ARKIVI:
11 Gusht 2026

Dom Mikel Tarabulluzi dhe misioni fluturues i fshehtë ndër katolikët laramanë

Shkrime relevante

Vargjet e mia, poezi nga përmbledhja poetike me të njejtin titull e Nafi Çegranit

Nafi Çegrani, Çegran Pjesa e dytë e librit Vargu pas meje Dikur do të lindë...

Mendime që bëjnë dritë tërë jetën, urti poetike

Ismet Hasani, Suedi ___ MENDIME QË BËJNË DRITË TËRË JETËN               U R T...

Kalimi urgjent në sistemin Presidencial, zgjidhje e përhershme për Kosovën!

Florim Zeqa Fillimisht më duhet t’i sqaroj lexuesit e rreshtave të mëposhtëm,...

Dom Mikel Tarabulluzi dhe misioni fluturues i fshehtë ndër katolikët laramanë

Dom Fran Sopi (Studim shkencor) Historia e Kishës Katolike ndër shqiptarë nuk është...

Europa Juglindore APO Gadishulli Ballkanik?

Ibrahim Kelmendi, Gjermani ___ Hapësirat tona, fatkeqësisht, kanë pësuar dy keqemërtime të mëdha:...

Shpërndaj

Dom Fran Sopi

(Studim shkencor)

Historia e Kishës Katolike ndër shqiptarë nuk është shkruar vetëm në katedrale, në kuvende, në dokumente zyrtare dhe në aktet e hierarkisë kishtare. Një pjesë e rëndësishme e saj është shkruar në udhëtime të heshtura, në shtëpi të fshehta, në rrugë malore, në net të ftohta dhe në ndërgjegjen e njerëzve që e ruajtën fenë edhe atëherë kur nuk mund ta dëshmonin publikisht. Si meshtar i Kishës Katolike “Shën Katarina e Aleksandrisë” në Pejë, e lexoj këtë histori jo vetëm si një objekt studimi akademik, por edhe si trashëgimi shpirtërore të një Kishe që ka jetuar, ka vuajtur dhe ka qëndruar pranë popullit të vet në rrethana të vështira.

Në këtë kuadër, figura e Dom Mikel Tarabulluzit dhe misioni i tij ndër katolikët e fshehtë të Karadakut përbëjnë një dëshmi të veçantë të përgjegjësisë meshtarake, të guximit baritor dhe të bashkëpunimit ndërmjet klerit vendor shqiptar dhe Misionit Fluturues të drejtuar nga jezuiti italian At Domenico Pasi S.I. Burimi kryesor mbi të cilin mbështetet ky studim është vepra shumëvëllimëshe e At Fulvio Cordignanos, L’Albania attraverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano, il P. Domenico Pasi S.I. (1847–1914), e cila, përtej karakterit biografik, paraqet një panoramë të gjerë të jetës kishtare, shoqërore, politike dhe kulturore të shqiptarëve katolikë në fundin e shekullit XIX dhe në fillimin e shekullit XX.

Vepra e Cordignanos nuk duhet lexuar vetëm si histori e një misionari të huaj në trojet shqiptare. Brenda saj ruhen emra meshtarësh, ipeshkvijsh, katekistësh dhe besimtarësh shqiptarë, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme mbajtën gjallë fenë, strukturën kishtare dhe kujtesën shpirtërore të bashkësive të tyre. Një ndër këto figura është Dom Mikel Tarabulluzi, i cili në treguesin emëror të vëllimit të dytë paraqitet në formën italiane ose të shtrembëruar grafikisht “D. Michele Tarabutusi”, me referenca në faqet 169, 171 dhe 226, ndërsa në tekstin përshkrues emri i tij jepet më qartë si “R. D. Michele Tarabulluzi”

Kjo mospërputhje grafike nuk është e pazakontë në botimet italiane të kohës, sidomos kur bëhej fjalë për mbiemra shqiptarë të transkriptuar sipas dëgjimit, dorëshkrimit ose praktikës tipografike të autorit. Megjithatë, përmbajtja e burimit nuk lë dyshim se bëhet fjalë për një meshtar dioqezan shqiptar, të cilit iu besua një mision i rrezikshëm ndër katolikët e fshehtë të famullisë së Cërnagorës, përkatësisht në hapësirën e Karadakut.

Për ta kuptuar drejt këtë veprimtari, duhet parë më parë natyra e Misionit Fluturues. Ai ishte një formë e lëvizshme apostolati, e krijuar për të arritur bashkësi të shpërndara, fshatra të largëta dhe zona ku mungonte prania e vazhdueshme meshtarake. Misionarët udhëtonin në grupe, qëndronin për disa ditë në një famulli ose vendbanim, predikonin, dëgjonin rrëfimet, mësonin katekizmin, përgatitnin fëmijët dhe të rriturit për sakramente, bekonin martesa dhe ndërhynin në pajtimin e gjaqeve e të konflikteve familjare.

Nën drejtimin e At Domenico Pasit, ky mision përshkoi hapësira të gjera shqiptare dhe ballkanike. Në Arqipeshkvinë e Shkupit, veprimtaria misionare përfshiu Prizrenin, Gjakovën, Prekorupën, Podrimën dhe Karadakun. Burimi përmend lëvizjen e misionarëve në Velezhë, Shpenadi, Sallagrazhdë dhe Zym, ndërsa grupe të tjera vepruan në fshatrat përreth Gjakovës dhe në viset malore

Misioni zhvillohej në kushte shumë të vështira. Udhëtimet kryheshin me kuaj ose në këmbë, rrugët ishin të pasigurta, terreni i ashpër dhe dimrat të rëndë. Disa misionarë u sëmurën nga lodhja, të ftohtit dhe mundimet e udhëtimit. Pas afro dhjetë muajsh veprimtarie intensive, rreth tridhjetë e pesë fshatra kishin mbetur ende pa përfituar nga vizita misionare.³

Në këtë sfond paraqitet nevoja për një mision të veçantë ndër katolikët e fshehtë të Cërnagorës. Termi Cërnagorë, i barasvlershëm me Karadakun, përdorej në burim për të përshkruar një zonë malore që shtrihej ndërmjet Shkupit, Kaçanikut dhe Gjilanit. Në qendër të kësaj treve ndodhej Shenjtërorja e Zojës së Cërnagorës, një vend me rëndësi të madhe për jetën fetare të katolikëve të rajonit.

Famullia e Cërnagorës përbëhej nga Stublla, Binça, Shasharja, Letnica, Verneza dhe Vërnakolla. Cordignano vëren se në Stubëll dhe Binçë flitej shqip, ndërsa në vendbanimet e tjera përdorej kryesisht gjuha sllave.

Kjo dëshmon se territori kishtar kishte karakter shumëgjuhësh, ndërsa bashkësia katolike përbëhej nga njerëz me përkatësi të ndryshme gjuhësore, por të lidhur përmes fesë së përbashkët, traditës kishtare dhe lidhjes me Selinë e Shenjtë.

Në këtë zonë jetonin edhe shumë katolikë të fshehtë, të njohur me emrin laramanë. Ata ishin njerëz që, për shkak të trysnisë politike, juridike, ekonomike ose shoqërore, paraqiteshin publikisht si myslimanë, ndërsa në jetën private ruanin elemente të fesë katolike. Në pamje të jashtme mbanin emra dhe zakone myslimane, por në familje pagëzonin fëmijët, respektonin Kreshmët, kremtonin festa të krishtera dhe shpresonin se një ditë do të mund të ktheheshin publikisht në fenë e të parëve.⁶

