Ajo që po ndodh sot në Shqipëri me protestat kundër investimeve strategjike në Zvërnec dhe Sazan nuk është diçka e re për ne. Kosova e ka përjetuar të njëjtin model tash e më shumë se 20 vjet.
Filloi me kundërshtimin e qendrës protokollare në Gërmi, vazhdoi me pengimin e privatizimit të Telekomit në vitin 2012, me sabotimin e ndërtimit të termocentralit të ri dhe me ndërprerjen e kontratës me kompaninë amerikane ContourGlobal. Rezultatin e shohim sot: mungesë investimesh, varësi energjetike, papunësi dhe emigrim.
Për 26 vjet kemi dëgjuar vajtime për fabrikat e ish-Jugosllavisë, por rrallë flitet për faktin se shumica e tyre u shkatërruan që në kohën e regjimit të Millosheviçit dhe ato që mbijetuan hynë në liri të amortizuara, jo konkurruese dhe pa perspektivë zhvillimi.
Në emër të “mbrojtjes së natyrës” ndalen investime miliardëshe, por askush nuk ngre zërin për betonizimin e pakontrolluar, kaosin urbanistik, humbjen e tokës bujqësore apo rrënimin e sektorit energjetik. Kjo nuk është qasje e balancuar ndaj mjedisit; është përdorim selektiv i ambientalizmit për të bllokuar zhvillimin.
Çdo projekt i madh mund të ketë ndikime mjedisore dhe ato duhet të trajtohen seriozisht. Por interesi publik nuk matet vetëm me numrin e shpendëve apo hektarëve të paprekur. Duhet të maten edhe vendet e punës, investimet, infrastruktura, zhvillimi ekonomik dhe perspektiva e brezave të ardhshëm.
Shqipëria ka nevojë për investime, industri, turizëm modern dhe integrim ekonomik me Perëndimin. Një projekt që sjell miliarda euro investime, mijëra vende pune dhe e pozicionon Shqipërinë si nyje turistike në Adriatik dhe Mesdhe nuk mund të trajtohet vetëm përmes emocioneve dhe sloganeve.
Po aq shqetësues është fakti se në këto protesta u panë elemente të Islamit politik dhe narrativa ideologjike që nuk kanë asnjë lidhje me mbrojtjen e mjedisit. Shqipëria nuk ka nevojë për ideologji të importuara që e largojnë nga Evropa dhe zhvillimi. Ajo ka nevojë për dije, ekonomi të fortë, investime dhe liri.
Institucionet shtetërore kanë detyrim të hetojnë çdo përpjekje për manipulim politik, ndërhyrje të huaja apo organizime që cenojnë interesat strategjike të vendit. Siguria kombëtare dhe zhvillimi ekonomik janë çështje që kërkojnë seriozitet, jo spektakël politik.
Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke refuzuar çdo investim të madh. Historia e Kosovës duhet të shërbejë si paralajmërim: kur zhvillimi bllokohet për dekada, çmimin e paguan populli përmes varfërisë, emigrimit dhe humbjes së perspektivës.
Shqipëria ka nevojë për mbrojtje të mjedisit, por po aq ka nevojë për zhvillim. Sfida është t’i realizojë të dyja, jo të sakrifikojë njërën në emër të tjetrës.



