Kreu Blog Faqe 33

Është koha që të ndërgjegjësoheni, se Dardania i ka rrënjët thellë në civilizimin europian

0

Gjon Keka

Erdhi pushtuesi otoman dhe solli me vete ideologjinë islamike dhe mbetje të rrymave si ajo e Ballabanit dhe Haxhiqamilit, të cilat nxitën përçarje dhe urrejtje midis vëllezërve të një gjaku e të një atdheu në Dardani.

Është koha që të ndërgjegjësoheni dhe të kuptoni se Dardania i ka rrënjët thellë në civilizimin europian. Kjo dëshmohet që nga periudha kur Apostulli Pal përhapi Ungjillin në Iliri, kur Konstantini i Madh nxorri Ediktin e tolerancës fetare, e deri te misioni i Gjergj Kastriotit për bashkimin e arbërorëve dhe mbrojtjen e civilizimit të përbashkët europian.

“Shqipërin’ e mori turku,

i vu zjarr.

Shqipëtar, mos rri, po duku, shqipëtar.”

[Andon Z. Çajupi]

355 vjet pritje për një gurthemel

1
Ndoshta sonte, në amshim, të parët tanë nuk po flenë të qetë.
Ndoshta janë mbledhur diku, në atë kuvend të heshtur të të vdekurve të gjallë, dhe po e shikojnë Kosovën.
Po e shikojnë gjatë.
Dhe po qajnë.
Qan ai katoliku i Vushtrrisë së vitit 1671, që meshën e dëgjonte fshehurazi në një shtëpi të zakonshme, me dyer të mbyllura dhe me një njeri jashtë që ruante rrugën.
Qan nëna që ua mësonte fëmijëve lutjen me zë të ulët, që të mos dëgjohej përtej murit.
Qan meshtari i Vushtrrisë që e ngrinte Bukën e shenjtë me duar që ndoshta dridheshin jo nga mosha, por nga frika se dera mund të hapej në çdo çast.
Qajnë ata që kërkonin vetëm një copë vend ku të gjunjëzoheshin para Zotit të tyre.
Dhe nuk e kishin.
Sikur njëri prej tyre të çohej sonte nga varri e të ecte rrugëve të Vushtrrisë, do të habitej.
Do t’i shihte rrugët e asfaltuara.
Do t’i shihte makinat.
Do t’i shihte telefonat në duart tona.
Do ta shihte flamurin e Kosovës.
Do ta dëgjonte fjalën Republikë.
Do t’i flisnim për demokraci, Kushtetutë, Evropë, të drejta të njeriut e liri fetare.
Ai do të na dëgjonte në heshtje.
Pastaj, ndoshta, do të pyeste:
Po kishën tonë në Vushtrri, a mund ta ndërtojmë tash?
Dhe papritur, pas gjithë fjalëve tona të mëdha, do të bëhej heshtje.
Një heshtje e rëndë.
Sepse do të duhej t’i shpjegonim se kanë kaluar 355 vjet, por se në gushtin e vitit 2026 gurthemeli i një kishe katolike në Zogaj të Vushtrrisë përsëri u bë shkak ndalimi, kundërshtimi dhe tensioni.
Ai ndoshta nuk do ta kuptonte.
Po sulltani ku është?
Ka vdekur perandoria e tij.
Po sunduesit e huaj?
Kanë ikur.
Atëherë kush nuk ju lë?
Kjo është pyetja para së cilës historia na ul kokën.
Dhe diku pranë tij, në atë kuvend të amshimit, dua ta përfytyroj edhe Pjetër Bogdanin.
Atë burrë të shekullit XVII që e njohu këtë tokë në kohë shumë më të errëta se tonat.
Bogdani do ta njihte mirë këtë dhimbje.
Do ta njihte frikën.
Do ta njihte një Kosovë ku feja, gjuha, libri dhe identiteti shpesh mbijetuan jo falë fuqisë së institucioneve, por falë kokëfortësisë së njerëzve të zakonshëm që refuzuan t’i harronin.
Ndoshta Bogdani nuk do të na qortonte shumë.
Vetëm do ta ulte kokën.
E ka raste kur ulja e kokës së një të vdekuri është qortim më i rëndë se një mijë fjalë të të gjallëve.
Sepse çfarë t’i themi?
Se në shekullin XXI ende trembemi nga një gurthemel?
Se ende mund ta shohim tempullin e tjetrit si rrezik?
Se kemi kaluar luftëra për të fituar lirinë tonë, por ende kemi vështirësi ta duam lirinë e tjetrit?
E pastaj, ndoshta, do të afrohej Fishta.
Ai Fishtë që na la një nga porositë më të thjeshta dhe më të mëdha:
“Vërtet ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë.”
Sa lehtë e recitojmë.
Sa bukur tingëllon në akademi, përvjetorë e fotografi.
Por vargjet nuk janë shkruar vetëm për t’u recituar.
Ka ditë kur vargjet kërkojnë të jetohen.
Dhe pikërisht këtu provohet nëse e kemi kuptuar Fishtën.
Jo kur katoliku mbron kishën e vet.
Por kur myslimani thotë:
Kjo kishë duhet të ndërtohet, sepse liria e vëllait tim është edhe liria ime.
Dhe jo kur myslimani mbron xhaminë e vet.
Por kur katoliku ngrihet dhe thotë:
Kjo xhami duhet të jetë e lirë, sepse besimi i fqinjit tim nuk është kërcënim për besimin tim.
Atëherë Fishta nuk është më vetëm varg.
Atëherë bëhet ndërgjegje.
Një kishë nuk ia merr askujt Zotin.
Një kryq nuk ia zbeh askujt gjysmëhënën.
Një kambanë nuk e vret ezanin.
Dhe ezani nuk e shuan kambanën.
Përkundrazi.
Kur të dyja mund të dëgjohen pa frikë nën të njëjtin qiell, atëherë e kupton se nën atë qiell jetojnë njerëz të lirë.
Prandaj dhemb Vushtrria.
Jo vetëm për katolikët.
Duhet të dhembë për secilin prej nesh.
Sepse sot është gurthemeli i kishës së dikujt tjetër.
Nesër mund të jetë e drejta jote.
Liria është e çuditshme: ose e mbron edhe për tjetrin, ose dalëngadalë e humb edhe për vete.
E imagjinoj sonte një nënë të vjetër nga Vushtrria e shekullit XVII.
Nuk ia dimë emrin.
Historia nuk i ka regjistruar emrat e njerëzve të vegjël.
Ndoshta ka hyrë në një shtëpi me fëmijën për dore.
Dera është mbyllur.
Dritaret janë mbuluar.
Jashtë qëndron roja.
Brenda, meshtari fillon meshën.
Ajo e afron fëmijën pranë vetes dhe i pëshpërit:
Mos fol fort, bir.
Mos fol fort.
Dy fjalë.
Ndoshta krejt tragjedia e një epoke mund të futet brenda tyre.
Dhe unë dua ta përfytyroj atë nënë duke na shikuar sot nga amshimi.
Ajo sheh vitin 2026.
Sheh Kosovën shtet.
Sheh policinë me emblemën e Kosovës.
Sheh Kushtetutën e Kosovës.
Sheh Evropën drejt së cilës themi se duam të ecim.
Dhe pyet:
Bijtë e mi…
unë i thosha fëmijës tim “mos fol fort” sepse jetonim nën perandori.
Po ju, pse ende keni frikë nga një kishë?
Çfarë përgjigjeje kemi?
Kosova ka shumë varre.
Shumë.
Në këtë tokë ka nëna që ende e mbajnë fotografinë e djalit në mur.
Ka familje që ende presin një eshtër.
Ka njerëz që dhanë rininë.
Ka njerëz që dhanë shtëpinë.
Ka njerëz që dhanë jetën.
Dhe për çfarë?
Që një ditë këtu të jetonin njerëz të lirë.
Jo vetëm shqiptarë të lirë.
Jo vetëm myslimanë të lirë.
Jo vetëm katolikë të lirë.
Jo vetëm shumica e lirë.
Njerëz të lirë.
Sepse shteti nuk provohet me mënyrën si sillet me të fuqishmin.
Shteti provohet para derës së të dobëtit.
Demokracia nuk provohet kur dhjetë mijë veta kërkojnë një të drejtë.
Ajo provohet kur atë të drejtë e kërkojnë dhjetë.
Madje edhe një.
Dhe shteti u thotë:
Mos ki frikë. Edhe ti je i yni. Edhe liria jote është e shenjtë.
Prandaj gurthemeli i Zogajt është shumë më tepër se një gur.
Mbi atë gur nuk po provohet vetëm nëse do të ndërtohet një kishë.
Po provohet nëse kemi arritur ta ndërtojmë Kosovën.
Kosovën e Kushtetutës apo Kosovën e turmës.
Kosovën e qytetarit apo Kosovën e numrave.
Kosovën e frikës apo Kosovën e lirisë.
Dhe mbi të gjitha:
Kosovën që ua premtuam të vdekurve tanë.
Ndoshta sonte ata janë të gjithë bashkë.
Katoliku i Vushtrrisë që lutej fshehurazi.
Nëna që i thoshte fëmijës të mos fliste fort.
Meshtari që kremtonte meshën pas dyerve të mbyllura.
Bogdani.
Fishta.
Frashëri.
Rugova.
Dhe mijëra burra e gra pa emër që kaluan mbi këtë tokë para nesh.
Ata nuk kërkojnë hakmarrje.
Nuk kërkojnë urrejtje.
Nuk kërkojnë që një fe të triumfojë mbi tjetrën.
Vetëm na shikojnë.
Dhe ndoshta na thonë:
Ne vuajtëm që ju të mos vuani.
Ne u fshehëm që ju të mund të dilnit në dritë.
Ne u lutëm në heshtje që ju të mund t’i binit kambanës pa frikë.
Ne jetuam nën sundues të huaj. Mos u bëni ju sundues të njëri-tjetrit.
Dhe kjo e fundit është më e rënda.
Sepse është e lehtë ta mallkosh perandorinë që të ka shtypur.
Shumë më e vështirë është të sigurohesh që, kur të vijë dita e lirisë sate, të mos fillosh ti t’ia ngushtosh lirinë dikujt tjetër.
Mos na e bëni Kosovën vend ku të vdekurit qajnë.
Kemi derdhur mjaft lot në këtë tokë.
Mos i shtoni edhe lotët e atyre që prehen nën të.
Le të ndërtohet kisha.
Le të ndërtohet xhamia.
Le të dëgjohet kambana.
Le të dëgjohet ezani.
Le të lutet secili sipas ndërgjegjes së vet.
Dhe kur një ditë ne vetë të kalojmë në amshim e të takohemi me ata që qenë para nesh, të mos kemi nevojë ta ulim kokën.
Të mund t’u themi:
Po, të parët tanë.
Na e latë një tokë të plagosur dhe ne u përpoqëm ta bënim shtëpi.
Na e latë kujtimin e robërisë dhe ne nuk e përdorëm për t’ia marrë lirinë askujt.
Na mësuat të mbijetojmë. Ne mësuam të jetojmë së bashku.
Dhe atëherë, ndoshta, plaku i Vushtrrisë së vitit 1671 do të buzëqeshë.
Nëna do ta marrë përsëri fëmijën për dore.
Por kësaj here nuk do t’i thotë:
Mos fol fort, bir.
Do t’i thotë:
Fol.
Lutu.
Këndo.
Bjeri kambanës.
Sepse më në fund je i lirë.
Dhe vetëm atëherë do të kemi të drejtë ta quajmë këtë tokë jo vetëm Kosovë –
por Kosovë të lirë.
Don Anton Uka,
Luzern, 18 gusht 2026

Serbia një ditë të mund t’i thotë botës: “Ju thamë. Këta nuk dinë me ndërtu shtet. Këta janë problem. Ne duhet me rikthy rendin.”

1
Islamizmi politik dhe regjimi i Beogradit ushqehen nga i njëjti rezultat: një Kosovë e dobët, e zbrazët, e përçarë dhe e shkëputur nga Perëndimi.
Islamistët duan pushtet mbi mendjen, familjen, shkollën, kulturën dhe shtetin. Nuk u mjafton besimi privat — duan nënshtrim shoqëror.
Beogradi do diçka tjetër, por rezultati i shërben njësoj: një Kosovë e deformuar, e radikalizuar, e varfëruar dhe e braktisur nga rinia e saj. Një shtet që gradualisht bëhet aq problematik, sa Serbia një ditë të mund t’i thotë botës:
“Ju thamë. Këta nuk dinë me ndërtu shtet. Këta janë problem. Ne duhet me rikthy rendin.”
Kjo është tragjedia: disa mendojnë se po e “mbrojnë Islamin”, ndërsa në praktikë mund të jenë duke ia përgatitë Beogradit argumentin më të fuqishëm kundër Kosovës.
Serbisë nuk i duhet me na pushtu nesër me tanke, nëse ne sot e shkatërrojmë Kosovën vetë nga brenda.
Dhe po — kjo po ndodh shumë ma shpejt se sa shumica guxojnë me pranu.

Vuçiqi i pakënaqur me KFOR-in, ankohet në NATO!

0

Gani I. Mehmeti 

Pas lirimit të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, Vuçiqi nuk flet në mënyrë ankuese e kërkuese por më shumë në mënyrën urdhërore. Ai është i pakënaqur me hapjen graduale të urës, duke e lënë që të interesohet policia e Kosovës, ai do të “urdhërojë” komandantin e NATO-os që të mos hapet ura për qarkullim. 

Vuçiqi, që nga viti 2000, kur u vranë dhjetëra shqiptarë në Mitrovicë (atëhere nuk kishte Mitrovicë të Jugut as të Veriut, por vetëm Mitrovicë) e u ndoqën shqiptarët për të bërë spastrim etnik  me ndihmën e KFOR-it, Vuçiqat kurrë nuk kishin reaguar se përse ishin ndjekur shqiptarët. Ai dhe të tjerët, po e përkrahnin këtë masakër e dëbim të shqiptarëve nga veriu i Kosovës, sepse ia kishin vënë syrin pasurisë nëntokësore të kësaj ane të Kosovës.  

Tani, kur  bandat kriminele serbe janë eleminuar në këto anë, kur ka nisur të zbatohet ligji i Republikës së Kosovës edhe në atë anë, tani, kur Vuçiqit nuk po i shkohet më as përmes Listës Serbe, ai si “i madh” pse është aramtosur me llojet më të forta, kur vendi i tij është zhvilluar dhe ka përparuar ekonomikisht nga investimet e huaja, i duket sikur është ngritur shumë lart, dhe të gjithë të tjerët në Ballkan i shikon nga lart atje, ai nuk kërkon as nga komandani i NATO-s, por vetëm urdhëron. Kështu, po të bisedojë me këtë “farë” turkun, komandantin e KFOR-it, i duket i vogël, por ai do të kalojë sipër tij e të dalë tek komandanti i NATO-s, të urdhërojë atë, që lirimin e urës së Ibrit të mos e lëshojë në qarkullim për të gjithë, sepse kështu, ai mendon se veriun e Kosovës e ka shkëputur nga Kosova që t’ia bashkangjesë Serbisë. 

Mirëpo, lëshuarja e urës së Ibrit në qarkullim, dhe,  duke e lënë në duart e policisë së Kosovës, ai nuk po ndihet mirë! Është shumë keq mentalisht, çka nuk e ka marrë me mend se një ditë do të lirohet për qarkullim kjo urë, duke harruar se urat janë për të lidhur njerëz e vende, për të qarkulluar nëpër të, të gjithë ata që duan, se aty nuk ka kufi. 

Dhe,po. Me të drejtë ka menduar, pse ashtu ka dëshiruar, por pse edhe KFOR-i ia pati mundësuar të ndiqen shqiptarët nga atje, të mos lejohen më të kthehen andej në tokat e tyre mijëravjeçare, po edhe ndarjen e qytetit të Mitrovicës, për plotësimin e dëshirave e kërkesave të serbëve e bënë. Përse nuk u nda asnjë qytet tjetër në Kosovë, as Prishtina, as Prizreni, as Peja, që ndoshta duhet të jenë edhe më të mëdha si qytetete. Jo, se atje nuk kishte serbë e t’u plotësohej dëshira.  

E, Vuçiqi, regon në mënyrën më përçmuese ndaj komandantit të KFOR-it, duke mos e çmuar fare si komandant, pse ai po lejon të lëshohet ura e Ibrit në qarkullim, ndërsa vendimi për lirimin e kësaj ure ka qenë marrë, nëse nuk gaboj, diku në vitin 2016, por nuk po guxonin nga strukturat kriminale serbe. 

Ah, more Vuçiq, nuk po më dëgjon as mua KFOPR-i e as ty, nuk e di përse, çka u bë me të. Kemi rënë në hall me të, por më shumë unë sesa ti. Po se ti po kërkon tokë të huaj e unë vetëm një pjesë të tokës sime! Po, se ti po kërkon tokë të huaj, tokën time. E, unë, sikur ta kërkojë edhe Beogradin, beso se do ta kërkoja vetëm tokën time. Jo tokën tënde.  

Prandaj, unë po të sugjeroj: Bëhu i mençur, njihe Republikën e Kosovës e jetojmë si fqinj, duke shikuar secili punën e vet, pa ndërhyrje në punët e njëri-tjetrit. 

Intrigat politike dhe shpifjet klerikale serbe, prej “humbjes së katër luftërave”, e deri tek synimi për t’ia ndryshuar rrjedhën Ibrit dhe zbrazë Liqenin e Gazivodës

Akademik Hakif Bajrami, historian, Prishtinë

Polotika serbiane pas humbjes së katër luftërave në dekadën e fundit që shekullit XX, e të cilat vet i nisi dhe në të gjitha i humbi, tani e ka gjetë zanatin e vjetër dhe po mirret me intriga dhe shpifje klerikele të çdo lloji. Ky poazicion politiko rreligjioz serbian është bërë edhe më agresiv pas humbjës së “kontestit” në GJND (2010) lidhur me shpalljën e pavarësisë Kosovës më 17 shkurt 2008.

Politika dinake serbiane në këto rrethana e shpiku çështjën kinse: “UÇK ka bërë traspalntim të organeve njerëzore në një shtëpi në trevën malore të Mbishkodërs”. Pasi që u kompromitua në çdo aspekt, me ndihmën e disa agjentëve të UNMIK-ut, në Beograd dhe Moskë në vijim u shpik se: “Kosova duhët themeluar një Gjykatë Speciale për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës”.Të gjithë e kuptuan se ky ortek i intrigave nuk do të ndalet. Dhe, pas një presioni shumë perfid dhe me kërcnime publike të cilave iu bashkuan edhe diplomatët Perendimor, Kuvendi i Kosovës u gjunjëzua dhe e themeloi Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Shtrohet pyetja: si është e mundur që Gjykatën e themelon Kuvendi i Kosovës, ndërsa themeluesit ajo Gjykatë nuk i jep asnjë llogari apo informatë. Dhe, të themi shkurt se e tërë kjo intrigë bërët vetëm për ta joshur politikën serbiane që të largohët nga prehëri i Rusisë.Por ishte kotë, Beogradi dhe Moska janë “vlla e motër”.

  1. Intriga e ndrrimit të rriedhës së Lumit Ibër

Koha po kalon dhe Beogradi po thurë intriga njerën pas tjetrës. Tni Beogradi e ka vu në lojë liqenin e Ujmanit. E Ujmani si bazen me vlerë strategjike është ndërtuar në kohën e RSFJ-ës, dhe pastaj këtij projekti i është bashkuar sistemi i ujitjës së tokave, furnizimi me ujë e centrale në mënyrë që një sasi e ujit sherben edhe për pije nga popullsia.Tërë këtë projekt zingjiror e ka FINANSUAR Banka Ndërkombëtare për zhvillim ekonomik, me seli në SHBA.

Ndërtimi i liqenit artificial në rriedhën e Ibrit janë angazhuar sipermarrjet jugosllave si:”Energoprojekt”, Hidroteknika, Unioninvest, Ramiz Sadiku etj. Këto sipermarrje një kohë të gjatë janë marrur me studimin e FIZIBILITETIT. Ndërsa promovimi i punëve filloi më 30 VI 1970.ky objekt strategjik për Kosovën si treva më e pazhvilluar në Evropë u finansua në bazë të dokumentit që e posedojmë nga Banka Ndërkombëtare për 45 milion dollarë.Ratifikimi i kontratës me Bankën Ndërkombëtare e ka bërë Kuvendi i Kosovës më 25 prill 1972. Pas këtij akti juridiko-procedural pason operacioni i shpronësimit të pasurive në 13 lokalitete, thuhet në dokumentin me shenjë Tejet Sekret. Punimet fillojnë më 12 korrik 1972.Ndërsa liqeni mbushet me ujë më 1977.Pranimi teknik ndodhë, gjithnjë sipas dokumenteve që ruhën me kujdes, më 31 X 1983 nën drejtimin e Profesor Tomë Berishës dhe 18 kespertëve tjerë të lëmive të ndryshme. Të gjitha këto ndryshime do të ndodhin nga viti 1970 kur u themelua Univerziteti i Prishtinës. Por ky inverzitet u themelua pasi që kohë më parë ishin themeluar disa fakultete, të cilat pas procedurave të gjata fillojnë punën më 1960.

Është me interes të theksohet se Vlladimir Bakariqi do t` i drejtohet Fadil Hoxhës se në procesin e zgjërimit të rrietit shkollor univerzitar në Kosovë nuk duhet lejuar që të themelohën fakultetet që prdhojnë NACIONALIZËM. Eprori i angazhuar për këtë çështja V. Bakariq do ta merr një pergjegje ngative se pikrisht Kosovës i “duhën fakultete që kërkojnë edukim nacionalist e ato janë Fakulteti Filiozofik, Katedra e Albanologjisë dhe Katedra e Historisë, të cilat u themeluan më 1960.

Pas këtij qëndrimi  të Fadil Hoxhës me JO të vendosur, drejtuar Vladimir Bakariqit, qarqet jugosllave do të ndrrojnë temë dhe do ta akuzojnë Adem Demaçin në Qendrën e Paktit Varshavës përmes Pera Damjanoviqit. Aty Pera i “urt’ do ta dorëzojë akuzën se: “Demaçi është njeriu më ekstrem i djathtë, që kërkon përkrahje për shqiptarë nga Perendimi. Të njejtën detyrë me akuzë ndaj Adem Demaçit do ta përcjell Vlladimir Bakariqi në Bruksel në Qendrën e NATO-s. Aty ideologu Jugosllav (V. Bakariq) do të shprehet:”Ja kjo është dosja e  njerut më të rrezikshëm në Jugosllavi e që lidhet me Stalinin dhe Enver Hoxhën”. Gjithnjë në bazë të dokumenteve institucionet e shtabeve përkatëse nga të dy blloqet ushtarke do ta studiojnë Programin e LRBSH dhe do të vijnë në konkludim se Adem Demaçi kërkon ndihmë prej të gjithëve që Kosova mos të mbetët treva më e prapambetur në Evropë. E vërteta, nxierrjën e Kosovës nga kjo pozitë Ademi e kërkon në dy mundësi: Të avansohën Kosova në Republikë në kuadër të Federatës Jugosllave, ose të Bashkohët me Shqipërinë.

2.Intrigat serbiane vazhdojnë dhe egërsohën sidomos pas vitit 1981

Më 1981 pas Demonstratave rrevolucionare qarqet ushtarake serbe do ta shpikin se: “Ndaj serbëve dhe malazezëve në Kosovë po ushtrohet presion që të shpërngulën”.E vërtreta në bazë të dokuemntit sekret ga SPB të Kosovës theksohet se nga Kosova nga viti 1971 e deri më 1981 janë shpërngulë 28000 serbëian dhe malazezë, të cilët i kanë pasë tokat dhe pozitat më të mira shoqërore dhe politike. Ata me ato para kanë blerë prona në Serbi, sepse në Kosovë dendsia e popullsisë është 205 banorë në një km katror, ndërsa në Serbi dendësia është 95 banorë në një km katror.

Qarqet serbiane pasi që tentuan të bëjnë grusht shtet me Librin e Kaltët më 1976; pasi që me Platformën politike për kosovën më 1981; pasi që përpiluan Memorandumin nga Akademia më 1986; pas aprovimit të Programit Jugosllav për Kosovën më 1988, më 23 mars 1989 do të organizojnë grusht në Kosovës. Dhe pas këti akti më në radhët e shumë intelektualëve shqiptarë nuk kishte dymendësi se: prapambeturinë e Kosovës e  ndryshon  vetëm pushka. Kësaj lufte të drejtë i ndihmua terthorazi sllovenët, kroatët dhe Boshnjakët, me luftërat e tyre të përgjakëshme, gati për pesë vjetë pa ndërprerë.

  1. Intrigat serbe ndaj Kosovës vazhdojnë 1990-1999

Autori i këtij shkrimi më 1978 kishte detyrë hulumtuese: A MUNDET KOSOVA TË AVANSOHET NË REPUBLIKË. Lidhur me këtë temë jo rastësisht do të arrihet deri te një studim i Bankës Ndërkombëtare me shenjë zyrtare tejet sekret nga 22 dhjetori 1978.Dokumenti mban shenjën e “çarkulimit të kufizuar dhe u sherben vetëm personave që u është dërguar nga Banka Ndërkombëtare dhe përmbajtja e tij nuk mund të përdorët për publikime pa lejën e Bankës Ndërkombëtare”. Dokumenti i ka 150 faqe me titull “Jugosllavia, Krahina socialiste Autonome e Kosovës”, studim për sektorin rural, për të i sherbyer zhvillimit ekonomik.

Studimin e ka përpiluar ekspertja e Bankës Ndërkombëtare Nawal El Tatawy (me origjinë arabe), ekonomiste.Në projekt kanë punuar edhe ekspertët: H. Hedristajn (drejtuese e misionit),Asselberga (agroindustrialiste pranë FAO. P. Hilderth, ekspert i blegtorisë, N. Jamieson, konsultante për agroindustri, P. Laizides, konsultant për agronomi, J. Spears, ekspert për pylltari. Këta ekspert do të qëndrojnë në Kosovë gjatë majit 1978. Dokumenti i tyre vërteton në bazë të Kushtetutës 1974 se Kosova është e barabart me statusin e REPUBLIKËS socialiste me siperfaqe 10.877 kilometra katror.Produkti shoqëror i kësaj krahine është sa 31% i mesatares së RSF Jugosllavisë. Argumentët për këtë krahinë vërtetojnë se është treva më e prapambetur në Jugosllavi në espektin ekonomik.

Autorët përpos të dhënave që i marrin në Kosovë, i shfrytëzojnë edhe dokuemntet e Federatës, sidomos në fushën e invetstimeve. Ky dokument nuk mbështetët në argumente tjera sepse ishte i përpiluar me kërkesë të Komitetit Qendror të LKJ-ës. Aty thuhet se Kosova duhet ta arrijë nivelin e zhvillimit sikurse Sllovenia deri më 1967.Dhe posa arrihet kjo kohë J. B. Tito më 20 mars 1967 në Beograd në mbledhje të mbylluar do ta shtrojë pyetjën: “DERI NË CILIN NIVEL KA ARRITUR IDEA QË KOSOVA TË AVANSOHET NË REPUBLIKË”. Në mbledhje nuk ishte i pranishëm asnjë shqiptar. Dhe pasi që e mori mendimin pozitiv edhe nga udhëheqsia serbiane që ishte, të nesermën (më 21 mars 1967) do ta dërgoi E. Kardelin që ta  njeh qëndrimin e Udhëheqësisë Kosovës. Kardeli si rendom do të debatoi në Bfrezovicë. Aty do ta merr qëndrimn se: “Kosova nuk ka nevojë për status të Republikës”. Në dokuemnt janë të njohur të gjithë diskutuesit, nja 92% te të cilëve ishin shqiptarë!

Në dokumentin e Bankës Ndërkombëtare thuhet decidivisht se në Kosovë mbretëron bindja se shkaktari kryesor i moszhvillimit është pikërisht statusi i Kosovës si një lloj kolonie moderne, prej së cilës mirret çdo gjë ndërsa nuk investohet asgjë, sepse mban shenjët e trevës së pasigurt”.

Së këndejmi investimet ndërkombëtare konsiderohen në qarqet e larta në Kosovë si dalje nga prapambeturia. Prandaj nga viti 1967 kishte zënë fillë interesimi që Sektori agroindustrial ka gjetur një fie të mundësisë që Banka Ndërkombëtare ta finasoi Sistemin “IBER-LEPENC”. Këtij mendimi i shkoi për shtati Plani shoqëror 1976-1980, i cili parasheh që bujësia të mbetët në Kosovë në plan të dytë, ndërsa industrisë duhet dhurua në vijimr planin e parë. Ndryshimi i këtyre pozicioneve, do të shprehet Fadil Hoxha ka një prpavi që sistemi agrar të ndalet në intenzitetin më të lartë të zhvillimit sepse UJMANI është mbushuar me ujë, kanalet për ujitje janë në fazën përfundimtare, prandaj ne duhet të përqëndrohemi në ato pozicone të ekonomisë që janë funksionale. Me këtë mendim do të pajtohet edhe ekonomisti i njohur Ismet Gusia.

4.Struktura e popullsisë faktor vendimtar për zhvillim

Pjesëmarrja e popullsisë në punë nga hulumtuesit e Bankës Ndërkombëtare kishin ardhur në përfundim se “popullsia nën 15 vjeqe në Kosovë është 43%, ndërsa në tërë RSFJ-ën ishte 27%. Në zhvillimin e Kosovës në të ardhmën kishin konstatuar ekspertët Ndërkombëtar është e mundur sepse sistemi i arsimimit në Kosovë e mundëson një zhvillim optimal, duke llogaritur edhe migrimin e popullsisë nga fshati në qytet. E ky trend do të ketë një pozicion pozitiv me rastin e lëshuarjës në funksion të sistemit ujitjës në tërë Rrafshin e Kosovës. Aq më parë kur në punët bujqësore mund të inkorporohet edhe gjinia femrore. Në lidhje me këtë pagesa më e mirë në nivel të RSFJ për Kosovën do të jetë një çështje politike e kapërcyer me shumë veshtersi, sepse ata që kërkojnë punë kërkojnë edhe pagesë të lartë e ato kushte në Kosovë mungojnë

  1. Punësimi jashtë Kosovës e sidomos në Perendim

Në Beograd flasin hapur për natalitetin enorm në Kosovë të shqiptarëve. Lidhur me këtë theksohet çështja se çka flasin ekspertët serbian e çka ata shqiptar.Por nataliteti në Jugosllavi iu përlqen atyre në Perendim. Ndërsa shqiptarëve gjatë viteve 1970-1980 është bërë modë që preferohet rritja e popullsisë.Ndërsa funksionarët serbianë nuk kanë mundësi të pengojnë një realitet të tillë. E vërteta, një “lajm” i tillë bëhej vetëm për ta ngjallë kundërthënje në stilin: Sa më keq, aq më mirë” Çuditërisht në Beograd kërkohet që në Kosovë të zhvillohet rrieti i organizatave shëndetsore, sepse Fakulteti i Mjeksisë që vepron në Univerzitetin e Prishtinës, nuk po ia arrin ta mbulojë nevojat e popullsisë. Por shtypi, televizioni dhe zhvillimi i shkencës ka ndikuar që Kosova të krijojë një zë origjinal, sepse kundrthënjet po shprehen nepër tubime po krijojnë një moment të ri sa që trendin e krkesave shqiptare më Beogradi nuk mundet t` i ndalë.

6.Ujmani dhe Iber Lepemci e ndryshuan trajtimin ndërkombëtar në Kosovë?

Shumë çka në këtë studim duhet lexuar kush ka mundësi profesionale në “mes rreshtave”, sepse autori nuk e njeh regjimin e shfrtytëzimit të dokuementeve nderkombëtare me shenjë rezervat. Prandaj skadenca e tyre në ruajtje do të krijonte një çlirim të dytë se deri ku shkonte kolonailaizmi modern e rezervuar për Kosovën në Beograd, sidomos nga udhëheqsia serbiane, së cilës në “hie” i printe Drazha Markoviqi, i cili ishte ideator i “Librit Kaltërt” (1976), me të cilin u provua që në Kosovë sidomos më 23 mars 1989 të ndodhë grusht shteti nga ana e pushtetit çetniko-komunist. Po në ato rrethna Kosova konsideohej se është trevë rrelativisht e varfur, prandaj nga viti 1876 kur të ardhurat kombëtare për kokë banori ishin 350 dollarë, një vit më vonë ato të ardhura do të ngritën në 430 dollarë. Kurse më 1989 memzi arrinin në 650 dollarë. E në viset tjera të ardhurat për kokë banori ishin katër fish më të larta.

Në Kosovë në ndryshimin e jetës në përgnjithësi do të ndikojë sistemi Ibri  spse finasimin që e bënte Banka Ndërkombëtare pushteti serbian nuk mund ta ndryshonte sepse në akumulimin e 350 milonë kub ujë duhej punë për të nderhyrë në të gjitha nivelet siç ishte mësuar Beogradi.Lidhur me këtë edhe sistemi Lepenc ishte i projektuar që të akumulojë 130 milionë kub ujë që kishte kapacitet për të ujitur 30 000 hektarë tokë pune. Kështu nga studimi analitik i dokuemntit të Bankës Ndërkombëtare mund të nxirren konkluza se Serbia nga viti 1977 nuk kishte mundsi për të penguar zhvillimin e ekonomisë Kosovës sepse ishin krijuar edhe kapacitete tjera industriale sidomos në Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj, Pejë, Prizren, Gjakovë e disa komuna tjera që qëndronin në një nivel më të ngritur me kuadro profesional.

  1. Pse e lëvizë Serbia sot (2026) çështjën e ndryshimit të rriedhës së Ibrit

Lumi Ibër nuk buron në Serbi,por në Mal të Zi dhe natyrshëm inkjektohën në një skaj në territorin e Serbisë por si pjesë e Kosovës përfshin gjatësinë apsolute më të madhe. E vërteta, e tërë pesha e akumulimit stacionohet në trevën e Kosovës dhe sipas dokuemneteve zyrtare të Bankës Ndërkombëtare për zhvillim vlera e saj është paguar centum-cent. Mu për shkakun se Lufta e UÇK-ës dhe bombardimet e NATO-s ia kanë ndërprerë Serbisë të gjitha mundësitë për ta mbajtur Kosovën në pozitë koloniale, me marrë prej saj çdo gjë dhe me ofruar fjalë dhe premtime pompoze në mënyrë që ingtrigat të metastazojnë….

8.Edhe kuadrot e nivelit të lartë në Kosovë partizan të Republikës

Ngadal por sigurt në Kosovë pas vlerësimeve të demonstratave (1981) nga ana e oficerëve serbian si “kongtra rrevolucionare”, kuadrot e larta do të distancohën në heshtje nga një vlersim i tllë. Në ato rrethana të drejtuar nga Fadil Hoxha i cili publikisht ishte diçka tjetër do të regrutohën në nacionalist: Ismail Bajra, Asllan Fazliu, Ramë Alihajdari, Mustafë Hoxha e disa të tjerë. Por do të pasojë edhe udhëzimi që aktivistët e Republikës të ruhën prej A. Shukriut, Orhan Nevzatit, Qenan Shaipit, Rr. Morinës, Rasim Qerkezit, Mehmet maliqit e shumë të tjerëve nepër komuna të Kosovës.

Përfundim

I kam lexuar 27 programet serbe për shfarosjën e shqiptarëve. Gati të gjitha i kam botuar. Naçertaninë e kam botuar si libër, në tri gjuhë.I kam botuar edhe pjesën dërmuese të programeve. Të 27 programet posedohën në origjinal. Dhe moti jetoj me idenë se cili është emruesi i ekuacionit serbian me “27 të panjohura”?.Më duket se serbi i ngarkuar kudo nepër ato programe ndien kënaqësi kur e detyron tjetrin të VUAJ përjetë.

Dhe shtrohet pyaetja: ata që i vranë fëmijët, ata që i grumbulluan viktimat, ata që planifikun bartjën e kufomave dhe i hudhën nepër gremina, madje edhe në Danub; ata që therrën fëmijë në djepa; ata që dogjën pleq dhe plaka nepër shtëpia si të palëvizshëm që ishin, të gjithë janë fajtor sepse janë shqiptarë.Dhe e pyes ndërgjegjën time pse nuk e urrej popullin serbian.Nuk di të përgjigjëm sepse nuk e mendoi një histori gjenocidi si disa serbian, madje të shkolluar, me grada dhe nishana.Po e di se disa njerëz shkojnë në luftë vetëm për çlirimin e vet; disa shkojnë në luftë për çlirimin e atdheut; disa shkojnë në luftë për çlirimin e njerëzimit. Dhe, a nuk i patëm në luftën tonë çlirimtare të fundit këto tri kategori, po mendoi si shqiptar. PO.

E sot (2026) pushteti serbian qe dy shekuj nuk ka lërë gja të zezë pa përdorë kundër shqiptarisë. Dhe, nuk është ngi me krime, sepse Rusia e nxitë në këtë “zanat” të shemtuar. Prandaj shtrohet pyetja a ka marr fund përpilimi i programeve shfarosëse për shqiptarë?. Jo, por krimet individuyale dhe grupore Serbia sot po i zavendson me parashikime të përgjithëshme. Don ta ndryshoi rriedhën e një lumi (Ibrit) për të vdekur shqiptarët që “do të mbesin pa ujë”. Më dukët se zgjedhja e kësaj metode është sa naïve aq edhe e dhimbëshme sepse pa ujë vdekja i përfundon me shumë mundime, na mëson historia. Ah hhithë kjo llakërdi programesh, me gjak nuk janë ngi, thua se vet nuk janë njerëz dhe Zoti rriedhën e lumejëve dhe ujin e ka krijuar vetëm për interesa të parashikimeve për shqiptarë!: “Nga viti 1836 e deri në vitim 2026 gjithkund vaj, çfo kund flakë, më së shumti vuajtje njerëzore”, të cilat nuk i investon Banka Ndërkombëtare, por i projekton shkolla e Danillevskit, Vlladanit, Pashiqit,Rankoviqit, Drazhës, S. Millosheviqit, Sheshelit, Mlladiqit e A. Vuçiqit.Krimet kanë ndodhë, por rriedha e lumit Ibër nuk do të ndryshoi. Propoganda serbe për intriga mbetët në funksion.

Oj NËNA jonë e Madhe TEREZE, më thuej si ndërgjegje e njerzimit për humanizëm, a e ka vrarë UÇK vetëm një fëmi, vetëm një fëmi serbian, JO. E po NËNË E SHENJËT, ku jemi!? Po i drejtohëm edhe Shqiponjës: Oj trimnesh me fije, merri zogjët e ushqej me die, mos me urrejtë, por shkollo ndërgjegje shqiptarie.

Më 19 gusht 2026 

Kur kërcënimi bëhet arsye për të kufizuar lirinë e besimit

0
Nga Frank Shkreli
____
Shën Flori dhe Shën Lauri, Dardania e krishterë dhe një provë për demokracinë e Kosovës
____
Ngjarjet e ditëve të fundit në Zogaj të Vushtrrisë nuk mund të trajtohen më thjesht si një mosmarrëveshje rreth një ceremonie fetare. Siç duket ato kanë marrë një dimension më të gjërë dhe prekin drejtpërdrejt çështje të lirisë fetare, të drejtave të komuniteteve, të sigurisë dhe të mënyrës se si institucionet e Kosovës përballen me tensionet që mund të lindin rreth një çështjeje me ngarkesë historike e identitare.
Ceremonia e bekimit të gurthemelit të kishës së re katolike “Shën Flori dhe Lauri” në Zogaj ishte planifikuar për 18 gusht 2026. Sipas Dioqezës Prizren-Prishtinë, autoritetet ishin njoftuar me kohë për ceremoninë dhe, megjithatë, Policia e Kosovës vendosi që ajo të mos lejohej. Dioqeza e cilësoi vendimin jokushtetues, joligjor, të padrejtë dhe të pajustifikuar, ndërsa tha se edhe ankesa zyrtare e zyrtarit ipeshkvor Don Fran Kola nuk e ndryshoi vendimin.  Por historia nuk përfundoi aty. Për të shmangur përplasjet dhe për të mos lejuar që një akt fetar të shndërrohej në një burim tensioni, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar nga meshtarë dhe besimtarë, shkoi në Zogaj më 17 gusht, (një ditë para se ishte caktuar) në vigjilje të festës së Shën Florit dhe Shën Laurit, dhe bekoi gurthemelin në mënyrë të qetë e dinjitoze. Të nesërmen, ceremonia e pagëzimeve u zhvillua në
Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.  Kjo ishte një zgjedhje e matur nga ana e Kishës. Ajo shmangu konfrontimin, por nuk hoqi dorë nga e drejta e saj. Përkundrazi, Dioqeza ka bërë të ditur se do të vazhdojë rrugët institucionale dhe ligjore për të kërkuar respektimin e lirisë fetare, të së drejtës së pronës dhe të ushtrimit paqësor të misionit të saj.
Por tashmë duket se kemi edhe një fakt tjetër në lidhje me këtë ngjarje. Njoftohet se pas vendosjes së gurthemelit, në zonë pati edhe protestë nga qytetarë që kundërshtuan ndërtimin e kishës katolike “Shën Flori dhe Lauri”, në vendgjarje u shfaqën njësi të Policisë së Kosovës.  Ky zhvillim mund t’a bëj deri diku, më të kuptueshëm argumentin e institucioneve për nevojën e ruajtjes së sigurisë, por njëkohësisht e bën edhe më të domosdoshme pyetjen: a duhet që protesta dhe kërcënimi i mundshëm të çojnë në kufizimin e një ceremonie fetare, apo detyra e shtetit është të garantojë që ajo të zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe paqësore?
Kjo është pika ku duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm në lidhje me këtë çeshtje. Në asnjë mënyrë nuk duhet të fajësojmë një komunitet të tërë për qëndrimet e disa individëve. Nuk duhet as të pohojmë pa prova se kundërshtimi i kishës mund të burojë nga arsyet fetare apo historike. Por është po aq e gabuar që këto zhvillime të kalohen në heshtje.
Në një demokraci, protesta është e drejtë; kërcënimi nuk është. Kundërshtimi është i ligjshëm; frikësimi nuk është. Siguria është përgjegjësi e shtetit; liria fetare është gjithashtu përgjegjësi e shtetit.  E vërteta është se kemi të bëJmë me një kishë me një simbolikë të veçantë historike. Kisha e re do t’u kushtohet Shën Florit dhe Shën Laurit, dy martirëve që tradita e krishterë dhe burime historike i lidhin me Ulpianën dhe Dardaninë e lashtë. Kjo nuk është një zgjedhje e zakonshme apo e rastësishme. Dy shenjtorët janë pjesë e kujtesës së krishtërimit të hershëm në trojet dardane. Pikërisht për këtë arsye, kisha që mban emrat e tyre ka një rëndësi që shkon përtej mureve të një objekti të ri fetar.  Ajo prek kujtesën historike.  Dhe këtu duhet të jemi të qartë: historia nuk mund të bëhet pronë ekskluzive e askujt.
Dardania, historikisht, ka qenë hapësirë ku kanë bashkëjetuar dhe janë zhvilluar tradita të ndryshme historike, fetare e kulturore. Trashëgimia e krishterë e saj është pjesë e historisë së këtyre trojeve, ashtu siç janë pjesë e saj edhe periudhat dhe traditat e mëvonshme.  Prandaj, ndërtimi i një kishe katolike kushtuar dy martirëve të lidhur me Dardaninë nuk duhet parë si kërcënim ndaj askujt. Përkundrazi, duhet parë si një mundësi për ta pasuruar kujtesën historike dhe për t’u treguar brezave të rinj se historia e Kosovës nuk fillon dhe nuk mbaron me një periudhë të vetme.
Edhe familja që dhuroi tokën për ndërtimin e kishës, ka folur.  Një element i rëndësishëm i zhvillimeve të fundit është fakti se toka për ndërtimin e kishës është dhuruar nga familja Musa.  Fadil Musa, pjesëtar i kësaj familjeje, ka treguar për median vendase se ndërtimi i kishës lidhet me një dëshirë të kahershme të familjes (ishte amanet i babait) sipas tij, dhe se ceremonia e bekimit ishte dashur të zhvillohej më 18 gusht. Ai gjithashtu ka shprehur një qëndrim të matur: familja nuk dëshironte përballje dhe e konsideronte vendimin e institucioneve të sigurisë si masë për mbrojtjen e qytetarëve.  Ky qëndrim duhet vlerësuar. Sepse në një situatë të tillë, përgjegjësia nuk u takon vetëm institucioneve. U takon edhe komuniteteve dhe qytetarëve që të mos lejojnë që një çështje fetare të shndërrohet në konflikt ndëretnik, ndërfetar apo politik.
Protestuesit kundër ndërtimit të kishës…                                                                                                                                                                                                                                                                                                 Por megjithatë, në lidhje me këtë ngjarje mbeten disa pyetje që institucionet duhet t’u përgjigjen për sqarim të publikut të gjërë: Nëse ekzistonte një kërcënim konkret, serioz dhe i dokumentuar, publiku meriton të dijë të paktën natyrën e përgjithshme të rrezikut që çoi në ndalimin e ceremonisë. Nëse kishte protesta të planifikuara, kërcënime apo rrezik real për përplasje, pse nuk mund të sigurohej ceremonia?

A ishte e pamundur të sigurohej perimetri?  A ishte e pamundur të ndaheshin protestuesit nga pjesëmarrësit në ceremoni?  A ishte e pamundur që Policia të garantonte njëkohësisht edhe të drejtën për protestë, edhe të drejtën për ushtrimin e fesë?  Këto janë pyetje legjitime.  Sepse nëse çdo kërcënim ndaj një aktiviteti fetar rezulton në anulimin e aktivitetit, atëherë krijohet një precedent shqetësues: mjafton që dikush të kërcënojë dhe shteti, në vend që të përballet me kërcënuesin, kufizon të drejtën e atij që kërcënohet.  Kjo nuk mund të jetë logjika e një demokracie.  Kosova duhet të tregojë se është më e fortë se frika.

Kosova është një shtet që ka marrë përsipër të ndërtojë një shoqëri demokratike, shumetnike dhe ndërfetare. Pikërisht për këtë arsye, raste të tilla janë teste të rëndësishme.  Testi nuk është vetëm nëse një kishë do të ndërtohet apo jo.  Prova e  vërtetë është nëse shteti mund të garantojë që një komunitet të ndërtojë vendin e vet të lutjes pa kërcënuar askënd dhe pa u kërcënuar nga askush.  Nëse ka kundërshtime, ato duhet të shprehen në mënyrë paqësore dhe përmes ligjit. Nëse ka kërcënime, ato duhet të hetohen.  Nëse ka shkelje ligjore, ato duhet të ndëshkohen.
Por nuk mund të pranohet një logjikë ku liria fetare bëhet e kushtëzuar nga reagimi i atyre që nuk e pranojnë atë.  Kjo do të ishte një fitore e frikës mbi lirinë. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e zhvilliemeve të fundit në Zogaj të Vushtrisë.
Ndoshta kjo nuk është vetëm çështja e një kishe në një fshat të Vushtrrisë. Ndoshta është një moment ku Kosova duhet t’i bëjë vetes një pyetje shumë më të madhe:  A jemi vërtet një demokraci që mbron lirinë e besimit edhe atëherë kur ajo liri na vendos përballë ndjeshmërive, kundërshtimeve dhe historive të ndryshme? Përgjigjja nuk duhet të jepet me fjalë. Duhet të jepet nepërmjet institucioneve.
Sepse Shën Flori dhe Shën Lauri nuk duhet të bëhen emra që ndajnë qytetarët e Kosovës. Në vend të kësaj, ata mund të bëhen një kujtesë për të gjithë se historia e këtij vendi është më e vjetër, më e ndërlikuar dhe më e pasur se konfliktet e ditës.  Dhe se në një Kosovë demokratike, kërcënimi duhet të neutralizohet, ndërsa liria e besimit duhet të mbrohet.

Shqiptarë…, islami Politik po na i shkëputë rrënjët arbërore !

SHQIPTARË, ÇOHUNI — ISALMI POLITIK PO NA I KËPUTË RRANJËT ARBNORE! 🇦🇱
Dje isha në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë. Një ceremoni madhështore. Një atmosferë që të prekte deri në palcë. Besim, histori, identitet. Njerëz që po i ktheheshin rrënjëve të tyre.
Për disa çaste mendova:
FITIM, kjo është Kosova që ke ëndërruar. E lirë. Evropiane. E sigurt në identitetin e saj.
Pastaj erdhi lajmi nga Vushtrria. Gurthemeli i kishes katolike shqiptare, dhe protesta kundër saj. Aty ndryshon gjithçka. Sepse nuk po flasim më vetëm për një kishë, por flasim për atë çfarë po bëhemi si shoqëri.
Kur në Kosovën e vitit 2026 njerëzit dalin kundër një objekti fetar të një pakice, nuk mjafton më të përsërisim fjalën tolerancë.
TOLERANCA JONË SAPO U VU NË PROVË.
Dhe pamja që dhamë është e rëndë. Shumë e rëndë. Kosova ka parë ndërtimin dhe rindërtimin e qindra xhamive pas luftës.
Mirë. Liria fetare nuk negociohet. Por pikërisht për këtë arsye pyetja sot është brutalisht e thjeshtë:
SI MUND TA KËRKOJMË LIRINË PËR VETEN DHE TA KUNDËRSHTOJMË KUR E KËRKON TJETRI?
Këtu nuk ka nevojë për diplomaci. Nëse një xhami ka të drejtë të ngrihet ligjërisht, edhe një kishë e ka atë të drejtë.
Pikë.
Nuk vendos turma se sa liri fetare meriton një pakicë. Nuk vendos shumica se sa Zot i lejohet pakicës. Dhe nuk mund të flasim për Evropë ndërsa heshtim përballë intolerancës në shtëpinë tonë.
KU ËSHTË ALBIN KURTI?
KU ËSHTË POLITIKA?
Ku janë institucionet? Ku janë zërat që zakonisht flasin për demokraci, Evropë, të drejta dhe bashkëjetesë?
Pse kjo heshtje?
Sepse heshtja në momente të tilla nuk është neutralitet. Ajo krijon hapësirë që intoleranca të bëhet normale. Dhe kjo është ajo që më alarmon.
Screenshot
Unë jam SHQIPTAR dhe jam katolik. Dhe sot nuk kërkoj privilegj. Kërkoj barazi. Nuk kërkoj që kisha ime të jetë mbi xhaminë. Kërkoj që askush të mos ketë guxim ta vendosë nën të. Sepse Kosova nuk është pronë fetare e askujt. Kosova është shtet i qytetarëve të saj. Dhe pikërisht mënyra se si një shoqëri e trajton pakicën tregon sa e lirë është në të vërtetë.
Gjergj Kastrioti nuk është pronë e katolikëve.
Adem Jashari nuk është pronë e myslimanëve. Ata i përkasin një kombi. Dhe ai komb sot duhet ta pyesë veten:
A luftuam kaq gjatë për liri që tani të fillojmë t’ia masim lirinë njëri-tjetrit? Dje dola nga Katedralja Nënë Tereza me krenari. Sot shoh Vushtrrinë dhe kam një pyetje që nuk mund ta hesht:
KOSOVË, KU DREQIN PO SHKOJMË?
Sepse kjo nuk është çështje e një gurthemeli. Është një gur prove për demokracinë tonë. Dhe bota po na sheh. Mos flisni më për tolerancë. Tregojeni. Mos flisni vetëm për Evropë. Silluni si Evropian e jo si Taliban. Mos flisni vetëm për liri.
MBROJENI EDHE KUR LIRIA I PËRKET TJETRIT. Sepse sot është një kishë. Nesër mund të jetë diçka tjetër. Dhe nëse heshtim sot, nesër nuk do të kemi më të drejtë të pyesim se kur filloi përçarja.
Ajo fillon pikërisht atëherë kur njerëzit e mirë shohin – dhe heshtin.
Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë.
Zoti e bekoft Dardanin.
Zoti I bekoft Shqiptart.

Besimi i vërtetë nuk ka frikë nga besimi i tjetrit

0
Krenohemi para gjithë botës me Shën Nënë Terezën, bijën e këtij populli, simbol të paqes, dashurisë, mirësisë dhe humanizmit pa dallim feje. Por atëherë lind pyetja: sa nga vlerat e saj kemi ruajtur vërtet ne, gjaku i saj?
Kur protestuan katolikët kundër ndërtimit të një xhamie?
Kur u bë problem që myslimanët dhe katolikët të jetojnë, punojnë e ndërtojnë së bashku?
Kemi ndërtuar shkolla së bashku, kemi qenë fqinjë, miq e familje, kemi ndarë bukën, gëzimin dhe dhimbjen, pa pyetur njëri-tjetrin se si dhe ku i lutemi Zotit.
Dhe të mos harrojmë një nga dëshmitë më të fuqishme të kësaj bashkëjetese: në ditët më të errëta të luftës në Kosovë, kisha e Gllogjanit u bë strehë dhe mburojë edhe për shqiptarët myslimanë. Nën petkun e Dom Kelmendit nuk kishte “katolik” e “mysliman” , kishte shqiptarë, kishte njerëz që kërkonin shpëtim. Dyert e kishës u hapën për ta dhe kambana e saj shërbeu madje edhe për t’u kujtuar besimtarëve myslimanë kohën e iftarit. Në atë kohë, kur jeta vlente më shumë se çdo dallim fetar, askush nuk pyeste se cilit besim i përkisje.
Atëherë, nëse kisha mundi të ishte mburojë për myslimanin në kohë lufte, pse sot, në kohë paqeje, ndërtimi i një kishe duhet të ngjallë kaq shumë urrejtje dhe përçarje?
Nëse një shtëpi e Zotit na frikëson apo na mbush me urrejtje, ndoshta problemi nuk është te muret që do të ndërtohen, por te muret që kemi ngritur brenda vetes.
Shën Nënë Tereza nuk pyeste askënd çfarë feje kishte para se t’i zgjaste dorën. Dom Kelmendi nuk pyeti çfarë feje kishin ata që kërkuan strehë. Ata panë njeriun para fesë dhe jetën para dallimeve.
Nëse vërtet krenohemi me emrin dhe gjakun e tyre, le ta dëshmojmë me tolerancë, respekt dhe bashkëjetesë, jo vetëm me fjalë.
Feja duhet të na afrojë me Zotin dhe me njëri-tjetrin, jo të na kthejë në armiq. Zoti nuk na ndan , por djalli nën lëkurën e njerëzve PO.
Zurich 19/08/2026
Saranda Teresa Bruno Ademi

Protesta që nxori lakuriq “tolerancën” fetare!

1
Pas daljes publike të Lëvizjes së Deçanit pasoi një breshëri sulmesh të papara dhe të padëgjuara më parë. Me epitetet më të ulëta fyese na sulmonin, gjoja se paskëshim prishur tolerancën fetare, me të cilën me shekuj jemi mburrur.
Në mënyrën më demokratike, ne u larguam nga Islami si revoltë ndaj sulmeve të parreshtura që i bëheshin kulturës, traditës, zakoneve, figurave madhore të historisë kombëtare, flamurit kombëtar, Kanunit të Lekë Dukagjinit e shumë e shumë gjërave të tjera të identitetit tonë kombëtar.
Protestat në Vushtrri kundër vënies së gurthemelit të një kishe në Vushtrri nxorën lakuriq në sipërfaqe urrejtjen e një pjese të xhematit, të hipnotizuar nga emisarët e Islamit Politik.
Ndërtimi i mbi 800 xhamive pas luftës, shumica pa leje ndërtimi, duke shkelur ligjet dhe rregulloret komunale, u bë afër shkollave dhe në vende publike. Askush nuk protestoi kundër tyre; përkundrazi, ato u ndërtuan me pompozitet dhe propagandë. Thirrja e ezanit me tone të larta, jashtë çdo norme ligjore dhe njerëzore, pa pyetur nëse e pengojnë dikë, gjithashtu nuk u bë problem për askënd.
Ndërtimi i disa xhamive mbi themelet e kishave katolike, shndërrimi i disa kishave në xhami, emërtimi i disa xhamive me emrat e xhelatëve që masakruan shqiptarët, nuk e pengoi askënd dhe asnjëherë nuk protestuam kundër tyre.
Atëherë, kë e pengoi vënia e gurthemelit të një kishe katolike në Vushtrri dhe cili ishte motivi i protestuesve kundër saj? Kjo është tolerancë fetare?
Jo! Jo, gjithçka mund të jetë, por vetëm tolerancë fetare nuk është.
Është një arrogancë dhe një urrejtje e mbjellë ndër vite nga ligjëratat e emisarëve të Islamit Politik.
Në vend që të shkonin të gjithë shqiptarët së bashku, pa dallim feje, dhe në mënyrë festive ta vendosnin gurthemelin e asaj kishe, ata zgjodhën të kundërtën: protestën kundër vëllezërve të tyre të besimit katolik.
Pas gjithë kësaj, nuk pati asnjë reagim nga kreu i BIK-ut, e madje as nga ndonjë hoxhë, së paku për ta dënuar një veprim të tillë. Në këtë mënyrë, në heshtje, u solidarizuan me protestuesit.
Kjo është „toleranca“ fetare që mbollën emisarët e Islamit Politik ndër vite.
Ky rast duhet të jetë një alarm për institucionet e Kosovës dhe për mbarë popullin në përgjithësi. Islami Politik ka marrë hov dhe është rrezik për shtetin dhe shoqërinë tonë në përgjithësi. Andaj, duhet vepruar shpejt për ta neutralizuar, sa nuk është vonë.

Një kërkesë urgjente që Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK), ia ka dërguar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për qasje në dokumentacion

0

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) i ka dërguar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) një kërkesë urgjente për qasje në dokumentacion dhe sqarim të bazës ligjore të masave të ndërmarra ndaj produkteve që përmbajnë yndyrë bimore, vaj palme dhe qumësht pluhur.

Në shkresë, SHIQK thotë se i mbështet kontrollet për sigurinë ushqimore, deklarimin e saktë të përbërjes dhe mbrojtjen e konsumatorit, por kërkon që çdo kufizim i aktivitetit ekonomik, ndalim i prodhimit apo tërheqje e produkteve nga tregu të ketë bazë të qartë ligjore, të mbështetet në analiza dhe të jetë proporcional.

Shoqata kërkon nga AUV kopjen e vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të 28 prillit 2026, mbi bazën e të cilit, sipas SHIQK-së, janë zbatuar kontrolle të shtuara ndaj produkteve që përmbajnë qumësht pluhur dhe/ose vaj palme.

Po ashtu, kërkohen të gjitha vendimet, urdhrat dhe udhëzimet me të cilat masat janë vazhduar, ndryshuar ose zgjatur pas përfundimit të periudhës fillestare 90-ditore të publikuar nga AUV.

Një pjesë e rëndësishme e kërkesës lidhet me atë që SHIQK e quan nevojë për sqarim të bazës juridike të “pëlqimit”, “aprovimit” apo “autorizimit” për përdorimin e yndyrës bimore, vajit të palmës dhe/ose qumështit pluhur. Shoqata kërkon që të bëhet e qartë nëse këto janë kushte administrative dhe mbi cilën dispozitë ligjore mbështeten.

SHIQK kërkon gjithashtu që për secilin operator të prekur të vihen në dispozicion procesverbalet e inspektimit, vendimet për masat urgjente dhe përfundimtare, raportet e marrjes së mostrave, rezultatet laboratorike, metodat e testimit, laboratorët që kanë kryer analizat, statusi i akreditimit, produkti konkret, LOT-i, sasia dhe data e prodhimit.

Në shkresë kërkohet edhe sqarim nëse masat janë ndërmarrë për shkak të rrezikut për sigurinë ushqimore, mospërputhjes së etiketimit, përdorimit të një emërtimi të rezervuar për produktet e qumështit, pranisë së yndyrës bimore të padeklaruar apo mungesës së një pëlqimi administrativ.

Një tjetër kërkesë është që AUV të publikojë ose t’i vërë në dispozicion SHIQK-së analizën dhe vlerësimin e rrezikut mbi të cilat janë bazuar masat, si dhe të shpjegojë pse janë konsideruar të nevojshme masat e ndërmarra dhe pse nuk janë përdorur masa më pak kufizuese, si korrigjimi i etiketës, izolimi i një LOT-i konkret apo kufizimi i përkohshëm i vetëm produktit jo-konform.

SHIQK kërkon edhe informacion për produktet e importuara që përmbajnë yndyrë bimore ose vaj palme dhe nëse ato i janë nënshtruar të njëjtit regjim kontrolli, ndalimi apo tërheqjeje si produktet vendore.

Kërkohet rishqyrtim i menjëhershëm

Shoqata kërkon nga AUV që të rishqyrtojë menjëherë masat e përgjithshme ose individuale që ndalojnë prodhimin apo largojnë nga tregu produkte për të cilat, sipas saj, nuk është konstatuar me vendim individual, analizë konkrete dhe LOT të identifikuar ndonjë rrezik për sigurinë ushqimore, deklarim i pasaktë apo shkelje tjetër e përcaktuar qartë me ligj.

SHIQK kundërshton veçanërisht kushtëzimin e vazhdimit të aktivitetit ekonomik me një “pëlqim” ose “autorizim” për të cilin, sipas saj, nuk është e qartë baza ligjore, procedura, kriteret dhe efekti juridik.

Paralajmërohen edhe hapa ligjorë

Në shkresë, SHIQK rezervon të drejtën për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm juridikë, përfshirë ankesat administrative dhe inicimin e konfliktit administrativ.

Shoqata thotë se operatorët e prekur po evidentojnë dëme të drejtpërdrejta dhe fitim të humbur, duke përfshirë kthimin e mallrave, asgjësimet ose skadimin e produkteve, ndërprerjen e prodhimit, shpenzimet shtesë dhe humbjen e porosive e kontratave.

SHIQK i ka kërkuar AUV-së që dokumentet dhe përgjigjja e arsyetuar të dorëzohen pa vonesë dhe, për dokumentet publike, brenda afatit ligjor prej shtatë ditësh.

Në fund, për shkak të dëmit ekonomik që, sipas saj, po krijohet çdo ditë, SHIQK kërkon edhe një takim urgjent me AUV-në pas dorëzimit të dokumentacionit të kërkuar.

______

Nga: Mentor I. BARANI

Master i Shkencave në Mjekësi Veterinare