Naim J. Krasniqi, Gjermani
Problemi i marrëdhënies së intelektualit me pushtetin nuk fillon në momentin kur ai merr një post politik. Ai fillon shumë më herët: në momentin kur autoriteti i tij intelektual vendoset përballë joshjes së pushtetit.
Václav Havel e ka trajtuar këtë problem nga një përvojë e dyfishtë: si intelektual që, për vite të tëra, qëndroi në konflikt me pushtetin komunist dhe, më pas, si politikan që vetë u bë pjesë e pushtetit.
Në letrën e tij drejtuar Gustáv Husák-ut më 1975, Havel përshkruan një sistem ku njerëzit janë të gatshëm të sakrifikojnë nderin e tyre intelektual dhe të të tjerëve për mundësinë që t’u afrohen atyre që kanë pushtet. Në këtë klimë, shkruan ai, pozitat publike priren të mbushen nga karrieristë, oportunistë dhe bashkëpunëtorë.
Kjo vërejtje e Havel-it nuk duhet kufizuar vetëm te regjimet totalitare. Vlera e saj analitike qëndron pikërisht në pyetjen më të përgjithshme që ngre: çfarë ndodh me autoritetin e një individi kur dëshira për t’iu afruar pushtetit fillon të konkurrojë me detyrimin për ta kritikuar atë?
Këtu bëhet e rëndësishme ndarja ndërmjet angazhimit politik dhe oportunizmit politik.
Hyrja e një intelektuali në politikë nuk është, në vetvete, komprometim moral. Përkundrazi, Havel-i vetë argumentonte se intelektualët me ndjenjë të lartë përgjegjësie duhet dhe mund të hyjnë në politikë. Por ai kërkonte prej tyre që të mos humbnin atë që i dallonte: aftësinë për ta parë politikën nga një distancë kritike dhe për t’i kujtuar pushtetit atë që pushteti nuk dëshiron gjithmonë ta dëgjojë. Në fjalimin e tij të vitit 1995, Havel thekson se intelektualët mund të jenë ose kritikë të pavarur, që i mbajnë politikës një pasqyrë përpara, ose të përfshihen drejtpërdrejt në politikë; të dyja rrugët janë të mundshme, por përgjegjësia e intelektualit mbetet.
Prandaj, problemi nuk është thjesht: “A hyri intelektuali në politikë?”
Pyetja më e rëndësishme është: “Çfarë ndodhi me autonominë e tij intelektuale pasi hyri në politikë?”
Nëse një intelektual hyn në politikë për t’i shërbyer një ideje, një institucioni ose një interesi publik, angazhimi i tij mund të jetë vazhdim i përgjegjësisë së tij intelektuale. Por nëse autoriteti që ai ka ndërtuar përmes dijes, profesionit dhe reputacionit përdoret për t’i dhënë legjitimitet pushtetit, ndërsa ai vetë heq dorë nga e drejta për ta kritikuar atë pushtet, atëherë kemi një fenomen tjetër:
kalimin nga angazhimi intelektual në kooptimin politik.
Në këtë pikë, Havel-i takohet me Julien Benda-n dhe Edward Said-in. Benda e shihte si rrezik tradhtinë e intelektualit ndaj autonomisë së tij morale, ndërsa Said-i e vendoste intelektualin përballë detyrimit për të folur në mënyrë kritike ndaj pushtetit. Havel-i e shton një dimension tjetër:
pushteti nuk është vetëm një strukturë që mund ta kundërshtosh; ai është edhe një tundim që mund të të ndryshojë ty.
Prandaj, pyetja për integritetin e intelektualit nuk duhet të jetë vetëm nëse ai ka titull, dije apo reputacion. Pyetja është nëse ai është në gjendje ta ruajë të njëjtin standard kritik kur pushteti i ofron atij pozitë, prestigj ose ndikim.
Intelektuali nuk e humb integritetin kur hyn në politikë; ai e humb atë kur, për hir të pozitës politike, heq dorë nga e drejta dhe detyrimi për ta vënë politikën në pikëpyetje.
Dhe pikërisht këtu titulli akademik përballet me provën e tij më të vështirë. Titulli dëshmon një arritje në fushën e dijes; ai nuk garanton integritetin moral. Autoriteti profesional mund të fitohet përmes viteve të studimit, ndërsa autoriteti moral provohet pikërisht në momentin kur interesat personale, profesionale ose politike bien ndesh me parimet që individi ka deklaruar më parë.
Një profesor i së drejtës mund të jetë autoritet në jurisprudencë, por kjo nuk do të thotë se çdo qëndrim i tij politik është i drejtë. Një ekonomist mund të jetë ekspert i ekonomisë, por kjo nuk e bën automatikisht politikan të suksesshëm. Një historian mund të ketë njohuri të thella mbi të kaluarën, por kjo nuk e bën domosdoshmërisht të aftë për të drejtuar një shtet.
Kur autoriteti shkencor bëhet pjesë e politikës
Kriza e fundit institucionale në Kosovë ngre një pyetje që shkon përtej debatit juridik mbi
respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese. Nëse këto çështje janë ose jo në përputhje me Kushtetutën, kjo është, para së gjithash, çështje për juristët dhe institucionet kompetente. Pyetja tjetër është e natyrës intelektuale dhe morale: çfarë përgjegjësie ka një personalitet me autoritet profesional, juridik dhe intelektual kur pranon të bëhet pjesë e një procesi politik të diskutueshëm?
Rasti i dy figurave të propozuara gjatë periudhës së krizës institucionale është domethënës. Në gjuhën politike të përditshme mund të thuhet se partia “i dogji” këta kandidatë: i nxori publikisht në një përpjekje për të arritur një objektiv politik, ndonëse nuk kishte siguruar mbështetjen e nevojshme për sukses. Por përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet vetëm partisë. Një personalitet që pranon të bëhet kandidat publik duhet të vlerësojë edhe vetë nëse kandidatura e tij ka një bazë reale, më të gjerë se marrëveshja e dy subjekteve që e propozojnë.
Kjo pyetje bëhet veçanërisht e rëndësishme kur kandidati paraqitet si jurist, profesor dhe ish gjyqtar kushtetues. Pikërisht për shkak të këtij autoriteti, publiku mund të presë prej tij jo vetëm kompetencë profesionale, por edhe një shkallë më të lartë të pavarësisë së gjykimit. Në një situatë ku vetë krijimi i institucioneve shoqërohet me debate mbi respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, pyetja nuk është nëse kandidati ka kryer një shkelje juridike — këtë nuk duhet ta vendosë një analizë politike — por nëse ai ka përdorur autoritetin e tij për të kërkuar një standard më të lartë institucional.
Këtu lind dallimi ndërmjet pranimit të një oferte politike dhe ruajtjes së integritetit intelektual gjatë pranimit të saj.
Një intelektual ka të drejtë të hyjë në politikë. Por ai nuk duhet të lejojë që autoriteti i fituar jashtë politikës të shndërrohet në dekor ose në mjet legjitimimi të një procesi politik. Ai mund ta pranojë një detyrë, por, njëkohësisht, duhet të ruajë të drejtën dhe detyrimin për ta pyetur politikën: a janë krijuar kushtet reale dhe institucionale që kjo kandidaturë të ketë kuptim?
Prandaj, pyetja themelore nuk është: “A duhej ta pranonte kandidaturën?”
Ajo është më e thellë: “A po hyn intelektuali në politikë për ta vënë autoritetin e tij në shërbim të institucioneve, apo po lejon që autoriteti i tij të përdoret për t’i dhënë autoritet një procesi politik që ende nuk e ka siguruar atë?”
Në këtë kuptim, “djegia” politike e një kandidati nuk është vetëm përgjegjësi e atij që e propozon.
Ekziston edhe përgjegjësia e atij që pranon të dalë në skenë. Sa më i madh të jetë autoriteti profesional dhe intelektual i një personaliteti, aq më e madhe është përgjegjësia e tij për të mos e vënë atë autoritet në shërbim të një interesi të ngushtë partiak.


