dhe në qytetin e Shkodrës…).

Studiuesi Mrijaj dhe monografia për martiren antikomuniste Marie Shllaku

Martirët e historisë të të gjithë kohërave, me madhështinë e stoicizmit të tyre të gjatë, falë fakteve të reja, që ruan nëna histori, dalin nga labirintet e heshtjes në momentin e përshtatshëm, kur populli ka nevojë më së shumti për ta. Si të tillë, ata sëbashku futën në historinë nacionale në vendin e merituar, pranë librit të madh të kujtesës dhe mirënjohjes së përhershme popullore.
Vepra jetëshkrimore e studiuesit Tomë Mrijaj: “Marie Shllaku – bijë e Shkodrës martire e Kosovës” New York, 2004, është një rreze drite në errësirën e madhe, që ka mbuluar për dekada historiografinë e figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar, që luftuan tërë jetën e shkurtër që kishin, për idealin dhe qëllimin fisnik të të parëve të tyre, bashkimin e tërësisë së trojeve etnike shqiptare.
Pasi u pushtua dhe u aneksua Kosova më 1945, dhe pasi u ngrit muri më makabër i ndarjes ndërmjet shqiptarëve, regjimi i juntës ushtarake serbe, nuk kurseu asgjë, për t’a terrorizuar, masakruar, përndjekur dhe asgjësuar popullsinë e pafajshme shqiptare, që u robërua nga kjo makinë shfarosëse dhe shpesh me ndihmën e ingranazheve puthadorë e lajkatarë, për fat të keq shqiptarë.
Shqiptarët në Dardani, nga një luftë e hapur patriotike, u detyruan, të ndryshojnë taktikë, duke kaluar në ilegalitet. Ata formojnë organizata politike, me përmbajtje të shëndoshë patriotike, për bashkimin e trojeve etnike shqiptare.
Përkushtimi ndaj nacionalistëve martirë të nacionit, përbën një detyrim, për çdo pendë, që të përcjell me përkushtim brendinë e ngjarjeve historike, duke zbardhur figurën e pastër e të pasur atdhetare të Marie Shllakut, që sakrifikoi çdo gjë, për të bërë nacionin e vet të pavdekshëm dhe nacioni si shpagim e nderon, duke e bërë atë të përjetshme.
Në këtë aspekt, libri i studiuesit Mrijaj, hedh dritë mbi veprimtarinë e vajzës shkodrane, që jetën ia fali në lulen e rinisë Kosovës martire, duke pasur në mendje e zemër emblemën e rezistencës, kundër ballinës së përbashkët komuniste të ashtuquajtur partizan shqiptaro sllav.
Përkundrejt gjendjes së re, popullsia autoktone e dardanëve, çdo orë, ditë, muaj e vite, kishte grumbulluar në gjoks një lëmsh të madh zemërimi të natyrshëm. Ata, u rilindën dhe nisën të organizojnë lëvizje, protesta, revolta të organizuara e spontane dhe filluan t’a shprehin në mënyra të ndryshme organizimi.
Populli shqiptar, ka një histori shumë të trazuar, e cila, ka kaluar nëpër kapërcej të ndryshëm kohorë. Këtë histori e përshkojnë momente të hidhura të jetës dhe të veprave të shqiptarëve.
Sikurse dihet tradicionalisht çdo popull, ka historinë e vet dhe figurave të shquara patriotike, në aspektin e zhvillimit të ngjarjeve, që përbëjnë palcën etnike të nacionalizimit, me të cilën mbijetoi në shekuj.

Lanet paçin !

0

Fahri Dahri, Itali

  • Trashëgimia shpirtërore dhe ajo ateriale.

(Kur qielli egërsohet dhe nxin në mes të ditës, për përballimin e situatave duhet informim për masa mbrojtjeje!)

Aktualiteti shqetësues mbarëshoqëror, ku na kanë sjellë “primarët” partiakë të politikës, për vëzhguesit profesionistë dhe të pavarur nga grupimet partiake, është një detyrim objektiv për t’i trajtuar me ndershmëri jo vetëm profesionale, por me ndjesi të lartë në ndikimin shpirtëror, material dhe social që preket e gjithë popullsia që gjallon në nënshtetësinë shqiptare.

Titulli nënkupton dy kategori:

a)- trashëgiminë shpirtërore, dhe

b)- trashëgiminë materiale.

Ky shkrim nuk ndalet në përkufizimet përkatëse që janë të qarta, të shkruara dhe të njohura, por do i përmbahet realiteteve, praktikës që nxirret nga vetë jeta jonë.

Të gjithë vijnë në jetë një e nga një, po ashtu edhe ikin. Askush nuk arrin pavdeksi. Edhe kjo teorikisht dhe praktikisht njihet nga të gjithë që nuk ndodh ndryshe. Megjithatë tek disa anashkalohet, jo se harrohet, por seç i mposht një ndjesi madhështie e cila i krekos deri në atë masë sa që, nuk them dot mohojnë, por vetveçohen, shkëputen nga shoqëria dhe familja,  vetvendosen mbi ‘ta.

A ka përcaktim për tipat që mendojnë dhe veprojnë si primarë, të zgjedhur nga “qielli”, të pa krahasushëm, të ditur, të pavdekshëm? Ata, që kur afrohet e pa shmangshmja, struken, tkurren, frikohen, atëhere u vjen mendja… dhe pendohen. Sa e sa njerëz të kamur, miliarderë, të pushtetshmë, janë penduar dhe para vdekjes kanë deklaruar: “Sikur ta dija se pasuria, sado e madhe, dhe plotfuqia e pushtetit nuk më shpëtojnë nga vdekja, shumë ndryshe do të veproja”.

Këto deklarime njihen, por, siç thotë gjenia popull, “sa para bën” (që nënkupton “s’kanë vlerë”). Për të gjithë, të varfër, pasanikë, mbretër, presidentë, kryeministra, kapadai, etj. vjen një kohë dhe u “dhurohen” 2 m. kub dhe, sepse radha (rrjeshti) është e pandërprerë.

Po trashëgimi, a ka? Ka. Do ndalemi në trajtim vetëm për dy të tilla.

a)- Tradhëgimia shpirtërore.

Është e vërtetuar se nuk ka përjetësi. I duam prindërit, fëmijët, të afërmit, miqtë dhe shokët. Po. I duam me gjithë shpirt e zemër. Kujtojmë me dashuri, dhimshuri gjyshërit dhe gjyshet që na deshën aq shumë, por janë ndarë nga jeta. Ja, ta shtrimë kujtimin edhe tek stërgjyshërit, nuk i kemi njohur por i kemi të thëna nga prindërit apo ndonjë nga gjyshërit. Kaq. Më tej, me përjashtim të atyre që kanë lënë vepra të dobishme, trashëgimia shpirtërore përfundon. Fjala vjen: unë di që stërgjyshi kishte grua, por unë nuk ja di emrin!?. Pra asaj i është harruar emri. Shembulli na tregon se ky është fundi i të gjithëve.

 “Sa keq” për tipat e mësipërmë që sot mbiveçojnë veten dhe nesër do nënçmohen, nuk fitojnë asgjë veç të djegurit në “ferr” dhe mallkimin e dy a tre brezave pasardhës kokë ulur për bëmat e prindërit apo gjyshit!

b)- Trashëgimia materiale.

Është fjala për pasurinë e patundshme, për atë ku kemi lindur, për tokën që quhet “ATDHE”. Sa ndryshe nga trashëgimia shpirtërore! Është ndryshe kjo trashëgimi. Toka ku kemi lindur është e përveçme, ajo për vetë objektivitetin që ka, është dhe përcaktuesja e identitetit. Ajo nuk vdes, as nuk harrohet, është e përjetshme. Dheu ka vlera mbinjerëzore. Dhuron vetëm jetë, tek kjo lindin, krijohen gjallesa ajrore, tokësore dhe ujore. Po ashtu, siç krijon kushte për jetën, pranon edhe prehjen brenda saj. Toka, është mbrojtja e kockave të gjithkujt, edhe e atyre: “primarëve”, të kamurve, të pushtetëshmëve por pa zemër. Nëndheu nuk veçon kujdesje. Dheu, është kudo dhe për të gjithë i njëjtë.

Këtë që shkrova, e di që e dimë të gjithë, ka dhe nga ata që, sigurisht e dinë, por “madhështia” e pamerituar u a “merr mendjen” dhe “tunden e shkunden” para të tjerëve. Nuk ndryshohen të vërtetat, ato mundet të pengohen për një farë periudhe nga rrotat e keqbërsave, zemër katranëve. Shoqërisë i janë dashur mijra vite për të arritur tek shteti, i cili mbart vlera rregullatore të domosdoshme për popujt. Por nuk duhet harruar se në shoqëritë e qytetëruara, shtetet janë  krijuar për ti shërbyer shoqërisë në tërësi. Ndryshe nga sa veprohet prej disa “parësorëve” tanë që përdorin shtetin për interesa të ngushta, brenda gardhit.Tipa të tillë rrezikojnë sovranitetin, shkaktojnë shqetësime të theksuara në shoqëri, pengojnë të shijuarit e jetës, bëhen mizorë, mëkatarë.

E kanë hak mallkimin popullor: “Lanet paçin”.

Më 09.02. 2022.