ARKIVI:
6 Mars 2026

Shëtitje qeni! Tregim nga Bajram Sefaj

Shkrime relevante

Djallëzor dhe mashtrues

Isuf Bytyçi, Munih Dinakëritë janë për të marrë, kurse sinqeriteti dhe...

Presidenti si peng i kalkulimeve

Agim Vuniqi, Vashington ______ Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të...

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit...

Zgjedhja e Presidentit nga populli, shmang pazaret e deputetëve

Ilustrim: Vjosa Osmani, me Mark Rutten, sekretarin gjenral të NATO -s.   Idriz...

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

Prend Ndoja, New York ______ Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë...

Shpërndaj

Bajram Sefaj, shkrimtar, Paris

Tregim nga Bajram Sefaj 

Shëtitje qeni! 

Njëditëzaj, aparatin trupngushtë e thatim, portabël, celular, natel… (çfarë emri tjetër kemi marrë bashkë me të?), të vocërr sa grima, ia  turbulloi jehona e thekshme, si ajo e kambanave të kishave kur sjellin kumt! 

– He, ore, si je, si e çon, ç’ po bën? 

– Mirë, mirë –  u përgjigjet Ndreci, dy  pyetjeve të para! 

Për pyetjen e tretë  – ç’bën?  

– Shëtis qenin – ishte përgjigja e tij! 

– Shëtit qenin!? 

– He, po ç’dreqin thua?  

– Nuk je zgjuar akoma mirë prej gjumit? Flet jermshëm? Po kur dreqin bëre ti qen që ta shëtitësh? Në atë dhomë të vogël banimi, nuk ke ku e struk e rrudh pleqërinë e moshës së tretë, e t’i vësh maniret e qelbura borgjeze të vendit ku je i strehuar! Të mbash, të  ushqesh e të  shëtitësh qen, hë…! 

– E, po de! – u mjaftua Ndreci.  

– Po qyshkur jeton me atë qen, që shëtit?! 

– Oh, mos pyet. Qysh moti. Moshatarë jemi…! 

– Asgjë s’po kuptoj, s’po marr vesh! 

– Ani, hajt, pra, u pafshim për të mirë e në gëzime të përbashkëta, se qeni im gjithnjë e më shumë behët nervoz dhe mërzitet shpejt! – Ndreci këputi penjtë e muhabetit me telefon!  

Nuk i tha bashkëbiseduesit se po shëtiste veten e vet! Tamam si një qen të lodhur. Nuk i tha asgjë tjetër me telefon. Me shpresë se do të takoheshin një ditë. Me shpresë se nuk do të ndërronte jetë pa ia thënë copë se për cilin qen ishte fjala. Që po e shëtiste atë ditë të zymtë  dimri. Në dhe të huaj. Pyetjes se mikut tash do t’i përgjigjej me pyetje: e ç’bëjnë tjetër gjithë ata të  mjerë kur, në përpjekje inatçore për t’ia vjedhur jetës edhe ndonjë ditë më shumë, bëjnë jogging, naturothérapie (natyroterapi)… e marrëzira të tjera kësodore, pos që shëtisin veten e vet,  qen! 

Përnjëmend! 

*   

As natës së vetme dimërore, që kishte përpara nuk i zinte besë. Sakaq mund ta tradhtonte keq, Ndreci asgjë nuk la për nesër. Aty për aty formoi numrin e telefonit celular të mikut me të cilin veç sa ishte përshëndetur. Aparatin e tij, sa grima të natelit, e dinte, do ta trazojë një cingërimë në kajde të hingëllimës se hamshorëve të harlisur vere, si në kullosat e bjeshkëve të Opojës. Ndrecit, ndërkaq, në aparatin e stërpërdorur, ia kishin akorduar jehun e kambanave të kishës. Si për t’ia kujtuar gjithandej se rrugën e ka në të sosur. Ndreci sakaq shkoqi telefonin, si të mbjellë rrënjë veshi. Pa i thënë asnjë fjalë të menduar, pak çaste më pare, mikut tij të shtrenjtë. Desh u përshurr se qeshuri. Vetëm e me vetminë e vet. Në mendje i përftoi një garë e ashpër që, kohët e fundit, zhvillohet midis njerëzve tanë kur shtyhen se kush e ka atë send më të vogël se tjetri! Akoma pa e zhveshur rrobën e kushtit shekullor, kush e ka më të madh çdo send të mundshëm, ja që erdhi koha e garës:  kush e ka më të vogël! – aparatin telefonik, kuptohet. 

C’est sympa, n’est – ce pas?  

 (Gaillard, dimër 2004)  

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu