____
Unë jam i rikthyer në Kishën Katolike dhe, si besimtar katolik, i përkas Ipeshkvisë së Kosovës. Megjithatë, dua ta theksoj qartë se nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë përfaqësues, zëdhënës apo pjesë e strukturave përfaqësuese të Ipeshkvisë së Kosovës.
Rikthimi im në Kishën Katolike, në aspektin shpirtëror, është personal. Është zgjedhja ime, bindja ime, rruga ime para Zotit tim, Jezu Krishtit, dhe përgjegjësia ime para ndërgjegjes. Por veprimtaria ime publike dhe angazhimi im në çështjet që lidhen me identitetin shqiptar nuk janë veprimtari kishtare. Veprimtaria ime është kombëtare shqiptare.
Unë i shërbej kombit tim, Atdheut tim dhe shtetit tim. I shërbej orientimit autentik shqiptar, pro-perëndimor, demokratik dhe evropian. Misioni im është ruajtja dhe forcimi i vlerave kombëtare shqiptare, e kujtesës sonë historike dhe e të drejtës së shqiptarëve për ta kërkuar e shprehur identitetin e tyre lirisht. Prandaj, rikthimi im në aspektin historik është për mua puro kombëtar. Nuk është projekt për të sunduar mbi askënd, nuk është projekt për t’ia imponuar dhunshem dikujt besimin tim dhe nuk është projekt për ta përjashtuar shqiptarin për shkak të fesë. Është një përpjekje për ta kuptuar më thellë historinë tonë dhe për ta rivendosur në kujtesë atë pjesë të identitetit shqiptar që unë besoj se është lënë në harresë.
Dhe këtu dua të jem edhe më i qartë. Unë jam për laicitetin e shtetit tim. Jam për një shtet ku çdo njeri është i lirë të besojë në çfarëdo që dëshiron, të lutet ku dëshiron dhe të mos besojë fare nëse këtë e zgjedh. Por pikërisht për këtë arsye, askush nuk duhet ta fusë ideologjinë e vet fetare në administrimin e shtetit dhe në përcaktimin e të drejtave të qytetarëve. Kjo nuk është vetëm bindje politike e imja. Është edhe një parim që e shoh të pajtueshëm me vetë mësimin e Krishtit, i cili bëri dallimin ndërmjet autoritetit qeverisës dhe Mbretërisë së Qiellit. Prandaj, për mua, mbrojtja e laicitetit nuk është largim nga besimi. Përkundrazi, është mënyra për ta mbrojtur lirinë e besimit nga shndërrimi i tij në instrument pushteti.
Pikërisht për këtë arsye, kundërshtoj ashpër Islamin politik, jo shqiptarët myslimanë. Këtu duhet të jetë kufiri i qartë. Shqiptari mysliman është bashkëkombësi im. Mund të jetë familjari im, miku im, fqinji im, bashkëluftëtari im, pjesë e historisë dhe e jetës sime. Unë nuk kam problem me të drejtën e tij për të besuar. Problemi im fillon atëherë kur një ideologji politike kërkon të përdorë fenë për të imponuar norma mbi shoqërinë, për të cenuar karakterin laik të shtetit ose për të kufizuar lirinë e qytetarit. Unë nuk e luftoj besimin e askujt. Unë kundërshtoj politizimin e besimit.
Dhe këtë qëndrim do ta mbaj pavarësisht se kush është përballë meje. Qoftë shqipfolës apo jo-shqipfolës, qoftë kundërshtar i jashtëm apo i brendshëm. Kur cenohen vlerat kombëtare, demokratike, laike dhe perëndimore që unë besoj se duhet t’i mbrojmë, nuk do të hesht. Sepse nuk jam futur në këtë rrugë për t’u dukur. Nuk jam futur për të krijuar një emër. Nuk jam futur për t’u bërë përfaqësues i ndonjë institucioni. Dhe nuk jam futur për t’i kërkuar askujt autorizim për të menduar. Jam këtu sepse jam qytetar dhe sepse besoj se qytetari ka të drejtë dhe përgjegjësi të flasë kur sheh diçka që e konsideron të dëmshme për shoqërinë dhe kombin e tij.
Për këtë arsye, thirrjen time për pagëzim dhe rikthim nuk do ta ndaloj. E bëj në mënyrë të lirë, vullnetare dhe demokratike. I drejtohem secilit shqiptar dhe secilës shqiptare që dëshiron ta dëgjojë këtë thirrje. Askënd nuk e detyroj. Askënd nuk e kërcënoj. Askënd nuk e përjashtoj. Por as unë nuk do të pranoj të më ndalohet e drejta ime për të folur. Mendimet dhe kundërshtimet e mia do t’i paraqes gjithmonë publikisht, duke u mbështetur në të drejtën e fjalës së lirë dhe në ligjet që më garanton Kushtetuta e vendit tim, ligjet në fuqi, si dhe Kushtetuta dhe ligjet në fuqi të shtetit ku veproj.
Nuk jam pajtuar as në të kaluarën me gjuhën e papranueshme të askujt dhe nuk do të pajtohem as në të ardhmen. Gjuhën e papranueshme e kam kundërshtuar haptazi atëherë dhe po ashtu e kundërshtoj edhe sot, me të njëjtin qëndrim dhe me të njëjtin parim. Për mua, standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht se kush e përdor atë gjuhë dhe kundër kujt drejtohet.
Secili jep llogari për fjalën e vet. Edhe unë jap llogari për fjalët e mia. Dhe për këtë arsye, fjalët e mia janë publike. Nuk fshihem pas profileve të rreme, nuk fshihem pas njerëzve të tjerë dhe nuk ia delegoj askujt përgjegjësinë për atë që them.
Dhe po e them edhe një herë: nuk po e them këtë për t’iu shmangur ndonjë përgjegjësie. Përkundrazi. Po e them pikërisht për ta bërë të qartë se UNË NUK I TAKOJ ASNJË LËVIZJEJE. Jam vetvetja. Unë i shërbej Atdheut tim dhe të mirës së tij. Kaq.
Nëse dikush pajtohet me mua, mirë. Nëse dikush nuk pajtohet, edhe më mirë: le të debatojmë me argumente. Demokracia nuk ndërtohet duke heshtur tjetrin, por duke i dhënë hapësirë edhe mendimit që nuk na pëlqen. Por një gjë nuk do ta pranoj: që rikthimi im personal të përdoret për të më vendosur në një pozicion institucional që nuk e kam kërkuar dhe nuk e kam pasur.
Unë jam i rikthyer. Kjo është çështja ime shpirtërore. Unë jam veprimtar shqiptar. Kjo është çështja ime kombëtare. Unë jam qytetar i një shteti laik. Kjo është përgjegjësia ime qytetare. Unë jam shqiptar katolik, kjo është e drejta ime. Dhe këto katër gjëra nuk janë kontradiktore. Përkundrazi, mund të bashkëjetojnë pikërisht sepse liria i mbron të katërtat.
Unë e konsideroj veten qytetar aktiv dhe veprimtar të vendit tim. I shërbej vendit tim me aq sa kam mundësi dhe me aq sa më lejojnë forcat e mia. Nuk pretendoj të jem i pagabueshëm, por pretendoj të jem i sinqertë me atë që besoj. Dhe në këtë rrugëtim, unë jam edhe dëshmitar i asaj që kam parë, i asaj që kam përjetuar dhe i së vërtetës që besoj para Atit tim, Jezu Krishtit.
Prandaj, kushdo që dëshiron të më kundërshtojë, le të më kundërshtojë me argument. Kushdo që mendon se jam gabim, le ta dëshmojë. Kushdo që mendon se rikthimi është i gabuar, le ta argumentojë. Por mos më kërkoni të hesht.
Sepse unë nuk do të hesht. Jo për shkak të urrejtjes, sepse, urrejtje nuk kam për askënd, por për shkak të bindjes. Jo për të cenuar lirinë e tjetrit, por për të mbrojtur lirinë time, dhe të tjetrit. Jo për t’ia imponuar Krishtin dikujt, por sepse unë vetë e kam zgjedhur Krishtin, dhe në mënyrë paqësore, e ftoj edhe tjetrin ta pranojë Krishtin.
Dhe këtë zgjedhje, si qytetar i lirë dhe si shqiptar që e do Atdheun e vet, do ta mbroj me fjalë, me argument, me ndërgjegje dhe brenda ligjit.
Sinqerisht,
Blerim Nika
20.08.2025


