
Prof Dr Eshref Ymeri
Në dallim të theksuar nga udhëheqësit e lartpërmendur, të cilët nuk janë shquar për rezultate të shkëlqyera në arsimin parauniversitar dhe universitar, Mihail Gorbaçovi (1931-2022), në vitin 1950, pati përfunduar shkollën e mesme me medalje argjendi dhe, pa konkurs, qe pranuar në Fakultetin juridik të Universitetit Shtetëror të Moskës “M.V. Lomonosov”. Në vitin 1955, Gorbaçovi e përfundoi fakultetin me diplomën “shkëlqyeshëm”. Në vitin 1951, ai qe njohur me studenten e shkëlqyer të Fakultetit të filozofisë të atij Universiteti, Raisa Titarenko (1932-1999), me të cilën u martua në vitin 1953. Raisa ka qenë profesore e filozofisë në Universitetin e Moskës dhe anëtare nderi e shumë akademive europiane, amerikane dhe aziatike.
Gorbaçovi ka meritën e tërheqjes së ushtrisë pushtuese nga Afganistani, e shembjes së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të Gjermanisë, e vendosjes së marrëdhënieve paqësore me Perëndimin, për çka qe nderuar me Çmimin “Nobel” për paqen më 10 dhjetor të vitit 1990.
Komunistët-veteranë e patën akuzuar Gorbaçovin si fajtorin kryesor për shpërbërjen e perandorisë sovjetike, me arsyetimin se “nuk qe në gjendje ta modernizonte sistemin komunist”.
Në të vërtetë, kur Gorbaçovi erdhi në krye të Bashkimit Sovjetik në prill të vitit 1985, vendi ishte në gjendje agonie. Ekonomia sovjetike kishte filluar të merrte tatëpjetën që gjatë sundimit të Leonid Brezhnjevit prej vitit 1964 deri sa ndërroi jetë. Në vitin 1979, Brezhnjevi vendosi ta eksportonte në Afganistan “modelin e socializmit” sovjetik, ndërmori një agresion ushtarak kundër atij vendi, duke futur atje një kontigjent ushtarak prej 546 mijë ushtarë dhe oficerë, çka, gjatë 10-vjetëve (1979-1989), i pati kushtuar vendit miliarda të tëra mjetesh financiare, 30 mijë ushtarë dhe oficerë të vrarë dhe 60 mijë të sakatuar.
Pra, kriza ekonomike gjatë viteve 1980 ishte në kulm, prandaj ripërtëritja e saj (pjerestrojka) nuk mund të kishte sukses. Ajo krizë solli si pasojë acarimin e problemeve nacionale, të shoqëruar me acarimin e krizës politike, rënien e autoritetit të partisë komuniste për shkak të degjenerimit moral të oligarkëve të lartë partiakë dhe thellimin e ndryshimeve sociale.
Pikërisht oligarkët e lartë partiakë ishin ata, të cilët, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat kriminale të KGB-së, gjuanin artistet më të bukura të teatrit dhe të kinematografisë, i provokonin me rrjetin shpifës kundër tyre, mandej i arrestonin dhe i internonin në kampet e përqendrimit të punëve të detyruara në Siberi, ku, kohë pas kohe, agallarët e partisë shkonin për të shfryrë me to epshet seksuale.
Kjo sërë oligarkësh imoralë, të kujton shkrimtarin, poetin dhe përkthyesin, Ivan Bunin (1870-1953), laureat i Çmimit Nobel në letërsi për vitin 1933. Në vitin 1920, në kulmin e Luftës Civile, ai e braktisi Rusinë dhe u vendos me banim në Paris. Urrejtja ndaj pushtetit të bolshevikëve pati shpërthyer në rreshtat që ia kishte kushtuar atdheut:
“Lidhur me anën shpirtërore, moralin dhe intelektin, mund të thuhet se shoqëria e arsimuar moskovite është një grumbull shkatërruesish, njerëzish mëkatarë, endacakësh besimtarë, mashtruesish mendjemëdhenj, njerëzish të shthurur moralisht, gënjeshtarësh të pacipë, mburracakësh dhe egërsirash të rëndomta. Por ama të gjithë ata janë dënglamëdhenj qesharakë. Në këtë, më falni, “shoqëri” përfshihen edhe sakatët sifilitikë moralizues dhe hundëpërpjetë, idiotët, shëmtarakët, gjysmë të çmendurit, njerëzit histerikë, prostitutat cinike moralizuese dhe fizike të të dy sekseve. Dhe pikërisht këtë kënetë të pështirë obskurantizmi, ne, moskovitët, e konsiderojmë si elitën tonë shpirtërore, kulturore dhe të mençur. Vajmedet!”.

Pra, me fjalë të tjera, thelbi i shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik qëndronte jo vetëm në plasaritjen gjeopolitike të shtetit. Ajo ishte një shëmbje, një tatëpjetë ideologjike, ekonomike dhe sociale e sistemit. Një shtet, i ndërtuar mbi bazën luftës së klasave, e një pushteti të centralizuar dhe ekonomie të planifikuar, nuk i bëri dot ballë presionit të krizave dhe të kontradiktave të brendshme. Njerëzit nuk kishin më besim tek e ardhmja, republikat kërkonin sovranitet, elitat kërkonin pavarësi. Të gjitha këto patën shërbyer si një mekanizëm që vuri në veprim një proces të pakthyeshëm.
Më 08 dhjetor 1991, në Bjellovjezhgs të Bjellorusisë, prapa krahëve të Gorbaçovit, qenë mbledhur për një takim tre personalitete politike sllave – Presidenti i Federatës Ruse – Boris Jelcin, Presidenti i Ukrainës – Leonid Kravçuk (1934-2022), Presidenti i Bjellorusisë – Sergej Shushkjeviç (1934-2022). Në atë takim ata patën marrë vendimin për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe krijimin e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura.
Më 21 dhjetor 1991, në Alma-Ata të Kazakistanit u zhillua takimi i udhëheqësve të republikave të tjera të Bashkimit Sovjetik, të cilët shpallën pavarësinë dhe iu bashkuan Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Më 25 dhjetor, Mihail Gorbaçovi doli në televizion me deklaratën për dorëheqje nga posti i Presidentit të Bashkimit Sovjetik. Në vijim teksti i plotë i deklaratës:
“Të dashur bashkatdhetarë! Bashkëqytetarë!
Lidhur me gjendjen e krijuar pas formimit të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, unë e ndërpres veprimtarinë time në postin e Presidentit të Bashkimit Sovjetik. E marr këtë vendim për arsye parimore. Unë kam qenë i vendosur për mbrojtjen e mëvetësisë dhe të pavarësisë së popujve, për sovranitetin e republikave. Por, njëkohësisht, kam qenë edhe për ruajtjen e shtetit të bashkuar, e tërësisë së vendit. Ngjarjet morën një tjetër drejtim. Mori sipërinë vija e copëzimit të vendit dhe e ndarjes së shtetit, për çka unë nuk mund të jem dakord. Edhe pas takimit në Alma-Ata dhe vendimeve që u morën atje, qëndrimi im në këtë pikë nuk ka ndryshuar. Përveç kësaj, jam i bindur se vendime të përmasave të tilla duhej të ishin marrë në përputhje me vullnetin e mbarë popullit. Megjithatë, unë do të bëj gjithçka që është brenda mundësive të mia, në mënyrë që marrëveshjet që janë nënshkruar atje të çojnë drejt një pranimi konkret në radhët e shoqërisë, të lehtësojnë daljen nga kriza dhe procesin e reformave. Duke dalë para jush për herë të fundit në cilësinë e Presidentit të Bashkimit Sovjetik, e quaj me vend të shpreh vlerësimin tim për rrugën e kaluar që prej vitit 1985. Aq më tepër që, lidhur me këtë çështje, ekzistojnë jo pak gjykime kontradiktore, sipërfaqësore dhe joobjektive. Kështu qe taksur nga fati, që, kur unë u gjenda në krye të shtetit, tashmë ishte bërë e qartë se vendi nuk i kishte punët mirë. Gjithçka e kemi me shumicë: tokën, naftën dhe gazin, pasuri të tjera natyrore, por edhe mendjen dhe talentin Zoti nuk i ka kursyer, kurse jetesën e kemi shumë më të keqe se në vendet e zhvilluara. Gjithmonë e më shumë vazhdojmë të mbetemi prapa tyre. Arsyeja tashmë ishte e qartë: shoqërisë po i merrej fryma në darën e një sistemi burokratik të komanduar. E destinuar për t’i shërbyer ideologjisë dhe të mbante mbi kurriz garat e armatimeve, ajo është katandisur në cakun e mundësive. Të githa përpjekjet për ndërmarrjen e reformave të pjesëshme, se të tilla kanë qenë të shumta, kanë dështuar njëra pas tjetrës. Vendi po humbiste perspektivën. Kështu nuk mund të vazhdohej më gjatë. Duhej ndryshuar gjithçka në mënyrë rrënjësore. Kjo është arsyeja që asnjëherë nuk më pati ardhur keq që nuk e pata shfrytëzuar postin