____
Dy mijë vjet më parë, në kohën e Perandorisë Romake, të krishterët u përballën me përndjekje, ndalime dhe martirizim. Megjithatë, as fuqia e Romke dhe as frika nuk mundën ta ndalonin përhapjen e Ungjillit.
Shën Pali, Apostulli i kombeve, e çoi Fjalën e Zotit nga Lindja drejt Perëndimit dhe dëshmoi se predikimi i tij kishte arritur deri në Ilirik. Në këto troje të lashta, krishterimi nuk është një mysafir i ardhur dje. Ai është pjesë e historisë sonë shumë shekullore.
Sot, pas afro 2000 vjetësh, në Zagorë të Vushtrrisë, në Kosovë, shohim qytetarë që protestojnë kundër ndërtimit të një kishe katolike.
Historia ndryshon në formë, por pyetja mbetet e njëjtë:
Kush ka të drejtë t’ia mbyllë derën një njeriu që dëshiron të ndërtojë shtëpinë e Zotit dhe të ushtrojë lirisht besimin e tij?
Protestuesit kanë të drejtën e tyre të shprehin mendimin dhe shqetësimet. Nëse ekzistojnë çështje pronësie, lejesh ndërtimore apo respektimi të ligjit, ato duhet të zgjidhen nga institucionet dhe vetëm sipas ligjit.
Por nëse kundërshtimi buron nga fakti se objekti është kishë katolike, atëherë kemi kaluar nga një debat administrativ në një problem shumë më serioz: lirinë e besimit.
Argumenti se “këtu nuk ka katolikë, prandaj nuk duhet kishë” është i rrezikshëm. Liria fetare nuk matet me shumicë votash. Një besimtar i vetëm ka të drejtë të besojë po aq sa një mijë të tjerë. Sot mund të jetë një katolik në një fshat me shumicë myslimane; NESËR mund të jetë një mysliman në një qytet me shumicë katolike.
Zoti nuk mbrohet duke ia ndaluar tjetrit Zotin.
Kosova ka vuajtur shumë që dikush tjetër t’i tregonte popullit të saj se çfarë mund të ishte, çfarë mund të fliste dhe çfarë mund të besonte. Prandaj pikërisht Kosova duhet të jetë shembull se liria që kërkojmë për veten duhet t’ia njohim edhe tjetrit.
Katolikët shqiptarë nuk janë të huaj në këto troje. Janë autokton dhe historia e krishterimit në Dardani dhe Iliri shkon shumë shekuj pas. Dhe vetë Shën Pali shkruante se kishte përhapur Ungjillin deri në Ilirik.
Prandaj, një kishë katolike shqiptare në Kosovë nuk duhet parë si kërcënim ndaj myslimanit shqiptar. As një xhami nuk duhet parë si kërcënim ndaj katolikut shqiptar.
Dy mijë vjet më parë perandoritë mendonin se mund ta ndalonin Fjalën e Zotit me forcë. Nuk ia dolën.

Shën Pali predikoi deri në Ilirik. Besimi mbijetoi perandori, pushtime, diktatura dhe persekutime.
Do të mbijetojë edhe sot.
Por Kosova e vitit 2026 nuk duhet të sillet si bota e persekutimeve të lashta. Ajo duhet të sillet si një shtet evropian, demokratik, ku kisha, xhamia dhe çdo shtëpi lutjeje mbrohen nga i njëjti ligj.
Mos e pengoni shtëpinë e Zotit.
Mos e ktheni besimin në mur mes shqiptarëve.
Lëreni secilin ta kërkojë Zotin sipas ndërgjegjes së vet.
Sepse historia na ka mësuar diçka:
Perandoritë bien. Pushtetet ndryshojnë. Brezat kalojnë. Por besimi dhe fjala e Zotit vazhdojnë.



