Jam deklaruar publikisht se nuk do të merrem më me asnjë aktivitet sociopolitik. Megjithatë, po e ndiej të nevojshme ta bëj edhe një reagim — mbase të fundit. Më nxiti retorika e Milazim Krasniqit, sivëllami i të cilit ishte Boro Maraçiqi, si dhe soji e sorollopi politik e propagandistik i tipit të tij. Dhe këtu dua të jem shumë i qartë: nuk po them se ekziston një përçarje ndërshqiptare në këtë pikë. Përkundrazi, po flas për përpjekjet që, sipas vlerësimit tim, bëhen për ta prodhuar, ushqyer dhe nxitur atë. Kur dikush vazhdimisht kërkon armiq brenda shqiptarëve, demonizon organizata, lëvizje, grupe dhe individë intelektualë me orientim properëndimor dhe përpiqet t’i vendosë shqiptarët përballë njëri-tjetrit, atëherë duhet pyetur hapur: kush ka interes nga kjo? Kujt i shërben krijimi artificial i një konflikti ndërshqiptar? Helmi që derdhet me aq zell kundër organizimeve, lëvizjeve, grupeve dhe intelektualëve me orientim shqiptar dhe properëndimor nuk më duket thjesht si përplasje idesh.
Unë kam dyshimin tim se, për disa prej këtyre zërave, motivi mund të jetë shumë më pragmatik: sa më të rrezikshme të paraqiten nismat panshqiptare dhe properëndimor për interesat dhe ndikimet lindore, aq më e madhe bëhet nevoja për njerëz që t’i luftojnë ato — dhe rrjedhimisht aq më i madh mund të bëhet edhe interesi për t’i mbështetur ata që e bëjnë këtë punë. Sikur mesazhi drejtuar padronëve të tyre të mundshëm të ishte: “Këto organizata, lëvizje, grupe dhe intelektualë po e rrezikojnë seriozisht ndikimin dhe kulturën lindore. Rritni fondet për ne, që t’i godasim, t’i diskreditojmë dhe t’i ngulfatim këto lëvizje panshqiptare dhe panperëndimore.”
Nëse ekzistojnë financime apo lidhje të tilla, ato duhet të dëshmohen me fakte dhe dokumente. Unë nuk dua ta paraqes dyshimin si fakt të kryer. Por kam të drejtë të shtroj pyetjen politike: pse gjithë ky zell kundër çdo organizimi shqiptar që e sheh të ardhmen e vet në familjen evropiane dhe perëndimore? Dhe pse gjithë kjo përpjekje për të krijuar përplasje mes shqiptarëve aty ku ajo përplasje nuk ekziston? Kjo është pikërisht ajo që duhet demaskuar. Nuk kemi pse ta pranojmë tezën se shqiptarët qenkan të përçarë. Problemi është tjetërkund: ekzistojnë zëra që, sipas bindjes sime, po përpiqen t’i përçajnë. Soji politik e propagandistik i “Milazimëve” nuk po ka të ndalur. Por as ne nuk duhet të ndalemi së pyeturi: Kush përfiton nga një përçarje e tillë? Kush ka interes ta prodhojë atë? Kujt i shërben demonizimi i orientimit proevropian të shqiptarëve? Dhe, mbi të gjitha, kush do ta paguante çmimin nëse kjo retorikë do të arrinte qëllimin e saj? Përgjigjja e fundit është e thjeshtë: shqiptarët. Unë kam pushuar aktivitetin tim sociopolitik dhe flas vetëm në emrin tim. Por kjo nuk do të thotë se kam hequr dorë nga e drejta për të reaguar kur shoh përpjekje që, sipas gjykimit tim, mund t’i bëjnë dëm interesit shqiptar. Ky është qëndrimi im personal dhe përgjegjësinë për të e mbaj vetë.
Boik Breca (Pajazit Jashari)



