
Fjala e fundit e Rexhep Qosjes
Gati para dhjetë viteve, Rexhep Qosja paska shkruar testamentin e tij: një shkrim i shkurtër, por me një peshë të jashtëzakonshme kuptimore për kulturën shqiptare. Me pak rreshta, ai kishte shprehur një qëndrim të prerë në disa drejtime: raportin me dijen, fenë, politikën dhe etikën publike.
Qysh në fillim, Qosja vendos në qendër mendimin shkencor dhe ngritjen shpirtërore duke i dhënë përparësi arsyes përballë besimit të verbër. Ai shpreh një qëndrim të qartë kundër rolit të klerikëve që predikojnë vetëm të besuarit, por aspak të menduarit racional, prandaj e ka ndaluar pjesëmarrjen e tyre.
Një tjetër fakt i rëndësishëm është përjashtimi edhe i politikanëve nga varrimi i tij. Edhe pse gjatë jetës ka shprehur simpati për individë të caktuar, në fund ai vendos një kufi: politika nuk duhet të instrumentalizojë dhe keqpërdorë as vdekjen. Ky është një refuzim i qartë i kulturës së spektaklit dhe i përdorimit të figurave publike për kapital politik.
Për shembull,te ne, si askund në Europë, bëhen sfilata para varrit të Ibrahim Rugova, dhe aty fotografohen edhe kundërshtarët e tij të djeshëm, për të përfituar kapital për vete nga i ndjeri, jo pse e duan.
Kjo është një nekrofili; ndoshta si nocion nuk është aq i përshtatshëm, por paturpësia ka kaluar çdo kufi moral.
Në atë testament, Qosja refuzon shndërrimin e varrimeve në skena publike vetë-promovimi – me fjalime, fotografi dhe rituale që synojnë më shumë imazhin personal sesa respektin për të ndjerin.
Aty mund të bëhet një krahasim me ritualet në Gjermani, ku ceremonitë mortore ruajnë një etikë të fortë të privatësisë dhe dinjitetit. I paftuari, nuk mund të marrë pjesë. As në dasmë, as në ceremoni mortore.
Sa për ilustrim, Helmut Kohl apo Günter Grass trajtohen me një respekt institucional dhe qytetar, por nuk lejohet banalizimin e hapësirës mortore për qëllime personale apo mediatike.
Për personalitete mbahen akademi përkujtimore, në amfiteatër apo para një publiku të zgjedhur, jo fotografi te varri.
Qosja ka nënvizuar mospajtimin me ndikimet e jashtme, me profetët e huaj dhe me predikimin e prapambetjes si program themelor për rrënimin e identitetit nga kultura të huaja.
Ai sugjeron se imitimi i profetëve të huaj shpie në deformim të vetëdijes kolektive dhe në humbje të autenticitetit kulturor. Të identitetit. Pra të mos ndryshohemi si do njeriu, por të mbetemi si na krijoi natyra apo zoti. Me liri për të menduar, dyshuar dhe për vepruar.
Qosja mbetet një nga intelektualët më ndikues të hapësirës shqiptare për dekada, një autor që ka kontribuar thellësisht në kritikën letrare, historinë e letërsisë dhe publicistikën. Ai ishtr edhe si një kompas moral që ka vendosur standarde për sjelljen publike dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.
Rexhep Qosja ka luajtur edhe një rol mobilizues në rezistencën tonë politike në ish-Jugosllavia, veçanërisht para dhe pas protestave të vitit 1981.
Nuk e harroj kurrë: gjersa po kalonim pranë Institutit Albanologjik, ai nga ballkoni na vështronte. Aty pata menduar: ndoshta është krenar që po sheh rezultatin e vet. Nëse po, ka pasur të drejtë të ndihej ashtu, unë e besoj edhe sot. Ai për ne, si studentë, ishte ndriçuesi nacional dhe moral.
Ajo periudhë dëshmon se shtetet që ushtrojnë diskriminim sistematik ndaj një komb, ia garantojnë vetvetes rrënimin.
Në fund, pavarësisht largimit fizik, Rexhep Qosja do të mbetet gjithmonë këtu. Dhe, mënyra se si ai e dëshiroi largimin e tij është pjesë e mesazhit që ai lë pas.
Unë e falënderoj për kënaqësinë që më ka dhuruar gjatë leximit të veprave të tij.
U lind për të menduar, për të krijuar dhe për të lënë veprën e vet përgjithmonë këtu.
Kjo nuk është pak. Kjo është monumentale.
Dhe, u largua si iluminist…


