ARKIVI:
11 Korrik 2026

Prof. Ymer Berisha nga Gjurgjeviku i Madh i Klinës, sipas dokumenteve të CIA-s amerikane

Shkrime relevante

Prof. Ymer Berisha nga Gjurgjeviku i Madh i Klinës, sipas dokumenteve të CIA-s amerikane

Lekë Mrijaj, Klinë * Homazh në 80-vjetorin e vrasjes së tij  Tetëdhjetë vjet...

Ndalesa në Dunav, në rrugën për Kumanovë

Xhelil Arifi, Gjilan Udhës nga Gjilani që çon për Kumanovë, lakuam për...

Kur miti i heroit të luftës, “bëhet biletë” për pasuri mafioze në paqe

Lirim Gashi, Prizren Në çdo shoqëri që ka kaluar nëpër luftë, ekziston...

Fundi – Shpërbërja e Federatës Ruse

Skender Jashari, Preshevë Rusia vazhdon traditën e saj të luftës ekspansioniste ndaj...

Shpërndaj

Lekë Mrijaj, Klinë

* Homazh në 80-vjetorin e vrasjes së tij

 Tetëdhjetë vjet pas vrasjes së prof. Ymer Berishës, përkujtimi i figurës së tij nuk duhet të mbetet vetëm një ceremoni nderimi, një homazh për sakrificën apo një rikthim emocional në kujtesën historike. Përmasat e veprimtarisë së tij kërkojnë një trajtim të mbështetur në dokumente, burime arkivore dhe analiza të kujdesshme të rrethanave politike, kombëtare e ndërkombëtare në të cilat ai jetoi dhe veproi. Në këtë kuadër, materiali i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me titull “Pakica shqiptare në Jugosllavi”, përbën një burim me rëndësi të veçantë për ndriçimin e rolit të tij në organizimin dhe drejtimin e lëvizjes nacional-demokratike shqiptare në Kosovë gjatë viteve 1945–1946.

Dokumenti mban numrin e referencës CIA-RDP82-00457R014500140002-8 dhe është shpërndarë më 7 janar 1953. I klasifikuar si sekret, ai përmbante të dhëna mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, organizatat e tyre politike e të armatosura, drejtuesit, ndërlidhësit dhe përpjekjet për bashkërendimin e veprimeve kundër pushtetit komunist jugosllav. Emri i prof. Ymer Berishës përmendet disa herë dhe lidhet me pothuajse të gjitha organizatat kryesore nacionaliste që vepronin në Kosovë. Kjo tregon se ai nuk ishte vetëm drejtues i një grupi lokal apo udhëheqës i një çete të izoluar, por një nga figurat qendrore të organizimit politik dhe ushtarak shqiptar. Burimi amerikan e paraqet atë si udhëheqës të forcave nacionaliste që vepronin në Jugosllavi dhe si prijës të grupeve kosovare të rezistencës.

Ymer Berisha, i lindur më 13 maj 1912 në Gjurgjevikun e Madh të Klinës, ishte intelektual, pedagog, organizator dhe veprimtar politik. Formimi i tij arsimor e kulturor i kishte dhënë aftësinë që çështjen shqiptare ta shihte përtej kufijve të një krahine, një organizate apo një periudhe të caktuar. Ai e kuptonte se lufta e një populli nuk mund të mbështetej vetëm në armë, por kërkonte program politik, strukturë të qëndrueshme, rrjet komunikimi dhe përpjekje të vazhdueshme për ndërkombëtarizimin e kauzës kombëtare. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së administratës ushtarake e politike jugosllave në Kosovë, ai nuk e pranoi realitetin e ri si çlirim të shqiptarëve. Për Berishën dhe bashkëpunëtorët e tij, rikthimi i Kosovës nën administrimin e Jugosllavisë përbënte mohimin e së drejtës për vetëvendosje dhe vazhdimin e një sistemi që nuk e njihte vullnetin politik e kombëtar të popullit shqiptar. Në këto rrethana, ai u bë një nga drejtuesit kryesorë të organizatës “Besa Kombëtare” dhe të strukturave të tjera nacional-demokratike. Synimi i tij ishte që grupet e shpërndara në vise të ndryshme të Kosovës të mos mbeteshin njësi të veçuara, por të bashkoheshin në një lëvizje të organizuar, me objektiva politike dhe kombëtare të përcaktuara qartë.

Sipas të dhënave të CIA-s, organizata e Halim Spahiut mbante lidhje me Ymer Berishën dhe Muharrem Bajraktarin, ndërsa ajo e Sylejman Lleshit ishte në kontakt me Berishën dhe Jup Binjakun. Struktura e drejtuar nga françeskani shqiptar At Bernardin Llupi bashkëpunonte me Ymer Berishën, Nue Perlleshin, të njohur si “Luani i Dukagjinit”, Pashuk Bibën dhe Ndoc Mirakajn. Ndërkaq, grupi i Prishtinës ishte i lidhur me Luan Gashin, Gjon Sereqin, Abdyl Hensinin dhe vetë Berishën. Prania e emrit të tij në lidhje me organizata të ndryshme tregon se ai përbënte nyjën qendrore të këtij rrjeti. Secila strukturë mund të kishte drejtuesit dhe mënyrën e vet të veprimit, por komunikimi me Berishën krijonte mundësi për shkëmbimin e informatave, përcaktimin e objektivave të përbashkëta dhe koordinimin e veprimeve politike e ushtarake. Ndërmjet viteve 1945 dhe 1947, degët lokale të organizatave të fshehta përpiqeshin të ruanin kontaktet me udhëheqësit politikë që vepronin në ilegalitet. Brenda kësaj harte organizative, Ymer Berisha paraqitet si një nga figurat më me ndikim të lëvizjes shqiptare të pasluftës.

Një vend të veçantë zë bashkëpunimi i tij me At Bernardin Llupin, françeskan shqiptar dhe famullitar i Kishës Katolike “Shën Katarina” në Pejë, i cili drejtonte një organizatë nacionaliste. Sipas dokumentit, Nue Perlleshi shërbente si ndërlidhës, ndërsa në të njëjtin grup bënin pjesë edhe Marie Shllaku dhe mësuesi Gjergj Martini, të dy nga rrethina e Shkodrës. Këto lidhje tregojnë se veprimtaria shqiptare nuk kufizohej vetëm brenda Kosovës, por shtrihej edhe drejt qarqeve nacionaliste në Shqipëri. Marie Shllaku dhe Gjergj Martini mbanin komunikimin ndërmjet veprimtarëve të Shkodrës dhe atyre të Gjakovës, Prizrenit e Prishtinës. Në këtë mënyrë krijoheshin ura bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve në të dyja anët e kufirit. Përfshirja e At Bernardin Llupit nxjerr në pah edhe rolin e një pjese të klerit katolik shqiptar në mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Ai nuk paraqitet vetëm si meshtar, por edhe si veprimtar e organizator, i cili e kishte vënë jetën në shërbim të lirisë dhe të dinjitetit të popullit të vet. Edhe Nue Perlleshi kishte një detyrë të rëndësishme. Në kushtet kur rrugët kontrolloheshin nga organet e sigurimit dhe çdo lëvizje mund të përfundonte me arrestim apo vrasje, roli i ndërlidhësit ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm. Ai siguronte bartjen e porosive, informatave dhe udhëzimeve ndërmjet drejtuesve e strukturave të ndryshme. Prania e Marie Shllakut në këtë rrjet është, gjithashtu, një dëshmi me rëndësi për kontributin e grave shqiptare në lëvizjen kombëtare. Ajo nuk ishte bashkëpunëtore e rastësishme, por një veprimtare e angazhuar, së cilës i ishin besuar detyra të rëndësishme komunikimi dhe koordinimi. Në këtë pikë, materiali amerikan duhet të ballafaqohet me burime të tjera historike. Dëshmitë e tjera tregojnë se Marie Shllaku dhe Gjergj Martini u arrestuan, u gjykuan në Prizren dhe u ekzekutuan së bashku me At Bernardin Llupin dhe Kolë Parubin. Kjo tregon se dokumentet e inteligjencës, pavarësisht vlerës së tyre, duhen analizuar në mënyrë kritike dhe krahasuar me procesverbalet gjyqësore, kujtimet e bashkëkohësve dhe literaturën historiografike. Rrjeti i organizimit shqiptar shtrihej në një hapësirë të gjerë. Përveç Pejës, Gjakovës, Prizrenit dhe Prishtinës, përmenden edhe Gjilani, Vitia, Kamenica dhe Presheva. Grupet e Gjilanit mbanin lidhje me Mulla Idrizin, ndërsa komunikimin ndërmjet Vitisë, Kamenicës dhe Preshevës e siguronte Sul Hoti. Kjo shtrirje tregon se veprimtaria shqiptare e viteve të para të pasluftës nuk ishte reagim i kufizuar, spontan apo i rastësishëm. Ajo kishte mbështetje në shumë vise dhe përfshinte njerëz me prejardhje, profesione e përgjegjësi të ndryshme: intelektualë, profesorë, mësues, klerikë, veprimtarë politikë, luftëtarë dhe ndërlidhës.

Ymer Berisha kishte arritur të ndërtonte një autoritet që i tejkalonte kufijtë e vendlindjes dhe të krahinës së tij. Përmes jetës dhe veprës së këtij intelektuali e atdhetari, Gjurgjeviku i Madh i Klinës u bë pjesë e hartës së gjerë të përpjekjeve kombëtare shqiptare. Një nga çështjet kryesore që del nga dokumentacioni është shpresa e nacionalistëve për ndihmë nga jashtë. Ata prisnin që fuqitë perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, të ndërhynin në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe ta trajtonin çështjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Ymer Berisha kishte bërë përpjekje që gjendja e shqiptarëve të bëhej e njohur jashtë vendit. Në tetor të vitit 1945, ai i kishte drejtuar një memorandum gjeneralit Hodgson, drejtues i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri. Përmes këtij akti synohej informimi i fuqive perëndimore për represionin jugosllav dhe për kërkesat politike të lëvizjes nacional-demokratike. Mirëpo, ndihma e pritur nuk erdhi. Burimi amerikan e përmbledh këtë realitet në mënyrë të drejtpërdrejtë: nacionalistët shqiptarë mbetën pa mbështetje të jashtme, ndërsa OZNA po forcohej gjithnjë e më shumë. Ky konstatim përmbledh tragjedinë e asaj kohe. Nga njëra anë mungonte përkrahja ndërkombëtare, ndërsa nga ana tjetër fuqizohej aparati shtetëror jugosllav i ndjekjes, infiltrimit dhe eliminimit të kundërshtarëve politikë. OZNA, si organ sigurimi i regjimit, kishte për detyrë identifikimin, arrestimin dhe asgjësimin e strukturave që kundërshtonin pushtetin komunist. Në Kosovë, veprimtaria e saj u drejtua posaçërisht kundër organizimeve nacionaliste shqiptare. Arrestimet në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe në qendra të tjera, proceset gjyqësore, torturat e ekzekutimet ishin pjesë e një strategjie të planifikuar për shuarjen e çdo forme kundërshtimi politik dhe të armatosur. Në material të CIA-s, përmendet arrestimi i anëtarëve të organizatës nacionaliste të Prishtinës, ndër ta Gjon Sereqi nga Ferizaj dhe Sylejman Aliu nga Prizreni. Po ashtu, bëhet fjalë për goditjen e grupit të At Bernardin Llupit dhe të strukturave të tjera që bashkëpunonin me Ymer Berishën. Eliminimi i këtij të fundit kishte rëndësi të veçantë për pushtetin jugosllav. Nuk synohej vetëm vrasja e një luftëtari apo e një intelektuali, por ndërprerja e lidhjeve ndërmjet grupeve, dobësimi i udhëheqjes dhe shpërbërja e strategjisë së përbashkët. Në përshkrimin e vrasjes së tij, dokumenti e cilëson Ymer Berishën si “shpirtin, forcën dhe trurin e qëndresës”. Ky është një nga vlerësimet më të fuqishme që një burim i huaj i ka bërë figurës së tij. Ai ishte shpirti i kësaj lëvizjeje, sepse frymëzonte dhe mbante të gjallë idealin e lirisë; ishte forca e saj, sepse kishte autoritetin për t’i bashkuar drejtuesit dhe grupet e ndryshme; ishte truri i saj, sepse përfaqësonte mendimin politik, organizimin dhe strategjinë. Sipas materialit të CIA-s, më 6 gusht 1946 u zhvillua një takim ndërmjet përfaqësuesve të refugjatëve nacionalistë dhe Ymer Berishës, i cili e kryesonte atë. Delegatët ishin Pashul Bib Mirakaj, Ndoc Kol Mirakaj dhe Nik Sokolli, të ngarkuar me detyrën për të vendosur bashkëpunim të efektshëm me grupin e tij. Agjentët e OZNA-s, sipas të njëjtit burim, morën dijeni për këtë takim dhe, në përleshjen që pasoi, Berisha humbi jetën. Mirëpo, data e dhënë nuk përputhet me burimet biografike dhe historiografike, të cilat vrasjen e tij e vendosin më 11 korrik 1946, në malet e Hereçit të Gjakovës. Nga pikëpamja shkencore, kjo mospërputhje duhet të evidentohet qartë. Mund të bëhet fjalë për ngatërrim të datës, ndërthurje të dy ngjarjeve ose pasaktësi të burimit informativ mbi të cilin është mbështetur materiali amerikan. Pavarësisht këtij problemi kronologjik, dokumenti ruan rëndësi të madhe, sepse tregon se Ymer Berisha kryesonte takime ndërmjet përfaqësuesve nacionalistë dhe se vrasja e tij konsiderohej goditje vendimtare ndaj organizimit shqiptar. Prandaj, në trajtimet historike dhe përkujtimore, si datë e vrasjes duhet të përdoret 11 korriku 1946, përderisa dokumentacioni i ri dhe i pakundërshtueshëm nuk vërteton ndryshe. Figura e tij nuk mund të kuptohet vetëm përmes angazhimit të armatosur. Ai ishte, para së gjithash, intelektual dhe pedagog, i aftë ta shihte çështjen kombëtare si proces të lidhur ngushtë me dijen, vetëdijen, organizimin politik dhe diplomacinë. Autoriteti i tij nuk mbështetej vetëm në guximin personal apo në forcën e armëve, por në formimin intelektual, karakterin moral, aftësinë për të bindur dhe vizionin për ta shndërruar revoltën lokale në një lëvizje të organizuar kombëtare. Për këtë arsye, veprimtaria e tij mund të cilësohet si pjesë e një lëvizjeje nacional-demokratike, e cila kundërshtonte sistemin njëpartiak komunist, kërkonte njohjen e vullnetit politik të shqiptarëve dhe synonte që çështja e Kosovës të bëhej pjesë e diskutimeve ndërkombëtare. Vrasja e Ymer Berishës më 11 korrik 1946 ishte humbje e jashtëzakonshme për lëvizjen kombëtare shqiptare. Pas rënies së tij, organizatat vazhduan të vepronin, por arrestimet, ekzekutimet dhe mungesa e një qendre të vetme udhëheqëse e dobësuan ndjeshëm veprimtarinë e tyre. Megjithatë, vepra dhe ideali i tij nuk u shuan dhe nuk do të shuhen kurrë. Ato mbetën në kujtesën e familjes, bashkëluftëtarëve dhe popullit, në dokumentet e organizatave ilegale, në procesverbalet e kohës dhe në arkivat e institucioneve të huaja.

Sot, në 80-vjetorin e vrasjes së tij, Ymer Berisha duhet të kujtohet si mësues, sepse dijen e shihte si themel të vetëdijes kombëtare; si ideolog dhe organizator, sepse u përpoq t’i bashkonte forcat e shpërndara në një lëvizje të përbashkët; dhe si dëshmor i lirisë, sepse nuk e braktisi popullin dhe idealin e tij edhe kur rreziku ishte i pashmangshëm. Dokumenti “Pakica shqiptare në Jugosllavi”, pavarësisht pasaktësive të caktuara kronologjike dhe faktografike, mbetet dëshmi e fuqishme për pozitën qendrore që ai kishte në organizimet shqiptare të viteve 1945–1946. Prej këtij materiali kuptohet se Ymer Berisha mbante kontakte me qendrat kryesore në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe në vise të tjera; se rreth tij bashkëpunonin intelektualë, klerikë, mësues, luftëtarë e ndërlidhës; se synonte bashkërendimin e veprimtarisë së brendshme me qarqet nacionaliste jashtë Kosovës dhe kërkonte mbështetje nga fuqitë perëndimore. Vrasja e tij nuk ishte vetëm eliminimi fizik i një njeriu, por një goditje ndaj qendrës politike, intelektuale dhe organizative të lëvizjes nacional-demokratike shqiptare.

Njëkohësisht me duhet ta them se në 80-vjetorin e rënies së tij, Gjurgjeviku i Madh, Klina, Kosova dhe mbarë hapësira shqiptare kanë detyrimin moral, institucional e shkencor që figurën e Ymer Berishës ta vendosin në vendin që i takon në historinë kombëtare. Ai ra heroikisht më 11 korrik 1946, por ideali për të cilin luftoi nuk u shua. Ai edhe pas vrasjes së tij, vazhdoi të jetonte në brezat që erdhën më pas, në kërkesën për liri, dinjitet kombëtar dhe në të drejtën e shqiptarëve për të vendosur vetë për fatin e tyre. Prandaj Ymer Berisha nuk duhet të kujtohet vetëm si viktimë e represionit jugosllav, por si mendimtar, pedagog, organizator dhe prijës, i cili dijen e shndërroi në vetëdije, vetëdijen në veprim dhe veprimin në testament kombëtar.

Përcaktimi i CIA-s se ai ishte “shpirti, forca dhe truri i qëndresës” mbetet një nga përkufizimet më të plota dhe më domethënëse të rolit të tij historik. Pikërisht në këtë dritë duhet të nderohet, të studiohet dhe t’u përcillet brezave figura e tij, jo vetëm në këtë 80-vjetor, por edhe në të ardhmen, si pjesë e pandashme e kujtesës dhe e historisë sonë kombëtare.

Më 11 Korrik 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu