ARKIVI:
1 Maj 2026

Elita e heshtur intelektuale dhe sundimi i mediokritetit

Shkrime relevante

Zëri i Rugovës, fryma e trojeve tona!

Sak Muji, Rugovë ⸻ BESËLIDHJA E RUGOVËS – DRELAJ, 1972 Besa, fjala dhe burrnia...

Elita e heshtur intelektuale dhe sundimi i mediokritetit

Luljeta Pula, Prishtinë Një komb rrënohet kur ai humb Elitën. Dhe ne...

Kuvendi i Kosovës, “fabrikë” procedurash apo varr i vendimmarrjes? 

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina ____ Dilema që po më provokon...

Shtetin duhet ta drejtojnë ata që e duan me shpirtë dhe zemër atdheun e tyre!

Florim Zeqa Duke qenë dëshmitar që të gjitha partitë pa dallim, nuk...

Pani-i me OVL e tij falsifikatorë të historisë!

(Vijon nga "Penalizimi i qëllimshëm i Kolonel Rrustem Berishës") Idriz Zeqiraj, Gjermani ____  ...

Shpërndaj

Luljeta Pula, Prishtinë

Një komb rrënohet kur ai humb Elitën. Dhe ne sot nuk jemi pa Elitë. Kemi diçka më të rrezikshme se kaq. Kemi në vepër një elitë të rreme. Çdo shoqëri e shëndetshme ka inteligjencien e vet. Dhe elitën e saj udhërrëfyese. Sepse ajo përfaqëson dijen, integritetin, sakrificën e vizionin. Sepse ajo është në ballë të proceseve. Dhe ajo tërheqë përpara kombin.

Dhe ajo, ngritet mbi të tjerët, jo me forcë por me vlerë. Por kur ajo hesht, pra kur elita e frikësuar, oportuniste e konformiste hesht , atëherë në vend të saj ngrihet mediokriteti. Sepse ka një heshtje që është më e rëndë dhe më e frikshme se çdo fjalë e gabuar. Është heshtja e atyre që nuk flasin kur heshtja vret. Kur në krye dalin jo më të diturit , por më të zhurmshmit. Jo më të ndershmit, por servilët. Jo ata që ndërtojnë , por ata që përfitojnë. Atëherë fillon rrëshqitja e kombit. Elita intelektuale shqiptare, elita pra, ndërgjegja kritike e kombit, sot duket e mpirë, e frikësuar, ose edhe më keq, e përshtatur me rrethanat.

Nuk ka më zë që udhëheq, ka vetëm një hije që ndjek. Sepse sot meritokracia nuk shpërblehet, ajo ndëshkohet. Të aftët skajohen e margjinalizohen dhe injorohen. Të ndershmit përjashtohen. Dhe të diturit heshten dhe shpërfillen. Përderisa mediokriteti organizohet, mbështetet dhe ngrihet në sistem. Dhe kjo nuk është rastësi. Kjo është një ngrehinë dhe një strukturë që ushqehet me dobësinë. Kështu krijohet një rreth vicioz. Sa më shumë mediokritet në krye , aq më pak vend për vlera. Sa më pak vlera , aq më larg ata që i kanë ato. E sa më shumë ikin vlerat aq më lehtë sundon medikoriteti. Në fund nuk mbetet më konkurrencë.

Mbetet vetëm një boshllëk i maskuar si elitë. Elita e rreme , është korrupsion, dhe një nga format më të rrezikshme të tij. Sepse ajo vjedh të ardhmen. Ajo deformon standardet, ajo shkatërron shpresën , ajo e mëson shoqërinë ta pranojë të keqen si normalitet. Ku është guximi për të rrëzuar elitën e rreme ? Sepse kombi që pranon mediokritetin në krye nuk është viktimë. Ai është bashkëfajtor në rënien e vet. Sepse , njerëz me vlerë e mendje të ndershme, ka akoma . Dhe ka zëra që nuk janë shitur. Por heshtja e tyre nuk mjafton.

Mediokriteti nuk bie vetë, ai duhet sfiduar. Me zë e me guxim. Dua të them patjetër, se intelektuali dhe inteligjencia e mirëfilltë nuk nënkupton domosdo njerëz të shkolluar e të ditur, njerëz të aftë e të arsimuar. Por mbi të gjitha ata që kanë guximin intelektual dhe kombëtar t’a thonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Pavarësisht rrethanave dhe rreziqeve, dhe pavarësisht çmimit. Njerëz me dinjitet e integritet moral dhe kombëtar, njerëz që janë të gatshëm të shkojnë edhe kundër rrjedhës, kur këte e kërkon nevoja, kur këte e kërkon interesi i lartë i kombit dhe atdheut. Në rrugëtimin tonë të gjatë e të mundimshëm , drejt lirisë dhe pavarësisë, inteligjencia jonë, pra elita jonë intelektuale, jo gjithmonë ka qenë në rrugën e duhur dhe në nivel të detyrës.

Natyrisht, nuk ka qenë e lehtë, përballë atij regjimi vrastar, i cili nuk ka hezituar të heshtë e të ndëshkojë zërat individual kundërshtues. Por jo edhe nëse këta zëra nuk do të mbeteshin të vetmuar, e të flisnin në kor. Mbaj mend mobilizimin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të elitës intelektuale të Kosovës, më 1968. Ata pra, elita e asaj kohe, ngriti zërin fuqishëm për të kërkuar për Kosovën të drejtën e saj të ligjshme për vetëvendosje dhe Republikë. Si rezultat i kësaj fryme, dhe demonstratave të 1968, Kosova fitoi Universitetin më 1970, dhe klimën për miratimin e Kushtetutës së 1974. Më pas ndodhën demonstratat e vitit 1981.

U dëgjuan në atë kohë shumë vlerësime në masë për ngjarjet e 1981. Disa nga ato nga eksponentë të dëgjuar të politikës kosovare, me ndikim në atë kohë. Natyrisht shqiptarë. Ata dhe disa , them unë kuaziintelektualë, arritën t’a plasojnë tezën , idenë dhe përceptimin , se ato ishin produkt i agjenturave të huaja antishqiptare, të mbështetura nga sërbët. Dhe se ky nuk ishte reagimi i popullit shqiptar. E as vazhdim i përpjekjeve tona për liri, drejtësi dhe vetëvendosje e Republikë. E quanin këtë frenim të lëvizjeve progresiste, dhe kthim prapa të Kosovës. Natyrisht këto kuaziteza të çoroditura, ishin përdhosje dhe zhvlerësim i një vetëdijeje të plotë kolektive, dhe një zhvleftësim i intelektit kombëtar.

Dhe nuk mbaj mend, asnjë nga intelektualët e dëgjuar nacional, të ketë dalur në atë kohë, për t’a kundërshtuar me argumente, këtë blasfemi. Sepse të mendosh se armiqtë manipuluan me vullnetin e popullit tënd, për ta kthyer ate kundër vetë popullit, është një tallje me intelektin e popullit dhe me vetë mendjen e tij. Dhe poshtërim i gjithë asaj sakrifice , dhe gjithë viktimave të viteve 80 e veçanërisht 81. -it. Inteligjencia e asaj kohe, megjithate në heshtje i mbështeti demonstratat e 81-it. Por ama në heshtje. Dhe dënoi dhunën e pashembullt e cila pasoi pas kualifikimit të saj si kundërrevolucion. Natyrisht dënoi edhe ndëshkimin që iu bë në masë kryesisht intelektualëve, me të ashtuquajturin diferencim ideo-politik.

Por, atëherë, pra më 1981, e tërë rezistenca e elitës intelektuale bëhej në heshtje. Dhe heshtja nuk mjaftonte. Nuk pati sa kujtoj unë, as edhe një prononcim të zëshëm kundër kualifikimit monstruoz të tyre si kundërrevolucion, në emer të të cilit pasoi dhunë e tmerrshme kundër gjithë popullit të Kosovës. Më kujtohet sot renditja e akademikëve të Kosovës, si nxënës , të dirigjuar nga regjimi, për t’i dënuar demonstratat e 81-it. Përveç dyve nga ata, të cilët nuk e pranuan këtë poshtërim. Pasoi marrja me dhunë e autonomisë së Kosovës më 1989. Roli i inteligjencisë në kundërshtimin e ndryshimeve kushtetuese të Kosovës, edhe në atë kohë ishte i vakët e modest. Kishte zëra individualë që kundërshtonin suprimimin e autonomisë, por ata nuk mjaftonin.

Ashtu siç kishte zëra të intelektualëve të rëndësishëm e të dëgjuar, që u vunë në shërbim të pushtetit duke thënë se Kosova me këto ndryshime kushtetuese nuk humbë asgjë. Duke e humbur kështu autoritetin e tyre profesional, kredibilitetin dhe integritetin e tyre moral dhe kombëtar. Jo se mund të ndryshonte diçka me kundërshtimin, edhe po të kishte prononcime intelektuale në masë. Por një qëndrim vertikal i elitës intelektuale në atë kohë, do të mbante të ngritur moralin e popullit, dhe do të inkurajonte luftën për mëvehtësinë e Kosovës. Po, dua të them edhe ca fjalë për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe rolin e saj në proceset politike në Kosovë. Ajo pra, Akademia , nuk qe asnjëherë në krye të detyrës.

Ata njerëz që quheshin njerëzit më të ditur në vend, nuk u dëgjuan kurrë e me kohë , të ngrinin zërin për çfarëdo që ndodhte në Kosovë. Nuk u dëgjuan kurrë të merrnin anën e së mirës, përveç disa zërave të rrallë individualë. Nuk u dëgjuan kurrë të prononcoheshin për shumë çështje delikate, që lidheshin me Lëvizjen politike të Kosovës. Nuk u dëgjuan kurrë të kishin një qëndrim të formësuar, këmbëngulës, e të vendosur , duke u rreshtuar drejt asaj që ishte interes i Kosovës. Nuk folën e nuk kritikuan atëherë kur duhej kritikuar, një varg dukurishë negative e hasmërishë politike që reflektoheshin edhe në frontin e luftës!

E që dëmtonin kauzën tonë kombëtare. Nuk mbaj mend të kenë dalë ndonjëherë, me një ide të qartë për të ardhmen e Kosovës, të kenë propozuar strategji e taktika të caktuara të Lëvizjes, siç bënin homologët e tyre sërbë kundër shqiptarëve. Nuk mbaj mend të kishin propaganduar Këshillin e Shpëtimit Kombëtar, e moratoriumin e partive politike, kur lufta ishte në prag. Nuk mbaj mend të ishin ngritur kundër përçarjeve të krerëve më të lartë të Lëvizjes, përçarje që helmonin jo vetëm popullin, por edhe luftëtarët e lirisë.

Kjo Akademi, do duhej të ishte në parim, burim i ideve, prijatare dhe nismëtare e proceseve politike në vend, dhe jo të qëndronte në bisht të tyre. Nuk mbaj mend paraqitje të vlefshme të këtij institucioni, pra Akademisë, përveç disa zhgarravitjeve stereotipe pa asnjë vlerë , që nuk i bëjnë nder institucionit. Përveç, pra prononcimeve të rralla, e të herëpashershme të individëve të saj. Mungonte guximi për dalje në opinion me ide origjinale , me qëndrime e vlerësime parimore e të vendosura, sepse Akademia ishte dhe mbeti qerdhe e politikës dhe kundërshtive politike. Unë nuk mbaj mend intelektualë, të kenë dalur hapur në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kenë arësyetuar rezistencën e armatosur, pas dështimit të mjeteve politike, dhe të kenë justifikuar luftën e drejtë të UÇK-së, për veç dy tre vetave të cilët dihen dhe njihen.

E ajo luftë ishte luftë e popullit të Kosovës. I takonte elitës intelektuale ta mbronte, t’a mbështeste dhe t’a justifikonte në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, luftën e saj të drejtë. Erdhi Rambujeja, kjo kthesë tepër e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, dhe elita intelektuale përsëri nuk u bë e gjallë. Përveç Kadaresë, dhe qëndrimit të tij të prerë, të vendosur e të argumentuar dhe bindës, i cili lëvizi për mbarë vendimin e duhur të përfaqësuesve tonë politikë, në Rambuje. Pas gjithë tmerrit të luftës, më në fund erdhi liria. Paslufta nuk ishte ajo që kishim pritur. Gjithçka po shkonte ters. Në një vend që sapo kishte dalur nga lufta, një vend që jetonte në varfëri të skajshme, shiheshin hapur, uzurpimet, krimi dhe korrupsioni dhe njëmijë të pabëra tjera.

Dhe asgjë nga ajo që një popull i tërë kishte ëndërruar në Kosovën e lirë. Asaj, pra Kosovës, po i vendoseshin pa fije turpi, pranga të reja. Populli i shikonte me indinjatë, me mundim, me urrejtje dhe frikë. Ama ajo që nuk bëhej në kohën e sërbit, bëhej tani. Një heshtje , një heshtje e pafund. Një popull i tërë, e në veçanti inteligjencia, që i kishte ndenjur përballë pa frikë pushtuesit të egër sërb, tani kishte vendosur të heshtte. Ata që i bënin këto të pabëra, ata ishin individë, ama ata shtoheshin dita -ditës, për t’a njollosur pa të drejtë Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës, dhe luftën e saj të drejtë. Inteligjencia hesht ! Asnjë zë ! Gjatë viteve , pas luftës , u bënë shumë gabime, Demarkacioni, Specialja, Asociacioni dhe shumë të tjera.

Dhe inteligjencia nuk bëzan. Kosovën e pasluftës e goditi një tjetër rrufe, islami politik. Një agresion i hapur për të depërtuar islamin jo si fe, dhe jo si ndërgjegje personale. Por si ideologji që pretendon të kapë shtetin. Islami politik, ka depërtuar në shtet, në qeveri, në parlament, në shkolla, në ushtri, në polici, në parti politike të cilat flirtojnë me te për një grusht vota. Numri më i madh i të rinjve në botë, për kokë banori, që luftoi në Siri ishte nga Kosova. Shamia e ferexheja u kthye në Kosovë pas 70 vjetësh! Kosova është shtet laik dhe e tillë duhet të mbetet. Po iu mbarojmë qefin ideologëve më antishqiptarë sërbë, Qubrilloviqit, Qosiqit e vetë Millosheviqit.

Që thërrisnin megjithë zë: ‘’ Nuk na duhet lufta në Kosovë, na duhet vetëm fuqizimi i islamizimit dhe antiamerikanizmit të tyre. Dhe ne do të rikthehemi në Kosovë. Sepse arma më e fuqishme jona kundër shqiptarëve është islami i tyre.’’ Nuk ka dëm më të madh që po i bëhet Kosovës se ky. Sërbia është e lumtur me këto zhvillime në këtë plan . Atë që nuk mundi t’a bëjë vetë, e e deshti shumë, po ia bëjmë ne vet vetes tonë. Kush duhet të reagojë për këtë mynxyrë që ka goditur Kosovën, para inteligjencisë së Kosovës. Elita intelektuale hesht! Asnjë zë!

Inteligjencia e frikësuar, konformiste e oportuniste bën sehir ! Dhe tani në fund kur të gjithë besonim se Kosova do të kthehej në rrugën e duhur, zhgënjim, dëshprim e trishtim. Kosova po e humb demokracinë për të cilën si edhe për lirinë, u sakrifikua aq shumë ky popull. Shtetndërtimi po ngec fuqishëm. Ajo që askush nuk e priste ndodhi. Prishja dhe dëmtimi i rëndë i raporteve me aleatët, në radhë të parë me Amerikën e cila na e solli lirinë. Po pa SHBA-në dhe Naton, nuk do të kishte liri dhe nuk do të kishte shtet të Kosovës. Natyrisht se pa luftën e UÇK-së mbase nuk do të kishte Nato.

Por ne na krijoi Amerika! Si është e mundur që ndodhin veprime, pa koordinim me aleatët, të cilët edhe sot e kësaj dite , janë garant të paqës dhe sigurisë në Kosovë. Me aleatët që ruajnë kufijtë tonë dhe sigurinë tonë. Koordinimi nuk është servilizëm. Është bashkërendim dhe bashkëpunim , me ata që na krijuan, na njohën si shtet në kufijt tanë, me ata të cilët duan dhe ndihmojnë shtetndërtimin tonë, në po këta kufij! Si është e mundur që Kosova u ndodh në sanksione, që Kosova kaq vjet pas lufte është e izoluar, që ajo u përjashtua nga ushtrimet ushtarake Defender 2023, si është i mundur kërcënimi për mbështetjen amerikane ndaj Policisë së Kosovës, si është e mundur që Kosova nuk u pranua në Këshillin e Evropës, dhe në shumë organizma tjerë ndërkombëtarë.

Dhe të gjitha këto ndodhin si ndëshkim ndaj politikës që Kosova ndjekë, kryesisht ndaj Veriut të vendit. Si është e mundur që sot, politika jonë t’ia krijojë Sërbisë statusin e viktimës tek të huajt, pas gjithë atij tmerri që Sërbia ka bërë në Kosovë. Sovraniteti i Veriut nuk krijohet me veprime parciale e të pamenduara dhe me akte të njëanshme , dhe pa koordinim. Duke krijuar kështu idenë në sytë e ndërkombëtarëve, se populli sërb në veri është viktimë dhe i diskriminuar.

Këto veprime të nacionalizmit elektoral shqiptar, vetëm krijojnë përshtypjen e rrejshme të sovranitetit, dhe vënë në rrezik të pariparueshëm raportet me aleatët. Asociacioni i shumëpërfolur duhet të bëhet, sepse ai është Marrëveshje Ndërkombëtare dhe buron nga plani i Ahtisarit mbi ç ‘bazë Kosova u bë shtet Ky është kompromisi që e bëmë ne atëherë, i dhimbshëm por e bëmë vet. Por sigurisht jo Asociacioni nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Sepse ai është Autonomi Politike dhe Territoriale, me të gjitha kompetencat e shtetit.

Kush do ti ndalojë sërbët në Veri, që një ditë , një të tillë Asociacion t’a shpallin shtet. Askush ! Kush do ti dalë ballë ndarjes, përçarjes e polarizimit të skajshëm që ka përfshi shoqërinë tonë? Dështim në planin e brëndshëm, dështim në planin e jashtëm, helmim i skajshëm i shoqërisë. Më shumë se një vjet Kosova nuk mund t’i ndërtojë institucionet ! Shteti në bllokadë totale ! Asgjë nuk funksionon. Në munngesë kompromisi, marrëveshjeje, e konsensusi. Me prirje të shprehura autoritare, shteti ngadalë po e ngulfatë demokracinë dhe po rrëshqet në diktaturë ! Çfarë duhet, tjetër të ndodhë në këtë vend, që inteligjencia e këtij vendi të zgjohet lëvizë, të flasë e të prononcohet qartë, para se ky vend të përfundojë në greminë !

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu