Po dua me e pa këtë temë nga një kënd që ndoshta nuk na pëlqen, por besoj që na duhet.
Pas vendimit të Gjykatës Speciale, krejt Kosova është përfshirë nga emocione. Ka zemërim, zhgënjim, protesta, akuza e plot reagime. Edhe është normale. Për ne kjo nuk është veç një çështje gjykate. Kjo lidhet me luftën, me UÇK-në, me sakrificën dhe me historinë tonë.
Ama unë po dua me e pa si e sheh një i huaj. Në këtë rast, një norvegjez.
Kam jetuar 34 vjet në Norvegji dhe kam punuar si gazetar. Prandaj po e them një gjë që ndoshta shumëkujt nuk do t’i pëlqejë: ne shpesh flasim vetëm si shqiptarë, por rrallë ndalemi me mendu si mendon bota për ne.
Kur ne e lexojmë vendimin e Gjykatës Speciale, secili prej nesh hyn me emocionet e veta. Dikush e sheh si padrejtësi, dikush si sulm ndaj UÇK-së, ndaj historisë sonë, madje edhe ndaj vetë kombit.
Por për një norvegjez apo një tjetër të huaj nuk ka rëndsi kjo dhe ai nuk hyn fare në këtë debat.
Pse?
Sepse kjo është mendësia e tyre. Për shumicën e norvegjezëve, kur një gjykatë e jep një vendim, puna mbaron aty. Ata nuk ulen me lexu 1500 apo 2000 faqe aktgjykim. As nuk u intereson me hy në çdo detaj. Ata dëgjojnë lajmin: “Gjykata e dha vendimin.” Dhe pikë.
Në kokën e tyre, ai vendim është rezultat i provave, dëshmive dhe një procesi gjyqësor. Kaq.
Tani pyetja është: A e kuptojmë ne këtë mendësi?
Sepse këtu është dallimi më i madh mes nesh dhe Perëndimit.
Ne reagojmë me historinë tonë. Ata reagojnë me kulturën e tyre juridike.
Dhe pikërisht këtu duhet të jemi të kujdesshëm.
Sepse ne nuk e kemi historinë e Norvegjisë. Ne kemi kaluar luftë, masakra, dëbime dhe gjenocid. Për këtë arsye shumë shqiptarë nuk e shohin Gjykatën Speciale vetëm si gjykatë. E shohin edhe përmes historisë me Serbinë, përmes dyshimeve dhe pretendimeve se ky proces ka pasur bashkëpunim apo ndikim nga Serbia, dhe përmes pyetjes nëse është trajtuar drejt krejt ajo që ka ndodhur gjatë luftës, kur dihet botërisht kush ishte agresori.

Dhe këtë duhet ta kuptojë edhe bota, ose ma mirë me thanë NE duhet me ditë me ua shpjegu të drejtën tonë.
Sepse pyetja më e rëndësishme sot nuk është vetëm: Çfarë mendojmë ne?
Pyetja është: Çfarë mendojnë ata për ne?
Si e sheh këtë vendim një qytetar në Oslo, Berlin apo Londër? Si e sheh një gazetar perëndimor?
Një norvegjezi të zakonshëm as që i intereson përmbajtja e aktgjykimit përtej vetë vendimit. Për të, rëndësi ka çfarë ka vendosur gjykata, jo debati ynë politik rreth saj.
Këtu mendoj se kemi bërë gabime si shtet. Kemi folur shumë mes vete, por shumë pak me gjuhën që e kupton bota.
Vendimi i shkallës së parë tashmë është dhënë. De facto, edhe pse i kuptoj dhe i përkrah protestat si reagim qytetar, e di që ato nuk e ndryshojnë këtë vendim. Tani beteja është në apel.
Dhe nëse duam që edhe Perëndimi ta dëgjojë anën tonë, duhet ta ndërtojmë një narrativë që mbështetet në fakte, dokumente dhe argumente të forta. Jo në thashetheme, jo në etiketime, jo vetëm në emocione, e besa as vetëm në protesta.
Një mësim që e kam marrë nga Norvegjia është ky, nuk mjafton me besu se ke të drejtë. Duhet me ditë me ia shpjegu të drejtën tënde edhe atij që nuk e ka jetuar historinë tënde.
Për ta, ky është një aktgjykim.
Për ne, ky është edhe një kapitull i historisë sonë.
Këto janë dy botëkuptime të ndryshme. Dhe nëse nuk e kuptojmë këtë dallim, do të vazhdojmë të flasim mes vete, ndërsa bota do të vazhdojë të na dëgjojë shumë pak.