Kjo gjendje nuk mund të vlerësohet me kategori të thjeshta ose me gjykime të shkëputura nga konteksti historik. Katolikët e fshehtë jetonin nën një presion të vazhdueshëm. Shpesh përkatësia publike fetare përcaktonte sigurinë, pronën, detyrimet fiskale, raportin me administratën dhe mundësinë e mbijetesës. Prandaj, fshehja e identitetit fetar ishte në shumë raste një formë e mbijetesës dhe jo domosdoshmërisht mohim i plotë i fesë së trashëguar. Një episod i rëndësishëm që shpjegon frikën e këtyre bashkësive lidhet me vitin 1846, kur disa familje nga Binça, Stublla, Vërnakolla dhe Karadaku u përpoqën ta shpallnin publikisht përkatësinë e tyre katolike, duke besuar se reformat e Perandorisë Osmane u garantonin lirinë e kultit. Reagimi i pushtetit vendor dhe i qarqeve kundërshtare ishte i ashpër. U pasuan arrestime, presione, dëbime dhe përndjekje, të cilat detyruan shumë prej tyre të ktheheshin përsëri në fshehtësi.

Në një realitet të tillë, prania e një misionari të huaj ose e një grupi jezuitësh do të mund të tërhiqte menjëherë vëmendjen e autoriteteve dhe të shkaktonte pasoja të rënda për popullsinë vendore. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e Misionit Fluturues vlerësuan se nuk ishte e mençur që jezuitët t’i vizitonin drejtpërdrejt këto familje. U vendos që detyra t’i besohej një meshtari vendor, i cili e njihte terrenin, njerëzit dhe rreziqet. Ky meshtar ishte Dom Mikel Tarabulluzi. Cordignano e cilëson atë si “një meshtar të mirë” dhe vëren se atij iu dha për shoqërues katekisti Pjetër.

Ky formulim është i shkurtër, por domethënës. Në gjuhën kishtare të kohës, cilësimi “meshtar i mirë” nuk lidhej vetëm me moralin personal. Ai nënkuptonte besueshmëri, maturi, përkushtim, zell baritor dhe aftësi për t’u përballur me një mision të ndërlikuar. Dom Mikeli duhej të ishte i aftë të vepronte në heshtje, të ruante fshehtësinë, të mos rrezikonte familjet dhe njëkohësisht të kryente shërbesën sakramentale dhe kateketike. Misioni i tij kishte karakter tërësisht të fshehtë. Burimi thotë se e gjithë puna, vizitat dhe udhëtimet duhej të zhvilloheshin natën.

Dom Mikeli dhe katekisti Pjetër kalonin nga një vendbanim në tjetrin nën mbrojtjen e errësirës. Nuk mund të predikonin publikisht, nuk mund të organizonin tubime të mëdha dhe nuk mund të përdornin lirisht hapësirat kishtare. Shërbesa zhvillohej në shtëpi private, në rreth të ngushtë familjar dhe në kushte të vazhdueshme pasigurie. Si meshtar, e lexoj këtë dëshmi me një ndjenjë të thellë përgjegjësie. Meshtaria nuk është vetëm shërbesë e altarit në kohë paqeje. Ajo është edhe gatishmëri për të shkuar atje ku besimtari është i braktisur, i kërcënuar ose i privuar nga sakramentet. Në rastin e Dom Mikelit, nata nuk ishte vetëm kohë kronologjike. Ajo ishte shenja e një epoke kur feja duhej të lëvizte në heshtje, kur kryqi duhej të mbahej i fshehur dhe kur fjala e Zotit duhej të pëshpëritej në mënyrë që të mos sillte hakmarrje mbi familjet. Burimi pohon se gjatë këtyre udhëtimeve misionarët u gjendën disa herë në rrezik për jetën

Megjithatë, misioni vazhdoi për afro katër javë. Në secilin vendbanim qëndronin katër ose pesë ditë, aq sa ishte e nevojshme për të mësuar njerëzit, për t’i përgatitur për sakramente dhe për të rregulluar çështjet më të ngutshme të jetës fetare.¹¹

Gjendja që gjetën ishte e rëndë. Kishte fëmijë nga pesë deri në shtatë vjeç që ende nuk ishin pagëzuar. Martesat ishin lidhur pa praninë e meshtarit dhe pa bekimin sakramental. Shumë njerëz, për shkak të mungesës së formimit, mendonin se feja katolike dhe ajo myslimane mund të praktikoheshin paralelisht ose se ishin njësoj të vlefshme. Disa mbanin Ramazanin ose ndiqnin rite myslimane, ndërsa në familje përpiqeshin të ruanin kujtesën e krishterë.¹²

Këtu duhet theksuar se këta njerëz nuk kishin pasur kujdes të rregullt baritor. Disa prej tyre nuk kishin parë kurrë meshtar. Mungesa e mësimit, e sakramenteve dhe e bashkësisë së organizuar kishte krijuar një formë të paqartë të jetës fetare. Prandaj, detyra e Dom Mikelit nuk ishte thjesht të dënonte praktikat e tyre, por t’i ndihmonte të kuptonin fenë, të rindërtonin lidhjen me Kishën dhe të rigjenin vetëdijen e përkatësisë së tyre. Pas disa ditësh mësimi, njerëzit deklaronin se vetëm tani po e kuptonin se çfarë ishte feja katolike. Sipas burimit, ata shprehnin gatishmërinë të përballonin çdo vuajtje përpara se ta braktisnin fenë e të parëve.¹³

Edhe pse gjuha e Cordignanos ka karakter të dukshëm apologjetik, ky reagim pasqyron emocionin e një popullsie që pas një kohe të gjatë po përjetonte përsëri praninë e meshtarit, mësimin e fesë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me Kishën. Frytet e misionit paraqiten në mënyrë konkrete. U pagëzuan më shumë se njëzet vajza, disa prej tyre tashmë të rritura. U bekuan martesat e rreth pesëmbëdhjetë çifteve që deri atëherë kishin jetuar pa kurorë kishtare

U shpërndanë kryqe, medalje dhe rruzare, të cilat ishin siguruar nga At Domenico Pasi

Në kushtet e një besimi të jetuar në fshehtësi, këto objekte kishin një domethënie shumë më të madhe se ajo e një dhurate të zakonshme devocionale. Kryqi ishte shenja e identitetit që nuk mund të shfaqej publikisht. Rruzarja ishte një formë lutjeje që mund të ruhej dhe të transmetohej brenda familjes. Medalja ishte një shenjë e lidhjes me Kishën universale dhe me botën shpirtërore që këta njerëz e ndienin të largët, por jo të harruar. Kur Dom Mikeli dhe katekisti Pjetër largoheshin nga një vendbanim, besimtarët i përcillnin me lot dhe u luteshin të ktheheshin përsëri

Kjo dëshmi tregon se prania e tyre nuk perceptohej vetëm si vizitë rituale. Ajo ishte rikthim i një atësie shpirtërore, i një sigurie dhe i një përkatësie që bashkësitë nuk e kishin përjetuar prej kohësh. Një rol i rëndësishëm në këtë veprimtari i përkiste edhe katekistit Pjetër. Burimi nuk jep të dhëna të hollësishme për identitetin e tij, por vetë prania e tij është domethënëse. Katekistët ishin shpesh ura ndërmjet meshtarit dhe popullsisë. Ata njihnin njerëzit, familjet, dialektet, udhët dhe rreziqet. Në mungesë të meshtarëve, u mësonin fëmijëve lutjet, përgatisnin njerëzit për sakramente dhe ruanin vazhdimësinë e jetës së krishterë. Në misionin e fshehtë të Karadakut, katekisti Pjetër mund të ketë qenë udhërrëfyes, ndërmjetës, mësues dhe organizator i takimeve. Ai mund të ketë lajmëruar familjet, të ketë siguruar kalimin e sigurt të meshtarit dhe të ketë ndihmuar në formimin kateketik. Kjo dëshmon se ruajtja e fesë nuk ishte vetëm vepër e klerit. Ajo ishte fryt i bashkëpunimit ndërmjet meshtarit dhe laikëve të angazhuar, ndërmjet strukturës kishtare dhe jetës konkrete të popullit. Çështja e itinerarit të saktë të Dom Mikel Tarabulluzit kërkon kujdes shkencor. Burimi thotë se ai veproi ndër katolikët e fshehtë të famullisë së Cërnagorës, por nuk jep një listë të plotë të fshatrave që vizitoi personalisht. Famullia përfshinte Stubllën, Binçën, Shasharen, Letnicën, Vernezën dhe Vërnakollën

