Kur një popull fillon të integrohet në vendin e vet me kulturën e një vendi tjetër…
Integrimi është fjalë e bukur kur kuptohet drejt.
Shqiptari që jeton në Gjermani, Finlandë, Zvicër apo në një vend tjetër perëndimor, duhet të integrohet: të mësojë gjuhën, të respektojë ligjet, të punojë, të kontribuojë dhe të bëhet pjesë aktive e shoqërisë ku jeton.
Por integrimi nuk do të thotë asimilim.
Mund të bëhesh qytetar i mirë i një vendi tjetër pa pushuar së qeni shqiptar.
Por kemi edhe një lloj tjetër “integrimi”, shumë më të çuditshëm:
Integrimin brenda vetvetes.
Një shqiptar jeton në tokën shqiptare, flet shqipen, ecën mbi historinë e të parëve të tij, por dalëngadalë fillon të integrohet në një kulturë tjetër.
Dhe integrimi nuk ndalet vetëm te mendimi.
Fillon të duket edhe në veshje, pamje, zakone, simbole dhe mënyrën e jetesës.

Një ditë shfaqet një shami.
Pastaj një tjetër.
Pastaj një mbulesë.
Pastaj mjekra sipas modeleve orientale, salafiste apo vehabiste.
Pastaj pantallonat treçerekëshe.
Pastaj kapela që të kujton më shumë shkretëtirën sesa Dardaninë.
Dhe, për ta kompletuar koleksionin, edhe fjalori fillon të ndryshojë:
“Halla”, “vallahi”, “inshallah”…
Mos u çuditni nëse një ditë ndonjë shqiptar në Mitrovicë pyet:
“A jemi ende në Kosovë, apo na kanë zhvendosur pa na treguar?”
Dhe këtu vjen edhe një pyetje tjetër, me pak humor e shumë seriozitet:
Nga cila qendër erdhi modeli i radhës?
Nëse vërtet pas këtyre modeleve të veshjes, financimeve, propagandës apo organizimeve qëndrojnë sponsorizues të caktuar, kjo nuk është punë për thashetheme rrugësh. Është punë për strukturat kompetente të sigurisë dhe transparencës që të hetojnë, të verifikojnë dhe, nëse ka prova, t’i bëjnë publike.

Sepse qytetari mund të pyesë.
Gazetari mund të hulumtojë.
Por shteti duhet të verifikojë.
Dhe nëse nuk ka asgjë të dyshimtë, aq më mirë: le të dalë e vërteta dhe të mbyllet pyetja.
Por nëse ka financues, organizata apo interesa që synojnë të ndryshojnë gradualisht identitetin kulturor të shqiptarëve, atëherë shoqëria ka të drejtë ta dijë:
Kush financon?
Kush organizon?
Kush propagandon?
Dhe çfarë synimi ka?
Sepse një gjë është besimi.

Një gjë tjetër është importimi i një kulture të tërë bashkë me besimin.
Dhe këtu disa misionarë ideologjikë — qofshin imamë, mullahë apo propagandues me mikrofon — rrezikojnë të shndërrohen nga udhërrëfyes fetarë në argatë të çkombëtarizimit:
Argati i çkombëtarizimit është figurë interesante:
punon në tokën tënde, flet gjuhën tënde, por të mëson ta shohësh kulturën e huaj si më të pastër, më të mirë e më të denjë për t’u trashëguar.
Kjo nuk është më thjesht çështje garderobe.
Është çështje kulture, identiteti dhe ndikimi.
Sigurisht, veshja e një individi është zgjedhje personale dhe nuk mund të përdoret si dëshmi për bindjet e tij. Por kur një model i caktuar shoqërohet me propagandë ideologjike dhe me përpjekje për ta zëvendësuar kulturën vendore, atëherë duhet të kemi sy e veshë hapur.
Dhe këtu duhet bërë dallimi:
Besimi është personal.
Kultura është kolektive.
Ideologjia është projekt.
Shqiptari mund të besojë në Zot pa pushuar së qeni shqiptar.
Mund të jetë mysliman pa u bërë arab.
Mund të jetë katolik pa u bërë italian.
Mund të jetë protestant pa u bërë gjerman.
Kjo është bashkëjetesë.
Por kur dikush të thotë se për të qenë besimtar i mirë duhet të mendosh, vishesh, flasësh dhe jetosh sipas një modeli të huaj, atëherë kemi kaluar nga besimi te ideologjia.
E kur predikimi fillon me besimin dhe përfundon me frikën, kërcënimin shpirtëror dhe bindjen absolute ndaj “të deleguarit” të Zotit, pyetja bëhet e thjeshtë:
A po predikohet besimi apo po shitet frika?
Sepse disa rrëfime, me shumë mistere, kërcënime, shpërblime e tregime të ardhura nga larg, nganjëherë më kujtojnë më shumë “1001 netët” sesa historinë e një populli që ka mbijetuar mijëra vjet mbi tokën e vet.
Përralla mund të ketë një fije realiteti.

Por nuk bëhet histori vetëm pse tregohet një mijë e një herë.
Prandaj:
Le të integrohemi në Evropë.
Në dije.
Në qytetërim.
Në demokraci.
Në shkencë.
Në liri.
Por të integrohemi aq shumë në kulturat e huaja sa të harrojmë kulturën tonë?
JO, JO,JO .
Sepse atëherë nuk kemi më integrim.
Kemi asimilim.
Dhe asimilimi më i rrezikshëm nuk vjen gjithmonë me ushtri, kufij të rinj apo flamuj të huaj.

Ndonjëherë vjen me një mikrofon, një tekst të lexuar, një slogan të përsëritur, një veshje të importuar dhe një fjali që duket krejt e pafajshme:
“Kështu duhet të mendosh për të qenë besimtar i mirë.”
E atëherë shqiptarët duhet të bëjnë pyetjen më të thjeshtë:
Po për të mbetur shqiptarë — kush do të na mësojë të mos harrojmë veten ?



