
Luan Dibrani, Durrës
Një protestë që nisi si shqetësim qytetar, por po hyn në terren politik
Pas 12 ditësh protesta për Vlorën, Zvërnecin, Nartën dhe Sazanin, tashmë është e qartë se kjo çështje nuk është më vetëm një debat lokal për një projekt turistik. Ajo është kthyer në një test të madh për shtetin shqiptar, për qeverinë, për opozitën, për shoqërinë civile, për orientimin euro-atlantik të vendit dhe për aftësinë tonë kombëtare që të dallojmë mes kauzës së drejtë dhe manipulimit politik.
Në fillim pati shqetësime reale dhe të kuptueshme: mjedisi, pronësia, transparenca, ligji, përdorimi i sigurisë private, gardhet, mungesa e komunikimit dhe frika se mos një pjesë e bregdetit shqiptar trajtohet si pronë e mbyllur për qytetarin. Këto nuk janë çështje të vogla. Ato duhen marrë seriozisht.
Asnjë investim, qoftë amerikan, europian apo nga kushdo tjetër, nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin. Asnjë projekt nuk duhet të fshihet pas fjalëve të bukura. Asnjë qeveri nuk duhet të kërkojë besim pa dokumente. Asnjë qytetar nuk duhet të trajtohet si pengesë vetëm pse kërkon transparencë.
Por pas 12 ditësh, protesta ka hyrë në një fazë tjetër. Ajo po tërhiqet nga disa drejtime njëkohësisht: nga qytetarët e sinqertë, nga ambientalistët, nga opozita e lodhur që kërkon frymëmarrje politike, nga portale që kërkojnë zjarr publik, nga rrjete ideologjike që nuk e kanë hallin te Vlora, dhe nga qarqe që historikisht nuk janë gëzuar kurrë kur Shqipëria afrohet me Amerikën.
Këtu duhet të flasim qartë, me guxim dhe me përgjegjësi.
Shtypi botëror e vendosi Shqipërinë në qendër të vëmendjes
Mediat ndërkombëtare e kanë marrë seriozisht këtë çështje. Reuters, The Guardian, Le Monde, Al Jazeera dhe media të tjera e kanë paraqitur protestën si një përplasje mes një projekti të madh turistik të lidhur me Jared Kushner dhe shqetësimeve për mjedisin, korrupsionin, mungesën e transparencës dhe të ardhmen e bregdetit shqiptar.
Ky fakt ka dy anë.
Ana pozitive është se Shqipëria po shihet nga bota. Po shihet jo vetëm si vend i vogël i Ballkanit, por si vend ku përplasen kapitali ndërkombëtar, turizmi elitar, mjedisi, demokracia dhe qeverisja. Kjo vëmendje ndërkombëtare mund të jetë mundësi e madhe për Shqipërinë, nëse dimë ta përdorim me mençuri.
Ana negative është se imazhi i Shqipërisë po rrezikon të paraqitet si vend ku çdo projekt i madh shoqërohet me dyshime, konflikte, gardhe, siguri private, protesta të natës, akuza për korrupsion dhe mungesë besimi. Kjo është e dëmshme për investitorët seriozë. Jo sepse investitorët duhet të jenë mbi ligjin, por sepse kapitali i madh nuk hyn në vende ku nuk dihet nëse ligji, politika, rruga apo propaganda vendosin fatin e projektit.
Shqipëria duhet ta kuptojë këtë: bota po na sheh. Dhe kur bota na sheh, ne nuk mund të sillemi as si shtet i heshtjes, as si shoqëri e histerisë.
Pozicioni amerikan dhe izraelit: më shumë heshtje zyrtare sesa deklarata politike
Deri tani, nuk ka një qëndrim të madh zyrtar publik nga institucionet amerikane apo izraelite që ta kthejnë këtë çështje në debat shtetëror. Projekti lidhet me Jared Kushner dhe familjen Trump, pra me një emër shumë të fuqishëm në politikën amerikane, por kjo nuk do të thotë se çdo veprim i tij përfaqëson automatikisht politikën zyrtare të Shteteve të Bashkuara.
Kjo duhet thënë drejt.
Por po aq drejt duhet thënë edhe tjetra: në perceptimin publik shqiptar dhe ndërkombëtar, ky projekt lexohet si investim me peshë amerikane, për shkak të emrit Kushner-Trump dhe lidhjeve të tij me elitën politike e financiare amerikane. Prandaj sulmi i verbër ndaj këtij projekti, sidomos kur kthehet në retorikë anti-amerikane dhe anti-izraelite, nuk është më vetëm kritikë ndaj një resorti. Ajo rrezikon të marrë ngjyrë anti-perëndimore.
Sa për Izraelin, deri tani nuk ka arsye të paraqitet sikur shteti i Izraelit po “merr” toka shqiptare. Kjo është parullë e rrezikshme, e paverifikuar dhe e ngarkuar me urrejtje. Kur përmendet Izraeli në këtë debat, shpesh nuk po flitet për dokumente, as për kontrata, as për ligj. Po aktivizohet një emocion ideologjik i importuar nga konflikte që nuk janë shqiptare.
Shqiptarët mund të kërkojnë transparencë për çdo investim. Por shqiptarët nuk kanë pse të bëhen megafon i urrejtjes anti-izraelite, aq më pak kur historia moderne shqiptare është e lidhur ngushtë me boshtin perëndimor, me Amerikën dhe me partnerët e saj strategjikë.
E mira e këtyre protestave: shoqëria kërkon dokumente
Duhet ta pranojmë: këto protesta kanë edhe një anë pozitive. Ato treguan se qytetari shqiptar nuk pranon më çdo gjë në heshtje. Qytetari kërkon dokumente. Kërkon leje. Kërkon vlerësim mjedisor. Kërkon respekt për pronën. Kërkon që bregdeti të mos mbyllet si pronë private për pak njerëz. Kërkon që shteti të mos sillet si zyrë sekrete e kontratave të mëdha.
Kjo është e shëndetshme për demokracinë.
Shqipëria nuk ka nevojë për qytetarë të nënshtruar. Ka nevojë për qytetarë që pyesin. Ka nevojë për shoqëri që kontrollon pushtetin. Ka nevojë për zëra që mbrojnë natyrën. Ka nevojë për njerëz që nuk pranojnë korrupsion, pazare dhe vendime të errëta.
Prandaj, kushdo që e sheh protestën vetëm si armike të zhvillimit, gabon. Brenda saj ka njerëz të ndershëm, ka shqetësime reale dhe ka një mesazh që qeveria duhet ta dëgjojë: nuk ka zhvillim pa besim publik.
E keqja e protestave: kur kauza rrëmbehet nga politika dhe ideologjia
Por problemi fillon kur kauza e drejtë qytetare rrëmbehet nga duar të tjera.
Një protestë për mjedisin nuk duhet të kthehet në tribunë anti-amerikane.
Një protestë për pronën nuk duhet të kthehet në parullë anti-izraelite.
Një protestë për transparencë nuk duhet të kthehet në fushatë për parti islamike.
Një protestë kundër korrupsionit nuk duhet të bëhet karburant për një opozitë të lodhur që kërkon të kthehet në skenë me çdo çmim.
Kjo është pika e rrezikut.
Në Shqipëri, opozita e drejtuar nga Sali Berisha është prej kohësh në krizë të thellë politike dhe morale. Ajo ka nevojë për kauza që ta nxjerrin nga izolimi, nga lodhja, nga përsëritja dhe nga mungesa e besimit publik. Prandaj është e kuptueshme se çdo pakënaqësi qytetare mundohet ta kthejë në armë kundër qeverisë.
Por një opozitë serioze nuk duhet ta përdorë Vlorën si shkallë për pushtet. Nuk duhet ta kthejë mjedisin në flamur elektoral. Nuk duhet të luajë me ndjenjat anti-amerikane apo anti-izraelite vetëm pse i shërbejnë momentit politik. Nëse opozita do të jetë serioze, duhet të kërkojë dokumente, hetim, transparencë dhe standarde — jo zjarr, histeri dhe kapitalizim politik të çdo pakënaqësie.
Islamizmi politik: kur feja përdoret për t’i dhënë ngjyrë anti-perëndimore protestës
Një nga elementet më shqetësuese është përpjekja e disa zërave për ta lidhur këtë protestë me retorikë fetare, anti-izraelite dhe anti-perëndimore. Kjo nuk është më thjesht mbrojtje e natyrës. Kjo është përpjekje për ta futur islamizmin politik në një kauzë shqiptare.
Duhet ta themi qartë: besimtarët shqiptarë nuk janë problem. Myslimanët shqiptarë janë pjesë e kombit shqiptar, ashtu si katolikët, ortodoksët, bektashinjtë dhe ata pa besim fetar. Problemi nuk është feja. Problemi është islamizmi politik.
Islamizmi politik e përdor fenë si mjet pushteti. Ai nuk pyet për kombin, por për ideologjinë. Nuk pyet për interesin shqiptar, por për boshtet e jashtme. Nuk pyet për Vlorën, por për konfliktet që do t’i importojë në Vlorë. Nuk pyet për natyrën, por për mundësinë që çdo çështje ta kthejë në betejë kundër Amerikës, kundër Izraelit dhe kundër Perëndimit.
Në këtë pikë, islamizmi politik, edhe kur nuk është formalisht i koordinuar me askënd, në praktikë i çon ujë në mullirin e armiqve të interesit shqiptar. Sepse çdo goditje ndaj orientimit euro-atlantik të shqiptarëve gëzon Beogradin. Çdo përçarje e shqiptarëve për çështje identitare u shërben qarqeve nacionaliste greke. Çdo largim i shqiptarëve nga Amerika i shërben atyre që duan t’i lidhin shqiptarët vetëm me fenë, jo me kombin.
Serbia, Greqia dhe narrativa neo-osmane: kur interesat takohen pa pasur nevojë për tavolinë të përbashkët
Nuk është e nevojshme që islamizmi politik, qarqet serbe dhe qarqet greke të jenë të ulura në një tavolinë për të prodhuar të njëjtin efekt. Mjafton që në një moment të caktuar interesat e tyre të përputhen.
Serbia nuk ka interes që Shqipëria të fuqizohet në Mesdhe, të tërheqë kapital amerikan, të bëhet qendër turistike dhe të rrisë peshën shqiptare në rajon. Qarqe greke nuk kanë interes që jugu shqiptar të forcohet si hapësirë shqiptare me zhvillim të madh ekonomik dhe strategjik. Ndërsa narrativa neo-osmane turke dhe islamizmi politik kanë interes që shqiptarin ta shohin më shumë si pjesë të një komuniteti fetar sesa si pjesë të një kombi europian me orientim euro-atlantik.
Këtu qëndron problemi.
Kur shqiptarët lidhen me Amerikën, fitojnë peshë politike.
Kur lidhen me Europën, fitojnë standarde.
Kur lidhen me investime serioze, fitojnë ekonomi.
Kur lidhen vetëm me fenë, rrezikojnë të humbin dimensionin kombëtar dhe strategjik.
Turqia mund të jetë shtet me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike, ekonomike dhe kulturore. Por shqiptari nuk duhet të reduktohet në lidhje fetare me Turqinë. Kombi shqiptar është më i vjetër, më i gjerë dhe më i thellë se çdo lidhje fetare. Ne nuk jemi zgjatim i neo-otomanizmit. Ne jemi komb shqiptar.
Zhvillim amerikan po, por jo pa kontroll shqiptar
Të jesh pro investimeve amerikane nuk do të thotë t’i japësh çek të bardhë çdo investitori. Kjo duhet thënë me forcë.
Unë jam për investime amerikane në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Jam për kapital perëndimor. Jam për turizëm elitar. Jam për zhvillim të madh. Jam për hyrjen e Shqipërisë në hartën globale të turizmit cilësor.
Por jam edhe për kontroll shqiptar.
Duhet të ketë dokumente.
Duhet të ketë transparencë.
Duhet të ketë vlerësim mjedisor.
Duhet të ketë garanci për pronën.
Duhet të ketë përfitim real për shtetin.
Duhet të ketë vende pune për shqiptarët.
Duhet të ketë mbrojtje të natyrës.
Duhet të ketë hetim për çdo dyshim korrupsioni.
Zhvillimi nuk është shitje. Por zhvillimi pa transparencë mund të duket si shitje. Prandaj qeveria duhet të kuptojë se dokumentet janë mbrojtja më e mirë e investimit. Sa më shumë transparencë, aq më pak hapësirë për propagandë.
Rama, projekti dhe përgjegjësia e qeverisë
Edi Rama e ka mbrojtur projektin si zhvillim të madh, si hap drejt modernizimit dhe si mundësi për ta vendosur Shqipërinë në hartën e turizmit elitar. Në parim, ky vizion nuk është i gabuar. Shqipëria ka nevojë për projekte të mëdha. Ka nevojë për kapital. Ka nevojë për turizëm cilësor. Ka nevojë për ambicie.
Por problemi nuk është vetëm vizioni. Problemi është besimi.
Nëse qeveria do ta mbrojë projektin, duhet ta mbrojë me dokumente, jo vetëm me fjalë. Duhet të publikojë gjithçka që ka lidhje me pronën, lejet, mjedisin, detyrimet, përfitimet dhe garancitë. Duhet të sqarojë pse u vendosën gardhe, kush i vendosi, kush i autorizoi, çfarë roli pati siguria private dhe si do të shmangen konfliktet me qytetarët.
Nëse projekti është i pastër, transparenca e forcon. Nëse projekti ka probleme, transparenca i zbulon. Në të dyja rastet, Shqipëria fiton vetëm nga e vërteta.
Pse protesta nuk duhet të kthehet në luftë kundër Amerikës dhe Izraelit
Shqiptarët kanë arsye të jenë miq me Amerikën. Kjo nuk është romantikë. Është realitet historik dhe strategjik. Liria e Kosovës dhe siguria e shqiptarëve në Ballkan janë të lidhura ngushtë me rolin amerikan dhe me boshtin perëndimor.
Prandaj çdo përpjekje për ta kthyer këtë protestë në luftë kundër Amerikës është e rrezikshme. Çdo përpjekje për ta futur Izraelin si armik imagjinar në një debat për tokën shqiptare është e rrezikshme. Kjo e zhvendos debatin nga dokumentet te urrejtja, nga ligji te ideologjia, nga mjedisi te konfliktet e huaja.
Shqiptarët nuk duhet të importojnë konfliktet e Lindjes së Mesme në Vlorë. Vlora nuk është Gaza. Sazani nuk është front ideologjik. Shqipëria nuk është poligon i islamizmit politik. Shqipëria është vend europian, aleat i Amerikës dhe pjesë e botës demokratike.
Çfarë duhet të ndodhë tani?
Tani nuk duhen më parulla boshe. Duhen veprime konkrete.
Qeveria duhet të publikojë dokumentet.
Prokuroria duhet të hetojë çdo dyshim për korrupsion.
Institucionet mjedisore duhet të japin vlerësim të pavarur.
Banorët duhet të dëgjohen.
Siguria private duhet të kontrollohet dhe përgjegjësitë të ndëshkohen.
Opozita duhet të ndalë kapitalizimin e verbër politik.
Mediat duhet të ndajnë faktin nga propaganda.
Qytetarët duhet të ruajnë protestën nga rrëmbimi ideologjik.
Shteti duhet të hetojë çdo ndikim të huaj që përpiqet ta shndërrojë Vlorën në krizë anti-perëndimore.
Kjo është rruga serioze.
As heshtje qeveritare.
As histeri opozitare.
As islamizëm politik.
As propagandë anti-amerikane.
As urrejtje anti-izraelite.
As përdorim i Vlorës për interesa greke, serbe apo neo-osmane.
Përfundim: Vlora duhet të jetë portë zhvillimi, jo laborator propagande
Vlora nuk duhet të bëhet lodër e askujt.
Jo e qeverisë.
Jo e opozitës së lodhur.
Jo e islamizmit politik.
Jo e propagandës serbe.
Jo e qarqeve greke.
Jo e narrativave neo-osmane.
Jo e portaleve që jetojnë nga zjarri.
Jo e atyre që e duan Shqipërinë të varfër, të frikësuar dhe të përçarë.
Vlora është zemra e flamurit.
Sazani është pasuri strategjike.
Bregdeti shqiptar është mundësi historike.
Shqipëria është vend europian dhe aleate e Amerikës.
Prandaj duhet të ecim në një vijë të qartë:
Zhvillim po.
Investime amerikane po.
Turizëm elitar po.
Mbrojtje e natyrës po.
Transparencë po.
Hetim kundër korrupsionit po.
Respekt për banorët po.
Por:
Korrupsion jo.
Gardhe të errëta jo.
Dhuna private jo.
Propaganda anti-perëndimore jo.
Islamizëm politik jo.
Përdorim i Vlorës nga opozita e lodhur jo.
Ujë në mullirin e Serbisë, qarqeve greke dhe neo-otomanizmit — kurrë.
Shqipëria nuk duhet të humbasë as natyrën, as zhvillimin.
Nuk duhet të humbasë as transparencën, as Amerikën.
Nuk duhet të humbasë as dinjitetin, as të ardhmen.
Dhe mbi të gjitha, Shqipëria nuk duhet të lejojë që një kauzë qytetare të kthehet në armë kundër vetë interesit kombëtar shqiptar.


