Kur profesori i shpall luftë lirisë së ndërgjegjes… dhe Inteligjencën Artificiale e thërret dëshmitare!
Shkrimi i fundit i Milazim Krasniqit nuk është një analizë mbi krishterimin në Perëndim, sa është një dëshmi e shqetësimit të tij për një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm: zgjimin e ndërgjegjes historike dhe identitare të një pjese të shqiptarëve. Paradoksi është i qartë. Në njërën anë na thuhet se krishterimi në Perëndim është në krizë të thellë, ndërsa në anën tjetër mobilizohet një arsenal i tërë argumentesh për të luftuar disa pagëzime dhe disa lëvizje qytetare në Kosovë. Nëse fenomeni qenka kaq i parëndësishëm, atëherë pse gjithë ky alarm?

Më shumë se sa debat akademik, ky tekst përpiqet ta zëvendësojë argumentin me etiketimin. Lëvizje qytetare quhen “hibride”, qytetarë që ushtrojnë lirinë e ndërgjegjes paraqiten si problem, ndërsa një zgjedhje personale fetare trajtohet sikur të ishte çështje sigurie. Në një shoqëri demokratike, liria e besimit nuk matet me pëlqimin e profesorëve, as me miratimin e ideologëve. Ajo është një e drejtë themelore që vlen për të gjithë.
Edhe më kurioze bëhet panorama kur në debat futen transhumanizmi dhe Inteligjenca Artificiale, sikur këto të ishin arbitrat e historisë së shqiptarëve. Inteligjenca Artificiale mund të analizojë tekste, të krahasojë burime dhe të përpunojë të dhëna, por nuk vendos bindjet shpirtërore të njerëzve. Aq më pak mund të përdoret si mburojë për të shpallur të papranueshme zgjedhjet e lira të qytetarëve.

Historia nuk ndryshon sepse dikush e quan një lëvizje “absurde”. Faktet historike nuk zhbëhen me epitete, ndërsa liria e ndërgjegjes nuk pezullohet me deklarata akademike. Shqiptarët kanë të drejtë të studiojnë historinë e tyre, të rishqyrtojnë identitetin e tyre dhe të zgjedhin lirisht rrugën e tyre shpirtërore, pa u etiketuar dhe pa u demonizuar.

Në fund mbetet një pyetje që nuk kërkon teori të ndërlikuara, por vetëm logjikë: nëse është e drejtë të mbrohet liria për të zgjedhur Islamin, pse nuk duhet të mbrohet me të njëjtin standard edhe liria për të zgjedhur krishterimin? Nëse njëra zgjedhje quhet e drejtë, ndërsa tjetra “problem sigurie”, atëherë nuk kemi të bëjmë me mbrojtje të lirisë fetare, por me një standard të dyfishtë.

Debati nuk fitohet duke shpallur alarm sa herë që dikush mendon ndryshe. Debati fitohet me argumente, me fakte dhe me respekt për lirinë e tjetrit. Pikërisht aty fillon akademizimi i vërtetë, dhe pikërisht aty përfundon propaganda.

Kur argumentet nuk mjaftojnë, shpallen ‘rrezik’ njerëzit që mendojnë ndryshe. Kjo nuk është fitore e dijes, por dëshmi e frikës nga liria !



