ARKIVI:
12 Qershor 2026

Shën Sebastiani apo Sh’Masjani – Shenjti që u bë shembull guximi edhe për shqiptarët

Shkrime relevante

Protestat: Mbrojtje e mjedisit apo fushatë e huaj për destabilizim?

Prof. Dr. Pirro Prifti, Tiranë Nga një vështrim kritik mbi protestat e...

Jemi popull i fragmentuar nga kufijtë, nga partitë, nga fetë, nga klanet, nga rrëfimet kundërthënëse

Korab Rashiti Shqiptarët përballë krizës së tyre të brendshme Shqiptarët, qoftë në Shqipëri,...

Protesta të reja dhe ndjekje të të huajve në Belfast

Policia po përpiqet të largojë demonstruesit pranë Newtownabbey në Belfast më...

Në 27 vjetorin e çlirimit nga Serbia

Florim Zeqa Pse dita e çlirimit nuk është festë shtetërore?! Të paktë janë...

Zbulim arkeologjik i paleolitit të hershëm në Zvërnec të Vlorës

Në perëndim të qytetit të Vlorës, pak kilometra larg tij, ndodhet...

Shpërndaj

 

Nga: Don Fran Sopi

Shën Sebastiani, i njohur ndër shqiptarë prej shekujsh me emrin e dashur Sh’Masjani, është një nga shenjtorët më të nderuar të Kishës Katolike dhe një figurë shumë e afërt me shpirtin e popullit tonë. Emri i tij është përmendur brez pas brezi me respekt, në familje, në kisha dhe në lutjet e besimtarëve, veçanërisht në kohë të vështira dhe sprovash jetësore.

Festa e këtij Pajtori të shenjtë nuk është vetëm një kremtim fetar, por edhe një përkujtim i rëndësishëm i besimit të fortë, i guximit njerëzor dhe i qëndrueshmërisë shpirtërore, i cili na kujton se, edhe kur jeta bëhet e vështirë, njeriu ka gjithmonë mundësinë të zgjedhë të mirën dhe të qëndrojë besnik ndaj Zotit dhe ndërgjegjes së vet.

Për shumë breza shqiptarësh ndër shekuj, Sh’Masjani ka qenë:

  • Shenjt i lutjes, kur njerëzit kërkonin ndihmë nga Zoti;
  • Shenjt i shpresës, kur gjithçka dukej e errët;
  • Shenjt i mbrojtjes, në kohë rreziku, sëmundjesh apo frike.

Në mënyrë të veçantë, në Dioqezën Prizren–Prishtinë, Sh’Masjani nderohet si Pajtor i famullisë së Gllogjanit (të Pejës), si edhe i Peshterit (të Lipjanit) Kravasarit (të Malishevës), dhe Necit (të Gjakovës). Në këto treva (famulli të Dioqezës sonë), festa e tij është ruajtur me dashuri të veçantë dhe ka qenë gjithmonë një rast i rëndësishëm për bashkim familjar, për lutje të përbashkët dhe për ripërtëritje shpirtërore. Për banorët e këtyre zonave, Sh’Masjani nuk është thjesht një emër në kalendarin kishtar, por një shenjt që “i përket vendit”, një mik i afërt dhe një model i jetës së jetuar me ndershmëri dhe dinjitet.

Sipas traditës kishtare, emri i tij i vërtetë është Sebastian, me prejardhje nga gjuha greke, që do të thotë: i nderuar, i çmuar, i dalluar. Këto fjalë përshkruajnë shumë mirë jetën dhe karakterin e tij. Ai nuk u bë i njohur për pasuri apo pushtet, por për zemrën e pastër, guximin dhe besimin e palëkundur në Zotin.

Shën Sebastiani lindi dhe u rrit në qytetin e Milanos. Qysh në rini, ai u njoh me përndjekjet e rënda që u bëheshin të krishterëve në Romë për shkak të besimit të tyre në Jezu Krishtin. Përballë kësaj padrejtësie, ai nuk qëndroi indiferent dhe nuk heshti. Përkundrazi, i parashtroi vetes një pyetje të thjeshtë, por shumë të rëndësishme, e cila mbetet aktuale edhe sot:

“Çfarë mund të bëj unë për t’i ndihmuar të tjerët?”

Kjo pyetje është thelbësore edhe për njerëzit apo besimtarët e sotëm. Ajo na fton të mos mendojmë vetëm për veten, por të jemi të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve dhe të mos mbyllim sytë përballë vuajtjes.

Kjo ndjenjë përgjegjësie e ka shtyer Sh’Masjanin që të shkoj në Romë. Atje ai u bë ushtar dhe, falë ndershmërisë, aftësisë dhe përkushtimit, arriti shpejt në një pozitë të lartë. Megjithatë, këtë pozitë nuk e përdori për lavdi apo përfitime personale, por për të bërë mirë. Ai ndihmonte fshehurazi të krishterët e burgosur, i forconte në besim dhe u jepte shpresë që të mos dorëzoheshin. Kështu, ai u bë dritë në errësirë dhe shpresë në frikë. Kur u zbulua se ishte i krishterë, Sh’Masjani u dënua rëndë. I kërcënuar dhe i ballafaquar me vuajtje të mëdha, ai nuk u gjunjëzua dhe nuk e mohoi kurrë besimin e tij. Me guxim dhe besnikëri, qëndroi pranë Zotit deri në fund, i cili edhe më 20 janar të vitit 304, ai u vra dhe u bë martir, domethënë dëshmitar i fesë me vetë jetën e tij.

Pikërisht për këtë arsye shqiptarët e kanë dashur dhe e duan Sh’Masjanin: sepse ai u qëndroi besnik vlerave të tij deri në frymën e fundit. Në historinë tonë, të mbushur me sprova dhe sakrifica, figura e tij është parë gjithmonë si shenjë shprese dhe si mbrojtje shpirtërore. Në kohë sëmundjesh, rreziqesh apo vështirësish familjare e shoqërore, besimtarët i janë drejtuar atij në lutje për shëndet, paqe dhe forcë.

Edhe sot, figura e Sh’Masjanit mbetet shumë aktuale, për besimtarët e Krishtit. Ai na mëson se nuk është gjithmonë e lehtë të bësh zgjedhjen e drejtë, por është gjithmonë e bukur dhe e ndershme të jesh i guximshëm, i drejtë dhe i mirë. Shembulli i tij na kujton se nderi dhe dinjiteti nuk maten me famë apo pushtet, por me sjelljen ndaj të tjerëve dhe me besnikërinë ndaj së mirës. Prandaj, Sh’Masjani mbetet një shenjt i dashur për shqiptarët:

  • Si Pajtor i Kishës Katolike,
  • Si figurë e fortë e besimit dhe martirizimit dhe
  • Si shembull jete për besimtarët e Krishtit.

Pra, duke i ftuar të gjithë të jenë të mirë, të guximshëm dhe të qëndrueshëm në të mirën, në çdo kohë dhe rrethanë.

Për shumë mote, Sh’Masjani, për të gjithë ata që e festojnë!

Pejë, më 20 janar 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu