ARKIVI:
24 Prill 2026

Problemi lindë kur feja instrumentalizohet, duke rënë ndesh me interesin e shtetit dhe kombit, intervistë me Profesor Kolë Krasniqin, ekspertin e njohur të sigurisë

Shkrime relevante

Së shpejti vije filmi Dokumentar i historianit Jusuf Buxhovi “Masakra e Tivarit”

Mentor Haziri, regjisor ____ Filmi Dokumentar i bazuar në tekstin e historianit dhe...

Testamenti i Qosjes, një shkrim i shkurtër, por me një peshë të jashtëzakonshme kuptimore për kulturën shqiptare

Lis Bukuroca, Gjermani Fjala e fundit e Rexhep Qosjes Gati para dhjetë viteve,...

“Republika e tretë” e Albin Kurtit, kulmim i sovranitetit apo fillim i një konflikti të rrezikshëm në Ballkan?

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog, Prishtinë (Kjo ese synon të analizojë konceptin...

Shpërndaj

Në foto: Iftar politik, që ose shtrohen prej të huajve, ose nga paratë e taksapaguesve të shtetit të Kosovës.
Profesor Kolë Krasniqi
___
Intervistë me Kolë Krasniqin, ekspertin e njohur të sigurisë, për librin tim “Shqiptarët në luftë me Islamin Global”.
PROBLEMI LINDË KUR FEJA INSTRUMENTALIZOHET SI PLATFORMË PËR ZBEHJEN E VETËDIJES KOMBËTARE, DHE QË BIE NDESH ME INTERESIN  E SHTETIT DHE KOMBIT
Kolë Krasniqi është jurist dhe studiues i së drejtës penale dhe shkencave të sigurisë, me fokus në kriminalitetin politik, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Studimet universitare dhe pasuniversitare i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa gradën shkencore Doktor i Shkencave Juridike (Dr. iur.) e ka fituar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Vjenës. Është autor i disa librave dhe studimeve shkencore të botuara në Prishtinë, Tiranë dhe New York, përfshirë edhe një monografi mbi ekstremizmin islamik në vendet e Ballkanit Perëndimor, botuar nga Springer. Veprimtaria e tij shkencore karakterizohet nga qasja ndërdisiplinare dhe analiza krahasuese juridike e çështjeve të sigurisë bashkëkohore.
Kompetenca e tij për temën shikuar dhe vlerësuar nga aspekti i sigurisë kombëtare, ishte arsyeja kryesore e intervistës met ë për këtë libër.
 

Ju e keni shkruar librin studimor “Paraqitja dhe zhvillimi i ekstremizmit islamist në Kosovë dhe vendet e rajonit”. Meqenëse libri e trajton një temë të ndjeshme, mjaft të heshtur ndër ne, a mund të tregoni se si është pritur ky libër nga lexuesit?

Kolë Krasniqi: Libri është pritur me interes të madh, por edhe me reagime të ndryshme, gjë që është e kuptueshme kur trajtohet një temë kaq e ndjeshme. Një pjesë e lexuesve e kanë vlerësuar si një ndihmesë serioze për ta kuptuar më thellë një dukuri që për vite të tëra është anashkaluar, relativizuar ose heshtur. Të tjerë, natyrisht, e kanë parë me rezervë, sepse tema prek bindje, identitete dhe interesa të ndryshme. Për mua, vetë fakti që libri ka nxitur debat publik, akademik e qytetar, dëshmon se ai ka prekur një plagë reale shoqërore, e cila nuk mund të trajtohet me heshtje, por vetëm me dije, argument dhe përgjegjësi.

Për librin kishin shkruar edhe njerëz të njohur për qëndrime kundër çlirimit të Kosovës, si Olsi Jazexhi nga Tirana. Si e shihni këtë?

Kolë Krasniqi: Kur një libër i tillë provokon reagime edhe nga persona që mbajnë qëndrime të kundërta me interesin kombëtar shqiptar ose me orientimin euro-atlantik të Kosovës, kjo vetëm sa tregon se tema ka peshë. Unë nuk e shoh librin tim si tekst për të kënaqur ideologji apo kampe politike, por si studim që ngre pyetje serioze mbi ndikimet radikale dhe instrumentalizimin e fesë për qëllime jofetare. Për figurën e Olsi Jazexhiut, unë do të isha i kujdesshëm në etiketim personal; megjithatë, është e dokumentuar se ai ka mbajtur qëndrime publike fort kritike ndaj NATO-s dhe ndaj shtetësisë së Kosovës, ndërsa në një raport rajonal mbi dezinformimin në Ballkan përmendet si zë me prirje anti-perëndimore dhe anti-NATO. Kjo e bën edhe më të qartë faktin se reagimi i tij ndaj librit tim nuk është vetëm i natyre akademike, por krejtesisht radikale fetare dhe ideologjike.

Unë e kam lexuar këtë libër, që analizon një dukuri të rrezikshme antikombëtare të islamizimit të kombit, dhe e vlerësoj si ndihmesë për ta kuptuar një lloj “pushtimi të brendshëm” në rrethana lirie. Si e komentoni këtë?

Kolë Krasniqi: Unë do të përdorja gjuhë të kujdesshme shkencore, por thelbi i shqetësimit është real: kur nën petkun e religjionit depërtojnë ideologji që relativizojnë identitetin kombëtar, historinë, orientimin perëndimor dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, atëherë kemi të bëjmë me një problem serioz të sigurisë kulturore, shoqërore dhe kombëtare. Nuk është fjala për fenë si besim personal, sepse feja në vetvete është e drejtë themelore. Problemi lind kur feja instrumentalizohet si platformë për zbehjen e vetëdijes kombëtare dhe për ndërtimin e lojaliteteve transnacionale ideologjike, që bien ndesh me interesin e shtetit dhe të kombit.

Për islamizimin e kombit ka shkruar edhe Ibrahim Kelmendi, sidomos në librin e tij “Islami, religjion agresiv (?!).” Si e shihni këtë kontribut?

Kolë Krasniqi: Çdo autor që e ngre këtë temë për debat publik, në mënyrë të argumentuar, i bën një shërbim vetëdijesimit kombëtar. Natyrisht, autorët mund të kenë dallime në qasje, në gjuhë, në theksime apo në përfundime. Por me rëndësi është që fenomeni i radikalizmit dhe ekstremizmit fetar të mos mbeten tabu. Në shoqëri demokratike, temat e ndjeshme nuk duhen heshtur, por duhen trajtuar me argumente, me burime dhe me guxim intelektual. Në këtë kuptim, edhe kontributet që vijnë nga kënde të ndryshme janë të vlefshme, për aq sa ndihmojnë në ndriçimin e problemit.

Rreth përmbajtjes së librit kishte folur gjerë e gjatë para xhematit edhe një imam në Prishtinë, duke propozuar madje që libri të lexohet dhe duke paralajmëruar padi penale ndaj jush. A nuk mund të jetë një ligjërim i tillë nxitës dhe potencialisht i rrezikshëm për autorin?

Kolë Krasniqi: Këtu duhet bërë dallimi mes së drejtës për kritikë dhe krijimit të një klime stigmatizuese. Në një shoqëri demokratike, kushdo ka të drejtë ta kritikojë një libër, ta kundërshtojë, madje edhe ta sulmojë me argumente. Por kur një autor paraqitet para një audience të mobilizuar fetarisht me etiketime si “i rrezikshëm”, “islamofob”, “armik” ose të ngjashme, atëherë lind rreziku që kritika të mos mbetet më vetëm debat, por të prodhojë atmosferë presioni, linçimi moral apo edhe rrezik konkret për sigurinë personale. Unë nuk dua të paragjykoj qëllimin subjektiv të askujt pa prova të plota, por në aspektin profesional të sigurisë, ligjërime të tilla mund të kenë efekt nxitës te dhunës politike, sidomos kur zhvillohen para një audience të ndjeshme dhe të indoktrinuar. Kjo është arsyeja pse figurat publike dhe fetare duhet të kenë kujdes dhe përgjegjësi shumë të madhe për fjalët e tyre.

A jeni paditur dhe prej kujt?

Kolë Krasniqi: Po, jam paditur nga Hoxha Husamedin Abazi dhe organizata islamike AKEA, të lidhura ngushtë me qarqe të caktuara politike turke dhe arabe, të cilët kanë kërkuar ndalimin e librit tim përmes rrugëve gjyqësore.
Ky nuk është thjesht një veprim juridik – është një përpjekje e hapur për censurë fetare dhe për të mbyllur gojën e një autori që trajton një realitet të pakëndshëm për struktura të caktuara ideologjike.
Por sipas provave te administruara materiale Gjykata Themelore në Pejë i ka rrëzuar të gjitha pretendimet e paditesve si të pabazuara. Pra, tentativa për ta ndaluar librin tim ka dështuar në instancën e parë. Aktualisht, çështja ndodhet në Gjykatën e Apelit.
Gjatë kësaj kohe, përveç padisë, kam qenë objekt i një fushate të vazhdueshme presioni: kërcënime verbale, etiketime dhe përpjekje për delegjitimim publik. Kjo nuk është kritikë – kjo është strategji e qarte presioni dhe frikësimi.
Në rastin konkret, kur munguan argumentet për ta rrëzuar librin tim, filluan kërcënimet dhe sulmet masive verbale, si dhe ankesat e drejtpërdrejta në universitet dhe pranë ambasadës austriake (duke e ditur që jam shtetas austriak), me qëllim ushtrimin e presionit dhe frikësimit, në mënyrë që të ndikonin në ndërprerjen e punës sime shkencore në shërbim të së vërtetës dhe të interesit kombëtar.
Kjo çështje nuk është dhe nuk duhet trajtuar vetëm çështje personale, por si një provë serioze për shtetin dhe shoqërinë kosovare:
a do të lejojmë që grupe të caktuara interesi – çfarëdo qofshin ato – të imponojnë heshtje përmes presionit dhe keqpërdorimit të padive, apo do të mbrojmë lirinë e mendimit, të kërkimit dhe të argumentimit shkencor?
Unë nuk do të tërhiqem. Sepse librat nuk ndalohen me padi – ata kundërshtohen me libra të tjerë, me argumente dhe me dije.
 

Ju merreni me temat e sigurisë. Si i shihni këto probleme me islamizimin, pasi nuk rrezikohet vetëm ndonjë individ, por një komb i tërë, historia, kultura dhe traditat e tij?

Kolë Krasniqi: Kjo është pikërisht arsyeja pse unë e kam trajtuar këtë temë jo si problem thjesht fetar, por si problem të sigurisë kombëtare, të kohezionit shoqëror dhe të identitetit kulturor. Kur zbehet kujtesa historike, kur relativizohet përkatësia kombëtare, kur sulmohen figurat, simbolet dhe trashëgimia jonë, dhe kur promovohet një identitet ideologjik mbi identitetin kombëtar, atëherë rreziku nuk është individual, por kolektiv. Në plan afatgjatë, kjo mund të prodhojë polarizim, vetëkolonizim kulturor dhe dobësim të shtyllave themelore të shtetit.
 

A keni menduar rreth etiketës se “ne i takojmë 3% të popullsisë”? A nuk është ky një etiketim përjashtues?

Kolë Krasniqi: Po, kam menduar shumë për këtë. Etiketimi i shqiptarëve të besimit katolik si “3%”, ose çdo formulë tjetër që nënkupton ndarjen e popullsisë shqiptare në baza fetare, është problematik. Formula të tilla nuk janë të pafajshme; ato mund të përdoren si mjete psikologjike dhe propagandistike për të krijuar ndjenjë inferioriteti, veçimi ose përjashtimi të komunitetit katolik.
Nëse një diskurs i tillë futet gradualisht në gjuhën publike dhe në vetëdijen e njerëzve, atëherë kemi të bëjmë me një përpjekje për ta ripërkufizuar shoqërinë kosovare sipas një matrice fetare, e jo sipas historisë dhe identitetit të saj real kombetar.
A mund të lidhet ky diskurs me ndikime të “Vëllazërisë Myslimane”?
Kolë Krasniqi: Në plan teorik dhe historik, organizata “Vëllazëria Myslimane” përbën një nga lëvizjet më me ndikim në zhvillimin e islamizmit politik modern. E themeluar në Egjipt, në vitin 1928, nga Hassan al-Banna, ajo ka artikuluar një ideologji që synon integrimin e fesë në sferën politike dhe shoqërore, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në shumë rryma islamiste në nivel global.
Pas rrëzimit të Mohamed Morsi, kjo organizatë u ndalua në Egjipt, ndërsa gjykatat egjiptiane e konfirmuan këtë ndalim, duke reflektuar tensionin e vazhdueshëm ndërmjet konceptit të shtetit laik dhe projekteve ideologjike me bazë fetare.
Në kontekstin e Kosovës dhe, përgjithësisht, të Ballkanit Perëndimor, ndikimet ideologjike të kësaj natyre nuk manifestohen domosdoshmërisht përmes strukturave formale organizative, por më shpesh përmes mekanizmave të butë të depërtimit: rrjeteve informale, literaturës ideologjike, financimeve të jashtme, programeve arsimore dhe ligjërimeve fetare që bartin narrativa të ngjashme doktrinare.
Në raste të caktuara, këto ndikime shoqërohen me strategji propagandistike dhe me nxitje të përçarjeve fetare, duke synuar gradualisht ndërtimin e një identiteti fetar-politik që konkurron dhe, në disa raste, zëvendëson identitetin kombëtar dhe kulturor të shoqërive përkatëse. Ky proces, në terma analitikë, mund të interpretohet si një përpjekje për rikonfigurim ideologjik të popullates shqiptare muslimane, në përputhje me modele të caktuara të islamizmit politik.
Prandaj, kur në hapësirat shqiptare shfaqen narrativa që relativizojnë përkatësinë kombëtare, theksojnë një lojalitet fetar transnacional dhe prodhojnë ndarje apo tensione ndërfetare, këto dukuri nuk duhet të neglizhohen. Përkundrazi, ato duhet të trajtohen me prioritet si objekte legjitime të analizës shkencore, të shqyrtohen me metoda kritike dhe të demaskohen në mënyrë të argumentuar në diskursin publik dhe akademik.

Si profesor i së drejtës penale dhe i çështjeve të sigurisë, a mendoni se politika kombëtare ka qenë e gabuar, duke i lëshuar shteg islamizimit të kombit për interesa të huaja gjeostrategjike?

Kolë Krasniqi: Po, mendoj se në shumë raste politika jonë ka qenë ose naive, ose oportuniste, në disa raste edhe e kapur nga interesa të ngushta apo e painteresuar për ta kuptuar thellësinë reale të këtij problemi. Në emër të një tolerance të keqkuptuar, të kalkulimeve afatshkurtra politike, të ndikimeve të jashtme apo të një mungese serioze të kapaciteteve institucionale, është lejuar depërtimi i ndikimeve që nuk kanë ardhur për ta forcuar shoqërinë shqiptare, por për ta indoktrinuar atë në aspektin ideologjik.
Kjo, megjithatë, nuk nënkupton se çdo shprehje e fesë përbën problem; përkundrazi, liria e besimit është një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike. Problemi real ka qenë paaftësia institucionale dhe politike për ta bërë dallimin e qartë ndërmjet besimit si e drejtë individuale dhe projekteve radikale dhe ekstremiste që e instrumentalizojnë fenë për qëllime politike, sociale apo gjeostrategjike.
 

A mund të bëhet diçka për ndalimin e këtij islamizimi antishqiptar?

Kolë Krasniqi: Po, mund dhe duhet të bëhet shumë. Së pari, duhet forcim i arsimit kombëtar dhe i edukimit kritik, që të rinjtë të mos bien pre e propagandës. Së dyti, duhen institucione serioze të sigurisë, që të dallojnë qartë mes praktikimit të lirë të fesë dhe veprimtarisë radikale, indoktrinuese apo subversive. Së treti, duhet mbështetur debati i lirë intelektual, pa frikësim dhe pa censurë morale. Së katërti, duhet promovuar identiteti shqiptar në harmoninë e tij tradicionale: komb, kulturë, histori, gjuhë dhe trashëgimi evropiane. Dhe së fundi, ligji duhet të veprojë ndaj çdo forme të nxitjes, radikalizimit, financimit të errët dhe veprimtarisë që cenon rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare.
Zgjidhja nuk është urrejtja ndaj askujt, por kthjelltësia kombëtare, përgjegjësia shtetërore dhe guximi për ta emërtuar problemin me emrin e tij.
Kolë Krasniqi: Po, mund dhe duhet të bëhet shumë. Së pari, duhet forcim i arsimit kombëtar dhe i edukimit kritik, që të rinjtë të mos bien pre e propagandës. Së dyti, duhen institucione serioze të sigurisë, që të dallojnë qartë mes praktikimit të lirë të fesë dhe veprimtarisë radikale, indoktrinuese apo subversive. Së treti, duhet mbështetur debati i lirë intelektual, pa frikësim dhe pa censurë morale. Së katërti, duhet promovuar identiteti shqiptar në harmoninë e tij tradicionale: komb, kulturë, histori, gjuhë dhe trashëgimi evropiane. Dhe së fundi, ligji duhet të veprojë ndaj çdo forme të nxitjes, radikalizimit, financimit të errët dhe veprimtarisë që cenon rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare.
Zgjidhja nuk është urrejtja ndaj askujt, por kthjelltësia kombëtare, përgjegjësia shtetërore dhe guximi për ta emërtuar problemin me emrin e tij.
Jo vetëm në Kosovë, por të thuash në mbarë hapësirat ku jetojnë shqiptarët, qoftë në Shqipëri apo Maqedoninë Veriore, janë të huajt, kryesisht Turqia e sotshme që i bënë meremetimet e ndërtimet religjioze sikur të investonte në ndonjë “vilajet të saj të dikurshëm osman”. Si i përgjigjesh kësaj si ekspert i sigurisë, kur investimet e tilla bëhen për interesat gjeostrategjike të atyre që investojnë e jo për “ty”, për “mua” apo për tjetrin?
Kolë Krasniqi: Nga një këndvështrim i studimeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, investimet e aktorëve të jashtëm në hapësirat shqiptare – përfshirë edhe ato në infrastrukturën fetare, nuk mund të interpretohen në mënyrë naive si veprime thjesht filantropike apo humanitare. Në realitet, asnjë shtet nuk investon në një rajon të caktuar për arsye sentimentale, fetare apo nostalgjike. Investimet janë pjesë e strategjive të mirëkalkuluara të projektimit të fuqisë së butë (soft power), të cilat synojnë krijimin e lidhjeve afatgjata kulturore, ideologjike dhe, mbi të gjitha, politike. Në këtë kuptim, këto investime duhet të analizohen brenda kornizës së instrumenteve të ndikimit të butë dhe të projeksionit gjeopolitik e strategjik të Turqisë në Kosovë dhe në përgjithësi në hapësirat shqiptare, të cilat paraqesin rëndësi të veçantë për interesat e saj gjeopolitike. Gjatë dy dekadave të fundit, politika e jashtme turke është karakterizuar nga një përpjekje e artikuluar për rritjen e ndikimit në Ballkan, shpesh e konceptuar në literaturë si një formë e neo-osmanizmit. Kjo qasje lidhet ngushtë me vizionin strategjik të Ahmet Davutoğlu, të artikuluar në veprën e tij The Strategic Depth, ku Ballkani trajtohet si një hapësirë me rëndësi historike, kulturore dhe gjeopolitike për Ankaranë. Investimet në objekte fetare, restaurimi i trashëgimisë osmane dhe ndërtimi i infrastrukturës religjioze duhet të analizohen si pjesë e përpjekjeve të Turqisë për të konsoliduar dhe zgjeruar ndikimin e saj në hapësirat shqiptare, në kuadër të konkurrencës më të gjerë gjeopolitike në Ballkan. Në raste të caktuara, këto investime mund të shoqërohen edhe me prodhimin e narrativave që synojnë relativizimin e orientimit perëndimor, përfshirë diskurse të tipit: “Evropa nuk ju pranon sepse jeni myslimanë”, të cilat kanë potencial të nxisin mosbesim dhe polarizim identitar. Në këtë kontekst, problemi nuk qëndron vetëm te vetë investimi fetar, por te mungesa e vullnetit dhe e kapaciteteve shtetërore për të bërë një dallim të qartë ndërmjet mbështetjes legjitime për ushtrimin e lirisë fetare, si e drejtë themelore kushtetuese, dhe projekteve që synojnë ndikim ideologjik, përkatësisht instrumentalizimin e fesë islame për qëllime strategjike dhe gjeopolitike. Prandaj, sfida kryesore nuk është ndalimi i bashkëpunimit apo i investimeve fetare si të tilla, por ndërtimi i mekanizmave institucionalë që garantojnë se feja nuk shndërrohet në instrument ndikimi politik apo në kanal për tjetersim ideologjik të shoqërisë shqiptare. Në këtë kuptim, nuk është metodologjikisht e saktë të pretendohet se çdo investim i Turqisë apo i ndonjë aktori tjetër është domosdoshmërisht problematik. Megjithatë, është po aq e pasaktë – dhe potencialisht e rrezikshme – të injorohet fakti se çdo investim ndërkombëtar është i lidhur me interesa strategjike të investitorit. Kështu, BE-ja dhe SHBA-të, në parim, operojnë përmes mekanizmave institucionalë që synojnë stabilitetin, demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik; ndërsa aktorë të tjerë – përfshirë Serbinë, Rusinë, Turqinë apo Iranin –ndjekin qasje më të drejtpërdrejta të ndikimit gjeopolitik, të cilat në raste të shumta përfshijnë edhe instrumentalizimin e faktorëve fetarë dhe identitarë. Prandaj, si përfundim, përgjigjja duhet të jetë e qartë dhe parimore: shtetet dhe shoqëritë shqiptare duhet të ndërtojnë kapacitete sovrane rregullatore dhe analitike, në mënyrë që të mirëpresin investimet që respektojnë rendin kushtetues dhe identitetin pluralist, por njëkohësisht të parandalojnë çdo formë të ndikimit që synon riformësimin ideologjik, krijimin e varësisë politike apo penetrimin gjeostrategjik. Në fund, çështja nuk duhet reduktuar në pyetjen “kush investon”, por duhet të trajtohet në mënyrë shumë më substanciale – çfarë ndikimi afatgjatë prodhon ky investim mbi identitetin, orientimin politik dhe sigurinë kombëtare të shoqërisë shqiptare.
Intervistoj: Gjergj – Bajram Kabashi

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu