
Arif Ejupi, Gjenevë
Poezi
(Kushtuar lokes zemërmadhe dhe fisnike Time Kabashi-Shatri)
Ishe më e fortë
se shkëmbinjtë
dhe kreshtat e Moknës.
Ashtin me asht,
shumë herë,
nga balta
e pluhuri
e ke pastruar.
Dhembje pas dhembjeje
ke përjetuar,
por si lis me degë
ke qëndruar.
Ditën e kryerjes
së shërbimit ushtarak,
kur hienat
e vranë Hakiun,
ia puthe ballin,
ia ledhatove duart
para rrugëtimit
të tij të fundit.
Lotët e tu, valë,
mbi trupin e tij
ende të njomë
ranë.
Ofshave thellë
dhe the:
“Biri im,
të gjithë e dinim
që kjo ishte
ushtri dreqi
dhe e huaj,
që vetëm
në arkivole
na do.”
Ishe e dashur
dhe fisnike.
Për ta ruajtur nderin
e familjes
dhe të burrit,
të gjithë
i trajtoje
si djalin tënd të vetëm,
që ta rrëmbeu
mërgimi katran i zi.
Shtatshkurtër,
por me zemrën oqean,
kishe vlerën
e diamantit.
Porsi flutur,
i kryeje rangët
e shtëpisë.
Në fushat te Poillat,
me drapër,
korrje grurin,
e në arat te Bregu
zhvishje misrin.
Shpesh thoshe
me shaka:
“Duhet ditur
kur dimri është dimër
e vera verë.”
Në vek
endje pëlhurën
e thurje
të gjitha llojet
e veshjeve kombëtare.
Në bjeshkë,
si bleta
që mbledh nektarin,
çdoherë
dilje e para
në qethjen e deleve
dhe në mbledhjen
e bulmetit.
Me Deltarin
edhe bukën e gojës
e ndaje.
Thoshe:
“Është më besnik
se shumë burra.”
Lulet
i kishe pikë të dobët;
i doje
dhe i kultivoje.
Luteshe
që dielli
t’i ngrohte,
qielli
t’ua shuante etjen
dhe bryma
të ishte e mëshirshme
me to.
Ishe njohëse
e vërtetë
e bimëve endemike
dhe e atyre shëruese.
Edhe pse
u ballafaqove
me ortekë bore,
rrufe e stuhi,
asnjëherë
nuk u gjunjëzove,
e as nga goja jote
nuk doli
fjalë e ligë.
Ishe
nënë e vërtetë shqiptare,
me rrënjë nga Kabashi i Podgurit,
shumëfish
më e fortë
se guri
e druri.
Më 4 korrik 2026