e Sekretarit të Përgjithshëm vetëm “për të mbretëruar si car” disa vjet. Do ta konsideroja një gjë të tillë si një mungesë përgjegjësie dhe si amoralitet. E kisha të qartë se të filloje kryerjen e reformave të përmasave të tilla dhe në një shoqëri të tillë, si jona, ishte një punë shumë e vështirë dhe madje me rrezik. Por edhe sot jam i bindur në drejtësinë historike të reformave demokratike në pranverën e itit 1985. Procesi i përtëritjes së vendit dhe i ndryshimeve rrënjësore në bashkësinë botërore rezultoi edhe ca më i vshtirë sesa mund të paramendohej. Sidoqoftë, ato gjëra që u kryen duhen vlerësuar në një mënyrë dinjitoze: shoqëria përfitoi lirinë, u çlirua politikisht dhe shpirtërisht. Dhe kjo është fitorja më kryesore, për të cilën nuk jemi bërë të vetëdijshëm deri në fund dhe prandaj ende nuk jemi mësuar ta shfrytëzojmë lirinë. Megjithatë, është kryer një punë me rëndësi historike: është likuiduar sistemi totalitar, i cili ia kishte mohuar vendit mundësinë të bëhej i begatë dhe i lulëzuar. Janë shënuar arritje në rrugën e transformimeve demokratike. Janë siguruar zgjedhje të lira, liria e shtypit, liritë fetare, organet përfaqësuese të pushtetit, sistemi shumëpartiak. Të drejtat e njeriut janë pranuar si parimi më i lartë. Filloi lëvizja për një ekonomi shumëformëshe, po vendosen të drejta të barabarta të të gjitha formave të pronës. Në kuadrin e reformës agrare, filloi të lindë fshatarësia, sistemi i fermave bujqësore, miliona ha tokë po u jepen fshatarëve, qytetarëve. Është vënë mbi baza ligjore liria e prodhuesit dhe ka filluar të forcohet sipërmarrja, krijimi i shoqërive aksionere, privatizimi. Duke e kthyer ekonominë drejt tregut, ka rëndësi të kemi parasysh: kjo bëhet për të mirën e njeriut. Në këtë kohë të vështirë, gjithçka duhet të bëhet për mbrojtjen e tij sociale, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët. Ne jetojmë në një botë të re: i është dhënë fund luftës së ftohtë, është ndërprerë gara e armatimeve dhe militarizimi i çmendur i vendit, i cili e ka shëmtuar ekonominë tonë, ndërgjegjen dhe moralin shoqëror, është shmangur rreziku i një lufte botërore.
Dëshiroj të theksoj edhe një herë, se, në periudhën kalimtare, unë pata bërë gjithçka për ruajtjen e kontrollit të sigurt të armëve bërthamore. Ne iu hapëm botës, hoqëm dorë nga ndërhyrja në punët e të tjerëve, nga përdorimi i trupave jashtë kufijve të vendit. Dhe të tjerët na u përgjigjën me mirëbesim, me solidaritet dhe me respekt. Ne u bëmë njëra nga kështjellat për riorganizimin e qytetërimit bashkëkohor mbi baza paqësore, demokratike. Popujt, kombësitë fituan lirinë konkrete për zgjedhjen e rrugës së vetëvendosjes së tyre. Synimet drejt reformimit demokratik të shtetit shumëkombësh, na nxorën në rrugën e nënshkrimit të një Traktati mes republikave. Të githa këto ndryshime patën kërkuar një punë shumë të madhe plot tension, duke përballuar një luftë të ashpër në kushtet e një rezistence në rritje nga ana e mendësive të vjetra, në perëndim e sipër, reaksionare dhe strukturave të mëparshme shtetopartiake, të aparatit ekonomik, të psikologjisë për përfitime personale. Ata u pëplasën me rezistencën tonë nga frika e ndryshimeve. Kjo është arsyeja se pse humbëm shumë kohë. Sistemi i vjetër qe shembur para se të fillonte funksionimin sistemi i ri. Dhe kriza e shoqërisë erdhi duke u acaruar gjithnjë e më shumë. Jam në dijeni për pakënaqësinë e rëndë të ditëve tona, për kritikën e ashpër të autoriteteve në të gjitha nivelet dhe personalisht të veprimtarisë sime. Por do të dëshiroja ende të theksoja përsëri: ndryshimet rrënjësore në një të tillë vend të madh, nuk mund të kryhen pa dhembje, pa vështirësi dhe pa tronditje. Puçi i gushtit e çoi në maksimum krizën e përgjithshme. Më shkatërrimtare në këtë krizë është shpërbërja e organizimit shtetëror. Dhe sot mua më shqetson humbja e shtetësisë së njerëzve të një vendi të madh: pasojat mund të jenë shumë të rënda për të gjithë. Për mua janë me rëndësi jetike arritjet demokratike të viteve të fundit. Ato janë siguruar gjatë gjithë historisë sonë, gjatë përvojës sonë tragjike. Prej tyre nuk duhet hequr dorë në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye. Në të kundërt, të gjitha shpresat për më mirë do të na shuhen. Për të gjitha këto po flas ndershmërisht dhe troç. Kjo është detyra ime morale. Sot dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time të gjithë qytetarëve që patën përkrahur politikën e ringritjes së vendit, që qenë përfshirë në realizimin e reformave demokratike. I falënderoj personalitetet shtetërore, politike dhe shoqërore, miliona njerëz të vendeve të huaja, të cilët i patën kuptuar idetë tona, i patën përkrahur, na patën ardhur në ndihmë për të bashkëpunuar me ne sinqerisht. Po e lë postin tim me një shqetësim. Por edhe me një shpresë, me besimin te ju, te urtësia juaj dhe forca e shpirtit tuaj. Ne jemi trashëgimtarë të një qytetërimi të madh dhe tani prej të gjithëve dhe prej gjithsecilit varet që ai të rilindë për një jetë të re dhe dinjitoze. Dëshiroj t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë ata, të cilët, gjatë këtyre viteve, patën qëndruar pranë meje, në mbrojtje të një çështjeje të drejtë dhe të bukur.
Me siguri që disa gabime mund të ishin shmangur, shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë. Por jam i bindur se herët a vonë, përpjekjet tona të përbashkëta do t’i japin frytet e veta, popujt tanë do të jetojnë në një shoqëri të lulëzuar dhe demokratike.
Ju uroj të gjithëve çdo të mirë e mbarësi”.
Gorbaçovi, gjatë qeverisjes së të cilit nuk u vunë re absolutisht përndjekje të kundërshtarëve politikë, ndërroi jetë më 31 gusht 2022 dhe u përcoll për në banesën e fundit si një njeri i thjeshtë, pa kurrfarë nderimesh nga organet shtetërore. Putini nuk pati denjuar të ishte i pranishëm. Duhej të vinte në pushtet Putini më 31 dhjetor 1999, gjatë sundimit të të cilit janë vrarë 13 kundështarë të tij politikë, midis të cilëve politikanë dhe punonjës të shtypit dhe të radiotelevizionit. Vrasjet më të rënda janë kryer kundër krerëve të opozitës, si Boris Njemcov (1959-2015), i pushkatuar në mes të Moskës, dhe Aleksej Navalnëj (1976-2024), i internuar në skajin më verior të Siberisë, në kampin e përqendrimit “Ujku polar”, ku temperatura në dimër zbret në – 50ᶱ. Këtë opozitar atje e helmuan. Duhej të vinte në pushtet Putini, i cili, që në vitin 2014, filloi provokimet kundër Ukrainës me pushtimin e Krimesë dhe më 24 shkurt 2024 nisi agresionin fashist në shkallë të gjerë për pushtimin e saj. Është viti i pestë që Putini vazhdon luftën për pushtimin tërësor të Ukrainës, por i ka ngecur sharra në gozhdë. Deri sot, 05 qershor 2026, në Ukrainë janë vrarë 1 373 650 ushtarë dhe oficerë. Por deri tani, që nga Vladivostoku deri në brigjet e Detit Balltik, nuk kemi parë dhe nuk kemi dëgjuar asgjë për ndonjë shpërthim protestash të fuqishme nga ana e popullit rus për këto vrasje kolosale të bijve të vet vetëm për tekat e një kryefashisti të Kremlinit. S’mund të ndodhë ndryshe, sepse populli rus e ka në gjak shovinizmin në qëndrimin ndaj popujve të tjerë.

Foto: NOVOSTI
Shkrimtari i njohur rus, Ivan Shmelov (1873-1950), ka pasw theksuar me shumw tw drejtw:
“Rusët janë një popull që… gjithmonë është i gatshëm t’i skllavërojë, t’i shtypë të gjithë pa përjashtim, mbarë botën. Ky nuk është popull, por një mallkim historik i njerëzimit”.
Si i tillë, populli rus prandaj edhe bën be e rrufe për Putinin, se ushtarët dhe oficerët e vrarë në Ukrainë, ashtu si edhe klika e Kremlinit, i vlerëson si materiale inerte.


