“Shqiptar” si term: Shqiptarët në mendimin osman të shek. XVIII

Shkrime relevante

Integrimi i “gabuar” !

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë Kur një popull fillon të integrohet...

“Shqiptar” si term: Shqiptarët në mendimin osman të shek. XVIII

Uğur Bayraktar , Turqi ____ Ky artikull shqyrton diskursin që burrështetasit dhe...

Në Shkodër, nën drejtimin e Ndue Sanajt, u zhvillua ceremonia e vendosjes së pllakës përkujtimore në vendin ku, në vitin 1859, Marie Mici, hapi...

Nikolle Loka, Shkodër ____ Shkodër – Sot, me angazhimin e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”,...

Muslimanët kërcënojnë me grevë në Venedik pas refuzimit të projektit për xhami

Arnt Jensvoll, Document.no Muslimanët bangladeshas në Venecia kërcënojnë me grevë dhe protesta...

Njoftim për ceremoninë mortore të Dr. Daut Dautit më 6 shtator 2026

Familja Dauti njofton familjarët, miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët dhe të gjithë dashamirët...

Shpërndaj

Ky artikull shqyrton diskursin që burrështetasit dhe dijetarët osmanë kishin zhvilluar për termin “shqiptar” bazuar në kronikat osmane të shekullit të XVIII. Ai nis nga premisa se elitat osmane, përveç grupeve të tjera lëvizëse brenda Perandorisë, po kategorizonin komunitetet shqiptare në mënyrë esencialiste, para diskurseve orientalistë të shekullit të XIX.
Siç pritej, osmanët zakonisht e lidhnin termin “shqiptar” me mbiemra përçmues. Duke u mbështetur në një përzgjedhje të kronikave osmane të shekullit XVIII, ky studim trajton ndërtimin e këtyre asociacioneve, me një fokus të veçantë te shqiptarët si: “brumi i trazirave”, “luftëtarë të guximshëm e të egër”, dhe “të pafe që ngjasojnë me myslimanët”.
Duke marrë parasysh shqetësimet e elitës osmane për “rendi publik”, veçanërisht pas disa kryengritjeve në shekullin XVIII – shqiptarët filluan të përdoreshin si kokë turku për çdo shqetësim publik, veçanërisht në kryeqytet. Ndërsa kjo formë e “solidaritetit etnik” ishte e ndryshme nga konceptet e tjera në literaturë, pjesëmarrja e shumë shqiptarëve të ardhur nga fshatrat në Kryengritjen e Patrona Halilit solli diskurse përçmuese për turmat e shfrenuara. Ky artikull shqyrton procesin specifik në të cilin rreziku që përfaqësonte “shqiptari” për sovranitetin osman u bë pjesë përbërëse e etiketimeve të tyre etnike.
Kjo ishte, pjesërisht, për shkak të aftësive të komuniteteve shqiptare për t’u mobilizuar. Fakti që ata arrinin të komandonin turmat përmes “solidaritetit etnik” ndikoi në formësimin negativ të diskursit osman, duke e shpjeguar sjelljen e tyre kolektive si pasojë e natyrës së tyre nomade.
Përveç lidhjes së shqiptarëve me fraza që nënkuptonin shkelje të rendit, paragjykimet filluan të bëheshin gjithnjë e më të ngulitura, sa herë që termi “shqiptar” përmendej për ndonjë sjellje të pahijshme apo krim.
Megjithatë, përkundër diskurseve të qarta e shpesh herë abuzive që e lidhin termin “shqiptar” me çrregullimin publik, shërbimi ushtarak i komuniteteve të ndryshme shqiptare në dobi të Perandorisë Osmane e zbehte këtë përfytyrim përçmues.
Në krahasim me stigmatizimin për shkak të pjesëmarrjes në kryengritje popullore, diskursi për rolin e tyre si hajdutë apo ushtarë të rregullt ishte më i luhatshëm. Nga njëra anë, osmanët i lavdëronin luftëtarët shqiptarë për guximin dhe aftësitë e tyre, duke krijuar kështu një tjetër grup asociacionesh esencialiste – këtë herë pozitive. Nga ana tjetër, mosbindja e rastësishme, që përfshinte refuzimin për të luftuar derisa të paguheshin ose paraqitjen në numër të ulët në betejë keqësoi më tej përfytyrimin për ta, sidomos në kontekstin e shumë kryengritjeve të shekullit XVIII në Stamboll.
Pasi trajton përfaqësimet e “shqiptarëve” në diskursin osman për rendin publik dhe ushtrinë, artikulli kalon në analizën e veçorive kulturore të komuniteteve shqiptare që ishin në shënjestër të këtij diskursi.
Në veçanti, seksioni i tretë i artikullit merret me Kanunin, ligjin zakonor shqiptar, për të kuptuar si praktikat shoqërore dhe ligjore të lidhura me të ndihmuan në ndërtimin e stereotipeve osmane për shqiptarët. Fokusi vihet në konceptin “besa”, një fjalë me ngarkesë të fortë kulturore që mund të përkthehet si: traktat paqeje, aleancë, armëpushim, paqe gjaku, pajtim, mikpritje, nder i shtëpisë, garanci sigurie, betim, fjalë e dhënë, besnikëri, dhe besim.
Artikulli merret me kuptimet e fundit, si “fjalë e dhënë” apo “ndershmërinë”, për të shqyrtuar sesi ky veprim “kalorësiak” kontribuoi në formimin e përfytyrimit përçmues osman për shqiptarët si njerëz “kokëfortë”. Me fjalë të tjera, nënvizohet se përkushtimi i fortë ndaj besës, i udhëhequr nga zakonet e ndryshme të kanunit shqiptar, mund të ketë qenë një tjetër rrugë drejt stigmës osmane. Artikulli ngre pyetjen nëse elita osmane e transformoi një kod kulturor si “besa” në një tipar karakteri, duke ushqyer më tej diskursin përçmues për shqiptarët. Sigurisht, artikulli shqyrton praktikën e besës në marrëdhëniet politike mes shqiptarëve dhe qeverisë osmane. Pra, në vend që ta konsiderojë besën si shenjë kokëfortësie, artikulli e sheh atë si praktikë kulturore që ndihmonte kohezionin shoqëror mes shqiptarëven një gjë që ishte në konflikt me idealet e shtetit osman. Në këtë kuptim, artikulli tregon se besa dhe lidhjet e saj “të pakorruptueshme” ishin faktorë kyç në veprimet kolektive të shqiptarëve.
Në të njëjtin kontekst, trajtohet edhe çështja e krypto-krishterimit në disa komunitete shqiptare, një temë ende popullore në botimet e djathta sot. Artikulli hedh dritë mbi islamizimin relativisht të vonshëm të shumicës së shqiptarëve dhe shqyrton se sa krypto-krishterimi(i pranishëm në Shqipërinë e veriut dhe Kosovën e jugut të sotme) dhe islamizimi i vonë kontribuuan në stigmatizimin osman të termit “shqiptar”.
Lëvizja fluide midis katolicizmit dhe islamit për përfitime materiale, që vazhdoi deri në shekullin XIX, përbënte një tjetër arsye për përkeqësimin e stereotipeve osmane ndaj shqiptarëve. Ndërkohë që shteti osman promovonte një islam të rregulluar zyrtarisht sipas shkollës hanefite, praktikat fetare të disa shqiptarëve myslimanë shpesh përplaseshin me normat zyrtare.
Në seksionin e fundit, artikulli trajton parimet Khalduniane në kontekstin e vetive gjithnjë në ndryshim që elitat osmane i atribuonin shqiptarëve. Ai thekson se dichotomia Khalduniane “vendosur – nomad” shërbeu si model për përfaqësimin osman të shqiptarëve. Në këtë drejtim, nuk ishin vetëm shqiptarët që u identifikuan përmes përkatësisë etnike, por edhe grupe të tjera nomade ose migrantësh si turqit nomadë, çerkezët dhe kurdët. Në rastin specifik të shqiptarëve, karakteristikat e lidhura me nomadizmin sipas modelit të Ibn Khaldunit u bënë cilësi pozitive të esencializmit osman. Megjithatë, stigmatizimi i tyre ishte gjithashtu i lidhur me mendësinë shtetërore të elitës osmane.
Përfundimisht, ky artikull shqyrton se si elitat osmane, në rastet konkrete të kronikanëve të shekullit XVIII e interpretuan termin “shqiptar” në krahasim me grupe të tjera profesionale dhe etnike. Në këtë kontekst, studimi kontribuon në literaturën ekzistuese, e cila deri më tani i është qasur vetëm në mënyrë të tërthortë dhe të pamjaftueshme lidhjeve që përfshinin shumë komunitete nomade të Perandorisë Osmane. Nga njëra anë, elita osmane e vlerësoi shqiptarët për shërbimin e tyre ushtarak ndaj perandorisë. Nga ana tjetër, ata zhvilluan një diskurs përçmues ndaj tyre, për shkak të kërcënimit që shqiptarët paraqitnin për koncepcionin osman të rendit. Ky diskurs, sidoqoftë, ishte rezultat i një luhatjeje, ngritjet dhe zbritjet e së cilës u diktuan kryesisht nga konsideratat politike të elitës osmane.
Prandaj, artikulli argumenton se përfaqësimet e termit “shqiptar”, të cilat zyrtarët osmanë gjithnjë e më shumë i lidhën me mbiemra negativë, veçanërisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX, pas rezistencës kundër reformave të Tanzimatit, i paraprijnë epokave të modernizimit, kolonializmit dhe orientalizmit.
Duke treguar se ky diskurs i luhatshëm i shekullit XVIII i paraprin atij të shekullit XIX, artikulli pohon se diskursi i parë, i formësuar kryesisht nga kuptimet osmane për rendin publik, ushtrinë dhe fenë, përbën themelin e diskursit të shekullit XIX, i cili ishte më i qartë dhe më i ashpër në stigmatizimin e shqiptarëve.
Edhe pse tiparet që elitat osmane ua atribuuan shqiptarëve dhe grupeve të ngjashme, në termat e “rendit”, “higjienës”, “moralit” dhe “klasës” ndryshuan ndjeshëm gjatë reformave qendërzuese të shekullit XIX, duhet theksuar se ato që lidhen me “rendin” nuk pësuan ndonjë ndryshim të madh. Me fjalë të tjera, atributet që elita osmane zhvilloi për komunitetet shqiptare të perandorisë na ofrojnë një pasqyrë interesante për mënyrën se si mentaliteti osman u transformua nga shekulli XVIII në atë XIX. Edhe pse kjo është temë për një studim më të gjerë, artikulli dëshmon se fjalori përçmues që përfaqësuesit e shtetit osman zhvilluan për shumë popullsi nomade, përfshirë shqiptarët, përbënte një diskurs origjinal, i cili merrte parasysh përkatësitë etnike, gjeografike dhe të klasës, duke shërbyer si një nga bazat e diskurseve zyrtare të epokës “moderne”.
(E përgatiti: Nikollë Loka, Tiranë)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu