Kur poeti bëhet historian, politolog e gjeostrateg, por harron dokumentet
E dëgjova intervistën e Kim Mehmetit. Nuk u befasova.
Në fakt, nuk prisja ndonjë gjë tjetër nga një njeri që prej vitesh sillet sikur mikrofoni i jep automatikisht licencë për të dhënë verdikte mbi historinë, kombin, fenë, gjeopolitikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kësaj radhe, megjithatë, Kimi na ofroi edhe një “zbulim” të madh: Serbia i ka rrënuar xhamitë gjatë luftës, prandaj ata që mendojnë se Serbia mund të ketë përdorur çështjen islame për interesa të veta qenkan idiotë.
Epo, Kimi, këtu po ta kthejmë pyetjen:
A janë idiotë ata që lexojnë dokumentet, apo ata që duan ta lexojnë historinë vetëm përmes një fotografie?

Po, Serbia i ka rrënuar xhamitë gjatë luftës.
Por Serbia nuk rrënoi vetëm xhami.
Rrënoi shtëpi, shkolla, biblioteka, monumente, objekte fetare, vrau shqiptarë dhe dëboi qindra mijëra njerëz.
Prandaj argumenti “Serbia i ka rrënuar xhamitë, ndaj nuk mund të ketë pasur politikë të instrumentalizimit të fesë” është aq i cekët sa nuk mund të quhet analizë historike.
Është gjysmë e vërtetë e përdorur për të fshehur gjysmën tjetër.
Po dokumentet, Kimi?

Para se të na quash idiotë, lexoje Vasa Çubrilloviqin.
Në vitin 1937, historiani dhe akademiku jugosllav Vasa Çubrilloviq paraqiti memorandumin “Iseljavanje Arnauta” – “Dëbimi i shqiptarëve”, ku propozonte masa për largimin masiv të shqiptarëve nga Kosova. Dokumenti u paraqit në Klubin Kulturor Serb dhe përshkruante edhe përdorimin e presionit ekonomik, policor dhe të dhunës për të krijuar kushtet e shpërnguljes.
Pra, këtu nuk kemi “teori konspirative”.
Kemi dokument historik.
Dhe kemi një mendësi politike që e shihte çështjen shqiptare si problem demografik, territorial dhe shtetëror.
Madje në diskutimet e asaj kohe çështja e shqiptarëve myslimanë dhe zhvendosja drejt Turqisë ishte pjesë e politikave të shpërnguljes. Në vitin 1938 u lidh edhe një marrëveshje jugosllavo-turke për shpërnguljen e një numri të madh të popullsisë myslimane nga Kosova dhe Maqedonia, edhe pse zbatimi i saj u pengua nga zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore.
Këto janë fakte.

Nuk janë përralla orientale.
Por le të shkojmë edhe më tej.
Naçertanija – kur projekti politik është shumë më i vjetër se Çubrilloviqi
Para Çubrilloviqit ishte Ilija Garašhanini dhe Naçertanija e vitit 1844.
Naçertanija ishte një program politik serb i shekullit XIX, i hartuar në kontekstin e zgjerimit dhe të ndërtimit të një shteti serb më të madh. Në literaturën akademike ajo njihet si një nga tekstet themelore të nacionalizmit politik serb të shekullit XIX, ndërsa Kosova përfshihej në horizontin territorial të këtij projekti.
Tani, le të jemi të saktë: Naçertanija nuk duhet të falsifikohet duke i veshur një fjali që nuk e ka shkruar. Por po aq e gabuar është të bëjmë sikur ajo nuk ka ekzistuar ose sikur nuk përfaqësonte një program të zgjerimit politik serb.
Pra, kemi një vijë historike që nuk mund të fshihet me një deklaratë televizive:
Naçertanija – 1844.
Çubrilloviqi – 1937.
Politikat e shpërnguljeve dhe ndryshimeve demografike.
Pastaj dhuna, dëbimet dhe spastrimi etnik i viteve ’90.
A ka nevojë dikush seriozisht të na shpjegojë se historia fillon në vitin 1998 dhe mbaron me xhamitë e rrënuara në vitin 1999?
Jo, Kimi.
Historia ka kujtesë.
Dhe dokumentet kanë një ves të keq: nuk heshtin kur dikush dëshiron t’i përdorë sipas nevojës së ditës.
Përrallë është të na thuash se historia fillon në vitin 1998 dhe përfundon te fotografia e një xhamie të rrënuar në vitin 1999.
Historia nuk fillon aty.
Dhe këtu hyn problemi i sotëm
Sot në Kosovë po shohim një ofensivë gjithnjë e më të hapur të islamit politik.
Dhe bashkë me të po shfaqet edhe një kor i çuditshëm “intelektualësh” që përpiqen të na bindin se çdo kritikë ndaj islamit politik është në fakt propagandë serbe.
Milazimi thotë një gjë.
Shefqeti një tjetër.
Mustafa një tjetër.
Tërnava e të tjerë mullahë e predikues hyjnë në të njëjtën skenë.
Pastaj del poeti.
Pastaj akademiku.
Pastaj analisti.
Dhe të gjithë, në fund, na japin të njëjtën recetë:
Mos e prekni islamin politik, sepse ekziston Serbia!
Jo, zotërinj.
Serbia nuk është patentë mbrojtëse për asnjë ideologji.
Mund ta dënojmë Serbinë për krimet ndaj shqiptarëve dhe njëkohësisht ta kundërshtojmë islamin politik.
Mund të mbrojmë të drejtën e çdo shqiptari për të besuar dhe njëkohësisht të refuzojmë çdo përpjekje për ta kthyer fenë në projekt politik.
Mund t’i mbrojmë xhamitë e rrënuara nga Serbia dhe njëkohësisht të kërkojmë transparencë për çdo financim, ndikim apo agjendë politike që vjen nga jashtë.
Këto nuk janë kontradikta.
Kjo quhet mendim i lirë.
Ajo që është kontradiktë është të përdorësh një krim të Serbisë për të justifikuar një ideologji që kërkon të zgjerojë ndikimin e vet mbi shoqërinë shqiptare.
Dhe këtu duhet të bëjmë edhe një dallim që disa “intelektualë” bëjnë sikur nuk e kuptojnë:
Besimtari nuk është problemi.
Feja individuale nuk është problemi.
Problemi është ideologjia politike që kërkon ta shndërrojë fenë në pushtet shoqëror e politik.
Prandaj, Kimi, mos u ngut t’i quash idiotë ata që bëjnë pyetje.
Ndoshta disa prej tyre kanë lexuar pak më shumë se intervistat e ditës.
Ndoshta kanë lexuar dokumentet.

Ndoshta kanë parë se si politika, demografia, feja dhe identiteti janë përdorur historikisht në Ballkan.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye nuk i hanë më përrallat.
As ato serbe.
As ato osmane.
As ato të importuara sot me petkun e “identitetit fetar”.
Sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për tregtarë të rinj të identitetit: qofshin akademikë, poetë, politikanë apo mullahë.
Kombi shqiptar nuk është mall që shitet në tregun e ideologjive.
Dhe Kosova nuk është tezga ku secili mund të vijë me një katalog të ri identitetesh e të na tregojë se çfarë duhet të jemi.
Pritja po merr fund.
Shqiptarët po fillojnë ta lexojnë historinë e tyre me sytë e tyre.
Dhe kur historia lexohet pa filtra, shumë prej përrallave që janë shitur si “analizë” fillojnë të duken pikërisht për atë që janë:
Tregti me identitetin shqiptar !



