Nga Frank Shkreli
____
Në historinë e Shqipërisë së shekullit XX ka figura që nuk maten me postet që mbajtën, as me pushtetin që ushtruan, por me forcën morale me të cilën mbrojtën të vërtetën. Ata u bënë ndërgjegjja e një kombi në kohët kur ndërgjegjja kërkohej të heshtte. Një prej këtyre figurave është At Pjetër Meshkalla, jezuiti, edukatori, intelektuali dhe i burgosuri i ndërgjegjes, i cili mbeti i palëkundur përballë një prej diktaturave më të egra komuniste të Evropës.
Në 38-vjetorin e kalimit të tij në amshim, kujtimi i At Pjetër Meshkallës nuk është vetëm një akt nderimi për një meshtar të shquar të Kishës Katolike Shqiptare. Ai është një detyrim moral për të kujtuar një shqiptar që e mbrojti lirinë e ndërgjegjes kur ajo ishte shpallur armike e shtetit dhe që dëshmoi me jetën e tij se asnjë regjim nuk mund ta nënshtrojë shpirtin e lirë të njeriut. I lindur në Shkodër më 26 shtator 1901, At Pjetër Meshkalla u formua në traditën intelektuale të Urdhrit Jezuit, duke kryer studimet në Austri, në Itali dhe në Slloveni. Ai u kthye në Shqipëri me bindjen se arsimi ishte themeli i qytetërimit dhe se edukimi i brezave ishte shërbimi më i madh ndaj kombit. Për nxënësit e tij, ai ishte më shumë se profesor: ishte formues i karakterit, që i mësonte të mendonin lirshëm, të kërkonin të vërtetën dhe të mbronin dinjitetin njerëzor. Ky formim humanist dhe evropian e bëri të papajtueshëm me çdo ideologji totalitare, përfshir atë komuniste. Ashtu siç kishte kundërshtuar fashizmin, ai nuk mund të pranonte as komunizmin, i cili synonte të nënshtronte jo vetëm institucionet, por edhe mendimin dhe ndërgjegjen e njeriut. Për këtë arsye At Pjetër Meshkalla u arrestua në vitin 1946 dhe kaloi shumë vite në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Por burgu nuk e ndryshoi. Përkundrazi, ai e forcoi. Bashkëvuajtësit e kujtojnë jezuitin shqiptar si një njeri të qetë, me humor të hollë, të mbushur me besim dhe shpresë. Në qelitë e errëta ai vazhdoi të ishte mësues, duke u dhënë kurajë të burgosurve dhe duke u kujtuar se e keqja nuk është kurrë e përjetshme.
Në veprën monumentale “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi e përshkruan At Pjetër Meshkallën si një ndër figurat më fisnike të klerit katolik shqiptar, një njeri me kulturë të gjerë, urti të rrallë dhe qetësi shpirtërore të jashtëzakonshme. Për At Zef Pllumin, Meshkalla ishte një mësues edhe në burg, sepse predikonte me shembullin e jetës së tij dhe jo vetëm me fjalë. Frank Shkreli: Porosia e At Zef Pllumit në 100-vjetorin e lindjes drejtuar intelektualëve dhe klasës politike shqiptare: Dashuria për njëri tjetrin dhe progresi i kombit | Gazeta Telegraf
Kulmi i qëndresës qytetare të At Meshkallës erdhi në vitin 1967, kur regjimi komunist ndërmori fushatën barbare për zhdukjen e fesë në Shqipëri, duke mbyllur e shkatërruar kishat, xhamitë dhe teqetë, ndërsa vendi u shpall, “shteti i parë ateist në botë”, duke i shpallur luftë edhe Zotit. Frank Shkreli: Shkurti 1967, krimi që ende nuk quhet krim | Gazeta Telegraf
Në atë atmosferë terrori, At Pjetër Meshkalla ndërmori një akt që edhe sot mbetet ndër më të guximshmit në historinë moderne shqiptare. Ai i dërgoi kryeministrit komunsit të asaj kohe, Mehmet Shehut një promemorie, ku kundërshtonte hapur dhunën ndaj fesë dhe shkeljen e lirisë së ndërgjegjes. Argumenti i tij ishte i qartë: shteti mund të ushtrojë forcë mbi trupin e njeriut, por nuk mund të sundojë ndërgjegjen e tij. Besimi nuk zhduket me dekrete, me propagandë apo me burgime. Ai e dinte se kjo letër do ta kthente sërish në burg. Megjithatë nuk e tërhoqi. Për të, heshtja përballë padrejtësisë do të ishte bashkëfajësi. Regjimi reagoi siç pritej: At Meshkalla u arrestua përsëri dhe u dënua me vite të tjera burgimi. Promemorja e vitit 1967 mbetet edhe sot një nga dokumentet më të rëndësishme të rezistencës morale shqiptare ndaj totalitarizmit. Ajo nuk ishte një mbrojtje e privilegjeve të Kishës, por një mbrojtje e një të drejte universale: lirisë së ndërgjegjes. Në këtë kuptim, At Pjetër Meshkalla ishte jo vetëm një meshtar i madh, por edhe një nga mbrojtësit më të hershëm shqiptarë të të drejtave themelore të njeriut.
At Pjetër Mëshkalla i përket atij brezi të jashtëzakonshëm të klerikëve dhe intelektualëve shqiptarë, siç janë – Imzot Vinçenc Prennushi Frank Shkreli: 70-vjet më parë ndërroi jetë nën tortura – Bariu i katolikëve dhe Engjëlli i myslimanëve | Gazeta Telegraf), At Gjon Shllaku, At Bernardin Palaj, Dom Shtjefën Kurti, (Frank Shkreli: “Fajtori” i pafajshëm! 50-vjetori i ekzekutimit të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf )At Zef Pllumi e shumë të tjerë – që nuk pranuan ta sakrifikonin të vërtetën për hir të pushtetit. Në të njëjtën traditë kulturore dhe evropiane qëndrojnë, ndër të tjerë, edhe Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, të cilët, secili në mënyrën e vet, mbrojtën identitetin kulturor e kombëtar të shqiptarëve dhe për këtë u përballën me shpifje, (madje deri në ditët e sotëme), përndjekje ose mërgim. Këta burra nuk i bashkonte ideologjia; i bashkonte një ideal më i lartë: bindja se Shqipëria i përket qytetërimit perëndimor, se liria e mendimit është e shenjtë dhe se kultura nuk mund të ndërtohet mbi frikën.
At Pjetër Meshkalla ndërroi jetë më 28 korrik 1988, vetëm dy vjet para shembjes së regjimit që e kishte burgosur për një pjesë të madhe të jetës. Ai nuk e pa me sytë e tij rikthimin e lirisë fetare dhe pluralizmit politik, por jetoi mjaftueshëm për të dëshmuar se asnjë diktaturë nuk është e përjetshme. Sot, kur shpresojmëp që Shqipëria të bëhet pjesë e botës demokratike dhe të forcojë institucionet e saj mbi vlerat e shtetit të së drejtës, figura e At Pjetër Meshkallës merr një domethënie edhe më të madhe. Kujtesa për ‘të nuk duhet të mbetet vetëm një ceremoni përkujtimore. Ajo duhet të shërbejë si kujtesë se liria nuk është e garantuar përgjithmonë, se demokracia kërkon qytetarë me ndërgjegje të lirë dhe se pajtimi me historinë është i mundur vetëm mbi themelin e së vërtetës.
Sot, në një kohë kur relativizmi moral dhe harresa historike rrezikojnë të zbehin kujtesën e brezave, jeta e At Pjetër Meshkallës mbetet një testament i gjallë. Ajo na kujton se njeriu mund të humbasë lirinë fizike, por jo domosdoshmërisht lirinë e ndërgjegjes; se besimi mund të përndiqet, por jo të zhduket; dhe se e vërteta mund të vonojë, por nuk mund të mposhtet. Ky është mësimi që na lë At Pjetër Meshkalla sot. Nuk është vetëm mësimi i një meshtari katolik, por i një shqiptari të madh që e deshi vendin e tij aq shumë, sa ishte i gatshëm të vuante për të drejtën e çdo njeriu për të qenë i lirë. Në këtë 38-vjetor të kalimit të tij në amshim, homazhi më i bukur nuk është vetëm ta kujtojmë. Është të mbrojmë ato vlera për të cilat ai vuajti: lirinë e ndërgjegjes, dinjitetin njerëzor, tolerancën, besimin dhe demokracinë e vërtetë. Ky shkrim modest është një homazh për një njeri që nuk e ndau kurrë fenë nga dashuria për Atdheun dhe nuk e ndau kurrë besimin nga mbrojtja e dinjitetit njerëzor. Njëkohsisht, për ata që interesohen, është një ftesë për brezat e sotëm që të njohin një nga personalitetet më fisnike të historisë shqiptare dhe të kuptojnë se liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut kanë pasur mbrojtës të guximshëm të vlerave njerëzore dhe kombëtare edhe në vitet më të errëta të diktaturës komuniste. Prandaj, në përvjetorin e kalimit të tij në amshim, nderojmë At Pjetër Meshkallën me bindjen se shembulli i tij vazhdon të ndriçojë rrugën e Shqipërisë drejt një të ardhmeje të mbështetur mbi të Vërtetën, Lirinë, Demokracinë dhe Dinjitetin Njerëzor.
Kjo është arsyeja pse emri i tij nuk i përket vetëm historisë së Kishës Katolike Shqiptare. At Pjetër Meshkalla i përket historisë së Shqipërisë! Frank Shkreli*: Harmonia fetare në shkollën jezuite,“Atë Pjetër Meshkalla” në Shkodër | Gazeta Telegraf