Është e arsyeshme të mendohet se misioni u zhvillua në disa prej këtyre vendbanimeve ose në lagjet e lidhura me to. Megjithatë, pa një raport të drejtpërdrejtë, ditar ose dokument tjetër, nuk mund të pohohet me siguri se Dom Mikeli hyri në secilin prej tyre. Pikërisht këtu qëndron një nga detyrat kryesore të hulumtimit historik: të dallojë ndërmjet asaj që dokumenti pohon, asaj që burimi lë të kuptohet dhe asaj që mbetet vetëm hipotezë. Prandaj, formulimi më i saktë është se Dom Mikel Tarabulluzi zhvilloi një mision të fshehtë katërjavor ndër katolikët e territorit të famullisë së Cërnagorës, në hapësirën e Karadakut, duke kaluar gjatë natës nga një bashkësi në tjetrën. Cordignano e cilëson këtë veprimtari si një titull nderi për klerin e Arqipeshkvisë së Shkupit, sepse ajo kishte dhënë një meshtar të aftë dhe të guximshëm, i cili nuk ngurroi të përballej me rreziqe të rënda për ta përmbushur detyrën e tij baritore

Ky vlerësim ka rëndësi të veçantë për historiografinë kishtare shqiptare. Në shumë rrëfime mbi misionet katolike në trojet shqiptare, vëmendja përqendrohet te misionarët e huaj, te jezuitët, françeskanët ose përfaqësuesit e Propaganda Fide. Kontributi i tyre është i padiskutueshëm, por rasti i Dom Mikel Tarabulluzit dëshmon se kleri vendor shqiptar nuk ishte vetëm marrës i ndihmës misionare. Ai ishte bashkëpunëtor, drejtues në terren, njohës i popullit dhe shpesh bartës i rrezikut më të madh. Dom Mikeli përfaqëson figurën e meshtarit që nuk la domosdoshmërisht pas vetes vepra të botuara, institucione të mëdha ose monumente të dukshme. Vepra e tij mbeti në ndërgjegjen e njerëzve, në fëmijët e pagëzuar, në martesat e bekuara, në familjet e forcuara dhe në kryqet që u futën fshehurazi në shtëpitë e besimtarëve.

Si meshtar i Kishës Katolike “Shën Katarina e Aleksandrisë” në Pejë, e shoh në figurën e tij një model të atësisë meshtarake. Ai nuk shkoi te njerëzit për të kërkuar nderim, por për t’ua kthyer atë që u mungonte: Fjalën, sakramentin, mësimin dhe ndjenjën se Kisha nuk i kishte harruar. Ai hyri në natën e tyre jo për ta shtuar frikën, por për të ndezur një dritë që mund të ruhej edhe në fshehtësi. Në këtë pikë, dimensioni baritor ndërthuret edhe me atë kulturor dhe kombëtar. Misioni i Dom Mikelit ishte para së gjithash kishtar. Ai synonte ruajtjen e fesë, administrimin e sakramenteve dhe lidhjen e besimtarëve me Kishën. Megjithatë, në hapësirën shqiptare të Karadakut, ruajtja e fesë lidhej ngushtë edhe me ruajtjen e kujtesës familjare, të traditës dhe të identitetit kulturor.

Në Stubëll dhe Binçë, ku flitej shqip, feja katolike ishte pjesë e një trashëgimie të transmetuar brez pas brezi. Në vendbanimet e tjera, ku flitej sllavisht, përkatësia katolike krijonte një lidhje shpirtërore përtej dallimeve gjuhësore. Kjo tregon se Misioni Fluturues dhe veprimtaria e Dom Mikelit nuk mund të reduktohen vetëm në një projekt kombëtar. Ato ishin para së gjithash veprimtari të Kishës, e cila përpiqej t’u shërbente besimtarëve të saj në një territor të përzier dhe në rrethana të rënda politike.

Megjithatë, për shqiptarët katolikë, ruajtja e fesë ndihmoi edhe në ruajtjen e kujtesës historike dhe të vetëdijes së përkatësisë. Në një kohë kur islamizimi, sllavizimi dhe trysnitë politike kërcënonin strukturën e bashkësive, Kisha u bë një nga vendet kryesore të ruajtjes së emrit, gjuhës, traditës dhe historisë familjare.

Burimi i Cordignanos ka vlerë të madhe, por ai nuk u përgjigjet të gjitha pyetjeve. Për Dom Mikel Tarabulluzin ende nuk kemi të dhëna të sigurta mbi datën dhe vendin e lindjes, formimin seminarik, shugurimin meshtarak, famullitë ku shërbeu, datën e vdekjes dhe veprimtarinë e tij të mëvonshme. Nuk e dimë nëse ai la relacione, letra ose shënime personale. Nuk kemi as listën e plotë të familjeve dhe vendbanimeve që vizitoi.

Për këtë arsye, studimi i tij duhet të vazhdojë në arkiva. Vëmendje e posaçme duhet t’u kushtohet Arkivit të Arqipeshvisë së Shkupit, arkivave famullitare të Stubllës, Binçës dhe Letnicës, Arkivit të Dioqezës Prishtinë–Prizren, Arkivit të Shoqërisë së Jezusit, Arkivit Apostolik të Vatikanit dhe fondit historik të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, ish-Propaganda Fide.

Me rëndësi do të ishte edhe shqyrtimi i regjistrave të pagëzimeve dhe martesave nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Nëse pagëzimet e më shumë se njëzet vajzave dhe martesat e rreth pesëmbëdhjetë çifteve janë regjistruar në ndonjë libër famullitar, ato mund të ndihmojnë në përcaktimin e datës dhe itinerarit të misionit.

Gjithashtu, duhet mbledhur tradita gojore e familjeve katolike të Karadakut. Kujtesa familjare mund të ruajë emra meshtarësh, vende kremtimesh, kryqe, rruzare, tregime mbi pagëzime të fshehta dhe udhëtime nate. Edhe pse tradita gojore kërkon verifikim kritik, ajo mund të jetë një burim i çmuar për ta plotësuar boshllëkun e dokumentacionit të shkruar.

Nga analiza e burimit mund të arrihet në përfundimin se Dom Mikel Tarabulluzi ishte një meshtar dioqezan shqiptar, i cili, i mbështetur nga Misioni Fluturues i At Domenico Pasit dhe i shoqëruar nga katekisti Pjetër, zhvilloi një veprimtari të fshehtë katërjavore ndër katolikët e Karadakut. Ai udhëtoi natën, qëndroi nga katër ose pesë ditë në secilën bashkësi, mësoi fenë, pagëzoi më shumë se njëzet vajza, bekoi martesat e rreth pesëmbëdhjetë çifteve dhe forcoi ndërgjegjen e përkatësisë katolike.

Shkolla “Dom Mikel Tarabulluzi”…

Figura e tij dëshmon se Kisha ndër shqiptarë nuk mbijetoi vetëm falë vendimeve të mëdha institucionale, por edhe falë meshtarëve që ecën nëpër natë, katekistëve që i udhëhoqën, familjeve që hapën dyert dhe besimtarëve që ruajtën kryqin në heshtje.

Dom Mikel Tarabulluzi meriton të rikthehet në kujtesën historike dhe kishtare si një nga ata meshtarë që nuk e matën shërbesën me dukshmërinë publike, por me besnikërinë ndaj njerëzve dhe ndaj Ungjillit. Në të shohim jo vetëm një emër të përmendur në faqet e një libri italian, por një dëshmitar të meshtarisë së jetuar në rrezik, në heshtje dhe në dashuri.

Në historinë e tij, nata nuk e mposhti dritën. Ajo vetëm e bëri dritën më të fshehtë, më të brishtë dhe, njëkohësisht, më të çmuar.

Burimet dhe literatura:

Cordignano, Fulvio S.I. L’Albania attraverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano, il P. Domenico Pasi S.I. (1847–1914). Vëll. II. Roma: Istituto per l’Europa Orientale, 1933–1934.

 

  1. Fulvio Cordignano S.I., L’Albania attraverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano, il P. Domenico Pasi S.I. (1847–1914), vëll. II, Roma: Istituto per l’Europa Orientale, treguesi i emrave, zëri “D. Michele Tarabutusi”, f. 169, 171, 226. Në tekst mbiemri paraqitet në formën “Tarabulluzi”.
  2. Cordignano, L’Albania, vëll. II, f. 225–226. At Domenico Pasi përshkruhet duke vepruar në vendbanimet katolike të Podrimës: Velezhë, Shpenadi, Sallagrazhdë dhe Zym.
  3. Po aty. Misionet në Arqipeshkvinë e Shkupit zgjatën rreth dhjetë muaj dhe rreth tridhjetë e pesë fshatra mbetën pa vizitë misionare.
  4. Cordignano, L’Albania, vëll. II, f. 219. Cërnagora ose Karadaku përshkruhet si hapësira malore ndërmjet Shkupit, Kaçanikut dhe Gjilanit.
  5. Po aty. Famullia e Cërnagorës përfshinte Stubllën, Binçën, Shasharen, Letnicën, Vernezën dhe Vërnakollën.
  6. Cordignano, L’Albania, vëll. II, f. 135–136. Autori përshkruan katolikët e fshehtë që publikisht paraqiteshin si myslimanë, ndërsa në familje ruanin praktika të krishtera.
  7. Po aty, f. 135–143. Përmenden familjet e Binçës, Stubllës, Vërnakollës dhe Karadakut që tentuan ta shpallnin publikisht përkatësinë katolike.
  8. Cordignano, L’Albania, vëll. II, f. 226. Dom Mikel Tarabulluzit iu dha si shoqërues katekisti Pjetër.
  9. Po aty. Vizitat, puna dhe udhëtimet misionare duhej të zhvilloheshin gjatë natës.
  10. Cordignano, L’Albania, vëll. II, f. 226–227. Misionarët u gjendën disa herë në rrezik për jetën gjatë lëvizjeve të natës.
  11. Po aty. Në secilin vendbanim misionari qëndronte katër ose pesë ditë.
  12. Cordignano, L’Albania, vëll. II, f. 226. Burimi përmend fëmijë të papagëzuar, martesa pa bekim kishtar dhe paqartësi në kuptimin e përkatësisë fetare.
  13. Po aty. Pas mësimit, besimtarët deklaronin se tani e kuptonin fenë katolike dhe se nuk dëshironin ta braktisnin fenë e të parëve.
  14. Cordignano, L’Albania, vëll. II, f. 227. U pagëzuan më shumë se njëzet vajza dhe u bekuan martesat e rreth pesëmbëdhjetë çifteve.
  15. Po aty. Kryqet, medaljet dhe rruzaret e shpërndara gjatë misionit ishin siguruar nga At Domenico Pasi.
  16. Po aty. Besimtarët i përcillnin misionarët me lot dhe u kërkonin të ktheheshin përsëri.
  17. Cordignano, L’Albania, vëll. II, f. 219.
  18. Cordignano, L’Albania, vëll. II, f. 227. Autori e paraqet misionin e Dom Mikelit si nder për klerin e Arqipeshkvisë së Shkupit, i cili dha një meshtar të guximshëm për një detyrë kaq të rrezikshme. 

Pejë, më 11 gusht 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu