
Fryma e ndëshkimit të shpejtë!

Për një Real Madrid siç janë Vetëvendosje dhe Lista Guxo, është vështirë të fokusohen kundër ekipeve si Prishtina, Hajvanlia, Vllaznimi, Trepça, Ballkani dhe Liria!
Pse çmohet aq shumë Kemal Ataturku?


Prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës
-Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla flet për politikën e jashtme të Kosovës në Forumin e Politikës së Jashtme në Tiranë: Aspiratë kryesore krahas integrimit në BE, mbetet anëtarësimi në NATO /
TIRANË, 19 Tetor 2021 – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Shqipërisë, mori pjesë në Forumin e Politikës së Jashtme të organizuar nga Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, me temë “Politika e Jashtme e Kosovës”.
Para një audience të gjerë me përfaqësues diplomatik, institucional, të shoqërisë civile e mediave, ministrja Gërvalla shpalosi prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës duke u fokusuar në përparësitë, sfidat dhe reformat që po e përcjellin sektorin e diplomacisë ndër vite.
Ajo ka shpjeguar se Qeveria e re e Kosovës krahas përkushtimit për forcim të shtetit ligjor, zhvillim ekonomik, barazi dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës, është shumë e fokusuar në forcim të subjektivitetit të vet ndërkombëtar përmes integrimit e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përmirësimit të shërbimit të jashtëm, strategjisë së lobimit për njohje të reja dhe promovimit diplomatik, kulturor dhe ekonomik.
“Politika jonë e jashtme bazohet në parimet e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke i kontribuuar paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë. Në këtë frymë Republika e Kosovës ka rifilluar edhe bisedimet me Serbinë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve dhe arritjen e njohjes reciproke”, ka thënë ajo.
Tutje ka shpjeguar qëndrimet dhe parimet e palës kosovare në këtë dialog i cili ka thënë se duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.
Gërvalla ka thënë se Serbia duhet ta pranoj realitetin e Kosovës së pavarur dhe po ashtu të pranoj të vërtetën për krimet e kryera në të kaluarën.
“Njëkohësisht dialogu duhet të trajtojë palët si të barabarta në tryezën e diskutimit. Zgjidhjet që ofrohen nga ky dialog duhet të jenë reale, të dobishme dhe të nevojshme për qytetarët tanë”, ka nënvizuar ajo.
Krahas çështjes së dialogut, Kosova si shtet i ri, ka thënë se ka një sërë detyrash me të cilat po merret për të përmbushur agjendën evropiane dhe për të forcuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar.

Republika e Kosovës, falë ndihmës së aleatëve të saj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe vendeve të tjera, ka arritur të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me shumë vende të botës.
Në këtë drejtim ka theksuar se është tepër e përkushtuar që të rrit numrin e njohjeve të reja, anëtarësimet në organizata e nisma të ndryshme ndërkombëtare. Por ka përmendur edhe përpjekjet për tërheqje të investitorëve të huaj të cilat do të shkonin në favor të hapjes së vendeve të reja të punës për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës.
Ka folur edhe për bashkëpunimin rajonal. Në këtë pikë ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj arritjes së marrëveshjeve të përbashkëta në dobi të qytetarëve në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili duke pasur BE-në përbrenda ofron një siguri dhe qëndrueshmëri më të madhe se sa çdo iniciativë tjetër për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gërvalla ka shtuar se Kosova është anëtare në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Gjithashtu ka përmendur faktin që Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE -në.
“Aspiratë kryesore krahas integrimit në BE, mbetet anëtarësimi në NATO”, ka thënë Gërvalla ndër të tjera, duke u ndalur edhe tek të drejtat e pakicave dhe standardet e larta që Kosova aplikon për trajtimin e tyre e që shihen si shembull pozitiv.
Presidentja Osmani pranoi raportin e Komisionit Evropian për Kosovën nga ambasadori Szunyog
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pranuar “Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën” nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Presidentja Osmani ka nënvizuar se Republika e Kosovës e ka prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, ajo ka theksuar se asgjë dhe askush nuk do të mund të ndalë vendosmërinë e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës për sundim të ligjit dhe për të mbrojtur integritetin e institucioneve. Presidentja më tej potencoi se në kuadër të kompetencave kushtetuese do të jetë garantuese e realizimit të këtyre prioriteteve, ashtu siç ka qenë edhe deri më tash.
Gjatë takimit, Presidentja kërkoi sqarime për moskonsultimin e institucionit të Presidencës në fazën përpara para hartimit të raportit, siç janë konsultuar të gjitha institucionet e tjera dhe shoqëria civile. Ajo potencoi rëndësinë që raporti i ardhshëm të jetë gjithëpërfshirës dhe të reflektoj kontributin e Presidencës për arritjet gjatë periudhës raportuese.
Presidentja Osmani ka vlerësuar se angazhimi në rritje i institucioneve të Kosovës për zbatimin e reformave evropiane duhet të përcillet me diskutime me institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së për fillimin e procesit të negociatave për anëtarësim në BE. Ajo potencoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, është veprim jo vetëm i drejtë, por do të shërbejë si shtysë për realizimin e reformave të brendshme dhe do t’i kontribuoj paqes dhe stabilitetit në rajon.
![]()
Presidentja Osmani ka mirëpritur rikonfirmimin e mbështetjes së Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si reflektim i përmbushjes së të gjitha kërkesave që burojnë nga procesi formal i vlerësimit të veprimeve të institucioneve te Kosovës. Ajo theksoi se liberalizimi i vizave është qenësor për ruajtjen e kredibilitetit të BE-së në raport me zbatimin efektiv të politikës së zgjerimit të bazuar në meritat dhe rezultatet e angazhimeve të shteteve kandidate.
Norvegji: Kisha e Rjukan duhet të mbyllet për shkak të çmimeve të larta të rrymës
Nga: Erling Marthinsen
Këshilli i Përbashkët i Kishës Tinn ka vendosur të mbyllë Kishën Rjukan deri në Mars të vitit të ardhshëm. Arsyeja janë çmimet e larta të energjisë elektrike, shkruan Rjukan Arbeiderblad.
– Kisha e Rjukan është prej guri dhe betoni dhe është e shtrenjtë për tu ngrohur. Energjia elektrike është bërë shumë më e shtrenjtë dhe ne tashmë kemi shpenzuar buxhetin e energjisë elektrike për vitin 2021, thotë kujdestarja e kishës Susann Myhra Styrvold.
Sidoqoftë, kisha do të bëjë një përjashtim për festat e Krishtlindjeve. Po vlerësohet gjithashtu nëse kisha do të hapet për varrime.
Aktualisht, Këshilli i Përbashkët i Kishës Tinn nuk ka në plan të mbyllë më shumë kisha, por kjo mund të ndodhë nëse çmimet e larta të energjisë elektrike vazhdojnë.
– Jo, ne nuk kemi plane për këtë, por nëse çmimet e energjisë elektrike do të rriteshin ndjeshëm, ne nuk mund ta injorojmë atë. Ne jemi përgjegjës për gjashtë kisha. Pesë prej tyre do të nxehen kështu, thotë Styrvold.
Çmimet e energjisë elektrike janë në një rekord të lartë pasi rrjeti norvegjez i energjisë elektrike ishte i lidhur me tregjet gjermane dhe britanike.
Në teori, kjo lidhje duhet të na bëjë të importojmë energji elektrike nga vende të tjera kur energjia elektrike është e lirë atje dhe e shtrenjtë këtu, por në praktikë këto kabllo përdoren kryesisht për eksportimin e energjisë elektrike, në një kontinent të prekur nga çmimet e larta të gazit, prodhimi i ulët vetjak dhe një krizë energjetike gjithnjë në rritje.
Document.no
____________
Athua cila duhet të jetë domethënja dhe porosia e lajmit të tillë nga Norvegjia për opinionin publik shqiptar në Gadishullin Ilirik (Ballkan)?
Norvegjia, qysh e dijmë të gjithë ne që kemi sado pak informata, është ndër vendet e pasura të botës në të cilën jetojmë dhe ka disa vite që është ndër shtet e pakta me mirëqenien më të lartë në botë. Megjithatë, qysh e vërejmë, një kishë ka vendosur të mbyllet për shkak se nuk ka para për ta paguar rrymën. Janë fondet e caktuara, por jo më shumë se aq. Para dy vitesh, sipas Aftenposten, janë mbyllur disa katedrale në Norvegji, për shkak se nuk kanë pasur frekuentues, apo thënë në “gjuhën arnaute”, u ka munguar “xhemati”.
Tash po dalim tek gjendja në Shqiptari, ku sidomos pas luftës së Kosovës shteti i Turqisë e mori përsipër (nuk dihet saktësisht kush ia dha këtë të drejtë), pos faktit që politika shqiptare gjithandej nuk e ka kundërshtuar kurrë e në dhjetë vitet e fundit e ndihmoj islamin politik pikërisht në mënyrën si e deshtën atë të faktorizuar Turqia (neosmane) dhe Serbia, kështu që ka më shumë se 22 vite që shteti turk për interesa gjeostrategjike turkomëdha, vazhdon t’ua meremetoj e ndërtoj xhamitë “arnautëve”, me synimin e qartë: Krijimin e Njeriut të Ri “Arnaut”, panturkut e panislamikut!
Asksuh deri tash nuk ia bëri të njohur opinionit publik se kush ua paguan rrymën dhe ujin xhamive? Si paguhen ato? Përmes “sadakave”? Përmes kërkimit të ndihmave që nuk janë aspak shqiptare nëpër shitore e shumë vende të tjera?
I paguan hoxha “me xhematin” e tij ato shpenzime, apo naiviteti shtetëror “ban me rahmet”, duke mos e ndarë shtetin nga fetë apo feja, ashtu qysh e kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës ?!
Sidoqoftë, ata që janë fetarë, hoxhë apo priftërinj, duhet ta mbajnë kryesisht vetën e të mos i bëhen barrë askujt.
Shpenzimet e rrymës e të ujit, së bashku me shërbimet e tjera komunale, duhet të paguhen me rregull nga vet institucionet fetare, përndryshe le të detyrohen ti mbyllin xhamitë, sikurse që veprohet ngado në botën e qytetëruar.
Mbyllja e xhamive do t’i shpëtonte Shqiptarët e torturuar e terrorizuar në vendin e vet nga “e-zani” me altoparlant, e përpak do ti bënte të shkreheshin në lot “arnautët” …!
Gjetjet kryesore të Raportit të vitit 2021 për Kosovën
Aspektet themelore të procesit të aderimit
Në kuptimin e kritereve politike, pjesa më e madhe e periudhës raportuese në Kosovë u shqua me paqëndrueshmëri politike. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shkurt 2021, me një shumicë të fortë parlamentare të paprecedent, u formua qeveria e re.
Gjatë pjesës më të madhe të periudhës raportuese, aktivitetet legjislative ishin të kufizuara për shkak të kësaj paqëndrueshmërie politike, duke përfshirë përpjekjet për reforma në lidhje me BE-në. Adoptimi i fazës së dytë të Agjendës së Reformave Evropiane (ERA 2) dhe Planit të Veprimit, miratuar nga Kuvendi në tetor 2021, dhe një fokus i qëndrueshëm qeveritar, konfirmoi trendin pozitiv të zotimit të përtërirë të Kosovës ndaj reformave në lidhje me BE-në.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori 2020 që e konstatoi të pavlefshme zgjedhjen e qeverisë së mëparshme në qershor 2020, u shpërnda Kuvendi dhe zgjedhjet e parakohshme u mbajtën në shkurt 2021. Pas fitores bindëse të një aleance opozitare të udhëhequr nga partia Vetëvendosje, shumica e re në Kuvend miratoi një qeveri të re në mars 2021.
Në nëntor 2020, u ngrit aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës në detyrë dhe ai u arrestua me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Më pas ai dha dorëheqjen nga detyra. Kryetarja e atëhershme e Kuvendit u bë ushtruese e detyrës së Presidentit, në përputhje me Kushtetutën, përpara se të zgjidhej nga legjislatura e re për të shërbyer një mandat të plotë presidencial në prill 2021.
Për një pjesë të madhe të periudhës raportuese, atmosfera e polarizuar politike, mungesa e shumicës efektive qeveritare dhe mungesa e kuorumit preku rëndë vendimmarrjen në Kuvend. Ekziston nevoja që Kuvendi të përmirësojë kuadrin e vet rregullator, duke përfshirë rregulloren e punës. Kuvendi mbeti i hapur gjatë pandemisë, duke respektuar masat e mbrojtjes së shëndetit.
Në përgjithësi, zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 ishin të mirë-administruara, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive. Procesi zgjedhor i Kosovës vazhdon të ketë nevojë për forcim të gjithanshëm për të adresuar dobësitë e kamotshme gjatë ciklit zgjedhor, siç janë identifikuar nga misionet e njëpasnjëshme vëzhguese të zgjedhjeve nga BE-ja që nga viti 2014. Forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi financimin e fushatave dhe partive politike mbetet një fushë në pritje që ka nevojë për reformë.
Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht në lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar dhe kushtet për lirinë e shprehjes.
Ekziston një niveli i përgatitjes në fushën e reformës së administratës publike, por nuk ka pasur përparim në këtë drejtim gjatë periudhës raportuese, duke pasur parasysh ndryshimet e shpeshta të qeverisë. Ligji për Zyrtarët Publikë hyri në fuqi në qershor, por nuk u bënë përpjekje të ndjeshme për të filluar implementimin e tij veçanërisht në lidhje me rekrutimet. Krijimi i një departamenti qendror efektiv të rekrutimit u vonua. Ndikimi i pavend politik mbi emërimet dhe shkarkimet e funksionarëve të lartë publikë dhe nëpunësve civilë është vërejtur në disa raste dhe Kosova ka përmbushur vetëm disa nga zotimet e saj për kriteret e bazuara në merita. Nuk është bërë përparim në adresimin e pabarazive në sistemin e pagave të sektorit publik. Procesi i racionalizimit të agjencive ka ngecur. Pasiguria ligjore për bizneset dhe individët ngulmon për shkak të mungesës së vazhdueshme të progresit në harmonizimin e legjislacionit sektorial me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Ka nevojë urgjente për përtëritje të zotimit për reformën e administratës publike.
Kosova është ende në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor që funksionin mirë. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefiçient dhe i prekshëm nga ndikimi i parregullt politik. Gjatë periudhës së raportimit janë shënuar disa përparime. Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit rezultoi në një Strategji dhe Plan Veprimi për Sundimin e Ligjit, që përshkruan sfidat kryesore në sistemin e sundimit të ligjit dhe u adoptua në gusht 2021. Kosova futi në përdorim një sistem elektronik për menaxhimin e lëndëve dhe ngriti një sistem qendror të evidencave penale, megjithatë sfidat mbeten të pranishme. Kosova ka bërë përpjekje për të implementuar Ligjin për Ndërmjetësimin. Pandemia e COVID-19 ndikoi në përpunimin efektiv të lëndëve dhe mbajtjen e seancave gjyqësore (dhe qasjes së publikut në to) në Kosovë. Qeveria e re ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë kontekst, prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Një proces i tillë do të duhej të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore, dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias.
Kosova është në një fazë të hershme/ka njëfarë niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Gjatë periudhës raportuese, është bërë përparim i kufizuar, duke përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të shënjestruara të nivelit të lartë. Lypsen përpjekje të pashkëputura për të realizuar më shumë hetime proaktive, vendime gjyqësore të formës së prerë dhe konfiskim përfundimtar të pasurive. Zyra e Prokurorisë Speciale u forcua me funksionalizimin e Departamentit të Korrupsionit dhe Krimit Financiar dhe me një rritje të përgjithshme në nivelet e personelit. Pakoja ligjore kundër korrupsionit dhe Kodi i Procedurës Penale i ndryshuar ende nuk janë adoptuar. Kuadri ligjor për konfiskimin është në fuqi, por nuk po zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme dhe vlera e pasurive të konfiskuara përfundimisht mbetet e ulët. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje që shkakton shqetësime serioze. Pavarësisht përpjekjeve të bëra, ekziston nevoja për një vullnet të fortë dhe të vazhdueshëm politik për të adresuar në mënyrë efektive risqet sistemore të korrupsionit, si dhe për një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.
Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Ajo shënoi përparim të kufizuar gjatë periudhës raportuese në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Zyra e Prokurorisë Speciale u forcua me staf shtesë të specializuar dhe u zhvilluan aktivitete trajnimi me synim. Megjithatë, mjetet e fuqishme të parashikuara nga Kodi Penal dhe Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim ende nuk po përdoren në tërësi nga policia dhe prokurorët. Nevojiten masa për të forcuar prokurorinë si dhe për të siguruar që nuk ka ndërhyrje politike në aktivitetet operacionale të të gjitha organeve ligj-zbatuese.
Në korrik 2020, Europol dhe Policia e Kosovës lidhën një marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshjet plotësuese të nevojshme për funksionalizimin e këtij bashkëpunimi, duke lejuar qasjen në Aplikacionin e Rrjetit të Shkëmbimit të Sigurt të Informacionit (SIENA) dhe shkëmbimin e Zyrtarëve Ndërlidhës, u finalizuan në shtator 2021.
Është bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, në përputhje me objektivat e përcaktuara në aranzhimin implementues BE-Kosovë për Planin e Përbashkët të Veprimit kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në lidhje me rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të huaj terroristë dhe familjeve të tyre. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave dhe ligji i zbatueshëm do të duhej të jetë në përputhje me acquis të BE-së dhe me standardet ndërkombëtare.
Kuadri ligjor në masë të madhe e garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore në përputhje me standardet evropiane. Megjithatë, mbeten të nevojshme përpjekje plotësuese për ta implementuar plotësisht atë dhe për të përmirësuar koordinimin dhe mbikëqyrjen e politikave dhe legjislacionit për të drejtat themelore. Autoritetet ende varen nga mbështetja dhe udhëzimi i donatorëve dhe duhet të marrin përsipër pronësi më të madhe mbi procesin. Duhet bërë më shumë për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e personave që u përkasin pakicave, përfshirë romët[1] dhe ashkalinjtë dhe personat e zhvendosur, për të siguruar barazinë gjinore në praktikë dhe për të avancuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka njëfarë niveli të përgatitjes dhe përfiton nga një mjedis mediatik pluralist dhe i gjallë. Sidoqoftë, mbeten shqetësimet në lidhje me fushatat e njollosjes publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve. Mungesa e vetë-qëndrueshmërisë financiare, e përkeqësuar më tej nga pandemia e COVID-19, i lë mediat në pozitë të prekshme nga interesat politike dhe të biznesit. Transmetuesi publik gjithashtu mbetet i prekshëm nga ndikimi politik dhe ende duhet gjetur një zgjidhje e qëndrueshme për financimin e tij.
Autoritetet e Kosovës vazhduan të bëjnë përparim në menaxhimin e flukseve të migrimit të rregullt dhe të përzier në kontekstin e vështirë të pandemisë së COVID-19. Kosova e rriti më tej kapacitetin e saj për akomodim dhe përshkallëzoi përgatitjet për të trajtuar një fluks të shtuar emigrantësh.
Për sa i përket kritereve ekonomike, Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie funksionale të tregut. Ekonomia u zhyt në recesion në vitin 2020, por ky trend u përmbys në gjysmën e parë të 2021. Problemet e kamotshme strukturore, të tilla si mungesa e diversifikimit ekonomik dhe varësia nga flukset financiare nga diaspora e bënë Kosovën shumë të prekshme nga ngujimi dhe kufizimet e udhëtimit të lidhura me pandeminë. Në përgjigje ndaj krizës, autoritetet pezulluan rregullën fiskale dhe adoptuan dy pako fiskale. Rritja e fortë e shpenzimeve dhe tkurrja e të hyrave tatimore rezultoi në një deficit të madh buxhetor në vitin 2020, por rimëkëmbja e të hyrave tatimore ndihmoi në arritjen e një suficiti buxhetor në gjysmën e parë të 2021. Mjedisi i biznesit ka një përmirësim të vogël. Zhvillimi i sektorit privat mbetet i shtrënguar nga një ekonomi e përhapur joformale, një gjyqësor i ngadalshëm dhe joefiçient, një prevalencë e lartë e korrupsionit dhe sundimi përgjithësisht i dobët i ligjit.
Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në një fazë të hershme për sa i përket aftësisë për t’i bërë ballë presionit konkurrues dhe forcave të tregut në BE. Pak përparim është bërë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe adresimin e boshllëqeve të kualifikimeve në tregun e punës. Kosova ka bërë disa përparime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e investimeve në burimet e ripërtëritshme, por furnizimi i pasigurt me energji me teknologji të vjetruar me djegie të thëngjillit mbetet një shqetësim. Kosova ka bërë disa përparime për sa i përket digjitalizimit të ekonomisë. Ndryshimet strukturore po shfaqen vetëm ngadalë pasi ekonomia mbetet shumë e varur nga firmat e vogla dhe shumë të vogla të cilat nuk mund të konkurrojnë ndërkombëtarisht, ndërsa struktura e eksportit mbetet e dominuar nga disa produkte, siç janë metalet bazë.
Për sa i përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, Kosova vazhdoi të marrë pjesë në shumicën e forumeve rajonale. Kosova mbajti marrëdhënie përgjithësisht të mira me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në marrëdhëniet formale të Kosovës me Bosnjë dhe Hercegovinën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe të dyja mbajnë një regjim të rreptë vizash.
Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdoi me takime të nivelit të lartë më 15 qershor dhe 19 korrik 2021, si dhe me tri takime të kryenegociatorëve. Gjatë periudhës raportuese të dyja palët emëruan kryenegociatorë dhe ekipe të reja negociuese. Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në implementimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese dhe gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.
Aftësia për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit
Për sa i përket përafrimit me standardet evropiane, gjatë periudhës raportuese është arritur njëfarë përparimi në fushat e prokurimit publik, statistikave dhe kontrollit financiar. Në shumicën e fushave të përfshira në Grupimin 2 mbi tregun e brendshëm, Kosova ka njëfarë niveli të përgatitjes, gjegjësisht në lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, ligjin për shoqëritë tregtare dhe pronën intelektuale, ndërsa është e përgatitur mesatarisht për lëvizjen e punëtorëve, shërbimeve dhe të drejtën e themelimit, dhe për shërbimet financiare. Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes për konkurrencën, si dhe për politikat e konsumit dhe mbrojtjen e shëndetit. Në periudhën raportuese, Kosova arriti njëfarë përparimi në të gjitha fushat përveç në politikat e konsumit dhe mbrojtjen e shëndetit, ku u arrit vetëm progres i kufizuar. Në fushën e konkurrencës dhe rritjes gjithëpërfshirëse, ajo bëri njëfarë përparimi në shumicën e fushave (dogana, tatimet, shoqëria e informacionit dhe mediet, ndërmarrjet dhe politikat industriale), por bëri vetëm përparim të kufizuar në kërkim, arsim dhe kulturë. Ajo bëri njëfarë përparimi në fushat e politikave që lidhen me Agjendën e Gjelbër dhe konektivitetin e qëndrueshëm, në sektorin e energjisë, por shënoi vetëm përparim të kufizuar në fushat e transportit, mjedisit dhe ndryshimit të klimës. Në fushën e burimeve dhe bujqësisë, ajo bëri vetëm përparim të kufizuar në bujqësi, sigurinë e ushqimit, veterinari dhe politika fitosanitare. Në politikën tregtare, është bërë njëfarë përparimi në zvogëlimin e deficitit tregtar të Kosovës, por Kosova ende nuk i ka ratifikuar protokollet plotësuese të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë dhe tregtinë e shërbimeve. Në përgjithësi, Kosova duhet të përmirësojë kapacitetin e saj administrativ dhe koordinimin, në të gjithë sektorët, për të arritur implementimin efektiv të acquis të BE-së.
Datat kryesore
Qershor 2003: Samiti BE-Ballkan Perëndimor në Selanik konfirmon perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Shkurt 2008: Kosova shpall në mënyrë të njëanshme pavarësinë.
Korrik 2010: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstaton se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare ose Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit.
Mars 2011: Fillon dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Prill 2013: Arrihet Marrëveshja e Parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Prill 2016: Hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit BE-Kosovë.
Maj 2016: Komisioni Evropian i jep një propozim Parlamentit Evropian dhe Këshillit duke rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Shkurt 2018: Komisioni Evropian adopton strategjinë për ‘Një perspektivë të besueshme zgjerimi për dhe angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor’.
Maj 2018: Samiti BE-Ballkan Perëndimor i mbajtur në Sofje konfirmon perspektivën evropiane të rajonit dhe përcakton një sërë veprimesh konkrete për të forcuar bashkëpunimin në fushat e konektivitetit, sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Korrik 2018: Komisioni Evropian konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e mbetura për liberalizimin e vizave. Vendimi mbi propozimin e Komisionit është në pritje në Parlamentin Evropian dhe në Këshill.
Shkurt 2020: Metodologjia e rishikuar, e paraqitur nga Komisioni, për të çuar përpara procesin e zgjerimit me një drejtim politik më të fortë dhe në një mënyrë më të besueshme, më të parashikueshme dhe më dinamike.
Tetor 2020: Komisioni propozon Planin Ekonomik dhe të Investimeve për të mbështetur dhe për të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër BE-së.
[1] Të gjitha këto grupe konsiderohen nën termin më të gjerë ‘rom’ nën kuadrin e BE-së për Strategjitë Kombëtare për Integrimin e Romëve
Njohja me Sébastien Gricourt në Paris

Nga: Bajram Sefaj
Rilexime nostalgjike
Njohja me Sébastien Gricourt në Paris
Është student i vitit të tretë të gjuhës shqipe pranë Institutit të Gjuhëve Lindore të Parisit, Emri dhe mbiemri i tij i plotë është: Sébastien Gricourt.
Letra e tij e shkurtër, e botuar, ditë më parë, në faqet e Rilindjes, me vërejtjen e redaksisë: – “e botuam pa kurrfarë ndryshimi, ashtu si na erdhi…” – është ajo që i dha rrugë takimit dhe njohjes më për së afërmi me këtë të ri francez. Me të lexuar të tekstit të shkurtër por të ngrohtë, me një imtonim miqësor, pa hezituar asnjë çast, shkëpus copëzën e gazetës dhe me një fjalë (porosi) të shkurtër falënderimi e dëshirë për t`u takuar, ia nis në adresë të tij. Të nesërmen, hiç më larg, marr këtë përgjigje prej Sébastien-it që e riprodhoj, me këtë rast, në tërësi: “Letrën tuaj e mora me shumë qejf dhe do të jetë për mua një nder i vërtetë të bisedoj me ju. Kështu, ne mund të merremi vesh për t`u takuar të ënjtën në orën shtatëmbëdhjetë e tridhjetë tek burimi “Saint Michel”. Jam shtatgjatë dhe do të mbështetem tek parmak metroje, duke lexuar “Rilindjen”. Po nuk i përshtatet ky takim programit tuaj ja numri i telefonit, ku do të më keni në çfarëdo ore në mbrëmje dhe më rrallë ditën”. Mirupafshim Sébastien Gricout. Derisa në vendin dhe në kohën e caktuar po bëhej gati që nga trasta të nxirrte “Rilindjen”, ia pres: zoti Sébastien, ja ku më ke…!
Bisedën nuk e fillojmë, por e vazhdojmë, sikur ta kishim nisur para shumë kohësh!
Të zënë në një ngushticë kohe, midis obligimesh, për ngut, pimë nga një kafe në bistronë e parë. Por, nuk harroj t`ia them se kam kënaqësinë profesionale të bëj një shkrim të shkurtër për të, duke llogaritur, që më parë, në gëzimin që ai shkrim do t`i sjellë lexuesit shqiptar. I erdhi mirë për këtë dhe premtoi se rrëfimin e tij të shkurtër të takimit me botën shqiptare do te hedh në letër dhe se bashkë me një fotos (portret) do e sjell në takimin e parë të ardhshëm. E lexova kallëzimin e tij disa herë dhe vendosa: do e ndjek urtësinë e redaksisë së “rilindjes” dhe tekstin e këtij miku të shqiptarëve do e qes në letër pa asnjë lakim në interpretimin e tij, ngase, do e shihni edhe vetë, ishte i bukur e i pastër në virgjërinë e tij.
– Kam lindur më 14 korrik 1970 (dita e festës kombëtare frënge) në Bordo (Bordeaux). Gjatë verës së vitit 1990, bashkë me dy miq u nisëm për një udhëtim në Kosovë me qëllim që të hyjmë në Shqipëri pa vizë, sepse nuk na e kishte dhënë vizën ambasada shqiptare. Atje në Kosovë kaluam katër net: një në Prishtinë tek një njeri që pati frikë qysh të nesërmen për shkak të fqinjit, natën e dytë kaluam jashtë prapa një hoteli me një djalë shqiptar shtatëmbëdhjetëvjeçar, i cili u fliste si një burrë i pjekur ushtarëve serbë, të cilët vinin rrotull neve gjatë natës së tërë me qentë e tyre. Mandej, Gëzimi (ashtu quhej) na paraqiti me vëllamë e tij, vizituam Prizrenin që m`u pëlqye shumë, dhe flemë tek ata fshehurazi – të nesërmen, unë bashkë me dy miqtë e mi vajtëm për në kufi, ku na mori policia serbe. Para se të na hallakatnin plaçkat tona, gëlltita letrat me adresat e miqve tanë që na kishin pritur. Na këshilluan të iknim larg nga Kosova. Kështu e kaluam natën pranë lumit dhe vazhduam rrugën deri në Rumani ku kemi ende shumë miq. Atje u martua një nga miqtë e mi që ishte në Kosovë me mua. Më tha një ditë ai se donte të fillonte studimet, sepse kishte dy vejte që e kishim mbaruar të dy gjimnazin dhe kalonim kohën vetëm në punë dhe udhëtim. Kështu, ai vendoset të studionte gjuhën rumune në Institutin e Gjuhëve dhe të qytetërimeve Lindore në Paris, ndërsa unë u regjistrova për gjuhën shqipe, sepse më kishin prekur shumë dashamirësia dhe guximi e shqiptarëve të Kosovës, por edhe sepse Shqipëria ishte një vend ku nuk më kishin lejuar të hyja.
Vitin e dytë e kalova tek një familje shqiptare në Tiranë, ku flisnin vetëm shqip. Udhëtimin e parë e kisha bërë gjatë korrikut 1992. Gjithsej qëndrove tetë muaj në Shqipëri. Fillova hulumtimin mbi historinë e Voskopojë për diplomën e ardhshme. Kjo është një temë që më intereson shumë. “Moscopolea” është për mua një simbol i ballkanikëve që jetojnë bashkë dhe në mirëkuptim të plotë larg nga nacionalizmi që e shkatërroi fytyrën e krahinës ballkanike. Edhe dua të flas për meritat e panjohura të arumunëve në fusha të ndryshme të historisë dhe të kulturës ballkanike. Në ëndrrën time isha në Voskopojë, duke punuar në shtypshkronjën e Akademisë së Re, kështu që pas studimeve e kam si qëllim të krijoj një shtëpi botuese, ku do të botoheshin autorë me vlerë dhe tolerantë të të gjitha vendeve ballkanike që të bëheshin më të njohur në Francë dhe më të afërt të Evropës Perëndimore. Tani shpresoj se do të fitoj për vitin e ardhshëm një post si lektor në Universitetin e Tiranës.
Nga zemra dua të falënderoj ata që na kishin pritur kaq bukur në Kosovë, që më kanë falur shumë. Duke falënderuar atë Gëzimin e Prizrenit, përshëndes të gjithë shqiptarët që luftojnë me një durim kaq shembullor përpara syve të botës.
Ky ishte rrëfimi, i përshkruar, shkronjë për shkronjë, i djaloshit njëzetekatërvjeçar me emrin Sébestien Gricout (Sebestian Grikur) nga Bordoja, tash student i rregullt i vitit të tretë të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore (Inalco) në Paris. Gëlltitja e letrave me adresat e miqve shqiptarë, që të mos bien ato në duart e policisë së egër okupuese, sikur i dha një kah të ri rrugës jetësore dhe ardhmërisë gjithandej të këtij të riu francez me plane e ambicie të mëdha që do t`i realizojë. Me gëlltitjen e letrave (me adresa e numra telefonash) të miqve të rastit shqiptarë, ai sikur gëlltiti mllefin kundër okupatorit dhe dha kushtrimin se do të mësojë gjuhën shqipe dhe se do të studiojë e do të njohë historinë, traditën e lashtë dhe kulturën e pasur të popullit shqiptar.
Sébestien-in e takojmë në (para) premierën e filmit “Larg barbarëve” të regjisores me origjinë shqiptare, Liri Begeja, e takojmë në koncertin e Inva Mulës e të Tedi Papavramit, e takojmë në Sallonin e katërmbëdhjetë të librit, aty ku midis shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj francezë, lexuesit parisien i prezantohet edhe shkrimtari shqiptar me famë botërore, Ismail Kadaré. Sébastien-in e ri e takojmë gjithandej e kudo që në hapësirat e pakufishme të Parisit ndodh diçka lidhur me popullin shqiptar që ai e ka zgjedhur si të vetin. Këtë djalosh (“jam shtatgjatë”) e takojmë pothuajse çdo ditë, këtu e atje. Përherë me një trastë të madhe sipër supeve, të mbushur gazeta, revista e libra të autorëve shqiptarë që i lexon me pasion, e që një ditë mund t`i kthejë edhe një gjuhën e tij amtare, franceze. Midis librave të tjerët, kjo sikurse kuptohet vetvetiu, janë dy fjalorët e Vedat Kokonës frëngjisht – shqip me rreth 35.000 fjalë dhe me 1.208 faqe dhe shqip-frëngjisht më 25.000 fjalë që e shoqërojnë në çdo rrugë e në çdo çast. Në trastën e tij të madhe, miku ynë i ri, sikur bart peshën e rëndë të fatit të keq dhe brengën e madhe të popullit shqiptar që atij iu shfaq si në ëndërr, befas e papritmas krejt
Paris, dhjetor, 1992
Vetvendosje e pavendosur për reprezentimin e ambasadave të Kosovës në botë?!
Gjurmë historike: Në 53 vjetorin e demonstratës në Pejë, më 19 tetor 1968!





