
Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina
Nëse do t’i analizonim si pozicionimet ashtu edhe deklarimet qeveritare dhe ato opozitare kosovare rreth çështjes së lidhjes së Kosovës me gazin amerikan, që mori publicitet edhe në fushatë, por edhe në mediet sociale, paraprakisht duhet t’i sqarojmë disa paranteza.
Së pari, sa kam kuptuar nga këndvështrimi i një njohësi të proceseve dhe zhvillimeve globale, rezervat e qeverisë aktuale nuk kanë të bëjnë aq me ndonjë refuzim kategorik të projektit, sa me dyshimet që ajo, si qeveri e majtë, i ka ndaj Korporatave Transnacionale (KTN-ve). Duket se këto dyshime dhe rezerva janë më shumë të natyrës së një fobie politike, madje edhe shprehje e një paradigme antiglobaliste, sovraniste dhe skeptike ndaj kapitalit transnacional. Ndërkaq, të qenit sot antiglobalist nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh edhe qëndrim anti-amerikan.
Së dyti, ky interpretim kërkon disa nuanca e shpjegime sociologjike, ngase opozita projektin e gazit amerikan kryesisht po e percepton përmes prizmit të forcimit të partneritetit strategjik me SHBA-në, pastaj përmes procesit të diversifikimit të burimeve energjetike, si dhe reduktimit të varësisë nga prodhimi tradicional energjetik që ka për bazë thëngjillin. Nga kjo perspektivë, avokimi i një projekti të tillë nga opozita paraqitet i kuptueshëm dhe tejet shqetësues, sepse ai nuk duhet parë vetëm si interes energjetik, por edhe si interes gjeostrategjik për Republikën tonë. Në anën tjetër, ky projekt, në këtë kohë krize, na dëshmon se lidhja e interesave ekonomike ndërmjet shteteve dhe vendeve krijon edhe kushte e interesa gjeopolitike.
Së treti, problemi qëndron në faktin se qeveria aktuale, e njohur si e majtë, këtë tematikë nuk po e trajton përmes “dioptrisë” së opozitës, por përmes një logjike tjetër, asaj ideologjike. Tani, kur një logjikë e tillë ndërlidhet me diskursin e saj publik, shanset për t’u konceptuar, ndër të tjera, si mosbesim ndaj Korporatave Transnacionale (KTN-ve), pastaj si frikë nga ndërhyrja dhe kontrolli i shtuar mbi institucionet e shtetit dhe, sidomos, si shqetësim për krijimin e varësive afatgjata me rreziqe potenciale për sektorët strategjikë, janë më se reale.
Dhe ky pozicionim, në sociologjinë e globalizimit, të cilën e ligjëroj tash e gati dy dekada, njihet si “skepticizëm ndaj globalizimit neoliberal”, pra si dyshim ndaj modelit në të cilin kompanitë shumëkombëshe fitojnë rol dominues në ekonomitë e shteteve të vogla. Së këndejmi, pa dashur ta amnistoj apo avokoj as qeverinë e as opozitën, më korrekte dhe më e saktë do të ishte të thuhej se pozicioni qeveritar është më shumë antiglobalist sesa anti-amerikan. Themi kështu, sepse ajo në prononcimet e saj publike nuk e ka kontestuar, të paktën publikisht, as aleancën strategjike me SHBA-në, as praninë e NATO-s, e as partneritetin politik me institucionet amerikane. Ajo që është kontestuar, edhe publikisht, ka qenë kryesisht modeli i investimeve dhe frika nga ndikimi i kapitalit transnacional në sektorë të caktuar strategjikë të shtetit të Kosovës.
Së katërti, ky qëndrim qeveritar, që në fakt është një pozicion disi dykuptimësh, të cilin në forma të ndryshme e gjejmë edhe te lëvizjet e majta evropiane, por edhe te disa rryma konservatore sovraniste, të cilat e mbështesin Perëndimin politikisht, ndërsa e kritikojnë globalizimin e tij ekonomik. Në fakt, globalizimi ekonomik, i cili pas rikthimit të Donald Trump në skenën politike amerikane po përballet me sfida tejet serioze dhe me një pasiguri të shtuar për drejtimin e tij të ardhshëm, po hyn gradualisht në një fazë të re rikonfigurimi, ku sovranizmi ekonomik dhe proteksionizmi po rikthehen si alternativa të besueshme politike. Kjo është arsyeja pse skepticizmi ndaj globalizimit nuk është më vetëm “monopol” i së majtës politike, por po shfaqet gjithnjë e më shumë edhe në qarqe të caktuara konservatore dhe nacional-sovraniste në botën e sotme.
Megjithatë, kur përdorim togfjalëshin anti-amerikanizëm, ne nënkuptojmë kundërshtimin e drejtpërdrejtë ndaj SHBA-së si fuqi politike, ekonomike, ushtarake, kulturore dhe gjeostrategjike. Pikërisht në këtë kuptim është trajtuar roli global i Amerikës edhe nga sociologu dhe politologu i njohur amerikan, Zbigniew Brzezinski. Paradoksi dhe keqkuptimi qëndrojnë në faktin se në Kosovë shpeshherë çdo mospajtim me ndonjë projekt amerikan ngatërrohet dhe interpretohet automatikisht si anti-amerikanizëm.
Së pesti, nëse e abstrahojmë çështjen e refuzimit të projektit të gazit amerikan nga qeveria e Kosovës, mund të thuhet se ai më tepër reflekton një kulturë politike sovraniste dhe antiglobaliste, e cila shfaq rezerva dhe mosbesim ndaj rolit të korporatave transnacionale në sektorët strategjikë të shtetit.
P.S. Sfida kryesore për Kosovën, në gjykimin tim, mbetet nëse një qasje e tillë arrin ta ruajë sovranitetin ekonomik pa cenuar perceptimin e partneritetit strategjik me SHBA-në. Pikërisht në këtë pikë ndodhet edhe ajo dilema “hamletiane”: si të balancohet nevoja për autonomi ekonomike me domosdoshmërinë e ruajtjes së aleancës strategjike me Amerikën, në një botë ku asgjë nuk është ashtu siç ishte në vitin 1999…


