Kreu Blog Faqe 34

Nga paralajmërimi “Demokracia nuk pret” te zgjimi qytetar dhe alarmi : Demokracia në rrezik!

0
Nga Frank Shkreli
___
Protestat e sotme në Shqipëri, janë një shenjë se shqiptarët po rizgjohen për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë.  Para 10–15 vitesh, kur shkruaja artikuj për “Demokracia nuk pret”, nuk e kisha fjalën vetëm për një shqetësim të çastit politik. Ishte një paralajmërim se demokracia shqiptare nuk mund të lihej në mëshirën e politikanëve, të partive politike apo të interesave të pushtetit. Kam theksuar vazhdimisht se, Demokracia kërkon vigjilencë, kërkon qytetarë pjesëmarrës.  Kërkon një shoqëri që nuk hesht kur institucionet dobësohen, kur pushteti përqendrohet, kur korrupsioni bëhet pjesë e sistemit dhe e jetës së përditshme dhe kur qytetari fillon të ndiejë se zëri i tij nuk dëgjohet më.
Sot, pas më shumë se një dekade, kemi ardhur në një pikë ku titulli “Demokracia nuk pret” merr një kuptim edhe më të fortë: Demokracia është në rrezik dhe shqiptarët kanë filluar ta kuptojnë këtë. Protestat që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera gjatë vitit 2026 duhen parë edhe në këtë kontekst. Ato nuk janë vetëm një përplasje ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Sigurisht, partitë politike kanë interesat dhe agjendat e tyre dhe do përpiqen të shfrytëzojnë çdo pakënaqsi të qytetarëve me qeverinë në pushtet. Por përtej partive politike, në Shqipëri, më në fund, po shfaqet diçka tjetër: pakënaqësia qytetare dhe dëshira e një pjese të shoqërisë për të mos qëndruar më spektatore përballë mënyrës se si qeveriset vendi.
Në protestat e fundit është parë edhe një element i rëndësishëm: pjesëmarrja e të rinjve. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf –Lëvizja e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, për shembull, ka mobilizuar mijëra shqiptarë, veçanërisht të rinj, të cilët kanë ngritur shqetësime jo vetëm për projektet konkrete të zhvillimit, por edhe për korrupsionin, institucionet publike dhe mënyrën e shpërndarjes së pasurisë e mundësive në vend. Ky mobilizim është ndoshta pjesa më shpresëdhënëse e zhvillimeve të sotme.  Sepse një shoqëri demokratike fillon të zgjohet atëherë kur qytetari nuk thotë më: “Çfarë mund të bëj unë?” Por pyet: “Çfarë po bëjmë ne?” Ky është ndryshimi ndërmjet indiferencës dhe qytetarisë.
Me të drejtë, protestat prej pothuaj dy muajsh shikohen nga vërejtës të jashtëm dhe të brendshëm si një shenjë zgjimi qytetar i shqiptarëve. Nuk është aq e rëndësishme vetëm se sa njerëz dalin në një protestë. Më e rëndësishme është fakti se pse dalin.  Kur qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar transparencë, drejtësi, llogaridhënie, mbrojtjen e pasurisë publike dhe respektimin e institucioneve, atëherë protesta merr një dimension më të madh se një konflikt i zakonshëm politik. Ajo bëhet një shprehje e sovranitetit qytetar. E kjo, pikërisht, është arsyeja pse protestat duhet të lexohen më me kujdes. Edhe analizat e fundit mbi zhvillimet politike në Shqipëri i kanë lidhur protestat me probleme më të thella sistemike të demokracisë shqiptare, jo vetëm me një konflikt të momentit. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se çdo protestë është demokratike në çdo formë të saj. Dhuna, sulmet ndaj policisë apo shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen në emër të demokracisë. Protesta demokratike duhet të jetë e vendosur, por paqësore, e guximshme, por e përgjegjshme. Sepse qëllimi nuk është të zëvendësohet një autoritarizëm me një tjetër. Qëllimi është të forcohet demokracia. Kjo njuk do të thotë se Shqipëria është kthyer në një diktaturë. Por në të njëjtën kohë, një demokraci nuk humbet vetëm atëherë kur mbyllet parlamenti, kur ndalohen partitë politike apo kur burgosen kundërshtarë politikë.
Nga paralajmërimi disa vite më parë se, “Demokracaia nuk pret”, te alarmi sot se demokracia është në rrezik në Shqipëri, ishte një lidhje gjatë viteve e shkrimeve të mia të dikurshme e deri në ditët e sotëme: Se “Demokracia nuk pret” ishte pra një paralajmërim, ndërsa sot më duhet të jap alarmin se “Demokracia është në rrezik.” Se i ashtuquajturi “tranzicion” është grabitur nga klasa politike në Shqipëri por edhe Kosovë, një fenomen që po dëbon shqiptarët nga trojet e tyre shekullore. Klasa politike në të dy anët e kufirit duhet të kuptojë se legjitimiteti nuk fitohet vetëm në zgjedhje, qofshin ato edhe të lira, por ai ruhet dhe kultivohet përmes integritetit moral e kombëtar, transparencës dhe përgjegjësisë së politikës ndaj qytetarëve.  Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen | Gazeta Telegraf
Një gjë pozitive nga këto zhvillime të fundit është fakti se protestat janë një nga shenjat se në të vërtetë, një pjesë e shoqërisë shqiptare po e kupton tani këtë rrezik që po i kanoset Kombit shqiptar. Mbetet për tu pa nëse ky është fillimi i një zgjimi që ka munguar për dekada tani. Për vite me radhë shqiptarët janë ankuar në kafene, në familje, në rrjetet sociale dhe në biseda private. Për fat të keq të vendit, shumë prej tyre kanë zgjedhur emigrimin si përgjigje ndaj mungesës së shpresës. Të tjerë janë tërhequr nga politika, disa të tjerë i janë dorëzuar fatit duke menduar se politikanët shqiptarë, “të gjithë janë njësoj”.  Por demokracia nuk mund të mbijetojë kështu nëse qytetari largohet prej saj, duke u dorzëuar para së keqes. Prandaj, një qytetar që del në shesh për të kërkuar llogari nga pushteti nuk duhet parë, domosdoshmërisht, si kundërshtar i shtetit. Në një demokraci normale, qytetari kritik është një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të shtetit demokratik.
Sa herë jam shprehur se Shqipëria ka nevojë për një zgjim demokratik.  Shqiptarët nuk kanë nevojë për një tjetër revolucion politik që të zëvendësojë një grup politikanësh me një grup tjetër. Por ata kanë nevojë për një revolucion demokratik të ndërgjegjes. Duhet një brez që beson se ligji është mbi pushtetin. Një brez që nuk pranon korrupsionin si normalitet. Një brez që kërkon zgjedhje të lira e të besueshme. Një brez që kërkon drejtësi të pavarur. Një brez që nuk e sheh shtetin si pronë të partisë që qeveris. Dhe mbi të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një brez që nuk pranon të largohet nga Shqipëria vetëm sepse nuk sheh një të ardhme në vendin e vet.
Prandaj, kjo është arsyeja pse protestat e sotme mund të jenë më shumë se një episod politik.  Shpresoj që ato të jenë shenja e një zgjimi të vërtetë qytetar, pa kthesë mbrapa.  Dhe nëse është kështu, ky zgjim duhet përshëndetur, por edhe drejtuar ndaj një qëllimi të qartë e të përbashkët: forcimit të demokracisë shqiptare. Sepse — Frank Shkreli: Shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 | Gazeta Telegraf — siç kemi thënë shpesh, demokracia nuk mbrohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Mbrohet çdo ditë. Sa herë kam cituar ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan se, “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg shuarjes. Se për demokracinë duhet luftuar dhe duhet mbrojtur çdo ditë dhe nga çdo brez.”  Se demokracia mbrohet kur qytetari flet. Mbrohet kur gazetari investigon. Mbrohet kur gjyqtari vendos sipas ligjit. Mbrohet kur parlamenti kontrollon qeverinë. Mbrohet kur opozita ushtron detyrën e saj. Mbrohet kur pushteti pranon kritikën. Dhe mbrohet, mbi të gjitha, kur qytetarët refuzojnë të heshtin. Sepse historia na mëson se demokracitë nuk zhduken gjithmonë me një goditje të vetme. Ato mund të konsumohen pak nga pak, në heshtje, përmes tolerimit të shkeljeve të vogla, normalizimit të arrogancës së pushtetit dhe indiferencës së qytetarëve.  Kam shkruar për vite me rradhë se mungesa e demokracisë së vërtetë, dobësimi i institucioneve, mungesa e një opozite efektive dhe mos-distancimi zyrtar nga trashëgimia dhe krimet e diktaturës komuniste mund të krijonin terrenin e volitshëm për prirje autoritare.
Para një dekade e gjysmë na ishte paralajmërimi im: “Demokracia nuk pret.” Sot do ta përsërisja këtë mesazh me një forcë edhe më të madhe dhe me një zë edhe më të fortë se, po “Demokracia nuk pret”, por demokracia as nuk mbrohet vetë.  Prandaj, ma merr mendja se nëse protestat e sotme janë vërtet shenja e një zgjimi qytetar, atëherë Shqipëria ka ende një mundësi. Një mundësi për ta kthyer zemërimin në ndërgjegje, pakënaqësinë në pjesëmarrje, protestën në qytetari dhe zgjimin qytetar në një kërkesë të qartë — se jo vetëm që Shqipëria ka nevojë për një qeveri tjetër të re — kjo është e qartë.  Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf —  Por mbi të gjitha, dy shtetet shqiptare –Shqipëria dhe Kosova — kanë nevojë për një demokraci më të fortë, me pjesëmarrjen e qytetarëve.  Sepse në fund të fundit, kjo është beteja që nuk përfundoi me rrëzimin e komunizmit dhe siç duket, as me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.  Ndërsa beteja për demokracinë e vërtetë vazhdon.
Këtu qëndron pra edhe ndryshimi ndërmjet “Demokracia nuk pret” e viteve më parë dhe thirrjes sot se “Demokracia është në rrezik.” E para ishte një paralajmërim. E dyta është një alarm për veprim.  Se, për fat të keq, sot kemi arritur aty ku paralajmërimet e djeshme janë shndërruar në realitetin e sotëm politik anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky alarm nuk i drejtohet vetem qeverisë apo opozitës. Ai i drejtohet gjithë shoqërisë shqiptare sepse demokracia nuk është pronë e asnjë partie politike. Nuk është pronë e kryeministrit, e opozitës, e parlamentit, e ambasadave apo e instiucioneve ndërkombëtare. Demokracia është pronë e qytetarëve.
Tre vëllime publicistikë të autorit “Demokracia nuk pret”, botuar nga Gazeta Telegraf, Tiranë, 2018

Etika pa moral dhe shtatë fytyrat e politikës kosovare!

0

Zakonisht në periudhën e tranzicionit, kur kalohet nga një ekonomi e kontrolluar në ekonomi të lirë, është e qartë që, përveç superstrukturës ekonomike dhe asaj ideore, të pësojë edhe ajo juridiko-politike. Themi kështu edhe për shkakun se aty ku targetohen sjelljet në politikë, targetohen në veçanti edhe raportet që “mbahen si produkte” ekskluzive nëpër partitë politike

Nëse etika mund të përkufizohet si një lloj mënyre e studimit dhe e vlerësimit të sjelljeve njerëzore në dritën e parimeve morale, atëherë morali padyshim që mund të përkufizohet si një normë, rregull apo edhe parim i paravendosur nga ana e ndonjë shoqërie e komuniteti, që është pranuar pikërisht nga kjo shoqëri e komunitet. Në anën tjetër, sociologjikisht, etika mund të shquhet e identifikohet edhe si formë e superstrukturës ideore, si arti, kultura, morali, filozofia e religjioni. Ajo kryesisht trajton diskurset mbi të mirën dhe të keqen, si edhe, do të thosha, çështjen e subjektivizimit të njërës apo tjetrës kategori.

Pra, ku është kufiri dhe a ka ndonjë kufi social midis këtyre kategorive sociologjike? Në varësi prej kulturave, traditave dhe kushteve qytetëruese, ato merrnin edhe konotacione e prirje nga më të ndryshmet morale e sociale. Edhe në kohën tonë, ato kanë marrë dimensionet dhe specifikat e veta të kohës në të cilën manifestohen.

Aludimi im këtu është te periudha e tranzicionit. Tani, zakonisht në periudhën e tranzicionit, kur kalohet nga një ekonomi e kontrolluar në ekonomi të lirë, është e qartë që, përveç superstrukturës ekonomike dhe asaj ideore, të pësojë edhe ajo juridiko-politike. Themi kështu edhe për shkakun se aty ku targetohen sjelljet në politikë, targetohen në veçanti edhe raportet që “mbahen si produkte” ekskluzive nëpër partitë politike.

Detyrimisht, si pasojë e këtij procesi dhe zhvillimi tejet interesant e dinamik, është e kuptueshme dhe e logjikshme që të identifikohen edhe ca tipa specifikë të etikave sociale. Ndër këta tipa të etikës (si shkencë mbi moralin), që mendoj se i ka “testuar me sukses” për këto dy dekada të instalimit të demokracisë, skena politike kosovare janë:

1. Etika ndërgjegjësuese, ka të bëjë më shumë me pasojat sesa shkaqet e vendimmarrjes. Logjika dhe intenca e kësaj etike na thotë se vendimet gjithnjë merren në përputhje me kalkulimet e matura që mund t’i shkaktojnë pasojat.

EdheOpinion Kosova ka nevojë për një president që buron nga drejtësia, jo nga pazaret partiake2. Etika nënshtruese, që ndryshe mund të emërtohet edhe si poltrone e vasale. Objekti i shtrirjes së këtij tipi, shumë prezent në skenat tona politike shqiptare, pothuajse në shumicën e rasteve edhe si ofertë politike, po edhe si tendencë sociale, ka të bëjë më shumë me krijimin e poltronëve apo vasalëve “oborrtarë” brenda partisë, sesa me krijimin e ndjenjës së inferioritetit ndaj miqve apo faktorëve ndërkombëtarë.

3. Etika konformiste, i adresohet më shumë pozicionimeve të atilla politike, ku tipi i politikanit injorant e mediokër, për të mbijetuar në ambiente armiqësie e konkurrence jolojale, në vend të parimeve morale, pastaj normave dhe rregullave të dobishme sociale në skenën politike, “aktivizon” dhe kultivon kryesisht sjellje dhe veprime të atilla që, në shumicën e rasteve, bien ndesh edhe me bindjet e tij personale. Por, që atij këto sjellje i shërbejnë vetëm si mjete mbijetese dhe qëndrese politike.

4. Etika e interesit, kalkulimi më i thjeshtë i këtij tipi është: “Ti mua lekët, unë ty shërbimin”. Zakonisht, në periudha konsolidimi institucional, ky lloj etike “shumëzohet” pa kontroll. Akti dhe fakti që kësaj faze emancipuese i mungojnë mekanizmat e kontrollit politik dhe atij social, e rrit dukshëm shkallën e probabilitetit të shfaqjes dhe manifestimit të tij në jetën e përditshme.

5. Etika klanore, në kulturën dhe etnopsikologjinë tonë sociale, e sidomos në atë politike, për këto dy dekada përvoje në ndërtimin e demokracisë, është dëshmuar se, përveç që nuk njeh kufi ideologjik, nuk njeh as kufi partiak, e as kufij politikë. Ky gjykim më së miri mund të ilustrohet me përvojat e “bashkëpunimit” të të gjitha koalicioneve të ndodhura midis partive politike kosovare. Ku u dëshmuan më të fuqishme klanet mbipartiake sesa organet formale të partive të mëdha politike.

EdheOpinion Kur Kushtetuta rrezikon të bëhet peng i vetvetes?6. Etika ideologjiko-partiake, formalisht është dhe ka mbetur vetëm një sintagmë, do të thosha, më shumë folklorike sesa funksionale. Shkaku i vetëm i folklorizmit të tillë nuk qëndron edhe aq në parime, norma e standarde partiake, sesa në dilemat dhe (pa)përcaktimet ideologjike. Kjo etikë, që zakonisht, kur dëshirohet të kamuflohet një veprim apo gjest diplomatik, merret si një lloj “mbulese” formale, sa për të krijuar një “alibi” kontraverse dhe dezorientuese. “Alibi”, kjo që vlen si për kundërshtarët politikë, ashtu edhe për faktorët dhe miqtë ndërkombëtarë. Ndërkaq, ky tip etike, si mekanizëm mbrojtës, pothuajse gjithnjë kamuflimin ideologjik e përdor më shumë si pretekst sesa si shkas për të thithur beneficione dhe donacione të ndryshme.

7. Etika e bindjes, si diskurs publik, e obligon një politikan të ndërgjegjshëm që vendimet e veta t’i sjellë jo në bazë të parimit dhe obligimit të interesit praktik e pragmatik, por në bazë të përshtypjes dhe parimeve të drejtësisë. Ky tip etike vlen më së shumti për mobilizimin e masave të gjera për tema e agjenda kruciale politike e institucionale. Mirëpo, më së miri efektet e këtij tipi “testohen” kur kërcënohen, bie fjala, interesat kombëtare e shtetërore të vendit, por edhe kur vërtetohet se ato interesa shantazhohen politikisht apo ekonomikisht.

Z. Veseli, je shumë i vogël për t’ia vënë “pikën” një kishe !

1
E lexova deklaratën e z. Kushtrim Veselit, anëtar i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, dhe veçanërisht atë “pikën” e tij të madhe:
“Kisha nuk do të ndërtohet. Pikë!”
Z. Veseli, po ta them drejtpërdrejt, si Shaljan, si ideator i projektit për kishën në Shalë të Bajgorës dhe si njëri prej atyre që nuk e kanë ndërmend ta shohin identitetin shqiptar të reduktohet në dëshirën e dikujt për ta ndaluar me një deklaratë politike:
Je shumë i vogël për t’ia vënë “pikën” ndërtimit të një kishe!
Madje, të jem edhe më i qartë:
Jo vetëm ti je shumë i vogël për këtë punë, por janë të vegjël edhe disa të tjerë që sot po përpiqen të duken të mëdhenj vetëm pse e mbajnë veten nën hijen e më të mëdhenjve.
Mos e ngatërroni një mandat në Kuvendin Komunal me pushtetin mbi historinë, mbi besimin dhe mbi vullnetin e njerëzve.
Një mandat politik nuk ju bën pronar të ligjit.
Një deklaratë në portal nuk është vendim administrativ.
Dhe fjala “pikë” nuk është vulë shtetërore.
Nëse ka pengesa ligjore, le të flasin institucionet.
Nëse mungojnë dokumentet, le të plotësohen dokumentet.
Nëse duhen procedura të tjera, le të ndiqen procedurat.
Por mos u ngutni të bëheni më të mëdhenj se institucionet që ju kanë dhënë mandatin.
Sepse, z. Veseli, Kisha nuk ndërtohet me lejen e një deputeti komunal, por as nuk ndalohet me urdhrin e tij.
Dhe këtu dallon shteti demokratik nga mentaliteti i pronarit të pushtetit.
Ju thoni:
“Pronësia mbi tokën nuk është leje ndërtimi.”
Dakord.
Por unë po jua them edhe një të vërtetë tjetër:
Një deklaratë e një këshilltari komunal nuk është leje për ta ndaluar një të drejtë fetare.
E nëse vërtet besoni në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në lirinë e besimit dhe në bashkëjetesën fetare që i përmendni në deklaratën tuaj, atëherë duhet të mësoheni edhe me një realitet tjetër:
Kishat nuk ndërtohen me lejen e turmave, as nuk ndalohen nga frika prej turmave.
Ndërtohen aty ku ligji e lejon.
Dhe nëse ligji sot kërkon ndryshim të planit, procedurë shtesë apo leje tjetër, ajo procedurë do të ndiqet.
Por nuk do të ketë “pikë” nga Kushtrim Veseli.
Sepse pikën nuk e vendos Kushtrim Veseli.
Pikën nuk e vendos protestuesi.
Pikën nuk e vendos as ndonjë strukturë fetare.
Dhe as unë nuk pretendoj ta vendos.
Pikën e vendos ligji dhe institucionet kompetente të Republikës së Kosovës.
Por një gjë mund ta them unë, si Shaljan dhe si ideator i kishës në Shalë të Bajgorës:
Nuk kemi ardhur deri këtu që një “pikë” e shkruar në një portal të na tregojë se ku përfundon e drejta jonë për të ndërtuar një kishë.
Ne nuk jemi duke kërkuar privilegj.
Po kërkojmë të drejtë.
Dhe të drejtat nuk varen nga madhësia e një politikani, nga zhurma e një proteste apo nga numri i njerëzve që e mbajnë dikë nën hije.
Prandaj, z. Veseli:
Mos u ngut ta vendosësh pikën.
Sepse ndoshta ajo që ju e quani “pikë” është vetëm një presje në një rrugë shumë më të gjatë.
Dhe për fund, po jua them në gjuhën që besoj se kuptohet më mirë:
Ju mund të jeni anëtar i Kuvendit Komunal. Mund të keni mandat. Mund të keni mbështetje politike. Mund të keni edhe disa më të mëdhenj pas vetes.
Por:
Për t’ia vënë pikën një kishe, je shumë i vogël!
Dhe disa që sot duken të mëdhenj vetëm pse i mbajnë më të mëdhenjtë, duhet ta dinë të njëjtën gjë.
Historia nuk shkruhet me “pikë” të vendosura nga njerëz të vegjël.
Historia shkruhet nga ata që kanë guxim të qëndrojnë në këmbë edhe atëherë kur të tjerët përpiqen t’i gjunjëzojnë.
Kisha në Zagorë nuk do të vendoset sipas dëshirës së Kushtrim Veselit.
Për të vendosur se çfarë lejohet e çfarë nuk lejohet, janë ligji dhe institucionet.
Por për sa kohë që ekziston një e drejtë ligjore për ta ndjekur këtë projekt, as ti, z. Veseli, e as ata që fshihen pas teje, nuk e kanë fuqinë ta mbyllin këtë çështje me një “PIKË!”.
Këtë pikë nuk jua dha askush.
Dhe mos e merrni vetë !

A po krijojmë narracion të vazhdueshëm si Kosovë për përndjekjen e të krishterëve?

0
Pleqtë kanë thënë se faqen e zezë ta qet i yti e jo i huaji. Shteti më së shumti i frikësohet përçarjeve fetare dhe konflikteve civile.
Dje në fshatin Zogaj e dikush po i thotë edhe Zagori të Vushtrrisë u pengua ceremonia e paraparë e Kishës Katolike që të vihet gurthemeli i kishës aty dhe që të pagëzoheshin disa qytetarë të kësaj ane.
Policia dhe autoritetet komunale kanë presupozue nga informacionet dhe reagimet se mund të ketë konflikt të mundshëm. Deklaratat nga dy anët fetare javëve të fundit kanë qenë acaruese.
Shteti nuk duhet të përzihet në çështjet e bashkësive fetare se jemi shtet laik. Dje apo sot në fakt ishte dashtë shteti të ofrojë rend e siguri për çdo manifestim fetar a civil që njoftohet.
Sa për gurthemel nuk kërkohet askund leje prej askujt. Sa xhami janë ndërtuar në Kosovë pa leje di kush të thotë? Nga ana tjetër cila kishë katolike dhe protestante është ndërtuar këto 27 vjetët e fundit pa leje? Kjo thotë diçka!
Qytetarët e pakënaqur kanë të drejtë në protesta. Kështu edhe katolikët s’kanë pse të nxehen shumë për protestën e sotme. Mos harroni se po nga ky popull ka pasur gati për secilën xhami kundërshtime, protesta e peticione. Prej kujt? Zakonisht qytetarë që u ka penguar xhamia. Nuk besoj se këta ishin të krishterë! Protestë pati edhe kur nisi xhamia e madhe te posta në Prishtinë.
Nga ana tjetër gati për secilën kishë po ashtu ka pasur kundërshtime e protesta e peticione. Deri këtu duket normale për një shoqëri të lirë e demokratike.
Çka mbetet për shqetësim:
1. Kur qytetari, sikur ky Murati këtu, e merr ligjin mbi vete duke thënë “pa lejën tonë nuk fillon”. Pse vjen ky dhe çifti i tij në kësi konkludimi ky është problem për vendin, ligjin e demokracinë.
2. Kur shteti bëhet i anshëm dhe nuk tregon zotësi e autoritet e garancë për liritë e secilit qytetarë.
3. Kur logjika e thirrjes në numrin e pjesëtarëve të një feje në një lokacion diku a shkallë vendi bëhet argumenti dhe arroganca përjashtuese. Në Vushtrri paska diku 60 vëllezër e motra katolike – edhe sa duhet të bahen që ta kenë vendin e adhurimit? Kush e mat këtë? Dëgjojmë këto kohë mjaft ankesa e ofendime besa nga imamë e besimtarë myslimanë në drejtim të asaj që këta e quajnë Lëvizja e Deçanit se pse po flasin keq për islam, po na shajnë, po bëjnë përçarje, po na thonë sjeni shqiptarë, shkoni në Arabi, jeni me Serbi. Po i kam dëgjue dhe nuk jam dakord. Ama edhe ju po thoni kush nuk i do xhamiat le t’ia nis Beogradit. Tjetra, ju lutem, nga viti 1992-2019 a pat mbet xhami, imam e grupe tjera islame pa na etiketue e fol shumë keq për ne si protestantë që jemi ba të krishterë por që qasja jonë ishte dhe mbetet krejt ndryshe.??? Ne u kuptojmë juve tani shumë mirë porse ju keni harrue si jeni sjellë ndaj nesh për kohë të gjatë. Normalë në fillimet as katolikët nuk janë sjellë si vëllezër. Një imam mik i imi e takova një ditë dhe me shpoti më tha “po e vërtet që ju kemi përgojue ama ju ishit kanë lulë krahasue me këta”. E tash duroni!
4. Kur dikush mendon se ligji në një fshat a komunë më të vogël nuk vlen e nuk zbatohet si është i shkruar, pra i bie se dikush po jeton me dy standarde, me dy lugë thotë populli. Kur dikush jep tokë me u ndërtue xhami po bajka, është legale, sevap kurse tjetri kur e jep për kishë qenka politike, qenka serbe, qenka djallëzore, qenka me sherr. Kur një person bëhet pesë vakteli është krenari, xhenetli dhe njeri tepër i mirë kurse kur lë islamin dhe beson Krishtin atëherë bëhet nga djalli a nga Beogradi!? Pra nuk ka problem kur Radovani bëhet mysliman por kur Musa bëhet i krishterë bëhet shumë problem. Dakord, edhe Musa kur bëhet i krishterë le të bëhet me sjellje edhe më i mirë sesa që ishte deri dje ndryshe ska kuptim ta njohësh Krishtin.
5. Te dy anët fetare, islame dhe katolike, këto vitet e fundit skanë pse ta bëjnë të madhe se kush çka beson a nuk beson, kush çka ka bërë ma shumë a ma pak. Si shqiptarë duhet ta arrijmë atë nivel kulture, identiteti e bashkëjetese që askush nuk duhet që të lëndohet a t’i mbetet hatri dikujt sa çka beson por me e ba për kori kur dikush don me e ba lajm se kush ku u konvertua e qysh e tek si po bëhet tani. Pse? Jemi familje! Jemi një gjak! Mirëpo ne nuk jemi Arabi. Lavdi Zotit për arabët ama atje është i ndaluar konvertimi dhe smund ta njohësh shpëtimin dhe hirin duke besue në Krishtin por te ne mundesh. Ky është dallimi. Ne të gjithë jemi shqiptarë dhe mbesim shqiptarë o besove, o nuk besove, o ndërrove besim etj.
6. Duke u marrë ne si shoqëri me këto tema e probleme do e dobësojmë dhe shkatërrojmë shoqërinë, shtetin dhe kombin kurse të rinjtë, ndërmarrësit, profesionistët dhe intelektualët do ikin prej këtu. Me çfarë përkatësie fetare do jenë ata që më së shumti do largohen? Myslimanë!
7. Më e fundit, këto raste, ashtu qysh edhe ne si protestantë të cilët jemi të përfshirë në 22 komuna, ama kurrë qe 40 vjet sa di unë nuk e kemi shkaktue edhe problemin më të vogël në këtë vend e popull kurse vazhdimisht nga grupe të caktuara islamiste e sidomos nga komunat kemi qenë të diskriminuar, me përjashtim të Gjakovës e Drenasit. Në krejt komunat tjera kemi ble vetë prona për kisha dhe 100 faqe të zeza na i kanë ba komunat edhe për temat tjera, por ne kemi zgjedh jo luftën por paqen, jo kundërshtimin por investim në komunitete të përbashkëta për vlera e kredibilitete. Pse? Që mos t’i kontribojmë narracionit se të krishterët e Kosovës po përndiqen. Nuk jemi serbë. Ne jemi bijtë e kësaj toke dardane dhe vetë do zgjedhim jo kundër dikujt bindjet tona fetare. Aadministrata e Trampit po e heton kudo tani në botë por edhe në Kosovë shkeljen e drejtave të të krishterëve.
Kosova ka shumë më shumë njerëz të mirë, të dashur, përkrahës dhe ata shumicë janë myslimanë. Duhet të jemi bashkë!

Ura e Mitrovicës dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO

0
Ura kryesore mbi lumin Ibër është simbol i ndarjes mes shqiptarëve dhe serbëve për 27 vjet me radhë. Gjatë këtyre viteve të pasluftës, kjo urë, e ndërtuar pikërisht me qëllimin e bashkimit, ka njohur faza të ndryshme: herë ka qenë e kalueshme, herë e pakalueshme, herë ka qenë urë e herë park, por një gjë është e sigurt: as KFOR-i, as BE-ja, as EULEX-i nuk ia kanë dalë ta hapin dhe të bëjnë të mundur një qarkullim të lirë për të dy komunitetet etnike. Dhe strumbullari i këtij problemi është Serbia, që mban peng serbët e Kosovës në agjendën e saj destruktive ndaj Kosovës.
Lajmi i këtyre ditëve se forcat e KFOR-it do t’ia lënë vendin mbi urë policëve të Kosovës është i vonuar. Në fakt, kjo do të kishte ndodhur një vit më parë, nëse qeveria e Kosovës, me në krye ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, nuk do t’ia mësynte të “çlironte” urën vetë, pa u koordinuar me KFOR-in, aksion në të cilin u detyrua të tërhiqej me bisht ndër shalë.
Çdo përpjekje si arritje e qeverisë tani është mashtrimi i radhës, sepse sjellja e tyre realisht e ka vonuar procesin së paku një vit. Gjithsesi, ndërrimi i forcave të sigurisë shoqërohet me kërkesën e BE-së që të konsultohen komunitetet lokale, ku serbët vetëm sa janë ankuar aktualisht, ndërsa Vuçiç akuzoi komandantin e KFOR-it.
Megjithatë, hapja e urës mbi lumin Ibër është një tregues i nivelit të sigurisë, në kohën kur Republika e Kosovës është zhytur në ujëra antikushtetuese.
U bënë më shumë se dy vite që vendi është mbërthyer nga një krizë e thellë institucionale, ku qeveria dhe Kuvendi, dhe tashmë edhe presidenca, nuk kanë legjitimitet, dhe qytetarët e Kosovës do të duhet të jenë falënderues ndaj KFOR-it që e ruan sigurinë, sepse, në të kundërt, vendi do të kishte rrëshqitur në anarki.
Në çfarëdolloj mënyre ta shqyrtosh, krejt kjo çfarë po ndodh është çmenduri. Në mes të krizës më serioze gjeopolitike pas Luftës së Ftohtë, përsa i përket sigurisë në Europë dhe vetë fatit të Aleancës Euroatlantike, qeveria e Kosovës ka vendosur të bëjë shurdhmemecin dhe të verbëtin.
Këtu të krijohet përshtypja se jetojnë tërësisht të shkëputur nga realiteti ndërkombëtar, se paqja dhe siguria apo territori janë të garantuara përjetësisht dhe se NATO-ja do ta mbrojë Kosovën edhe përtej ekzistencës së saj.
E, në fakt, do të duhej të ishte plotësisht e kundërta: që shteti më i ri dhe më fragjil në Europë të luante çdo gur për të bërë pjesë të NATO-s, të lobonte fuqishëm, të bashkëpunonte me ta në terren si një partner i besueshëm, e jo ta sfidonte, siç bëri disa herë në veri të Kosovës, ku dërgonin policinë speciale të pakoordinuar me KFOR-in.
Një qeveri e përgjegjshme tashmë do të ishte duke lobuar në Bruksel dhe Uashington dhe në secilin nga kryeqytetet e katër vendeve jo-njohëse, që të dizajnohet një rrugë e veçantë për Kosovën, ku ajo të bëhet anëtare.

Por aq amatore është qeveria aktuale në diplomaci, saqë vetëm një ditë pas vizitës së suksesshme të kreut të NATO-s, Mark Rutte, në Prishtinë, kur mori mandatin, së bashku me të gjithë ambasadorët e Këshillit Atlantik të Veriut, si dhe përfaqësuesve të lartë ushtarakë të Organizatës, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme përfaqësuesin e e Kosovës pranë kësaj organizate, Ambasador Astrit Zemajn, i cili ishte organizator i vizitës. Në qarqet diplomatike perëndimore, largimi i diplomatëve të rangut të lartë jashtë mandatit është një sinjal i qartë institucional për mungesën e seriozitetit shtetëror, ndërsa në realitetin politik të Prishtinës kjo është vetëm hakmarrja primitive e radhës së një ministri apo presidenti për interesa personale, pa e vrarë mendjen për dëmtimin e interesave shtetërore.
Prej atëherë, Republika e Kosovës nuk ka përfaqësues për marrëdhëniet me NATO-n. Kjo flet shumë për nivelin e interesit për anëtarësim, ndërsa fjalët që lëshohen në Prishtinë rreth kësaj teme janë krejtësisht boshe. Në mars të vitit 2022, që është vetëm disa ditë pas agresionit rus të Ukrainës, Qeveria e Kosovës pati themeluar një grup punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e klasifikuar këtë qëllim strategjik, mirëpo puna e këtij grupi ka dështuar siç kam marrë vesh, për shkak të sabotimeve që i bënin njëri-tjetrit anëtarët e kabinetit ministror që bënin pjesë në të, për interesa meskine. Rezultati dihet, asnjë hap përpara.
Por cila është rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe pse çdo minutë duhet të shfrytëzohet për të punuar drejt këtij qëllimi strategjik?
Kosova është konsumuese e sigurisë së NATO-s nëpërmjet misionit të saj ushtarak paqeruajtës KFOR, por anëtarësimi në këtë organizatë do të ishte një garanci shumë më e fortë e sigurisë. Duke qenë pjesë e kësaj strukture të mbrojtjes kolektive, pra e Aleancës, çdo aktor që do të dëshironte të përdorte forcën kundër Kosovës, do të bënte kalkulime të tjera. Një sulm mbi Kosovën do të ishte një sulm mbi të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
Si rrjedhojë, anëtarësimi do të kishte efekt parandalues për çdolloj konflikti dhe, në këtë mënyrë, do të rriste ndjeshëm koston politike dhe strategjike të çfarëdolloj përpjekjeje për destabilizimin e Kosovës, një strategji e vazhdueshme e Beogradit kjo prej përfundimit të luftës së vitit 1999.
Nga ana tjetër, një anëtarësim i Kosovës në NATO do të ishte betonizim i shtetësisë, një përforcim i subjektivitetit ndërkombëtar. Kosova dështoi të anëtarësohej në Këshillin e Europës për faj të qeverisë Kurti, nuk ka ndonjë shans të anëtarësohet shpejt në BE për shkak të pesë vendeve jo-njohëse si barriera numër një; anëtarësimi në OKB mbetet një ëndërr e largët, por NATO mbetet një objektiv realist, i cili duhet ndjekur me urgjencë.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta izolonte tërësisht Serbinë, e cila do të rrethohej me vende të Aleancës, dhe do të ndryshonte tërësisht raportin me këtë shtet. Në fakt, do të ishte një përmbysje e madhe gjeopolitike dhe strategjike, një ndryshim i raportit të forcave në rajon. Në fakt, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte garanci për stabilitetin rajonal, pasi Serbia do të hiqte dorë nga ambicia për të sulmuar një vend të NATO-s.
Sigurisht që benefitet e tjera janë të shumta, si ai për kthimin e FSK-së në një ushtri me kapacitete më të larta dhe rritja e sigurisë, që do të ndikonte pozitivisht edhe në stabilitetin ekonomik, duke e hequr Kosovën nga harta e vendeve me tensione të larta përsa i përket sigurisë.
Deklarata e Sekretarit të Shtetit Marco Rubios se tani për tani anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është prioritet është sinjal i drejtpërdrejtë se Prishtina dhe Uashingtoni nuk janë në ditët më të mira të bashkëpunimit, dhe refuzimi i projektit të gazit të lëngshëm nga qeveria Kurti vetëm sa i ka bërë më të ftohta këto raporte.
Një sjellje strategjike do të ishte pranimi i projektit, ku Kosova gjithsesi përfiton, por duke insistuar në kërkesën për anëtarësim në NATO.
Me administratën Trump, shumë rregulla të ngurta kanë ndryshuar nëse shoqërohen me vullnet politik, por kjo kurrsesi nuk do të ndodhë nëse, në vend të bashkëpunimit, lojëtarët politikë që përfaqësojnë Kosovën hedhin shkelma ndaj aleatit ekzistencial.
Derisa të ndryshojnë qasje, Prishtina do të vazhdojë të festojë për hapjen, që duket më shumë si mos-hapje e urës kryesore në Mitrovicë, ku këmbësorët do të mund të kalojnë, por makinat ende jo.
(Autorja ka qenë ambasore e Republikës së Kosovës në Itali dhe deputete e Kuvendit të Kosovës)

Pozita dhe opozita duhet të jenë në lartësinë e misionit historik që kanë për Kosovën

0

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Kosova po kalon një nga periudhat më të vështira të jetës së saj institucionale. Pas tri palë zgjedhjesh të njëpasnjëshme, vendi ende nuk ka arritur të krijojë institucionet e plota dhe funksionale që i nevojiten një shteti demokratik. Përballë kësaj gjendjeje, pozita dhe opozita nuk kanë më luksin të sillen sikur problemi i Kosovës është thjesht një çështje kalkulimesh partiake.
Është jashtë çdo logjike që për kaq gjatë liderët politikë të mos arrijnë një marrëveshje për formimin e institucioneve. Kosova nuk mund të mbahet peng i egove personale, ambicieve partiake dhe interesave të grupeve të ngushta. Shteti është shumë më i madh se çdo parti dhe e ardhmja e tij është shumë më e rëndësishme se karriera e cilitdo lider.
Takimet e herëpashershme politike, që përfundojnë pa marrëveshje dhe pa asnjë rezultat konkret, nuk mund të paraqiten më si përpjekje serioze për zgjidhjen e krizës. Përkundrazi, ato po shndërrohen në një spektakël të lodhshëm e bajat politik, që ka humbur durimin e qytetarëve dhe po e dëmton rëndë imazhin e Kosovës.
Pozita duhet ta kuptojë se fitorja në zgjedhje nuk është licencë për ta mbajtur vendin në bllokadë. Opozita, ndërkaq, duhet ta kuptojë se kundërshtimi politik nuk nënkupton bllokimin e shtetit. Të dyja palët kanë përgjegjësi kushtetuese, politike dhe historike.
Kosova nuk ka nevojë për fitues e humbës në këtë krizë. Ajo ka nevojë për burrshtetasë që dinë të bëjnë kompromis kur interesi i shtetit e kërkon. Ka nevojë për liderë që janë në gjendje ta vendosin Kosovën mbi partinë, institucionet mbi interesin personal dhe të ardhmen e vendit mbi kalkulimet e radhës.
Prandaj, kjo është koha e fundit për një marrëveshje politike serioze. Duhet t’i jepet fund qeverisjes me ushtrues detyre në postet më të larta shtetërore dhe institucioneve të paplota. Kosova duhet të rikthehet sa më shpejt në normalitetin institucional, sepse çdo ditë e humbur prodhon kosto të reja politike, ekonomike dhe ndërkombëtare.
Historia do t’i gjykojë të gjithë. Jo vetëm për atë se çfarë fituan në zgjedhje, por edhe për atë se çfarë bënë kur shteti kishte nevojë për ta.
Kosova sot nuk kërkon liderë që dinë të fitojnë beteja partiake. Kërkon shtetarë që dinë ta shpëtojnë vendin nga ngërçi.
Pra, ju lider të nderuar dhe deputetë, që u ka zgjedhur populli të na përfaqësoni jepni fund këtij ngërçi politik të stërzgjatur, sepse e morët në qafë këtë popull dhe na bëtë gaz para botës!

Më 19 gusht 2026

Pse heshtë…, Naim Tërnava?!

0
NAIM TËRNAVA, PSE HESHTË? KU ËSHTË TOLERANCA FETARE KUR PREKET NJË KISHË KATOLIKE?
Ajo që ndodhi në Zogaj të Vushtrrisë nuk është një çështje që mund të kalohet në heshtje.
Nëse një komunitet fetar dëshiron të ndërtojë një objekt fetar në pronë të ligjshme dhe brenda procedurave të shtetit, atëherë askush nuk ka të drejtë ta pengojë me presion të turmës, kërcënime apo frikësim. Kjo vlen njësoj për xhaminë, kishën katolike apo çdo objekt tjetër fetar.
Prandaj pyetja ime publike për Myftiun Naim Tërnava është shumë e thjeshtë:
Pse nuk doli me një deklaratë të qartë për t’u bërë thirrje besimtarëve të tij që të respektojnë lirinë fetare dhe të mos pengojnë ndërtimin e një kishe katolike?
Sidomos kur vetë Tërnava ka folur publikisht në të kaluarën për tolerancën fetare dhe marrëdhëniet me Kishën Katolike. (Zemra Shqiptare⁠)
Kur ndërtohen xhami, institucionet fetare dhe besimtarët kërkojnë respekt për lirinë e tyre fetare. Të njëjtin respekt duhet ta kenë edhe katolikët.
Kosova është shtet laik. Askush nuk duhet të ketë privilegjin të vendosë se cilit besim i lejohet të ndërtojë dhe cilit jo.
Dhe kjo është ajo që më shqetëson më shumë:
Çfarë mesazhi po u dërgojmë ambasadave të SHBA-së dhe vendeve të QUINT-it?
A është kjo Kosova demokratike, evropiane dhe tolerante për të cilën kemi luftuar?
Nëse një kishë katolike pengohet vetëm sepse është kishë katolike, atëherë kjo nuk është më thjesht çështje e një gurthemeli.
Është një test për shtetin ligjor, për tolerancën fetare dhe për karakterin laik të Republikës së Kosovës.
Nuk kërkoj privilegj për katolikët.
Kërkoj barazi.
Nuk kërkoj që askush të ndërtojë pa ligj.
Kërkoj që ligji të jetë i njëjtë për të gjithë.
Dhe nga Naim Tërnava pres një përgjigje të qartë:
A e dënon çdo përpjekje për pengimin e lirisë fetare të katolikëve në Zogaj – PO apo JO?
Sepse heshtja, në një moment të tillë, krijon shumë pyetje.
Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke lejuar që feja të përdoret si instrument presioni ndaj një feje tjetër. 🇽🇰

Duhet të jeshë si Bekë Osmanaj, se atdhetar nuk mund të jetë çdokush…!

0
____
Atdhetarizmin nuk mund ta ketë secili!
____
Zhvillimet historike në hapësirën shqiptare kanë treguar se atdhetarizmin nuk mund ta ketë çdokush. Atë mund ta kenë vetëm ata/ato që e kanë trashëguar nga gjeneratat e mëparshme. Pra, atdhetarizmi është një trashëgimi që përcillet brez pas brezi, gjenetikisht.
Këtë fat e pati edhe atdhetari i papërkulur kurrë, Bekë Osmanaj, i cili e trashëgoi atdhetarizmin nga të parët e tij të disa brezave. Në të gjitha etapat e historisë sonë të re, Beka qëndroi vertikalisht, i papërkulur kurrë përballë armikut tonë shekullor. Çdo herë i rreshtuar në anën e së drejtës, në anën e luftës për liri dhe pavarësi, dhe së bashku me to udhëtoi në rrugëtimin e sakrificës së madhe, me plot rreziqe, por i vendosur dhe i pathyeshëm asnjëherë.
Trimat si Beka janë të rrallë, sepse kompletimi i personalitetit të tij me trashëgiminë familjare, trimërinë, burrërinë, sinqeritetin, ndershmërinë, vendosmërinë, besnikërinë ndaj shokëve dhe atdheut e bëjnë të veçantë.
Edhe sot, si dje, Beka vazhdon rrugëtimin e tij kryelartë, i vendosur drejt realizimit të idealeve kombëtare, i bindur në fitoren përfundimtare. Sado që hijenat, servilët dhe puthadorët e të gjitha pushteteve përpiqen ta pengojnë, ta etiketojnë, e kanë të kotë.
Figura madhore e Bekë Osmanajt qëndron madhështore, duke u rritur, fuqizuar dhe e papërkulur, si çdo herë, duke i shkelmuar dhe përdhosur ata.
Kalatë që u ndërtuan nga histori të lavdishme nuk u zhdukën asnjëherë, por u qëndruan stuhive të kohës, gjigante, madhështore dhe krenare me historinë e tyre. Bekë Osmanaj ishte dhe do të mbetet i tillë, kala e fuqishme dhe e pamposhtur asnjëherë përballë stuhive të kohës.
Me veprimtarinë e bujshme atdhetare, Beka krijoi shoqëri të ndershme, besnike, të cilat do t’i qëndrojnë pranë në çdo kohë.
Jemi me ty dhe përkrah teje përjetësisht, Bekë Osmanaj!

Xhamia në Lusën të Kukësit, që populli i fshatit “me zor qenka duke e prit të hapen dyert”

0
Mora shkas nga një xhami qe po u ndërtoka në Lusën të Kukësit, e që populli i fshatit me zor qenka duke e prit të hapen dyert.
Allahu Akbar, الله أكبر
Shqiptarët jo më larg se para 150 vjetësh mendonin si e si të ndërtonte kulla të forta, kështjella dhe kala, jo xhami.
Isha në Prizren, ora 18:00 ehh kur ti fillun hoxhallarët në katër anët tuj knu arabisht,
Allahu Akbar, الله أكبر
80 xhami vetëm qyteti,120 me gjithe rrethinat, mbi 1 mijë janë në krejt Kosovën.
Ka një xhami për lagje.
Kemi edhe në krahinën tonë disa xhami në fshatra, me thanë të drejtën se di a shkon apo nuk shkon kush aty.
Jo se kam gjë me shtepitë e Zotit, xhamia, kisha, tempuj, sinagogat,, por ska njerëz ma, e prapë vazhdojmë ndërtojmë.
Ka ishin kanë gjithë kta myslimanë të thekur, që mbinë menjëherë pas rënies diktaturës, sa paskeshit pas vujt!
Për cka gjithë kjo xhami në Lusën, kush fshihet pas tyre, kush falet ktu pa njerëz,kush i paska gjithë kto pare?

Shën Flori e Shën Lauri i bashkojnë Shqiptarët

2
Që në nisje të këtij komenti më duhet të (ri)them se nuk jam “partizan” i feve, sepse gjatë gjithë ekzistencës së tyre është provuar se më shumë janë përdorur nga klasa sunduese dhe nga shtetet e ndryshme për shtypjen e njerëzve, për sundimin e tyre dhe, sidomos për përçarjen e tyre.
Besimi në Zot dhe feja – religjioni për mua nuk janë e njëjta gjë… Feja që predikohet me tam – tame, me altoparlantë dhe me lutje në rrugë e sheshe për mua nuk i shërben Zotit, por shtypjes dhe përçarjes së njerëzve. Besimi në Zot nuk ka nevojë për “ndërmjetës”! Besimi në Zot nuk manifestohet publikisht, po përjetohet shpirtërisht e mendërisht (më shumë është çështje shpirtërore)… Shtetet moderne e kanë zgjidhur këtë çështje duke e ndarë fenë – religjionin nga shteti… Besimtarët e kanë të garantuar lirinë dhe të drejtën e tyre për të besuar e për t’u lutur në shtëpi apo në faltore (kishë e xhami) pa i penguar të tjerët, sepse edhe ata që nuk besojnë në ndonjë fe i kanë të garantuara liritë dhe të drejtat e tyre njësoj si ata që i janë bashkuar një feje – religjioni të caktuar…
Shoqëria njerëzore ka njohur shumë civilizime e besime – fe. Edhe sot në botë ekzistojnë e bashkëjetojnë mijëra fe, kultura e civilizime. Po të mendohet sa e lashtë është jeta në tokë mund të themi që religjionet – fetë monoteiste janë shumë të vona… Edhe këto, ashtu siç lindën dhe po zhvillohen, një ditë të bukur me diell do të zhduken, do t’i takojnë të shkuarës…
Për vete nuk jam me ata që “predikojnë” se ekzistenca e shumë feve – religjioneve ndër shqiptarë ka qenë pasuri, përparësi. Përkundrazi, sipas meje, të qenit popull – komb me shumë fe na e ka dëmtuar dhe dobësuar qenien – identitetin kombëtar e kulturor… Shtetet pushtuese gjatë shekujve e kanë përdorur fenë (sidomos fenë e krishter ortodokse dhe fenë islame) për ta rrënuar e shkatërruar qenien tonë arbërore – shqiptare. Pjesa më e madhe e popullit shqiptar u greqizua, u serbizua dhe u turqizua (myslimanizua, boshnjakizua) edhe me ndihmën e fesë në duar të shtetit. Histori e dhimbshme…
Tendencat dhe projektet për ta tkurrur – shkatërruar edhe sot qenien – identitetin kombëtar shqiptar janë të gjalla, janë aktive dhe po ushqehen – financohen nga po ato shtete ose kryesisht nga ato shtete që na kishin pushtuar e robëruar me shekuj.
Më e keqja dhe më e dhimbshmja është se palë me këto tendenca e projekte po bëhen edhe partitë politike dhe segmentë dhe institucione shtetërore!! Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë janë të deklaruara de jure dhe të normuara edhe me kushtetutë dhe me ligje shtete laike, neutrale ndaj feve – religjioneve, kurse de fakto po rrëshqasin gjithnjë e më shpesh dhe më shumë në prehrin e feve!! Republika e Kosovës po koketon kryesisht me islamin politik, i cili ka zënë terren e ka lëshuar rrënjë edhe në parti politike, edhe në shkolla e universitete, edhe në institucione shtetërore, edhe në segmente të mbrojtjes e të sigurisë!! Kuptohet me përkrahjen e qarqeve dhe shteteve që i përmenda më lartë…
Këto ditë u bë “ÇËSHTJE” ndërtimi i një kishe katolike në një fshat të Vushtrris!! Kisha do të quhet kisha e SHËN FLORIT DHE SHËN LAURIT… Nuk u bë problem ndërtimi i një xhamie 40 milionëshe nga Turqia në zemër të Prishtinës shqiptare (edhe në zemër të Kryeqendrës së kombit, në Tiranë) dhe i mijëra tjerave, ose i kishave ortodokëse – serbe, por bëhet problem ndërtimi i një kishe të vogël katolike – shqiptare!! Problemin nuk po e bëjnë shqiptarët, por qarqe të caktuara ekstremiste të islamit politik dhe segment të caktuar të shtetit “laik”!!
SHËN FLORI DHE SHËN LAURI janë ilirë – dardanë. Ata janë martirët (dëshmorët) e parë të krishterimit (monoteizmit) në Iliri – Dardani, janë në themele të besimit tonë dhe të kulturës sonë evropiane – perëndimore. Do të duhej të ishin në themele edhe të unitetit, mirëkuptimit, harmonisë
dhe dashurisë që kemi dëshmuar gjatë gjithë historisë për shpëtimin, ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë gjuhësor, kulturor e kombëtar. Si ka mundësi që kisha serbe (Serbia), e ndërtuar në vitin 1936 në Lipjan, quhet Shën (sveti) Flori e Lauri (për t’i pëvetësuar), kurse ka shqiptarë (të nxitur nga të huajt) që i mohojnë dhe i anatemojnë e përbuzin këta dy dardanë – ilirë?!! Jo vëllezër! Jo motra! Kësaj fushate nuk i vjen era shqiptari!! Nuk guxojmë në asnjë mënyrë ta mohojmë historinë tonë, kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore! Ta kuptojmë dhe ta predikojmë fenë si çështje të pastër shpirtërore, personale e kulturore e jo si “flamur” për beteja e përplasje ndërshqiptare! Ta kuptojmë që s’ka fe në botë që mund të vihet para kombit, para gjuhës e para Flamurit kuqezi që na bashkon! Të kuptojmë e të bindemi që para se të jemi “myslimanë”, “katolikë”, “ortodoksë”, “demokratë”, “socialistë”…, jemi SHQIPTARË! Është turp e faqja e zezë kur ndonjë shqiptar me identitet kombëtar të brisht thotë: “Jam katolikë”, tjetri “jam mysliman”, tjetri “jam ortodoks”, “protestan”, etj. Jo vëllezër! Jo motra! Jemi shqiptarë! Shqiptarë na krijoi Zoti me vullnetin e tij! Shqiptarë na krijoi Nëna natyrë! Na krijo Atdheu ku u lindëm dhe u rritëm brez pas brezi… Na krijuan ninullat tona, përpjekjet, luftërat dhe Heronjtë tanë me penë e me pushkë për ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës, Flamurit kuqezi dhe Atdheut!
Ju ftoj, juve motra e vëllezër vushtrrias të shkoni dorë për dore e krah për krahu, pa dallim feje, aty ku është vendosur Guri i kishës SHËN FLORI E SHËN LAURI dhe t’u thoni miqve dhe armiqve tanë se s’ka fe as parti që na përçan! T’u thoni miqve dhe, sidomos armiqve, se jemi SHQIPTARË, një dhe të pandarë! Kështu ju do Zoti, kështu ju do kombi e ju do burrëri, ju do njerëzia!
Unë, isha me Franklinin dhe bëmë një foto bashkë, te GURI. Isha për t’i thënë Franklinit dhe për t’u thënë gjithë bashkëkombësve të mi (edhe armiqve tanë) se para se të jemi “myslimanë” e “katolikë” jemi dhe do të jemi (sa të ketë jetë mbi këtë dhe) SHQIPTARË! Rroftë kombi shqiptar! Rroftë Shqipëria e bashkuar në një shtet, në një Shqipëri!